ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Bekimi i Gureve te Pare te Kishave Latine dhe Greko - Melkite

FJALIMI I ATIT TË SHENJTË BENEDIKTI XVI

 

 

 

 

Betania përtej Jordanit

E dielë, 10 maj 2009

 

 

 

Shkëlqesi Mbretërore,

Të dashur Vëllezër Ipeshkvij,

Të dashur Miq,

   me gëzim të madh shpirtëror vij të bekoj gurët e parë të dy Kishave Katolike, që do të ndërtohen përtej lumit Jordan, një vend i shënuar nga shumë ngjarje të paharrueshme në historinë biblike. Profeti Elia vinte nga këto zona jo shumë larg nga veriu i Galaadit. Këtu afër, përballë Jerihonit, ujërat e Jordanit u hapën përpara Elisë, i cili u tërhoq nga Zoti me një karrocë zjarri (krh. 2 Mbr 2,9-12). Këtu shpirti i Zotit e thirri Gjonin, Birin e Zakarisë, të predikonte kthimin e zemrave. Gjoni Ungjilltar vuri në këtë vend edhe takimin mes Gjon Pagëzuesit dhe Jezusit, që me rastin e pagëzimit “u lye” nga Shpirti i Hyjit, i cili zbriti si pëllumb, dhe një zë nga qielli jehoi duke i thënë se ishte Djali i Tij i dëshirit (krh. Gjn 1,32; Mk 1,9-11).

 Kam pasur nderin të pritem ne këtë vend të rëndësishëm nga Madhëritë e Tyre Mbreti Abdullah II dhe Mbretëresha Rania. Dua edhe një herë të shpreh mirënjohjen time për mikpritjen e ngrohtë, që ata më kanë bërë gjatë vizitës sime në Mbretërinë Ashemite. Përshëndes më gëzim Hirësinë e Tij Gregorios III Laham, Patriark i Antiokisë për Kishën Greko-Melkite. Përshëndes me ngrohtësi edhe Hirësinë e Tij Fouad Twal, Patriarkun Latin të Jerusalemit. Përshëndes me ngrohtësi Hirësisë e Tij Michel Sabah, Ipeshkvijtë Ndihmës të pranishëm, veçanërisht Arqipeshkvin Yasser Ayyach dhe shumë të Nderuarin Salim Sayegh, të cilin e falënderoj për fjalët e tij të ngrohta të mikpritjes. Jam i lumtur t’i përshëndes të gjithë Ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët dhe besimtarët laikë që na shoqërojnë sot. Të gëzohemi për faktin se dy ndërtesat, njëra Latine dhe tjetra Greko-Melkite, do të shërbejnë për të bashkuar, secila sipas traditave të bashkësisë së vet, familjen e vetme të Hyjit.

 Guri i parë i një Kishe është simbol i Krishtit. Kisha mbështetet në Krishtin dhe mbahet prej Tij dhe nuk mund të ndahet prej Tij. Ai është themeli i vetëm i çdo bashkësie të krishterë, guri i gjallë, i hedhur tej nga ndërtuesit, por i çmuar në sytë e Hyjit dhe i zgjedhur nga ai si gur këndi (krh. 1 Pjt 2,4-5.7). Me të edhe ne jemi gurë të gjallë të ndërtuara si shtëpi shpirtërore, vend shtëpie për Hyjin (krh. Ef 2,20-22; 1 Pjt 2,5). Shën Agustinit i pëlqente t’i referohej misterit të Kishës si Christus totus, Krishti i plotë, Trupi i Krishtit i plotë, krye dhe gjymtyrë. Ky është realiteti i Kishës; ajo është Krishti dhe ne, Krishti me ne. Ai është me ne ashtu si hardhia me shermendët e veta (krh. Gjn 15,1-8). Kisha është në Krishtin një bashkësi jete të re, një realitet dinamik hiri që del prej Tij. Nëpërmjet Kishës Krishti i pastron zemrat tona, i ndriçon mendjet tona, na bashkon me Atin dhe, në Shpirtin e vetëm, na udhëheq drejt një ushtrimi të përdishëm të dashurisë së krishterë. Le ta dëshmojmë këtë realitet të gëzueshem si një Kishë e Vetme, e Shenjtë, Katolike dhe Apostolike.

 Në Kishë hyjmë nëpërmjet Pagëzimit. Kujtimi i vetë pagëzimit të Krishtit është gjallërisht i pranishëm para nesh në këtë vend. Jezusi u vu në radhë me mëkatarët dhe pranoi pagëzimin e Gjonit si shenjë profetike të mundimeve, të vdekjes dhe të ngjalljes së Tij për faljen e mëkateve. Gjatë shekujve, shumë shtegtarë kanë ardhur në Jordani për të kërkuar pastrimin, për të ripërtërirë besimin e tyre dhe për të qenë më afër Zotit. Kështu bëri shtegtaria Egjeria që ka lënë një shkrim rreth vizitës së saj në fund të shekulli të katërt. Sakramenti i Pagëzimit, që merr fuqi nga vdekja dhe ngjallja e Krishtit, duhet të mbahet parasysh në mënyrë të veçantë nga bashkësitë e krishtera që do të mblidhen në kishat e reja. Jordani gjithmonë ju sjelltë ndërmend faktin që jeni larë në ujërat e Pagëzimit dhe që jeni bërë pjesëtarë të familjes së Jezusit. Jetët tuaja, në dëgjim të fjalës së Tij, janë bërë në ngjashmëri dhe në përngjasim me Të. Duke u përpjekur që t’i qëndroni besnik angazhimit tuaj të pagëzimit për kthim, dëshmi dhe mision, le ta dini se jeni të forcuar nga dhurata e Shpirtit Shenjt.

 Të dashur Vëllezër e Motra, që soditja e këtyre mistereve të mund t’ju pasurojë me një gëzim shpirtëror dhe me një guxim moral. Me Palin apostull, ju kërkoj të rriteni në serinë e tërë të qëndrimeve fisnike që quhen agape, dashuri e krishterë (krh. 1 Kor 13,1-13). Nxitni dialogun dhe mirëkuptimin në shoqërinë civile, sidomos kur kërkoni të drejtat tuaja legjitime. Në Lindjen e Mesme, e cila është e shënuar nga vuajtje tragjike, vite dhune dhe çështje të pazgjidhura, të krishterët janë të thirrur të japin kontributin e tyre, të frymëzuar nga shembulli i Jezusit, për pajtim dhe paqe me faljen dhe bujarinë e tyre. Vazhdoni të jeni mirënjohës ndaj atyre që ju drejtojnë dhe ju shërbejnë besnikërisht si mbarështues të Krishtit. Bëni mirë të pranoni udhëheqjen e tyre në fe duke ditur se duke marrë mësimin apostolik që ata ju përçojnë, pranoni Krishtin dhe të Vetmin që Ai ka dërguar (krh. Mt 10,40).

 Vëllezër dhe Motra të mi të dashur, le të bekojmë tani këto dy gurë, fillimin e dy ndërtesave të reja të shenjta. Zoti i mbështestë, i forcoftë dhe i zgjeroftë bashkësitë që në to do të ushtrojnë fenë e tyre. Dhe ju bekoftë të gjithëve me dhuratën e paqes. Amen!

 

   

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster