ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

Mesazhe me Rastin e Dites Boterore te Paqes

 Mesazhi i Papa Gjon Palit te II

 

1 JANAR 1990

 

1. Në ditët tona vihet re rritja e vetëdijes për kërcënimin e paqes në shkallë botërore, jo vetëm nga gara e armatimeve, nga konfliktet rajonale dhe padrejtësitë, që ende ekzistojnë ndër popuj e kombe, por edhe nga mungesa e respektit të duhur për natyrën, nga shfryëzimi i çrregullt i rezervave të saj dhe nga dëmtimi në rritje i cilësisë së jetës. Në një situatë të tillë, lind një ndjesi paqendrueshmërie dhe pasigurie që herë pas here favorizon forma të egoizmit kolektiv, të përfitimit dhe shpërdorimit të detyrës. Përballë shpërbërjes të ambjentit, fenomen që po përhapet çdo ditë, për njerëzimin tashmë është e qartë që nuk mund të vazhdohet të përdoren të mirat e tokës si më parë. Opinioni publik dhe politikanët përgjegjës janë të shqetësuar për këtë çështje, ndërsa studiuesit e disiplinave të ndryshme po hulumtojnë shkaqet. Po formohet kështu, një ndërgjegje ekologjike, të cilën nuk duhet ta lëndojmë, përkundrazi duhet të favorizohet, në mënyrë që të zhvillohet e të piqet duke gjetur shprehjet e përshtatshme dhe inisiativa konkrete.

Nuk janë të pakta vlerat etike të një rëndësie rrënjësore për zhvillimin e një shoqërie paqësore që kanë një lidhje direkte me çështjet mjedisore. Ndërvartësia e shumë sfidave, që bota duhet të përballojë, vërteton nevojën e zgjidhjeve të bashkërenduara, të njësuara në vizione koherente e morale të botës.

Për të krishterin një vizion i tillë mbështetet ne bindjet fetare të marra në zbulesat. Ja përse, në fillim të këtij mesazhi dëshiroj të rikujtoj tregimin biblik të krijesës, dhe uroj që edhe ata të cilët nuk kanë të njëjtat bindje fetare me ne, të munden njëlloj të gjejnë shtytje të dobishme për një lidhje të përbashkët të reflektimit e të angazhimit.

 

“Dhe Zoti e pa që ishte gjë e mirë”

 

2. Në faqet e Gjenezës, në të cilat është shënuar vetëzbulimi i parë i Zotit për njerëzimin, vijnë si një refren fjalët: “E Zoti pa që ishte gjë e mirë”. Por pasi kishte krijuar qiellin e detin, tokën e gjithçka që ajo përmban, Zoti krijoi burrin e gruan, shprehja ndryshon dukshëm. “E Zoti e pa çfarë kishte bërë dhe kjo ishte një gjë shumë e mirë” (Zan 1, 31). Burrit dhe gruas, Zoti u besoi krijimin e gjithçkaje tjetër dhe atëherë siç lexojmë, mundi të pushojë”nga të gjitha punët e tij” (Zan 2, 3).

Thirrja e Adamit dhe e Evës të marrin pjesë në vetveprimin e planit të Zotit për krijimin, stimulonte atë kapacitet e ato dhunti, që dallojnë njeriun nga çdo krijesë tjetër e në të njëjtën kohë, bënte të qëdrueshme një raport të rregullt mes njerëzve dhe natyrës. Të bërë sipas imazhit e ngjashmërisë së Zotit, Adamit e Evës, do t’u duhej të ushtronin zotërimin e tyre mbi tokë (krh. Zan 1, 28) me urtësi e dashuri. Ata përkundrazi, me mëkatin e tyre shkatërruan harmoninë ekzistuese, duke vepruar me vendosmëri në kundërshtim me atë çka kishte skicuar Krijuesi. Kjo nuk solli vetëm tjetërsimin e njeriut me vetveten, vdekjen apo vëllavrasjen, por edhe një lloj rebelimi të tokës në ballafaqim me njerëzit (krh. Zan 3, 17-19.4.12). Gjithë hapësira bëhet objekt i paqëndrueshmërisë e qysh atëherë, pret në mënyrë të mistershme, të jetë e lirë për të hyrë në lirinë e lavdishme së bashku me të gjithë fëmijët e tjerë të Zotit (krh. Rom 8.20-21).

 

3. Të krishterët tregojnë që në Vdekjen dhe Ringjalljen e Krishtit është përmbushur vepra e pajtimit të njeriut me Zotin, të cilit i pëlqen të pajtojë me veten të gjitha gjërat, duke paqësuar me gjakun e kryqit të tij e nëpërmjet tij, gjërat që janë në tokë e në qiell. (Kol 1, 19-20). Krijimi në këtë mënyrë u përtri (krh. Zb 21, 5) e Ai, më parë iu nënshtrua “skllavërisë” së vdekjes e vetmimit (krh. Rom 8, 21), shpërthen një jetë e re, ndërsa ne “presim qiej të rinj e një tokë të re, në të cilat do të ketë një banesë të qëndrueshme të drejtësisë” (2 Pjt 3, 13).

Kështu Zoti na bëri të njohim misterin e vullnetit të tij, plane që me dashamirësi i kishte caktuar ti realizonte në kohë: çka do të thotë që përmbledhtas të përvijohej gjithçka në Krishtin. (Ef 1, 9.10)

 

4. Këto konsiderata biblike ndriçojnë më mirë lidhjen mes veprimit njerëzor e përbërësve të gjithësisë. Kur largohet nga modeli i Zotit krijues, njeriu provokon një çrregullim, që në mënyrë të pashmangshme reflektohet në pjesën tjetër të botës. Në qoftë se njeriu nuk është në paqe me Zotin, vetë toka nuk është në paqe: “Prandaj është në zi vendi e cilido, që banon aty lëngon bashkë me kafshët e tokës e zogjtë e qiellit; deri edhe peshqit e detit zhduken” (Os 4, 3). Përvoja e kësaj “vuajtje” të tokës është e përbashkët edhe për ata, që nuk e mbështesin fenë tonë me Zotin. Në fakt janë para syve të të gjithëve shkatërrimet në rritje të shkaktuara në natyrën e kësaj bote nga sjellja e njerëzve, që janë indiferent ndaj nevojave e pra është paralajmërim i qartë, i rregullit e i harmonisë që e mbajnë. Prandaj pyetet me ankth nëse mund të gjendet rrugëdalje për dëmet e provokuara. Duket që një zgjidhje e përshtatshme nuk mund të konsistojë thjesht në një administrim më të mirë apo në një përdorim më pak irracional të rezervave të tokës, megjithatë duke njohur dobinë praktike të masave të tilla, duket e nevojshme të gjendet burimi e ta përballojmë së bashku krizën morale, ku shpërbërja e ambjentit është një prej problemeve më shqetësuese.

 

Kriza ekologjike një problem moral

 

5. Disa elementë të krizës së tashme ekologjike nxjerrin në pah në mënyrë të dukshme karakterin e saj (truoral). Mes këtyre elementeve, në vend të parë duhet të numërohet përdorimi diskriminues i përparimeve shkencore e teknologjike. Shumë zbulime të kohëve të fundit kanë sjellë të mira të pamohueshme për njerëzimin, por ato manifestohen në rast të një përkushtim fisnik të njerëzve për të marrë pjesë në mënyrë të përgjegjëshme në veprimtarinë krijuese të Zotit në botë. Është vënë re që përdorimi i zbulimeve të tilla, në fushën industriale e bujqësore prodhon në fund të fundit, efekte negative. Ajo çfarë sot ka dalë hapur në dukje është se çdo ndërhyrje në hapësirën e ekosistemit nuk mund të lejohet pa marrë në konsideratë pasojat në fusha të tjera e në përgjithësi interesat e brezave të së ardhmes.

 

6. Harxhimi gradual i shtresës së ozonit dhe “efekti serrë” tashmë kanë arritur përmasa kritike për shkak të shtrirjes së industrisë të përqëndrimeve të mëdha urbane dhe konsumit të energjisë. Shkarkimet industriale, gazet e prodhuara nga djegia e fosileve të karburanteve, shpyllëzimi i pakontrolluar, përdorimi i disa tipeve të herbicideve, freskueve, dhe i lëndëve djegëse reaktive, të gjitha këto, siç është vënë re, dëmtojnë atmosferën dhe ambientin. Nga kjo kanë rrjedhë ndryshime të shumta metereologjike e atmosferike, efektet e të cilave dëmtojnë shëndetin dhe mundësojnë zhytjen në ujë të tokave të ulta.

Ndërsa në disa raste dëmet ndoshta tashmë janë të pakthyeshme, në shumë raste të tjera është e mundur të ndalohen. Ndërkaq, do të duhej që e gjithë bashkësia njerëzore, individët, shtetet dhe organizmat ndërkombëtare t’i marrin përsipër seriozisht përgjegjësitë e veta.

 

7. Por shenja më e thellë dhe më e rëndë e pështjellimeve morale, që është rrënjësore në çështjet ekologjike është krijuar nga mungesa e respektit për jetën, gjë që vihet re shpesh në sjelljet e mbrapshta. Shpesh arsyet e prodhimit dalin mbi dinjitetin e punëtorit dhe interesat ekonomike vihen para interesit të individit e pse jo, edhe të të gjithë popullsisë. Në këto raste padrejtësia e shkatërrimi i’natyrës përvijon përbuzjen e vërtetë ndaj njeriut. Ekuilibret delikate ekologjike përmbysen nga shkaku i zhdukjes së pakontrolluar të specieve të gjalla ose atyre bimore ose për shkak të shfrytëzimit të pakujdesshëm të rezervave e megjithatë, është mirë të kujtohet se edhe në qoftë se këto gjëra bëhen në emër të përparimit e të së mirës, në fakt, kurrsesi nuk kthehen në avantazh të njerëzimit.

Më në fund, nuk ka se si të mos i shikojmë me shqetësim të thellë mundësitë e mrekullueshme të kërkimeve biologjike. Ndoshta ende nuk jemi në gjendje t’i masim pështjellimet që po i shkaktojmë natyrës nga një manipulim gjenetik diskriminues nga zhvillimi i pamenduar i llojeve të reja të bimëve e formave të jetës së kafshëve, për të mos folur pastaj për ndërhyrjet e papranueshme në origjinën e vetë jetës njerëzore. Askujt nuk i lejohet, në një sektor kaq delikat, indiferenca ose mosreflektimi i normave etike themelore, që e sjellin njeriun mu në prag të vetëshkatrrimit. Është respekti për jetën e në radhë të parë, për dinjitetin e njeriut norma thelbësore frymëzuese te një progresi të shëndoshë ekonomik, industrial e shkencor. Është krejt i dukshëm kompleksiteti i problemit ekologjik. Ekzistojnë megjithatë disa parime thelbësore, që nga pikpamja e autonomisë legjitime dhe të kompetencave specifike të atyre që janë angazhuar në to, mund t’i drejtojnë kërkimet drejt zgjidhjeve të përshtatshme e afatgjata. Është fjala për principe esenciale për ndërtimin e një shoqërie paqësore, e cila nuk mund të injorojë as respektin për jetën, as kuptimin e paprekshmërisë të gjithësisë.

 

Në kërkim të një zgjidhjeje

 

8. Teologjia, filozofia e shkenca puqen për sa i takon vizionit të një universi në harmoni, d.m.th të një universi të vërtetë, i pajisur me tërësinë e tij dhe me ekuilibrin e tij të brendshëm dinamik: Ky urdhër duhet të respektohet: Njerëzimi është grishur për ta eksploruar, për ta zbuluar me një kujdes të butë e pastaj të përdoret me dëshirë duke ruajtur paprekshmërin e tij (kosmozit). Nga ana tjetër, toka është në thelb trashegimi e përbashkët, frutet e së cilës duhet të jenë në dobi të të gjithëve.”Zoti e ka destinuar tokën dhe gjithçka që ajo përmban për përdorime të të gjithë njerëzve e popujve” ka riafirmuar Koncili i Dytë i Vatikanit (Gaudium et Spes, 69).

Kjo gjë ka ndërlikime direkte për problemin tonë. Është e padrejtë që një pakicë të privilegjuarish vazhdojnë të grumbullojnë të mira të panevojshme duke shkatërruar burimet e gatshme, ndërkohë që shumë njerëz jetojnë në kushte varfërie, në një nivel minimal mbështetjeje. Dhe është tani po ky dimension dramatik i prishjes së ekuilibrit ekologjik që na mëson se lakmia dhe egoizmi, individual ose kolektiv, janë në kundërshtim me urdhrin e krijuesit, në të cilin është nënshkruar ndërvartësia e heshtur.

 

9. Konceptet e rregullit në univers dhe trashëgimia e përbashkët, janë dy elemente që meritojnë të vihen në dukje dhe nga ana tjetër është i nevojshëm një sistem i trajtimit të rezervave të tokës i kontrolluar më mirë në nivel ndërkombëtar. Përmasat e problemit të mjedisit në shumë raste i kalojnë kufijtë e shteteve të veçanta, zgjidhja e tyre pra, nuk mund të gjendet vetëm në nivele kombëtare. Kohët e fundit janë regjistruar disa hapa premtues drejt një veprimi ogurbardhë në shkallë ndërkombëtare, por instrumentet dhe organizmat ekzistuese janë ende të papërshtatshëm drejt një plani ndërhyrës të koordinuar. Pengesat politike, format e nacionalizimit të ekzagjiruar dhe interesat ekonomike, për të mos kujtuar që disa faktorë zvogëlojnë, ose drejtpërdrejtë pengojnë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe vënien në veprim të inisiativave efikase për një kohë të gjatë. Duhet të ngulim këmbë në nevojën e hartimit të një veprimi në nivel ndërkombëtar, por kjo sigurisht nuk zvogëlon përgjegjësinë e shteteve të veçanta. Këto shtete nuk duhet vetëm të zbatojnë normat e aprovuara së bashku me autoritetet e shteteve të tjerë, por edhe të favorizojnë, brenda tyre një rregull të përshtatshëm social ekonomik, me një vëmendje të veçantë ndaj sektorëve më të prekshëm të shoqërisë. I takon çdo shteti detyra, që brenda territorit të tij të parandalojë degradimin e atmosferës e të biosferës, duke kontrolluar me kujdes ndër të tjera, efektet e zbulimeve të reja teknologjike ose shkencore e duke iu ofruar qytetarëve të tyre garancinë për të mos qënë të ekspozuar ndaj agjentëve ndotës apo të mbetjeve helmuese. Sot po flitet me më këmbëngulje për të drejten e të pasurit të një ambjenti të sigurtë, si një e drejtë që sado e vonë, duhet të hyjë në kartën e të drejtave të njeriut .

 

Urgjenca e një solidariteti të ri

 

10. Kriza ekologjike nxjerr në pah nevojën e ngutshme morale të një solidariteti të ri, veçanërisht në marrëdhëniet mes vendeve në zhvillim dhe vendeve më të inustrializuara. Shtete duhet të tregohen gjithnjë e më shumë solidarë dhe duhet të plotësojnë njëri-tjetrin për të promovuar një zhvillim të një ambienti natyror e social paqësor e të shëndoshë.

Vendeve në zhvillim, p.sh. nuk mund t’u kërkohet t’i ndërtojnë industritë e tyre të reja sipas normave strikte, në qoftë se shtetet e indrustrializuara nuk i zbatojnë këto norma vetë të parët në vendet e tyre. Nga ana e tyre, vendet në zhvillim, moralisht nuk mund të përsërisin gabimet e bëra nga të tjerët në shkuarën, duke vazhduar të ndotin mjedisin me prodhime ndotëse, shpylëzime të tepruara e shfrytëzim të pakufizuar të rezervave shteruese. Më të njëjtin konteks është urgjente të gjendet një zgjidhje e problemit të trajtimit e asgjësimit të mbeturinave toksike Megjithatë asnjë organizatë, asnjë plan, nuk do të jetë në gjendje t’u paraprijë ndryshimeve të duhura, në qoftë se drejtuesit e kombeve të të gjithë botës nuk do të jenë me të vërtetë të bindur për një nevojë absolute të këtij solidariteti të ri, që kriza ekologjike kërkon dhe që është e rëndësishme për paqen. Një nevojë e tillë do të ofrojë raste të volitshme të konsoliduara në marrëdhënie paqësore mes Shteteve.

 

11. Duhet të shtojmë se nuk mund të fitohet ekuilibri i vërtetë ekologjik, në qoftë se nuk përballohen direkt format strukturore të varfërisë ekzistuese sot në botë. P.sh. varfëria rurale e shpërndarja e tokës në shumë vende kanë sjellë një bujqësi produktive dhe varfërimin e tokës. Kur toka nuk prodhon, më shumë fshatarë transferohen në zona të tjera, duke rritur shpesh shpyllzimin e pakontrolluar ose vendosen në qendra urbane me shërbime e strukturë tashmë të varfëruar.

Ndërkaq disa vende, të zhytura thellë në borxhe, janë duke shkatërruar trashëgiminë e tyre natyrore me pasoja të pakthyeshme të ekuilibrit ekologjik, me qëllim prodhimin e produkteve të reja për eksport. Përballë një situate të tillë, të akuzosh të varfrit për efektet negative mjedisore, që në fakt i kanë provokuar vete, do të ishte një mënyrë e papranueshme për të vlerësuar përgjegjësitë. Është më mirë të ndihmohen të varfrit, të cilëve u është besuar toka si gjithë të tjerëve, për të përballuar varfërinë, por kjo kërkon një formë guximtare të skemave e strukturave të reja në marrdhëniet mes shteteve e popujve.

