ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

CEREMONIA E MIRESEARDHJES

 

 

 

FJALIMI I ATIT TË SHENJTË

Aeroporti Ndërkombëtar Stará Ruzynĕ – Pragë

E shtunë, 26 shtator 2009

 

 

 

Zotëri President, Zotërinj Kardinalë,

Të dashur Vëllezër në Episkopat, Shkëlqesi, Zonja dhe Zotërinj!

 Është për mua një gëzim i madh të jem këtu me ju sot në Republikën Çeke dhe ju jam thëllësisht mirënjohës të gjithëve për përzemërsinë e mirëseardhjes suaj. Falënderoj Presidentin, Z. Václav Klaus, për ftesën që më ka bërë të vizitoj vendin dhe për fjalët e tij të sjellshme. Jam i nderuar për praninë e Autoriteteve civile e politike, i përshëndes edhe ata së bashku me gjithë popullin çek. Duke qenë këtu, në radhë të parë, për të vizituar bashkësitë katolike të Bohemisë dhe Moravisë, i shpreh një përshëndetje të përzemërt e vëllazërore Kardinalit Vlk, Arqipeshkëv i Pragës, Sh.T. Imzot Graubner, Arqipeshkëv i Olomouc dhe President i Konferencës Ipeshkvore Çeke dhe të gjithë Ipeshkvijve e besimtarëve të pranishëm. Jam veçanërisht i prekur prej gjestit të çiftit të ri që më solli disa dhurata tipike të kulturës së këtij kombi, së bashku me pak prej dheut tuaj. Kjo më kujton se sa thellësisht ka depërtuar krishterimi në kulturën çeke, meqenëse këto elemente të bukës e të kripës kanë një domethënie të veçantë mes shëmbëlltyrave të Besëlidhjes së Re.

Nëse e tërë kultura europiane është plazmuar thellësisht prej trashëgimisë së krishterë, kjo është e vërtetë në mënyrë të veçantë në tokat çeke, pasi, falë veprimit misionar të Shenjtërve Ciril e Metod në shekullin e nëntë, gjuha e lashtë sllave u shkrua për herë të parë. Apostuj të popujve sllavë dhe themelues të kulturës së tyre, ata me të drejtë nderohen si Pajtorë të Europës. Pastaj, është i denjë të përmendet fakti se këta dy shenjtër të mëdhenj të traditës bizantine takuan këtu misionarët e ardhur prej Perëndimit latin.

Në historinë e vet, ky territor i vendosur në zemër të kontinentit europian, në kryqëzim me veriut e jugut, lindjes e perëndimit, ka qenë një pikë takimi e popujve, traditave dhe kulturave të ndryshme. Nuk mund të mohohet se kjo nganjëherë ka shkaktuar disa fërkime, megjithatë, në kohë, ka rezultuar një takim i frytshëm. Prej kësaj rrjedh roli domethënës që tokat çeke kanë luajtur në historinë intelektuale, kulturore e fetare të Europës, nganjëherë si fushë beteje, më shpesh si urë.

 Në muajt e ardhshëm do të kujtohet njëzet vjetori i “Revolucionit të kadifenjtë”, që për fat i dha fund në mënyrë paqësore një epoke veçanërisht të vështirë për këtë vend, një epoke në të cilën qarkullimi i ideve dhe lëvizjeve kulturore kontrollohej rreptësisht. Bashkohem me ju dhe me fqinjët tuaj në falënderimin për lirimin tuaj prej atyre regjimeve shtypëse. Nëse rënia e murit të Berlinit ka shënuar një ndarje në historinë botërore, kjo është edhe më e vërtetë për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, duke i bërë ato të afta për atë vend që u takon në asamblenë e kombeve, në cilësinë e aktorëve sovranë.

 Megjithatë, nuk duhet nënvleftësuar kostoja e dyzet vjetëve shtypjeje politike. Një tragjedi e veçantë për këtë tokë ka qenë orvatja mizore nga ana e Qeverisë së asaj kohe për ta bërë të heshtë zërin e Kishës. Gjatë historisë suaj, prej kohës së Shën Venceslaut, të Shenjtes Ludmilla dhe Shën Adalbertit deri te Shën Gjon Nepomuceni, ka pasur martirë të guximshëm besnikëria ndaj Krishtit e të cilëve është ndier me zë më të qartë e më shprehës se ai i vrasësve të tyre. Këtë vit i bie dyzet vjetori i vdekjes së Shërbëtorit të Hyjit Kardinalit Josef Beran, Arqipeshkëv i Pragës. Dëshiroj ta nderoj atë dhe pasardhësin e tij František Tomášek, që kam pasur privilegjin ta njoh personalisht, për dëshminë e tij të krishterë të fortë përballë përndjekjes. Ata, si dhe të tjerë të panumërt e të guximshëm meshtarë, rregulltarë e laikë, burra e gra, e kanë mbajtur të gjallë flakën e fesë në këtë vend. Tani që është rifituar liria fetare, u bëj thirrje të gjithë shtetasve të Republikës, që të rizbulojnë traditat e krishtera që e kanë plazmuar kulturën e tyre dhe e nxis bashkësinë e krishterë që të vazhdojë ta bëjë të ndihet zërin e saj ndërsa kombi duhet të përballojë sfidat e mijëvjeçarit të ri. “Pa Hyjin njeriu nuk di se ku të shkojë dhe nuk arrin as të kuptojë se kush është ai” (Caritas in veritate, 78). E vërteta e Ungjillit është e domosdoshme për një shoqëri të begatshme, sepse na hap ndaj shpresës dhe na bën të aftë të zbulojmë dinjitetin tonë të patjetërsueshëm si bij të Hyjit.

 Zotëri President, jam në dijeni të dëshirës suaj që besimit t’i njihet një rol më i madh në çështjet e vendit. Flamuri presidencial që valëvitet mbi Kështjellën e Pragës, ka si moto “Pravda Vitĕzi – e Vërteta fiton”: është urimi im më i madh që drita e të vërtetës të vazhdojë ta udhëheqë këtë komb, kaq të bekuar gjatë historisë së vet prej dëshmisë së shenjtërve e martirëve të mëdhenj. Në këtë epokë të shkencës është domethënëse të kujtojmë shembullin e Johann Gregor Mendel-it, abatit agustinian të Moravisë kërkimet pionieristike të të cilit hodhën themelet e gjenetikës moderne. Me siguri nuk do t’i drejtohej atij qortimi i pajtorit të tij, Shën Agustinit, i cili ankohej se shumë njerëz ishin “më të prirur për të admiruar faktet se sa për të kërkuar arsyet” (Epistula 120,5; krh. Gjon Pali II, Përkujtimi i abatit Gregor Mendel në 100-vjetorin e vdekjes, 10 mars 1984). Përparimit të përnjëmendtë të njerëzimit i shërben më mirë pikërisht kjo konvergjencë mes dijes së fesë dhe intuitës së arsyes. Që populli çek të mund t’i gëzojë gjithmonë të mirat që vijnë prej këtij bashkimi fatlum.

 Më mbetet vetëm ta përtërij falënderimin tim ndaj të gjithë juve dhe t’ju them se sa shumë kam pritur që të mund t’i kaloj këto ditë në Republikën Çeke, të cilën ju me krenari e quani “žemĕ Česká domoj můj (toka çeke, shtëpia ime). Faleminderit prej zemrës!

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster