|
|
Një
ecje vendimtare bashkëpunimi vëllazëror
“Të
krishterët dhe hebrenjtë kanë të njëjtat rrënjë, por shpesh mbeten të
panjohur për njëri-tjetrin. Na takon neve të punojmë në mënyrë që të
mbetet gjithnjë e hapur hapësira e dialogut, e respektit të ndërsjellë,
e rritjes në miqësi, e dëshmisë së përbashkët përballë sfidave të kohës
sonë”. Këtë ka uruar Benedikti XVI në takimin e të dielës pasdite, më 17
janar, me Bashkësinë hebraike të Romës, me rastin e vizitës në Sinagogë.
«”Zoti bëri për ta punë të mëdha”!
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli
e zemrat na u mbushën me gëzim»
(Ps 126)
«Oh, sa punë e mirë e gjë e bukur është
kur vëllezërit jetojnë së bashku»
(Ps 133)
Zotëri Kryerabin i Bashkësisë Hebraike
të Romës,
Zotëri President i Bashkimit të
Bashkësive Hebraike Italiane,
Zotëri President i Bashkësisë Hebraike
të Romës,
Zotërinj Rabinë,
Të nderuara Autoritete,
Të dashur miq e vëllezër,
1. Në fillim të takimit në Tempullin e
Madh të Hebrenjve në Romë, Psalmet që dëgjuam na sugjerojnë qëndrimin
shpirtëror më të përnjëmendtë për ta jetuar këtë moment të veçantë e të
gëzueshëm hiri: lavdin drejtuar Zotit, që ka bërë punë të mëdha për ne,
na ka mbledhur këtu me Hèsed-in e tij, dashurinë e mëshirshme,
dhe falënderimin sepse na ka bërë dhuratën e takimit së bashku për t’i
bërë më të forta lidhjet që na bashkojnë e për ta vazhduar rrugën e
pajtimit e të vëllazërimit. Dëshiroj, para së gjithash, t’ju shpreh
mirënjohjen time të madhe Ju, Kryerabin, Doktor Riccardo di Segni, për
ftesën që më keni bërë dhe për fjalët domethënëse që më drejtuat.
Falënderoj pastaj Presidentët e Bashkimit të Bashkësive Hebraike
Italiane, Avokatin Renzo Gattegna, dhe të Bashkësisë Hebraike të Romës,
Zotëri Riccardo Pacifici, për fjalët e sjellshme që më drejtuan. Mendimi
im shkon te Autoritetet e te të gjithë të pranishmit, dhe shtrihet, në
mënyrë të veçantë, te Bashkësia hebraike romake dhe te të gjithë ata që
kanë bashkëpunuar për ta bërë të mundur momentin e takimit dhe të
miqësisë që jemi duke jetuar.
Duke ardhur mes jush për herë të parë si i
krishterë dhe si Papë, Paraardhësi im i nderuar Gjon Pali II, gati
njëzet e katër vjet më parë, pati qëllimin t’i jepte një ndihmesë të
vendosur përforcimit të marrëdhënieve të mira mes bashkësive tona, për
të kapërcyer çdo moskuptim dhe paragjykim. Vizita ime përfshihet në
ecjen e përvijuar, për ta ripohuar dhe për ta përforcuar atë. Me
ndjenjat e përzemërsisë së gjallë gjendem mes jush për t’ju shfaqur
vlerësimin dhe dashurinë që Ipeshkvi dhe Kisha e Romës, sikurse edhe e
gjithë Kisha Katolike, ushqejnë ndaj kësaj Bashkësie dhe Bashkësive
hebraike të shpërndara në botë.
2. Doktrina e Koncilit II të Vatikanit ka
përfaqësuar për Katolikët një pikë të patundur së cilës duhet t’i
referohen vazhdimisht në qëndrimin dhe në marrëdhëniet me popullin
hebraik, duke shënuar një etapë të re dhe domethënëse. Ngjarja
konciliare i ka dhënë një shtytje përcaktuese angazhimit për të bërë një
ecje vendimtare dialogu, vëllazërie dhe miqësie, ecje që është thelluar
dhe zhvilluar në këto dyzet vjet me hapa dhe gjeste të rëndësishme e
domethënëse, mes të cilëve dëshiroj të përmend përsëri vizitën historike
në këtë vend të Paraardhësit tim të Nderuar, më 13 prill 1986, takimet e
shumta që ai ka pasur me Eksponentë hebrenj, edhe gjatë Udhëtimeve
Apostolike ndërkombëtare, shtegtimin jubilar në Tokën e Shenjtë në vitin
2000, dokumentet e Selisë së Shenjtë që, pas Deklaratës Nostra Aetate,
kanë dhënë orientime të çmueshme për një zhvillim pozitiv në
marrëdhëniet mes Katolikëve dhe Hebrenjve. Edhe unë, në këta vjet të
Pontifikatit, kam dashur ta tregoj afërsinë time dhe dashurinë time ndaj
popullit të Besëlidhjes. I ruaj të gjalla në zemrën time të gjitha
momentet e shtegtimit që kam pasur gëzimin të realizoj në Tokën e
Shenjtë, në majin e vitit të kaluar, sikurse edhe takimet e shumta me
Bashkësi dhe Organizata hebraike, në veçanti ato të Sinagogave në Këln
dhe në Nju Jork.
Veç kësaj, Kisha nuk e ka lënë pa treguar
keqardhjen e vet për bijtë dhe bijat e veta, duke kërkuar falje për
gjithçka që ka mundur në ndonjë mënyrë të favorizojë plagët e
antisemitizmit dhe të antijudaizmit (krh. Komisioni për Marrëdhëniet
Fetare me Hebraizmin, Ne Kujtojmë: një reflektim mbi Shoah-un, 16
mars 1998). Uroj që këto plagë të shërohen përgjithmonë! Na kthehet në
mend lutja e thellë te Muri i Tempullit të Jerusalemit e Papës Gjon Pali
II, më 26 mars 2000, që jehon e vërtetë dhe e sinqertë në thellësinë e
zemrës sonë: “O Hyj i etërve tanë, ti ke zgjedhur Abrahamin dhe
pasardhësinë e tij që Emri yt t’u çohet popujve: ne na vjen thellësisht
keq për sjelljen e atyre që, gjatë historisë, i kanë bërë të vuajnë ata
që janë bijtë e tu, dhe duke të kërkuar falje për ta, duam të
angazhohemi që të jetojmë një vëllazëri të përnjëmendtë me popullin e
Besëlidhjes”.
3. Kalimi i kohës na lejon të shohim ta
shohim shekullin e njëzetë si një epokë vërtet tragjike për njerëzimin:
luftëra të përgjakshme që kanë mbjellur shkatërrim, vdekje e dhimbje
sikurse nuk kishte ndodhur kurrë më parë; ideologji të tmerrshme që kanë
pasur në rrënjën e tyre idhujtarinë e njeriut, të racës, të shtetit dhe
që, edhe një herë, kanë bërë që vëllai të vrasë vëllain. Drama e posaçme
dhe tronditëse e Shoah-ut përfaqëson, në një farë mënyre, kulmin
e një ecjeje urrejtjeje që lind kur njeriu e harron Krijuesin e vet dhe
e vë vetveten në qendrën e gjithësisë. Sikurse pata thënë në vizitën e
28 majit 2006 në kampin e përqendrimit në Aushvic, ende thellësisht e
ngulitur në kujtesën time, “sunduesit e Reich-ut të Tretë donin ta
shtypnin popullin hebraik në tërësinë e tij” dhe, në fund, “me
asgjësimin e këtij populli, synonin të vrisnin atë Hyj që e thirri
Abrahamin, që duke folur në Sinai caktoi kriteret orientuese të
njerëzimit që mbeten të vlefshme në amshim” (Fjalimi në kampin e
Ausvic-Birkenaut: Mësime të Benediktit XVI, II, I [2006], fq. 727).
Në këtë vend, si të mos kujtojmë Hebrenjtë
romakë që u morën me forcë prej këtyre shtëpive, para këtyre mureve, dhe
me mundime të llahtarshme u vranë në Aushvic? Si është e mundur t’i
harrojmë fytyrat e tyre, emrat e tyre, lotët, dëshpërimin e burrave,
grave dhe fëmijëve? Shfarosja e popullit të Besëlidhjes së Moisiut, në
fillim e lajmëruar e pastaj sistematikisht e programuar dhe e realizuar
në Europë nën sundimin nazist, arriti atë ditë tragjikisht edhe në Romë.
Mjerisht, shumë njerëz qëndruan mospërfillës, por shumë të tjerë, edhe
mes Katolikëve italianë, të mbështetur prej fesë dhe prej mësimit të
krishterë, reaguan me guxim, duke hapur krahët për të ndihmuar Hebrenjtë
e ndjekur e në arrati, duke rrezikuar shpesh edhe jetën e tyre, dhe duke
merituar një mirënjohje të përjetshme. Edhe Selia Apostolike kreu një
veprim ndihme, shpesh të fshehur e të matur.
Kujtimi i këtyre ngjarjeve duhet të na
nxisë t’i forcojmë lidhjet që na bashkojnë në mënyrë që të rriten
gjithnjë e më shumë kuptimi, respekti dhe pranimi.
4. Afërsinë dhe vëllazërinë tonë
shpirtërore e gjejmë në Biblën e Shenjtë – hebraisht Sifre Qodesh
apo “Libri i Shenjtërisë” – themeli më i qëndrueshëm dhe i përhershëm,
në bazë të të cilit vazhdimisht vihemi përpara rrënjëve tona të
përbashkëta, para historisë dhe pasurisë së madhe shpirtërore që
bashkëndajmë. Pikërisht duke vrojtuar misterin e vet Kisha, Populli i
Hyjit i Besëlidhjes së Re, zbulon lidhjen e vetë të thellë me Hebrenjtë,
të zgjedhur prej Zotit para të gjithëve për ta pranuar fjalën e tij (krh.
Katekizmi i Kishës Katolike, 839). «Në ndryshim prej besimeve të
tjera jo të krishtera, feja hebraike është përgjigje ndaj zbulimit të
Hyjit në Besëlidhjen e Vjetër. Pikërisht popullit hebraik i përkasin
“adoptimi, Lavdia, Besëlidhjet, Ligji, kulti, premtimet, të tyre janë
edhe patriarkët, prej tyre, si njeri, është edhe Krishti” (Rom 9,4-5)
sepse “dhuratat dhe thirrja e Hyjit nuk tërhiqen” (Rom 11,29)» (Ibid.).
5. Të shumta mund të jenë implikimet që
rrjedhin prej trashëgimisë së përbashkët të nxjerrë prej Ligjit dhe prej
Profetëve. Do të doja të kujtoj disa: para së gjithash: solidariteti që
i lidh Kishën dhe popullin hebre “në nivel të identitetit të tyre”
shpirtëror dhe që u jep të Krishterëve mundësinë të nxisin “një respekt
të përtërirë për interpretimin hebraik të Besëlidhjes së Vjetër” (krh.
Komisioni Papnor Biblik, Populli hebraik dhe Shkrimet e tij të
Shenjta në Biblën e krishterë, 2001, fq. 12 e 55); qendërsia e
Dekalogut si mesazh i përbashkët etik me vlerë të përhershme Izraelin,
Kishën, jo besimtarët dhe tërë njerëzimin; angazhimi për të përgatitur
apo realizuar Mbretërinë e të Tejetlartit në “kujdesin për botën e
krijuar” që Hyji ia ka besuar njeriut në mënyrë që ta kultivojë dhe ta
ruajë atë me përgjegjësi (krh. Zan 2,15).
6. Në veçanti Dekalogu – “Dhjetë
Fjalët” apo Dhjetë Urdhërimet (krh. Dal 20,1-17; Lp 5,1-21) – që vjen
prej Torah-ut të Moisiut përbëjnë dritëzën e etikës, të shpresës
dhe të dialogut, yll polar i fesë dhe i moralit të popullit të Hyjit,
dhe ndriçon e udhëheq edhe ecjen e të Krishterëve. Ai përbën një far dhe
një normë jete në drejtësinë dhe në drejtësinë, një “kod të madh” etik
për gjithë njerëzimin. “Dhjetë Fjalët” hedhin dritë mbi të mirën dhe të
keqen, mbi të vërtetën dhe të rremen, mbi të drejtën dhe të padrejtën,
edhe sipas kritereve të ndërgjegjes së drejtë të çdo personi njerëzor.
Vetë Jezusi e ka përsëritur atë disa herë, duke theksuar se është i
nevojshëm një angazhim aktiv në rrugën e Urdhërimeve: “Nëse dëshiron të
hysh në jetë zbatoji urdhërimet” (Mt 19,17). Në këtë perspektivë janë të
ndryshme fushat e bashkëpunimit dhe të dëshmisë. Do të doja të kujtoj
tri prej tyre veçanërisht të rëndësishme për kohën tonë.
“Dhjetë Fjalët” kërkojnë që të njihet i
vetmi Zot, kundër tundimit për të ndërtuar idhuj të tjerë, për të bërë
viça prej ari. Në botën tonë shumë njerëz nuk e njohin Hyjin ose e
mbajnë atë si të padobishëm, pa rëndësi për jetën; kështu janë fabrikuar
hyjni të tjera dhe të reja të cilëve njeriu u përkulet. Rizgjimi në
shoqërinë tonë i hapjes ndaj përmasës transhendente, dëshmimi i të
vetmit Hyj është një shërbim i çmueshëm që Hebrenjtë dhe të Krishterët
munden dhe duhet të ofrojnë së bashku.
“Dhjetë Fjalët” kërkojnë respektimin,
mbrojtjen e jetës, kundër çdo padrejtësie dhe dhune, duke njohur vlerën
e çdo personi njerëzor, të krijuar në shëmbëlltyrë e përngjasim të Hyjit.
Sa herë, në çdo anë të tokës, afër dhe larg, ende shkelen dinjiteti,
liria, të drejtat e qenies njerëzore? Të dëshmojmë së bashku vlerën
supreme të jetës kundër çdo egoizmi do të thotë të japim një ndihmesë të
rëndësishme pë rnjë botë në të cilën të mbretërojë drejtësia dhe paqja,
“shalom”-i i dëshiruar prej ligjvënësve, prej profetëve dhe prej të
diturve të Izraelit.
“Dhjetë Fjalët” kërkojnë që të ruhet e të
nxitet shenjtëria e familjes, në të cilën “po”-ja personale dhe e
ndërsjellë, besnike dhe përfundimtare e burrit dhe e gruas, e hapin
hapësirën për të ardhmen, për njerëzimin e përnjëmendtë të secilit, dhe,
në të njëjtën kohë, i hapet dhuratës së një jete të re. Të dëshmojmë se
familja vazhdon të jetë qeliza thelbësore e shoqërisë dhe konteksti bazë
në të cilin mësohen dhe ushtrohen virtytet njerëzore është një shërbim i
çmueshëm që duhet ofruar për ndërtimin e një bote me fytyrë më njerëzore.
7. Sikurse mëson Moisiu në Shemà (krh.
Lp 6,5; Lev 19,34) – dhe Jezusi pohon në Ungjill (krh. Mk 12,19-31), të
gjitha urdhërimet përmblidhen në dashurinë ndaj Hyjit dhe ndaj mëshirës
ndaj të afërmit. Ky Rregull i angazhon Hebrenjtë dhe të Krishterët që të
ushtrojnë, në kohën tonë, një bujari të veçantë ndaj të varfërve, grave,
fëmijëve, të huajve, të sëmurëve, të dobtëve, nevojtarëve. Në traditën
hebraike ka një thënie të mrekullueshme të Etërve të Izraelit: “Simon i
Drejti e kishte zakon të thoshte: Bota bazohet në tri gjëra: Torah-un,
kultin dhe veprat e mëshirshme” (Aboth 1,2). Me ushtrimin e
drejtësisë dhe të mëshirës, Hebrenjtë dhe të Krishterët janë të thirrur
të kumtojnë dhe të dëshmojnë Mbretërinë e të Tejetlartit që vjen, dhe
për të cilën lutemi e veprojnë çdo ditë në shpresë.
8. Në këtë drejtim mund të bëjmë hapa së
bashku, të vetëdijshëm për ndryshimet që ekzistojnë mes nesh, por edhe
për faktin se nëse do të arrijmë t’i bashkojmë zemrat tona dhe duart
tona për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit, drita e tij do të bëhet më e
afërt për t’i ndriçuar të gjithë popujt e tokës. Hapat e bërë në këta
dyzet vjet prej Komitetit Ndërkombëtar të bashkuar katoliko-hebraik dhe,
në vitet më të vona, prej Komisionit të Përzier të Selisë së Shenjtë dhe
të Rabinatit të Madh të Izraelit, janë një shenjë e vullnetit të
përbashkët për të vazhduar një dialog të hapur e të sigurtë. Pikërisht
nesër Komisioni i Përzier do të mbajë këtu në Romë takimin e vet IX mbi
“Mësimi katolik dhe hebraik mbi botën e krijuar dh emjedisin”; u urojmë
atyre një dialog të frytshëm mbi një temë kaq të rëndësishme dhe aktuale.
9. Të Krishterët dhe Hebrenjtë kanë një
pjesë të madhe pasurie shpirtërore të përbashkët, i luten të njëjtit Zot,
kanë të njëjtat rrënjë, por mbeten shpesh të panjohur për njëri-tjetrin.
Na takon ne, si përgjigje ndaj thirrjes së Hyjit, të punojmë me qëllim
që të mbetet gjithmonë e hapur hapësira e dialogut, e respektit të
ndërsjellë, e rritjes në miqësi, e dëshmisë së përbashkët përballë
sfidave të kohës sonë, që na ftojnë të bashkëpunojmë për të mirën e
njerëzimit në këtë botë të krijuar prej Hyjit, të Gjithëpushtetshmit dhe
të Mëshirshmit.
10. Së fundi, një mendim i veçantë për
këtë Qytetin tonë të Romës, ku, prej rreth dymijë vjetësh, bashkëjetojnë,
sikurse ka thënë Papa Gjon Pali II, Bashkësia katolike me Ipeshkvin e
vet dhe Bashkësia hebraike me Kryerabinin e vet; kjo jetesë e përbashkët
le të frymëzohet prej një dashurie vëllazërore në rritje, që shprehet
edhe në bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë për të dhënë një ndihmesë
të vlefshme në zgjidhjen e problemeve dhe të vështirësive që duhen
përballuar.
Kërkoj prej Zotit dhuratën e çmuar të
paqes në të gjithë botën, sidomos në Tokën e Shenjtë. Në shtegtimin tim
në Tokën e Shenjtë në majin e kaluar, në Jerusalem, pranë Murit të
Tempullit, i kam kërkuar Atij që mundet gjithçka: “dërgoje paqen tënde
në Tokën e Shenjtë, në Lindjen e Mesme, në të gjithë familjen njerëzore;
lëvizi zemrat e atyre që thërrasin emrin tënd, që ta përshkojnë
përvujtërisht rrugën e drejtësisë dhe të dhembshurisë” (Lutja te Muri
Perëndimor i Jerusalemit, 12 maj 2009).
Përsëri ia lartësoj Atij falënderimin dhe
lavdin për këtë takim tonin, duke kërkuar që Ai ta forcojë vëllazërinë
tonë dhe ta bëjë më të fortë mirëkuptimin tonë.
[“Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha,
madhërojeni së bashku, o popuj të
gjithë!
Sepse e madhe është dashuria e tij ndaj
nesh,
besnikëria e Zotit qëndron për amshim!”
(Psalmi 117)].
tituj kryesorë |
|