|
|
Aeroporti ndërkombëtar Queen Alia i
Amanit
E premte, 8 maj 2009
Madhëri,
Shkëlqësi,
Të dashur Vëllezër Ipeshkvij,
Të dashur Miq,
me gëzim të madh ju
përshëndes të gjithëve ju këtu të pranishëm, ndërsa filloj vizitën time
të parë në Lindjen e Mesme që nga zgjedhja ime në Selinë Apostolike, dhe
jam i nderuar që vë këmbët në vendlindjen e Mbretërisë Ashemite të
Jordanisë, një tokë shumë e pasur me histori, vendlindja e shumë
qytetërime të lashta, dhe thellësisht e pasur me domethënie fetare për
Hebrenjtë, të Krishterët dhe Myslimanët. Falënderoj Madhërinë e Tij
mbretin Abdullah II për fjalët e Tij të mirëseardhjes dhe i bëj urimet e
mia në këtë vit që shënon dhjetëvjetorin e marrjes së tij të fronit.
Duke përshëndetur Madhërinë e Tij, i bëj urimet e mia të përzemërta të
gjithë pjesëtarëve të Familjes Mbretërore dhe të Qeverisë, dhe mbarë
popullit të Mbretërisë. Përshëndes Hirësinë e Tij Fouad Twal dhe
Hirësinë e Tij Theophilo III dhe Patriarkët e Ipeshkvijtë e tjerë të
pranishëm, veçanërisht ata që kanë përgjegjësi baritore në Jordani. Po
përgatitem me gëzim të kremtoj liturgjinë në Katedralen e Shën Gjergjit
nesër mbrëma dhe në Stadiumin Ndërkombëtar të dielën së bashku me Ju, të
dashur Ipeshkvij, dhe me kaq shumë besimtarë që janë nën kujdesin tuaj
baritor.
Kam ardhur në Jordani si shtegtar, për të
nderuar vendet e shenjta që kanë luajtur një rol kaq të rëndësishëm në
disa ngjarje kyqe të historisë Biblike. Mbi Malin Nebo, Moisiu i
udhëhoqi njerëzit e tij për ta hedhur shikimin e tyre drejt tokës që do
të bëhej shtëpia e tyre, dhe këtu vdiq dhe u varros. Në Betaninë nga ana
tjetër e Jordanit, Gjon Pagëzuesi predikoi dhe dëshmoi Jezusin, që ai
vetë pagëzoi në ujërat e lumit që i jep emrin kësaj toke. Në ditët në
vazhdim do të vizitoj të dy këto vende të shenjta dhe do të kem gëzimin
të bekoj gurët e parë të kishave që do të ndërtohen në vendin
tradicional të Pagëzimit të Zotit. Gjasat që komuniteti i krishterë i
Jordanisë të mund të ndërtojë vende publike kulti është një shenjë
respekti i këtij Vendi për besimin dhe në emër të Katolikëve dëshiroj të
shpreh se sa vlerësohet kjo hapje.
Liria e fesë është padyshim një e drejtë
themelore dhe është shpresa dhe lutja ime e zjarrtë që respekti për të
gjitha të drejtat e patjetërsueshme dhe dinjiteti i çdo burri dhe i çdo
gruaje të jetë gjithmonë e më shumë i njohur dhe i mbrojtur, jo vetëm në
Lindjen e Mesme, por kudo në botë.
Vizita ime në Jordani
ofron mundësinë e mirëpritur për të shprehur respektin tim të thellë për
komunitetin Mysliman dhe të nderoj rolin udhëheqës të Madhërisë së Tij
Mbretit për të nxitur një kuptim më të mirë të virtyteve të Islamit.
Tani që kanë kaluar disa vite nga botimi i Mesazhit të Amanit dhe i
Mesazhit Ndërfetar të Amanit, mund të themi se këto përpjekje fisnike
ishin të suksesshme në nxitjen e një aleance civilizimi mes botës
Perëndimore dhe asaj Myslimane, duke përgënjeshtruar parashikimet e
atyre që e konsiderojnë të pashmangshme dhunën dhe konfliktet. Në fakt,
Mbretëria e Jordanisë ka kohë që ka qenë në krye të përpjekjeve për të
nxitur paqen në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën, duke nxitur dialogun
ndër-fetar, duke mbështetur përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të
drejtë të konfliktit Izraelito-Palestinez, mbajtjen e refugjatëve nga
Iraku fqinj, si dhe është përpjekur ta mbajë nën kontroll ekstremizmin.
Nuk mund të mos e përmend këtë mundësi pa iu referuar përpjekjeve
pararojëse në favor të paqes në rajon të bëra nga Mbreti i mëparshëm
Husein. Siç është i përshtatshëm takimi im nesër me udhëheqësit fetarë
myslimanë, me trupin diplomatik dhe me rektorët e Universitetit, takim
ky që do të zhvillohet në xhaminë që mban emrin e tij. Angazhimi i tij
për zgjidhjen e konflikteve në rajon shpresojmë të mund të vazhdojë të
japë fryte në përpjekjet për të nxitur një paqe dhe një drejtësi të
vërtetë për të gjithë ata që jetojnë në Lindjen e Mesme.
Të dashur Miq, në
seminarin e mbajtur në Romë vjeshtën e vitit të kaluar në Forumin
Katoliko-Mysliman, pjesëmarrësit kanë diskutuar për rolin qendror që ka
luajtur, në traditat tona fetare, urdhri i dashurisë. Unë sinqerisht
shpresoj se kjo vizitë dhe të gjitha nismat e planifikuara për të nxitur
marrëdhënie të mira mes të Krishterëve dhe Myslimanëve, të mund të na
ndihmojnë të rritemi në dashurinë drejt Hyjit të Plotfuqishëm dhe të
Mëshirshëm, si dhe në dashurinë vëllazërore të ndërsjellë. Faleminderit
për mikpritjen tuaj, faleminderit për mirësjelljen tuaj. Hyji u dhashtë
Madhërive të tyre lumturi dhe jetë të gjatë! Ai e bekoftë Jordaninë me
begati dhe paqe!
titujt kryesorë |
|