|
|
BENEDIKTI XVI
AUDIENCË E PËRGJITHSHME
Salla Pal VI, e mërkurë, 13 janar 2010
Urdhrat Lypsarë
Të dashur vëllezër e motra,
në fillim të vitit të ri le të vështrojmë
historinë e Krishterimit, për të parë se si zhvillohet një histori dhe
si mund të përtërihet ajo. Në të mund të shohim se janë shenjtërit, të
udhëhequr prej dritës së Hyjit, reformuesit e përnjëmendtë të jetës së
Kishës dhe të shoqërisë. Mësues me fjalën dhe dëshmitarë me shembullin,
ata dinë të nxisin një përtëritje kishtare të qëndrueshme dhe të thellë,
sepse ata vetë janë thellësisht të përtërirë, janë në kontakt me risinë
e vërtetë: praninë e Hyjit në botë. Ky realitet ngushëllues, pra se në
çdo brez lindin shenjtër dhe sjellin krijimtarinë e përtëritjes, e
shoqëron vazhdimisht historinë e Kishës në mes të trishtimeve dhe të
aspekteve negative të ecjes së saj. Në të vërtetë, shekull pas shekulli
shohim të lindin edhe forcat e reformës dhe të përtëritjes, sepse risia
e Hyjit është e pashtershme dhe jep gjithnjë forcë të re për të ecur
përpara. Kështu ndodhi edhe në shekullin e trembëdhjetë, me lindjen dhe
zhvillimin e jashtëzakonshëm të Urdhrave Lypsarë: një model përtëritjeje
të madhe në një epokë të re historike. Ata u quajtën kështu prej
karakteristikës së tyre të “të lypurit”, pra, prej përdorimit të
përvuajtur të mbështetjes ekonomike të njerëzve për të jetuar kushtin e
varfërisë dhe për të kryer misionin e tyre ungjillëzues. Ndër Urdhrat
Lypsarë që lindën në atë periudhë, më të njohurit dhe më të rëndësishmit
janë Fretërit Minorë dhe Fretërit Predikatarë, të njohur si Françeskanë
dhe Domenikanë. Ata quhen kështu prej emrit të Themeluesve të tyre,
përkatësisht Françesku i Asizit dhe Dominiku i Guzmanit. Këta dy
shenjtër të mëdhenj patën aftësinë t’i lexonin me mençuri “shenjat e
kohëve”, duke i kuptuar sfidat që duhej të përballonte Kisha e kohës së
tyre.
Një sfidë e parë përfaqësohej prej
përhapjes së grupeve dhe lëvizjeve të ndryshme të besimtarëve që,
megjithëse të frymëzuar prej një dëshire të ligjshme për jetë të
përnjëmendtë të krishterë, shpesh vendoseshin jashtë bashkimit kishtar.
Ishin në kundërshtim të thellë me Kishën e pasur e të bukur që ishte
zhvilluar pikërisht me lulëzimin e monakizmit. Në Katekizmat e kohëve të
fundit jam ndalur në bashkësinë monastike të Klynisë, që i kishte
tërhequr gjithnjë e më shumë të rinjtë dhe pra forcat jetësore, sikurse
edhe të mirat dhe pasuritë. Kështu, logjikisht, ishte zhvilluar, në një
moment të parë, një Kishë e pasur me prona si dhe e palëvizshme. Kundër
kësaj Kishe doli ideja se Krishti ka ardhur në tokë i varfër dhe se
Kisha e vërtetë do të duhej të ishte pikërisht Kisha e të varfërve;
dëshira për një përnjëmendësi të vërtetë të krishterë iu kundërvu kështu
realitetit të Kishës empirike. Bëhet fjalë për të ashtuquajturat lëvizje
pauperistike të Mesjetës. Ato e kundërshtonin ashpër mënyrën e të
jetuarit të meshtarëve dhe të murgjërve të kohës, të akuzuar se e kishin
tradhtuar Ungjillin dhe se nuk e praktikonin varfërinë sikurse të
krishterët e parë, dhe këto lëvizje i kundërvunë shërbesës së
Ipeshkvinjve një “hierarki paralele” të tyre. Veç kësaj, për t’i
arsyetuar zgjedhjet e tyre, përhapën doktrina të papërkueshme me fenë
katolike. Për shembull, lëvizja e Katarëve apo Albigezëve riparaqiti
hereti të hershme, sikurse zhvlerësimi apo përçmimi i botës materiale –
kundërshtimi i pasurisë bëhet me të shpejtë kundërshtim i realitetit
material si i tillë – mohimi i vullnetit të lirë, dhe pastaj dualizmi,
ekzistenca e një parimi të dytë të të keqes i barazuar me Hyjin. Këto
lëvizje patën sukses, sidomos në Francë dhe në Itali, jo vetëm prej
organizimit të fortë, por edhe sepse padisnin një çrregullim real në
Kishë, të shkaktuar prej sjelljes jo shembullore të eksponentëve të
ndryshëm të klerit.
Ndërsa
Françeskanët dhe Domenikanët, në vazhdën e Themeluesve të tyre, treguan
se ishte e mundur të jetohej varfëria ungjillore, e vërteta e Ungjillit
si e tillë, pa u ndarë prej Kishës; treguan se Kisha mbetet vendi i
vërtetë dhe i përnjëmendtë i Ungjillit dhe i Shkrimit. Madje, Domeniku
dhe Françesku, pikërisht prej bashkimit të thellë me Kishën dhe me
Papatin e morën forcën e dëshmisë së tyre. Me një zgjedhje krejtësisht
origjinale në historinë e jetës së kushtuar Zotit, Anëtarët e këtyre
Urdhrave jo vetëm hiqnin dorë prej pasjes së të mirave personale,
sikurse bënin murgjërit që prej lashtësisë, por as nuk donin që
bashkësisë t’i jepeshin terrene dhe pasuri të palujtshme. Kështu synonin
të dëshmonin një jetë tejet të përkormë, për të qenë solidarë me të
varfërit dhe për t’u mbështetur vetëm në Provaninë, të jetonin çdo ditë
prej Provanisë, duke u vënë në duart e Hyjit. Ky stil personal dhe
bashkësior i Urdhrave Lypsarë, bashkë me bashkimin e plotë me mësimin e
Kishës dhe me autoritetin e saj, u çmua shumë prej Papëve të asaj epoke,
si Inoçenci III dhe Honori III, të cilën ua dhanë mbështetjen e tyre të
plotë këtyre përvojave kishtare, duke parë në to zërin e Shpirtit. Dhe
frytet nuk munguan: grupet pauperistike që ishin ndarë prej Kishës u
kthyen në bashkësinë kishtare ose, mengadalë, u ridimensionuan deri sa u
zhdukën. Edhe sot, megjithëse duke jetuar në një shoqëri në të cilën
shpesh mbizotëron “të pasurit” mbi “të qenit”, njerëzit janë shumë të
ndjeshëm ndaj shembujve të varfërisë dhe të solidaritetit, që besimtarët
japin me anë të zgjedhjeve të guximshme. Edhe sot nuk mungojnë nisma të
tilla: lëvizjet, që nisin realisht prej risisë së Ungjillit dhe e
jetojnë atë me rrënjësi në të sotmen, duke u vënë në duart e Hyjit, për
t’i shërbyer të afërmit. Bota, sikurse kujtonte Pali VI në Evangelii
nuntiandi, i dëgjon me gjithë qejf mësuesit, kur janë edhe dëshmitarë.
Ky është një mësim që nuk duhet harruar kurrë në veprën e përhapjes së
Ungjillit: të jetojmë të parët atë që shpallim, të jemi pasqyrë e
dashurisë hyjnore.
Françeskanët
dhe Domenikanët qenë dëshmitarë, por edhe mësues. Në të vërtetë, një
tjetër kërkesë e përhapur në epokën e tyre ishte ajo e mësimit fetar. Jo
pak besimtarë laikë, që banonin në qytetet në rrugë zgjerimi të madh,
dëshironin të praktikonin një jetë të krishterë shpirtërisht të dendur.
Pra, kërkonin ta thellonin njohjen e fesë dhe të udhëhiqeshin në ecjen e
guximshme por entuziazmuese të shenjtërisë. Urdhrat Lypsarë ditën t’i
përgjigjen mirë edhe kësaj nevoje: kumtimi i Ungjillit në thjeshtësi dhe
në thellësi e madhështi ishte një qëllim, ndoshta qëllimi kryesor i
kësaj lëvizjeje. Në të vërtetë, me zell të madh, iu përkushtuan
predikimit. Ishin të shumtë besimtarët, shpesh turma të vërteta, që
mblidheshin për të dëgjuar predikatarët në kishat dhe në vendet e
hapura; le të mendojmë për shna Ndoun, për shembull. Trajtoheshin
argumente afër jetës së njerëzve, sidomos praktikimi i virtyteve
teologale dhe morale, me shembuj konkretë, që kuptoheshin lehtë. Veç
kësaj, mësoheshin forma për ta ushqyer jetën e lutjes dhe
përshpirtërinë. Për shembull, Françeskanët përhapën shumë devocionin
ndaj njerëzimit të Krishtit, me angazhimin për të imituar Zotin. Prandaj
nuk na befason fakti se ishin të shumtë besimtarët, gra e burra, që
zgjidhnin të shoqëroheshin në ecjen e krishterë prej fretërve
Françeskanë dhe Domenikanë, drejtues shpirtërorë dhe rrëfyes të kërkuar
e të çmuar. Kështu lindën shoqata besimtarësh laikë që frymëzoheshin
prej përshpirtërisë së shën Françeskut dhe shën Domenikut, të përshtatur
gjendjes së tyre të jetës. Bëhet fjalë për Urdhrin e Tretë, qoftë
françeskan qoftë domenikan. Me fjalë të tjera, propozimi i një
“shenjtërie laikale” bëri për vete shumë persona. Sikurse ka kujtuar
Koncili II Ekumenik i Vatikanit, thirrja në shenjtëri nuk është e
rezervuar për disa, por është e gjithëmbarshme (krh. Lumen gentium, 40).
Në të gjitha gjendjet e jetës, sipas kërkesave të secilës prej tyre,
gjendet mundësia për ta jetuar Ungjillin. Edhe sot çdo i krishterë duhet
të priret nga “masa e lartë e jetës së krishterë”, çfarëdo gjendjeje
jete që t’i përkasë!
Rëndësia e Urdhrave Lypsarë u rrit aq
shumë në Mesjetë sa Institucionet laikale, sikurse organizatat e punës,
korporatat e hershme dhe vetë autoritetet civile, shpesh përdornin
këshillën shpirtërore të Anëtarëve të këtyre Urdhrave për hartimin e
rregulloreve të tyre dhe, nganjëherë, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve
të brendshme e të jashtme. Françeskanët dhe Domenikanët u bënë
animatorët shpirtërorë të qytetit mesjetar. Me një intuitë të madhe, ata
vunë në jetë një strategji baritore të përshtatur shndërrimeve të
shoqërisë. Meqenëse shumë persona zhvendoseshin prej fshatrave në qytete,
ata i vendosën kuvendet e tyre jo më në zonat rurale, por në ato urbane.
Veç kësaj, për të zhvilluar veprimtarinë e tyre në dobi të shpirtrave,
ishte e nevojshme të zhvendoseshin sipas kërkesave baritore. me një
zgjedhje tjetër krejtësisht të re, Urdhrat Lypsarë e braktisën parimin e
qëndrueshmërisë, klasik të monikizmit antik, për të zgjedhur një mënyrë
tjetër. Minorët dhe Predikatarët udhëtonin nga një vend në tjetrin, me
zell misionar. Si rrjedhojë, morën një organizim të ndryshëm në krahasim
me atë të pjesës më të madhe të Urdhrave monastikë. Në vend të
autonomisë tradicionale që gëzonte çdo manastir, ata i dhanë rëndësi më
të madhe urdhrit si i tillë dhe Eprorit të Përgjithshëm, si edhe
strukturës së Provincave. Kjo përkulshmëri bëri të mundur dërgimin e
fretërve më të përshtatshëm për zhvillimin e misioneve specifike dhe
Urdhrat Lypsarë arritën në Afrikën veriore, në Lindjen e Mesme, në
Europën Veriore. Me këtë përkulshmëri dinamizmi misionar u përtëri.
Një
tjetër sfidë përfaqësohej prej shndërrimeve kulturore të asaj kohe.
Çështje të reja e bënin të gjallë diskutimin në universitetet e lindura
në fund të shekullit XII. Minorët dhe Predikatarët nuk ngurruan ta
merrnin përsipër edhe këtë angazhim dhe, si studentë dhe profesorë, hynë
në universitetet më të famshme të kohës, ngritën qendra studimi,
pordhuan tekste me vlerë të madhe, u dhanë jetë shkollave të vërteta të
mendimit, qenë protagonistë të teologjisë skolastike në periudhën e saj
më të mirë, ndikuan në mënyrë domethënëse në zhvillimin e mendimit.
Mendimtarët më të mëdhenj, shën Toma i Akuinit dhe shën Bonaventura,
ishin lypsarë, duke punuar pikërisht me këtë dinamizëm të ungjillëzimit
të ri, që ka përtërirë edhe guximin e mendimit, të dialogut mes arsyes
dhe fesë. Edhe sot ekziston një “dashuri të dhe në të vërtetën”, një
“dashuri intelektuale” që duhet ushtruar, për të ndriçuar inteligjencat
dhe për ta bashkuar fenë me kulturën. Angazhimi i Françeskanëve dhe
Domenikanëve në universitetet mesjetare është një ftesë, të dashur
besimtarë, për t’u bërë të pranishëm në vendet e përpunimit të dijes,
për të propozuar, me respekt dhe bindje, dritën e Ungjillit mbi çështjet
themelore që i interesojnë njeriut, dinjitetin e tij, fatin e tij të
pasosur. Duke menduar për rolin e Françeskanëve dhe Domenikanëve të
Mesjetës, për përtëritjen shpirtërore që nxitën ata, për frymën e jetës
së re që i komunikuan botës, një murg ka thënë: “Në atë kohë bota po
plakej. Dy Urdhra lindën në Kishë, rininë e të cilës e përtërinë si atë
të një shqiponje” (Burchard d’Ursperg, Chronicon).
Të dashur vëllezër e motra, pikërisht në
fillim të këtij viti le ta thërrasim Shpirtin Shenjt, rininë e amshuar
të Kishës: ai le të bëjë që secili të ndiejë nevojën e ngutshme për të
dhënë një dëshmi koherente dhe të guximshme të ungjillit, me qëllim që
të mos mungojnë kurrë shenjtërit, që e bëjnë Kishën të shkëlqejë si nuse
gjithmonë e pastër dhe e bukur, pa njollë e pa rrudhë, e aftë ta tërheqë
në mënyrë të papërballueshme botën ndaj Krishtit, ndaj shëlbimit të saj.
titujt kryesorë |
|