ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Benedikti XVI

Audienca e përgjithshme

 

 

Salla Pali VI, e mërkurë, 30 nëntor 2011

 

Lutja përshkon gjithë jetën e Jezusit

 Të dashur vëllezër e motra,

në katekezat e fundit kemi reflektuar mbi disa shembuj të lutjes në Besëlidhjen e Vjetër. Sot do të doja të fillojmë të vështrojmë nga Jezusi, nga lutja e tij, që përshkon gjithë jetën e tij, si një kanal i fshehtë që ujit ekzistencën, marrëdhëniet, gjestet dhe që e drejton, me vendosmëri progresive, drejt dhurimit të plotë të vetvetes, sipas planit të dashurisë së Hyjit Atë. Jezusi është mësuesi edhe i lutjeve tona, madje Ai është mbështetja aktive e vëllazërore e jona sa herë që i drejtohemi Atit. Me të vërtetë, sikurse përmbledh një titull i Përmbledhjes së Katekizmit të Kishës Katolike, “lutja është zbuluar dhe zbatuar plotësisht në Jezusin” (541-547). Atë duam ta vështrojmë në katekezat e ardhshme.

 Një moment veçanërisht domethënës i kësaj ecjeje të tij është lutja që ndjek pagëzimin të cilit i nënshtrohet në lumin Jordan. Luka ungjilltar vë në dukje se Jezusi, pasi, së bashku me gjithë popullin, ka marrë pagëzimin prej dorës së Gjon Pagëzuesit, hyn në një lutje shumë personale dhe të zgjatur: “Kur u pagëzua mbarë populli, u pagëzua edhe Jezusi dhe, ndërsa po lutej, u hap qielli dhe Shpirti Shenjt zbriti mbi të” (Lk 3,21-22). Pikërisht ky qëndrim në lutje, në dialog me Atin, e ndriçon veprimin që ka bërë së bashku me shumë prej popullit të vet, që kishin shkuar në breg të Jordanit. Duke u lutur, Ai i jep këtij gjesti të vet, të pagëzimit, një karakteristikë ekskluzive dhe personale.

 Gjon Pagëzuesi kishte drejtuar një thirrje të fortë për të jetuar me të vërtetë si “bij të Abrahamit”, duke u kthyer nga e mira dhe duke bërë fryte të denja për këtë ndryshim (krh. Lk 3,7-9). Dhe një numër i madh izraelitësh ishte nxitur, siç kujton Marku ungjilltar, i cili shkruan: “Mbarë krahina e Judesë e të gjithë jerusalemasit shkonin tek ai [te Gjon Pagëzuesi]. Pasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, Gjoni i pagëzonte në lumin Jordan” (Mk 1,5). Gjon Pagëzuesi po sillte diçka realisht të re: marrja e pagëzimit duhej të shënonte një kthesë vendimtare, lënien e një sjelljeje të lidhur me mëkatin dhe fillimin e një jete të re. Edhe Jezusi e pranon këtë ftesë, hyn mes turmës së mëkatarëve që presin në breg të Jordanit. Por, sikurse në të krishterët e parë, edhe në ne lind pyetja: pse Jezusi i nënshtrohet vullnetarisht këtij pagëzimi pendese dhe kthimi? Nuk duhej të rrëfente mëkate, nuk kishte mëkate, prandaj edhe nuk kishte nevojë të kthehej. Atëherë pse ky gjest? Mateu ungjilltar sjell çudinë e Gjon Pagëzuesit i cili pohon: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje, e ti po vjen tek unë?” (Mt 3,14) dhe përgjigjen e Jezusit: “Lëre tani! Sepse kështu na ka hije të kryejmë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit” (rr. 15). Kuptimi i fjalës “drejtësi” [që përdoret në tekstin origjinal të Biblës] në botën biblike do të thotë të pranosh plotësisht vullnetin e Hyjit. Jezusi tregon afërsinë e vet me atë pjesë të popullit të vet që, duke ndjekur Gjon Pagëzuesin, mendon se është e pamjaftueshme që thjesht ta konsiderojnë veten bij të Abrahamit, por dëshiron të kryejë vullnetin e Hyjit, dëshiron të angazhohet që sjellja e vet të jetë një përgjigje besnike ndaj besëlidhjes së ofruar prej Hyjit në Abrahamin. Atëherë duke zbritur në lumin Jordan, Jezusi, pa mëkat, e bën të dukshëm solidaritetin e vet me ata që i pranojnë mëkatet e tyre, zgjedhin të pendohen e të ndryshojnë jetë; bën të kptohet se të jesh pjesë e popullit të Hyjit do të thotë të hysh në një optikë të risisë së jetës, të jetës sipas Hyjit.

 Në këtë gjest Jezusi hershon kryqin, i jep fillesë veprimtarisë së vet duke marrë vendin e mëkatarëve, duke marrë mbi shpatullat e veta peshën e fajit të krejt njerëzimit, duke përmbushur vullnetin e Atit. Duke u përqendruar në lutje, Jezusi tregon lidhjen intime me Atin që është në Qiell, përjeton atësinë e tij, sheh bukurinë kërkuese të dashurisë së tij, dhe në bashkëbisedimin me Atin merr konfirmimin e misionit të tij. Në fjalët që jehojnë prej Qiellit (krh. Lk 3,22) gjendet referimi i hershuar në misterin e Pashkëve, në kryqin dhe në ngjalljen. Zëri hyjnor e përcakton atë si “Djali i dishirit”, duke kujtuar Isakun, birin e dashur që i ati Abrahami ishte i gatshëm ta flijonte, sipas urdhrit të Hyjit (krh. Zan 22,1-14). Jezusi nuk është vetëm Biri i Davidit pasardhësi mesianik mbretëror, apo Shërbëtori të cilin Hyji e ka përzemër, por është edhe Biri i njëlindur, i dishirit, i ngjashëm me Isakun, që Hyji Atë e dhuron për shëlbimin e botës. Në momentin në të cilin, nëpërmjet lutjes, Jezusi jeton në thellësi bijësinë e vet dhe përvojën e atësisë së Hyjit (krh. Lk 3,22b), zbret Shpirti Shenjt (krh. Lk 3,22a), që e drejton në misionin e tij dhe që Ai do ta japë pasi të jetë lartësuar mbi kryq (krh. Gjn 1,32-34; 7,37-39), që ta ndriçojë veprën e Kishës. Në lutje, Jezusi jeton një kontakt të pandërprerë me Atin për ta realizuar deri në fund planin e dashurisë për njerëzit.

 Në sfondin e kësaj lutjeje të jashtëzakonshme gjendet krejt ekzistenca e Jezusit e jetuar në një familje thellësisht të lidhur me traditën fetare të popullit të Izraelit. E tregojnë këtë referimet që gjejmë në Ungjijtë: rrethprerja e tij (krh. Lk 2,21) dhe paraqitja e tij në tempull (krh. Lk 2,22-24), ashtu si edhe edukimi e formimi në Nazaret, në shtëpinë e shenjtë (krh. Lk 2,39-40 e 2,51-52). Bëhet fjalë për “rreth tridhjetë vjet” (Lk 3,23), një kohë e gjatë e jetës së fshehur e të punës, edhe pse me përvoja të pjesëmarrjes në momentet e shprehjes fetare bashkësiore, si shtegtimet në Jerusalem (krh. Lk 2,41). Duke na treguar episodin e Jezusit dymbëdhjetë vjeçar në tempull, të ulur në mes të mësuesve (krh. Lk 2,42-52), Luka ungjilltar lë të tejduket se si Jezusi, që lutet pas pagëzimit në Jordan, ka një traditë të gjatë lutjeje intime me Hyjin Atë, të rrënjosur në traditat, në stilin e familjes së vet, në përvojat vendimtare të jetuara në to. Përgjigjja e dymbëdhjetëvjeçarit drejtuar Marisë dhe Jozefit tregon që në atë kohë atë bijësi hyjnore, që zëri qiellor e shfaq pas pagëzimit: “Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” (Lk 2,49). Kur del prej ujrave të Jordanit, Jezusi nuk përuron lutjen e vet, por vazhdon marrëdhënien e vet të pandërprerë, të zakonshme me Atin; dhe pikërisht në këtë bashkim të brendshëm me Të bën kalimin prej jetës së fshehur të Nazaretit në shërbesën e vet publike.

 Mësimi i Jezusit mbi lutjen sigurisht që vjen prej mënyrës së tij të të luturit të fituar në familje, por e ka zanafillën e vet të thellë e thelbësore në të qenit e tij Bir i Hyjit, në marrëdhënien e tij unikale me Hyjin Atë. Përmbledhja e Katekizmit të Kishës Katolike i përgjigjet kështu pyetjes: Prej kujt ka mësuar Jezusi të lutet: “Jezusi, sipas zemrës së tij njerëzore, ka mësuar të lutet prej Nënës së vet dhe prej traditës hebraike. Por lutja e tij gurgullon prej një burimi më të fshehtë, pasi është Biri i amshuar i Hyjit që, në njerëzimin e vet të shenjtë, ia drejton Atit të vet lutjen bijësore të përsosur” (541).

 Në tregimin ungjillor, ambientimet e lutjes së Jezusit vendosen gjithmonë në kryqëzimin mes mësimit në traditën e popullit të vet dhe risisë së një marrëdhënieje personale unikale me Hyjin. “Vendi i pabanuar” (krh. Mk 1,35; Lk 5,16) në të cilin tërhiqet shpesh, “mali” ku ngjitet për t’u lutur (krh. Lk 6,12; 9,28), “nata” që i lejon vetminë (krh. Mk 1,35; 6,46-47; Lk 6,12) na kujtojnë momente të ecjes së zbulimit të Hyjit në Besëlidhjen e Vjetër, tregojnë vazhdimësinë e planit të tij shëlbues. Por në të njëjtën kohë, shënojnë momente me një rëndësi të veçantë për Jezusin, që në mënyrë të vetëdijshme hyn në këtë plan, besnik plotësisht ndaj vullnetit të Atit.

 Edhe në lutjen tonë ne duhet të mësojmë, gjithnjë e më shumë, të hyjmë në këtë histori të shëlbimit në të cilën Jezusi është kulmi, të përtërijmë para Hyjit vendimin tonë personal për t’iu hapur vullnetit të tij, t’i kërkojmë Atij forcën për ta përputhur vullnetin tonë me të tijin, në të gjithë jetën tonë, në dëgjesë ndaj planit të tij të dashurisë për ne.

Lutja e Jezusit i prek të gjitha fazat e shërbesës së tij dhe të gjitha ditët e tij. Lodhjet nuk e bllokojnë. Madje, Ungjijtë lënë të tejduket një zakon i Jezusit për ta kaluar në lutje një pjesë të natës. Marku ungjilltar tregon një prej këtyre netëve, pas ditës së rëndë të shumimit të bukëve dhe shkruan: “Dhe menjëherë i nguti nxënësit e vet të hyjnë në barkë e të kalojnë në anën e kundërt drejt Betsaidës, derisa ai ta përcillte popullin. Kur e përcolli popullin, u ngjit në mal për t’u lutur. Kur u bë natë, barka ishte në mes të detit, kurse Jezusi vetëm në tokë” (Mk 6,45-47). Kur vendimet bëhen të ngutshme dhe të ndërlikuara, lutja e tij bëhet më e zgjatur dhe e fortë. Ndërsa po afrohej zgjedhja e Dymbëdhjetë Apostujve, për shembull, Luka thekson kohëzgjatjen e lutjes përgatitore të Jezusit natën: “Ndër ato ditë Jezusi shkoi në një mal për t’u lutur. Natën e kaloi duke iu lutur Hyjit. Kur zbardhi drita, i thirri nxënësit e vet e prej tyre zgjodhi dymbëdhjetë, të cilët edhe i quajti apostuj” (Lk 6,12-13).

Duke shikuar lutjen e Jezusit, duhet të lindë në ne një pyetje: si lutem unë? si lutemi ne? Çfarë kohe i kushtoj marrëdhënies me Hyjin? A bëhet sot një edukim dhe një formim i mjaftueshëm për lutjen? Dhe kush mund të jetë mësues i saj? Në Nxitjen apostolike Verbum Domini kam folur për rëndësinë e leximit lutës të Shkrimit të Shenjtë. Duke përmbledhur atë që ka dalë prej Asamblesë së Sinodit të Ipeshkvinjve, kam vënë një theks të veçantë në formën specifike të lectio divina-s. Të dëgjojmë, të meditojmë, të heshtim para Zotit që flet është një art, që e mësojmë duke e praktikuar vazhdimisht. Sigurisht, lutja është një dhuratë që, megjithatë, kërkon të pranohet; është vepër e Hyjit, por kërkon angazhim e vazhdimësi nga ana jonë; veçanërisht, vazhdimësia dhe qëndrueshmëria janë të rëndësishme. Pikërisht përvoja shembullore e Jezusit tregon se lutja e tij, e frymëzuar prej atësisë së Hyjit dhe prej bashkimit të Shpirtit, është thelluar në një ushtrim të zgjatur e besnik, deri në Kopshtin e Ullinjve dhe në Kryq. Sot të krishterët janë të thirrur të jenë dëshmitarë të lutjes, pikërisht sepse bota jonë shpesh është e mbyllur para horizontit hyjnor dhe para shpresës që sjell takimin me Hyjin. Në miqësi të thellë me Jezusin dhe duke e jetuar në Të e me Të marrëdhënien bijësore me Atin, nëpërmjet lutjes sonë besnike e të vazhdueshme, mund të hapin dritaret nga Qielli i Hyjit. Madje, duke bërë rrugën e lutjes, pa një kujdes njerëzor, mund të ndihmojmë edhe të tjerët që ta bëjnë atë: edhe për lutjen e krishterë është e vërtetë se, duke ecur, hapen shtigjet.

Të dashur vëllezër e motra, le të edukohemi për një marrëdhënie të thellë me Hyjin, për një lutje që nuk është e herëpashershme, por e vazhdueshme, plot me besim, e aftë ta ndriçojë jetën tonë, sikurse na mëson Jezusi. Dhe le t’i kërkojmë Atij që të mund t’u komunikojmë personave që i kemi afër, atyre që takojmë në rrugën tonë, gëzimin e takimit me Zotin, dritë për ekzistencën tonë. Faleminderit

 

 titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster