ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Benedikti XVI

 Audienca e përgjithshme. Sheshi i Shen Pjetrit 23 mars 2011 

 

 

Shën Lorenci nga Brindizi

 

Të dashur vëllezër e motra,

 e kujtoj ende me gëzim pritjen e hareshme që m’u bë në vitin 2008 në Brindizi, në qytetin ku në vitin 1559 lindi një Mësues i ndritur i Kishës, shën Lorenci nga Brindizi, emër që Giulio Cesare Rossi mori duke hyrë në Urdhrin e Kapuçinëve. Që prej fëmijërisë qe i tërhequr prej familjes së shën Françeskut të Asizit. Në të vërtetë, pasi mbeti jetim nga i ati në moshën shtatë vjeçare, nëna e tij ia besoj përkujdesjes së fretërve Konventualë të qytetit të tij. Por, disa vjet më vonë u zhvendos bashkë me të ëmën në Venecia, dhe pikërisht në Veneto pati njohur Kapuçinët, që në atë periudhë ishin vënë zemërgjerësisht në shërbim të të gjithë Kishës, për ta zgjeruar reformën e madhe shpirtërore të nxitur nga Koncili i Trentit. Në vitin 1575 Lorenci, me kushtet rregulltare, u bë frat kapuçin, dhe në 1582 u shugurua meshtar. Që gjatë studimeve kishtare shfaqi cilësitë e shkëlqyera intelektuale me të cilat ishte i pajisur. I mësoi lehtë gjuhët e lashta, si atë greke, hebraike, siriane, si edhe ato moderne, si frëngjishten dhe gjermanishten, që i shtoheshin njohjes së gjuhës italiane dhe asaj latine, që dikur flitej rrjedhshëm prej të gjithë klerikëve dhe njerëzve të kulturës.

 Falë zotërimit të kaq shumë gjuhëve, Lorenci mundi të zhvillonte një apostullat të dendur pranë kategorive të ndryshme të personave. Ishte një predikatar efikas, njihte në mënyrë aq të thellë jo vetëm Biblën, por edhe literaturën rabinike, aq sa vetë Rabinët mbeteshin të mahnitur duke i shfaqur vlerësim e respekt. Ishte teolog i aftë në drejtim të Shkrimit të Shenjtë dhe të Etërve të Kishës dhe ishte në gjendje t’ua ilustronte në mënyrë shembullore doktrinën katolike edhe të krishterëve që, sidomos në Gjermani, ishin bashkuar me Reformën. Me paraqitjen e tij të qartë e të qetë ai tregonte themelin biblik e patristik të të gjitha neneve të fesë të vënë në diskutim prej Martin Luterit. Mes tyre, parësinë e shën Pjetrit dhe të pasardhësve të tij, origjinën hyjnore të Episkopatit, shfajësimin si shndërrim i brendshëm i njeriut, nevojën e veprave të mira për shëlbim. Suksesi të cilin Lorenci e gëzoi na ndihmon të kuptojmë se edhe sot, në zhvillimin me shumë shpresë të dialogut ekumenik, ballafaqimi me Shkrimin e Shenjtë, të lexuar në Traditën e Kishës, përbën një element të pamohueshëm dhe me rëndësi themelore, sikurse kam dashur të kujtoj në Nxitjen Apostolike Verbum Domini (nr. 46).

 Edhe besimtarët më të thjeshtë, jo të pajisur me kulturë të madhe, patën dobi prej fjalës bindëse të Lorencit, që u drejtohej njerëzve të thjeshtë për t’i thirrur të gjithë në koherencën e jetës së tyre me fenë e dëshmuar. Kjo ka qenë një meritë e madhe e Kapuçinëve dhe e Urdhrave të tjerë rregulltarë, që, në shekujt XVI e XVII, ndihmuan në përtëritjen e jetës së krishterë duke depërtuar në thellësi të shoqërisë me dëshminë e tyre të jetës dhe me mësimin e tyre. Edhe sot ungjillëzimi i ri ka nevojë për apostuj të përgatitur mirë, të zellshëm e guximtarë, që drita dhe bukuria e Ungjillit të zotërojnë mbi orientimet kulturore të relativizmit etik e të mospërfilljes fetare, dhe t’i shndërrojnë mënyrat e ndryshme të të menduarit e të të vepruarit në një humanizëm të përnjëmendtë të krishterë. Është diçka befasuese që shën Lorenci nga Brindizi ka mundur ta zhvillojë pareshtur këtë veprimtari prej predikatari të çmuar e të palodhur në shumë qytete të Italisë dhe në Vende të ndryshme, pavarësisht se mbulonte edhe detyra të tjera të rënda dhe me përgjegjësi të madhe. Në të vërtetë, brenda Urdhrit të Kapuçinëve qe profesor i teologjisë, mësues i rishtarëve, disa herë ministër provincial dhe definitor i përgjithshëm, dhe së fundi ministër i përgjithshëm nga viti 1602 deri në vitin 1605.

 Në mes të kaq shumë punëve, Lorenci kultivoi një jetë shpirtërore me zell të jashtëzakonshëm, duke i kushtuar shumë kohë lutjes dhe në mënyrë të veçantë kremtimit të Meshës së Shenjtë, që shpesh zgjaste me orë, i përfshirë dhe i prekur në përkujtimin e Mundimeve, Vdekjes dhe Ngjalljes së Zotit. Në shkollën e shenjtërve, çdo presbiter, siç është theksuar shpesh gjatë Vitit Meshtarak, mund ta shmangë rrezikun e aktivizmit, pra të veprimit duke harruar motivimet e thella të shërbesës, vetëm nëse kujdeset për jetën e vet shpirtërore. Duke u folur meshtarëve dhe seminaristëve në katedralen e Brindizit, qytetit të lindjes së shën Lorencit, kam kujtuar se “momenti i lutjes është më i rëndësishmi në jetën e meshtarit, ai në të cilin vepron me më shumë efikasitet hiri hyjnor, duke i dhënë frytshmëri shërbesës së tij. Lutja është shërbimi i parë që i duhet bërë bashkësisë. Dhe prandaj momentet e lutjes duhet të kenë në jetën tonë një parësi të vërtetë. Prandaj Hyji është parësia e parë. Duhet gjithmonë të rezervojmë kohën e nevojshme për të qenë në bashkim lutjeje me Zotin tonë”. Në fund të fundit, me zellin karakteristik të stilit të tij, Lorenci i nxit të gjithë, dhe jo vetëm meshtarët, që të kultivojnë jetën e lutjes sepse nëpërmjet saj ne i flasim Hyjit dhe Hyji na flet ne: “Oh, po t’i konsideronim këto realitete! – thërret ai – Pra, se Hyji është vërtet i pranishëm për ne kur i flasim duke u lutur; se e dëgjon me të vërtetë uratën tonë, edhe pse ne vetëm lutemi me zemër e me mendje. Dhe se jo vetëm është i pranishëm dhe na dëgjon, por madje mundet dhe dëshiron t’i plotësojë me kënaqësinë më të madhe kërkesat tona”.

 Një veçanti tjetër që e karakterizon veprën e këtij biri të shën Françeskut është veprimi i tij për paqen. Qoftë Papët qoftë princërit katolikë i besonin vazhdimisht misione të rëndësishme diplomatike për t’u dhënë fund grindjeve dhe për të favorizuar harmoninë mes shteteve europiane, në atë kohë të kërcënuar prej Perandorisë otomane. Autoriteti moral që gëzonte e bënte këshilltar të kërkuar e të dëgjuar. Sot, si në kohët e shën Lorencit, bota ka shumë nevojë për paqe, ka nevojë për burra e gra paqësorë e paqësues. Të gjithë ata që besojnë në Hyjin duhet të jenë gjithmonë burime dhe veprues të paqes. Pikërisht me rastin e njërit prej këtyre misioneve diplomatike Lorenci e përfundoi jetën e tij tokësore, në vitin 1619 në Lisbonë, ku kishte shkuar pranë mbretit të Spanjës, Filipit III, për të mbrojtur çështjen e shtetasve napoletanë të keqtrajtuar prej autoriteteve lokale.

 U kanonizua në vitin 1881 dhe, për arsye të veprimtarisë së tij të fuqishme dhe të dendur, të dijes së tij të gjerë dhe të harmonishme, meritoi titullin Doctor apostolicus, “Mësues apostolik”, nga ana e të Lumit Papa Gjoni XXIII në vitin 1959, me rastin e katërqind vjetorit të lindjes së tij. Ky vlerësim iu dha Lorencit nga Brindizi edhe sepse ai qe autor i veprave të shumta të egzegezës biblike, të teologjisë dhe të shkrimeve të destinuara predikimit. Në to ai jep një paraqitje organike të historisë së shëlbimit, të përqendruar në misterin e Mishërimit, shfaqja më e madhe e dashurisë hyjnore për njerëzit. Gjithashtu, duke qenë mariolog me një vlerë të madhe, autor i një përmbledhjeje predikimesh mbi Zojën e Bekuar të titulluar “Marial”, ai vë në dukje rolin unikal të Virgjërës Mari, Të Zënit e Papërlyer dhe bashkëpunimin e të cilës në veprën e shëlbimit të bërë prej Krishtit i pohon me qartësi.

 Me një ndjeshmëri të madhe teologjike, Lorenci nga Brindizi ka vënë në dukje edhe veprimin e Shpirtit Shenjt në ekzistencën e besimtarit. Ai na kujton se me dhuratat e saj Veta e Tretë e Të Shenjtërueshmes Trini e ndriçon dhe e ndihmon angazhimin tonë për ta jetuar hareshëm mesazhin e Ungjillit. “Shpirti Shenjt – shkruan shën Lorenci – e bën të ëmbël zgjedhën e ligjit hyjnor dhe të lehtë peshën e saj, me qëllim që t’i zbatojmë urdhërimet e Hyjit me një lehtësi shumë të madhe, madje me kënaqësi”.

 Do të doja ta plotësoja këtë paraqitje të shkurtër të jetës dhe të mësimit të shën Lorencit nga Brindizi duke theksuar se e gjithë veprimtaria e tij është frymëzuar nga një dashuri e madhe për Shkrimin e Shenjtë, që e dinte gjerësisht përmendësh, dhe nga bindja se dëgjimi dhe pranimi i Fjalës së Hyjit prodhon një shndërrim të brendshëm që na çon në shenjtëri. “Fjala e Zotit – pohon ai – është dritë për intelektin dhe zjarr për vullnetin, që njeriu të mund ta njohë dhe ta dojë Hyjin. Për njeriun e brendshëm, që nëpërmjet hirit jeton prej Shpirtit shenjt, është bukë dhe ujë, por bukë më e ëmbël se mjalti dhe ujë më i mirë se vera e se qumështi... Është një çekiç kundër një zemre këmbëngulëse në vese. Është një shpatë kundër mishit, botës e djallit, për të shkatërruar çdo mëkat”.

 Shën Lorenci nga Brindizi na mëson ta duam Shkrimin e Shenjtë, të rritemi në familjaritetin me të, ta kultivojmë çdo ditë marrëdhënien e miqësisë me Zotin në lutje, kështu që çdo veprim i yni, çdo veprimtari e jona ta ketë në Të fillimin dhe përmbushjen e vet. Ky është burimi prej të cilit duhet të marrim në mënyrë që dëshmia jonë e krishterë të jetë e ndritshme dhe e aftë për t’i çuar drejt Hyjit njerëzit e kohës sonë.

 

 titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster