ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

Mesazhe me Rastin e Dites Boterore te Paqes

 Mesazhi i Papa Gjon Palit te II

 

1 JANAR 1993

 

 

Po kerkove paqen, dilu para te varferve”

  

 

1. Cili njeri vullnetmirë nuk e ka synimin te paqja? Kjo sot është e njohur përgjithësisht si njëra ndër vlerat më të larta për t’u kërkuar e për t’u mbrojtur. Megjithatë, ndërsa po davaritet hija e një lufte vdekjeprurëse në mes bloqeve ideologjike të përkundërta, konflikte të rënda vendore vijojnë që të përflakun treva të ndryshme të botës. Në veçanti, të gjithë e kanë parasysh gjendjen dramatike në të cilën gjendet Bosnje-Hercegovina, ku ngjarjet luftarake vijojnë të korrin çdo ditë flije të reja, sidomos në mes popullsisë qytetëse të pambrojtur dhe duke u shkaktuar dëme të mëdha sendeve e vendit. Duket se nuk ka gjë që mund t’i dalë para dhunës së çmendur të armëve: as përpjekjet e përbashkëta në të mirë të një armëpushimi efektiv, as veprimi humanitar i Organizatave Ndërkombëtare, as përgjërimi i paqes që ngrihet njëzëri nga tokët e përgjakura prej luftimeve. Logjika rravguese e luftës mjerisht, i shkapërcen ftesat e përsëritura e me autoritet për paqe.

Pohohet gjithashtu, e bëhet gjithnjë e më i rëndë një tjetër rrezik për paqen në botë: shumë njerëz madjè, popullsi të tëra jetojnë sot në kushtet e një varfërie të skajshme. Pabarazia në mes të pasurve e të varfërve është bërë më e dukshme edhe ndër shtetet më të zhvilluara në pikëpamje ekonomike. Kemi të bëjmë me një problem që i diktohet ndërgjegjes së njerëzimit, mbasi kushtet në të cilat gjendet një numër i madh njerzish janë të tilla sa që të fyejnë dinjitetin e lindur e të cënojnë, rrjedhimisht, përparimin e vërtetë dhe harmonik të bashkësisë botërore. Kjo njëmendësi shfaqet me tërë peshën e vet në shumë vende të botës: në Europë ashtu si në Afrikë, Azi e Amerikë. Në treva të ndryshme nuk janë të pakta sfidat shoqërore dhe ekonomike me të cilat do të maten besimtarët dhe njerëzit vullnetmirë. Varfëria e mjerimi, ndryshimet shoqërore e padrejtësitë nganjëherë të ligjëruara, konfliktet vëllavrasëse e regjimet shtypëse i drejtohen ndërgjegjes së popullsive të tëra në çdo anë të botës.

Konferenca e re e Episkopatit latino-amerikan, që u zhvillua në Santo Domingo në muajin tetor, i ka sjellë sytë me vëmendje te gjendja që ekziston në Amerikën Latine dhe duke u parashtruar përsëri me ngut të madh të krishterëve detyrën e nje ungjillëzimi të ri, me tone të pikëlluara i ka ftuar besimtarët dhe të gjithë ata që duan drejtësinë e të mirën për t’i shërbyer çështjes së njeriut pa lënë pas dore asnjërën nga kërkesat e tij më të brendshme. Ipeshkvijtë kanë zënë në gojë misionin e madh që duhet t’i bashkojë përpjekjet e të gjithëve: mbrojtje e dinjitetit të njeriut, zotim për një shpërndarje të barbartë të të mirave, promovim në mënyrë harmonike e solidare i një shoqërie në të cilën secili ta ndjejë veten të mirëpritur e të dashur. Si shihet këto janë premisat e pamënjanueshme për të ndërtuar paqen e vërtetë. Në fakt, të thuash “paqe” do të thotë të thuash shumë më tepër se një mungesë e thjeshtë luftërash; është të kërkosh me ngulm kushtin e një nderimi të vërtetë të dinjitetit e të të drejtave të çdo qenieje njerëzore në mënyrë që t’i lejohet kësaj realizimi i plotë i vetvetes. Shfrytëzimi i atyre që janë të dobët, xhepat shqetësues me mjerim, shpërpjestimet shoqërore përbëjnë po aq pengesa e frerë për realizimin e kushteve të qëndrueshme për një paqe të vërtetë. Varfëri e paqe: në fillim të vitit të ri, dua t’i ftoj të gjithë në një reflektim të përbashkët mbi lidhjet e shumta që gjenden në mes këtyre dy njëmendësive.

Veçanërisht, do të dëshiroja të tërhiqja vëmendjen te kërcënimi i paqes që rrjedh prej varfërisë, sidomos kur kjo shndërrohet në mjerim. Janë me miliona fëmijët, gratë e burrat që vuajnë ditë për ditë nga uria, nga pasiguria, nga mënjanimi. Gjendje të tilla përbëjnë një fyerje të rëndë për dinjitetin njerëzor dhe ndihmojnë paqëndrueshmërinë shoqërore.

 

Zgjedhja çnjerëzore e luftës

 

2. Në këtë moment, kemi një tjetër gjendje, që është burim varfërie e mjerimi: atë që rrjedh nga lufta në mes shteteve e prej konflikteve të brendshme të të njëjtit vend. Para ngjarjeve tragjike që kanë përgjakur e vijojnë të përgjakun, sidomos për arsye etnike, treva të ndryshme të botës, e kemi detyrë të kujtojmë sa pata thënë në mesazhin e Ditës së Paqes të vitit 1981, që kishte si temë: “Për t’i shërbyer paqes, ndero lirinë”. N’atë kohë nënvizoja se premisë e domosdoshme për ndërtimin e një paqeje të vërtetë është nderimi i lirisë dhe i të drejtave të individëve e të bashkësive të tjera. Paqja bëhet e jotja duke i nxitur popujt e lirë në një botë plot liri. Prandaj ruan gjithë aktualitetin e vet thirrja që lëshoja në atë kohë: “Nderimi i lirisë së popujve e të shteteve është pjesë përbërëse e paqes. Luftat nuk kanë pushuar së shpërthyeri dhe shkatrrimi ka rënë mbi popuj e kultura të tëra, mbasi nuk ishte respektuar sovraniteti i një populli ose i një kombi. Të gjitha kontinentet kanë qenë dëshmitare dhe njëherësh flij e luftave dhe e përpjekjeve vëllavrasëse, të shkaktuara nga përpjekja e një shteti për të kufizuar autonominë e një tjetri” (nr. 8). Dhe shtonja: “Pa pasur vullnetin për të respektuar lirinë e çdo populli, të çdo kombi ose kulture, e pa një gjuhë mirëkuptimi global në këtë vështrim, do të jetë e vështirë që të krijohen kushtet e paqes… Kjo pandeh nga ana e secilit komb e nga ana e sundimtarëve të tij, një zotim të ndërgjegjshëm e publik për të hequr dorë nga rivendikimet e nga shestimet që mund të jenë të dëmshme për kombet e tjera; me fjalë të tjera, kjo sjell me vete heqjen dorë nga nënshkrimi i çfarëdo doktrine që synon mbizotërimin nacional ose kulturor” (ibid., n. 9). Mund të kihen lehtësisht parasysh rrjedhimet që vijnë prej një zotimi të tillë edhe për marrëdhëniet ekonomike në mes shteteve. Refuzimi i çfarëdo tundimi për mbizotërim ekonomik mbi kombet e tjera do të thotë të hiqet dorë prej një politike të frymëzuar nga kriteri mbizotërues i leverdisë, për të vendosur një politikë tjetër të prira ndërkaq nga kriteri i solidaritetit për të gjithë e sidomos për më të varfrit.

 

Varfëria si burim konflikti

 

3. Numri i njerëzve që sot jetojnë në kushtet e varfërisë së skajshme është shumë i gjërë. Mendoj, ndër të tjera, për gjendjet dramatike që ekzistojnë në disa vende afrikane, aziatike e latino-amerikane. Janë grupe të gjera, nganjëherë breza të tërë popullsie që, në vendet e tyre, gjenden në skaj të jetës së qytetëruar: në mes tyre ka një numër gjithnjë në rritje fëmijësh të cilët për të mbijetuar nuk mund të mbështeten te askush veçse te vetja e tyre. Një gjëndje e tillë nuk përbën vetëm një fyerje për dinjitetin njerëzor, por përfaqëson edhe një rrezik të pashmangshëm për paqen. Një shtet, cilido qoftë organizimi i tij politik e sistemi i tij ekonomik, do të jetë i brishtë e i paqëndrueshëm, po nuk tregoi vëmendje të pareshtur për anëtarët e tij më të dobët e në qoftë se nuk bën të jetë e mundur për t’u siguruar së paku plotësimin e kërkesave të tyre primare. E drejta për zhvillim e vendeve më të varfëra u cakton një detyrë të përpiktë Vendeve të zhvilluara për të ndërhyrë në ndihmë të tyre.

Koncili i Dytë i Vatikanit shprehet kështu në lidhje me të: “Të gjithë njerëzve u takon e drejta për të pasur një pjesë të të mirave të mjaftueshme për vete e për familjet e tyre… Njerëzit e kanë detyrë të ndihmojnë të varfrit, dhe jo vetëm me çka kanë të tepërt” (Gaudium et Spes, 69). Është i qartë qortimi i Kishës, jehonë besnike e zërit të Krishtit: të mirat e tokës janë të caktuara për tërë familjen njerëzore e nuk mund të lihen në dobi ekskluzive të një pakice (krh. Centesimus Annus, 31 e 37). Në interes të personit e prandaj të paqes është e ngutshme që mekanizmave ekonomikë t’u bëhen qortimet e duhura të cilat t’u lejojnë nje shpërndarje më të drejtë e më të paanshme të pasurive. Për ta bërë këtë nuk mjafton vetëm që të punojë tregu; duhet që shoqëria të marrë mbi vete përgjegjësitë e veta (krh. Centesimus Annus, 48), duke shumëfishuar përpjekjet, shpesh mjaft me rëndësi, për të shmangur shkaqet e varfërisë me rrjedhimet e tyre tragjike.

Asnjë vend nuk mund t’ia arrijë i vetëm, një përpjekjeje të tillë. Pikërisht për këtë duhet që të punojmë sëbashku, me solidaritetin që e kërkon një botë e cila është bërë gjithnjë e më e ndërvarur. Duke lejuar që të qëndrojnë gjendjet e një varfërie të skajshme vihen premisat e bashkjetesave shoqërore gjithnjë e më të ekspozuara ndaj kërcënimeve të dhunave e të konflikteve. Secili individ e secili grup shoqëror duhet të jetë në gjendje të plotësojë nevojat vetjake e familjare e të marrë pjesë në jetën e në përparimin e bashkësisë së cilës i përket. Kur nuk njihet kjo e drejtë, ndodh shumë lehtë që të interesuarit, duke e ndjerë veten flij e një strukture që nuk i pranon, të kundërveprojnë me egërsi. Kjo vlen veçanërisht për të rinjtë që, duke mos pasur arsimin përkatës dhe mundësinë e punësimit, janë gjithnjë e më tepër të ekspozuar rrezikut për t’u lënë mënjanë e për t’u shfrytëzuar.

Të gjithë e dinë problemin e papunësisë, sidomos të të rinjve në tërë botën që ka si rrjedhim varfërimin e një numri gjithnjë e më të madh individësh të veçuar e familjesh të tëra. Papunësia, sidoqoftë, shpesh është rrjedhimi tragjik i shkatërrimit të infrastrukturave ekonomike në një vend të sfilitur nga lufta ose nga konfliktet e brendshme. Këtu do të dëshiroja të rikujtoj shkurt disa probleme veçanërisht shqetësuese, që mundojnë të varfrit e që, rrjedhimisht, kërcënojnë paqen. Pikësëpari, problemi i borxhit të jashtëm, i cili për disa vende, e në ta për brezat shoqërorë më të varfër vazhdon të jetë një barrë e padurueshme, megjithë përpjekjet e bëra nga bashkësia ndërkombëtare, nga qeveritë e nga institucionet financiare për ta lehtësuar. A nuk janë ndoshta sektorët më të varfër të këtyre Vendeve që shpesh do të bartin barrën më të rëndë të kthimit të parave ? Një gjendje e tillë padrejtësie mund t’i hapë rrugën një mllefi në rritje, ndjenjës së zhgënjimit e deri atë të dëshpërimit. Në shumë raste qeveritë vetë e mbështesin shqetësimin e përhapur të popullit të vet e kjo gjë pasqyrohet në marrëdhëniet mes shteteteve të tjera. Ndoshta ka arritur çasti për ta rishqyrtuar përsëri, duke i dhënë përparësinë e duhur, problemin e borxhit të jashtëm. Kushtet e kthimit të plotë ose të pjesshëm të parave duhet të rishikohen, duke hetuar zgjidhje përfundimtare që të jenë në gjendje t’i thithin plotësisht rrjedhimet e rënda shoqërore nga programet që synojnë të vënë rregull. Përveç kësaj do të duhej të veprohej përmbi shkaqet e hyrjes në borxh, duke e lidhur dhënien e ndihmave me marrjen përsipër nga ana e qeverive të zotimit konkret që të zvogëlojnë shpenzimet e tepërta ose të kota – mendja na shkon veçanërisht te shpenzimet për armatime – dhe të garantohet që subvencionet të arrijnë vërtet te popullsitë që kanë nevojë. Një problem i dytë që nuk pret është ai i drogës: lidhjen e tij me dhunën e me krimin në mënyrë të trishtueshme e tragjike e njohin të gjithë. Sikurse gjithashtu është e njohur se, në disa vise të botës, nën trysninë e matrapazave të drogave, janë pikërisht popullsitë më të varfëra që mbjellin bimët për prodhimin e lëndëve narkotike. Fitimet e majme që premtohen – të cilat sidoqoftë përfaqësojne vetëm një pjesë shumë të vogël të fitimeve që rrjedhin prej këtyre të mbjellave – përbëjnë një tundim të cilit me vështirësi arrijnë t’u qëndrojnë të gjithë ata që prej të mbjellave tradicionale nxjerrin një fitim krejt të pamjaftueshëm.

Puna e parë që duhet bërë për t’i ndihmuar lëruesit që ta shkapërcejnë këtë gjendje është, që t’u jepen mjetet e përshtatshme për të dalë nga varfëria e tyre. Një problem i mëtejshëm lind nga situatat me vështirësi të madhe ekonomike që ekzistojnë në disa vende. Ato nxisin shtytje emigrimi në masë drejt Vendeve më me fat, në të cilat si kundërvënie, lindin pastaj gjendje të ndera që trondisin rendin shoqëror. Për t’u bërë ballë reagimeve të tilla të dhunës ksenofobe nuk ka dobi gjithaq që të merren masa të jashtëzakonshme të përkohshme, se sa të vihet dorë më mirë mbi shkaqet duke nxitur, nepërmjet formasve të reja të solidaritetit në mes kombeve, përparimin e zhvillimin në vendet në të cilat lindin rrymat mërgimtare. Rrezik i pabesë por i vërtetë për paqen është pra skamja: ajo duke brejtur dinjitetin e njeriut është një atentat i vërtetë për vlerën e jetës e prek në zemër zhvillimin paqësor të shoqërisë.

 

Varfëria si përfundim i konfliktit

 

4. Në këto vitet e fundit pothuajse në të gjitha kontinentet, kanë qenë të pranishme ne luftërat vendore e në konfliktet e brendshme plot egërsi. Dhuna etnike, fisnore e raciale ka shkatërruar jetë njerëzish, ka përçarë bashkësitë, që në të kaluarën bashkjetonin qetësisht, ka hedhur farën e vdekjes e ndjenjën e urrejtjes. Prandaj, zbatimi i dhunës acaron tensionet ekzistuese e krijon të reja. Asgjë nuk zgjidhet me anën e luftës; gjithçka madje rrezikohet seriozisht prej luftës. Frytet e kësaj shuplake janë vuajtja e vdekja e pafarë e njerëzve, thërmimi i marrëdhënieve njerëzore e humbja e pandreqshme e pasurive të mëdha artistike të ambientit. Lufta keqëson vuajtjet e të varfërve; madje krijon të varfër të rinj duke shkatërruar mjetet për t’u ushqyer shtëpiat, pronat e duke prekur vetë indin e ambjentit jetësor. Të rinjtë shohin duke u thyer shpresat e tyre për të ardhmen gjithnjë e më shpesh, nga fli, të shndërrohen në protagonistë të papërgjegjshëm konfliktesh. Gratë, fëmijët, të moshuarit, të sëmurit, të plagosurit detyrohen të ikin e gjenden më në fund në gjendjen e refugjatit që nuk zotëron asgjë tjetër veç asaj që kanë me vete. Të çarmatosur, të pambrojtur kërkojnë strehim në Vende ose vise të tjera, shpesh të varfra e të turbullta si vendet e tyre.

Edhe duke ditur se organizatat ndërkombëtare dhe humanitare po bëjnë shumë për t’u dalë para fatit tragjik të flijeve të dhunës, e ndiej si detyrë të nxis të gjithë njerëzit vullnetmirë që t’i shtojnë përpjekjet. Në disa raste, në fakt, fati i refugjatëve varet vetëm e vetëm prej bujarisë së popullsive që i presin, popullsi po aq të varfra, në mos edhe më të varfra se ata. Vetëm me anën e interesimit dhe të bashkëpunimit të bashkësisë ndërkombëtare kanë për t’u gjetë zgjidhje të kënaqshme. Mbas kaq kerdish të kota, sidoqoftë, është me një rëndësi themelore të njihet, një herë e mirë, se lufta kurrsesi nuk i shërben së mirës së bashkësisë njerëzore, se dhuna shkatrron e kurr nuk ndërton, se plagët e shkaktueme prej saj për një kohë të gjatë do të rrjedhin gjak, se, më në fund, me konflikte keqësohet gjendja tashmë e trishtueshme e të varfërve dhe ushqehen forma të reja varfërie.

Gjendet para syve të opinionit publik botëror shfaqja e trishtueshme e mjerimeve të shkaktuara nga luftërat. Pamjet tronditëse të përhapura edhe tani vonë prej mjeteve të komunikimit shoqëror, le të jenë së paku qortim i efektshëm për të gjithë – individë, shoqëri, shtete – e t’i kujtojnë secilit se pasuria nuk duhet përdorë për luftën, as të përdorët për të shkatrruar e vrarë, por për të mbrojtur dinjitetin e njeriut, për t’i përmirësuar jetesën e për të ndërtuar një shoqëri me të vërtetë të hapur, të lirë e solidare.

 

Shpirti i varfërisë si burim paqje

 

5. Në Vendet e industrializuara njerëzit i sundon sot vrapimi i ethshëm drejt përvetësimit të të mirave lëndore. Shoqëria e konsumit vë edhe më shumë në pah hendekun që ndan të pasurit nga të varfrit, dhe kërkimi tërë ankth i mirëqenies rrezikon t’i bëjë të verbër ndaj nevojave të të tjerëve. Për të nxitur mirëqenien shoqërore, kulturore, shpirtërore si dhe ekonomike të secilit pjestar të shoqërisë, është pra e domosdoshme që t’i vihet pritë konsumimit pa masë të të mirave tokësore e të përmbahet shtytja për nevoja artificiale. Maturia e thjeshtësia duhet të bëhen kritere të jetesës sonë të përditshme. Sasia e të mirave, të konsumuara nga një pjesë shumë e vogël e popullsisë botërore, shkakton një kërkesë të tepruar përkundrejt pasurive të disponueshme. Zvoglimi i kërkesës përbën hapin e parë për të lehtësuar varfërinë, në qoftë se me të shoqërohen përpjekje me vlerë për të siguruar një shpërndarje të drejtë të pasurisë botërore.

Ungjilli, në lidhje me këtë, i fton besimtarët që të mos grumbullojnë të mirat e kësaj bote kalimtare: “ Mos grumbulloni thesare mbi tokë, ku tenja e ndryshku i prishin e ku hajdutët shpërthejnë e vjedhin; kurse grumbulloni thesaret e qiellit” (Mt 6, 19-20). Kjo është një detyrë që gjendet mbrenda thirrjes së krishterë jo ndryshe prej asaj të punës për të mposhtur varfërinë; e që është gjithashtu një mjet i efektshëm për të ja dalë mbanë në këtë ndërmarrje. Varfëria ungjillore është krejt e ndryshme nga ajo ekonomike e shoqërore. Ndërsa kjo efundit ka tipare të pamëshirshme e shpesh dramatike, duke qenë e pësuar si dhunë, varfëria ungjillore zgjidhet lirisht prej njeriut që mendon në këtë mënyrë t’i përgjigjet qortimit të Krishtit: “Cilido prej jush, që nuk heq dorë nga të gjitha pasuritë e veta, nuk mund të jetë dishepulli im” (Lk 14, 33). Një varfri e tillë ungjillore qëndron si burim paqeje, sepse për hir të saj njeriu mund të vendosë një raport më të drejtë me Hyjin, me të tjerët e me gjithësinë. Jeta e atij që e vë veten në këtë këndveshtrim bëhet, kështu, dëshmi e varësisë absolute të njerëzimit nga Hyji që i don të gjitha krijesat, dhe të mirat lëndore njihen për çka janë: një dhuratë e Hyjit për të mirën e të gjithëve.

Varfëria ungjillore është një një e vërtetë që i shndërron ata që e pranojnë. Ata nuk mund të qëndrojnë të pandjeshëm para vuajtjes së të varfërve; përkundrazi e ndiejnë veten të shtyrë që të mbështesin në mënyrë aktive me Hyjin dashurinë e parapëlqyeshme për ta (krh. Sollicitudo rei socialis, 42). Këta të varfër sipas Ungjillit janë gati t’i flijojnë pasuritë e tyre e vetveten mjaft që të tjerët të mund të jetojnë. Dëshirë e tyre e vetme është që të jetojnë në paqe me të gjithë, duke u dhënë të tjerëve dhuratën e paqes së Jezusit (krh. Gjn 14, 27). Mjeshtri hyjnor na ka mësuar me jetën e vet e fjalët e veta tiparet ekzigjente të kësaj varfërie që të përgatit drejt lirisë së vërtetë. Ai “edhe duke qenë me natyrë hyjnore, nuk e mbajti si një thesar të paprekshëm barazine e vet me Hyjin; por e çveshi vetveten duke marrë mbi vete gjendjen e sherbëtorit” (Fil 2, 6-7). Lindi i varfër. Endè fëmijë qe i detyruar të shkonte në mergim me familjen e vet për t’i shpëtuar egërsisë së Herodit; jetoi si një që “nuk ka se ku të mbështesë kokën” (Mt 8, 20). Qe njollosur si “grykës e pijanec, mik i tagrambledhësve e i mëkatarëve” (Mt 11, 19) e pësoi vdekjen që u përkiste kriminelëve. i quajti të lumtur të varfrit dhe siguroi se ishte e tyre Mbretëria e Hyjit (krh. Lk 6, 20).

U kujtoi të pasurve se mashtrimi i pasurisë ia merr frymën Fjalës (krh. Mt 13, 22), e se për ta është e vështirë që të hyjnë në Mbretërinë e Hyjit (krh. Mk 10, 25). Shembulli i Krishtit, jo më pak se fjala e tij, është normë për të krishterët: Ne e dimë se të gjithë, pa dallim, ditën e gjyqit të fundit, do të gjykohemi në lidhje me dashurinë konkrete që kemi pasur për vëllezërit tanë. Madjè do të jetë prej dashurisë që kanë ushtruar në mënyrë konkrete që shumë vetë, atë ditë, do të zbulojnë se kanë takuar me të vërtetë Krishtin, ndonëse nuk e kanë njohur më përpara në mënyrë të qartë (krh. Mt 25, 35-37). “Po kërkove paqen, dilu para të varfërve!”. Le të vijë koha kur të pasurit e të varfrit të njihen në mes tyre vëllezër e motra, duke ndarë në mes tyre gjithçka kanë si bijt e një Hyji të vetëm që i don të gjithë, që don të mirën e të gjithëve, që u jep të gjithëve dhuratën e paqes!

 

Nga Vatikani, 8 dhjetor 1992

 

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster