|
|
||
|
Ceremonia e mireseardhjes FJALIMI I ATIT TË SHENJTË BENEDIKTI XVI |
||
|
|
Aeroporti Ndërkombëtarë Ben Gurion - Tel Aviv E hënë, 11 maj 2009
Zoti President, Zoti Kryeministër, Shkëlqesi, Zonja dhe Zotërinj, faleminderit për pritjen tuaj të ngrohtë në shtetin e Izraelit, në këtë tokë që konsiderohet e shenjtë nga miliona besimtarë në të gjithë botën. I jam mirënjohës Presidentit, Zotit Shimon Peres, për fjalët e tij të ngrohta dhe e vlerësoj mundësinë që më është dhën për ta bërë këtë udhëtim në një tokë e cila është bërë e shenjtë nga gjurmët e patriarkëve dhe të profetëve, një tokë që të krishterët e nderojnë në mënyrë të veçantë si vendin e ngjarjeve të jetës, vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit. Zë vendin tim një një radhë të gjatë shtegtarësh të krishterë në këto vende, një radhë që nis që nga shekujt e parë të historisë së krishterë dhe që, jam i sigurt, do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ashtu si shumë të tjerë para meje, vij për t’u lutur në vendet e shenjta, të lutem në mënyrë të veçantë për paqen - paqen këtu në Tokën e Shenjtë dhe paqe në mbarë botën. Zoti President, Selia e Shenjtë dhe Shteti i Izraelit bashkëndajnë shumë vlera, para se të gjithash angazhimin për t’i ruajtur besimit vendin e tij legjitim në jetën e shoqërisë. Rendi i drejtë i marrëdhënieve shoqërore hamendëson dhe kërkon respektimin e të vërtetës dhe të dinjitetit të çdo qenie njerëzore, që të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë besojnë se është krijuar nga një Hyj dashamirës dhe i adresuar për jetën e amshueshme. Kur mohohet ose kur lihet mënjanë dimensioni religjioz i personit njerëzor, vihet në rrezik vetë themeli i një mirëkuptimi të saktë të të drejtave të patjetërsueshme njerëzore. Në mënyrë tragjike, populli hebre ka provuar pasojat e tmerrshme të ideologjive që mohojnë dinjitetin themelor të çdo personi njerëzor. Është e drejtë dhe e dobishme që, gjatë pranisë sime në Izrael, të kem mundësinë të lartësoj kujtimin e gjashtë milionë hebrenjve viktima të Shoah-ut, dhe të lutem me qëlim që njerëzimi të mos jetë kurrë më dëshmitar i një krimi me përmasa të tilla. Për fat të keq antisemitizmi vazhdon të ngrejë krye në shumë vende të botës. Kjo është krejtësisht e papranueshme. Duhet të bëhet çdo përpjekje për të luftuar antisemitizmin kudo që ndodhet, për të nxitur respektimin dhe vlerësimin e çdo populli, race, gjuhe dhe kombi në mbarë botën. Gjatë qëndrimit tim në Jerusalem, do të kem kënaqësinë të takoj shumë udhëheqës religjiozë të shquar të këtij vendi. Një gjë që kanë të përbashkët tre religjionet monoteiste është një nderim i veçantë i këtij Qyteti të Shenjtë. Shpresoj me gjithë shpirt që të gjithë shtegtarët që vijnë në këto vende të shenjta të kenë mundësinë të hyjnë pa kufizime, të marrin pjesë në ceremonitë religjioze dhe të nxisin mirëmbajtjen e denjë ndërtesave të kultit që ndodhen në këto vende të shenjta. U përmbushin fjalët e Isaisë profet, sipas së cilave shumë kombe do të vërshojnë në malin e Shtëpisë së Zotit, kështu që Ai t’ua mësojë atyre rrugët e Veta dhe ato të mund të ecin në këto udhë, udhë paqeje dhe drejtësie, udhë që çojnë në pajtim dhe në harmoni (krh. Is 2,2-5). Edhe pse emri Jerusalem do të thotë “qytet i paqes”, është krejt e qartë se për dekada me radhë paqja u ka munguar tragjikisht banorëve të këtyre tokave. Sytë e botës janë mbi popujt e këtij rajoni, ndërkohë që ata luftojnë për të arritur në një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të konflikteve që kanë shkaktuar shumë vuajtje. Shpresat e burrave, të grave dhe të fëmijëve të panumërt për një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme varen nga rezultati i negocimeve për paqe mes Izraelitëve dhe Palestinezëve. Në bashkim me të gjithë njerëzit vullnetmirë, i lutem të gjithë atyre që kanë përgjegjësi të zbulojnë çdo rrugë të mundshme për gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë për vështirësitë e mëdha, kështu që të dy popujt të mund të jetojnë në paqe në një atdhe që është atdheu i tyre, brenda kufijsh të sigurt dhe të njohur ndërkombëtarisht. Në këtë drejtim, shpresoj dhe lutem, që shpejt të mund të krijohet një klimë më e fortë besimi, që t’i bëjë të aftë të dyja palët të bëjnë përparime të vërteta drejt rrëugës së paqes dhe të stabilitetit. Ipeshkvijve dhe besimtarëve katolikë të pranishëm sot këtu u bëj një përshëndetje të posaçme. Në këtë tokë ku Pjetri mori detyrën që të kulloste delet e Zotit, vij si pasadhës i Pjetrit për të përmbushur në mesin tuaj detyrën time. Do të jetë një kënaqësi e veçantë të bashkohem me ju për të mbyllur kremtimet e Vitit të Familjes, që do të mbahet në Nazaret, në atdheun e Familjes së Shenjtë së Jezusit, të Marisë dhe të Jozefit. Siç kam thënë në Mesazhin tim për Ditën Botërore të Paqes, familja është “mësuesja e parë dhe e domosdoshme për paqen” (nr. 3), dhe për këtë luan një rol jetësor për të shëruar ndarjet e pranishme në shoqërinë njerëzore në çdo nivel. Bashkësive të krishtera të Tokës së Shenjtë u them: nëpërmjet dëshmisë suaj besnike për Atë që predikoi faljen dhe pajtimin, nëpërmjet angazhimit tuaj për të mbrojtur shenjtërinë e çdo jete njerëzore, mund të jepni një kontribut të veçantë që t’u jepet fund armiqësive që për shumë kohë kanë gjakosur këtë tokë. Lutem që prania juaj e vazhdueshme në Izrael dhe në territoret Palestineze të sjellë shumë fryte në nxitjen e paqes dhe të respektit të ndërsjellë mes të gjithë njerëzve që jetojnë në tokat e Biblës. Zoti President, Zonja dhe Zotërinj, ju falënderoj edhe një herë për mikpritjen tuaj dhe ju siguroj për ndjenjat e mia të vullnetit të mirë. Hyji i dhëntë forcë popullit të Tij! Hyji e bekoftë popullin e Tij me paqe!
|
|
| > Kisha Katolike Shkoder 2009 < | ||