ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Audience e pergjithshme

shën Françeskut të Asizit

 

 

 

Të dashur vëllezër e motra,

në një katekezë të kohëve të fundit kam ilustruar rolin provanor që urdhri i Fretërve Minorë dhe Urdhri i Fretërve Predikatarë, të themeluar përkatësisht prej shën Françeskut të Asizit dhe prej shën Domenikut të Guzmanit, patën në përtëritjen e Kishës së kohës së tyre. Sot do të doja t’ju paraqes figurën e Françeskut, një “gjigand” i vërtetë i shenjtërisë, që vazhdon të mrekullojë shumë persona të çdo moshe dhe të çdo besimi.

 “Lindi në botë një diell”. Me këto fjalë, në Komedinë Hyjnore (Parajsa, Kënga XI), poeti i madh italian Dante Alighieri flet për lindjen e Françeskut, që ka ndodhur në fund të vitit 1181 apo në fillimet e vitit 1182, në Asizi. I përkiste një familjeje të pasur – babai i tij ishte tregtar stofrash. Françesku kaloi një adoleshencë dhe një rini të hareshme, duke kultivuar idealet kalorësiake të kohës. Në moshën njëzet vjeçare mori pjesë në një fushatë ushtarake, dhe ra rob.

 U sëmur dhe e liruan. Pas kthimit në Asizi, filloi në të një proces i ngadaltë kthimi shpirtëror, që e bëri të braktiste gradualisht stilin e jetës së botës, që kishte praktikuar deri në atë kohë. Asaj periudhe i përkasin episodet e njohura të takimit me të gërbulurin, të cilit Françesku, pasi zbriti nga kali, i dha puthjen e paqes, si edhe ai i mesazhit të të Kryqëzuarit në kishëzën e Shën Damianit. Tri herë Krishti në kryq mori shpirt dhe i tha: “Shko, Françesk, dhe ndreqe Kishën time që po shkatërrohet”. Kjo ngjarje e thjeshtë e fjalës së Zotit të dëgjuar në kishën e Shën Damianit fsheh një simbol të thellë. Menjëherë shën Françesku është i thirrur ta ndreqë këtë kishëz, por gjendja e shkatërruar e kësaj ndërtese është simbol i situatës dramatike dhe shqetësuese të vetë Kishës në atë kohë, me një fe sipërfaqësore që nuk formon dhe nuk e shndërron jetën, me një kler jo të zellshëm, me ftohjen e dashurisë; një shkatërrim i brendshëm i Kishës që sjell edhe një dekompozim të njësisë, me lindjen e lëvizjeve heretike. Megjithatë, në qendrën e kësaj Kishe që po rrënohet gjendet i Kryqëzuari dhe flet: thërret në përtëritje, thërret Françeskun në një punë krahu për të ndrequr konkretisht kishëzën e shën Damianit, simbol i thirrjes më të thellë për të përtërirë vetë Kishën e Krishtit, me rrënjësinë e tij të fesë dhe me entuziazmin e tij të dashurisë për Krishtin. Kjo ngjarje, Të vitiT 1205, të bën të mendosh për një tjetër ngjarje të ngjashme që ka ndodhur në vitin 1207: ëndrra e Papës Inoçenci III. Ky pa në ëndërr se Bazilika e Shën Gjonit në Lateran, kisha nënë e të gjitha kishave, është duke u shembur dhe një FRAT i vogël e i parëndësishëm e mban me shpatullat e veta kishën që të mos shembet. Është interesante të vërejmë, nga njëra anë, se nuk është Papa ai që e jep ndihmën në mënyrë që kisha të mos shembet, por një rregulltar i vogël dhe i parëndësishëm, që Papa njeh në Françeskun i cili i bën vizitë. Inoçenci III ishte një Papë i fuqishëm, me kulturë të madhe teologjike, sikurse edhe me pushtet të madh politik, megjithatë nuk është ai që e përtërin Kishën, por frat i vogël dhe i parëndësishëm: është shën Françesku, i thirrur prej Hyjit. Por, nga ana tjetër, është e rëndësishme të vërejmë se shën Françesku nuk e përtërin Kishën pa ose kundër Papën, por vetëm në bashkim me të. Dy realitetet shkojnë së bashku: Pasardhësi i Pjetrit, Ipeshkvinjtë, Kisha e themeluar në pasardhësinë e Apostujve dhe karizma e re që Shpirti Shenjt krijon në këtë moment për të përtërirë Kishën. Së bashku rritet përtëritja e vërtetë.

 Le të kthehemi te jeta e shën Françeskut. Meqenëse i ati, Bernardoni, e qortonte për bujarinë e tepërt ndaj të varfërve, Françesku, para Ipeshkvit të Asizit, me një gjest simbolik i zhveshi rrobat e tij, duke nënkuptuar kështu se hiqte dorë prej trashëgimisë atërore: si në momentin e krijimit, Françesku nuk ka asgjë, por vetëm jetën që i ka dhuruar Hyji, në duart e të cilit dorëzohet. Pastaj jetoi si heremit, deri kur, në vitin 1208, pati një tjetër ndodhi themelore në itinerarin e kthimit të tij. Duke dëgjuar një pjesë të Ungjillit të Mateut – fjalimin e Jezusit drejtuar apostujve të dërguar në mision –, Françesku u ndie i thirrur për të jetuar në varfëri dhe për t’iu kushtuar predikimit. Të tjerë shokë u bashkuan me të, dhe në vitin 1209 shkoi në Romë, për t’ia parashtruar Papës Inoçenci III projektin e një forme të re jete të krishterë. Pati një pritje atërore prej atij Pape të madh, që, i ndriçuar prej Zotit, e kuptoi origjinën hyjnore të lëvizjes së nxitur prej Françeskut. I Varfëri i Asizit kishte kuptuar se çdo karizmë e dhuruar prej Shpiritt Shenjt duhet vënë në shërbim të Trupit të Krishtit, që është Kisha; prandaj veproi gjithmonë në bashkim të plotë me autoritetin kishtar. Në jetën e shenjtërve nuk ka kundërshti mes karizmës profetike dhe karizmës së drejtimit dhe, nëse krijohet ndonjë tension, ata dinë të presin me durim kohët e Shpirtit Shenjt. 

Në të vërtetë, disa historianë në Tetëqindën si dhe në shekullin e kaluar janë munduar të krijojnë pas Françeskut të traditës, një të ashtuquajtur Françesk historik, ashtu sikurse disa mundohen të krijojnë pas Jezusit të Ungjijve, një të ashtuquajtur Jezus historik. Ky Françesk historik sipas tyre nuk ka qenë një njeri i Kishës, por një njeri i lidhur drejtpërdrejt vetëm me Krishtin, një njeri që donte të krijonte një përtëritje të popullit të Hyjit, pa forma kanonike dhe pa hierarki. E vërteta është se shën Françesku ka pasur realisht një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Jezusin dhe me fjalën e Hyjit, që donte ta ndiqte sine glossa, ashtu siç është, në të gjithë rrënjësinë dhe të vërtetën e saj. Është e vërtetë edhe se fillimisht nuk kishte ndërmend të krijonte një Urdhër me format kanonike të nevojshme, por, thjesht, me fjalën e Hyjit dhe praninë e Zotit, ai donte të përtërinte popullin e Hyjit, ta thërriste këtë popull përsëri në dëgjimin e fjalës dhe në dëgjesën e Krishtit. Veç kësaj, e dinte se Krishti nuk është kurrë “i imi”, por është gjithmonë “i yni”, se Krishtin nuk mund ta kem “unë” e ta rindërtoj “unë” kundër Kishës, vullnetit të tij dhe mësimit të tij, por vetëm në bashkësinë e Kishës së ndërtuar mbi pasardhësinë e Apostujve përtërihet edhe dëgjesa ndaj fjalës së Zotit.

 Është e vërtetë edhe se nuk kishte ndërmend të krijonte një urdhër të ri, por vetëm të përtërinte popullin e Hyjit për Zotin që vjen. Por e kuptoi me vuajtje dhe me dhimbje se gjithçka duhet të ketë rendin e vet, se edhe e drejta e Kishës është e nevojshme për t’i dhënë formë përtëritjes dhe kështu u përfshi realisht e në mënyrë të plotë, me zemër, në bashkimin e Kishës, me Papën dhe me Ipeshkvinjtë. E dinte gjithmonë se qendra e Kishës është Eukaristia, ku Trupi i Krishtit dhe Gjaku i tij bëhen të pranishëm. Nëpërmjet Meshtarisë, Eukaristia është Kisha. Aty ku Meshtaria, Krishti dhe bashkësia e Kishës shkojnë së bashku, vetëm aty banon edhe fjala e Zotit. Françesku i vërtetë historik është Françesku i Kishës dhe pikërisht në këtë mënyrë u flet edhe jo besimtarëve, besimtarëve të konfesioneve dhe besimeve të tjera.

 Françesku dhe fretërit e tij, gjithnjë e më të shumtë, u vendosën në Porciunkola, apo kishën e Shenjtes Mari të Engjëjve, vend i shenjtë i përshpirtërisë françeskane. Edhe Kiara, një grua e re e Asizit, prej një familjeje fisnike, u vu në shkollën e Françeskut. Kështu zuri fill Urdhri i Dytë françeskan, ai i Klariseve, një tjetër përvojë e destinuar për të prodhuar fryte të shkëlqyera shenjtërie në Kishë.

 Edhe pasardhësi i Inoçencit III, Papa Honori III, me bollën e tij Cum dilecti të vitit 1218 e mbështeti zhvillimin e jashtëzakonshëm të Fretërve Minorë të parë, që po i hapnin misionet e tyre në vende të ndryshme të Europës, dhe madje edhe në Marok. Në vitin 1219 Françesku mori lejen të shkonte në Egjipt për të folur me sulltanin musliman Melek-el-Kamel, për ta pradikuar edhe atje Ungjillin e Jezusit. Dëshiroj ta theksoj këtë episod të jetës së shën Françeskut, që ka një aktualitet të madh. Në një epokë në të cilën ishte në zhvillim e sipër përplasja mes Krishterimit dhe Islamit, Françesku, i armatosur vullnetarisht vetëm me fenë e tij dhe me butësinë e tij personale, përshkoi me efikasitet rrugën e dialogut. Kronikat na flasin për një mikpritje dashamirëse dhe të përzemërt nga ana e sulltanit musliman. Është një model prej të cilit edhe sot duhet të frymëzohen marrëdhëniet mes të krishterëve dhe muslimanëve: të nxitet një dialog në të vërtetën, në respektin e ndërsjellë dhe në kuptimin e ndërsjellë (krh. Nostra Aetate, 3). Pastaj, duket se në vitin 1220 Françesku ka vizituar Tokën e Shenjtë, duke hedhur kështu një farë që do të sillte shumë fryt: në të vërtetë, bijtë e tij shpirtërorë i bënë Vendet në të cilat ka jetuar Jezusi një mjedis të privilegjuar të misionit të tyre. Me mirënjohje mendoj sot për meritat e mëdha të Françeskanëve në Tokën e Shenjtë.

 Kur u kthye në Itali, Françesku ia dorëzoi drejtimin e Urdhrit mëkëmbësit të tij, fra Pietro Cattani, ndërsa Papa ia dorëzoi mbrojtjes së Kardinalit Ugolino, Papës së ardhshëm Gregori IX, Urdhrin, që mblidhte gjithnjë e më shumë anëtarë. Nga ana e tij, Themeluesi, krejt i kushtuar predikimit që e kryente me sukses të madh, hartoi një Rregull, që pastaj e miratoi Papa.

 Në vitin 1224, në heremin e Vernës, Françesku sheh të Kryqëzuarin në formën e një serafini dhe prej takimit me serafinin e kryqëzuar, mori varrët; ai bëhet kështu një me Krishtin e kryqëzuar: pra, një dhuratë që shpreh identifikimin e tij të brendshëm me Zotin.

 Vdekja e Françeskut – transitus-i i tij –ndodhi mbrëmjen e 3 tetorit 1226, në Porciukola. Pasi i bekoi bijtë e tij shpirtërorë, ai vdiq, i shtrirë drejtpërdrejt në tokë. Dy vjet më vonë Papa Gregori IX e shkroi në librin e shenjtërve. Pak kohë më vonë, një bazilikë e madhe në nder të tij do të ngrihej në Asizi, ende edhe sot pikë arritjeje e shumë shtegtarëve, që mund ta nderojnë varrin e shenjtit dhe të shijojnë afresket e Giotto-s, piktor që e ka ilustruar në mënyrë të shkëlqyer jetën e Françeskut.

 Është thënë se Françesku përfaqëson një alter Christus, ishte vërtet një ikonë e gjallë e Krishtit. Ai thirrej edhe “vëllai i Jezusit”. Në të vërtetë, ky ishte ideali i tij: të ishte si Jezusi; të sodiste Krishtin e Ungjillit, ta donte atë fort, të imitonte virtytet e tij. Veçanërisht, ai ka dashur t’i japë një vlerë themelore varfërisë së brendshme dhe të jashtme, duke ua mësuar atë edhe bijve të vet shpirtërorë. Lumturia e parë e Fjalimit në Mal – Lum skamnorët në shpirt se e tyre është mbretëria e qiellit (Mt 5,3) – ka gjetur një realizim të ndritshëm në jetën dhe në fjalët e shën Françeskut. Vërtet, miq të dashur, shenjtërit janë interpretuesit më të mirë të Biblës; ata, duke mishëruar në jetën e tyre Fjalën e Zotit, e bëjnë atë tërheqëse më shumë se kurrë, kështu që flet realisht me ne. Dëshmia e Françeskut, që e ka dashur varfërinë për ta ndjekur Krishtin me përkushtim dhe liri të plotë, vazhdon të jetë edhe për ne një ftesë për të kultivuar varfërinë e brendshme e për t’u rritur në besimin në Hyjin, duke bashkangjitur edhe një stil jete të përkormë dhe një shkëputje prej të mirave materiale.

 Në Françeskun dashuria për Krishtin u shpreh në mënyrë të veçantë në adhurimin e të Shenjtërueshmit Sakrament të Eukaristisë. Në Fonti francescane lexohen shprehje prekëse, si kjo: “I gjithë njerëzimi le të druajë, gjithësia e tëra le të dridhet dhe qielli le të ngazëllejë, kur mbi altar, në dorën e meshtarit, gjendet Krishti, Biri i Hyjit të gjallë. O hir i mrekullueshëm! O sublimitet i përvuajtur, që Zoti i gjithësisë, Hyji dhe Biri i Hyjit, të përvujtërohet kështu sa të fshihet për shëlbimin tonë, nën një formë të ulët buke” (Françesku i Asizit, Scritti, Editrici Francescane, Padova 2002, 401).

 Në këtë vit meshtarak, më pëlqen të kujtoj edhe një porosi që Françesku u ka drejtuar meshtarëve: “Kur të duan të kremtojnë Meshën, të pastër në mënyrë të pastër, ta bëjnë me nderim flinë e vërtetë të të shenjtërueshmit Trup e Gjak të Zotit tonë Jezu Krishtit” (Françesku i Asizit, Scritti, 399). Françesku tregonte gjithmonë një respekt të madh ndaj meshtarëve, dhe porosiste që të nderoheshin gjithmonë, edhe nëse personalisht ishin jo të denjë. Si motivim të këtij respekti të thellë sillte faktin se ata kanë marrë dhuratën e shugurimit të Eukaristisë. Të dashur vëllezër në meshtari, le të mos e harrojmë kurrë këtë mësim: shenjtëria e Eukaristisë na kërkon të jemi të pastër, të jetojmë në mënyrë koherente me Misterin që kremtojmë.

 Prej dashurisë për Krishtin lind dashuria ndaj personave si dhe ndaj të gjitha krijesave të Hyjit. Ja një tjetër karakteristikë e përshpirtërisë së Françeskut: ndjenja e vëllazërisë universale dhe dashuria për botën e krijuar, që i frymëzoi të famshmen “Kënga e krijesave”. Është një mesazh shumë aktual. Sikurse kam kujtuar në Enciklikën time të kohëve të fundit Caritas in veritate, është i pranueshëm vetëm një zhvillim që e respekton krijimin dhe që nuk e dëmton mjedisin (krh. nr. 48-52), dhe në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes të këtij viti kam theksuar edhe se ndërtimi i një paqeje të qëndrueshme është i lidhur me respektimin e botës së krijuar. Françesku na kujton se në krijim shpaloset dija dhe dashamirësia e Krijuesit. Natyra kuptohet prej tij pikërisht si një gjuhë në të cilën Hyji flet me ne, në të cilën realiteti bëhet i tejdukshëm dhe ne mund të flasim për Hyjin dhe me Hyjin.

 Të dashur miq, Françesku ka qenë një shenjt i madh dhe një njeri i hareshëm. Thjeshtësia e tij, përvujtëria e tij, feja e tij, dashuria e tij për Krishtin, mirësia e tij ndaj çdo burri e çdo gruaje e kanë bërë të gëzueshëm në çdo situatë. Në të vërtetë, mes shenjtërisë dhe gëzimit ekziston një marrëdhënie intime dhe e pazgjidhshme. Një shkrimtar francez ka thënë se në botë ka vetëm një trishtim: ai i të mos qenit shenjtër, pra e të mos qenit afër Hyjit. Duke parë dëshminë e shën Françeskut, e kuptojmë se ky është sekreti i lumturisë së vërtetë: të bërit shenjtër, afër Hyjit!

 Na e nxjerrtë këtë dhuratë Virgjëra, aq e dashur prej Françeskut. Le t’i besohemi Saj me vetë fjalët e Varfanjakut të Asizit: “Shenjtja Mari Virgjër, ndër gratë e lindura në botë nuk ka tjetër të ngjashme me ty, bijë dhe shërbëtore e të tejetlartit Mbret e Atë qiellor, Nënë e të shenjtërueshmit Zotit tonë Jezu Krishtit, nuse e Shpirtit Shenjt: lutu për ne... pranë Birit tënd tejet të shenjtë e të dashur, Zotit e Mësuesit” (Françesku i Asizit, Scritti, 163).

 

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder  <

webmaster