|
|
Madabë
E shtunë, 9 maj 2009
Të dashur Vëllezër Ipeshkvij,
Të dashur Miq,
është një gëzim i madh për mua të bekoj gurin e parë
të Universitetit të Madabës. Falënderoj Hirësinë e Tij Arqipeshkvin
Fouad Twal, Patriarkun Latin të Jerusalemit, për fjalët e ngrohta të
mirëseardhjes. Dëshiroj t’i bëj një përshëndetje të veçantë Hirësisë së
Tij Patriarkut Emerit, Michel Sabbah, nismave dhe përpjekjeve të të
cilit, bashkuar edhe me ato të Ipeshkvit Salim Sayegh, ky institucion i
detyrohet aq shumë. Përshëndes Autoritetet civile, Ipeshkvijtë,
meshtarët, rregulltarët dhe besimtarët, si edhe ata që na shoqërojnë në
këtë ceremoni të rëndësishme.
Mbretëria e Jordanisë i ka dhënë përparësi, me të
drejtë, objektivit zgjerimit dhe përmirësimit të arsimit. Unë e di se në
këtë mision fisnik Madhëria e Saj Mbretëresha Rania është shumë aktive
dhe përkushtimi i saj është një burim frymëzimi për shumë persona.
Ndërsa përgëzoj përpjekjet e njerëzve vullnetmirë të përfshirë në edukim,
vë në dukje me kënaqësi pjesëmarrjen kompetente dhe të kualifikuar
kulturisht të institucioneve të krishtera, sidomos katolike dhe
ortodokse, në këtë orvatje globale. Është kjo gjë që e çoi Kishën
Katolike, të mbështetur nga Autoritetet jordaneze, të vërë në jetë
përpjekjet e saj për nxitjen e arsimit në këtë Vend dhe gjetkë. Kjo
nismë i përgjigjet, gjithashtu, edhe kërkesës së shumë familjeve që, të
kënaqura nga formimi i marrë në shkollat e ngritura nga autoritete
fetare, kërkojnë që të ketë një mundësi të tillë edhe në nivelin
universitar.
Përgëzoj nxitësit e këtij institucioni të ri për
besimin e tyre guximtar në edukimin e mirë si një hap i parë për
zhvillimin personal dhe për paqen e përparimin në rajon. Në këtë
kontekst, Universiteti i Madabës me siguri që do të ketë parasysh tre
objektiva të rëndësishëm. Në zhvillimin e talenteve dhe të prirjeve të
fisshme të brezave të ardhshëm të studentëve, do t’i përgatisë për t’i
shërbyer komunitetit më të gjerë dhe për të rritur standardet e jetesës.
Duke përçuar njohje dhe duke ngjallur tek studentët dashurinë për të
vërtetën, do të nxisë në masë të madhe dëshirën për t’i përvetësuar këto
vlera dhe lirinë e tyre personale. Së fundi, ky formim intelektual do ta
përmirësojë aftësinë e tyre kritike, do të largojë paditurinë dhe
paragjykimet dhe do t’i ndihmojë në prishjen e magjive të krijuara nga
ideologjitë e vjetra dhe të reja. Rezultati i këtij procesi është një
universitet që nuk është vetëm një tribunë për të përforcuar zgjedhjen e
të vërtetës dhe të vlerave të një kulture të veçantë, por edhe një vend
mirëkuptimi dhe dialogu. Ndërsa asimilojnë trashëgiminë e tyre kulturore,
të rinjtë e Jordanisë dhe studentët e tjerë të rajonit do të drejtohen
drejt një njohjeje më të thellë të arritjeve të njerëzimit dhe do të
pasurohen nga pikëpamje të tjera dhe të formuar për mirëkuptim,
tolerancë dhe paqe.
Ky tip edukimi “më i gjerë” është ajo që pritet
nga institucionet e arsimit të lartë dhe në kontekstin e tyre kulturor,
si laik ashtu edhe fetar. Në fakt, besimi në Hyjin nuk e pengon kërkimin
e të vërtetës, përkundrazi e nxit atë. Shën Pali i nxiste të krishterët
e parë për t’ua hapur mendjet e tyre “gjithçkaje është e vërtetë,
gjithçkaje është e ndershme, gjithçkaje është e drejtë, gjithçkaje është
e pastër, gjithçkaje është e shenjtë, gjithçkaje është e denjë për
dashuri, gjithçkaje është e denjë për lavdi, gjithçkaje është virtyt” (Fil
4,8). Natyrisht religjioni, ashtu si edhe shkenca e teknologjia, ashtu
si filozofia dhe çdo shprehje e kërkimit tonë të së vërtetën mund të
prishen. Religjioni shpërfytyrohet kur është i detyruar t’i shërbejë
padijes dhe paragjykimeve, fyerjeve, përçmimit dhe abuzimit. Këtu shohim
jo vetëm prishjen e religjionit, por edhe degjenerimin e lirisë
njerëzore, ngushtimin dhe errësimin e arsyes. Me sa duket, një përfundim
i tillë nuk është i pashmangshëm. Pa dyshim, kur ne nxisim edukimin
shpallim besimit tonë në dhuratën e lirisë. Zemra e njeriut mund të
ngurtësohet nga një mjedis i ngushtë, nga pasione dhe interesa. Por çdo
person është gjithashtu i thirrur për urti dhe integritet, për zgjedhjen
bazë dhe më të rëndësishme prej të gjithave të së mirës në vend të së
keqen, të vërtetës në vend të pandershmërinë, dhe mund të mbështetet në
këtë detyrë.
Thirrja për një integritet moral kuptohet nga
personi fetar meqë Hyji i të vërtetës, i dashurisë dhe i bukurisë nuk
mund të shërbehen në ndonjë mënyrë tjetër. Besimi i pjekur në Hyjin
shërben për të udhëhequr marrjen dhe vënien në jetë, në mënyrën e duhur,
të njohurive. Shkenca dhe teknologjia ofrojnë përfitime të
jashtëzakonshme për shoqërinë dhe e kanë përmirësuar mjaft cilësinë e
jetës së shumë njerëzve. Pa dyshim, kjo është një nga shpresat e atyre
që nxisin këtë Universitet, motoja e të cilit është Sapientia et
Scientia [Urti dhe Dije]. Në të njëjtën kohë, shkenca ka kufizimet e saj.
Nuk mund t’u japin përgjigje të gjitha pyetjeve në lidhje me njeriun dhe
ekzistencën e tij. Në realitet, personi njerëzor, vendi dhe qëllimin i
tij në univers nuk mund të përmbahet brenda kufijve të shkencës. “Natyra
intelektuale e personit njerëzor kompletohet dhe duhet të kompletohet me
anë të urtisë, e cila e tërheq butësisht mendjen e njeriut për t’i
kërkuar dhe për t’i dashur gjërat e mira” (krh. Gaudium et spes, 15).
Përdorimi i njohurive shkencore ka nevojë për dritën udhëzuese të urtisë
etike. Kjo urti ka frymëzuar betimin e Hipokratit, Deklaratën Universale
të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948, Konventën e Gjenevës dhe kode
të tjera të lavdërueshme të sjelljes ndërkombëtare. Prandaj, urtia
religjioze dhe etike, duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me kuptimin
dhe vlerën, luajnë një rol qendror në formimin profesional. Rrjedhimisht,
ato universitete ku kërkimi i të vërtetës ecën përkrah kërkimit të asaj
që është e mirë dhe fisnike ofrojnë një shërbim të domosdoshëm për
shoqërinë.
Me këto mendime, i nxis në mënyrë të veçantë
studentët e krishterë të Jordanisë dhe të rajoneve fqinje që të
angazhohen me përgjegjësi në një formim të drejtë profesional dhe moral.
Ju jeni të thirrur të ndërtoni një shoqëri paqësore dhe të përbërë nga
njerëz me prejardhje të ndryshme fetare dhe etnike. Realitete të tilla -
dua ta theksoj edhe një herë tjetër - duhet të çojnë jo në ndarje, por
në një pasurim të ndërsjellë. Misioni dhe thirrja e Universitetit të
Madabës është pikërisht ai që t’ju ndihmojë të merrni pjesë më
plotësisht në këtë detyrë fisnike.
Të dashur Miq, dëshiroj t’i përtërij urimet e mia
Patriarkut Latin të Jerusalemit dhe inkurajimin tim atyre që e kanë
përzemër këtë projekt, së bashku me ata që janë tashmë të angazhuar në
edukimin e këtij Populli. Zoti ju bekoftë dhe ju mbështettë. Lutem me
qëllim që ëndrrat tuaja të bëhen realitet, me qëllim që të mund të
shihni breza burrash e grash, të krishterë, myslimanë apo të
religjioneve të tjera, të aftë të zënë vendin e tyre në shoqëri, të
pajisur me aftësi profesionale, të mirëinformuar për detyrën e tyre dhe
të edukuar për vlerat e diturisë, të mirëkuptimit, të tolerancës dhe të
paqes. Mbi ju, mbi të gjithë studentët tuaj të ardhshëm dhe mbi
personelin e këtij Universiteti dhe familjet e tyre, thërras bekimet e
bollshme të Hyjit të Gjithëpushtetshëm.
titujt kryesorë |
|