ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Benedikti XVI

 Audienca e përgjithshme. Salla Pali VI, 17 shkurt 2010 

 

 

 

E mërkura e Përhime

 

 Të dashur vëllezër e motra!

 po fillojmë sot, Të mërkurën e Përhime, ecjen kreshmore: një ecje që zgjat për dyzet ditë dhe që na çon në gëzimin e Pashkëve të Zotit. Në këtë itinerar shpirtëror nuk jemi vetëm, sepse Kisha na shoqëron dhe na mbështet që prej fillimit me Fjalën e Hyjit, që përmban në vetvete një program jete shpirtërore dhe angazhimi pendestar, dhe me hirin e Sakramenteve.

 Janë fjalët e Palit apostull ato që na japin një visar të vërtetë: “Ne ju nxisim: mos e lini pa fryt hirin që morët prej Hyjit... Ja, pra, tani koha e volitshme, ja, pra, dita e shpëtimit!” (2 Kor 6,1-2). Në të vërtetë, në vizionin e krishterë të jetës çdo moment duhet të quhet i volitshëm dhe çdo ditë duhet të quhet dita e shpëtimit, por liturgjia e Kishës i referon këto fjalë në një mënyrë krejtësisht të veçantë në kohën e Kreshmeve. Dhe që dyzet ditët e përgatitjes së Pashkëve janë kohë e volitshme dhe kkohë hiri, këtë mund ta kuptojmë pikërisht në thirrjen që riti i rreptë i hedhjes së hirit na drejton dhe që shprehet, në liturgji, me dy formula: “Kthehuni dhe besojini ungjillit!”, “Kujtohu, o njeri, se hi ke qenë dhe hi do të bëhesh”.

 Thirrja e parë është thirrje në kthim, fjalë që duhet të merret në seriozitetin e saj të jashtëzakonshëm, duke pranuar risinë befasuese që ajo përhap. Në të vërtetë, thirrja në kthim nxjerr në pah dhe padit sipërfaqësinë e lehtë që e karakterizon shumë shpesh jetën tonë. Të kthehesh do të thotë të ndryshosh drejtim në rrugën e jetës: por, jo me një rregullim të vogël, por me një ndryshim të vërtetë drejtimi. Të kthehesh do të thotë të shkosh kundër rrymës, ku “rryma” është stili i jetës, jokoherent dhe iluzor, që shpesh na merr zvarrë, na sundon dhe na bën skllevër të të keqes, ose sidoqoftë robër të mediokritetit moral. Ndërsa me kthimin njeriu synon masën e lartë të jetës së krishterë, i besohet Ungjillit të gjallë e personal, që është Jezu Krishti. Është personi i tij pikësynimi përfundimtar dhe kuptimi i thellë i kthimit, është ai rruga në të cilën të gjithë janë të thirrur të ecin në jetë, duke e lënë veten të ndriçohen prej dritës së tij dhe të mbështeten prej forcës së tij që i lëviz hapat tanë. Në këtë mënyrë kthimi shfaq fytyrën e tij më të shkëlqyer e tërheqëse: nuk është një vendim i thjeshtë moral, që e drejton sjelljen tonë të jetës, por është një zgjedhje feje, që na përfshin tërësisht në bashkimin e brendshëm me personin e gjallë e konkret të Jezusit. Të kthehesh e t’i besosh Ungjillit nuk janë dy gjëra të ndryshme apo në një farë mënyrë vetëm të afruara mes tyre, por shprehin të njëjtin realitet. Kthimi është “po”-ja e plotë e atij që ia dorëzon ekzistencën e vet Ungjillit, duke iu përgjigjur lirisht Krishtit që i pari i ofrohet njeriut si udha, e vërteta dhe jeta, si ai që është i vetmi që e liron dhe e shëlbon njeriun. Pikërisht ky është kuptimi i fjalëve të para me të cilat, sipas Markut ungjilltar, Jezusi e hap predikimin e “Ungjillit të Hyjit”: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni e besojini Ungjillit!” (Mk 1,15).

 “Kthehuni dhe besojini ungjillit” nuk gjendet vetëm në fillimin e jetës së krishterë, por i shoqëron të gjithë hapat e saj, vazhdon të përtërihet dhe përhapet duke u degëzuar në të gjitha shprehjet e veta. Çdo ditë është momenti i volitshëm dhe moment hiri, sepse çdo ditë na nxit t’i dorëzohemi Jezusit, të kemi besim në Të, të mbetemi në Të, të bashkëndajmë stilin e tij të jetës, të mësojmë prej Tij dashurinë e vërtetë, ta ndjekim në përmbushjen e përditshme të vullnetit të Atit, i vetmi ligj i madh i jetës. Çdo ditë, edhe kur nuk mungojnë vështirësitë dhe mundimet, lodhjet dhe rëniet, edhe kur jemi të tunduar ta braktisim rrugën e ndjekjes së Krishtit dhe të mbyllemi në vetvete, në egoizmin tonë, pa e kuptuar nevojën që kemi për t’iu hapur dashurisë së Hyjit në Krishtin, për të jetuar të njëjtën logjikë të drejtësisë e të dashurisë. Në të fundit Mesazh për Kreshmet kam dashur të kujtoj se “Nevojitet përvujtëri që të pranoj se kam nevojë për një Tjetër që të më lirojë prej ‘times’ që t’i dhurohem falas ‘të tijës’. Kjo ndodh veçanërisht në sakramentet e Pendesës dhe të Eukaristisë. Falë dashurisë së Krishtit, ne mund të hyjmë në drejtësinë “më të madhe, që është ajo e dashurisë (krh. Rom 13,8-10), drejtësia e atij që ndihet në çdo rast, gjithnjë më shumë borxhli se kredidhënës, sepse ka marrë më shumë se sa mund të pritet” (L’Osservatore Romano, 5 shkurt 2010, fq. 8).

 Momenti i volitshëm dhe i hirit të Kreshmeve na e tregon domethënien e vet shpirtërore edhe nëpërmjet formulës së lashtë: “Kujtohu, o njeri, se hi ke qenë dhe hi do të bëhesh”, që meshtari thotë kur vë në kokën tonë pak hi. Kështu kthehemi në fillimet e historisë njerëzore, kur Zoti i tha Adamit pas mëkatit origjinal: “Me djersë të ballit tënd do ta hash bukën derisa të mos kthehesh në dhe prej të cilit qe nxjerrë sepse pluhur je dhe pluhur do të bëhesh” (Zan 3,19). Këtu, fjala e Hyjit na kujton brishtësinë tonë, madje vdekjen tonë, që është forma e saj e skajshme. Përballë frikës natyrore për fundin, e aq më tepër në kontekstin e një kulture që në shumë mënyra priret që ta censurojë realitetin dhe përvojën njerëzore të të vdekurit, liturgjia kreshmore, nga njëra anë, na kujton vdekjen duke na ftuar në realizmin dhe në urtinë, por, nga ana tjetër, na nxit sidomos që ta pranojmë dhe ta jetojmë risinë e papritur që feja e krishterë sjell në realitetin e vetë vdekjes.

 Njeriu është hi dhe hi do të bëhet, por është hi i çmueshëm para syve të Hyjit, sepse Hyji e ka krijuar njeriun duke e paracaktuar për pavdekësinë. Kështu formula liturgjike ““Kujtohu, o njeri, se hi ke qenë dhe hi do të bëhesh” e gjen plotësinë e domethënies së vet duke iu referuar Adamit të ri, Krishtit. Edhe Zoti Jezus lirisht ka dashur që ta bashkëndajë me çdo njeri fatin e brishtësisë, veçanërisht nëpërmjet vdekjes së tij në kryq; por pikërisht kjo vdekje, e mbushur me dashurinë e tij për Atin dhe për njerëzimin, ka qenë rruga për ngjalljen e lavdishme, nëpërmjet të cilës Krishti është bërë burim i një hiri të dhuruar atyre që besojnë në Të dhe bëhen pjesëmarrës të të njëjtës jetë hyjnore. Kjo jetë që nuk do të ketë fund tashmë është në veprim në fazën tokësore të ekzistencës sonë, por do të çohet në plotësi pas “ngjalljes së mishit”. Gjesti i vogël i hedhjes së hirit na zbulon pasurinë e posaçme të domethënies së vet: është një ftesë për ta përshkuar kohën kreshmore si një zhytje më të vetëdijshme dhe më gjallë në misterin pashkvor të Krishtit, në vdekjen e ngjalljen e tij, nëpërmjet pjesëmarrjes në Eukaristi dhe në jetën e dashurisë, që lind prej Eukaristisë dhe në të gjen plotësimin e vet. Me hedhjen e hirit ne përtërijmë angazhimin tonë për ta ndjekur Jezusin, për ta lënë veten që të shndërrohemi prej misterit të Pashkëve, për të mposhtur të keqen dhe për të bërë të mirën, për ta bërë të vdesë “njeriun e vjetër” tonin të lidhur me mëkatin dhe për ta bërë të lindë “njeriu i ri” i shndërruar prej hirit të Hyjit.

 Miq të dashur! Ndërsa përgatitemi të ndërmarrim ecjen e fortë kreshmore, duam të thërrasim me besim të veçantë mbrojtjen dhe ndihmën e Virgjërës Mari. Ajo, besimtarja e parë në Krishtin, na shoqëroftë në këto dyzet ditë lutjeje të dendur dhe pendese të sinqertë, për të arritur, të pastruar dhe krejtësisht të përtërirë në mendje e në shpirt, të kremtojmë misterin e madh të Pashkëve të Birit të saj.

 Kreshme të mbara të gjithëve!

 

 titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster