|
|
Shën Pjetër Kanizi
Të dashur vëllezër e
motra,
Sot do të doja t’ju flisja
për shën Pjetër Kanis, Kanizi, në formën e latinizuar të mbiemtrit të
tij, një figurë shumë e rëndësishme në Pesëqindën katolike. Kishte
lindur më 8 maj 1521 në Nimega, Hollandë. I ati ishte kryetari i
bashkisë. Ndërsa ishte student në Universitetin e Këlnit, frekuentoi
murgjërit Çertozinë të Shenjtes Barbara, një qendër nxitëse e jetës
katolike, dhe njerëz të tjerë të devotshëm që kultivonin përshpirtërinë
e të ashtuquajturës devotio moderna. Hyri në Shoqërinë e Jezusit
më 8 maj 1543 në Magonca (Renania – Palatinato), pasi ndoqi një kurs
ushtrimesh shpirtërore nën drejtimin e të lumit Pierre Vavre, Petrus
Faber, njëri prej shokëve të parë të shën Injacit të Lojolës. U shugurua
meshtar në qershor 1546 në Këln dhe një vit më pas, si teolog i
Ipeshkvit të Augustës, kardinalit Otto Truchsess von Waldburg, qe i
pranishëm në Koncilin e Trentit, ku bashkëpunoi me dy bashkëvëllezër,
Diego Lainez dhe Alfons Salmeron.
Në vitin 1548, shën Injaci
e bëri të plotësonte në Romë formimin shpirtëror dhe e dërgoi pastaj në
Kolegjin e Mesinës për t’u ushtruar në shërbime të përvuajtura
shtëpiake. Pasi mori në Bolonja doktoratin në teologji më 4 tetor 1549,
u caktua prej shën Injacit për apostullat në Gjermani. Më 2 shtator të
atij viti, 1549, vizitoi Papën Pali III në Kastel Gandolfo dhe pastaj
shkoi në Bazilikën e Shën Pjetrit për t’u lutur. Këtu kërkoi ndihmën e
shenjtërve të mëdhenj Pjetër e Pal, që i dhanë efikasitet të përhershëm
Bekimit Apostolik për fatin e tij të madh, për misionin e tij të ri. Në
ditarin e tij shënoi disa fjalë të kësaj lutjeje. Thotë: “Aty unë ndjeva
se një ngushëllim i madh dhe prania e hirit më ishin dhënë nëpërmjet
këtyre ndërmjetësve [Pjetrit e Palit]. Ata e vërtetonin misionin tim në
Gjermani dhe dukej se më përçonin, si apostullit të Gjermanisë,
mbështetjen e dashamirësisë së tyre. Ti e di, o Zot, në sa mënyra dhe sa
herë në po atë ditë ma ke besuar Gjermaninë për të cilën pastaj do të
vazhdoja të isha i kujdesshëm, për të cilën do të kisha dëshiruar të
jetoja e të vdisja”.
Duhet të mbajmë parasysh
se gjendemi në kohën e Reformës luterane, në momentin në të cilin feja
katolike në Vendet me gjuhë gjermanike, para joshjes së Reformës, dukej
se po shuhej. Ishte një detyrë gati e pamundur ajo e Kanizit, që ishte
ngarkuar me detyrën që të rigjallëronte, të përtërinte fenë katolike në
Vendet gjermanike. Ishte e mundur vetëm me anë të lutjes. Ishte e mundur
vetëm prej qendrës, pra prej një miqësie të thellë personale me Jezu
Krishtin; miqësi me Krishtin në Trupin e tij, Kishën, që duhet ushqyer
në Eukaristi, në praninë e Tij reale.
Duke ndjekur misionin e
marrë prej Injacit dhe prej Papës Pali III, Kanizi u nis për Gjermani
dhe u nis para së gjithash për në Dukatin e Bavierës, që për shumë vjet
qe vendi i shërbesës së tij. Si dekan, rektor dhe zëvendës kancelar i
Universitetit të Ingolstadtit, u kujdes për jetën akademike të
Institutit dhe reformën fetare e morale të popullit. Në Vjenë, kur për
një kohë të shkurtër qe administrator i Dioqezës, kreu shërbesën
baritore në spitale dhe në burgje, si në qytet ashtu edhe në fshatra,
dhe përgatiti botimin e Katekizmit të tij. Në vitin 1556 themeloi
Kolegjin e Pragës dhe, deri në vitin 1569, qe eprori i parë i provincës
jezuite të Gjermanisë së sipërme.
Në këtë detyrë krijoi në
Vendet gjermanike një rrjet të dendur bashkësisë të Urdhrit të tij,
sidomos Kolegjesh, që qenë pikënisje për reformën katolike, për
përtëritjen e fesë katolike. Në atë kohë mori pjesë edhe në
bashkëbisedimin e Uormsit me drejtuesit protestantë, mes të cilëve Filip
Melatoni (1557); kreu funksionin e Nuncit apostolik në Poloni (1558);
mori pjesë në dy Dietat e Augustës (1559 dhe 1565); shoqëroi Kardinalin
Stanislav Hozjusz, legat i Papës Piu IV pranë Perandorit Ferdinand
(1560); mori pjesë në Seksionin përfundimtar të Koncilit të Trentos ku
foli mbi çështjen e Kungimit me dy materiet dhe të Treguesit të librave
të ndaluar (1562).
Në vitin 1580 u tërhoq në
Friburg në Zvicër, krejt i kushtuar predikimit dhe hartimit të veprave
të veta, dhe aty vdiq më 21 dhjetor 1597. U lumturua prej të lumit Piu
IX në vitin 1864, Papa Leoni XIII në vitin 1897 e shpalli Apostull të
dytë të Gjermanisë dhe Papa Piu XI e kanonizoi dhe e shpalli Mësues të
Kishës në vitin 1925.
Shën Pjetër Kanizi kaloi
një pjesë të mirë të jetës së vet në kontakt me personat më të
rëndësishëm, nga ana shoqërore, të kohës së tij dhe ushtroi një ndikim
të veçantë me shkrimet e veta. Qe botues i veprave të plota të shën
Cirilit të Aleksandrisë dhe të shën Leonit të Madh, të Letrave të shën
Jeronimit dhe të Uratëve të shën Nikollës së Fluësë. Botoi libra
devotshmërie në gjuhë të ndryshme, biografitë e disa Shenjtërve
zviceranë dhe shumë tekste të homelitikës. Por shkrimet e tij më të
përhapura qenë tre Katekizmat e hartuar mes viteve 1555 dhe 1558.
Katekizmi i parë ishte i destinuar studentëve në gjendje të kuptonin
nocionet elementare të teologjisë; i dyti ishte i destinuar fëmijëve të
popullit për një mësim të parë fetar; i treti ishte i destinuar fëmijëve
me një formim shkollor në nivelin e shkollës tetëvjeçare dhe të mesme.
Doktrina katolike ishte e paraqitur me pyetje e përgjigje, shkurtimisht,
në terme biblike, me shumë qartësi dhe pa shenja polemike. Vetëm në
kohën e jetës së tij kanë qenë plot 200 botimet e këtij Katekizmi! Dhe
qindra botime kanë vijuar deri në Nëntëqindën. Kështu në Gjermani, ende
në brezin e babait tim, njerëzit e quanin Katekizmin thjesht Kanizi: qe
realisht katekisti i Gjermanisë, ka formuar fenë e njerëzve për shekuj
me radhë.
Kjo është një
karakteristikë e shën Pjetër Kanizit: aftësia për ta bashkuar në mënyrë
të harmonishme besnikërinë ndaj parimeve dogmatike me respektin e duhur
ndaj çdo personi. Shën Kanizi e ka dalluar apostazinë e vetëdijshme, të
fajshme, prej fesë, prej humbjes së pafajshme të fesë, në rrethanat e
ndryshme. Dhe ka deklaruar, në lidhje me Romën, se pjesa më e madhe e
gjermanëve e kaluar në Protestantizëm ishte pa faj. Në një moment
historik të kundërshtive të mëdha konfesionale, ai shmangte – kjo është
një gjë e jashtëzakonshme – ashpërsinë dhe retorikën e zemërimit – gjë e
rrallë, siç thashë, në ato kohë të diskutimeve mes të krishterëve, - dhe
synonte vetëm të paraqiste rrënjët shpirtërore dhe të përtërinte fenë në
Kishën. Kësaj i shërbeu njohja e gjerë dhe depërtuese që pati mbi
Shkrimin e Shenjtë dhe mbi Etërit e Kishës: e njëjta njohje që mbështeti
marrëdhënien e tij personale me Hyjin dhe përshpirtërinë e virtytshme që
i buronte prej devotio moderna dhe prej mistikës renane.
Është karakteristike për
përshpirtërinë e shën Kanizit një miqësi personale me Jezusin. Për
shembull, më 4 shtator 1549 shkruan në ditarin e tij, duke folur me
Zotin: “Ti, në fund, a thua se më hapje zemrën e Trupit tejet të
Shenjtë, që më dukej se e shihja para meje, më urdhërove të pija në atë
burim, duke më ftuar, le të themi kështu, që të mbushja ujin e shëlbimit
tim prej burimeve të tua, o Shëlbuesi im”. E pastaj sheh se Shëlbuesi i
jep një veshje me tri copa që quhen paqe, dashuri dhe qëndrueshmëri. Dhe
me këtë veshje të përbërë prej paqes, dashurisë dhe qëndrueshmërisë,
Kanizi e përmbushi veprën e vet të përtëritjes së katolicizmit. Kjo
miqësi e tij me Jezusin – që është qendra e personalitetit të tij – të
ushqyer prej dashurisë së Biblës, prej dashurisë së Sakramentit, prej
dashurisë së Etërve, kjo miqësi ishte qartas e bashkuar me vetëdijen se
në Kishë ishte një vazhdues i misionit të Apostujve. Dhe kjo na kujton
se çdo ungjillëzues i vërtetë është gjithmonë një mjet i bashkuar, dhe
prandaj edhe i frytshëm, me Jezusin dhe me Kishën e tij.
Shën Pjetër Kanizi ishte
formuar për miqësinë me Jezusin në mjedisin shpirtëror të Çertozën të
Këlnit, në të cilin kishte qenë në kontakt të ngushtë me dy mistikë
çertozinë: Johann Lansperger, i latinizuar në Lanspergius, dhe Nicolas
van Hesche, i latinizuar në Eschius. Më pas e thelloi përvojën e asaj
miqësie, familiaritas stupenda nimis, me soditjen e mistereve të jetës
së Jezusit, që zënë një pjesë të gjerë të Ushtrimeve shpirtërore të shën
Injacit. Devotshmëria e tij e madhe ndaj Zemrës së Zotit, që kulminoi në
kushtimin ndaj shërbesës apostolike në Bazilikën Vatikanase, këtu gjen
themelin e vet.
Në përshpirtërinë
kristocentrike të shën Pjetër Kanizit rrënjoset një bindje e thellë: nuk
ka shpirt të kujdesshëm për përsosmërinë e vet i cili të mos e
praktikojë çdo ditë lutjen, uratën mendore, mjetin e zakonshëm që i
lejon nxënësit të Jezusit të jtojë intimitetin me Mësuesin hyjnor.
Prandaj, në shkrimet e destinuara edukimit shpirtëror të popullit,
Shenjti ynë këmbëngul në rëndësinë e Liturgjisë me komentet e tij të
Ungjijve, të festave, të ritit të Meshës së shenjtë dhe të Sakramenteve
të tjera, por, në të njëjtën kohë, ka kujdes t’u tregojë besimtarëve
nevojën dhe bukurinë që lutja personale e përditshme ta shoqërojë dhe ta
depërtojë pjesëmarrjen në kultin publik të Kishës. Bëhet fjalë për një
nxitje dhe një metodë që e ruajnë të paprekur vlerën e tyre, sidomos
pasi Koncili II i Vatikanit në Kushtetutën Sacrosanctum Concilium
i ka ripropozuar ata me autoritet: jeta e krishterë nuk rritet nëse nuk
ushqehet prej pjesëmarrjes në Liturgji, në mënyrë të veçantë në Meshën e
shenjtë të të dielës, dhe prej lutjes personale të përditshme, prej
kontaktit personal me Hyjin. Në mes të mijëra veprimtarive dhe nxitjeve
të shumta që na rrethojnë, është e nevojshme të gjejmë çdo ditë disa
momente përqendrimi para Zotit për ta dëgjuar atë dhe për të folur me
Të. Në të njëjtën kohë, është gjithmonë aktual dhe me vlerë të
përhershme shembulli që shën Pjetër Kanizi na ka lënë, jo vetëm në
veprat e tij, por sidomos me jetën e tij. Ai mëson me qartësi se
shërbesa apostolike është ndikuese dhe prodhon fryte shëlbimi në zemra
vetëm nëse predikuesi është dëshmitar personal i Jezusit dhe di të jetë
mjet në dispozicion të tij, i bashkuar ngushtë me Të prej fesë në
Ungjillin e tij dhe në Kishën e tij, prej një jete morale koherente dhe
prej një urate të pareshtur si dashuria. Dhe kjo vlen për çdo të
krishterë që dëshiron ta jetojë me angazhim dhe besnikëri bashkimin e
vet me Krishtin. Faleminderit.
titujt kryesorë
|
|