|
|
CEREMONIA E
MIRËSEARDHJES
TAKIMI ME
AUTORITETET E SHTETIT NË ELIZE
FJALIMI
I ATIT TË SHENJTË BENEDIKTIT XVI
Paris, Elize
E premte, 12 shtator 2008
Zoti President,
Zonja dhe Zotërinj,
Miq të dashur!
Duke shkelur për herë
të parë në dheun e Francës, pasi që Provania më ka thirrur në Selinë e
Pjetrit, ndihem i mallëngjyer dhe i nderuar për mikpritjen e ngrohtë që
më keni bërë. Juve, Zoti President, u jam veçanërisht mirënjohës për
ftesën e përzemërt që më keni bërë për të vizituar Vendin tuaj, ashtu si
edhe për fjalët e mirëseardhjes që sapo m’i drejtuat. Si të mos e kujtoj
vizitën që Shkëlqesia Juaj më ka bërë në Vatikan para nëntë muajsh?
Nëpërmjet personit Tuaj përshëndes të gjithë ata që jetojnë në këtë Vend
nga historia mijëvjeçare, nga e tashmja e pasur me ngjarje dhe nga e
ardhmja premtuese. E dimë se Franca shumë shpesh është në qender të
lutjes së Papës, i cili nuk mund të harrojë të gjitha ato që ajo i ka
sjellë Kiahës gjatë dhjetë shekujve! Arsyeja kryesore e udhëtimit tim
është celebrimi i 150 vjetorit të shfaqjes së Virgjerës Mari në Lurd.
Dëshiroj t’i bashkohem turmës së panumërt të shtegtarëve nga e gjithë
bota, që gjatë këtij viti mblidhen drejt shenjtërores së Zojës, të
gjallëruar nga feja dhe dashuria. Është një fe, një dashuri që vij ta
kremtoj këtu, në Vendin tuaj, gjatë katër ditëve të hirit që do të më
jepet t’i kaloj.
Shtegtimi im në Lurd
duhet të parashikonte një ndalesë në Paris. Kryeqyteti juaj më është
shumë familjare dhe e njoh shumë mirë. Këtu kam ardhur shpesh për arsye
studimi dhe për detyrat e mia të mëparshme, këty kam lidhur miqësi të
mira njerëzore dhe intelektuale. këtu kthehem me gëzim, i kënaqur nga
rasti që më është ofruar për t’i bërë nderim pasurisë hijerëndë
kulturore dhe fetare që ka krijuar Vendi juaj në mënyrë të shkëlqyeshme
gjatë shekujve dhe që i ka ofruar botës figura të mëdha shërbëtorësh të
Kombit dhe të Kishës, mësimet dhe shembulli i të cilëve kanë kaluar
natyrisht kufijtë gjeografikë dhe kombëtarë për të shënuar të ardhmen e
botës. Me rastin e vizitës së tij në Romë, Zoti President, Ju keni
kujtuar se rrënjët e Francës – si edhe ato të Evropës – janë të
krishtera. Një gjë të tillë e tregon historia: që në fillesat e tij,
Vendi Juaj ka marrë mesazhin e Ungjillit. Nëse dokumentet ndonjëherë
kanë ndonjë të metë, gjithsesi mbetet fakti se ekzistenca e bashkësive
të krishtera në Gali është e dëshmuar që në kohët e lashta: nuk mund të
mos kujtohet me emocion se qyteti i Lionit kishte Ipeshkëv qysh në
gjysmën e shekullit II dhe që Shën Ireneu, autori i Adversus haereses,
bëri një dëshmi gojore për mendimin e madh të krishterë. Tani, Shën
Ireneu kishte ardhur nga Smirna për të predikuar fenë në Krishtin e
ngjallur. Pra, Lioni kishte një Ipeshkëv, që si gjuhë-nënë kishte
greqishten: a mund të ketë një shenjë më të bukur të natyrës dhe të
adresimit universal të mesazhit të krishterë? Kisha, e themeluar qysh në
kohë të lashta në Vendin Tuaj, ka luajtur një rol civilizues të cilit më
pëlqen t’i bëj nderime në këtë vend. Ju vetë e keni përmendur në
fjalimin Tuaj në Pallatin e Lateranos në dhjetorin e kaluar dhe përsëri
sot. Përçimi i kulturës së lashtë nëpërmjet murgjëve, profesorëve dhe
daktilografistëve, formim i zemrave dhe i shpirtrave për dashurinë e të
varfrit, ndihmë për më të varfrit nëpërmjet themelimit të Kongregatave
të shumta rregulltare, kontributi i të krishterëve për konsolidimin e
institucioneve të Galisë, pastaj të Francës, është shumë i njohur që të
mos zgjatem. Mijëra kapela, kisha, abaci dhe katedrale që zbukurojnë
zemrën e qytetit ose vetminë e fshatrave thonë mjaftueshëm mbi atë se si
etërit e lashtë në fe kanë dashur ta nderojnë Atë që u kishte dhuruar
atyre jetën dhe që na ruan në ekzistencë.
Njerëz të shumtë, edhe
këtu në Francë, janë ndalur për të reflektuar mbi marrëdhëniet mes
Kishës dhe Shtetit. Në të vërtetë, mbi problemin e marrëdhënieve mes
sferës politike dhe sferës fetare Krishti ka ofruar kriterin e thellë në
bazë të të cilit të gjejmë zgjidhjen e duhur. E bëri kur, duke iu
përgjigjur një pyetjeje që i ishte bërë, theksoi: “Çka i përket Çezarit,
jepjani Çezarit e çka i përket Hyjit, jepjani Hyjit” (Mk 12, 17). Kisha
në Francë aktualisht gëzon një regjim lirie. Mosbesimi në të kaluarën
është shndërruar pak nga pak në një dialog të qetë e pozitiv, që
konsolidohet gjithmonë e më shumë. Një mjet i ri dialogu ekziston nga
viti 2002 dhe unë kam besim të madh në punën e tij, sepse vullneti i
mirë është i ndërsjellë. E dimë se rrinë akoma të hapura disa territore
dialogu që duhet t’i përshkojmë dhe t’i përmirësojmë pak nga pak me
vendosmëri dhe durim. Ju keni përdorur, Zoti President, shprehjen e
bukur “laicitet pozitiv” për të kualifikuar këtë të kuptuar më të hapur.
Në këtë moment historik në të cilin kulturat ndërthuren mes tyre
gjithmonë e më shumë, jam thellësisht i bindur se një reflektim i ri mbi
domethënien e vërtetë dhe mbi rëndësinë e laicitetit është bërë i
domosdoshëm. Në fakt, nga njëra anë është themelore të këmbëngulim mbi
dallimin mes rrethit politik dhe atij fetar me qëllim që të mbrojmë si
lirinë fetare të qytetarëve, ashtu edhe përgjegjësinë e Shtetit ndaj
tyre dhe, nga ana tjetër, të bëhemi gjithnjë e më të vetëdijshëm për
funksionin e pazëvendësueshëm të fesë për formimin e ndërgjegjeve dhe të
kontributit që ajo mund të sjell, së bashku me instanca të tjera, në
krijimin e një miratimi etik bazë në shoqëri.
Papa, dëshmitar i një
Hyji që do dhe që shpëton, mundohet të jetë një mbjellës i dhembshurisë
dhe i shpresës. Çdo shoqëri njerëzore ka nevojë për shpresë dhe kjo
nevojë është akoma më e madhe në botën e sotme që ofron pak aspirata
shpirtërore dhe pak qartësi materiale. Të rinjtë janë shqetësimi im më i
madh. Disa prej tyre lodhen për të gjetur një orientim që u leverdis ose
vuajnë nga një humbje referimi në familjen e tyre. Të tjerë akoma
eksperimentojnë kufizimet e një bashkësie rregulltare kushtëzuese.
Ndonjëherë të vënë mënjanë dhe shpesh të lënë pas dore, janë të brishtë
dhe duhet të përballojnë vetëm një realitet që i tejkalon. Është e
nevojshme t’i ofrojmë atyre një kuadër edukues të qëndrueshëm dhe t’i
inkurajojmë të respektojnë dhe të ndihmojnë të tjerët, kështu të arrijnë
qetësisht në moshën e pjekurisë. Kisha, në këtë fushë, mund të japë
kontributin e saj specifik. Edhe situata sociale e botës perëndimore, e
shënuar për fat të keq nga një zhvillim i heshtur i distancës mes të
pasurve dhe të varfërve, më shqetëson. Jam i bindur se është e mundur të
gjejmë zgjidhje të drejta që, duke shkuar përtej ndihmës së nevojës së
menjëhershme, të arrijnë në zemër të problemeve në përpjekjen për të
mbrojtur të dobëtit dhe të nxisin dinjitetin e tyre. Nëpërmjet
institucioneve dhe nismave të saj të panumërta Kisha, si edhe shumë
organizata të tjera të Vendit Tuaj, kërkon shpesh të kujdeset për
nevojat e menjëhershme, por i përket Shtetit të ligjërojë çrrënjosjen e
padrejtësive. Në një kornizë shumë më të gjerë, Zoti President, më
shqetëson edhe gjendja e planetit tonë. Me bujari të madhe Hyji na ka
besuar botën të krijuar prej Tij. Është urgjente të mësojmë ta
respektojmë dhe ta mbrojmë më mirë. Më duket se ka ardhur momenti të
bëjmë propozime më ndërtuese për të siguruar mirëqenien e brezave të
ardhshëm.
Ushtrimi i Presidencës
së Bashkimit Evropian përbën për Vendin tuaj një rast për të dëshmuar
ngjitjen e Francës, sipas traditës së saj fisnike, me të drejtat e
njeriut dhe nxitjen e tyre për të mirën e individit dhe të shoqërisë.
Kur qytetari evropian do të shohë dhe do të eksperimentojë personalisht
që të drejtat e patjetërsueshme të personave njerëzorë, që nga ngjizja e
deri në vdekje të natyrshme, si edhe ato që kanë lidhje me edukimin e
lirë, të jetës familjare, të punës, pa harruar natyrisht të drejtat
fetare, atëherë kur qytetari evropian do ta kuptojë se këto të drejta që
përbëjnë një të tërë të pandarë, nxiten dhe respektohen, atëherë do ta
kuptojë plotësisht madhështinë e Bashkimit Evropian dhe do të bëhet një
krijues aktiv i tij. Detyra që Ju pret, Zoti President, nuk është e
lehtë. Kohët janë të pasigurta dhe është një ndërmarrje e vështirë të
gjesh rrugën e mirë në mes të dredhive të përditshme sociale dhe
ekonomike, kombëtare dhe ndërkombëtare. Në veçanti, para rrezikut të
ringjalljes së mosbesimeve të vjetra, tensioneve dhe kundërvënieve mes
Kombeve, për të cilët sot jemi dëshmitarë të shqetësuar, Franca,
historikisht e ndjeshme ndaj pajtimit mes popujve, është thirrur ta
ndihmojë Evropën për të ndërtuar paqen brenda kufijve të saj dhe në
mbarë botën. Është e rëndësishme, në këtë këndvështrim, të nxitet një
njësi që nuk mund e nuk do të bëhet uniforme, por që është e aftë të
garantojë respektin e ndryshimeve kombëtare dhe të ndryshimeve
tradicionale kulturore, që përbëjnë një pasuri në sinfoninë evropiane,
duke rritur, nga ana tjetër, që “ky identitet kombëtar nuk realizohet
veçse në hapjen ndaj popujve të tjerë dhe nëpërmjet solideritetit me to”
(Nxitje apostolike Ecclesia in Evropa, nr. 112). Shpreh besimin tim se
Vendi Juaj do të kontribojë gjithmonë e më shumë që ta çojë këtë shekull
drejt qetësisë, dashurisë dhe paqes.
Zoti President, miq të
dashur, dëshiroj edhe një herë t’ju shpreh mirënjohjen time për këtë
takim. Ju siguroj se do të lutem intensivisht për Kombin tuaj të bukur,
derisa Hyji t’i jap paqe dhe përparim, liri dhe bashkim, barazi dhe
vëllazëri. Ia besoj këto kushte ndërmjetësimit amëror të Virgjërës Mari,
Pajtores kryesore të Francës. Zoti e bekoftë Francën dhe të gjithë
Francezët!
titujt kryesorë
|
|