|
|
Të
dashur vëllezër e motra,
sot do të
doja të vazhdoj të reflektoj mbi atë se si lutja dhe ndjenja fetare
bëjnë pjesë në njeriun gjatë gjithë historisë së tij.
Ne jetojmë
në një epokë në të cilën janë të dukshme shenjat e shekullarizmit. Hyjit
duket se është zhdukur prej horizontit të shumë njerëzve ose është bërë
një realitet ndaj të cilit mbeten mospërfillës. Por, në të njëjtën kohë,
shohim shumë shenja që na tregojnë një rizgjim të ndjenjës fetare, një
rizbulim të rëndësisë së Hyjit për jetën e njeriut, një nevojë
përshpirtërie, për të kapërcyer një vizion thjesht horizontal, material
të jetës njerëzore. Duke parë historinë e kohëve të fundit, ka dështuar
parashikimi i atyre që, që në epokën e Iluminizmit, paralajmëronin
zhdukjen e besimeve dhe lartësonin një arsye absolute, të shkëputur prej
fesë, një arsye që do t’i dëbonte errësirat e dogmatizmave fetare dhe do
ta shpërbënte “botën e të shenjtës”, duke ia kthyer njeriut lirinë e
vet, dinjitetin e vet dhe autonominë e vet prej Hyjit. Përvoja e
shekullit të kaluar, me dy Luftërat botërore tragjike, e ka vënë në
krizë atë përparim që arsyeja autonome, njeriu pa Hyjin, dukej sikur
mund ta garantonte.
Katekizmi i Kishës Katolike
pohon: “Nëpërmjet krijimit Hyji e thërret çdo qenie prej asgjësë në
ekzistencë... Edhe pasi e ka humbur përngjasimin me Hyjin për shkak të
mëkatit, njeriu mbetet në shëmbëlltyrë të Krijuesit të vet. Ai e ruan
dëshirën për atë që e thërret në ekzistencë. Të gjitha besimet e
dëshmojnë këtë kërkim thelbësor nga ana e njerëzve” (nr. 2566). Mund të
themi – siç kam treguar në katekezën e kaluar – se nuk ka pasur asnjë
qytetërim të madh, që prej kohëve më të largëta deri në ditët tona, që
të mos ketë qenë fetar.
Njeriu për
nga natyra e vet është fetar, është homo religiosus siç është
homo sapiens dhe homo faber: “dëshira për Hyjin – pohon
përsëri Katekizmi – gjendet në zemrën e njeriut, sepse njeriu
është krijuar prej Hyjit dhe për Hyjin” (nr. 27). Shëmbëlltyra e
Krijuesit është e ngulitur në qenien e tij dhe ai ndien nevojën të gjejë
një dritë për t’u dhënë përgjigje pyetjeve që i përkasin kuptimit të
thellë të realitetit; përgjigje të cilën ai nuk mund ta gjejë në
vetveten, në përparimin, në shkencën empirike. Homo religiosus
nuk del në pah vetëm prej botërave të hershme, ai përshkon gjithë
historinë e njerëzimit. Në lidhje me këtë, terreni i pasur i përvojës
njerëzore ka parë të lindin forma të ndryshme të fetarisë, në përpjekjen
për t’iu përgjigjur dëshirës për plotësi e lumturi, nevojës për shëlbim,
kërkimit të kuptimit. Njeriu “digjital” ashtu si edhe ai i guvave, në
përvojën fetare kërkon rrugët për të kapërcyer fundësinë e vet dhe për
të siguruar aventurën e vet tokësore të përkohshme. Në fund të fundit,
jeta pa një horizont transhendent nuk do të kishte një kuptim të plotë
dhe lumturia, drejt të cilës priremi të gjithë, është e projektuar
vetvetishëm drejt të ardhmes, në një të nesërme që ende duhet të kryhet.
Koncili II i Vatikanit, në Deklaratën Nostra aetate, e ka
theksuar këtë në mënyrë të përmbledhur: “Njerëzit presin prej besimeve
të ndryshme përgjigjen ndaj enigmave të fshehta të gjendjes njerëzore,
që dje ashtu si edhe sot e turbullojnë thellësisht zemrën e njeriut:
natyra e njeriut [- kush jam unë? -], kuptimi dhe fundi i jetës sonë, e
mira dhe mëkati, zanafilla dhe qëllimi i dhimbjes, rruga për të arritur
lumturinë e vërtetë, vdekja, gjykimi dhe ndëshkimi pas vdekjes, së
fundi, misteri i fundit dhe i patregueshëm që e rrethon ekzistencën
tonë, nga ku ne e marrin zanafillën tonë dhe drejt të cilit priremi”
(nr. 1). Njeriu e di se nuk mund t’i përgjigjet vetë nevojës së vet
themelore për të kuptuar. Sado ta ketë gënjyer dhe ta gënjejë ende veten
se është i vetëmjaftueshëm, ai bën përvojën e asaj se nuk i mjafton
vetvetes. Ka nevojë t’i hapet tjetër gjëje, diçkaje ose dikujt, që mund
t’i dhurojë atë që i mungon, duhet të dalë prej vetvetes drejt Atij që
është në gjendje ta mbushë gjërësinë dhe thellësinë e dëshirës së tij.
Njeriu mban
në vetvete një etje për pafundësinë, një mall për amshimin, një kërkim
të bukurisë, një dëshirë dashurie, një nevojë për dritë e të vërtetë, që
e shtyjnë drejt Absolutit; njeriu mban në vete dëshirën për Hyjin. Dhe
njeriu, në njëfarë mënyre, e di se mund t’i drejtohet Hyjit, e di se
mund t’i lutet. Shën Toma i Akuinit, njëri prej teologëve më të mëdhenj
të historisë, e përkufizon lutjen “shprehje të dëshirës që njeriu ka për
Hyjin”. Kjo tërheqje drejt Hyjit, që vetë Hyji e ka vënë në njeriun,
është shpirti i lutjes, që vishet pastaj me shumë forma e modalitete
sipas historisë, kohës, momentit, hirit dhe madje mëkatit të secilit
lutës. Historia e njeriut, në të vërtetë, ka njohur forma të ndryshme të
lutjes, sepse ai ka zhvilluar modalitete të ndryshme hapjeje ndaj
Tjetrit, ndaj të Përtejmes, aq sa mund ta shohim lutjen si një përvojë
të pranishme në çdo besim e kulturë.
Në të
vërtetë, të dashur vëllezër e motra, siç kemi parë të mërkurën e kaluar,
lutja nuk është e lidhur me një kontekst të veçantë, por gjendet në
zemrën e çdo njeriu dhe të çdo qytetërimi. Natyrisht, kur flasim për
lutjen si përvojë e njeriut si i tillë, e homo orans, është e
nevojshme të mbajmë parasysh se ajo është një qëndrim i brendshëm, para
se të jetë një seri praktikash dhe formulash, një mënyrë të qeni
përballë Hyjit para se të jetë kryerje e akteve të kultit apo shqiptim i
fjalëve. Lutja e ka qendrën e vet dhe rrënjët e veta në thellësinë më të
madhe të njeriut; prandaj nuk deshifrohet lehtë dhe, për të njëjtën
arsye, mund të jetë objekt keqkuptimi dhe mashtrimi. Edhe në këtë kuptim
mund ta kuptojmë shprehjen: të lutesh është e vështirë. Në të vërtetë,
lutja është vendi i posaçëm i dhurimit falas, i prirjes drejt të
Padukshmit, të Papritshmit dhe të Patregueshmit. Prandaj, përvoja e
lutjes është për të gjithë një sfidë, një “hir” që duhet kërkuar, një
dhuratë e Atij të cilit i drejtohemi.
Në lutje,
në çdo epokë të historisë, njeriu e konsideron vetveten dhe situatën e
vet përballë Hyjit, duke nisur prej Hyjit e në lidhje me Hyjin, dhe
përjeton se është krijesë që ka nevojë për ndihmë, e paaftë ta sigurojë
vetë plotësimin e ekzistencës së vet dhe të shpresës së vet. Filozofi
Ludvig Uitgenshtajn kujtonte se “të lutesh do të thotë të ndiesh se
kuptimi i botës është jashtë botës”. Në dinamikën e kësaj marrëdhënieje
me atë që i jep kuptim ekzistencës, me Hyjin, lutja e ka njërën prej
shprehjeve të veta tipike në gjestin e gjunjëzimit. Është një gjest që
mban në vete një dykuptimësi rrënjësore: në të vërtetë, mund të jem i
detyruar të gjunjëzohem – gjendje mjerimi dhe skllavërie –, por mund
edhe të gjunjëzohem spontanisht, duke deklaruar kufizimin tim dhe, pra,
duke deklaruar se kam nevojë për një Tjetër. Atij i deklaroj se jam i
dobët, nevojtar, “mëkatar”. Në përvojën e lutjes krijesa njerëzore
shpreh gjithë vetëdijen për vetveten, gjithçka që arrin të kuptojë prej
ekzistencës së vet dhe, njëkohësisht, e drejton krejt vetveten nga Qenia
përballë të cilës gjendet, e orienton shpirtin e vet nga ai Mister prej
të cilit pret përmbushjen e dëshirave më të thella dhe ndihmën për të
kapërcyer mjerimin e jetës së vet. Në këtë vështrim nga një Tjetër, në
këtë drejtim “përtej” gjendet thelbi i lutjes, si përvojë e një
realiteti që e kapërcen të ndjeshmen dhe kontingjenten.
Megjithatë,
vetëm në Hyjin që zbulohet plotësohet krejtësisht kërkimi i njeriut.
Lutja që është hapje dhe lartësim i zemrës drejt Hyjit, bëhet kështu
marrëdhënie personale me Të. Edhe pse njeriu e harron Krijuesin e vet,
Hyji i gjallë dhe i vërtetë nuk resht së thirruri i pari njeriun në
takimin e mistershëm të lutjes. Sikurse pohon Katekizmi: “Ky hap
dashurie i Hyjit besnik vjen gjithmonë i pari në lutje; hapi i njeriut
është gjithmonë një përgjigje. Pak nga pak që Hyji zbulohet dhe ia
zbulon njeriut vetveten, lutja duket si një thirrje e ndërsjellë, një
ngjarje besëlidhjeje. Nëpërmjet fjalëve e akteve, kjo ngjarje e angazhon
zemrën. Zbulohet gjatë gjithë historisë së shëlbimit” (nr. 2567).
Të dashur
vëllezër e motra, le të mësojmë të rrimë më shumë para Hyjit, para Hyjit
që është zbuluar në Jezu Krishtin, le të mësojmë ta njohim në heshtje,
në thellësinë e vetvetes, zërin e tij që na thërret e na drejton në
thellësinë e ekzistencës sonë, në burimin e jetës, në gurrën e
shëlbimit, për të na bërë të shkojmë përtej kufirit të jetës sonë dhe
t’i hapemi masës së Hyjit, marrëdhënies me Atë, që është Dashuri e
Pafundme. Faleminderit.
titujt kryesorë |
|