ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Ceremonia e Mireseardhjes

Fjalimi i Atit te Shenjte Benedikti XVI

 

 

 Aeroporti Ndërkombëtar i Pafos, e premte, 4 qershor 2010

 

Zotëri President,

Lumturia Juaj Krizostom,

Lumturitë Tuaja,

Shkëlqesi,

Autoritete të Nderuara,

Zonja dhe Zotërinj,

 

Xαρετε! Eιρήνη μαζίσας! Eίναι μεγáλη η χαρά μου που είμαι σήμερα μαζί σας! [Përshëndetje! Paqja qoftë me ju! Është një kënaqësi të madhe për mua të jem me ju sot].

Zotëri President, ju jam thellësisht mirënjohës për ftesën e mirësjelltë për të vizituar Republikën e Qipros. Jua drejtoj përshëndetjet e mia të përzemërta Ju, Qeverisë dhe popullit të këtij Kombi, dhe ju falënderoj për fjalët e sjellshme të mirëseardhjes. E kujtoj ende me mirënjohjen vizitën tuaj të fundit në Vatikan dhe pres me gëzim takimin tonë të nesërm në Nikozi.

 Qipro gjendet në udhëkryqin e kulturave dhe besimeve, të historive të lavdishme e të lashta njëkohësisht, por që ende ruajnë një ndikim të fortë e të dukshëm në jetën e Vendit tuaj. Pasi ka hyrë këto kohët e fundit në Bashkimin Europian, Republika e Qipros ka filluar të ndjejë dobinë e këmbimeve ekonomike e politike me Vendet e tjera Europiane. Kjo përkatësi i ka dhënë Vendit tuaj edhe mundësinë për t’iu afruar tregjeve, teknologjisë dhe njohjeve praktike. Është shumë e dëshirueshme që kjo përkatësi të sjellë begati në Vendin tuaj dhe që Vendet e tjera Europiane, nga ana e tyre, të pasurohen prej trashëgimisë suaj shpirtërore e kulturore, që pasqyron rolin tuaj historik, duke u gjendur mes Europës, Azisë dhe Afrikës. Dashuria e Atdheut tuaj dhe e familjeve tuaja, si dhe dëshira për të jetuar në harmoni me fqinjët tuaj nën mbrojtjen e mëshirshme të Hyjit të gjithëpushtetshëm, ju frymëzofshin për t’i zgjidhur me durim problemet që ende bashkëndani me bashkësinë ndërkombëtare për të ardhmen e Ishullit tuaj.

 Duke ndjekur gjurmët e etërve tanë të përbashkët në fe, Shenjtërit Pal e Barnabë, kam ardhur mes jush si shtegtar dhe shërbëtor i shërbëtorëve të Hyjit. Që kur Apostujt kanë sjellë mesazhin e krishterë në këto brigje, Qiproja është bekuar prej një trashëgimie të fortë të krishterë. Përshëndes si një vëlla në atë fe Lumturinë e Tij Krizostomin e Dytë, Arqipeshkvin e Nea Justinianës dhe të të Gjithë Qipros, dhe pres me shumë dëshirë të mund të takoj shpejt edhe shumë anëtarë të tjerë të Kishës Ortodokse të Qipros.

 Pres me gëzim edhe që të mund të takoj përgjegjësit e tjerë fetarë qipriotë. Shpresoj që të mund t’i forcojmë lidhjet tona të përbashkëta dhe të theksojmë nevojën për ta përforcuar besimin e ndërsjellë dhe miqësinë e qëndrueshme me të gjithë ata që adhurojnë një Hyj të vetëm.

 Si pasardhës i Pjetrit, përshëndes në mënyrë të veçantë Katolikët e Qipros për t’i përforcuar në fe (krh. Lk 22,32) dhe për t’i nxitur që të jenë shembullorë qoftë si të krishterë qoftë si shtetas, dhe ta jetojnë plotësisht rolin e tyre në shoqëri në dobi qoftë të Kishës, qoftë të Shtetit. Gjatë qëndrimit tim mes jush do të dorëzoj edhe Instrumentum Laboris, një dokument pune në pritje të Asamblesë së Posaçme për Lindjen e Mesme të Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbahet më pas në Romë, këtë vit. Kjo Asamble do të shqyrtojë shumë aspekte të pranisë së Kishës në këtë krahinë dhe sfidat që Katolikët duhet të përballojnë, nganjëherë në rrethana të vështira, duke jetuar bashkimin me Kishën Katolike dhe duke dhënë dëshminë e tyre në shërbim të shoqërisë dhe të botës. Prandaj Qiproja është një vend i përshtatshëm prej të cilit të mund të fillojë reflektimi i Kishës sonë mbi vendin e bashkësisë shekullare katolike të Lindjes së Mesme, solidariteti ynë me të gjithë të Krishterët e kësaj krahine dhe bindja jonë se ata kanë një rol të pazëvendësueshëm në paqen dhe në pajtimin mes popujve të saj. 

Zotëri President, të dashur miq, me këto mendime ia besoj shtegtimin tim Marisë, Nënës së Hyjit, dhe ndërmjetësimit të Shenjtërve Pal dhe Barnabë.

 O Θεός ας ευλογήση τον Kυπριακό Λαό. Ηαναγία ας σας προστατεύει πάντα! [Zoti e bekoftë popullin e Qipros. Krejt e Shenjta ju ruajtë gjithmonë!]

  

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster