|
|
||
|
|
Mesazhe Me Rastin e Dites Boterore te Paqes Mesazhi i Papa Gjon Palit te II
1 JANAR 1998 “Nga drejtesia e secilit lind paqja per te gjithe”
1. Drejtësia ecën me paqen dhe qëndron me të në marrëdhënie të qëndrueshme dhe dinamike. Drejtësia dhe paqja synojnë për të mirën e secilit dhe të të gjithëve për këtë duhet të kemi rregull e vërtetësi. Kur njëra është e kërcënuar që të dyja lëkunden:kur fyhet drejtësia vihet në rrezik edhe paqja. Ekziston një lidhje e ngushtë mes drejtësisë së secilit dhe paqes së të gjithëve dhe për këtë me Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes do të doja t’u drejtohesha njerëzve të lartë të shtetit duke pasur mirë parasysh, se bota e sotme, megjithëse e përfshirë në shumë rajone nga tensione, dhune e konfliktesh është në kerkim të një paqeje të vërtetë e të qëndrueshme për të gjithë njerëzimin. Drejtësi dhe paqe janë koncepte abstrakte apo ideale të largëta:janë vlera të lindura, si një pasuri e përbashkët në zemrën e çdo personi.Individë, familje, komunitete, shtete, të gjithë janë të thirrur për të jetuar në drejtësi dhe për të kontribuar për paqen.Askush nuk mund të përjashtohet nga kjo detyre. Mendimi im në këto momente shkon, si tek ata, që për fatkeqësinë e tyre janë ndërfutur në konflikte të dhimbshme, si tek të varfrit, tek viktimat e çdo lloj shfrytëzimi. Janë persona, që eksperimentojnë në mishin e tyre mungesën e paqes dhe efektet e dhimbshme të padrejtësisë. Kush do të mund të rrinte indiferent përballë deshirës së tyre drejt një jete qe i ka rrënjët në drejtësi dhe në paqen e vërtetë? Është detyrë e të gjithëve që të bëjmë të mundur që kjo të ndodhë: nuk ka drejtësi të plotë, në qoftë se të gjithë nuk mund ta përdorin njëlloj. Drejtësia është në të njëjtën kohë, virtyt, moral dhe koncept i ligjshëm. Nganjëhere na paraqitet e padukshme; në të vërtetë është detyrë e drejtësisë të jetë e kujdesshme dhe e vëmendshme për të siguruar ekuilibrin midis të drejtave dhe detyrave dhe për më tepër për të promovuar ndarjen e barabartë të të mirave dhe fitimeve.Drejtësia ndreq, nuk prish; pajton, me mirë se të shtyjë drejt hakmarrjes.Rrënja e saj e fundit është vendosur tek dashuria, që ka shprehjen e saj më kuptimplotë tek mëshira. Për më tepër drejtësia, e shkëputur nga dashuria e mëshirshme bëhet e ftohtë dhe therëse. Drejtësia është virtyt dinamik dhe i gjallë: mbron e vë në lëvizje dinjitetin e çmuar të njerëzve dhe mban të drejtat e të gjithëve, duke qenë ruajtëse e lidhjeve midis personave dhe popujve. Njeriu nuk jeton vetëm, por që në çastet e para të të qenurit të tij është në marrëdhënie me të tjerët, kështu që e mira e tij si individ dhe ajo e shoqërise ecin me hapa të njëjtë: midis dy aspekteve ekziston një ekuilibër delikat. Drejtësia bazohet mbi respektin e të drejtave të njeriut. Personi është i pajisur nga natyra me të drejta universale të pashkelshme, të patjetërsueshme. Ato nuk ekzistojnë vetëm. Përsa i takon kësaj, i nderuari im Papa Giovani XII, na mësonte që personi “zotëron si të drejta ashtu dhe detyra, të ardhura drejtpërdrejtë dhe njëkohësisht nga vetë natyra e tij”.[1]
2. Mbi themelin e drejtë antropologjik të të drejtave dhe detyrave të tilla, për më tepër mbi bashkëlidhjen e tyre të brendshme mbështetet mbrojtja autentike e paqes. Në shekujt e fundit këto të drejta njerëzore kanë qenë formuluar në deklarata të ndryshme ligjore, gjithashtu me akte juridike detyruese. Shpallja e tyre në historinë e popujve e shteteve në kërkim të drejtësisë dhe lirisë është kujtuar me një krenari të drejtë edhe pse dendur është përjetuar si një pikë kthimi pas dhunimeve të hapura ndaj dinjitetit të individëve të veçantë dhe të krejt popullsisë. Pesëdhjetë vite më parë, mbas një lufte shënuar nga përmbytje të së drejtës për të jetuar, për disa popuj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara bëri të njohur Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Bëhet fjalë për një akt solemn, që është shtuar pas eksperiencës së trishtuar të luftës, lëvizjeve të vullnetshme për të rinjohur në mënyre formale, të njëjtat të drejta të të gjithë personave dhe të të gjithë popujve. Në dokument lexohet deklarata që vijon e cila i ka qëndruar provës së kohës:”Rinjohja e dinjitetit të brendshëm të të gjithë pjesëtarëve të familjes njerëzore dhe të drejtave të tyre, të njëjta dhe të patjetërsueshme, ku konsiston themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë.[2] Kujdes jo më të vogël meritojnë fjalët, me të cilat mbyllet dokumenti: “Asgjë në deklaratën e dhënë s’mund të jetë e interpretuar për të ngatërruar një të drejtë të çfarëdo shteti, grupi apo personi, për të ushtruar një aktivitet ose për ta shdërruar në akt shkatërrimi i disa të drejtave dhe lirive të parashtruara”.[3] Është dramatike që ende në ditët tona kjo vendosje është dhunuar sheshit përmes presionit, konfliktit, korrupsionit ose në mënyrë më mashtruese përmes synimit e keqinterpretimit me qëllim të shtrembërimit të kuptimit të të njëjtave përkufizime që përmbante Deklarata Universale. Ajo vështrohet në brendësi, në shpirt, si në letër. Ajo mbeti siç kishte thënë Papa Paolo VI me një kujtim të nderuar – një ndër titujt më të mëdhenj të lavdisë së Kombeve të Bashkuara:”Veçanërisht kur mendohet për rëndësinë që i është dhënë, si ecje e sigurtë drejt paqes”.[4] Me rastin e pesëdhjetë vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, që celebrohet këtë vit, është mirë të kujtohet…”vlerësimi e mbrojtja e të drejtave njerëzore…si lëndë me rëndësi të parë për komunitetin ndërkombëtar”.[5] Mbi këtë përvjetor mbështeten hijet e disa rezervave të manifestuara rreth dy karakteristikave themelore të vetë nocionit të të drejtave të njeriut: universaliteti i tyre dhe pandashmëria e tyre. Mënyra të tilla dalluese rishpallen rreptësisht për të tërhequr kritikat e kujtdo që tenton të shfrytëzojë argumentin e veçantisë kulturore për të mbuluar dhunime të të drejtave të njeriut, e kujtdo që varfëron konceptin e dinjitetit njerëzor duke mohuar vlerën juridike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Universalitet e pandashmëri janë dy principe udhërrëfyese, që kërkojnë me ngulm nevojen për të përhapur të drejtat njerëzore në kultura të ndryshme, pse jo, për të thelluar profilin e tyre juridik, për të siguruar respektin e plotë. Respektimi i të drejtave njerëzore nuk sjell vetëm mbrojtjen në planin juridik kur duhet të ketë parasysh të gjitha aspektet që rrjedhin nga nocioni i dinjitetit njerëzor i cili është në bazë të çdo të drejte. Në këtë perspektivë spikat një kujdes i duhur i dimensionit edukativ. Gjithashtu është e rëndësishme ta konsiderojmë edhe promovimin e të drejtave njerëzore: ky është fryt i dashurisë për njeriun, si “e tillë dashuria shkon përtej, kur ka mundësinë të sigurojë drejtësinë e thjeshtë”,[6] “të drejtat e familjes, që është elementi natyral e themelor i shoqërisë”.[7]
Globalizimi në solidaritet
3. Ndryshimet e gjëra gjeopolitike të ndodhura mbas 1989-ës janë ndjekur nga revolucione të vërteta në fushën shoqërore dhe ekonomike.Globalizimi i ekonomisë dhe financës është tashmë një realitet e gjithmonë e më me qartësi vijnë e mblidhen efektet e progreseve të shpejta të lidhura me teknologjitë informatike. Jemi në prag të një epoke të re, që sjell me vete shpresa të mëdha dhe pyetje shqetësuese. Cilat do të jenë pasojat e ndryshimeve që po zhvillohen? Do të mund të kenë të gjithë avantazh nga një merkatë globale? Do të kenë më në fund të gjithë mundësinë të ndjejnë kënaqësinë e paqes? Lidhjet midis shteteve të barabarta, apo konkurencat ekonomike dhe rivalitetet midis popujsh e shtetesh do ta shpien njerëzimin drejt një situate të paqëndrueshme akoma më të madhe? Për një shoqëri më të barabartë, për një paqe më të qëndrueshme, në një botë drejt ecjes mbi rrugën e globalizmit, është një detyrë urgjente e organizimit ndërkombëtar për të kontribuar, për të promovuar sensin e detyrës për të mirën e përbashkët. Por për të mbërritur tek kjo është e nevojshme të kemi gjithmonë parasysh njeriun, që duhet të jetë i vendosur në qëndër të çdo projekti shoqëror. Vetëm kështu Kombet e Bashkuara mund të bëhen një “familje shtetesh”, sipas mandatit të tyre origjinal “për të promovuar progresin shoqëror dhe një nivel më të lartë jete në një liri me të gjere”.[8] Është kjo rruga për të ndërtuar një komunitet botëror të bazuar mbi “besimin reciprok, mbi respektin e sinqertë”.[9] Sfida është që siguron një globalizim në solidaritetin, një globalizim pa kufi. Ja një detyrë dukshme e drejtësisë që sjell ndërlikime të dallueshme morale në organizimin e jetës ekonomike, sociale, kulturore e politike të shteteve.
Pesha e rëndë e borxhit të jashtëm
4. Shtete e krahina të tëra të botës, për shkak të potencialit të vogël financiar apo ekonomik rrezikojnë të jenë të përjashtuara nga një ekonomi që globalizohet. Të tjerë kanë burime më të mëdha, por nuk munden fatkeqësisht të kenë avantazh për motive të ndryshme: prishje rendi, konflikte të brendshme, mungesë strukturash të përshtatshme, korrupsion të përhapur, kriminalitet dhe shumë arsye përsëri.Globalizmi bashkohet, ngjitet me solidaritetin. Duhen caktuar ndihma të veçanta, në favor të atyre vendeve që me forcat e tyre nuk janë në gjendje të hyjnë me sukses në tregun global, që të mund të kalojnë gjendjen e tyre të disavantazhit. Është diçka, që duhet ndaj tyre për drejtësi. Në një “familje Kombesh” të njëjtë, askush nuk mund të përjashtohet, përkundrazi është më i dobëti, më i brishti që duhet mbajtur, që të mund të zhvillojë plotësisht potencialet e tij. Mendimi im shkon tek një ndër vështirësitë më të mëdha, të cilën shtetet më të varfëra duhet ta përballojnë. I referohem barrës së rëndë të borxhit të jashtëm, që kompromenton ekonomitë e të gjithë popujve, duke frenuar progresin e tyre shoqëror dhe politik. Përsa i përket kesaj, nisma të fundit të institucionëve financiare ndërkombëtare kanë vënë në jetë një s’provë të rëndësishme të reduktimit të kordinuar të atij borxhi. Uroj nga zemra, që të vazhdohet me tej në këtë rrugë, duke përdorur me përkulshmëri kushtet e parashikuara, në mënyre që të gjitha Kombet të kenë të drejtë të nxjerrin dobi përpara vitit 2000. Shumë mund të bëjnë në këtë drejtim vendet me të pasura, duke ofruar mbështetjen e tyre në zbatimin e nismave. Cështja e borxhit bën pjesë në një problem më të gjere: tek zgjatja e varfërisë, nganjëherë edhe e skajshme dhe tek ngritja e pabarazive të reja, që shoqërojnë procesin e globalizimit. Nëse objektiv është një globalizim pa mënjanime, nuk mund të tolerohet me një botë në të cilën jetojnë pranë e pranë të stërpasurit dhe të mjeruarit, të vobektit të privuar nga nevojat themelore dhe njerëz që përdorin pa kriter gjëra për të cilat të tjerët kanë një nevoje të dëshpëruar. Kontraste të tilla, janë një fyerje e dinjitetit të personit njerëzor. Nuk mungojnë sigurisht mjetet e përshtatshme për të zhdukur mjerimin, si nxitja e investimeve të bindshme shoqërore dhe prodhuese nga ana e të gjitha instancave ekonomike botërore. Kjo megjithatë, supozon që Komuniteti Ndërkombëtar kërkon të veprojë me vendosmëri të nevojshme politike. Hapa të lavderueshëm në ketë drejtim janë bërë tashmë, por një zgjidhje e qëndrueshme kërkon me ngulm përpjekjen e bërë nga të gjithë, përfshirë atë të vetë shteteve të interesuara.
Nevojitet një kulturë ligjore
5. E çfarë të thuash mbi pabarazitë, që ekzistojnë në brendësi të Kombit? Gjithkund shfaqen situata varfërie në skajshmëri, të cilat përbëjnë padrejtësinë e parë. Për t’i eleminuar paraqitet për të gjithë si një prioritet jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Prandaj nuk mund të heshtësh para vesit të korrupsionit, që po minon zhvillimin shoqëror dhe politik të shumë popujve. Është një fenomen në rritje, që tinëzisht po depërton në shumë sektore të shoqerisë duke u tallur me ligjin dhe duke shpërfillur drejtësinë dhe të vërtetën. Korrupsioni është i vështirë të pengohet , sepse lind në forma të shumta; vdes në një mjedis ose në një zonë dhe lind në një tjetër. Nevojitet guxim edhe për ta denoncuar. Për ta shkatërruar duhet që bashkë me ndihmën e autoriteteve të përdoret edhe ndihma bujare e të gjithë qytetarëve të mbështetur në një ndërgjegje morale të fortë. Një përgjegjesi e madhe në këtë betejë bie mbi personat që kanë detyra publike. Është detyrë e tyre për t’u impenjuar në zbatimin e drejtë të ligjit dhe të tejdukshmërisë në të gjitha aktet e administratës publike. i venë në shërbim të popullit, shteti është përgjegjës i të mirave të qytetarëve d.m.th. të popullit, të cilat duhet të administrohen në vështrimin e të mirave të përgjithshme.Qeveria e mirë kërkon vazhdimisht kontroll të përpiktë dhe korrektësi të plotë të të gjitha marrveshjeve ekonomike dhe financiare. Në asnjë mënyrë nuk mund të lejohet, që burimet e destinuara për të mirën publike t’u shërbejnë interesave të tjera me karakter privat apo drejtëpërdrejtë kriminal. Përdorimi i rremë i të ardhurave publike penalizon mbi të gjithë, të varfrit, që janë të parët që pësojnë humbjen ose privimin e shërbimeve bazë për zhvillimin e personit. Kur korrupsioni hyn në administrimin e drejtësisë janë sërish të varfrit, ata që vuajnë pasojat: vonesa, pamjaftueshmëri, e një mbrojtje të përshtatshme. Shpesh atyre s’u mbetet rrugë tjetër, veç asaj të qenurit pasojë e shtypjes dhe e padrejtësisë.
Forma të veçanta dhe të rënda të padrejtësisë.
6. Ka forma të tjera të padrejtësisë, që vënë në rrezik paqen. Dëshiroj të kujtoj dy këtu: para së gjithash, mungesa e mjeteve për të hyrë me drejtësi në kredi .Të varfrit shpesh herë rrinë jashtë qarqeve normale ekonomike ose mbesin në duart e trafikantëve të parave të paskrupullt, që kërkojnë interesa të tepruara dhe rezultati përfundimtar është keqësimi i një situatë të pasigurtë. Për këtë , është detyrë e të gjithëve të impenjohen që atyre, t’u jepet mundësia e hyrjes në kredi me interesa të favorshme. Në të vërtetë në shumë vende të botës tashmë ekzistojnë institucione financiare që praktikojnë mikro kreditin, për ata që kanë nevojë. Janë nisma që duhen administruar , sepse është e vetmja rrugë me anë të së cilës mund të arrihet në shkuljen që nga rrënjët e plagës së turpshme të fajdes, duke bërë që mjete ekonomike të nevojshme për zhvillimin dinjitoz të familjes e të komuniteteve të jenë të pranueshme për të gjithë. Po çfarë të thuash për shtimin e dhunës tek gratë dhe tek fëmijët? Sot është një nga format me të përhapura ku shtypen të drejtat e njeriut, bërë tragjikisht një mjet terrori: gra të marra peng, të vegjël të masakruar barbarisht. Kësaj i shtohet dhuna e prostitucionit me forcë dhe pornografia infantile, si dhe shfrytëzimi i punës së të vegjëlve, në kushte të verteta skllavërie. Për të dhënë një kontribut në ndalimin e vërshimit të këtyre formave të dhunës nevojiten nisma konkrete, në veçanti masa ligjore të marra si në nivel kombetar ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Nevojitet gjithashtu një punë e lodhshme edukative dhe një rritje e kulturës, derisa të njihet dhe të respektohet dinjiteti i çdo personi. Në fakt nuk mund të mungojë absolutisht në pasurinë etiko-kulturore të të gjithë njerëzimit dhe të një personi të vetëm: ndërgjegjshmëria që qeniet njerëzore të jenë të gjitha të barabarta në dinjitet, të meritojnë të njëjtin respekt, të jenë të gjitha subjekte të së njëjtë drejtësi dhe detyrë.
Të ndërtosh paqen është detyrë e të gjithëve dhe e secilit
7. Paqja për të gjithë, lind nga drejtësia e secilit prej nesh. Asnjë nuk mund të heqë dorë nga një vendim i rëndësishëm për njerëzimin. Ai thërret çdo burrë dhe çdo grua, sipas kompetencave dhe përgjegjësive të tyre. Ju bëj thirrje, pra të gjithëve, ju Kryetare të Shtetit dhe Përgjegjës të Kombeve, të cilëve ju është besuar ruajtja, vigjilenca supreme mbi gjendjen e të drejtave në vendet përkatëse. Të marrësh përsipër një detyrë kaq të lartë nuk është e lehtë, por përben një nga detyrat tuaja themelore. Të ndërtosh paqen me drejtësi, kërkon gjithashtu kontributin e çdo kategorie shoqërore; secila në fushën e vet, bashkëpunon me përbërësit e tjerë të komunitetit. Në veçanti ju jep kurajo juve, mësues që përfshiheni në të gjithë nivelet e mësimdhënies dhe në edukimin e brezave të rinj, formojini me vlerat morale dhe civile të komunitetit shkollor! Të edukosh në drejtësi, për të edukuar në paqe: kjo është një nga detyrat tuaja parësore. Në procesin edukativ është e pazëvendësueshme familja që mbetet mjedisi i privilegjuar për formimin njerëzor të brezave të rinj. Nga shembulli juaj, të dashur prindër, varet një pjesë e mirë e fizionomisë morale të fëmijëve tuaj: ata marrin nga stili i raporteve që ju vendosni brenda dhe jashtë familjes. Familja është shkolla e parë në jetë dhe gjurma e marrë nga familja është vendimtare për zhvillimin e ardhshëm të personit Dhe në fund, ju të rinjve të të gjithë botës, që në mënyrë spontane dëshironi paqe dhe drejtësi, ju them: mbani gjithmonë gjallë tendosjen ndër këto ideale dhe kini durim, këmbëngulje për t’i ndjekur në kushtet ku jetoni. Të jeni të gatshëm të mos pranoni rrugët ilegale drejt reagimeve false të suksesit ose të pasurimit: përkundrazi, kini shijen e asaj që është e drejtë dhe e vërtetë dhe kur t’i përmbahesh kësaj rruge, duhet sakrificë dhe impenjim për të shkuar kundër rrymës. Kështu, nga drejtësia e secilit lind paqja për të gjithë.
Mbështetja, rruga e paqes
8. Po afrohet me hapa të mëdha Jubileu i Vitit 2000, kohë që besimtarët t’i përkushtohen në mënyrë të veçantë Zotit, Zotit të Historisë, një thirrje për të gjithë, përsa i përket varësisë së plotë të krijesës nga Krijuesi. Por në traditën e Biblës, ajo ishte edhe koha e çlirimit të skllevërve, e dorëzimit të tokës pronarit përkatës, faljes së borxheve dhe më vonë restaurimit të formave të barazisë mes të gjithë pjesëtarëve të popullit. Është mbi të gjithë një kohë e privilegjuar, për të ndjekur drejtësinë, që të çon drejt paqes. Më forcën e besimit tek Zoti-dashuri dhe me marrjen pjesë, në shpërblimin universal të Krishtit, të krishterët janë thirrur të sillen simbas drejtësisë dhe të jetojnë në paqe me të gjithë, sepse “Jezusi nuk na dha thjesht paqen. Na dha paqen e tij, të shoqëruar nga drejtësia e tij. Meqënëse Ai është në paqe dhe drejtësi mund të bëhet paqe e jona dhe drejtësi e jona”.[10] Kam shqiptuar këto fjalë gati 20 vite më parë, por në horizontin e ndryshimeve rrënjësore, ato marrin edhe një kuptim edhe më konkret e të gjallë. Sot një shenjë, që e dallon kristianin më shumë se kurrë, duhet të jetë dashuria për të varfrit, të dobëtit, të vuajturit. Ta jetosh këtë impenjim të nevojshëm kërkohet një përmbysje tërësore e atyre vlerave të supozuara, që të bindin për të rikërkuar të mirën vetëm për veten e tyre: fuqia, pëlqimi, pasurimi në mënyrë të paskrupullt. Por tamam në këtë kthesë rrënjësore janë thirrur dishepujt e Krishtit. Sa vetë i kushtohen kësaj rruge do të provojnë me të vërtetë “drejtësi, paqe dhe lumturi në Shpirtin Shenjt” (Rom 14, 17) dhe do të shijojnë “një fryt të paqes dhe të drejtësisë” (Heb 12, 11). Dëshiroj t’u ripropozoj kristianëve të çdo kontinenti, këshillimin e dhënë në Koncilin II të Vatikanit: “Të jenë plotësuar mbi të gjitha detyrimet e drejtësisë, sepse nuk ofrohet si dhuratë bamirësie, ajo që tashmë i detyrohet titullit të drejtësisë”.[11] Një shoqëri autentike solidare ndërtohet fale faktit, që ata që zotërojnë të mira, të mos ngushtohen nga tepria e këtyre të mirave që të ndihmojnë të varfrit. Por të ofrosh të mira materiale nuk është e mjaftueshme: nevojitet shpirti i mbështetjes, aq sa ta ndjesh si një titull nderi, mundësinë për t’i dedikuar vëmendjen dhe kujdesjet vetjake, nevojave të vëllezërve në vështirësi. Sot vihet re, si nga ana e të krishtereve, ashtu si nga ana e ndjekësve të feve të tjera dhe e shumë burrave e grave me vullnet të mirë, kërkesa e një mënyrë të thjeshtë jetese, si kusht, që ndarja e drejtë dhe e barabartë e fryteve të Zotit, të bëhet realitet. Kush jeton në varfëri, nuk mund të presë më: ka nevojë tani, prandaj ka të drejtë të marrë menjëherë, atë çfarë i nevojitet.
Shpirti i shenjtë në ndërtimin e botës.
9. Ka filluar me të dielën e parë të Ardhjes, viti i dytë i përgatitjes së menjëherëshme të Jubileut të Madh 2000, dedikuar Shpirtit të Shenjtë. Shpirti i shpresës është në ndërtimin e botës. Është i pranishëm në shërbimin e çinteresuar të atij, që punon pranë të mënjanuarve dhe atyre, që vuajnë në botë, të atij që pranon emigrantët dhe refugjatët, të atij që me kurajo kundërshton të përbuzë një person apo një grup të tërë për motive etnike, kulturore dhe fetare; është e pranishme në veçanti në veprimin njerëzor të atyre, që me durim dhe me qëndrueshmëri, vazhdojnë të promovojnë paqen dhe pajtimin ndërmjet atyre, që në një kohë ishin kundërshtarë dhe armiq. Ja, këto janë shenja të shpresës, që japin guxim për të rikërkuar drejtësinë, që të çon drejt paqes. Zemra e mesazhit evangjelik është Krishti, paqe dhe pajtim për të gjithë. Qoftë e mundur që fytyra e tij të ndriçojë ecjen e njerëzimit, që përgatitet të kalojë pragun e mijëvjeçarit të tretë. Pa asnjë dallim, të bëhen dhurata për të gjithë, drejtësia dhe paqja e tij! “Atëherë shkretëtira do të bëhet një lulishte dhe kopshti do të quhet një pyll. Në shkretëtirë do të zërë vend e drejta dhe drejtësia do të mbretërojë në lulishte. Pasojë e drejtësisë do të jetë paqja, fryt i të drejtës një siguri e përjetshme” (Is, 32, 15-17).
Nga Vatikani, 8 dhjetor 1997
[1] Pacem in terris (11 prill 1963) AAS 55 (1963), 259. [2] Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Hyrje. [3] Po aty, neni 30. [4] Mesazh i Presidentit të Asamblesë së XXVIII të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me rastin e 25-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut (10 dhjetor 1973): AAS 65 (1973), 674. [5] Deklarata e Vjenës, Konferenca Botërore mbi të Drejtat e Njeriut (qershor 1993). Hyrje 1. [6] Gaudium et spes, 78. [7] Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, nei 163. Shih Karta e të Drejtave të Familjes (22 tetor 1983), paraqitur nga Selia e Shenjtë: Ench. Vat. 9, 538-552. [8] Karta e Kombeve të Bashkuara. Hyrje. [9] GJON PALI II, Fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (5Tetor 1995), 14; “L’Osservatore Romano”, 6 tetor 1995, fq. 7. [10] Gjon Pali II, Homeli në Stadiumin Yankee të Nju Jorkut (2 tetor 1979), 1: AAS 71 (1979), 1169. [11] Apostolicam actuositatem, 8.
|
|
| > Kisha Katolike Shkoder 2008 < | ||