|
|
Të
dashur vëllezër e motra,
në dy
katekezat e mëparshme kemi reflektuar mbi lutjen si dukuri e
gjithëmbarshme, që – megjithëse në forma të ndryshme – është e pranishme
në kulturat e të gjitha kohëve. Ndërsa sot do të doja të filloj një
itinerar biblik mbi këtë temë, që do të na prijë në thellimin e dialogut
të besëlidhjes mes Hyjit e njeriut që e animon historinë e shëlbimit,
deri në kulmin, në fjalën përfundimtare që është Jezu Krishti. Kjo ecje
do të na bëjë të ndalemi në disa tekste të rëndësishme dhe figura
paradigmatike të Besëlidhjes së Vjetër dhe asaj të Re. Do të jetë
Abrahami, Patriarku i madh, ati i të gjithë besimtarëve (krh. Rom
4,11-12.16-17), ai që do të na japë një shembull të parë të lutjes, në
episodin e ndërmjetësimit për qytetet e Sodomës e Gomorrës. Dhe do të
doja t’ju ftoj edhe që të thelloni itinerarin që do të bëjmë në
katekezat e ardhshme për të mësuar ta njohim më shumë Biblën, që
shpresoj se e keni në shtëpitë tuaja, dhe, gjatë javës, të ndalemi për
ta lexuar e medituar në lutje, për të njohur historinë e mrekullueshme
të marrëdhënies mes Hyjit e njeriut, mes Hyjit që na komunikohet ne dhe
njeriut që përgjigjet, që lutet.
Teksti i
parë mbi të cilin duam të reflektojmë gjendet në kapitullin 18 të
Librit të Zanafillës; tregohet se mbrapshtia e banorëve të Sodomës e
Gomorrës kishte arritur kulmin, aq sa ta bënte të nevojshme një
ndërhyrje të Hyjit për të bërë një akt drejtësie dhe për ta ndalur të
keqen, duke i shkatërruar ato qytete. Këtu vendoset Abrahami me lutjen e
tij të ndërmjetësimit. Hyji vendos t’i zbulojë atë që është duke ndodhur
dhe e bën të njohë peshën e të keqes dhe pasojat e saj të tmerrshme,
sepse Abrahami është i zgjedhuri i tij, i zgjedhur për t’u bërë një
popull i madh dhe për të bërë të arrijë bekimi hyjnor në të gjithë
botën. Misioni i tij është një mision shëlbimi, që duhet t’i përgjigjet
mëkatit që e ka pushtuar realitetin e njeriut; nëpërmjet tij Zoti
dëshiron ta kthejë njerëzimin në fe, në dëgjesë, në drejtësi. Dhe tani,
ky mik i Hyjit i hapet realitetit dhe nevojës së botës, lutet për ata që
janë gati për t’u ndëshkuar dhe kërkon që të shpëtojnë.
Abrahami e
shtron menjëherë problemin në gjithë peshën e tij, dhe i thotë Zotit:
“Vërtet
se bashkë me fajtorin do ta shfarosësh edhe të drejtin? Nëse në qytet do të jenë rastësisht pesëdhjetë të drejtë, vërtet do ta
shfarosësh atë vend dhe nuk do ta falësh për shkak të atyre pesëdhjetë
të drejtëve që do të jenë në të? Larg
qoftë prej teje që ta shfarosësh të drejtin bashkë me të mbrapshtin? A
do të barazosh të drejtin me fajtorin? Larg teje! A thua se Gjykatësi i
mbarë botës nuk do ta shtjerë në veprim drejtësinë?” (rr. 23-25). Me
këto fjalë, me guxim të madh, Abrahami vë para Hyjit nevojën për ta
shmangur drejtësinë e përgjithshme: nëse qyteti është fajtor, është e
drejtë të dënohet krimi i tij dhe të jepet ndëshkimi, por – pohon
Patriarku i madh – do të ishte e padrejtë të dënoheshin pa dallim të
gjithë banorët. Nëse në qytet ka shumë të pafajshëm, këta nuk mund të
trajtohen njësoj si fajtorët. Hyji, që është një gjykatës i drejtë, nuk
mund të veprojë kështu, i thotë Abrahami me të drejtë Hyjit.
Por, nëse e
lexojmë me më shumë vëmendje tekstin, kuptojmë se kërkesa e Abrahamit
është edhe më serioze dhe e thellë, sepse nuk kufizohet të kërkojë
shpëtimin për të pafajshmit. Abrahami kërkon faljen për gjithë qytetin
dhe e bën këtë duke i bërë thirrje drejtësisë së Hyjit; në të vërtetë, i
thotë Zotit: “Vërtet do ta shfarosësh atë vend dhe nuk do ta falësh për
shkak të atyre pesëdhjetë të drejtëve që do të jenë në të?” (rr. 24b).
Duke bërë kështu, paraqet një ide të re drejtësie: jo atë që kufizohet
t’i ndëshkojë fajtorët, siç bëjnë njerëzit, por një drejtësi të
ndryshme, hyjnore, që kërkon të mirën dhe e krijon atë nëpërmjet faljes
që e shndërron mëkatarin, e kthen dhe e shpëton. Pra, me lutjen e vet,
Abrahami nuk kërkon një drejtësi thjesht retributive, por një ndërhyrje
shpëtimi që, duke mbajtur parasysh të pafajshmit, i liron prej fajit
edhe fajtorët, duke i falur ata. Mendimi i Abrahamit, që duket gati
paradoksal, mund të përmblidhet kështu: natyrisht, nuk mund të trajtohen
të pafajshmit si fajtorët, kjo do të ishte e padrejtë, ndërsa duhet të
trajtohen fajtorët si të pafajshmit, duke vënë në jetë një drejtësi
“superiore”, duke u dhënë atyre një mundësi shpëtimi, sepse nëse
keqbërësit e pranojnë faljen e Hyjit dhe e rrëfejnë fajin duke lejuar që
të shpëtohen, nuk do të vazhdojnë më ta bëjnë të keqen, do të bëhen edhe
ata të drejtë, pa pasur më nevojë që të ndëshkohen.
Kjo është pasuria
e drejtësisë që Abrahami shpreh në ndërmjetësimin e tij, një kërkesë që
bazohet në sigurinë se Zoti është i mëshirshëm. Abrahami nuk i kërkon
Hyjit një gjë të kundërt me thelbin e tij, troket në derën e zemrës së
Hyjit duke e njohur vullnetin e tij të vërtetë. Sigurisht, Sodoma është
një qytet i madh, pesëdhjetë të drejtë duken pak gjë, por drejtësia e
Hyjit dhe falja e tij a nuk janë shfaqja e forcës së të mirës, edhe pse
duket më e vogël dhe më e dobët se e keqja? Shkatërrimi i Sodomës duhej
ta ndalte të keqen e pranishme në qytet, por Abrahami e di se Hyji ka
mënyra të tjera për ta ndalur përhapjen e të keqes. Është falja ajo që e
ndërpret spiralen e mëkatit, dhe Abrahami, në dialogun e vet me Hyjin,
pikërisht kësaj i bën thirrje. Dhe kur Zoti pranon ta falë qytetin nëse
aty do të gjejë pesëdhjetë të drejtë, lutja e tij e ndërmjetësimit
fillon të zbresë drejt thellësive të mëshirës hyjnore. Abrahami – siç
kujtojmë – bën që të pakësohet në mënyrë progresive numri i të
pafajshëmve të nevojshëm për shpëtim: nëse nuk do të jenë pesëdhjetë,
mund të mjaftojnë dyzet e pesë, e pastaj edhe më poshtë, deri në dhjetë,
duke vazhduar me përgjërimin e tij, që bëhet gati i patrembur në
këmbënguljen e vet: “Po qe se atje do të jenë dyzet... tridhjetë...
njëzet... dhjetë” (krh. rr. 29.30.31.32). E sa më i vogël të bëhet
numri, aq më e madhe zbulohet dhe shfaqet mëshira e Hyjit, që e dëgjon
me durim lutjen, e pranon dhe përsërit çdo përgjërim: “do ta fal, ...
nuk do ta shfaros” (krh. rr. 26.28.29.30.31.32).
Kështu, me
ndërmjetësinë e Abrahamit, Sodoma do të mund të shpëtojë, nëse në të do
të gjenden qoftë edhe vetëm dhjetë të pafajshëm. Kjo është fuqia e
lutjes. Sepse nëpërmjet ndërmjetësimit, lutjes drejtuar Hyjit për
shpëtimin e të tjerëve, shfaqet dhe shprehet dëshira për shpëtim që Hyji
ushqen gjithmonë ndaj njeriut mëkatar. Në të vërtetë, e keqja nuk mund
të pranohet, duhet të tregohet e të shkatërrohet nëpërmjet ndëshkimit:
shkatërrimi i Sodomës kishte pikërisht këtë funksion. Por Zoti nuk e do
vdekjen e mëkatarit, por do që të kthehet e të jetojë (krh. Ez
18,23; 33,11); dëshira e tij është të falë, të shpëtojë, të japë jetën,
ta shndërrojë të keqen në të mirë. Kështu, pikërisht kjo dëshirë
hyjnore, në lutje, bëhet dëshirë e njeriut dhe shprehet nëpërmjet
fjalëve të ndërmjetësimit. Me përgjërimin e vet, Abrahami i jep zërin e
vet, por edhe zemrën e vet vullnetit hyjnor: dëshira e Hyjit është
mëshira, dashuria dhe vullneti i shpëtimit, dhe kjo dëshirë e Hyjit ka
gjetur në Abrahamin dhe në lutjen e tij mundësinë që të shfaqet në
mënyrë konkrete brenda historisë së njerëzve, për të qenë e pranishme
aty ku ka nevojë për hirin. Me zërin e lutjes së vet, Abrahami është
duke i dhënë zë dëshirës së Hyjit, që nuk është ajo që ta shkatërrojë,
por ta shpëtojë Sodomën, t’i japë jetë mëkatarit të kthyer.
Pikërisht këtë do
Zoti, dhe dialogu i tij me Abrahamin është një shfaqje e zgjatur dhe e
qartë e dashurisë së tij të mëshirshme. Nevoja për të gjetur njerëz të
drejtë brenda qytetit bëhet gjithnjë e më pak kërkuese dhe në fund do të
mjaftojnë dhjetë për ta shpëtuar tërësinë e popullsisë. Se për çfarë
arsyeje Abrahami ndalet në dhjetë, kjo nuk thuhet në tekst. Ndoshta
është një numër që tregon bërthamën më të vogël bashkësiore (edhe sot,
dhjetë persona janë quorum-i i nevojshëm për lutjen publike
hebraike). Sidoqoftë, bëhet fjalë për një numër të vogël, një pjesëz të
vogël të të mirës prej të cilës duhet nisur për të shpëtuar nga një e
keqe e madhe. Por as dhjetë të drejtë nuk gjendeshin në Sodomë e
Gomorrë, dhe qytetet u shkatërruan. Një shkatërrim paradoksalisht i
dëshmuar si i nevojshëm pikërisht prej lutjes së ndërmjetësimit të
Abrahamit. Sepse pikërisht ajo lutje e ka nxjerrë në pah vullnetin
shpëtimtar të Hyjit: Zoti ishte i gatshëm të falte, dëshironte ta bënte
këtë, por qytetet ishin të mbyllura në një të keqe totalizuese dhe
paralizuese, pa pasur qoftë edhe pak të pafajshëm nga ku të nisej për ta
shndërruar të keqen në të mirë. Sepse është pikërisht kjo ecja e
shpëtimit që edhe Abrahami kërkonte: të shpëtosh nuk do të thotë thjesht
t’i ikësh ndëshkimit, por të lirohesh prej të keqes që banon në ty. Nuk
është ndëshkimi ai që duhet të zhduket, por mëkati, ai refuzim i Hyjit
dhe i dashurisë që bart në vetvete ndëshkimin. Profeti Jeremia do t’i
thotë popullit kryengritës: “Po
të dënon fajësia jote, po të ndëshkon cubnia jote! Dije e shih sa gjë e
keqe dhe sa gjë e hidhur është të kesh lënë Zotin, Hyjin tënd” (Jer
2,19). Pikërisht prej kësaj gjëje të keqe e të hidhur Zoti dëshiron ta
shpëtojë njeriun duke e liruar prej mëkatit. Por, pra, duhet një
shndërrim nga brenda, një pikë e të mirës, një fillim prej të cilit të
niset për ta shndërruar të keqen në të mirë, urrejtjen në dashuri,
hakmarrjen në falje. Prandaj të drejtët duhet të jenë brenda qytetit,
dhe Abrahami vazhdimisht përsërit: “nëse në qytet do të jenë...”. “Në”:
pikërisht brenda realitetit të sëmurë duhet të gjendet ai syth të mire
që mund të shërojë e të rijapë jetën. Është një fjalë që na drejtohet
edhe ne: që në qytetet tona të gjendet sythi i të mirës; që të bëjmë
gjithçka është e mundur në mënyrë që të mos jenë vetëm dhjetë të
drejtët, për t’i bërë realisht të jetojnë e të mbijetojnë qytetet tona
dhe të shpëtojmë prej kësaj gjëje të hidhur të brendshme që është
mungesa e Hyjit. Dhe në realitetin e sëmurë të Sodomës e Gomorrës ai
syth i të mirës nuk gjendej.
Por mëshira e
Hyjit në historinë e popullit të vet zgjerohet edhe më tej. Nëse për ta
shpëtuar Sodomën shërbenin dhjetë të drejtë, profeti Jeremia do të
thotë, në emër të të Gjithëpushtetshmit, se mjafton vetëm një i drejtë
për ta shpëtuar Jeruzalemin: “Enduni udhëve të Rusalemit, vëreni mirë
edhe shikoni, kërkoni në sheshet e tij, a mund ta gjeni një njeri të
vetëm, një njeri që e zbaton të drejtën, që kërkon të jetë besnik, vetë
qytetin do ta fal” (5,1). Numri ka zbritur përsëri, mirësia e Hyjit
shfaqet edhe më e madhe. E megjithatë, kjo ende nuk mjafton, mëshira e
begatshme e Hyjit nuk gjen përgjigjen e të mirës që kërkon, dhe
Jeruzalemi bie nën rrethimin e armikut. Do të duhet që vetë Hyji të
bëhet ai i drejtë. dhe ky është misteri i Mishërimit: për të garantuar
një të drejtë Ai vetë bëhet njeri. I drejti do të gjendet gjithmonë
sepse është Ai: por duhet që vetë Hyji të bëhet ai i drejtë. Dashuria e
pafundme dhe befasuese hyjnore do të shfaqet plotësisht kur Biri i Hyjit
do të bëhet njeri, i Drejti përfundimtar, i Pafajshmi i përsosur, që do
t’i sjellë shëlbimin botës mbarë duke vdekur në kryq, duke falur e duke
ndërmjetësuar për ata që “nuk dinë çfarë bëjnë” (Lk 23,34).
Atëherë lutja e çdo njeriu do të gjejë përgjigjen, atëherë çdo
ndërmjetësim i yni do të përmbushet plotësisht.
Të dashur vëllezër
e motra, përgjërimi i Abrahamit, atit tonë në fe, le të na mësojë t’ia
hapim gjithnjë e më shumë zemrën mëshirës së begatshme të Hyjit, që në
lutjen e përditshme të dimë të dëshirojmë shpëtimin e njerëzimit dhe ta
kërkojmë atë me këmbëngulje e me besim në Zotin që është i madh në
dashuri. Faleminderit.
titujt kryesorë |
|