ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Benedikti XVI

Audienca e përgjithshme

 

 

Sheshi i Shën Pjetrit , 28 shtator 2011

 Udhëtimi Apostolik në Gjermani

 

Të dashur vëllezër e motra!

 Siç e dini, prej të enjtes deri të dielën e kaluar, kam bërë një Vizitë Baritore në Gjermani; prandaj jam i lumtur, sikurse zakonisht, të shfrytëzoj rastin e Audiencës së sotme për të ripërshkuar së bashku me ju ditët intensive dhe të mrekullueshme të kaluara në vendlindjen time. E kam përshkuar Gjermaninë prej veriut në jug, prej lindjes në perëndim: prej kryeqytetit Berlin në Erfurt e në Eishfeld dhe së fundi në Fraiburg, qytet afër kufirit me Francën e Zvicrën. Falënderoj para së gjithash Zotin për mundësinë që më dha të takoj njerëzit e të flas me Hyjin, të lutem së bashku e të forcoj vëllezërit e motrat në fe, sipas mandatit të veçantë që Zoti i ka besuar Pjetrit dhe pasardhësve të tij. Kjo vizitë, e zhvilluar nën moton “Aty ku është Hyji, është e ardhmja”, ka qenë me të vërtetë një festë e madhe e fesë: në takimet e bisedat e ndryshme, në kremtimet, sidomos në Meshët solemne me popullin e Hyjit. Këto momente kanë qenë një dhuratë e çmueshme që na ka bërë të perceptojmë përsëri se është Hyji ai që ia jep jetës sonë kuptimin më të thellë, plotësinë e vërtetë, madje, se vetëm Ai na dhuron ne, u dhuron të gjithëve një të ardhme.

 Me mirënjohje të thellë kujtoj mikpritjen e ngrohtë dhe entuziaste si edhe kujdesin e dashurinë që më është shfaqur në vendet e ndryshme që kam vizituar. Falënderoj përzemërsisht Ipeshkvinjtë gjermanë, sidomos ata të Dioqezave që më kanë mikpritur, për ftesën dhe për çfarë kanë bërë, së bashku me shumë bashkëpunëtorë, për ta përgatitur këtë udhëtim. Një falënderim i përzemërt u drejtohet po ashtu Presidentit Federal dhe të gjitha autoriteteve politike e civile në nivel federal e krahinor. Jam thellësisht mirënjohës ndaj atyre që kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme për mbarëvajtjen e Vizitës, sidomos ndaj vullnetarëve të shumtë. Kështu ajo ka qenë një dhuratë e madhe për mua e për të gjithë ne dhe ka ngjallur gëzim, shpresë e një hov të ri feje e angazhimi për të ardhmen.

 Në kryeqytetin federal Berlin, Presidenti Federal më priti në rezidencën e vet dhe më dha mirëseardhjen në emër të vet dhe të bashkëkombasve të mi, duke shprehur vlerësimin e dashurinë ndaj një Pape me origjinë nga toka gjermane. Nga ana ime, munda të përvijoj një mendim të shkurtër mbi marrëdhënien e ndërsjellë mes besimit e lirisë, duke kujtuar një frazë të Ipeshkvit e reformatorit të madh shoqëror Wilhelm von Ketteler: “Ashtu si besimi ka nevojë për lirinë, ashtu edhe liria ka nevojë për besimin”.

 Me gjithë qejf e pranova ftesën që të shkoj në Bundestag, ai që është me siguri njëri prej momenteve të rëndësishme të udhëtimit tim. Për herë të parë një Papë mbajti një fjalim para anëtarëve të parlamentit gjerman. Në këtë rast dëshirova të paraqisja themelin e të drejtës dhe të Shtetit të lirë të të drejtës, pra masën e çdo të drejte, të caktuar prej Krijuesit në vetë qenien e krijimit të tij. Prandaj është e nevojshme ta zgjerojmë konceptin tonë të natyrës, duke e kuptuar atë jo vetëm si një tërësi funksionesh por gjithashtu edhe si gjuhë e Krijuesit për të na ndihmuar që ta dallojmë të mirën prej të keqes. Më pas u zhvillua edhe një takim me disa përfaqësues të bashkësisë hebraike në Gjermani. Duke kujtuar rrënjët tona të përbashkëta në fenë në Hyjin e Abrahamit, të Isakut e të Jakobit, vumë në dukje frytet e korrura deri tani në dialogun mes Kishës katolike dhe Hebraizmit në Gjermani. Po ashtu pata mundësinë të takoja disa anëtarë të bashkësisë muslimane, duke rënë dakord me ta mbi rëndësinë e lirisë fetare për një zhvillim paqësor të njerëzimit.

 Mesha e Shenjtë në stadiumin olimpik në Berlin, në përfundim të ditës së parë të Vizitës, qe njëri prej kremtimeve të mëdha liturgjike që më dhanë mundësinë të lutesha së bashku me besimtarët dhe t’i nxisja ata në fe. U gëzova shumë për pjesëmarrjen e shumtë në numër të njerëzve! Në atë moment të gëzueshëm dhe mbresëlënës medituam mbi shëmbëlltyrën ungjillore të hardhisë dhe shermendëve, pra mbi rëndësinë e të qenit të bashkuar me Krishtin për jetën tonë personale si besimtarë dhe për të qenit tonë Kishë, trupi i tij mistik.

 Etapa e dytë e Vizitës sime qe në Turingji. Gjermania, dhe Turingjia në mënyrë të veçantë, është toka e reformës protestante. Pra, që prej fillimit dëshirova së tepërmi t’i jepja një rëndësi të veçantë ekumenizmit në kuadrin e këtij udhëtimi, dhe ishte një dëshirë e imja e fortë të jetoja një moment ekumenik në Erfurt, sepse pikërisht në këtë qytet Martin Luteri ka hyrë në bashkësinë e agustinianëve dhe aty është shuguruar meshtar. Prandaj u gëzova shumë për takimin me anëtarët e Këshillit të Kishës Ungjillore në Gjermani dhe për aktin ekumenik në ish-Kuvendin e agustinianëve: një takim i përzemërt që, në dialog dhe në lutje, na ka çuar në mënyrë më të thellë drejt Krishtit. Pamë përsëri se sa e rëndësishme është dëshmia jonë e përbashkët e fesë në Jezu Krishtin në botën e sotme, që shpesh nuk e njeh Hyjin ose nuk interesohet për Të. Nevojitet përpjekja jonë e përbashkët në ecjen drejt njësisë së plotë, por jemi gjithmonë të vetëdijshëm se nuk mund ta “bëjmë” as fenë as njësinë aq të dëshiruar. Një fe e krijuar nga ne vetë nuk ka asnjë vlerë, dhe njësia e vërtetë është dhuratë e Zotit, i cili është lutur e lutet gjithmonë për njësinë e nxënësve të vet. Vetëm Krishti mund të na e dhurojë këtë njësi, dhe do të jemi gjithnjë e më të bashkuar në masën në të cilën kthehemi te Ati dhe lejojmë të shndërrohemi prej Tij.

 Një moment veçanërisht emocionues ishte për mua kremtimi i Mbrëmësores mariane para shenjtërores së Etzelbahut, ku më priti një shumicë shtegtarësh. Që i ri kisha dëgjuar të flitej për krahinën e Eishfeldit – rrip toke e mbetur gjithmonë katolike në ngjarjet e historisë – dhe për banorët e saj që u janë kundërvënë me guxim diktaturave të nazizmit e të komunizmit. Kështu qeshë shumë i kënaqur ta vizitoja këtë Eishfeld dhe njerëzit e saj në një shtegtim drejt figurës mrekullibërëse të Virgjërës së Dhimbshme të Etzelbahut, ku për shekuj besimtarët i kanë besuar Marisë kërkesat, shqetësimet, vuajtjet e tyre, duke marrë ngushëllim, hire e bekime. Po aq prekëse qe Mesha e kremtuar në sheshin e mrekullueshëm të Katedrales në Erfurt. Duke kujtuar pajtorët e shenjtë të Turingjisë – Shenjten Elizabetë, Shën Bonifacin dhe shën Kilianin – si dhe shembullin e ndritshëm të besimtarëve që kanë dëshmuar Ungjillin gjatë sistemeve totalitare, i ftova besimtarët që të ishin shenjtërit e sotëm, dëshmitarë të vlefshëm të Krishtit, dhe të ndihmonin për të ndërtuar shoqërinë tonë. Në të vërtetë, gjithmonë kanë qenë shenjtërit dhe personat e pushtuar prej dashurisë së Krishtit ata që e kanë shndërruar me të vërtetë botën. Mallëngjyes qe edhe takimi i shkurtër me Imzot Hermann Scheipers, meshtari i fundit gjerman i gjallë i mbijetuar prej kampit të përqendrimit të Dakaut. Në Erfurt pata rastin edhe të takoja disa viktima të abuzimit seksual nga ana e klerikëve, të cilët dëshirova t’i siguroja për keqardhjen time dhe afërsinë time ndaj vuajtjes së tyre.

 Etapa e fundit e udhëtimit tim më çoi në jug-perëndim të Gjermanisë, në Arkidioqezën e Fraiburgut. Banorët e këtij qyteti të bukur, besimtarët e Arkidioqezës dhe shtegtarët e shumtë të ardhur nga Zvicra e Franca e afërt si dhe nga vende të tjera, më rezervuan një mikpritje të veçantë e të gëzueshme. Munda ta përjetoja këtë edhe në vigjiljen e lutjes me mijëra të rinj. U gëzova tek pashë se feja në atdheun tim gjerman ka një fytyrë të re, se është e gjallë dhe ka një të ardhme. Në ritin tërheqës të dritës u përçova të rinjve flakën e qiriut të Pashkëve, simbol i dritës që është Krishti, duke i nxitur ata: “Ju jeni drita e botës”. U përsërita atyre se Papa ka besim në bashkëpunimin aktiv të të rinjve: me hirin e Krishtit, ata janë në gjendje të sjellin në botë zjarrin e dashurisë së Hyjit.

 Një moment i posaçëm qe takimi me seminaristët në Seminarin e Fraiburgut. Duke u përgjigjur në njëfarë mënyre ndaj letrës prekëse që ata më kishin dërguar disa javë më parë, dëshirova t’u tregoja atyre të rinjve bukurinë e madhështinë e thirrjes së tyre nga ana e Zotit dhe t’u jepja atyre ndonjë ndihmë për të vazhduar ecjen e ndjekjes me gëzim e në bashkim të thellë me Krishtin. Gjithnjë në Seminar pata mundësinë të takoja në një atmosferë vëllazërore edhe disa përfaqësues të Kishave ortodokse dhe ortodokse lindore, me të cilat ne katolikët ndihemi shumë afër. Pikërisht prej këtij bashkimi të gjerë buron edhe detyra e përbashkët për të qenë tharm për përtëritjen e shoqërisë sonë. Një takim miqësor me përfaqësuesit e laikatit katolik gjerman përfundoi një seri takimesh në Seminar.

 Kremtimi i madh eukaristik i të dielës në aeroportin turistik të Fraiburgut qe një tjetër moment kulmor i Vizitës baritore, dhe rast për të falënderuar ata që angazhohen në fushat e ndryshme të jetës kishtare, sidomos vullnetarët e shumtë dhe bashkëpunëtorët e nismave bamirëse. Janë ata që i bëjnë të mundura ndihmat e shumta që Kisha gjermane i jep Kishës së gjithëmbarshme, sidomos në tokat e misionit. Kujtova edhe se shërbimi i tyre i çmueshëm do të jetë gjithmonë i frytshëm nëse buron prej një feje të përnjëmendtë e të gjallë, në bashkim me Ipeshkvinjtë dhe Papën, në bashkim me Kishën. Së fundi, para kthimit tim, u fola rreth një mijë katolikëve të angazhuar në Kishë e në shoqëri, duke sugjeruar disa reflektime mbi veprimin e Kishës në një shoqëri të shekullarizuar, mbi ftesën për të qenë e lirë prej peshave materiale e politike për të qenë më e tejdukshme ndaj Hyjit.

 Të dashur vëllezër e motra, ky Udhëtim Apostolik në Gjermani më dha një rast të përshtatshëm për të takuar besimtarët e atdheut tim gjerman, për t’i përforcuar në fe, në shpresë e në dashuri, dhe për të bashkëndarë me ta gëzimin e të qenit katolikë. Por mesazhi im i drejtohej gjithë popullit gjerman, për t’i ftuar të gjithë që ta shikojnë me besim të ardhmen. Është e vërtetë, “Aty ku është Hyji, është e ardhmja”. Falënderoj edhe një herë të gjithë ata që e kanë bërë të mundur këtë Vizitë dhe ata që më kanë shoqëruar me lutje. Zoti e bekoftë popullin e Hyjit në Gjermani dhe ju bekoftë ju të gjithë. Faleminderit.

 

 titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster