ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

Mesazhe Me Rastin e Dites Boterore te Paqes

 Mesazhi i Papa Gjon Palit te II

 

 

 

1 JANAR 2006

   

"Ne te verteten, paqja"

 

 

1. Me Mesazhin tradicional për Ditën Botërore të Paqes, në fillim të vitit të ri, dëshiroj t’u dërgoj një urim të përzemërt të gjithë burrave dhe të gjitha grave të botës, veçanërisht atyre që vuajnë për shkak të dhunës dhe të konflikteve të armatosura. Është një urim i mbushur me shpresë për një botë më të kthjellët, ku të rritet numri i atyre që, individualisht apo bashkarisht, angazhohen për të përshkuar rrugët e drejtësisë dhe të paqes.

 

2. Do të doja që menjëherë të shpreh një mirënjohje të sinqertë për Paraardhësit e mi, Papët e mëdhenj Pali VI dhe Gjon Pali II, veprues të ndriçuar të paqes. Të frymëzuar prej shpirtit të Lumturive, ata kanë ditur të lexojnë në ngjarjet e shumta historike, të cilat kanë shënuar Pontifikatet e tyre përkatëse, ndërhyrjen provanore të Hyjit, duke mos i harruar kurrë fatet e gjinisë njerëzore. Disa herë, si lajmëtarë të palodhshëm të Ungjillit, ata kanë ftuar çdo person që të rinisë prej Hyjit që të mund të promovojë një bashkëjetesë paqësore në të gjitha anët e botës. Në vazhdën e këtij mësimi shumë fisnik vendoset Mesazhi im i parë për Ditën Botërore të Paqes: me të dëshiroj të tregoj edhe një herë vullnetin e patundur të Selisë së Shenjtë që të vazhdojë t’i shërbejë çështjes së paqes.

 

Vetë emri i Benediktit, të cilin e kam zgjedhur ditën e zgjedhjes në Katedrën e Pjetrit, tregon angazhimin tim të bindur në dobi të paqes. Në të vërtetë, kam synuar t’i referohesha qoftë Shenjtit Pajtor të Europës, frymëzues të një qytetërimi paqësues në tërë Kontinentin, qoftë Papës Benedikti XV, që e dënoi Luftën e Parë Botërore si «masakër të padobishme»[1] dhe punoi që prej të gjithëve të pranoheshin arsyet më të larta të paqes.

 

3. Tema e reflektimit e këtij viti - «Në të vërtetën, paqja» - shpreh bindjen se, aty ku dhe atëherë kur njeriu e lë veten të ndriçohet prej shkëlqimit të së vërtetës, ndërmerr gati në mënyrë të natyrshme ecjen e paqes. Kushtetuta baritore Gaudium et spes e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, që ka përfunduar 40 vjet më parë, pohon se njerëzimi nuk do të mund «të ndërtojë një botë vërtet njerëzore për të gjithë njerëzit në të gjithë tokën, nëse njerëzit nuk do të kthehen me shpirt të përtërirë nga e vërteta e paqes»[2]. Por çfarë domethëniesh synon të kujtojë shprehja «e vërteta e paqes»? Për t’iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme kësaj pikëpyetjeje, duhet të kemi parasysh se paqja nuk mund të kufizohet në një mungesë të thjeshtë të konflikteve të armatosura, por duhet kuptuar si «fryti i rendit të vendosur në shoqërinë njerëzore prej Themeluesit të saj hyjnor», një rend «që duhet të zbatohet prej njerëzve të etur për një drejtësi gjithnjë e më të përsosur»[3]. Si rezultat i një rendi të planifikuar e të kërkuar prej dashurisë së Hyjit, paqja ka një të vërtetë të vetën të brendshme e të pathyeshme dhe i përgjigjet «një dëshire dhe një shprese që jetojnë në ne të pashkatërrueshme»[4].

 

4. E përshkruar në këtë mënyrë, paqja paraqitet si dhuratë qiellore dhe hir hyjnor, që kërkon, në të gjitha nivelet, ushtrimin e përgjegjësisë më të madhe, asaj të përshtatjes - në të vërtetën, në drejtësinë, në lirinë dhe në drejtësinë - të historisë njerëzore me rendin hyjnor. Kur mungon bashkimi me rendin transhendent të gjërave, ashtu sikurse edhe respekti i asaj «gramatike» të dialogut që është ligji moral i gjithmbarshëm, i shkruar në zemrën e njeriut[5], kur pengohet dhe ndalohet zhvillimi i tërësishëm i personit dhe mbrojtja e të drejtave të tij themelore, kur shumë popuj janë të detyruar të pësojnë padrejtësi e pabarazi të patolerueshme, si mund të shpresohet në realizimin e të mirës së paqes? Në të vërtetë, mungojnë ato elemente thelbësore që i japin formë së vërtetës së kësaj të mire. Shën Agustini e ka përshkruar paqen si «tranquillitas ordinis»[6], qetësia e rendit, domethënë ajo situatë që, në fund të fundit, lejon që të respektohet e të realizohet plotësisht e vërteta e njeriut.

 

5. Atëherë, kush dhe çfarë mund ta pengojë realizimin e paqes? Në lidhje me këtë, Shkrimi i Shenjtë vë në dukje në Librin e vet të parë, Zanafilla, rrenën, të thënë në fillim të historisë prej qenies me dy gjuhë, të cilësuar nga Gjoni ungjilltar si «baba i rrenës» (Gjn 8, 44). Rrena është edhe njëri prej mëkateve që kujton Bibla në kapitullin e fundit të Librit të saj të fundit, Zbulesa, për të treguar përjashtimin prej Jeruzalemit qiellor të rrenacakëve: «Përjashta… të gjithë ata që e duan ose e vënë në zbatim rrenën» (22, 15). Me rrenën është e lidhur drama e mëkatit me pasojat e veta të mbrapshta, që kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të shkaktojnë efekte shkatërrimtare në jetën e individëve dhe të kombeve. Mjafton të mendojmë për çfarë ka ndodhur në shekullin e kaluar, kur sisteme devijuese ideologjike e politike e kanë manipoluar në mënyrë programatike të vërtetën dhe kanë çuar në shfrytëzimin dhe në zhdukjen e një numri mbresëlënës burrash e grash, duke shfarosur madje edhe familje e bashkësi të tëra. Si të mos jemi seriozisht të shqetësuar, pas këtyre përvojave, përballë rrenave të kohës sonë, që bëjnë rolin e kornizës për skenare kërcënuese vdekjeje në jo pak krahina të botës? Kërkimi i përnjëmendtë i paqes duhet të niset prej vetëdijes se problemi i së vërtetës dhe i rrenës i përket çdo burri e gruaje, dhe del se është vendimtar për një të ardhme paqësore të planetit tonë.

 

6. Paqja është dëshira e pashmangshme e pranishme në zemrën e çdo personi, përtej identiteteve specifike kulturore. Prandaj secili duhet të ndihet i angazhuar në shërbim të një të mire kaq të çmuar, duke punuar që të mos depërtojë asnjë formë fallsiteti që i ndot marrëdhëniet. Të gjithë njerëzit i përkasin të vetmes dhe të njëjtës familje. Lavdërimi i tepruar i ndryshimeve përkatëse është në kundërshtim me këtë të vërtetë bazë. Duhet të rifitojmë vetëdijen se jemi të bashkuar nga një fat i njëjtë, në instancë të fundit transhendent, që të mund t’i vlerësojmë sa më mirë ndryshimet tona historike e kulturore, pa iu kundërvënë por duke u koordinuar me ata që u përkasin kulturave të tjera. Janë pikërisht këto të vërteta që e bëjnë të mundur paqen; ato bëhet lehtë të kuptueshme duke e dëgjuar zemrën tonë me pastërti synimesh. Paqja atëherë shfaqet në mënyrë të re: jo thjeshtë si mungesë e luftës, por si bashkëjetesë e shtetasve të veçantë në një shoqëri të drejtuar nga drejtësia, në të cilën realizohet sa është e mundur e mira edhe për secilin prej tyre. E vërteta e paqes i thërret të gjithë për të kultivuar marrëdhëniet e frytshme e të sinqerta, nxit në kërkimin dhe përshkimin e rrugëve të faljes e të pajtimit, në të qenit të tejdukshëm në paraqitje dhe besnikë ndaj fjalës së dhënë. Në veçanti, nxënësi i Krishtit që ndihet i rrezikuar prej së keqes dhe prandaj edhe nevojtar për ndërhyrjen liruese të Mësuesit hyjnor, Atij i drejtohet me besim duke e ditur mirë se «Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e tija nuk u gjet gënjim» (1 Pjt 2, 22; krh. Is 53, 9). Në të vërtetë, Jezusi është përcaktuar vetë e Vërteta dhe, duke i folur në vegim profetit të Zbulesës, ka deklaruar një kundërshtim të plotë për «ata që e duan ose e vënë në zbatim rrenën» (22, 15). Ai e zbulon të vërtetën e plotë të njeriut dhe të historisë. Me forcën e hirit të tij është e mundur të jemi në të vërtetën dhe të jetojmë prej së vërtetës, sepse vetëm Ai është tërësisht i sinqertë dhe besnik. Jezusi është e vërteta që na jep paqen.

 

7. E vërteta e paqes duhet të vlejë dhe të bëjë që të vlejë pasqyrimi i saj i dobishëm i dritës edhe kur gjendemi në situatën tragjike të luftës. Etërit e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, në Kushtetutën baritore Gaudium et spes, duke theksuar se nuk bëhet «gjithçka e ligjshme mes palëve në konflikt kur lufta tashmë mjerisht ka shpërthyer»[7]. Bashkësia Ndërkombëtare është pajisur me një të drejtë ndërkombëtare humanitare që të kufizojë në maksimum, sidomos për popullsitë civile, pasojat rrënuese të luftës. Në shumë rrethana dhe në modalitete të ndryshme, Selia e Shenjtë ka shprehur mbështetjen e vet ndaj kësaj të drejte humanitare, duke nxitur respektimin dhe zbatimin e menjëhershëm, e bindur se, edhe në luftë, ekziston e vërteta e paqes. E drejta ndërkombëtare humanitare duhet radhitur ndër shprehjet më fatmira dhe të frytshme të kërkesave që burojnë nga e vërteta e paqes. Pikërisht për këtë arsye respektimi i kësaj të drejte paraqitet si një detyrë për të gjithë popujt. Duhet çmuar vlera e saj dhe duhet të garantohet zbatimi i saj i saktë, duke e përditësuar me norma të përpikta, të afta për t’u bërë ballë skenareve të ndryshueshme të konflikteve të sotme të armatosura, si dhe përdorimit të armatimeve gjithnjë e më të reja e më të sofistikuara.

 

8. Mendimi im mirënjohës u drejtohet Organizatave Ndërkombëtare dhe atyre që me një përpjekje të vazhdueshme veprojnë për zbatimin e të drejtës ndërkombëtare humanitare. Si mund të harroj këtu ushtarët e shumtë të angazhuar në operacione delikate të shuarjes së konflikteve dhe të rivendosjes së kushteve të nevojshme për realizimin e paqes? Edhe atyre dëshiroj t’u kujtoj fjalët e Koncilit II të Vatikanit: «Ata që, në shërbim të atdheut, janë të rekrutuar në ushtri, ta konsiderojnë veten edhe ata mbarështues të sigurisë dhe të lirisë së popujve. Nëse e përmbushin drejt këtë detyrë, edhe ata ndihmojnë vërtet në vendosjen e paqes»[8]. Në këtë front kërkues vendoset veprimi baritor i Ordinariateve ushtarake të Kishës Katolike: si Ordinarëve ushtarakë ashtu edhe kapelanëve ushtarakë u shkon nxitja ime për të qëndruar, në çdo situatë e mjedis, ungjillëzues besnikë të së vërtetës së paqes.

 

9. Sot e vërteta e paqes vazhdon të jetë e dëmtuar dhe e mohuar, në mënyrë dramatike, nga terrorizmi që, me kërcënimet e tij dhe me aktet e tij kriminale, është në gjendje ta mbajë botën në një gjendje ankthi dhe pasigurie. Paraardhësit e mi Pali VI dhe Gjon Pali II kanë ndërhyrë shumë herë për ta paditur përgjegjësinë e tmerrshme të terroristëve dhe për të dënuar marrëzinë e planeve të tyre të vdekjes. Në të vërtetë, këto plane del se janë të frymëzuar nga një nikilizëm tragjik dhe tronditës, që Papa Gjon Pali II e përshkruante me këto fjalë: «Ai që vret me akte terroriste kultivon ndjenja përçmimi ndaj njerëzimit, duke shfaqur dëshpërim përballë jetës dhe të ardhmes: gjithçka, në këtë perspektivë, mund të urrehet e shkatërrohet»[9]. Jo vetëm nikilizmi, por edhe fanatizmi fetar, sot i emërtuar shpesh si fondamentalizëm, mund të frymëzojë e ushqejë synime e gjeste terroriste. Duke e kuptuar që në fillim rrezikun tronditës që fondamentalizmi fanatik përfaqëson, Gjon Pali II e stigmatizoi atë ashpër, duke bërë thirrje që të ruhemi nga pretendimi për të imponuar me dhunë, në vend që t’ia propozojmë pranimit të lirë të të tjerëve bindjen tonë rreth së vërtetës. Shkruante: «Të pretendosh që t’ua imponosh të tjerëve me dhunë atë që mendojmë se është e vërteta, do të thotë të cenosh dinjitetin e qenies njerëzore dhe, si përfundim, të fyesh Hyjin, shëmbëlltyrë e të cilit ajo është»[10].

 

10. Po të vërejmë mirë, nikilizmi dhe fondamentalizmi fanatik raportohen në mënyrë të gabuar me të vërtetën: nikilistët mohojnë ekzistencën e çfarëdo të vërtete, fondamentalistët paraqesin pretendimin se mund ta imponojnë me forcë. Megjithëse duke pasur origjina të ndryshme dhe duke qenë shfaqje që përmbahen në kontekste kulturore të ndryshme, nikilizmi dhe fondamentalizmi janë të bashkuar nga një përçmim i rrezikshëm për njeriut e për jetën e tij dhe, në analizë të fundit, për vetë Hyjin. Në të vërtetë, në bazën e këtij rezultati të përbashkët tragjik, si përfundim, qëndron përmbysja e së vërtetës së plotë të Hyjit: nikilizmi e mohon ekzistencën e tij dhe praninë e tij provanore në histori; fondamentalizmi e përçudnon fytyrën e tij të dashur e të mëshirshme, duke e zëvendësuar Atë me idhuj të bërë në shëmbëlltyrën e vet. Në analizimin e shkaqeve të dukurisë bashkëkohore të terrorizmit është e dëshirueshme që, përtej arsyeve me karakter politik e shoqëror, të mbahen parasysh edhe motivimet më të thella kulturore, fetare dhe ideologjike.

 

11. Përballë rreziqeve që njerëzimi jeton në këtë epokën tonë, është detyrë e të gjithë katolikëve që të dendësojnë, në çdo anë të botës, kumtimin dhe dëshmimin e «Ungjillit të paqes», duke shpallur se pranimi i së vërtetës së plotë të Hyjit është kushti paraprak dhe i domosdoshëm për përforcimin e së vërtetës së paqes. Hyji është Dashuri që shëlbon, Atë i dashur që dëshiron t’i shohë bijtë e vet duke e pranuar njëri-tjetrin si vëllezër, në mënyrë të përgjegjshme të prirur për t’i vënë talentet e ndryshme në shërbim të së mirës së përbashkët të familjes njerëzore. Hyji është burimi i pashterrshëm i shpresës që i jep kuptim jetës personale e kolektive. Hyji, vetëm Hyji, e bën të frytshme çdo vepër të së mirës dhe të paqes. Historia ka treguar gjerësisht se t’i bësh luftë Hyjit për ta çrrënjosur atë nga zemra e njerëzve e çon njerëzimin, të frikësuar e të varfëruar, drejt zgjedhjeve që nuk kanë të ardhme. Kjo duhet t’i nxisë besimtarët në Krishtin që të bëhen dëshmitarë bindës të Hyjit që është në mënyrë të pandashme e vërtetë dhe dashuri, duke u vënë në shërbim të paqes, në një bashkëpunim të gjerë ekumenik dhe me besimet e tjera, ashtu si edhe me të gjithë njerëzit vullnetmirë.

 

12. Duke vështruar kontekstin aktual botëror, mund të regjistrojmë me kënaqësi disa sinjale premtuese në ecjen e ndërtimit të paqes. Mendoj, për shembull, për rënien numerike të konflikteve të armatosura. Bëhet fjalë për hapa sigurisht ende shumë të ndrojtura në shtegun e paqes, por që tashmë janë në gjendje të paraqesin një të ardhme më të kthjellët, veçanërisht për popullsitë e martirizuara të Palestinës, Tokës së Jezusit, dhe për banorët e disa krahinave të Afrikës e të Azisë, të cilët prej vitesh presin përfundimin pozitiv të proceseve të nisura të paqësimit dhe pajtimit. Janë sinjale ngushëlluese, që kërkojnë të përforcohen e të bëhen të qëndrueshme nëpërmjet një veprimi të përbashkët e të palodhur, sidomos nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare dhe e Organeve të saj, që kanë detyrën të parandalojnë konfliktet dhe t’u japin një zgjidhje paqësore atyre që janë në akt.

 

13. Por e gjithë kjo nuk duhet të na çojë në një optimizëm naiv. Në të vërtetë, nuk mund të harrojmë se, mjerisht, vazhdojnë ende konflite të përgjakshme vëllavrasëse dhe luftëra shkatërrimtare që mbjellin në zona të gjera të tokës lot e vdekje. Ka situata në të cilat konflikti, që fshihet si zjarr nën hi, mundet të shpërthejë përsëri duke shkaktuar shkatërrime me madhësi të paparashikueshme. Autoritetet që, në vend që të zbatojnë atë që është në pushtetin e tyre për të nxitur frytshëm paqen, nxisin në shtetasit ndjenjat e armiqësisë ndaj kombeve të tjera, ngarkohen me një përgjegjësi të rëndë: vënë në rrezik, në krahinat veçanërisht në rrezik, barazpeshat delikate të arritura me negociata të mundimshme, duke ndihmuar kështu për ta bërë më të pasigurtë dhe të turbullt të ardhmen e njerëzimit. Çfarë të themi pastaj për qeveritë që mbështeten në armët bërthamore për të garantuar sigurinë e Vendeve të tyre? Së bashku me njerëz të panumërt vullnetmirë, mund të pohojmë se kjo perspektivë, përveçse është tragjike, është po ashtu edhe krejtësisht e rremë. Në një luftë bërthamore, në të vërtetë, nuk ka fitimtarë, por vetëm viktima. E vërteta e paqes kërkon që të gjithë - si qeveritë, që në mënyrë të deklaruar apo të fshehur zotërojnë armë bërthamore, ashtu edhe ato që synojnë të sigurojnë -, ta ndërrojnë së bashku drejtimin me zgjedhje të qarta e të vendosura, duke u orientuar drejt një çarmatimi bërthamor progresiv e në marrëveshje. Burimet e kursyera në këtë mënyrë mund të përdoren në projekte zhvillimi në dobi të të gjithë banorëve dhe, në rend të parë, të të varfërve.

 

14. Në lidhje me këtë, nuk mund të mos përmenden me keqardhje të dhënat e një shtimi shqetësues të shpenzimeve ushtarake dhe të tregtisë gjithnjë të begatshme të armëve, ndërsa dergjet në kënetën e një mospërfilljeje gati të përgjithshme procesi politik e juridik i vënë në veprim nga Bashkësia Ndërkombëtare për të përforcuar ecjen e çarmatimit. Cila e ardhme paqeje do të jetë e mundur nëse vazhdohet në investohet në prodhimin e armëve dhe në kërkimin e aplikuar për të zhvilluar armë të reja? Urimi që del prej thellësisë së zemrës është që Bashkësia Ndërkombëtare të dijë ta rigjejë guximin dhe urtinë për të ripropozuar në mënyrë të bindur e bashkarisht çarmatimin, duke i dhënë një zbatim konkret të drejtës për paqe, që është e secilit njeri dhe e secilit popull. Duke u angazhuar për të mbrojtur të mirën e paqes, Organizmat e ndryshme të Bashkësisë Ndërkombëtare do të mund ta rigjejnë atë autoritet që është i domosdoshëm për t’i bërë të besueshme dhe të forta nismat e tyre.

 

15. Të parët që kanë dobi nga një zgjedhje e vendosur për çarmatimin do të jenë Vendet e varfëra, që me të drejtë, pas shumë premtimesh, kërkojnë zbatimin konkret të së drejtës për zhvillim. Një e drejtë e tillë është ripohuar solemnisht edhe në Asamblenë e fundit të Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka kremtuar këtë vit 60-vjetorin e themelimit të saj. Kisha katolike, duke pohuar besimin e vet në këtë Organizatë ndërkombëtare, uron një përtëritje të saj institucionale dhe vepruese që ta bëjë atë të jetë në gjendje t’u përgjigjet kërkesave të ndryshuara të epokës së sotme, të shënuar nga dukuria e gjerë e globalizimit. Organizata e Kombeve të Bashkuara duhet të bëhet një mjet gjithnjë e më i frytshëm në promovimin në botë të vlerave të drejtësisë, të solidaritetit dhe të paqes. Nga ana e vet Kisha, besnike ndaj misionit të marrë prej Themeluesit të vet, nuk lodhet së shpalluri kudo «Ungjillin e paqes». E frymëzuar siç është nga vetëdija e patundur se u bën një shërbim të domosdoshëm atyre që i kushtohen promovimit të paqes, ajo u kujton të gjithëve se, për të qenë e përnjëmendtë dhe e qëndrueshme, paqja duhet të ndërtohet mbi shkëmbin e së vërtetës së Hyjit dhe të së vërtetës së njeriut. Vetëm kjo e vërtetë mund t’i sensibilizojë shpirtërat për drejtësi, t’i hapë ndaj dashurisë e solidaritetit, t’i nxisë të gjithë që të veprojnë për një njerëzim realisht të lirë e solidar. Po, vetëm mbi të vërtetën e Hyjit dhe të njeriut mbështeten themelet e një paqeje të përnjëmendtë.

 

16. Në përfundim të këtij mesazhi, tani do të doja t’u drejtohesha veçanërisht besimtarëve në Krishtin, për t’ua përtërirë atyre ftesën që të bëhen nxënës të vëmendshëm e të gatshëm të Zotit. Duke dëgjuar Ungjillin, të dashur vëllezër e motra, mësojmë ta mbështesim paqen në të vërtetën e një ekzistence të përditshme të frymëzuar nga urdhërimi i dashurisë. Është e nevojshme që çdo bashkësi të angazhohet në një vepër të dendur e kapilare edukimi dhe dëshmie që bën të rritet në secilin vetëdija e ngutshmërisë për të zbuluar gjithnjë e më në thellësi të vërtetën e paqes. Në të njëjtën kohë kërkoj që të dendësohet lutja, sepse paqja është para së gjithash dhuratë e Hyjit që duhet kërkuar pareshtur. Falë ndihmës hyjnore shpallja dhe dëshmia e së vërtetës së paqes do të jetë më bindëse dhe më ndriçuese. Ta kthejmë me besim dhe me dorëzim bijësor vështrimin nga Maria, Nëna e Princit të Paqes. Në fillim të këtij viti të ri t’i kërkojmë asaj ta ndihmojë tërë Popullin e Hyjit që të jetë në çdo situatë veprues i paqes, duke e lënë veten të ndriçohemi prej së Vërtetës që na bën të lirë (krh. Gjn 8, 32). Me ndërmjetësimin e saj njerëzimi le të rritet në vlerësimin e kësaj të mire themelore dhe le të angazhohet për ta përforcuar praninë e saj në botë, për t’u dorëzuar një të ardhme më të kthjellët e më të sigurtë brezave që do të vijnë.

 

 

Nga Vatikani, 8 Dhjetor 2005

 

 

[1]  Thirrje Krerëve të popujve në luftë (1 gusht 1917): AAS 9 (1917) 423.

[2]  Nr. 77.

[3]  Po aty, 78.

[4]  Gjon Pali II, Mesazh për Ditën botërore të paqes 2004, 9.

[5]  Krh. Gjon Pali II, Fjalimi në Asamblenë e 50-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (5 tetor 1995), 3.

[6]  De civitate Dei, XIX, 13.

[7]  Nr. 79.

[8]  Po aty.

[9]  Mesazh për Ditën Botërore të Paqes 2002, 6.

[10]  Po aty.

 

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster