ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Benedikti xvi

Audienca e pergjithshme

 

 

Sheshi i Shën Pjetrit, E mërkurë, 15 qershor 2011

 

 Të dashur vëllezër e motra,

 në historinë fetare të Izraelit të lashtë, një rëndësi të madhe kanë pasur profetët me mësimin dhe predikimin e tyre. Mes tyre, del në pah figura e Elisë, i frymëzuar prej hyjit për ta çuar popullin drejt kthimit. Emri i tij do të thotë “Zoti është Hyji im” dhe pikërisht në përputhje me këtë emër zhvillohet jeta e tij, krejt e kushtuar për të ngjallur në popull njohjen e Zotit si i vetmi Hyj. Siracidi thotë për Elinë: “Atëherë porsi zjarr u ngrit profeti Eli, flaka e tij digjte si vravashka” (Sir 48,1). Me këtë flakë Izraeli rigjen ecjen e vet drejt Hyjit. Në shërbesën e vet, Elia lutet: i kërkon Zotit që të sjellë përsëri në jetë djalin e një vejushe që e kishte mikpritur në shtëpi (krh. 1Mbr 17,17-24), i shpreh Hyjit lodhjen e vet dhe ankthin e vet ndërsa ikën në shkretëtirë pasi mbretëresha Jezabela e kërkonte për ta vrarë (krh. 1Mbr 19,1-4)), por sidomos në malin Karmel tregohet në gjithë fuqinë e vet si ndërmjetës kur, para gjithë Izraelit, i lutet Zotit që të shfaqet dhe ta kthejë zemrën e popullit. Është episodi i treguar në kapitullin 18 të Librit të Parë të Mbretërve, në të cilin do të ndalemi sot.

 Gjendemi në mbretërinë e Veriut, në shekullin IX para Kr., në kohën e mbretit Akab, në një moment në të cilin në Izrael ishte krijuar një situatë sinkretizmi të hapur. Përkrah Zotit, populli adhuronte Baalin, idhullin qetësues prej të cilit besonin se vinte dhurata e shiut dhe të cilit, për këtë arsye, ia atribuonin pushtetin për t’u dhënë pjellori fushave dhe jetë njerëzve e bagëtive. Megjithëse duke pretenduar se ndiqte Zotin, Hyjin e padukshëm e të mistershëm, populli kërkonte siguri edhe në një hyjni të kuptueshëm dhe të parashikueshëm, prej të cilit mendonte se fitonte frytshmëri e begati në këmbim të flive. Izraeli po bëhej pre e joshjes së idhujtarisë, tundimit të vazhdueshëm të besimtarit, duke gënjyer veten se mund “t’u shërbente dy zotërinjve” (krh. Mt 6,24; Lk 16,13), dhe ta lehtësonte ecjen e vështirë të fesë në të Gjithëpushtetshmin duke e mbështetur besimin e vet edhe në një hyjni të pafuqishme të bërë prej njerëzve.

 Pikërisht për ta bërë të dukshme marrëzinë mashtruese të këtij qëndrimi Elia thërret popullin e Izraelit në malin Karmel dhe e vë para nevojës për të bërë një zgjedhje: “Nëse Zoti është Hyj, ndiqeni atë, po në qoftë se është Baali, ndiqeni atëherë atë” (1Mbr 18,21). Dhe profeti, bartës i dashurisë së Hyjit, nuk e lë vetëm popullin e vet para kësaj zgjedhjeje, por e ndihmon duke i treguar shenjën që do të zbulojë të vërtetën: si ai ashtu edhe profetët e Baalit do të përgatisin një fli e do të luten, dhe Hyji i vërtetë do të shfaqet duke u përgjigjur me zjarrin që do ta djegë flinë. Kështu fillon ballafaqimi mes Elisë profet dhe ndjekësve të Baalit, që në të vërtetë është mes Zotit të Izraelit, Hyjit të shëlbimit e të jetës, dhe idhullit memec e të pabazë, që nuk mund të bëjë asgjë, as për mirë e as për keq (krh. Jer 10,5). Dhe fillon edhe ballafaqimi mes dy mënyrave krejtësisht të ndryshme për t’iu drejtuar Hyjit e për t’u lutur.

 Në të vërtetë, profetët e Baalit bërtasin, trazohen, vallëzojnë duke kërcyer, hyjnë në një gjendje ngazëllimi duke arritur edhe të thereshin “me thika e me shigjeta, derisa i mbuloi gjaku” (1Mbr 18,28). Ata mbështeten në vetveten për t’i bërë thirrje hyjnisë së tyre, duke u besuar aftësive të veta për të shkaktuar përgjigjen e saj. Kështu zbulohet realiteti gënjeshtar i idhullit: ai mendohet prej njeriut si diçka që mund ta disponojë, që mund ta drejtojë me forcat e tij, të cilit mund t’i afrohet duke nisur prej vetvetes dhe prej forcës së vet jetësore. Adhurimi i idhullit, në vend që ta hapë zemrën njerëzore ndaj Tjetrit, në një marrëdhënie çliruese që e lejon të dalë prej hapësirës së ngushtë të egoizmit të vet për të hyrë në përmasat e dashurisë dhe të dhurimit të ndërsjellë, e mbyll personin në rrethin ekskluziv dhe dëshpërues të kërkimit të vetvetes. Dhe mashtrimi është i tillë sa, duke adhuruar idhullin, njeriu është i detyruar të bëjë veprime të skajshme, në përpjekjen e rremë për t’ia nënshtruar vullnetit të vet. Prandaj profetët e Baalit arrijnë edhe ta therin veten, të plagosin trupin e tyre, në një gjest dramatikisht ironik: për të marrë një përgjigje, një shenjë jete prej hyjnisë së tyre, ata mbulohen me gjak, duke u mbuluar simbolikisht me vdekje.

 Ndërsa është krejt një qëndrim i ndryshëm lutjeje ai i Elisë. Ai i kërkon popullit që të afrohet, duke e përfshirë kështu në veprimin e vet dhe në lutjen e vet. Qëllimi i sfidës që ai u drejton profetëve të Baalit ishte që ta rikthente nga Hyji popullin që ishte bjerrë duke ndjekur idhujt; prandaj ai dëshiron që Izraeli të bashkohet me të, duke u bërë pjesëmarrës e protagonist i lutjes së tij dhe i asaj që është duke ndodhur. Pastaj profeti ngre një altar, duke përdorur, siç thotë teksti, “dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të dymbëdhjetë fiseve të Jakobit, të cilit i kishte qenë drejtuar fjala e Zotit: ‘Ti do të quhesh Izrael’” (rr. 31). Ata gurë përfaqësojnë gjithë Izraelin dhe janë përkujtimi konkret i historisë së zgjedhjes, parapëlqimit dhe shëlbimit objekt i të cilit ka qenë populli. Gjesti liturgjik i Elisë ka një forcë vendimtare; altari është vendi i shenjtë që tregon praninë e Zotit, por ata gurë që e përbëjnë përfaqësojnë popullin, që tani, me ndërmjetësinë e profetit, simbolikisht është i vënë para Hyjit, bëhet “altar”, vend i dhurimit dhe i flijimit.

 Por është e nevojshme që simboli të bëhet realitet, që Izraeli ta njohë Hyjin e vërtetë dhe të rigjejë identitetin e vet si popull i Zotit. Prandaj Elia i kërkon Hyjit që të shfaqet, dhe ata dymbëdhjetë gurë që duhej t’i kujtonin Izraelit të vërtetën e tij shërbejnë edhe për t’i kujtuar Zotit besnikërinë e tij, të cilës profeti i bën thirrje në lutje. Fjalët e lutjes së tij janë plot me domethënie e me fe: “O Zot, Hyji i Abrahamit, i Izakut dhe i Izraelit, dëftoje sot se ti je Hyji në Izrael, se unë jam shërbëtori yt dhe se të gjitha këto i kam bërë me urdhrin tënd. Më dëgjo, o Zot, më dëgjo, që ky popull ta kuptojë se ti, o Zot, je Hyj dhe se ti je ai që e kthen nga vetja zemrën e tyre përsëri” (rr. 36-37; krh. Zan 32, 36-37). Elia i drejtohet Zotit duke e quajtur Hyji i Etërve, duke kujtuar kështu, në mënyrë të nënkuptuar, premtimet hyjnore dhe historinë e zgjedhjes dhe të besëlidhjes që e ka bashkuar në mënyrë të pazgjidhshme Zotin me popullin e vet. Përfshirja e Hyjit në historinë e njerëzve është e tillë që tashmë Emri i tij është i lidhur në mënyrë të pandashme me atë të Patriarkëve dhe profeti e shpall atë Emër të shenjtë në mënyrë që Hyji të kujtohet e të tregohet besnik, por edhe në mënyrë që Izraeli të ndihet i thirrur në emër e të rigjejë besnikërinë e vet. Titulli hyjnor i thënë prej Elisë, në të vërtetë, duket pak befasues. Në vend që të përdorë formulën e zakonshme, “Hyji i Abrahamit, i Izakut dhe i Jakobit”, ai përdor një titull më pak të zakonshëm: “Hyji i Abrahamit, i Izakut dhe i Izraelit”. Zëvendësimi i emrit “Jakob” me “Izrael” na kujton luftën e Jakobit në vaun e Jabokut me ndryshimin e emrit të cilit i referohet tregimtari në mënyrë të qartë (krh. Zan 32,31) dhe për të cilin kam folur në një prej katekezave të mëparshme. Ky zëvendësim merr një domethënie të veçantë brenda lutjes së Elisë. Profeti është duke u lutur për popullin e mbretërisë së Veriut, që quhej pikërisht Izrael, i dalluar prej Judës, që tregonte mbretërinë e Jugut. Dhe tani, ky popull, që duket se e ka harruar origjinën e vet dhe marrëdhënien e vet të privilegjuar me Zotin, ndihet i thirrur në emër ndërsa thuhet Emri i Hyjit, Hyjit të Patriarkut dhe Hyjit të popullit: “O Zot, Hyj... [...] dëftoje sot se ti je Hyji në Izrael”.

 Populli për të cilin Elia lutet vihet përsëri përpara të vërtetës së vet, dhe profeti kërkon që edhe e vërteta e Zotit të shfaqet dhe që Ai të ndërhyjë për ta kthyer Izraelin, duke e larguar prej mashtrimit të idhujtarisë e duke e kthyer kështu në shëlbim. Kërkesa e tij është që populli më në fund të dijë plotësisht se kush është me të vërtetë Hyji i tij, dhe të bëjë zgjedhjen vendimtare për të ndjekur vetëm Atë, Hyjin e vërtetë. Sepse vetëm kështu Hyji njihet për atë që është, Absolut dhe Transhendent, pa mundësinë për t’i vënë afër hyjni të tjera, që do ta mohonin si absolut, duke e relativizuar Atë. Kjo është feja që e bën Izraelin popull të Hyjit; është feja e shpallur në tekstin e njohur të Shema’ Israel: “Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm! Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde” (Lp 6,4-5). Absolutit të Hyjit, besimtari duhet t’i përgjigjet me një dashuri absolute, të plotë, që angazhon gjithë jetën e tij, forcat e tij, zemrën e tij. Dhe pikërisht për zemrën e popullit të vet profeti, me lutjen e vet, është duke kërkuar kthimin: “që ky popull ta kuptojë se ti, o Zot, je Hyj dhe se ti je ai që e kthen nga vetja zemrën e tyre përsëri!” (1Mbr 18,37). Elia, me ndërmjetësinë e vet, i kërkon Hyjit atë që vetë Hyji dëshiron të bëjë, të shfaqet në gjithë mëshirën e vet, besnik ndaj realitetit të vet si Zot i jetës që fal, kthen, shndërron.

 Dhe është ajo që ndodh: “Dhe ra zjarri i Zotit dhe e përpiu flinë e shkrumbimit, drutë, gurët, pluhurin, e thithi deri edhe ujin në kanal. Populli, posa e pa këtë gjë, ra përmbys me fytyrë përdhe e tha: ‘Zoti është Hyj, Zoti është Hyj’” (rr. 38-39). Zjarri, ky element njëkohësisht i nevojshëm dhe i tmerrshëm, i lidhur me shfaqjet hyjnore të kaçubës së zjarrtë dhe të Sinait, tani shërben për të treguar dashurinë e Hyjit që i përgjigjet lutjes dhe i shfaqet popullit të vet. Baali, hyjnia memece dhe e pafuqishme, nuk u ishte përgjigjur lutjeve të profetëve të vet; ndërsa Zoti përgjigjet, dhe në mënyrë të padyshimtë, jo vetëm duke e përpirë flinë, por madje duke e terur gjithë ujin që ishte derdhur përreth altarit. Izraeli nuk mund të ketë më dyshime; mëshira hyjnore i ka dalë përpara dobësisë së tij, dyshimeve të tij, mungesës së tij të fesë. Tani, Baali, idhulli i kotë, është mposhtur, dhe populli, që dukej i bjerrur, e ka rigjetur rrugën e të vërtetës dhe e ka rigjetur edhe vetveten.

 Të dashur vëllezër e motra, çfarë na thotë ne kjo histori e të kaluarës? Cila është e tashmja e kësaj historie? Para së gjithash është në diskutim parësia e urdhërimit të parë: adhurimi vetëm i Hyjit. Aty ku zhduket Hyji, njeriu bie në robërinë e idhujtarive, siç kanë treguar, në kohën tonë, regjimet totalitare dhe siç tregojnë edhe forma të ndryshme të nikilizmit, që e bëjnë njeriun të varur prej idhujve, prej idhujtarive; e skllavërojnë atë. E dyta. Qëllimi parësor i lutjes është kthimi: zjarri i Hyjit që e shndërron zemrën tonë e na bën të aftë ta shohim Hyjin dhe kështu të jetojmë sipas Hyjit e të jetojmë për tjetrin. Dhe pika e tretë. Etërit na thonë se edhe kjo histori e një profeti është profetike, nëse – thonë ata – është hije e të ardhmes, e Krishtit të ardhshëm; është një hap në ecjen drejt Krishtit. Dhe na thonë se këtu shohim zjarrin e vërtetë të Hyjit: dashuria që e udhëheq Zotin deri në kryq, deri në dhurimin e plotë të vetvetes. Kështu, adhurimi i vërtetë i Hyjit është t’ia kushtojmë vetveten Hyjit dhe njerëzve, adhurimi i vërtetë është dashuria. Dhe adhurimi i vërtetë i Hyjit nuk shkatërron, por përtërin, shndërron. Sigurisht, zjarri i Hyjit, zjarri i dashurisë djeg, shndërron, pastron, por pikërisht kështu nuk shkatërron, por krijon të vërtetën e jetës sonë, rikrijon zemrën tonë. E kështu, realisht të gjallë me hirin e zjarrit të Shpirtit Shenjt, të dashurisë së Hyjit, jemi adhurues në shpirt e në të vërtetë. Faleminderit.

 

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster