|
|
Mesazhe
Me Rastin e
Dites Boterore te Paqes
Mesazhi i Papa Gjon
Palit te II
1 JANAR 2002
“Nuk ka paqe
pa drejtesi, nuk ka drejtesi pa falje”
1. Këtë
vit, Dita Botërore e Paqes, kremtohet në sfondin e ngjarjeve dramatike
të 11 shtatorit të kaluar. Në këtë ditë, u krye një krim tmerrësisht i
rëndë: brenda pak minutave mijëra persona të pafajshëm, me prejardhje të
ndryshme etnike, u masakruan në mënyrën më mizore. Qysh atëherë,
njerëzia, në të gjithë botën është bërë gjithnjë e më e ndërgjegjeshme
për cenueshmërinë e personit e ka filluar ta shohë të ardhmen me një
frikë që s’e kishte njohur deri atëherë. Përballë këtyre gjendjeve
shpirtërore Kisha dëshiron të dëshmojë shpresën e saj, të bazuar në
bindjen që e keqja, il mysterium iniquitatis, nuk e ka fjalën e
fundit në ngjarjet njerëzore. Historia e shpëtimit, përvijuar në
Shkrimin Shenjtë, projekton dritë të madhe në tërë historinë e botës,
duke treguar se është gjithmonë e shoqëruar nga gadishmëria për mëshirën
e provaninë e Zotit, i cili i njeh rrugët për të prekur edhe zemrat më
të ngurta, dhe për të nxjerrë frutet më të mira edhe nga një tokë e
thatë e djerrinë.
Është kjo
shpresa që mban Kishën në këtë fillim të vitit 2002; me hirin e Zotit,
bota në të cilën e keqja duket ende fitimtare, do të transformohet në
një botë në të cilën aspiratat më fisnike të zemrës njerëzore mund të
kënaqen, në një botë në të cilën do të sundojë paqja e vërtetë.
Paqja: vepër drejtësie e dashurie
2. Ato që
ndodhen kohët e fundit, me faktet e tmerrshme të gjakut që ne e kemi të
freskët në mendje, më ka nxitur të rimarr një refleksion që shpesh buron
nga thellësia e zemrës sime, në kujtim të ngjarjeve historike që janë
shënuar në jetën time, sidomos në vitet e rinisë sime.
Vuajtjet e
mëdha të popujve dhe të individëve, mes të cilëve edhe shumë miq të
njohur të mi, të shkaktuara nga totalitarizmi nazist e komunizmi, i kanë
bërë gjithnjë thirrje shpirtit tim e më kanë nxitë të lutem. Shumë herë
jam ndalur për të reflektuar në pyetjen: cila është rruga që të çon në
rivendosjen e plotë të rendit moral e social që kaq barbarisht është
dhunuar?
Bindja në
të cilën kam arritur duke arsyetuar e duke u ballafaquar më Zbulesën
biblike, është se nuk mund të vendoset plotësisht rendi i thyer, në
qoftë se nuk bashkohen mes tyre drejtësia e falja. Shtyllat e paqes së
vërtetë janë drejtësia dhe ajo formë e veçantë e dashurisë që është
falja.
3. Por si
mund të flasim, në rrethanat aktuale, për drejtësi e falje, cilat janë
burimet dhe kushtet e faljes? Përgjigjia ime është se mund e duhet të
flitet për drejtësi dhe falje, pavarësisht nga vështirësitë që ky
diskutim mbartë, edhe sepse ka prirje të mendohet për drejtësi e falje
në caqe alternative. Por falja i kundërvihet mërisë e hakmarrjes, jo
drejtësisë. Paqja e vërtetë në realitet, është “vepër e drejtësisë” (Is
32, 17). Siç ka pohuar Koncili i dytë i Vatikanit, paqja është “fryt i
rregullit të futur në shoqërinë njerëzore nga Themeluesi i saj e që
duhet të kryhet nga njerëz të etur për një drejtësi gjithnjë e më të
përsosur” (Gaudium et Spes, 78). Qysh prej pesëmbëdhjetë shekujsh, në
Kishën Katolike tingëllon mësimi i Agostinit të Iponës, i cili na ka
kujtuar që paqja, që arrihet me ndihmen e të gjithëve, konsiston në
tranqullitas ordinis (në qetësinë e rregullit) (Krh. De civitate Dei,
19, 13).
Paqja e
vërtetë, është fryt i drejtësisë, virtyt moral e garanci ligjore që ruan
me respekt të plotë të drejtat dhe detyrat, shpërndarjen e barabartë të
të mirave dhe të detyrimeve. Por meqënëse drejtësia njerëzore është
gjithmonë e brishtë dhe e papërkryer, e ekspozuar në kufinjtë e egoizmit
personal dhe të grupit, ajo ushtrohet dhe në një farë kuptimi
kompletohet me faljen që shëron plagët që rivendos në thellësi
marrëdheniet njerëzore të turbulluara. Kjo gjë vlen shumë edhe për
tensionet mes individëve por edhe në një sferë të përgjithshme
ndërkombëtare.
Falja nuk i
kundërvihet në asnjë mënyrë drejtësisë sepse nuk mundë të pezullojë
nevojat legjitime të ndreqjes së rendit të cënuar. Falja synon kryesisht
në atë drejtësi të plotë që shoqërohet me rend e qetësi, që është shumë
më tepër se një ndalim i përkohshëm e i brishtë i armiqësisë, është një
shëndoshje në thellësi të plagëve që pikojnë gjak në shpirt. Për një
shëndoshje të tillë drejtësia e falja janë që të dyja thelbësore.
Janë këto
dy dimensionet e paqes që dëshiroj të zbuloj në këtë mesazh. Dita
Botërore i ofron këtë vit gjithë njerëzimit, e në mënyrë të veçantë
Kryetarëve të Shteteve, rastin për të reflektuar në nevojat për drejtësi
dhe në thirrje për faljen e problemeve të mprehta që vazhdojnë të
trishtojnë botën, siç është sidomos niveli i ri i i dhunës, që ka hyrë
nga terrorizmi i organizuar.
Fenomeni i terrorizmit
4. Është
pikërisht paqja që i ka themelet në drejtësi e falje që sot sulmohet nga
terrorizmi ndërkombëtar. Në këto vitet e fundit, sidomos pas përfundimit
të luftës së ftohtë, terrorizmi është transformuar në një rrjet të
sofistikuar marrëveshjesh të fshehta politike dhe teknike që i kalon
kufinjtë kombëtar dhe zgjerohet deri në përfshirjen e gjithë botës.
Bëhet fjalë për organizata të vërteta, që shpesh kanë rezerva të mëdha
financiare, të cilat i përpunojnë strategjitë në një shkallë të gjerë,
duke goditur persona të pafajshëm që nuk janë të përzier aspak në
perspektivat që terroristët ndjekin. Duke shfrytëzuar vetë ithtarët e
tyre si armë e për t’i lëshuar kundër personave të pambrojtur e të
pavetëdijëshëm, këto organizata terroriste manifestojnë në mënyrë
tronditëse instiktin e vdekjes që i ushqen ato. Terrorizmi lind nga
urrejtja dhe prodhon izolimin, mosbesimin e mbylljen. Dhuna bashkohet me
dhunën në një spirale tragjike që implikon edhe brezat e ri të cilët
trashëgojnë urrejtjen që ka ndarë brezat paraardhës. Terrorizmi bazohet
në përbuzjen e jetës së njeriut. Pikërisht për këtë ai nuk jep vetëm
origjinën e krimit të palejueshëm, por përbën vetë krimin, duke përdorur
terrorin si strategji politike dhe ekonomike, si një krim të vërtetë
kundër njerëzimit.
5.
Ekziston një e drejtë për t’u mbrojtur nga terrorizmi
Është një e
drejtë që duhet, si çdo tjetër, t’ju përgjigjet rregullave morale e
juridike në zgjedhjen si të objektivave ashtu edhe të mjeteve.
Identifikimi i fajtorëve duhet domosdo të provohet, sepse përgjegjësia
penale është gjithmonë personale e pra nuk mund të shtrihet tek kombet,
tek etnitë, tek fetë, të cilave u përkasin terroristët. Bashkëpunimi
ndërkombëtar në luftën kundër aktivitetit terrorist duhet të përfshijë
edhe një angazhim të veçantë në planin politik, diplomatik e ekonomik
për të zgjidhë me guxim e vendosmëri situatat eventuale të shtypjes e të
izolimit që japin shkak për veprimtaritë terroriste. Rekrutimi terrorist
në fakt, është më i lehtë në ato kontekste sociale në të cilat të
drejtat merren nëpër këmbë dhe padrejtësitë lejohen për një kohë të
gjatë. Lypset, megjithatë, të pohohet me qartësi, që padrejtësitë
ekzistuese në botë nuk mund të përdoren kurrë si pretekst për të
përligjur atentatet terroriste. Duhet të vëmë në dukje, ndër të tjera se
mes viktimave të shëmbjes rrënjësore të rendit, të kërkuar nga
terroristët, janë përfshirë në radhë të parë, burra e gra pa mjetet
përkatëse për t’i rezistuar kolapsit të solidaritetit ndërkombëtar.
U referohem
në mënyrë të posaçme popujve të botës, në rrugën e zhvillimit, të cilët
tashmë jetojnë në kufijntë e ngushtë të mbijetesës e që janë të goditur
dhimbshëm nga kaosi global ekonomik e politik. Pretendimi i terrorizmit
për të vepruar në emër të të varfërve është një falsitet i dukshëm.
Nuk
vritet në emër të Zotit!
6. Kush
vret me akte terroriste kultivon ndjenjat e përbuzjes për njerëzimin,
duke manifestuar dëshpërim ndaj jetës e së ardhmes: gjithçka në këtë
perspektivë, mund të jetë e urryer dhe e shkatërruar. Terroristi mendon
që e verteta në të cilën beson ose vuajtja e pësuar është absolute dhe e
përligj reagimin shkatërrues edhe të jetës së njerëzve. Si i tillë
terrorizmi është pjellë e një fondamentalizmi fanatik, që lind nga
bindja se mund t’u imponosh të gjithëve pikpamjet t’ua për të vërtetën.
E verteta, edhe kur arrihet - gjë që bëhet gjithmonë në mënyrë të
pjesëshme dhe që mund të jetë më e përsosur - nuk mund të imponohet
kurrë. Respekti për ndërgjegjen e të tjerëve, në të cilën pasqyrohet
imazhi i vetë Zotit (shih Zan 1, 26-27), pranon vetëm të proposh të
vërtetën tjetrit, të cilit i takon ta pranojë me pëgjegjësi. Ai që
pretendon t’u imponjë të tjerëve me dhunë atë që beson se është e
verteta, e dhunon dinjitetin e qënies njerëzore dhe e fyen Zotin,
shembëltyrë e të cilit ai vetë është. Për këtë fanatizmi fondamentalist
është një sjellje në kundërshtim me fenë e Zotit. Po të shohim me kujdes
terrorizmi nuk instrumentalizon vetëm njeriun, por edhe Zotin, duke
dashur ta kthejë atë në idhull që përdor për qëllimet e veta.
7. As një
përgjegjës feshë, nuk mund të ketë mëshirë për terrorizmin, e aq më pak
ta predikojë atë. Është dhunim i fesë t’i shpallesh terroristët në emër
të Zotit, për të ushtruar dhunën ndaj njeriut në emër të Zotit. Dhuna
terroriste është në kundërshtim me fenë e Zotit Krijues të njeriut, të
Zotit që e ka njeriun në kujdes dhe e do atë.
Në veçanti,
ajo (dhuna) është totalisht në kundërshtim me fenë në Krishtin Zot, që i
ka mësuar dishepujt e tij të luten: “Na i fal mëkatet tona, siç ua falim
ne fajtorëve tanë” (Mt 6, 12). Duke ndjekur shembullin e Jezusit, të
krishterët, janë të bindur se të tregosh mëshirë do të thotë jetosh
plotësisht të vërteten e jetës sonë: mundemi e duhet të mëshirshëm,
sepse mëshira është dëshmuar nga një Zot me Dashuri dhe mëshirë (Krh. 1
Gjn 4, 7-12) Zoti që na shëlbon përmes hyrjes së tij në histori e
nepërmjet dramës të Premtes së Shenjtë, përgatit ditën e Pashkës, është
një Zot i mëshirshëm që fal.(Krh. Psal 103, 102, 3-4.10-13). Krishti,
përballë atyre që e kundështuan, sepse hante me mëkatarët, është
shoprehur kështu: “Eja e mësoni çfarë do të thotë: Mëshirën dua, jo
sakrificën. Në fakt nuk erdhën për ta pyetur të drejtët, por mëkatarët”
(Mt 9, 13).
Ithtarët e
Krishtit, të bekuar në vdekjen e tyre, duhet të jenë gjithmonë burra e
gra që pranojnë mëshirën e faljen.
Nevoja e faljes
8. Por
ç’farë do të thotë konkretisht të falësh? Pse të falim? Një diskutim për
faljen nuk mund t’i shmangë këto pyetje. Duke rikujtuar një reflektim të
Ditës Botërore të Paqes të vitit 1997 (“Ofro faljen merr paqen”)
dëshiroj të kujtoj që falja e ka selinë në zemër të secilit, para se ajo
të jetë një fakt shoqëror. Vetëm në atë masë sa pohohet një etikë dhe
një kulturë e faljes, mund të shpresohet në një “politikë të faljes” e
shprehur në qëndrimet shoqërore, institutet juridike, në të cilat
drejtësia merr një fytyrë njerëzore.
Në
realitet, falja është para se gjithash një zgjidhje personale, një
opsion i zemrës që shkon kundër istinktit spontan të shpagimit të së
keqes më të keqën. Një opsion i tillë i ka rrënjët në dashurinë për
Zotin, që i pranon mëkatet tona, dhe ka shembullin e tij më të lartë në
faljen e Krishtit që i gozhduar në kryq i është lutur: “O Atë, fali ata,
sepse s’dinë çfarë bëjnë” (Lk 23, 34).
Falja ka
pra një rrënjë e një mase hyjnore. Kjo megjithatë nuk përjashton faktin
se falja mund të pranojë edhe vlera në dritën e konsideratave të arsyes
njerëzore. Para se gjithash, atë përvojë relative që qenia njerëzore
jeton në vetvete kur bën një të keqe. Ai atëherë kupton brishtësinë e
tij dhe dëshiron që të tjerët të jenë të butë me të. Sepse a duhet t’ua
bëjnë të tjerëve atë që nuk dëshirojmë që të na e bëjnë kush neve?
Çdo qenie
njerëzore kultivon tek vetja shpresën për ta nisur jetën nga e para, për
të mos mbetur gjithmonë i burgosur i gabimeve të veta dhe i fajeve të
veta. Endërron që të mund të kthehet qe te hell vështrimin drejt së
ardhnes për të zbuluar ende një perspektivë besimi dhe angazhimi.
9. Si akt
njerëzor, falja, është para së gjithash, inciativë e një subjekti të
vetëm në raport me të tjerët të ngjashëm me të. Personi, megjithatë, ka
një dimension esencial shoqëror, në virtytin e të cilit ndërthuren një
rrjet marrëdhëniesh me të cilat shprehet vetvetja jo vetem në të mirë,
fatkeqësisht, edhe në të keq. Si rrjedhojë e kësaj, falja bëhet e
nevojshme edhe në nivel shoqëror. Familjet, grupet, shtetet, vetë
komuniteti ndërkombëtar, kanë nevojë t’i hapen faljes, për të ndërthurur
marrëdhënie të pandërprera, për t’i shmangur situatat në të cilat jepen
dënimet reciprokisht të kota për të mposhtur tentativën e përjashtimit
të të tjerëve pa ju lënë mundësinë e apelit. Aftësia e faljes qëndron në
bazë të çdo përpjëkjeje të një shoqërie të së ardhmes më të drejtë e më
solidare.
Kur mungon
falja, sidomos kur ushqehet vazhdimësia e konflikteve, ka kosto të
jashtëzakonshme për zhvillimin e popujve, rezervat përdoren për të
mbështetur garën e armatimeve, shpenzimet e luftrave, për të përballuar
pasojat e krizave ekonomike. Mungon kështu, gatishmëria financiare e
nevojshme, për të sjell zhvillim, paqe e drejtësi. Po sa dhimbje vuan
njerëzimi sepse s’di të pajtohet, sa vonesa pëson sepse s’di të kërkojë
falje! Paqja është kusht i zhvillimit, por një paqe e vërtetë është e
mundur vetëm me falje.
Falja, rruga që na mëson
10.
Propozimi i faljes nuk kuptohet menjëherë dhe as që pranohet lehtë; bile
për disa është mesazh paradoksal. Falja në fakt, sjell në pamje të
jashtme, një humbje të përkohshme, por siguron një fitim të vërtetë për
një kohë të gjatë. Dhuna është ekzakt e kundërta: parapëlqen një fitim
afatshkurtër, por përgatit në distancë një humbje të vërtetë e të
përhershme. Falja mund të duket dobësi; në të vërtetë, qoftë për atë që
fal qoftë për atë që pranon, supozon një forcë të madhe shpirtërore dhe
një kurajo morale me të gjitha provat.
Larg
zvogëlimit të personit, falja e drejton atë drejt një njerëzimi më të
plotë e më të pasur, i aftë të reflektojë tek vetja një rreze të
shkëlqyer të Krijuesit.
Sherbesa që
zhvilloj në dobi të Ungjillit më bën të ndiej gjallërisht detyrën, e më
jep në të njëjtën kohë forcën, të këmbënguli në nevojen e faljes. Këtë e
bëj edhe sot, i ndihmuar nga shpresa të mund të nxis refleksione të
kthjellta e të pjekura në pamjen e një ripërtritjeje të përgjithshme, në
zemrat e personave e në marrëdhëniet mes popujve të tokës.
11. Duke
medituar për temën e faljes nuk ka se si të mos më kujtohen disa situata
tragjike konfliktesh, që prej mjaft kohësh ushqejnë urrejtje të thellë e
të thekshme, me pasojën e një spiraleje të pandalshme tragjedishë
personale dhe kolektive. Po i referohem, në veçanti asaj ç’farë po ndodh
në Tokën e Shenjtë, vendi i bekuar e i shenjtë i takimit të Zotit me
njerëzit, vendi i jetës, i vdekjes e ringjalljes së Jezuesit, Princit të
paqes.
Gjendja
delikate ndërkombëtare na nxit të nënvizojmë me forca të përtërira
urgjencën e zgjidhjes së konfliktit arabo-izraelit, që zgjat qysh më
shumë se 50 vjet, me ndërrim fazash pak a shumë të mprehta. Të rendurit
e vazhdueshëm pas akteve terroriste ose të luftës, që e rëndojnë për të
gjithë gjendjen dhe i errësojnë perspektivat, duhet t’ua lënë vendin
përfundimisht bisedimeve që çojnë në zgjidhje. Të drejtat dhe nevojat e
secilit mund të konsiderohen si duhet në mënyrë të drejtë, ateherë kur
tek të gjithë fiton vullneti i drejtësisë dhe pajtimit. Ju drejtoj
këtyre popujve të dashur sërish ftesën e pikëlluar të punojnë për një
klimë të re të respektit të ndërsjelltë e të marrëveshjes konstruktive.
Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërfetar
12. Në këtë
përpjekje të madhe lider-at fetarë kanë përgjegjësinë e tyre të veçantë.
Fetë e krishtera e besimet e mëdha të njerëzimit duhet të bashkëpunojnë
mes tyre për të eleminuar shkaqet shoqërore e kulturore të terrorizmit,
duke mësuar madhështinë dhe dinjitetin e personit dhe duke përhapur një
vetëdije më të madhe të unitetit të gjinisë njerëzore. Është fjala për
një fushë preçize të dialogut e të bashkëpunimit ekumenik e ndërfetar,
për një shërbim urgjent të feve për paqe mes popujve.
Në veçanti,
jam i bindur që liderat fetar hebrenj, kristianë e muslimanë duhet të
marrin inisiativa nëpërmjet dënimit publik të terrorizmit, duke refuzuar
këdo që përpiqet t’u japë formë legjitime fetare ose morale.
13. Në
dhënien e një dëshmie të përbashkët morale sipas së cilës vrasja me
dashje e të pafajshmit është gjithmonë një mëkat i rëndë, kudo e
papërjashtime, lidëret fetarë të botës do të favorizojnë formimin e një
opinioni publik moralisht korrekt. Ky është një presupozim i nevojshëm
për ndërtimin e një shoqërie ndërkombëtare e aftë të ndjekë qetësinë e
rendit në drejtësi e liri.
Një
angazhim i këtij tipi nga ana e feve nuk ka se si të mos ndërhyjë në
rrugën e faljes që sjell mirëkuptimi reciprok, respektin dhe besimin.
Shërbimi që fetë mund të japin për paqe dhe kundër terrorizmit konsiston
pikërisht në pedagogjinë e faljes, sepse njeriu që fal ose kërkon falje,
kupton se ka një të vërtetë më të madhe se ai, të cilën duke e pranuar e
tejkalon shumë veten e tij.
Lutje
për paqe
14.
Pikërisht për këtë arsye lutja për paqe nuk është një element që “vjen
pas” angazhimit për paqen. Përkundrazi, ajo qëndron në zemër të
përpjekjeve për ndërtimin e një paqje në rendi, në drejtësi e liri. Të
lutesh për paqe do të thotë t’i hapësh zemrën njerëzore vrullit të
forcës ripërtëritëse të Hyjit. Hyji, me forcën jetëdhënëse të hirit të
tij, mund të krijojë hapje për paqen aty ku duket që janë pengesa e
mbyllje; mund të përforcojë e zgjerojë solideritetin e familjes
njerëzore, pavarësisht nga historitë e gjata të ndarjeve e të luftërave.
Të lutesh për paqe do të thotë të lutesh për drejtësi, për një rend të
përshtatshëm brenda Kombeve, e në marrdhënie mes tyre. Do të thotë të
lutesh edhe për lirinë, sidomos për lirinë fetare, që është një e drejtë
themelore njerëzore e qytetare e çdo individi. Të lutesh për paqen do të
thotë të lutesh për të fituar faljen e Hyjit e për të rritur në të
njëjtën kohë kurajon që është e nevojshme për ata që duan të falin
fyerjet e pësuara.
Për të
gjitha këto arsye kam ftuar përfaqsuesit e feve të botës të vijnë në
Asizi, qyteti i Shën Françeskut, në 24 Janarin e ardhshëm, për t’u lutur
për paqe. Duam me këtë të tregojmë që ndjenja e pastër fetare është një
burim i pashtershëm i respektit reciprok dhe harmonisë mes popujve: në
të, bile, qëndron ilaçi kryesor kundër dhunës dhe konfliktëve. Në këtë
kohë preokupimesh të rënda, familja njerëzore ka nevojë për të ndjerë në
kujtesë arsyet e sigurta të shpresës sonë. Pikërisht këtë ne kemi
ndërmend të shpallim në Asizi, duke lutur Hyjit e Gjithëpushtetshëm –
sipas shprehjes që i atribohet vetë Shën Françeskut – të na bëjë një
mjet të paqes së tij.
15. Nuk ka
paqe pa drejtësi, nuk ka drejtësi pa falje: ja ç’farë do t’ju shpall në
këto Mesazh besimtarëve e jobesimtarëve, burrave e grave vullnetmirë, që
kanë në zemër të mirën e familjes njerëzore e të ardhmen e saj.
Nuk ka paqe
pa drejtësi nuk ka drejtësi pa falje: këtë dua t’ua kujtoj atyre që kanë
në dorë fatet e shoqërisë njerëzore, përderisa të udhëhiqen gjithmonë në
zgjedhjet e tyre të rënda e të vështira, nga drita e së mirës së vërtetë
të njeriut, me perspektivën e të mirës së përbashkët.
Nuk ka paqe
pa drejtësi nuk ka drejtësi pa falje. Ky qortim nuk do të më lodh duke
ua përsëritur atyre, që për një arsye ose për tjetrën, kultivojnë brenda
vetes urrejtjen, dëshirën për hakmarrje, lakminë për shkatërrim.
Në këtë
Ditë Paqeje, del nga zemra e çdo besimtari lutja më e thellë për secilin
prej viktimave të terrorizmit, për familjet e tyre të goditura
tragjikisht, e për të gjithë popujt që terrorizmi e lufta vazhdojnë të
plagosin e të trondisin. Nuk mbeten jashtë nga rrezja e dritës së lutjes
sonë vetë ata që fyejnë rëndë Hyjin e njeriun nëpërmjet këtyre akteve pa
mëshirë: u bëftë e mundur për ta që të hyjnë në vetvete e ta kuptojnë të
keqën që kryejnë, kështu të braktisin çdo dhunë e ta kuptojnë të keqen
që bëjnë, e kështu të shtyhen drejt braktisjes të mendimi dhune dhe të
kërkojnë falje. Në këto kohë shtrëngatash arrittë familja njerëzore t’a
gjejnë paqen e vërtetë e afatgjatë, atë paqe që të lindë vetëm në
takimin e drejtësisë me mëshirën.
Nga
Vatikani, 8 dhjetor 2001
titujt kryesorë
|
|