|
|
BENEDIKTI I XVI
ANGELUS
Prairie, Lurd
E dielë, 14 shtator
2008
Të dashur
shtegtarë, të dashur vëllezër e motra!
Çdo ditë lutja e
Angelus-it na ofron mundësinë të reflektojmë ndonjë moment, në mes të
aktiviteteve tuaja, mbi misterin e mishërimit të Birit të Hyjit. Në
mesditë, kur orët e para të ditës fillojnë të rëndojnë mbi ne,
gatishmëria dhe bujaria jonë ripërtërihen nga soditja e “po”-së së
Marisë. Ky “po” i qartë dhe pa rezerva rrënjoset në misterin e lirisë së
Marisë, një liri e plotë dhe e tërë përpara Hyjit, e liruar nga çdo
komplot i mëkatit, falë privilegjit së ngjizjes së saj të papërlyer.
Ky privilegj që iu dha
Marisë, që e dallon nga gjendja jonë e përbashkët, nuk e largon, por
përkundrazi e afron me ne. Ndërsa mëkati ndan, na largon nga
njëri-tjetri, dëlirësia e Marisë e afron pafundësisht me zemrat tona, që
kujdeset për secilin prej nesh dhe që dëshiron të mirën tonë të vërtetë.
Mund ta shikoni këtu në Lurd, si në të gjitha shenjtëroret mariane,
turma të pafundme shkojnë tek këmbët e Marisë për t’i thënë secili
intimitetet e veta, atë që secili ka me të vërtetë përzemër. Atë që
shumë, nga zori ose nga turpi, nuk guxojnë nganjëherë t’ia thonë as të
afërmve të tyre, ia thonë Asaj që është krejt e dëlirë, zemrës së saj të
papërlyer: me thjeshtësi, pa lustër, në të vërtetën. Përpara Marisë, në
virtytin e pastërtisë së saj, njeriu nuk heziton të tregohet në dobësinë
e tij, t’ia dorëzojë asaj pyetjet dhe dyshimet e veta, të formulojë
shpresat dhe dëshirat e veta më të fshehta. Dashuria amënore e Virgjërës
Mari çarmatos çdo lloj forme kryelartësie (krenarie); e bën njeriun të
aftë ta shikojë veten e vet për atë që ai është dhe i frymëzon dëshirën
për t’u kthyer që t’i japë lavdi Hyjit.
Maria na tregon kështu
mënyrën e duhur për të shkuar gjithnjë e më shumë drejt Zotit. Na mëson
t’i afrohemi Atij në vërtetësi dhe në thjeshtësi. Falë saj, zbulojmë se
feja e krishterë nuk është një peshë, por është si një krah që na
mundëson të fluturojmë në lartësi për t’u strehuar mes krahëve të Zotit.
Jeta edhe besimi i
popullit besimtar vënë në dukje se privilegji i Ngjizjes së Papërlyer i
bërë Marisë nuk është një hir vetëm personal, por për të gjithë, një hir
që i është dhënë mbarë popullit të Hyjit. Në Marinë, Kisha mund të
sodisë qysh tani atë që ajo është thirrur të bëhet. Në të çdo besimtar
mund, qysh tani, të sodisë përmbushjen e përsosur të thirrjes së saj
personale. Çdonjëri prej nesh falënderoftë gjithmonë Zotin për atë që Ai
ka dashur të na zbulojë prej planit të tij të shpëtimit përmes misterit
të Marisë. Mister në të cilin jemi të përfshirë në mënyrën më prekëse,
meqë nga lartësia e Kryqit, që ne kujtojmë dhe lartësojmë pikërisht sot,
na është zbuluar nga vetë goja e Jezusit se Nëna e Tij është Nëna jonë.
Duke qenë bir e bija të Marisë, mund të përfitojnë nga të gjitha hiret
që i janë dhënë asaj, dhe nga dinjiteti i pakrahasueshëm që ia jep
privilegji i Ngjizjes së Papërlyer bie mbi ne, bijtë e saj.
Këtu afër shpellës, dhe
në bashkësi të veçantë me të gjithë shtegtarët e pranishëm në
shenjtëroret mariane dhe me të gjithë të sëmurët në trup e në shpirt që
kërkojnë ngushëllim, bekojmë Zotin për praninë e Marisë në mes të
popullit të saj dhe asaj ia adresojmë me besim lutjen tonë:
«Shenjtja Mari, ti që
këtu i je shfaqur njëqind e pesëdhjetë vjet më parë Bernardetës së re,
ti je me të vërtetë “burim shprese të gjallë”» (Dante, Par., XXXIII,
12).
Shtegtarë plot besim të
ardhur këtu nga çdo anë, ne vijmë edhe një herë për të marrë fenë dhe
ngushëllimin, gëzimin dhe dashurinë, sigurinë dhe paqen, në burimin e
zemrës tënde të papërlyer: “Mostra te esse Matrem!” tregohu si Nënë për
të gjithë, o Mari! Dhe na dhuro Krishtin, shpresën e botës! Amen.
titujt kryesorë
|
|