ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

Mesazhe me Rastin e Dites Boterore te Paqes

 Mesazhi i Papa Gjon Palit te II

 

1 JANAR 1996

 

 

 “T’u japim femijeve nje te ardhme me paqe”

 

 

1. Në fund të vitit 1994, Viti Ndërkombëtar i Familjes, i kam dërguar fëmijëve të mbarë botës një letër duke u kërkuar atyre që të luten gjersa njerëzimi të bëhet gjithnjë e më tepër familja e Zotit, e aftë të jetojë në harmoni e në paqe. Nuk lë pa manifestuar shqetësimin e fortë për foshnjet, viktima të konflikteve luftarake dhe të formave të tjera të dhunës, duke tërhequr mbi situata të tilla të rënda , vëmendjen e opinionit publik botëror . Në fillim të vitit të ri, mendimi im u drejtohet fëmijëve dhe pritjeve të tyre të ligjshme të dashurisë dhe të qetësisë. Mes tyre ndjej detyren të kujtoj veçanërisht ata të përcaktuar nga vuajtja, të cilët shpesh kthehen në të rritur pa pasur asnjëherë eksperiencën se çfarë është paqja. Vështrimi i të vegjëlve duhej të ishte gjithnjë i gëzuar dhe i besueshëm, në fakt ndonjëherë është kulm i trishtimit dhe i frikës: kanë parë dhe vuajtur tepër në ato pak vite të jetës së tyre! T’u japim fëmijëve një të ardhme në paqe! Ja apeli që u drejtoj besueshëm burrave edhe grave me vullnet të mirë duke ftuar gjithsecilin të ndihmojë fëmijët të rriten në një klimë vërtet me paqe. Është një e drejtë e tyre, është një detyrë e jona.

 

2. Kam ndërmend rreshtat e fëmijëve, që kam pasur rast t’i takoj gjatë viteve të mia të pontifikatit, veçanërisht në udhëtimet apostolike në çdo kontinent. Fëmijë të qetë dhe plot gëzim. Mendoj për ta ndërsa nis viti i ri. Uroj të gjithë fëmijët e botës ta fillojnë me gëzim vitin 1996 dhe të mund të kalojnë një fëmijëri të qetë, të ndihmuar nga mbështetja e të rriturve të përgjegjshëm. Do të doja që gjithandej marrëdhënia harmonike mes të rriturve dhe fëmijëve të favorizojë një klimë paqeje dhe mirëqënieje të vërtetë. Për fat të keq nuk janë pak në botë fëmijët e pafajshëm, viktima të luftës. Në vitet ë mëparshme kanë qenë plagosur dhe vrarë me miliona: një masakër e vërtetë.

Mbrojtja e veçantë akorduar foshnjeve nga normat ndërkombëtare (çfr.Konventa e Kombëve të Bashkuara të 20 nëntorit 1989 mbi të drejtat e fëmijëve, veçanërisht artikulli 38, konventa e Gjenevës e 13 gushtit 1949 për mbrojtjen e personave civilë në kohë lufte; neni 24; Protokolli I dhe II i 12 dhjetorit 1977, etj.) nuk është zbatuar gjerësisht dhe konfliktet rajonale dhe ndëretnike, të rritura tej mase, dështojnë mbrojtjen e parashikuar nga normat humanitare. Fëmijët janë kthyer në shënjestër të snajperëve, shkollat e tyre shkatërruar me dashje si dhe janë bombarduar spitalet, ku ato janë mjekuar. Përpara këtyre reagimeve të përbindëshme si të mos e ngresh zërin për një dënim të njëzëshëm? Vendosja e vrasjes së një fëmije krijon një nga shenjat më tronditëse të mënjanimit të çdo respekti për jetën njërëzore [Krh. Gjon Pali II, Evangelium Vitae (25 mars 1995), 3. AAS 87 (1995), 404].

Me fëmijët e vrarë dua t’ju kujtoj ato të gjymtuar gjatë konflikteve apo pas tyre. Mendimi shkon deri tek fëmijët e persekutuar sistematikisht, të dhunuar, të eleminuar gjatë të ashtuquajturave “spastrime etnike”.

 

3. Nuk ka vetëm fëmijë, që pësojnë dhunën e luftërave: Jo pak prej tyre, janë të detyruar të bëhen protagonistë. Në disa vende të botës është arritur gjer në atë pikë sa të detyrojnë vajza dhe djem, edhe të rinj, për të marrë shërbimin në formacione ushtarake për luftë. Të mashtruar nga premtimi i ushqimit dhe i shkollimit ata përfshihen në kampe të izoluara, ku vuajnë nga uria dhe keqtrajtimi dhe ku janë të nxitur të vrasin edhe bashkëfshataret e tyre. Shpesh janë dërguar në zbulim për të spastruar fushat e minuara. Siç duket jeta e tyre vlen pak për ata që veprojnë kështu!

E ardhmja e këtyre fëmijëve në armë, është shpesh e përcaktuar. Pas viteve të shërbimit ushtarak disa çmobilizohen dhe dërgohen në shtëpi e për më tepër nuk arrijnë të rihyjnë sërish në jetën civile. Të tjerë, nga turpi i të mbijetuarit në krahasim me shokët e tyre të vrarë, përfundojnë duke iu dhenë kriminalitetit apo drogës. Kush e di, cilat fantazma do të vazhdojnë të turbullojnë shpirtërat e tyre! Mendja e tyre a do të jetë ndonjëherë e lirë nga tërë ato kujtime dhune dhe vdekjeje?

Meritojnë një përgëzim të madh ato organizata humanitare dhe fetare që përpiqen të zbusin vuajtjet aq çnjerëzore. Dhe mirënjohje duhet për personat me vullnet të mirë dhe për familjet që u japin mikpritje të vegjëlve, që mbeten jetimë, duke bërë çmos për të shëruar traumat dhe për rifutjen në komunitetin e origjinës.

Kujtimi i miliona fëmijëve të vrarë, sytë e trishtuar të bashkëmoshatarëve të tyre mizorisht të vuajtur, na shtyjnë të provojmë të gjitha rrugët e mundëshme për të shpëtuar apo për të rivendosur paqen, duke bërë që konfliktet dhe luftërat të pushojnë.

Para Konferencës IV Botërore mbi Gruan, mbajtur në Pekin, në muajin e kaluar, shtator, kam ftuar institucionet e dhembshura dhe edukative katolike për të përshtatur një strategji të koordinuar dhe prioritare përballë fëmijëve dhe të rinjve, veçanërisht atyre më të varfërve. (shih. Mesazh i Delegacionit të Selisë së Shenjtë në Konferencën IV Botërore mbi Gruan (29 gusht 1995); L’Osservatorio Romano, 30 gusht 1995, fq. 1). Dëshiroj tani të përsëris një thirrje të tillë dhe ta zgjeroj veçanërisht në institucionet dhe organizatat katolike që i përkushtohen minoreneve: ndihmoni vajzat e vogla që kanë vuajtur për shkak të luftës ose të dhunës. Mësojini djemve të njohin dhe të respektojnë dinjitetin e gruas, ndihmojeni fëmijërinë të zbulojë dhembshurinë e dashurisë së Zotit, që është bërë njeri dhe duke vdekur i ka lënë botës dhuratë, paqen e tij (Shih Gjn 14, 27).

Nuk do të lodhem kurrë së përsërituri se nga organizatat ndërkombëtare, shoqatat lokale e deri tek kryetarët e shtetit e qytetarët e zakonshëm, të gjithë jemi thirrur, ditë për ditë, si në rastet e mëdha të jetës, të ofrojmë kontributin tonë të paqes dhe të mohojmë çdo mbështetje të luftës.

 

5. Miliona fëmijë vuajnë për shkak të formave të tjera të dhunës, të shfaqura si në shoqëri të goditura nga mjerimi ashtu edhe në shoqëri të zhvilluara.

Janë dhunime më pak të dukshme, por jo për këtë më pak të tmerrshme. Konferenca Ndërkombëtare për Zhvillimin Shoqëror e mbajtur këtë vit në Kopenhagen, ka nënvizuar lidhjen midis varfërisë dhe dhunës dhe më këtë rast shtetet janë mobilizuar seriozisht të luftojnë në mënyrë më të vendosur, plagën e mjerimit me nisma të nivelit kombëtar duke filluar që nga 1996 [Shih Programi i veprimit, kapitulli II. Të tilla ishin orientimet e nxjerra nga Konferencat Botërore të OKB-së, kushtuar fëmijëve (Nju Jork, 1990)]. Në të vërtetë mjerimi është në origjinë të kushteve të ekzistencës dhe të punës vërtetë çnjerëzore. Në disa vende të botës ka fëmijë të detyruar të punojnë, që në moshë të vogël, të keqtrajtuar , të dënuar me dhunë, të shpërblyer me një kompensim tallës, mbasi nuk kanë mënyrë që të bëhen të vlefshëm, janë më të lehtit për t’u kërcënuar, rrëmbyer dhe shfrytëzuar.

Herë të tjera ato janë objekt shitblerjeje (Shih Programi i veprimit, nr. 39), lypësie apo më keq për nisje prostitucioni. Në këtë kontekst edhe të ashtuquajturit”turizëm seksual”, fenomen gati kurr i qortuar, që poshtëron atë që e bën, por edhe të gjithë ato që në mënyra të ndryshme e përkrahin. Aty është pastaj kush s’e vret ndërgjegjja të rekrutojë fëmijë për veprimtari kriminale, në trajtën e shpërndarjes së drogës nën rrezikun në mes të tjerash në përfshirjen e tyre personale në përdorimin e substancave të tilla.

Nuk janë të pakët fëmijët, që përfundojnë të kenë si të vetmin mjedis, jetën e rrugës. Të arratisur nga shtëpia apo të braktisur nga familja, apo thjeshtë të privuar përherë nga mjedisi familjar, jetojnë në hall, në gjendje braktisjeje të përgjithshme, konsideruar prej një shumice si llum për t’u liruar.

 

6. Dhuna ndaj fëmijëve nuk mungon për fat të keq as në familjet që jetojnë në kushte të favorshme mirëqenieje. Fatmirësisht bëhet fjalë për episode jo të shpeshta, por megjithatë është e rëndësishme që mos t’i shpërfillim. Ndodh nganjëherë që brenda mureve të shtëpisë nga veprat e personave në të cilët do të ishte e drejtë të kishin besim, të vegjlit pësojnë shpërdorimin e detyres (veprimet e padrejta dhe paudhësitë), me efekte të hidhura mbi zhvillimin e tyre. Të shumtë janë edhe fëmijët, që arrijnë të durojnë traumat, që vijnë nga tensionet midis prindërve ose nga copëtimi i vetë familjes. Shqetësimi për të mirën e tyre, nuk arrin të frenojë zgjidhje të dhëna shpesh, nga egoizmi dhe nga hipokrizia e të rriturve. Pas një pamjeje të jashtme normaliteti dhe qetësie e bërë edhe më keqësuese nga bollëku i të mirave materiale, fëmijët ndonjëherë janë të detyruar të rriten në një vetmi trishtuese, pa një udhëheqje të drejtë e të dashur dhe pa një formim moral të përshtatshëm. Të mbyllur në vetvete gjejnë zakonisht pikën e tyre të referimit kryesisht në televizion, programet ë të cilit propozojnë shpesh modelet e jetës jo reale ose të shthurura, përballë të cilave arsyeja e brishtë e tyre nuk është ende në gjëndje të reagojë. Si të mrekullohesh nëse një dhunim kaq shumëformësh dhe tinëzar arrin të ndërhyjë edhe në zemrat e tyre të njoma dhe të ndryshojë entuziazmin natyror, në zhgënjim apo në cinizëm, në mirësi spontane, në indiferencë apo në egoizëm? Kështu duke ndjekur ideale mashtruese, të rreme, fëmijëria rrezikon të takojë të hidhurën dhe përuljen, kundërshtarin dhe urrejtjen duke gllabëruar pakënaqësitë dhe boshllëkun me të cilin, të ngop mjedisi rrethues.

Është vënë re shumë herë se si përvojat e fëmijërisë kanë ndikime të thella dhe nganjëherë të pandreqshme në ritmin e brendshëm të ekzistencës. Është e vështirë të shpresosh që fëmijët të dinë një ditë të ndërtojnë një botë më të mirë, kur u është privuar një përkushtim i saktë në edukimin e tyre në paqen. Ata kanë nevojë “ta mësojnë paqen”:është një e drejtë e tyre, e nuk mund të jetë e padëshiruar.

 

7. Kam dashur të theksoj fort, kushtet nganjëherë dramatike në të cilat ndodhen fëmijët sot. E quaj një detyrë: do të jenë ata të rriturit e Mijëvjeçarit të tretë. Nuk kërkoj t’i përulem pesimizmit dhe as t’i shpërfill elementët që ftojnë në shpresë. Si të hesht p.sh. për shumë familje në çdo cep të botës, ku fëmijët rriten në një mjedis të qetë, si të mos kujtoj përpjekjet që shumë njerëz dhe organizma bëjnë për t’u siguruar fëmijëve në vështirësi, një zhvillim harmonik dhe të lumtur? Janë nismat e enteve publike dhe private të familjeve në veçanti dhe të komuniteteve me merita, qëllimi i vetëm i të cilave është riaktivizimi në një jetë normale i fëmijëve, pjesmarrës në ndonjë histori traumatike. Ka, në veçanti, propozime konkrete udhërrëfyesish edukativë me qëllim që të vlerësojnë plotësisht çdo mundësi personale, për t’i bërë djemtë dhe të rinjtë, krijues të vërtetë të paqes.

Nuk duhet harruar rritja e ndërgjegjshmërisë së Komunitetit Ndërkombëtar që këto vitet e fundit edhe pse mes vështirësive e tundimeve, përpiqet të përballojë më vendosmëri dhe me metodë problematikat e fëmijërisë.

Rezultatet e arritura frymëzojnë e nxisin për të ndjekur kështu punën e lavdërueshme. Hijshëm të ndihmuar dhe të dashur, vetë fëmijët dinë të bëhen protagonistë të paqes, ndërtues të një bote vëllazërore dhe solidare. Me entuziazmin e tyre dhe më freskinë e dedikimit të tyre ato mund të bëhen “dëshmitarë” dhe “mësues” të shpresës dhe të paqes me ndihmën e të rriturve.

Për të mos humbur të tilla mundësi duhet t’u ofrojmë fëmijëve, me respektin që duhet për personalitetin e tyre, çdo rast të favorshëm, për një pjekuri të ekuilibruar dhe të hapur.

Një fëmijëri e qetë do t’u lejojë fëmijëve të shikojnë me besim drejt jetës dhe të ardhmes. Mjerë ai që mbyt tek ata hovin e gëzueshëm të shpresës!

8. Të miturit mësojnë shpejt ta njohin jetën. Vëzhgojnë dhe imitojnë mënyrën e sjelljes së të rriturve. Shumë shpejt mësojnë dashurinë dhe respektin për të tjerët, por bëjnë për vete me shpejtësi helmin e dhunës dhe të urrejtjes.

Eksperienca e zhvilluar në familje ndikon shumë mbi sjelljet që do të marrin, kur të rriten. Për më tepër, nëse familja është vendi i parë në të cilin i hapen botës, familja duhet të jëtë për ta e para shkollë e paqes. Prindërit kanë një mundësi të jashtëzakonshme për t’u hapur fëmijëvë njohjen e kësaj vlere të madhe: dëshmia e dashurisë së tyre të ndërsjellët. Ajo që i mësojnë fëmijës është të duash që nga çasti i parë i të ekzistuarit e rritjes në një mjedis paqeje, përshkuar nga ato elementë pozitivë që përbëjnë trashegiminë e vërtetë familjare: stimul dhe mirëpritje e ndërsjelltë, dëgjim, mbështetje, dhenia e gjërave pa shpërblim, falje. Falë ndërsjelltësisë që promovojnë, këto vlera paraqesin një edukatë të vërtetë paqeje dhe e bëjnë fëmijën, që nga mosha e njomë, ndërtues aktiv i vetvetes. Ai ndan me prindërit, vëllezërit eksperiencën e shpresës dhe jetës, duke parë se si përballohen me përulje dhe kurajo vështirësitë e pashmangshme dhe duke thithur në çdo rrethanë një klimë nderimi për të tjerët dhe respekti për mendimet e ndryshme nga të tuajat. Dhe para së gjithash në shtëpi, para se të shqiptojmë fjalën e parë, të vegjlit duhet të vihen në provë në dashurinë që i rrethon, në dashurinë e Zotit për ta dhe të mësojnë se Ai do paqe dhe kuptim të ndërsjelltë midis të gjitha qënieve njerëzore, të thirrura të formojnë një të vetme, familje të madhe.

 

9. Por përveç themelit të edukimit familjar fëmijët kanë të drejtë për një formim të veçantë të paqes në shkollë dhe në struktura të tjera edukative, të cilat kanë detyrën të drejtojnë dhe të kuptojnë gradualisht natyrën dhe nevojën e paqes në brendi të botës dhe të kulturës së tyre. Është e nevojshme që ata të mësojnë historinë e paqes dhe jo vetëm atë të luftrave të fituara apo të humbura. T’u paraqiten atyre më tepër shembuj paqeje dhe jo dhune. Fatmirësisht modele pozitive të ngjashme mund të gjejmë shumë në çdo kulturë dhe në çdo periudhë historike. Rastet edukative të përshtatshme ndërtohen duke kërkuar me kreativitet rrugë të reja, veçanërisht atje ku më mbytës janë mjerimi kulturor dhe moral.

Çdo gjë duhet bërë në mënyrë që të vegjlit të bëhen lajmëtarë paqeje. Fëmijët nuk janë barrë për shoqërinë, nuk janë vegla fitimprurëse dhe as njerëz pa të drejta; janë pjesëtarë të çmueshëm të shoqërisë njerëzore, ku mishërohen shpresa, pritje, potencialitete.

 

10. Paqja është dhuratë e Zotit, por varet nga njerëzit që e marrin, për të ndërtuar një botë me paqen. Ata mund ta kenë, vetëm nëse kanë thjeshtësinë e zemrës së fëmijëve. Është kjo një nga aspektet më të thjeshta dhe paradoksale të thirrjes kristiane:të bëhesh i vogël, para se të jetë një kërkesë morale, është një dimension i misterit të Mishërimit. Biri i Zotit në fakt nuk erdhi më fuqi dhe lavdi, siç do të jetë në fundin e kohërave, por si një fëmijë nevojtar dhe në gjendje të varfër. Duke bashkëndarë krejtësisht gjendjen tonë njerëzore përjashtuar mëkatin Ai ka marrë edhe brishtësinë dhe të ardhmen ë fëmijërisë. Që nga ai moment vendimtar për historinë e njerëzimit, të përçmosh fëmijërinë është njëkohësisht të përçmosh Atë, që ka dashur të manifestojë madhësinë e një dashurie, e gatshme për t’u ulur dhe për të hequr dorë nga çdo lavdi për të shpëtuar njeriun.

Jezusi është identifikuar me të vegjlit dhe kur Apostujt diskutonin se kush ishte më i madhi, ai mori një vogëlush e afroi pranë vetes dhe tha: “Kush e merr këtë fëmijë në emrin tim, më merr mua; dhe kush më merr mua merr atë që më ka dërguar” (Lk 9, 47-48). Zoti na vëren me forcë që kundër rrezikut të bëjmë skandal ndaj fëmijëve: “Kush skandalizon edhe një prej këtyre fëmijëve që besojnë tek unë do të ishtë më mirë për të, t’i vinin mbi qafë një mokër të rrotulluar nga gomari dhe të hidhej në fundin e detit” (Mt 18, 6).

Nxënësve të tij u kërkoi që të ktheheshin “fëmijë” dhe kur ato kërkonin t’ia largonin të vegjlit që i vinin për rreth, u zemërua: “Lërini këta fëmijë të vijnë tek unë dhe mos i ndaloni, se kush është si ata i përket mbretërisë së Zotit. Në të vërtetë ju them: Kush nuk merr mbretërinë Zotit si një fëmijë, nuk do të hyjë në të”(Mk 10, 14-15). Kështu Jezusi përmbyste mënyrën e atëhershme të të menduarit. Të mëdhenjtë duhet të mësojnë nga fëmijët dhe rrugët e Zotit: nga fuqia e tyre i besimit me gjithë shpirt ata mund të mësojnë të luten në besimin e drejtë “Abba, Atë”.

 

11. Të bëhesh i vogël si fëmijët – i birësuar krejtësisht Atit, riveshur me butësinë evangjelike -, përveç një imperativi etik është një motiv shprese. Edhe atje ku veshtirësitë të jenë të tilla për të të shkurajuar dhe forca e së keqes aq arrogante sa të të trondisë, personi që di të gjejë thjeshtësinë tek fëmija mund të rifillojë të shpresojë: mundet para së gjithash kush di të besojë mbi një Zot që do njëzëshmërinë e të gjithë njerëzve në bashkësinë e paqësuar të Mbretërisë së tij; por mundet kush, edhe pse nuk ndan dhuratën e fesë, beson në vlerat e faljes dhe të solidaritetit dhe në ta ndjen –jo pa veprimin sekret të Shpirtit - mundësinë për t’i dhënë një pamje të re tokës.

Pra u drejtohem me besimin burrave dhe grave me vullnet të mirë. Të bashkohemi të gjithë për të reaguar kundër çdo forme dhune për ta mposhtur luftën!

Të krijojmë kushtet që të vegjlit të mund të marrin në trashëgim nga breznia e jonë një botë më të bashkuar solidare!

T’u japim fëmijëve një të ardhme me paqe!

 

Nga Vatikani, 8 dhjetor 1995

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster