|
Apel lidhur me situatën
politiko-shoqërore në Shqipëri
drejtuar:
Presidentit
të Republikës së Shqipërisë, Z. Bamir Topi
Kryetares
së Parlamentit të Shqipërisë, Znj. Jozefina Topalli
Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Z. Sali Berisha
Kryetarit
të opozitës, Z. Edi Rama
Kryetarëve
të partive politike në Shqipëri
Të gjithë
njerëzve vullnet mirë
Ne Ipeshkvijtë e Kishës
Katolike në Shqipëri, të mbledhur në Asamblenë e rregullt vjetore në Tiranë
më 4 dhe 5 maj 2010, duke përjetuar situatën shoqërore politike në vendin
tonë e cila po kalon një krizë që dita-ditës po thellohet, u drejtohemi me
këtë thirrje të gjitha institucioneve të lartpërmendura.
Kisha Katolike në Shqipëri në
periudha të vështira të historisë së vendit, nuk ka qëndruar indiferente,
por gjithmonë ka nxitur vëllazërimin dhe është angazhuar për të mirën e
përbashkët. Bashkësia Katolike në Shqipëri ka dhënë kontributin e saj me anë
të shumë meshtarëve e laikëve të vrarë, të përndjekur dhe të internuar në
vitet e regjimit komunist për besimin e saj, por edhe për një të ardhme më
të mirë të vendit tonë. Gjithashtu aktualisht katolikët janë të angazhuar në
favor të së mirës së përbashkët dhe në ndërtimin e vendit në paqe dhe
drejtësi.
Të nxitur nga këto fakte e
duke ndjekur me shqetësim zhvillimin e situatës 10 muaj pas zgjedhjeve, e
ndjejmë per detyrë që si barinj të Kishës Katolike të angazhohemi për
përmirësimin e situatës. Sikurse thotë Papa Benedikti XVI në Enciklikën
Deus Caritas est “(Kisha) nuk dëshiron t’u imponojë atyre që nuk ndajnë
besimin e saj, perspektiva dhe mënyra sjelljeje, që i përkasin Kishës. Ajo
thjesht dëshiron të japë ndihmesën e vet për pastrimin e arsyes dhe të bëjë
të mundur që çka është e drejtë të mund, këtu dhe tani, të pranohet e pastaj
edhe të realizohet” (nr.28/a).
Në këtë situatë të krijuar
populli ynë po vuan. Ai ka të drejtë për një shoqëri më vëllazërore dhe
paqësore. Vendi ynë po jep një përshtypje të keqe para botës, në këto çaste
historike kur është një anëtar i NATO-s dhe një vend që po kërkon lëvizjen e
lirë të qytetarëve, të mohuar për dekada me radhë, dhe integrimin në
Bashkimin Evropian.
Prandaj i ftojmë politikanët
që me ndërgjegje dhe përgjegjësi ta kërkojnë të mirën e përbashkët para çdo
interesi tjetër partiak apo individual dhe të zgjedhin rrugën e dialogut të
hapur pa asnjë paragjykim, për të cilin ka vend gjithmonë, në mënyrë që të
shkohet drejt një zgjidhjeje më të denjë dhe të drejtë, duke pasur në zemër
dhe në mendje gjithmonë të mirën e njerëzve tanë të vuajtur. I ftojmë të
veprojnë me dashuri e cila duhet të ketë vendin e saj një një rend shoqëror
të drejtë, sikurse thotë edhe Papa Benedikti XVI në të njëjtën Enciklikë
(nr. 28/b).
Nga ana jonë i lutemi Zotit
dhe do t’i nxisim besimtarët tanë që të luten për një zgjidhje sa më të
shpejtë.
Ipeshkvijtë e
Kishës Katolike të Shqipërisë
_______________________________________________________________________________________________
Rr.Don Bosko,
nr. 4, K.P. 2950, Tiranë, Albania
tel/fax +355 4 22 47 159 cealbania_al@yahoo.com
titujt kryesorë
|