|
|
Sheshi përballë
Pallatit Presidencial - Betlehem
E mërkurë, 13 maj 2009
Zoti President,
Miq të dashur,
ju përshëndes të gjithëve nga thellësia e zemrës dhe falënderoj shumë
Presidentin Zotin Mahmoud Abbas, për fjalët e tij të mirëseardhjes.
Udhëtimi im në tokat e Biblës nuk do të ishte i plotë pa vizituar
Betlehemin, Qytetin e Davidit dhe vendin e lindjes së Jezu Krishtit. As
nuk do të kisha mundur të vija në Tokën e Shenjtë pa pranuar ftesën e
sjellshme të Presidentit Abbas për t’i vizituar këto Vende dhe për të
përshëndetur popullin Palestinez. E di sa keni vuajtur dhe vazhdoni të
vuani për shkak të trazirave që kanë përfshirë këtë tokë për dhjetra
vjet. Zemra ime kthehet kah të gjitha ato familje që kanë mbetur pa
shtëpi. Këtë pasdite do të bëj një vizitë në Aida Refugee Camp për të
shprehur solidaritetin tim me popullin që ka humbur kaq shumë. Atyre mes
jush që qajnë për humbjen e familjarëve dhe të dashurve të tyre në
vështirësi, veçanërisht
në konfliktin e fundit të Gazës, i siguroj për pjesëmarrjen më të thellë
dhe të kujtimit të shpeshtë në lutje. Në fakt, ju mbaj me vete të
gjithëve ju në lutjet e mia të përditshme dhe i përgjërohem të Tejlartit
për paqen, për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, në Territoret
Palestineze dhe në mbarë rajonin.
Zoti
President, Selia e Shenjtë mbështet të drejtën e populli Tuaj për një
atdhe Palestinez sovran në tokën e të parëve tuaj, të sigurt dhe në paqe
me fqinjtë e saj, brenda kufijve ndërkombëtalisht të njohur. Edhe pse
tani ky realizimi i këtij objektivi duket i largët, unë ju inkurajoj Ju
dhe të gjithë popullin Tuaj ta mbani gjallë flakën e shpresës, të
shpresës që të mund të gjendet një rrugë takimi mes aspiratave legjitime
të Izraelianëve dhe Palestinezëve për paqen dhe stabilitetin. Po kujtoj
këtu fjalët e paraardhësit tim Papa Gjon Pali II, nuk mund të ketë “paqe
pa drejtësi, e as drejtësi pa paqe” (Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes
të vitit 2002). I lutem të gjitha palëve të përfshira në këtë konflikt
të hershëm që të lënë mënjanë zemërimin dhe ndryshimin që akoma pengon
rrugën e pajtimit, për të arritur tek të gjithë njëlloj me bujari dhe
mëshirë, pa diskriminim. Një bashkëjetesë e drejtë dhe paqësore mes
popujve të Lindjes së Mesme mund të realizohet vetëm me një shpirt
bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë, në të cilin të drejtat dhe
dinjiteti i të gjithëve të njihet dhe të respektohet. Ju kërkoj të
gjithëve ju, i kërkoj krerëve tuaj, të marrin me angazhim të plotë të
veprojnë për këto objektiva. Në veçanti,
i kërkoj Bashkësisë ndërkombëtare të përdorë ndikimin e saj në favor të
një zgjidhjeje. Besoj dhe jam i bindur që nëpërmjet një dialogu të
ndershëm dhe këmbëngulës, duke respektuar në mënyrë të plotë
pritshmëritë e drejtësisë, mund të arrihet në këto toka një paqe e
qëndrueshme.
Është
shpresa ime e zjarrtë që problemet e mëdha në lidhje me sigurinë në
Izrael dhe në Territoret Palestineze të lehtësohen së shpejti kështu që
të mund të lejojnë një liri më të madhe në lëvizje, me vëmendje të veçantë
për kontaktet mes familjarëve dhe për hyrjen në vendet e shenjta.
Palestinezët, ashtu si çdo person tjetër, kanë një të drejtë natyrale
për t’u martuar, për të formuar një familje dhe të kenë të drejtë të
punësohen, të edukohen dhe të kenë asistencë sanitare. Lutem edhe që, me
ndihmën e Bashkësisë ndërkombëtare, puna e rindërtimit të vazhdojë
shpejt kudo ku shtëpitë, shkollat ose spitalet të jenë dëmtuar ose
shkatërruar, sidomos gjatë konfliktit të kohëve të fundit në Gaza. Kjo
është themelore me qëllim që populli i kësaj toke të mund të jetojë në
kushte që favorizojnë paqen e qëndrueshme dhe mirëqenien. Një
infrastrukturë e qëndrueshme do t’i ofrojë të rinjve tuaj mundësi më të
mira për të marrë specializime të duhura dhe për të pasur punë
fitimprurëse, duke i bërë të mundur të luajnë rolin e tyre në nxitjen e
jetës së bashkësive tuaja. Ua drejtoj këtë apel shumë të rinjve të
pranishëm sot në Territoret Palestineze: mos lejoni që humbjet e jetëve
dhe shkatërrimet, e të cilave keni qenë dëshmitarë, të ngjallin zemërim
ose pakënaqësi në zemrat tuaja. Kini guximin t’i rezistoni çdo tundimi
që mund të provoni për të përdorur dhunën ose terrorizmin. Përkundrazi,
bëni të mundur që çfarë keni provuar të përtrijë vendosmërinë tuaj për
të ndërtuar paqen. Bëni të mundur që kjo t’ju mbushë me një dëshirë të
thellë për të ofruar një kontribut të qëndrueshëm për të ardhmën e
Palestinës, kështu që ajo të ketë vendin e saj të drejtë në skenarin e
botës. Kjo frymëzoftë në ju ndjenja mëshire për të gjithë ato që vuajnë,
angazhim për pajtim dhe një besim të madh në mundësinë e një të
ardhmjeje më të ndritshme.
Zoti
President, të dashur miq të mbledhur këtu në Betlehem, thërras mbi të
gjithë popullin Palestinez bekimet dhe mbrojtjen e Atit tonë qiellor,
dhe lartësoj lutjen e zjarrtë që kënga e engjëjve e luajtur në këtë vend
të përmbushet: “paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë”. Faleminderit. Dhe
Hyji qoftë me ju.
titujt kryesorë |
|