 

12. Por ka edhe një kërcënim tjetër të rrezikshëm, që na qëndron mbi kokë: lufta. Sot shkenca moderne zotëron, për fat të keq mjaft kapacitet për ta shfrytëzuar mjedisin për qëllime armiqsore. Një cënim i tillë mund të ketë efekt për një kohë të gjatë e të paparashikuar edhe më të rëndë. Pavarsisht se marrëveshjet ndërkombëtare ndalojnë luftën kimike, bakteriologjike e biologjike, në fakt në laboratorë, vazhdon kërkimi për zhvillimin e armëve të reja sulmuese, të afta për të prishur ekuilibrin natyror. Sot çdo formë e luftës në shkallë botërore do të shkaktonte dëme ekologjike të pallogaritshme. Por edhe luftërat lokale ose rajonale, sado që janë të kufizuara, jo vetëm që shkatërrojnë jetë njerëzish dhe strukturat e shoqërisë, por dëmtojnë tokën, duke shkatërruar të mbjellat e bimësinë dhe helmojnë tokën e ujin. Të mbijetuarit nga lufta gjenden para nevojave për të filluar një jetë të re në kushte natyrore shumë të vështira, që krijojnë herë pas herë gjendje të vështira fatkeqësisht shoqërore, me pasoja negative edhe për mjedisin.

 

13. Shoqëria e sotme nuk do të gjejë zgjidhje për problemin ekologjik, në qoftë se nuk rishihet seriozisht mënyra e të jetuarit. Në shumë pjesë të botës ajo (shoqëria) i është nënshtruar hedonizmit e konsumizmit dhe mbetet indiferente ndaj dëmeve që rrjedhin nga keqtrajtimi që i bëhet ambientit. Siç e kam vënë re , situata ekologjike rëndohet sa herë që kriza morale e njeriut thellohet. Në qoftë se mungon kuptimi i vlerave të individit e të jetës njerëzore, bie interesi për të tjerët e për tokën. Thjeshtësia, vetpërmbajtja, vetëdisiplina dhe shpirti i sakrificës duhet ta mbushin jetën tonë çdo ditë, në qoftë se nuk duam të jemi të shtërnguar të gjithë të bartim pasojat negative të një pakice të pakujdesshme. Ka pra, një nevojë urgjente për t’u edukuar me përgjegjësinë ndaj ekologjisë, përgjegjësi ndaj të tjerëve përgjegjësi ndaj mjedisit. Është një edukim që nuk mund të bazohet thjesht në ndjenja apo në përpjekje të kota e të papërcaktuara. Fundi i edukimit nuk mund të jetë as ideologjike as politike. Themelimi i tij nuk mund të vendoset mbi refuzimin e botës moderne apo mbi një dëshirë të mjegullt për një kthim në “parajsën e humbur”. Edukimi i vërtetë për përgjegjësinë përbën një kthesë të vërtetë në mënyrën e të menduarit ose në sjellje. Për sa I takon Kishës dhe institucioneve të tjera fetare, organizmave qeveritare, para së gjithash përbërësit e shoqërisë kanë një rol konkret për të zhvilluar. Edukuesja e parë gjithsesi mbetet familja, në të cilën fëmija mëson të respektojë të afërmit dhe të dojë natyrën.

 

14. Më në fund, nuk mund të errësohet vlera estetike e Krijuesit. Kontakti me natyrën është vetvetiu thellësisht ripërtritës siç është soditja e shkëlqimit të tij, që na dhuron paqe e sinqeritet. Bibla flet shpesh për mirësinë dhe bukurinë e Krijesës, e grishur për t’i dhënë lavdi Zotit. (krh. Zan 1, 4 e vijim; Psal 8, 2; 104 (103), 1 e vijim; Ur 13, 3-5; Sir 39, 16, 33; 43, 1, 9).

Ndoshta më e vështirë, por që nuk është më pak e rëndësishme të meritojë më pak vëmendje, mund të jetë soditja e disa veprave gjeniale të ndërtuara nga njeriu. Edhe qytetet mund të kenë një bukuri të veçantë, që duhet t’i shtyjë njerëzit ta mbrojnë mjedisin rrethues. Një planifikim urban është një aspekt delikat i mbrojtjes së mjedisit, është respekti për karakteristikat morfologjike të tokës dhe një kërkesë e domosdoshme për çdo fillim pune ekologjikisht korrekt. Nuk duhet të errësohet lidhja që ekziston mes një edukimi të përshtatshëm estetik dhe përdorimit të një mjedisi të shëndoshë.

 

Gështja ekologjike: Një përgjegjësi e të gjithëve

 

15. Sot çështja ekologjike ka marrë përmasa të tilla, sa që ka ndërthur përgjegjësitë e të gjithëve. Aspekte të ndryshme të këtij problemi që unë i kam ilustruar tregojnë nevojën e një bashkëpunimi të detyrueshëm, deri në një stabilizim të detyrave përkatëse dhe të angazhimeve të individëve, të popujve, të shteteve e të komunitetit ndërkombëtar. Kjo jo vetëm që ecën me të njëjtin hap në përpjektet për të ndërtuar paqen e vërtetë, por objektivisht e ligjëron dhe e forcon atë. Duke e futur problemin ekologjik në një kuptim më të gjerë të çështjes së paqes në shoqërinë njerëzore, del më mirë në pah, se sa i rëndësishëm është kuptimi i vëmendjes asaj që toka dhe atmosfera na zbulojnë: Në univers ekziston një rregull që duhet të respektohet: njeriu i pajisur me mundësinë e zgjedhjes së lirë, ka një përgjegjësi të madhe për ruajtjen e këtij rregulli edhe për të mirën e brezave që vijnë. Kriza ekologjike e përsëris e përsëris - është një problem moral. Edhe burrat e gratë, që nuk kanë bindje të veçanta fetare, për vetë kuptimin e përgjegjësisë së tyre ndaj së mirës së përbashkët, e njohin detyrën e tyre për të kontribuar në shëndoshjen e mjedisit. Më shumë arsye kanë ata që besojnë në Zotin krijues e pra që janë të bindur që në botë ekziston një rregull i përcaktuar mirë deri në fund për të qënë të grishur të merren me problemin. Të Krishterët, në veçanti, vërejnë që detyrat e tyre në brendësi të gjithësisë, detyrimet e tyre ndaj natyrës e Krijuesit janë pjesë e fesë së tyre. Ata ndërkaq, janë të ndërgjegjshëm për fushën e gjerë të bashkëpunimit ndërfetar që hapet para tyre.

 

16. Në përfundim të këtij mesazhi, dëshiroj t’u drejtohem direkt vëllezërve të mi dhe motrave të mia të Kishës katolike për t’u kujtuar detyrimin e tyre të rëndësishëm që ata kanë: të kujdesen fort për gjithësinë. Angazhimi i besimtarit për një mjedis të shëndoshë lind direkt nga besimi i tij në Zotin krijues, nga vlerësimi I mëkateve origjinale e të mëkateve përsonale e nga siguria e të qenit I shpërblyer nga Krishti. Respekti për jetën e për dinjitetin e personit njerëzor përfshin edhe respektin për gjithësinë, që është ftuar për t’u bashkuar me njeriun në glorifikimin e Zotit. (krh. Psal 148, 147, e Psal 96, 95). San Françesku i Asizit, që më 1979 e kam shpallur mbrojtës qiellor të lëvrueve të ekologjisë (krh. “Inter Sanctos”: AASi (1979), 1509 e vijim) u afron të krishterëve shembullin e vërtetë e respektin e plotë për gjithësinë. Mik i të varfërve, i dashuruar prej krijesave të Zotit, ai ftoi të gjithë kafshët, bimët, forcat natyrore edhe diellin vëlla e hënën motër për të nderuar e lavdëruar Zotin. Nga i Varfri i Asizit na vjen dëshmia që, duke qenë në paqe me Zotin mund të jemi me tërë gjithësinë, e cila është e pandarë nga paqja mes popujve. Është ogur i mirë fryma e tij, që na ndihmon për të ruajtur gjithnjë gjallë, kujtimin e “vëllazërimit” me të gjitha gjërat e krijuara mirë e bukur nga Zoti i gjithëpushtetshëm e na kujton detyrimin për t’i respektuar e ruajtur me kujdes, në kuadrin e një vëllazërimi njerëzor më të gjerë e më të fortë.

 

Nga Vatikani, 8 dhjetor 1989

 

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster