ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Benedikti XVI

 Audienca e përgjithshme. Salla Pali VI, 10 shkurt 2010 

 

 

 

Shna Ndou i Padovës

 

Të dashur vëllezër e motra,

dy javë më parë kam paraqitur figurën e shën Françeskut të Asizit. Këtë mëngjes do të doja të flisja për një tjetër shenjt që i përket brezit të parë të Fretërve Minorë: Shna Ndoun e Padovës, sikurse edhe quhet, nga Lisbona, nëse i referohemi qytetit të tij të lindjes. Bëhet fjalë për njërin ndër shenjtërit më popullorë në të gjithë Kishën Katolike, i nderuar jo vetëm në Padova, ku është ngritur një Bazilikë e mrekullueshme e në të cilën ndodhet trupi i tij, por në të gjithë botën. Për besimtarët janë të dashura figurat dhe statujat që e paraqesin atë me zambak, simbol i pastërtisë, ose me Jezusin Fëmijë ndër krahë, në kujtim të një shfaqjeje të mrekullueshme të përmendur nga disa burime letrare.

Shna Ndou ka ndihmuar në mënyrë domethënëse në zhvillimin e përshpirtërisë françeskane, me dhantitë e tij të spikatura të inteligjencës, të ekuilibrit, të zellit apostolik dhe, kryesisht, të atij mistik.

Lindi në Lisbonë nga një familje fisnike, rreth vitit 1195 dhe u pagëzua me emrin Fernand. Hyri ndër Kanonikët që ndiqnin rregullën murgjërore të shën Agustinit, fillimisht në manastirin e Shën Vinçencit në Lisbonë dhe, më pas, në atë të Kryqit të Shenjtë në Koimbra, qendër e njohur kulturore e Portugalisë. Iu kushtua me interes dhe përkujdesje studimit të Biblës dhe të Etërve të Kishës, duke arritur atë dije teologjike që e shfrytëzoi në veprimtarinë e mësimdhënies dhe të predikimit. Në Koimbra ndodhi episodi që shkaktoi një kthesë vendimtare në jetën e tij: këtu, në vitin 1220 u ekspozuan reliket e pesë misionarëve të parë françeskanë, që kishin shkuar në Marok, ku kishin pësuar martirizimin. Ngjarja e tyre bëri që në të riun Fernand të lindte dëshira për t’i imituar dhe për të përparuar në rrugën e përsosmërisë së krishterë: atëherë ai kërkoi që t’i linte Kanonikët agustinianë dhe të bëhej Frat Minor. Kërkesa e tij u pranua dhe, pasi mori emrin Anton, edhe ai u nis për Marok, por Provania hyjnore vendosi ndryshe. Pas një sëmundjeje, u detyrua të kthehej në Itali dhe, në vitin 1221, mori pjesë në të famshmin “Kapitull të rrogozave” në Asizi, ku takoi edhe shën Françeskun. Më pas, jetoi për disa kohë krejt i fshehur në një kuvend pranë Forlisë, në veri të Italisë, ku Zoti e thirri në një mision tjetër. Kur, prej disa rrethanash krejtësisht të rastësishme, e thirrën për të predikuar me rastin e një shugurimi meshtarak, tregoi se ishte i pajisur me një dije e gojëtari të tillë, sa Eprorët e caktuan për predikimin. Kështu, filloi në Itali dhe në Francë një veprimtari apostolike aq të dendur e efikase sa shumë njerëz që ishin shkëputur prej Kishës i bëri të ktheheshin mbrapsht. Qe edhe ndër mësuesit e parë të teologjisë të Fretërve Minorë, për të mos thënë i pari. E filloi mësimdhënien e vet në Bolonja, me bekimin e Françeskut, i cili, duke i njohur virtytet e Antonit, i dërgoi një letër të shkurtër që hapej me këto fjalë: “Më pëlqen që u mëson liturgji fretërve”. Antoni vuri themelet e teologjisë françeskane që, e lëvruar nga figura të tjera mendimtarësh të njohur, do të njihte kulmin e vet me shën Bonaventurën nga Banjorexho dhe të lumin Duns Skot.

 Pasi u bë Epror provincial i Fretërve Minorë të Italisë veriore, vazhdoi shërbesën e predikimit, duke e alternuar atë me punët e udhëheqjes. Kur përfundoi detyrën e Provincialit, shkoi pranë Padovës, ku kishte shkuar edhe herë të tjera. Mbas vetëm një viti, vdiq pranë dyerve të qytetit, më 13 qershor 1231. Padova, që e kishte pritur me dashuri dhe nderim në jetë, i dha përgjithmonë nderim dhe devocion. Vetë Papa Gregori IX, që pasi e kishte dëgjuar të predikonte e kishte përkufizuar si “Arka e Besëlidhjes”, e kanonizoi në vitin 1232, edhe si rrjedhojë e mrekullive të ndodhura me ndërmjetësinë e tij.

 Në periudhën e fundit të jetës, Antoni shkroi dy cikle “Predikimesh”, të titulluar përkatësisht “Predikimet e të dielave” dhe “Predikimet mbi Shenjtërit”, të destinuar për predikuesit dhe mësuesit e studimeve teologjike të Urdhrit françeskan. Në ta ai komenton tekstet e Shkrimit të paraqitur nga Liturgjia, duke përdorur interpretimin patristiko-mesjetar të katër kuptimeve, atë tekstual apo historik, atë alegorik apo kristologjik, atë tropologjik apo moral, dhe atë anagogjik që orienton drejt jetës së pasosur. Bëhet fjalë për tekste teologjiko-homelitike, që i bëjnë jehonë predikimit të gjallë, në të cilin Antoni propozon një itinerar të vërtetë jete të krishterë. Aq e madhe është pasuria e mësimeve shpirtërore që përmbahej në “Predikimet”, sa Papa Piu XII, në vitin 1946, e shpalli Antonin Mësues të Kishës, duke i dhënë titullin e “Doktorit ungjillor”, sepse prej këtyre shkrimeve del në pah freskia dhe bukuria e Ungjillit; ende edhe sot mund t’i lexojmë ato me një dobi të madhe shpirtërore.

 Në këto Predikime shna Ndou flet për lutjes si për një marrëdhënie dashurie, që e nxit njeriun të bashkëbisedojë ëmbël me Zotin, duke krijuar një gëzim të patregueshëm, që këndshëm e mbështjell shpirtin në uratë. Antoni na kujton se lutja ka nevojë për një atmosferë heshtjeje që nuk do të thotë shkëputje prej zhurmës së jashtme, por është përvojë e brendshme, që synon t’i heqë shpërqendrimet e shkaktuara prej shqetësimeve të shpirtit. Sipas mësimit të këtij Mësuesi i njohur françeskan, lutja degëzohet në katër qëndrime, të domosdoshëm, që, në latinishten e Antonit, përkufizohen si: obsecratio, oratio, postulatio, gratiarum actio. Mund t’i përkthejmë kështu: t’ia hapim me besim zemrën tonë Hyjit, të bashkëbisedojmë me dashuri me Të, t’i paraqesim nevojat tona, ta lavdërojmë e ta falënderojmë Atë.

 Në këtë mësim të shna Ndout mbi lutjen shohim njërën prej karakteristikave të veçanta të teologjisë françeskane, nismëtari i të cilës ka qenë ai, pra shohim rolin që i jepet dashurisë hyjnore, që hyn në sferën e ndjenjave, të vullnetit, të zemrës, dhe që është edhe kroi prej të cilit buron një njohje shpirtërore, që tejkalon çdo njohje.

 Shna Ndou shkruan përsëri: "Dashuria është shpirti i fesë, e bën atë të gjallë; pa dashurinë, feja vdes" (Sermones Dominicales et Festivi II, Messaggero, Padova 1979, fq. 37).

 Vetëm një shpirt që lutet mund të bëjë përparime në jetën shpirtërore: ky është objekti i privilegjuar i predikimit të shna Ndout. Ai i njeh mirë të metat e natyrës njerëzore, prirjen për të rënë në mëkat, prandaj nxit vazhdimisht që të luftohet prirja për lakmi, për krenari, për papastërti, dhe të predikohen virtytet e varfërisë e të zemërgjerësisë, të përvujtërisë e të dëgjesës, të pastërtisë e të çiltërsisë. Në fillimet e shekullit XIII, në kontekstin e rilindjes së qyteteve dhe të lulëzimit të tregtisë, po rritej numri i personave të pandjeshëm ndaj nevojave të të varfërve. Për këtë arsye, Antoni disa herë i fton besimtarët që të mendojnë për pasurinë e vërtetë, atë të zemrës, që duke e bërë njeriun të mirë e të mëshirshëm, bën që të grumbullojë thesare për Qiellin. "O të pasur – kështu nxit ai – bëjini miq... të varfërit, pranojini ata në shtëpitë tuaja: do të jenë pastaj pikërisht ata, të varfërit, që do t’ju presin në tabernakujt e amshuar, ku gjendet bukuria e paqes, besimi i sigurisë, dhe qetësia e begatshme e ngopjes së amshuar" (Ibid., fq. 29).

 A nuk është ky, të dashur miq, një mësim shumë i rëndësishëm edhe sot, kur kriza financiare dhe çekuilibret e mëdha ekonomike varfërojnë jo pak njerëz, dhe krijojnë kushte mjerimi? Në Enciklikën time Caritas in veritate kujtoj: "Ekonomia ka nevojë për etikën që të funksionojë në mënyrë korrekte, jo për një etikë çfarëdo, por për një etikë mike të personit" (nr. 45).

 Antoni, në shkollën e Françeskut, e vë gjithmonë Krishtin në qendrën e jetës dhe të mendimit, të veprimit dhe të predikimit. Kjo është një karakteristike tjetër tipike e teologjisë françeskane: kristocentrizmi. Me gjithë qejf ajo sodit, dhe i fton të tjerët t’i sodisin, misteret e njerëzimit të Zotit, njeriun Jezus, në mënyrë të veçantë misterin e Lindjes, Hyjin që është bërë Fëmijë, që e ka dhuruar veten në duart tona: një mister që ngjall ndjenja dashurie dhe mirënjohjeje naj mirësisë hyjnore.

 Nga njëra anë Lindja, një pikë qendrore e dashurisë së Krishtit për njerëzimin, por edhe vizioni i të Kryqëzuarit i frymëzon shna Ndout mendime mirënjohjeje ndaj Hyjit dhe vlerësimi për dinjitetin e personit njerëzor, kështu që të gjithë, besimtarë dhe jo besimtarë, të mund të gjejnë në të Kryqëzuarin dhe në figurën e tij një domethënie qe pasuron jetën. Shna Ndou shkruan: “Krishti, që është jeta jote, rri i varur para teje, që ti të shohësh në kryqin si në një pasqyrë. Aty do të mund të kuptosh se sa vdekjeprurëse kanë qenë plagët e tua, sa asnjë ilaç nuk do të kishte mundur t’i shëronte, përveç gjakut të Birit të Hyjit. Nëse do të shikosh mirë, do të mund të kuptosh se sa të mëdhenj janë dinjiteti yt dhe vlera e tij... Në asnjë vend tjetër njeriu nuk mund ta kuptojë më mirë se sa shumë vlen ai, ashtu siç e kupton duke shikuar në pasqyrën e kryqit" (Sermones Dominicales et Festivi III, fq. 213-214).

 Duke medituar këto fjalë mund ta kuptojmë më mirë rëndësinë e figurës së të Kryqëzuarit për kulturën tonë, për humanizmin tonë të lindur prej fesë së krishterë. Pikërisht duke vështruar të Kryqëzuarin, sikurse thotë shna Ndou, shikojmë se sa i madh është dinjiteti njerëzor dhe vlera e njeriut. Në asnjë pikë tjetër nuk mund të kuptohet se sa vlen njeriu, pikërisht sepse Hyji na bën kaq të rëndësishëm, na sheh kaq të rëndësishëm, sa të jemi për Të të denjë për vuajtjen e tij; kështu i gjithë dinjiteti njerëzor shfaqet në pasqyrën e të Kryqëzuarit dhe vështrimi drejt Tij është gjithmonë burim mirënjohjeje për dinjitetin njerëzor.

 Të dashur miq, shna Ndou i Padovës, aq i nderuar prej besimtarëve, ndërmjetësoftë për tërë Kishën, dhe sidomos për ata që i kushtohen predikimit; t’i lutemi Zotit që të na ndihmojë ta mësojmë pak këtë art prej shna Ndout. Predikatarët, duke e marrë frymëzimin prej shembullit të tij, le të kenë kujdes që të bashkojnë doktrinën e qëndrueshme dhe të shëndoshë, përshpirtërinë e sinqertë e të zellshme, saktësinë në komunikim. Në këtë vit meshtarak, le të lutemi që meshtarët e diakonët ta kryejnë me përkujdesje këtë shërbesë të kumtimit e të aktualizimit të Fjalës së Zotit besimtarëve, sidomos nëpërmjet homelive liturgjike. Le të jenë ato një paraqitje efikase e bukurisë së amshuar të Krishtit, pikërisht sikurse porosiste shna Ndou: “Nëse predikon Jezusin, ai i shkrin zemrat e ngurta; nëse i lutesh, i ëmbëlson tundimet e hidhura; nëse e mendon, të ndriçon zemrën; nëse e lexon, ai të ngin mendjen” (Sermones Dominicales et Festivi III, fq. 59).

 

 titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster