|
|
Salla Pali VI, e mërkurë, 23 nëntor 2011
Udhëtimi Apostolik në
Benin
Të dashur Vëllezër e
Motra,
janë ende të gjalla në
mua përshtypjet e ngjallura prej Udhëtimit Apostolik në Benin, mbi të
cilin dëshiroj të ndalem sot. Prej shpirtit tim buron vetvetiu
falënderimi drejtuar Zotit: në provaninë e tij, Ai ka dashur që unë të
kthesha në Afrikë për të dytën herë si pasardhës i Pjetrit, me rastin e
150-vjetorit të fillimit të ungjillëzimit të Beninit dhe për të firmosur
e për t’u dorëzuar zyrtarisht bashkësive kishtare afrikane Nxitjen
apostolike pasinodale Africae munus. Në këtë dokument të
rëndësishëm, pas reflektimit mbi analizat dhe mbi propozimet e lindura
prej Asamblesë së Dytë të Veçantë për Afrikën të Sinodit të
Ipeshkvinjve, të zhvilluar në Vatikan në tetor 2009, kam dashur të ofroj
disa linja për veprimin baritor në Kontinentin e madh afrikan. Në të
njëjtën kohë, kam dashur të bëj nderimet e mia dhe të lutem mbi varrin e
një biri të shquar të Beninit e të Afrikës, dhe një njeriu të madh të
Kishës, Kardinalit të paharruar Bernardin Gantin, kujtimi i nderuar i të
cilit është më shumë se kurrë i gjallë në Vendin e tij, që e konsideron
si një Atë të atdheut, dhe të krejt Kontinentit.
Dëshiroj sot të përsëris
falënderimin tim të madh ndaj atyre që kanë dhënë ndihmesën e tyre në
realizimin e këtij shtegtimi tim. Para së gjithash i jam shumë
mirënjohës Zotërisë President të Republikës, që me mirësjellje të madhe
më ka drejtuar përshëndetjen e përzemërt nga ana e vet dhe të Vendit të
vet; Arqipeshkvit të Kotonout dhe Vëllezërve të tjerë të nderuar në
episkopat, që më kanë pritur me dashuri. Gjithashtu, falënderoj
meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, diakonët, katekistët dhe
vëllezërit e motrat e panumërt, që me shumë fe e ngrohtësi më kanë
shoqëruar gjatë këtyre ditëve të hirit. Kemi jetuar së bashku një
përvojë prekëse feje dhe takimi të përtërirë me Jezu Krishtin e gjallë,
në kontekstin e 150-vjetorit të ungjillëzimit të Beninit.
I kam vënë frytet e
Asamblesë së Dytë të Veçantë për Afrikën të Sinodit të Ipeshkvinjve te
këmbët e Virgjërës së Shenjtë, të nderuar në Benin sidomos në Bazilikën
e Të Zënit të Papërlyer të Ouidahut. Sipas modelit të Marisë, Kisha në
Afrikë e ka pranuar Lajmin e Mirë të Ungjillit, duke lindur shumë popuj
në fe. Tani bashkësitë e krishtera të Afrikës – siç është theksuar si
prej temës së Sinodit, ashtu edhe prej motos së Udhëtimit tim Apostolik
– janë të thirrura të përtërihen në fe për të qenë gjithnjë e më shumë
në shërbim të pajtimit, të drejtësisë dhe të paqes. Ato janë të ftuara
të pajtohen brenda tyre për t’u bërë mjete të gëzueshme të mëshirës
hyjnore, duke i sjellë secila pasuritë e veta shpirtërore e materiale
angazhimit të përbashkët.
Ky shpirt i pajtimit
është i domosdoshëm, natyrisht, edhe në planin civil dhe ka nevojë për
një hapje ndaj shpresës që duhet të frymëzojë edhe jetën sociopolitike
dhe ekonomike të Kontinentit, siç kam pasur mundësi të vë në dukje në
takimin me Institucionit politike, Trupin Diplomatik dhe Përfaqësuesit e
Besimeve. Në këtë rast kam dashur ta vë theksin pikërisht në shpresën që
duhet të frymëzojë ecjen e Kontinentit, duke nxjerrë në pah dëshirën e
zjarrtë për liri e drejtësi që, sidomos në këto muajt e fundit, i
frymëzon zemrat e shumë popujve afrikanë. Kam theksuar pastaj nevojën
për të ndërtuar një shoqëri në të cilën marrëdhëniet mes etnive dhe
besimeve të ndryshme të jenë të karakterizuara prej dialogut dhe prej
harmonisë. I kam ftuar të gjithë që të jenë mbjellës të vërtetë të
shpresës në çdo realitet dhe në çdo mjedis.
Të krishterët në vetvete
janë njerëz të shpresës, që nuk mund të mos interesohen për vëllezërit e
motrat e tyre: ia kam kujtuar këtë të vërtetë edhe turmës së pafundme të
mbledhur në Kremtimin eukaristik të të dielës në stadiumin e Miqësisë në
Kotonou. Kjo Meshë e të dielës ka qenë një moment i jashtëzakonshëm
lutjeje dhe feste ku kanë marrë pjesë mijëra besimtarë të Beninit dhe të
Vendeve të tjera afrikane, prej më të moshuarve deri te më të rinjtë:
një dëshmi e mrekullueshme e asaj se si feja arrin t’i bashkojë brezat
dhe di t’u përgjigjet sfidave të çdo stine të jetës.
Gjatë këtij kremtimi
prekës dhe solemn, i kam dorëzuar Presidentëve të Konferencave
Ipeshkvore të Afrikës Nxitjen apostolike pasinodale Africae munus
– që e kisha firmosur një ditë më parë në Ouidah – të destinuar
Ipeshkvinjve, meshtarëve, rregulltarëve e rregulltareve, katekistëve dhe
laikëve të krejt Kontinentit afrikan. Duke u besuar atyre frytet e
Asamblesë së Dytë për Afrikën të Sinodit të Ipeshkvinjve, u kam kërkuar
atyre t’i meditojnë me vëmendje dhe t’i jetojnë në plotësi, për t’iu
përgjigjur me efikasitet misionit ungjillëzues angazhues të Kishës
shtegtare në Afrikën e mijëvjeçarit të tretë. Në këtë tekst të
rëndësishëm çdo besimtar do të gjejë linjat themelore që do ta udhëheqin
e nxisin ecjen e Kishës në Afrikë, e cila është e thirrur të jetë
gjithnjë e më shumë “kripa e tokës” dhe “drita e botës” (Mt
5,13.14).
Të gjithëve u kam
drejtuar thirrjen që të jenë ndërtues të palodhur të bashkimit, të paqes
e të solidaritetit, për të bashkëpunuar kështu në realizimin e planit të
shëlbimit të Hyjit për njerëzimin. Afrikanët i janë përgjigjur me
entuziazmin e tyre ftesës së Papës, dhe në fytyrat e tyre, në fenë e
tyre të zjarrtë, në bashkimin e tyre të bindur me Ungjillin e jetës kam
parë edhe një herë shenjat ngushëlluese të shpresës për Kontinentin e
madh afrikan.
I kam prekur me dorë këto
shenja edhe në takimin me fëmijët dhe me botën e vuajtjes. Në kishën
famullitare të Shenjtes Rita, me të vërtetë kam shijuar gëzimin e jetës,
harenë dhe entuziazmin e brezave të rinj që përbëjnë të ardhmen e
Afrikës. Radhëve të gëzueshme të Fëmijëve, njërit prej shumë burimeve
dhe pasurive të Kontinentit, i kam treguar figurën e shën Kicitit, një
djalë ugandez, i vrarë sepse donte të jetonte sipas Ungjillit, dhe kam
nxitur secilin që të t’u dëshmojë Jezusin bashkëmoshatarëve të vet.
Vizita në Foyer-in “Paqe e Gëzim”, i drejtuar prej Misionareve të
Bamirësisë së Nënë Terezës, më ka bërë të jetoj një moment mallëngjimi
të madh duke takuar fëmijë të braktisur e të sëmurë dhe më ka lejuar të
shoh konkretisht se si dashuria dhe solidariteti dinë t’i bëjnë të
pranishme në dobësi forcën dhe dashurinë e Krishtit të ngjallur.
Gëzimi dhe zelli
apostolik që kam parë mes meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve,
seminaristëve dhe laikëve, të ardhur në numër të madh, përbën një shenjë
të shpresës së sigurt për të ardhmen e Kishës në Benin. I kam nxitur të
gjithë në një fe të përnjëmendtë e të gjallë dhe në një jetë të
krishterë të karakterizuar prej praktikimit të virtyteve, si dhe kam
nxitur secilin që ta jetojë misionin përkatës në Kishë me besnikëri ndaj
mësimeve të Magjisterit, në bashkim mes tyre dhe me Barinjtë, duke u
treguar sidomos meshtarëve udhën e shenjtërisë, në vetëdijen se shërbesa
nuk është një funksion i thjeshtë shoqëror, por do të thotë t’ia çosh
Hyjin njeriut dhe njeriun Hyjit.
Moment i fortë bashkimi
ka qenë takimi me Episkopatin e Beninit, për të reflektuar në veçanti
mbi origjinën e shpalljes ungjillore në Vendin e tyre, me veprën e
misionarëve që me bujari kanë dhuruar jetën e tyre, nganjëherë në mënyrë
heroike, në mënyrë që dashuria e Hyjit t’u shpallej të gjithëve.
Ipeshkvinjve u kam drejtuar ftesën që të zbatojnë nisma të përshtatshme
baritore për të nxitur në familjet, në famullitë, në bashkësitë dhe në
lëvizjet kishtare një rizbulim të vazhdueshëm të Shkrimit të Shenjtë, si
burim i përtëritjes shpirtërore dhe rast i thellimit të fesë. Prej këtij
afrimi të përtërirë me Fjalën e Zotit dhe prej rizbulimit të Pagëzimit
të tyre, besimtarët laikë do të gjejnë forcën për të dëshmuar fenë e
tyre në Krishtin dhe në Ungjillin e tij në jetën e tyre të përditshme.
Në këtë fazë kyqe për krejt Kontinentin, Kisha në Afrikë, me angazhimin
e vet në shërbim të Ungjillit, me dëshminë e guximshme të soliaritetit
konkret, do të mund të jetë protagoniste e një stine të re të shpresës.
Në Afrikë kam parë një freski të po-së ndaj jetës, një freski të
ndjenjës fetare dhe të shpresës, një perceptim të realitetit në tërësinë
e tij me Hyjin dhe jo të kufizuar në një pozitivizëm që, në fund të
fundit, e shuan shpresën. E gjithë kjo tregon se në atë Kontinent ka një
depozitë jete dhe gjallërie për të ardhmen, mbi të cilën mund të
mbështetemi, mbi të cilën Kisha mund të mbështetet.
Ky udhëtim i imi ka
përbërë një thirrje të madhe drejtuar Afrikës, që të orientojë çdo
përpjekje për t’ua kumtuar Ungjillin atyre që ende nuk e njohin atë.
Bëhet fjalë për një angazhim të përtërirë për ungjillëzimin, në të cilin
çdo i pagëzuar është i thirrur, duke nxitur pajtimin, drejtësinë dhe
paqen.
Marisë, Nënës së Kishës
dhe Zojës Sonë të Afrikës, ua besoj atyre që kam pasur rastin të takoj
në këtë Udhëtim Apostolik timin të paharruar. Asaj ia porosis Kishën në
Afrikë. Ndërmjetësimi amënor i Marisë “zemra e të cilës është gjithmonë
e drejtuar nga vullneti i Hyjit, përkrahtë çdo angazhim kthimi, forcoftë
çdo nismë pajtimi dhe e bëftë efikase çdo përpjekje në dobi të paqes në
një botë që ka uri dhe etje për drejtësi” (Africae munus, 175).
Faleminderit.
titujt kryesorë |
|