|
|
Aeroporti Tuřany i Bernos
E diel, 27 shtator 2009
Të dashur vëllezër e motra!
Arritëm në përfundim të këtij Kremtimi
solemn dhe ora e mesditës na fton në lutjen e Angelus-it. Jam i lumtur
ta them këtu, në zemër të Moravisë, krahinë vëllazërisht e bashkuar me
Boheminë, tokë e shënuar prej shumë shekujsh nga feja e krishterë, që e
ka pasur zanafillën prej misionit të guximshëm të shenjtërve Ciril e
Metod. Kur, njëzet vjet më parë, Gjon Pali II vendosi të vizitonte
Europën Qendrore dhe Lindore pas rënies së totalitarizmit komunist,
dëshiroi ta fillonte udhëtimin e vet baritor nga Velehradi, qendër e
Kongreseve të famshme unionistike pararendëse të ekumenizmit mes popujve
sllavë, dhe i njohur në të gjithë botën e krishterë. Veç kësaj, ju
kujtoni edhe një tjetër vizitë të tij, atë të vitit 1995 në Svaty
Kopeček, pranë Olomouc-ut, me takimin e tij të paharrueshëm me të
rinjtë. Do të doja që idealisht ta vazhdoj mësimin e këtij Paraardhësi
tim të nderuar dhe t’ju ftoj të qëndroni besnikë ndaj thirrjes suaj të
krishterë dhe ndaj Ungjillit për të ndërtuar së bashku një të ardhme
solidariteti dhe paqeje.
Moravia është tokë e pasur me shenjtërore
të Zojës, që turma shtegtarësh vizitojnë gjatë gjithë vitit. Në këtë
moment do të doja të shkoja me një shtegtim ideal pranë malit pyllor të
Hostyn-it, ku nderoni Zojën e Bekuar si Pajtore tuajën. Maria e mbajttë
të gjallë fenë e të gjithëve ju, fenë e ushqyer edhe prej traditave të
shumta popullore që i kanë rrënjët e veta në të kaluarën, por që me të
drejtë ju kujdeseni që t’i ruani që të mos mungojë ngrohtësia e
bashkëjetesës familjare në fshatra e qytete. Nganjëherë vërehet, me një
farë malli, se ritmi i jetës moderne priret t’i fshijë disa gjurmë të
një të kaluare të pasur me fe. Ndërsa është e rëndësishme të mos e
humbim sysh idealin që doket tradicionale shprehnin, dhe sidomos duhet
mbajtur pasuria shpirtërore e trashëguar prej paraardhësve tuaj, për ta
ruajtur dhe madje për ta bërë që t’u përgjigjet kërkesave të kohëve të
tashme. Në këtë ju ndihmoftë Virgjëra Mari, të cilës po ia besoj përsëri
Kishën tuaj dhe tërë kombin çek.
Angelus Domini...
[Me dashuri u jap mirëseardhjen
shtegtarëve të ardhur nga Sllovakia fqinje. Të dashur vëllezër e motra,
Fjala e Hyjit e ditës së sotme na nxit ta pranojmë Jezu Krishtin si
shpresën tonë të vetme. Ju ftoj të jeni në botë dëshmitarë besnikë të
këtij kumtimi. Me gjithë zemër ju bekoj ju dhe familjet tuaja në atdhe.
Qoftë lëvduar Jezu Krishti!]. [Përshëndes përzemërsisht polakët që
marrin pjesë në këtë Eukaristi. Ju falënderoj për praninë tuaj dhe për
mbështetjen shpirtërore. Takimi i Papës me Kishën që është në Republikën
Çeke sjelltë fryte feje e dashurie në zemrat tuaja. Hyji ju bekoftë!].
[Falënderoj prej zemrës shtegtarët e
ardhur nga Gjermania e nga Austria. Jam i lumtur për praninë tuaj, për
lutjen dhe kremtimin tuaj së bashku me vëllezërit e motrat këtu në
Republikën Çeke. Është feja në Jezu Krishtin ajo që, edhe më shumë se të
gjitha lidhjet e fqinjësisë, na rilidh e na bashkon. Dhe sot është e
nevojshme në mënyrë të veçantë dëshmia jonë e përbashkët për të shpallur
përsëri dhe me forcë lajmin e shëlbimit: Zotin e kryqëzuar e të ngjallur
– Jezu Krishtin, Shpresën e njerëzimit! Përvoja që Krishti nuk i lë
vetëm miqtë e vet, por i ndihmon që të mund të jetojnë në lumturi, nuk
duhet të na lërë mospërfillës ndaj të afërmit tonë që kërkon të vërtetën
e dashurinë dhe dëshiron jetën e vërtetë. Le t’u tregojmë atyre rrugën
drejt Jezu Krishtit që dhuron jetë në begati. me gëzim duam t’i jetojmë
ditë pas dite fenë dhe shpresën tonë, duke bashkëpunuar për të ndërtuar
një shoqëri të bazuar në vlerat e të mirës, të drejtësisë e të
dashurisë, në dashurinë ndaj Hyjit dhe të afërmit. Prandaj, Hyji na
dhashtë bekimin e vet]. [Të dashurit e mi, për mua është një gëzim i
madh të jem sot këtu me ju, në Berno, në zemër të Moravisë. I përshëndes
edhe ata që janë të lidhur me ne nëpërmjet mjeteve të komunikimit.
Veçanërisht, mendimi im plot dashuri u drejtohet personave të moshuar,
të vuajturve dhe të sëmurëve. Ju kërkoj të kujtoheni për mua në lutje,
ashtu sikurse unë ju siguroj afërsinë time shpirtërore. Hyji i
Gjithëpushtetshëm ju dhashtë hire të begatshme qiellore dhe bekime].
titujt kryesorë
|
|