ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

Mesazhe Me Rastin e Dites Boterore te Paqes

 Mesazhi i Papa Gjon Palit te II

 

 

 

1 JANAR 1999

 

"Tek respektimi i te drejtave te njeriut - Sekreti i paqes se vertete”

 

 

l. Në Enciklikën e parë Redemptor hominis, që u kam drejtuar gati njëzet vjet më parë të gjithë burrave dhe grave me vullnet të mirë, që atëherë nënvizoja rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut. Paqja lulëzon kur të drejta të tilla ruhen të plota, ndërsa lufta lind prej dhunimit të tyre dhe bëhet pastaj shkak për dhunime të mëtejshme edhe më të rënda.[1]

Në prag të vitit të ri, i fundit para Jubileut të madh, do të doja të ndalesha edhe një herë mbi këtë temë me rëndësi të madhe me të gjithë ju, burra dhe gra nga të gjitha anët e botës, me ju, politikanë përgjegjës dhe udhëheqës fetarë të popujve, me ju, që e doni paqen dhe doni ta forconi atë në botë.

Ja bindja që, në dritën e Ditës Botërore të Paqes, kam dëshirë ta ndaj me ju: kur promovimi i dinjitetit të njeriut është parimi udhëheqës në të cilin frymëzohemi, kur kërkimi i së mirës së përbashkët përbën impenjimin kryesor, atëherë vendosen themele të forta dhe të qëndrueshme të ndërtesës së paqes. Kur përkundrazi të drejtat e njeriut injorohen dhe përbuzen kur ndjekja e interesave të veçanta fiton padrejtësisht mbi të mirën e përbashkët, atëherë në mënyrë të paevitueshme mbillen farat e paqëndrueshmërisë, rebelimit e të dhunës.

 

Respektimi i të drejtave të njeriut pasuri e njerëzimit

 

2. Dinjiteti i njeriut human është një vlerë trashendente, gjithmonë e njohur si e tillë që kur janë vënë në kërkim të sinqertë të së vërtetës. E gjithë historia njerëzore, në të vërtetë, interpretohet në dritën e kësaj sigurie. Çdo njeri, i krijuar si shëmbëlltyrë e përngjasim i Hyjit (Shih Zan l, 26-28) dhe ndërkaq, rrënjësisht i orientuar drejt Krijuesit të tij, është në marrëdhënie të vazhdueshme me të gjithë ata, që janë të veshur me të njëjtin dinjitet. Promovimi i së mirës së individit lidhet kështu me shërbimin ndaj së mirës së përbashkët, aty ku të drejtat dhe detyrat përputhen dhe forcohen me njëra-tjetrën.

Historia bashkëkohore ka vënë në dukje në mënyrë tragjike rrezikun, që rrjedh prej harrimit të së vërtetës mbi njeriun human. Janë përpara syve tanë, frytet e ideologjive si marksizmi, nazizmi, fashizmi, apo edhe i miteve si superioriteti rracor, nacionalizmi dhe sektarizmi etnik. Jo më pak të dëmshëm, edhe pse jo gjithmonë aq të dukshëm, janë efektet e komunizmit materialist, në të cilin lartësimi i individit dhe kënaqja egocentrike e aspiratave personale bëhen qëllimi i fundit i jetës. Në këtë pikëpamje, pasojat negative mbi të tjerët mbahen si plotësisht të parëndësishme. Duhet të theksojmë, ndërkaq, që asnjë fyerje e dinjitetit njerëzor s’mund të injorohet, i çfarëdo lloji qoftë burimi, forma e fituar e faktit, vendi ku ndodh.

 

Universaliteti dhe pandashmëria e të drejtave të njeriut

 

3. Viti l998 ka shënuar 50-vjetorin e adoptimit të “Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut”. Ajo qëllimisht qe bashkuar me Kartën e Kombeve të Bashkuara, me të cilën ka një frymëzim të përbashkët. Deklarata ka si parakusht themelor, pohimin sipas së cilës njohja e dinjitetit të lindur të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore, ashtu sikurse i barazisë dhe patjetërsueshmërisë së të drejtave të tyre është themeli i lirisë, i drejtësisë dhe i paqes në botë.[2] Të gjithë dokumentet ndërkombëtare të mëvonshme mbi të drejtat e njeriut përforcojnë këtë të vërtetë, duke njohur dhe afirmuar, që ato rrjedhin prej dinjitetit dhe prej vlerës së qenësishme të njeriut human.[3]

Deklarata Universale është e qartë: njeh të drejtat që shpall, nuk i jep, ato në fakt, janë të qenësishme tek njeriu human dhe tek dinjiteti i tij. Për rrjedhojë askush nuk mundet në mënyrë të ligjshme të heqë prej këtyre të drejtave një njeri, kushdo qoftë ai, sepse kjo do të thoshte të dhunonte natyrën e tij. Të gjitha qeniet njerëzore, pa përjashtim, janë të barabarta në dinjitet. Për të njëjtën arsye, të drejta të tilla u përkasin të gjitha fazave të jetës dhe çdo konteksti politik, social, ekonomik apo kulturor. Ato formojnë një tërësi unitare, e drejtuar vendosmërisht në promovimin e çdo aspekti të së mirës së njeriut dhe të shoqërisë.

Të drejtat e njeriut tradicionalisht grupohen në dy kategori të gjera përmbledhëse, nga njëra anë, të drejtat qytetare dhe politike dhe, nga tjetra, ato ekonomike, shoqërore e kulturore. Akordet ndërkombëtare sigurojnë, edhe pse në shkallë të ndryshme, të dyja kategoritë; të drejtat e njeriut, në fakt, janë ngushtësisht të ndërthurura mes tyre, duke qenë shprehje të dimensioneve të ndryshme të të njëjtit subjekt, që është njeriu. Promovimi i plotë i të gjitha kategorive të të drejtave të njeriut është garancia e vërtetë e respektimit të plotë të çdo të drejte të veçantë.

Mbrojtja e universalitetit dhe pandashmërisë së të drejtave të njeriut është thelbësore për ndërtimin e një shoqërie paqësore dhe për zhvillimin e plotë të individëve, popujve dhe kombeve. Afirmimi i këtij universaliteti dhe pandashmërie nuk përjashton, në fakt, diferencime të ligjshme të karakterit kulturor e politik në aktualizimin e të drejtave të veçanta, me qëllim që të rezultojnë të respektuar në çdo rast nivelet e fiksuara prej Deklaratës Universale për mbarë njerëzimin.

Duke i pasur mjaft të qarta këto kushte paraprake themelore, do të doja tani të vija në dukje disa të drejta të veçanta, që duken sot të ekspozuara veçanërisht ndaj dhunimeve pak a shumë të hapura.

 

E drejta për jetën

 

4. E para në mes këtyre është e drejta themelore për jetën. Jeta e njeriut është e, shenjtë dhe e padhunueshme, që prej lindjes së saj dhe deri në perëndimin e saj natyror. “Mos vrit” është urdhri hyjnor, që shënon skajin e fundit përtej të cilit, nuk është kurrë e lejuar të shkosh. “Vrasja direkte dhe e vullnetshme e një qenieje njerëzore të pafajshme është gjithmonë jashtëzakonisht imorale”.[4]

E drejta për jetën është e padhunueshme. Kjo nënkupton një zgjedhje pozitive, një zgjedhje për jetën. Zhvillimi i një kulture të orientuar në këtë drejtim shtrihet në të gjitha rrethanat e ekzistencës dhe siguron promovimin e dinjitetit njerëzor në çdo situatë. Një kulturë e vërtetë e jetës, sikurse i garanton të drejtën për të ardhur në jetë atij, që ende nuk ka lindur, ashtu mbron të sapolindurit, veçanërisht vajzat e vogla prej krimit të fëmijëvrasjes. Në të njëjtën mënyrë, ajo u siguron handikapatëve zhvillimin e fuqive të tyre dhe të sëmurëve e të moshuarve kura të përshtatshme.

Nga zhvillimet e fundit në fushën e inxhinierisë gjenetike, ngrihet një sfidë, që ngjall shqetësime të thella. Që kërkimi shkencor në këtë fushë të jetë në shërbim të njeriut, duhet ta shoqërojë në çdo hap reflektimi i kujdesshëm etik, që të frymëzojë norma të duhura juridike në ruajtjen e paprekshmërisë së jetës njerëzore. Kurrë jeta nuk mund të shdërrohet në një objekt.

Zgjedhja e jetës, sjell refuzimin e çdo forme të dhunës: atë të varfërisë dhe urisë, që godet shumë qenie njerëzore, atë të konflikteve të armatosura; atë të përhapjes kriminale të drogave e të trafikut të armëve: atë të dëmtimit të pakujdesshëm të ambientit natyror.[5] Në çdo rrethanë, e drejta për jetën duhet të promovohet dhe të vihet nën mbikqyrjen e garancive të duhura ligjore dhe politike, sepse asnjë fyerje kundër së drejtës për jetën, kundër dinjitetit të çdo njeriu të veçantë, nuk është e parëndësishme.

 

Liria fetare, thelbi i të drejtave të njeriut

 

5. Feja, shpreh aspiratat më të thella të njeriut human, përcakton konceptimin e realitetit, udhëheq raportin me të tjerët: jep në fund, përgjigjen ndaj çështjes së domethënies së vërtetë të ekzistencës, si në fushën personale ashtu edhe shoqërore. Liria fetare përbën ndërkaq, vetë thelbin e të drejtave të njeriut. Ajo është kaq e padhunueshme, saqë kërkon që njeriut t'i njihet liria deri edhe të ndërrojë fe, nëse ndërgjegjja e tij e kërkon. Secili, në fakt, është i detyruar të ndjekë ndërgjegjen e vet në çdo rrethanë dhe nuk mund të shtrëngohet të veprojë në kundërshtim me të.[6] Pikërisht për këtë, askush s'mund të kushtëzohet të pranojë detyrimisht një fe të caktuar, çfarëdo qofshin rrethanat apo arsyet.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut njeh që e drejta e lirisë së fesë përfshin atë të shfaqjes së besimeve të tij qoftë individualisht qoftë me të tjerët, në publik ose privatisht.[7] Pavarësisht nga kjo, ekzistojnë edhe sot, vende në të cilat e drejta për t’u bashkuar për arsye kulti ose nuk është e njohur ose është e kufizuar për pjesëtarë të një besimi të vetëm. Ky dhunim i rëndë, i një prej të drejtave themelore të njeriut është shkak vuajtjesh të mëdha për besimtarët. Kur një shtet i jep një statut të veçantë një feje, kjo nuk mund të ndodhë në dëm të të tjerave. Dihet, se ka kombe në të cilat individë, familje dhe grupe të tëra vazhdojnë të jenë të diskriminuar dhe të lënë mënjanë, për shkak të besimit të tyre fetar.

As nuk lihet në heshtje, një problem tjetër i lidhur jo drejtpërdrejt me lirinë fetare. Nganjëherë, komuniteti ose popujt, të bindjeve dhe kulturave fetare të ndryshme, nxisin mes tyre tensione në rritje, që për arsye të pasioneve të forta të përfshira, arrijnë të transformohen në konflikte të dhunshme. Përdorimi i dhunës në emër të besimit të vet fetar, përbën një deformim të vetë mësimeve të feve më të mëdha. Siç kanë përsëritur shumë herë përfaqësues të ndryshëm fetarë, edhe unë e ritheksoj që përdorimi i dhunës, nuk mund të gjejë kurrë justifikime fetare të bazuara, as të nxisë rritjen e ndjenjës së vërtetë fetare.

 

E drejta për të marrë pjesë

 

6. Çdo qytetar ka të drejtën të marrë pjesë në jetën e komunitetit të vet: është bindje kjo, përgjithësisht sot e pranuar. Kjo e drejtë megjithatë, që zhvleftësohet kur procesi demokratik është i boshatisur prej vlefshmërisë të tij, nëpërmjet favorizimeve dhe fenomeneve të korrupsionit, që jo vetëm pengojnë pjesëmarrjen e ligjshme në administrimin e pushtetit, por pengojnë vetë hyrjen në një përfitim të barabartë të të mirave dhe të shërbimeve të përbashkëta. Deri edhe zgjedhjet, mund të manipulohen me qëllim që të sigurohet fitorja e disa partive ose personave. Bëhet fjalë, për një sulm ndaj demokracisë, që sjell rrjedhoja serioze, meqenëse qytetarët, përveç të drejtës, kanë edhe përgjegjësinë e pjesëmarrjes: kur pengohen, ato humbin shpresën e ndërhyrjes në mënyrë efikase dhe braktisen në qëndrimin e një tërheqje në pasivitet. Zhvillimi i një sistemi të shëndoshë demokratik bëhet kështu praktikisht i pamundur.

Kohët e fundit janë përshtatur masa të ndryshme, për të siguruar zgjedhje të ligjshme në shtete që me vështirësi përpiqen të kalojnë nga një formë totalitarizmi në një regjim demokratik. Sado të dobishme dhe e vleshme në situata emergjente, këto iniciativa nuk mund të çlirohen megjithatë, nga sforcimi, që sjell tek qytetarët krijimi i një platforme bindjesh të pranuara, falë të cilave manipulimi i procesit demokratik, të refuzohet përfundimisht.

Në fushën e komunitetit ndërkombëtar, kombe dhe popuj kanë të drejtë të marrin pjesë në vendimet, që shpesh modifikojnë thellësisht mënyrën e tyre të të jetuarit. Veçantia teknike e disa problemeve ekonomike shkakton tendencën për të kufizuar diskutimin e tyre në rrethe të ngushta, me rrezikun e mëvonshëm të përqëndrimeve të pushtetit politik dhe financiar në një numër të kufizuar qeverish dhe grupesh të interesuara. Kërkimi i së mirës së përbashkët kombëtare dhe ndëkombëtare kërkon aktualizim konkret, edhe në fushën ekonomike të së drejtës së të gjithëve, për të marrë pjesë në vendimet që u përkasin.

 

Një formë veçanërisht e rëndë diskriminimi

 

7. Një ndër format më dramatike të diskriminimit, qëndron tek mohimi ndaj grupeve etnike dhe pakicave kombëtare i së drejtës themelore për të jetuar si të tillë. Kjo vihet në jetë nëpërmjet shtypjes së tyre ose transferimit të dhunshëm, ose edhe përpjekjeve për të dobësuar identitetin etnik, aq sa për ta bërë të panjohur. A mund të rrihet në heshtje përballë krimeve kaq të rënda kundër njerëzimit? Asnjë mundim nuk mund të konsiderohet i tepërt kur bëhet fjalë për t’i dhënë fund shpërbërjeve të tilla, të padenja për qenien njerëzore.

Shenjë pozitive e vullnetit në rritje të shteteve për të njohur përgjegjësitë e tyre në mbrojtjen e viktimave të krimeve të tilla dhe në angazhimin për t’i parandaluar është iniciativa e kohëve të fundit të një Konference Diplomatike të Kombeve të Bashkuara: me vendim të veçantë, ajo ka aprovuar Statutin e një Gjykate, Penale Ndërkombëtare, e caktuar për të individualizuar fajet dhe për të ndërshkuar përgjegjësitë e krimeve të genocidit, të krimeve kundër njerëzimit, të krimeve të luftës dhe të agresionit. Ky institucion i ri, nëse është i ndërtuar mbi baza të mira juridike, do të mund të kontribuonte më shumë, për të siguruar në shkallë botërore mbrojtjen e duhur të të drejtave të njeriut.

 

E drejta e vetërealizimit

 

8. Çdo qenie njerëzore zotëron aftësi të lindura, që presin të zhvillohen. I përshtatet realizimit të plotë të personalitetit të saj edhe të futjes në mënyrë bindëse në kontekstin shoqëror të ambientit të vet. Për këtë është e nevojshme para së gjithash të parashikohet edukimi i duhur i të gjithë atyre, që shfaqen në pragun e jetës: nga kjo varet arritja e tyre e ardhshme.

Nga kjo pikëpamje, si nuk mund të shqetësohemi duke parë që në disa rajone nga më të varfërat e botës, mundësitë e formimit realisht zvogëlohen gjithnjë, veçënarisht përsa i përket arsimimit fillor? Kjo shkaktohet nganjëherë nga gjendja ekonomike e vendit, e cila nuk lejon t’i përgjigjet rrogës së mësuesve. Në raste të tjera, paraja duket e disponueshme për projekte të prestigjit ose për edukimin e mesëm, por jo për atë fillor. Kur kufizohen mundësitë e formimit, veçanërisht për vajzat e vogla, parapërgatiten struktura diskriminimi të afta të ndikojnë mbi tërë zhvillimin e shoqërisë. Bota do të përfundonte e ndarë sipas një kriteri të ri: nga njëra anë, shtete dhe individë të pajisur me teknologji të përparuar, dhe nga ana tjetër vende dhe njerëz me njohuri dhe aftësi tejet të kufizuara. Siç është e lehtë të merret me mend, kjo s'do të bënte gjë tjetër, veçse të përforconte pabarazitë e mprehta ekonomike, që janë jo vetëm në mes shtetesh, por edhe në vetë brendësinë e tyre. Edukimi dhe formimi profesional, duhet të jenë në vend të parë, qoftë në planet e vendeve në zhvillim qoftë në programet e përtëritjes urbane dhe rurale, të popujve ekonomikisht më të përparuar.

Një tjetër e drejtë themelore, nga përmbushja e së cilës varet rritja e një niveli të denjë jetese është ajo e punës. Si mund të sigurohet ndryshe ushqimi, veshmbathja, shtëpia, shërbimi mjekësor dhe shumë nevoja të tjera të jetës? Mungesa e punës është sot megjithatë, një problem i rëndë: të panumërt janë njerëzit, që në shumë anë të botës gjenden të përfshirë në fenomenin shkatërrues të papunësisë. Është e nevojshme dhe urgjente nga ana e të gjithëve dhe në veçanti, nga ana e kujtdo, që ka në duar levat e pushtetit politik apo ekonomik, të bëjë çfarë është e mundur për t’i dhënë udhë një situate të tillë kaq të dhimbshme. Nuk mund të kufizohemi, me ndërhyrjet megjithatë të detyrueshme të emergjencës në raste papunësie, sëmundjeje ose rrethanave të ngjashme që i shmangen kontrollit të individit të veçantë[8], por duhet të veprohet me qëllim, që të papunët të jenë në gjendje të marrin përgjegjësitë e ekzistencave të tyre, duke u emancipuar nga një regjim asistencial poshtërues.

 

Progres global në solidaritet

 

9. Ecja e shpejtë drejt globalizimit të sistemeve ekonomike dhe financiare bën nga ana e saj të qartë urgjencën për të caktuar atë, që duhet të garantojë të mirën e përbashkët dhe globale, vënien në jetë të të drejtave ekonomike dhe shoqërore. Vetëm tregu i lirë nuk mund ta bëjë, meqë në realitet ekzistojnë nevoja të shumta njerëzore, që nuk kanë të bëjnë me tregun. “Akoma përpara logjikës së shkëmbimit të të barazvlefshmëve dhe të formave të drejtësisë, që e karakterizojnë, ekziston një diçka që i përket njeriut sepse është njeri, në sajë të dinjitetit të tij të lartë”.[9]

Pasojat e krizave të tanishme ekonomike dhe financiare kanë pasur rrjedhoja të rënda mbi njerëz të panumërt, katandisur në kushte të një varfërie ekstreme. Shumë prej tyre kishin arritur vetëm prej pak kohësh, në një gjendje që justifikonte shpresa ngushëlluese për të ardhmen. Pa asnjë përgjegjësi të tyre, ata kanë parë shpresa të tilla egërsisht të thyera me rrjedhoja tragjike për vete dhe për bijtë e tyre. E si mund të injorohen shkaqet e një luhatjeje të tregjeve financiare? Kërkohet një shikim i ri i progresit global në solidaritet, që të parashikojë një zhvillim të plotë e të mbështetur të shoqërisë, të tillë, që t’i bëjë të mundur çdo pjestari të tij të realizojë aftësitë e tij.

Në këtë kontekst, u drejtoj një thirrje urgjente të gjithëve sa kanë përgjegjësi në raportet financiare në nivel botëror, me qëllim, që të marrin për zemër zgjidhjen e problemit shqetësues të borxhit ndërkombëtar të kombeve më të varfëra. Institucione financiare ndërkombëtare kanë filluar, për këtë qëllim, një inisiativë konkrete të denjë për t’u çmuar. Ju bëj thirrje të gjithëve sa janë të përfshirë në këtë problem, veçanërisht kombeve më të pasura, me qëllim që të furnizojnë mbështetjen e nevojshme, për t'i siguruar iniciativës sukses të plotë. Kërkohet një përpjekje e shpejtë dhe e fuqishme për t’i dhënë mundësi një numri vendesh sa më të madh që të jetë e mundur në prag të vitit 2000, për të dalë nga një gjendje tashmë të rrezikuar. Dialogu mes institucioneve të interesuara, nëse është i frymëzuar nga vullneti i mirëkuptimit, do të çojë, për këtë jam i sigurt, në një zgjidhje të kënaqshme dhe përfundimtare. Në mënyrë të tillë, për kombet më të varfra do të bëhet i mundur një zhvillim i qëndrueshëm dhe mijëvjeçari që na qëndron përpara do të shndërrohet edhe për to, në një kohë shprese të ripërtërirë.

 

Përgjegjësia përballë mjedisit

 

l0. Me promovimin e dinjitetit njerëzor lidhet e drejta për një mjedis të shëndoshë, meqenëse ai vë në dukje dinamikën e lidhjeve mes individit dhe shoqërisë. Një tërësi normash ndërkombëtare, rajonale dhe kombëtare mbi mjedisin, po i jep gradualisht formë juridike, një të drejte të tillë. Megjithatë, nuk mjaftojnë vetëm masat ligjore. Rreziku i dëmeve të rënda ndaj tokës dhe detit, ndaj klimës, ndaj florës dhe faunës, kërkon një ndryshim të thellë në mënyrën tipike të jetës së konsumit, pë qytetërimin modern, veçanërisht në vendet më të pasura. As nuk mund të nënvleftësohet një rrezik tjetër, edhe pse më pak i dhunshëm: të shtyrë nga nevoja, gjithsa jetojnë në mënyrë të mjerë në zonat rurale mund të arrijnë të shfrytëzojnë pa kriter, tokën e paktë, që kanë në zotërim. Ndërkohë duhet t'i jepet përparësi një formimi të veçantë, që t’i mësojë ata si të harmonizojnë kultivimin e tokës me respektin ndaj mjedisit.

E tashmja dhe e ardhmja e botës, varen nga ruajtja e universit, sepse ekziston një ndërveprim i vazhdueshëm mes qënies njerëzore dhe natyrës. Vënia në qendër të vëmendjes, ndaj mjedisit, nga qenia njerëzore është në realitet, mënyra më e sigurtë për të shpëtuar krijimin; në mënyrë të tillë, në fakt, nxitet përgjegjësia e secilit përballë pasurive natyrore dhe përdorimit të tyre në mënyrë të arsyeshme.

 

E drejta për paqe

 

11. Promovimi i së drejtës për paqe siguron në një farë mënyre, respektimin e të gjitha të drejtave të tjera, meqë favorizon ndërtimin e një shoqërie brenda së cilës, në vend të marrëdhënieve të sforcuara ndërhyjnë marrëdhëniet e bashkëpunimit, duke pasur parasysh të mirën e përbashkët. Aktualiteti provon gjerësisht, falimentimin e përdorimit të dhunës si mjet për të zgjidhur problemet politike dhe shoqërore. Lufta shkatërron, nuk ndërton; shfuqizon themelet morale të shoqërisë dhe krijon ndarje të mëtejshme dhe tensione të vazhdueshme. E megjithatë kronikat vazhdojnë të regjistrojë luftëra dhe konflikte të armatosura me viktima të panumërta. Sa herë Paraardhësit e mi dhe unë vetë kemi kërkuar fundin e këtyre tmerreve! Do të vazhdoj ta bëj, derisa nuk do të kuptohet që lufta është falimentimi i çdo humanizmi të vërtetë.[10]

Faleminderit Zotit, nuk janë të paktë hapat e bërë në disa rajone drejt konsolidimit të paqes. Një meritë e madhe, u njihet atyre politikanëve të guximshëm, që kanë kurajon të vazhdojnë tratativën edhe kur situata duket se e bën të pamundur. Në të njëjtën kohë megjithatë, si të mos denoncojmë masakrat, që vazhdojnë në rajone të tjera, me çrrënjosjen e popujve të tërë nga tokat e tyre dhe shkatërrimin e shtëpive e të mbjellave? Përpara viktimave të panumërta tashmë, u drejtohem përgjegjësve të kombeve dhe njerëzve vullnetmirë, me qëllim që të lëvizin në ndihmë të atyre që janë të përfshirë, veçanërisht në Afrikë, në konflikte mizore, të frymëzuar nganjëherë nga konflikte ekonomike të jashtme, dhe t'i ndihmojnë ata t'u japin fund. Një hap konkret në këtë drejtim është sigurisht zhdukja e trafikut të armëve drejt vendeve në luftë dhe mbështetja ndaj përgjegjësve të atyre popujve në kërkimin e rrugës së dialogut. Kjo është rruga e denjë e njeriut, kjo është rruga e paqes!

Mendimi im pikëllues i drejtohet atij, që jeton dhe rritet në një ambient lufte, atij që nuk ka njohur tjetër veç konflikte dhe dhunime. Ata që mbijetojnë do të mbajnë në vitet e tyre të mbetura plagët e një eksperiencë të tillë të tmerrshme. E ç’mund të themi për ushtarët fëmijë? Si mund të pranohet që të shkatërrohen kështu ekzistenca të sapoçelura? Të stërvitur për të vrarë dhe shpesh të shtyrë për ta bërë, këto fëmijë nuk do të mund të mos kenë probleme në hyrjen e tyre të ardhshme në jetën qytetare. Ndërpritet edukimi i tyre dhe asgjësohen aftësitë e tyre të punës: çfarë pasojash për të ardhmen e tyre! Fëmijët kanë nevojë për paqe; për të kanë të drejtë.

Në kujtim të këtyre fëmijëve, do të doja të bashkoja atë të vegjëlve viktima të minave anti-njeri dhe të mjeteve të tjera të luftës. Me gjithë përpjekjet tashmë të bëra për çminimin, jemi tani në një paradoks të pabesueshëm dhe jonjerëzor: duke mos marrë parasysh vullnetin qartësisht të shprehur nga qeveri dhe popuj, për të mos përdorur përfundimisht një armë kaq mizore, nuk është pushuar së mbjelluri mina të tjera edhe në vendet tashmë të bonifikuara.

Fara lufte shpërdahen edhe nga shtimi në masë dhe i pakontrolluar i armëve të vogla dhe të lehta, që me sa duket, kalojnë lirisht nga një zonë konflikti në një tjetër, duke ushqyer dhunë gjatë kalimit të tyre. U përket qeverive të marrin masa të duhura, për kontrollin rreth prodhimit, shitjes, importimit dhe eksportimit të këtyre mjeteve të vdekjes. Vetëm në këtë mënyrë është e mundur të përballohet në mënyrë të frytshme në tërësinë e tij, problemi i trafikut në masë dhe të palejueshëm të armëve.

 

Një kulturë e të drejtave të njeriut, përgjegjësi e të gjithëve

 

l2. Nuk është e mundur me këtë rast të shtrijmë më tej bisedën. Do të doja, megjithatë, të nënvizoja që asnjë e drejtë e njeriut nuk është e sigurtë, në qoftë se nuk angazhohemi t’i mbrojmë të gjitha. Kur pranohet pa reaguar dhunimi i njërës prej cilësdo të drejtave themelore të njeriut, vihen në rrezik të gjitha të tjerat. Ndërkohë, është i domosdoshëm, një trajtim global ndaj temës së të drejtave të njeriut dhe një angazhim serioz në mbrojtje të tyre. Vetëm atëherë, kur një kulturë e të drejtave të njeriut, respektuese e traditave të ndryshme, bëhet pjesë përbërëse e pasurisë morale të njerëzimit, mund të shikohet me besim të kthjellët drejt së ardhmes.

Dhe në fakt, si do të mund të kishte luftë, nëse çdo e drejtë e njeriut të ishte respektuar? Ruajtja e pacënuar e të drejtave të njeriut është rruga më e sigurtë, për të vendosur lidhje të forta në mes të shteteve. Kultura e të drejtave të njeriut nuk mund të jetë gjë tjetër, përveçse kultura e paqes. Çdo dhunim i tyre, përmban në vetvete farën e një konflikti të mundshëm. Që atëhere Paraardhësi im i nderuar, shërbëtori i Hyjit Piu XII, në fund të Luftës së Dytë Botërore, shtronte pyetjen: “Kur një popull është i shtypur me forcë, kush do të kishte kurajon t’i premtonte siguri pjesës së tjetër të botës në kuadrin e një paqeje të qëndrueshme?”.[11]

Për të promovuar një kulturë të të drejtave të njeriut, që të angazhojë ndërgjegjet, është i nevojshëm bashkëpunimi i çdo force shoqërore. Do të doja të bëja referim të veçantë rolit të mass-medias, aq shumë e rëndësishme në formimin e opinionit publik dhe si rrjedhojë, në orientimin e sjelljeve të qytetarëve. Sikurse nuk mund të mohohej një përgjegjësi e tyre në dhunimin e të drejtave të njeriut që të kenë shkakun e vet në rritjen e dhunës së kultivuar prej tyre si ngjajnë ashtu është detyrë t'u atribuohet, merita e atyre iniciativave fisnike të dialogut dhe solidaritetit, që janë formuar në sajë të mesazheve të shpërndarë prej tyre në favor të mirëkuptimit reciprok dhe të paqes.

 

Kohë e zgjedhjeve, kohë e shpresës

 

l3. Mijëvjeçari i ri është tek porta dhe afrimi i tij ka ushqyer në zemrat e shumë njerëzve shpresën e një bote më të drejtë të bashkuar. Është një dëshirë që mundet, përkundrazi, që duhet të realizohet!

Në këtë këndvështrim u drejtohem tani në mënyrë të veçantë juve, të dashur Vëllezer e Motra në Krishtin, që në anë të ndryshme të botës merrni si rregull të jetës Ungjillin: bëhuni lajmëtarë të dinjitetit të njeriut! Feja na mëson, se çdo njeri ka qenë krijuar në shëmbëllesë dhe ngjashmëri të Hyjit, përballë refuzimit të njeriut, dashuria e Atit qiellor mbetet besnike; dashuria e tij është dashuri pa kufinj, Ai ka dërguar Birin Jezus për të shelbuar çdo njeri, duke i kthyer dinjitetin e plotë.[12] Përballë një qëndrimi të tillë, si mund të përjashtojmë ndonjërin prej përkujdesjeve tona? Në të kundërtën, duhet të njohim Krishtin tek më të varfrit e të braktisurit, që Eukaristia, bashkim në korpin e gjakun e Krishtit të dhuruar për ne, na angazhon për të shërbyer.[13] Sikurse parabola e të pasurit, që do të mbesë përgjithmonë pa emer, dhe të varfrit të quajtur Lazër na tregon qartësisht, “në kontrastin e mprehtë mes të pasurve të pandjeshëm dhe të varfërve nevojtarë për gjithçka, Hyji qëndron nga ana e këtyre të fundit”.[14] Nga kjo anë duhet të rreshtohemi edhe ne.

Viti i tretë dhe i fundit i përgatitjes për Jubileun është shënuar nga një pelegrinazh shpirtëror drejt Atit: secili është i ftuar në një ecje kthimit të vërtetë, që sjell braktisjen e së keqes dhe zgjedhjen pozitive të së mirës. Tashmë në pragun e Vitit 2000, është detyrë e jona të mbrojmë me angazhim të përtërirë dinjitetin e të varfërve dhe të braktisurve e të njohim konkretisht të drejtat e atyre që nuk kanë të drejta. Ta ngrejmë së bashku zërin për ta, duke jetuar në plotësi misionin që Krishti u ka besuar nxenësve të tij! Është ky shpirti i Jubileut në afrim.[15]

Jezusi na ka mësuar ta thërrasim Hyjin me emrin e Atit, Abbà, duke na zbuluar kështu thellësinë e marrëdhënieve tona me të. E pakufi dhe e amshuar është dashuria e tij për çdo njeri dhe për gjithë njerëzimin. Kuptimplotë janë në lidhje me këtë fjalët e Hyjit në librin e profetit Isaia: “E harron ndoshta gruaja foshnjën e vet, kaq sa të mos ketë dhimbje për birin e barkut të vet? Edhe nëse ndonjëra ta harronte, unë përkundrazi nuk të harroj kurrë! Ja, të kam bërë me duart e mia” (Is 49, l5-l6).

Ta pranojmë ftesën të ndajmë këtë dashuri ! Në të qëndron sekreti i respektimit të të drejtave të çdo gruaje dhe çdo burri. Agimi i mijëvjeçarit të ri do të na gjejë kështu më të gatshëm për të ndërtuar së bashku paqen.

 

Nga Vatikanit, 8 dhjetor l998

 


 

 


[1] Shih Redemptor hominis (4 mars l979), 17: AAS 71 (1979), 296.

[2] Shih Deklarata e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut, Hyrje, 1.

[3] Shih Deklarata e Vjenës (25 qershor l993). Hyrje, 2.

[4] GJON PALI II, Evangelium vitae (25 mars l995), 57: AAS 87 (l995), 465.

[5] Shih Po ai, 10.1.c., 412.

[6] Shih Dignitatis humanae, 3.

[7] Shih neni 18.

[8] Shih Deklarata e Përgjithshme e të Drejtave të Njeriut, neni 25/l.

[9]GJON PALI II, Centesimus annus (1 maj 1991), 34: AAS 83 (1991), 836.

[10] Shih Katekizmi i Kishës Katolike, nr. 2307-2317.

[11] Fjalim para një Komisioni të Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (21 gusht l945): Fjalime dhe Radiomesazhe të Papa Piut XII, VII (1945-l946), 141.

[12] Shih GJON PALI II, Redemptor hominis (4 mars l979), 13-14: AAS 71 (1979), 282-286.

[13] Shih Katekizmi i Kishës Katolike, nr. 1397.

[14] GJON PALI II, Angelus i datës 17 shtator l998; L’Osservatore Romano, 28-29 shtator 1998, fq. 5.

[15] Shih GJON PALI II, Tertio Millennio Adveniente (10 nëntor l994), 49-51: AAS 87 (1995, 35-36).

 

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster