|
Nikozi
– E diel, 6 qershor 2010
Të dashur vëllezër e motra në Krishtin,
është traditë e Kishës që në mesditë t’i
drejtohet në lutje të Lumes Virgjër Mari, duke kujtuar me gëzim
miratimin e saj të gatshëm për t’u bërë nënë e Hyjit. Ka qenë një ftesë
që e ka mbushur me drithërimë dhe që mezi do të kuptonte. Ishte një
shenjë se Hyji kishte zgjedhur atë, shërbëtoren e tij të përvuajtur, për
të bashkëpunuar me të në veprën e shëlbimit. Si të mos galdojmë për
zemërgjerësinë e përgjigjes së saj! Nëpërmjet “po”-së së saj shpresa e
historisë është bërë realitet, i Vetmi që Izraeli e kishte pritur prej
kohësh erdhi në botë, brenda historisë sonë. Për të engjëlli kumtoi se
mbretëria e tij nuk do të kishte kurrë fund (Lk 1,33).
Rreth tridhjetë vjet më pas, kur Maria po
qante te këmbët e kryqit, duhet të ketë qenë e vështirë ta mbante të
gjallë këtë shpresë. Forcat e errësirës dukej se kishin fituar. Dhe në
brendësinë e saj ajo do të kujtonte fjalët e engjëllit. Por edhe në
trishtimin e Të Shtunës së Madhe siguria e shpresës e mbështeti deri në
gëzimin e mëngjesit të Pashkëve. Edhe ne, bijtë e saj, jetojmë në të
njëjtën shpresë plot besim se Fjala e bërë njeri në kraharorin e Marisë,
nuk do të na braktisë kurrë. Ai, Biri i Hyjit dhe Biri i Marisë, e
forcon bashkimin që na lidh së bashku kështu që të mund të bëhemi
dëshmitarë të tij dhe të pushtetit të dashurisë së tij që shëron dhe
pajton.
Tani dëshiroj të them disa fjalë në
gjuhën polake me rastin e rastit fatlum të lumturimit të sotëm të Jerzy
Popiełuszko, meshtar dhe martir.
[I drejtoj një përshëndetje të
përzemërt Kishës në Poloni, që sot gëzon për lartësimin në nderet e
altarit të atë Jerzy Popiełszko. Shërbimi i tij i zellshëm dhe
martirizimi i tij janë shenjë e veçantë e fitores së të mirës mbi të
keqen. Shembulli i tij dhe ndërmjetësimi i tij e shtofshin zellin e
meshtarëve dhe e ndezshin dashurinë e besimtarëve laikë.]
Le t’i lutemi tani Virgjërës Mari, Nënës
sonë, që të ndërmjetësojë për të gjithë ne, për popullin e Qipros dhe
për Kishën e Lindjes së Mesme, me Krishtin Birin e saj, Princin e Paqes.
titujt kryesorë
|