ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Ceremonia e perfundimit

Fjalimi i Atit te Shenjte Benedikti XVI

 

 

Aeroporti Ndërkombëtar i Larnakës, E diel, 6 qershor 2010

 

Zotëri President, të nderuara Autoritete, Zonja dhe Zotërinj,

 erdhi tashmë koha që t’ju lë, pas Udhëtimit tim të shkurtër por të frytshëm Apostolik në Qipro.

 Zotëri President, ju falënderoj për fjalët e sjellshme dhe jam i lumtur t’ju shpreh mirënjohjen tuaj Ju për gjithçka që Ju, Qeveria juaj dhe Autoritetet civile e ushtarake kanë bërë për ta bërë vizitën time një sukses të paharrueshëm.

 Ndërsa po e lë tokën tuaj, sikurse shumë shtegtarë para meje, kujtoj përsëri se si Mesdheu është i formuar nga një mozaik i pasur popujsh me kulturat e tyre dhe bukuritë e tyre, me ngrohtësi e njerëzi. Pavarësisht prej këtij realiteti, Mesdheu Lindor, në të njëjtën kohë, nuk është pa konflikte dhe gjakderdhje, sikurse mjerisht kemi parë në ditët e fundit. Le t’i dyfishojmë përpjekjet tona me qëllim që të ndërtojmë një paqe reale e të qëndrueshme për të gjithë popujt e rajonit.

 Së bashku me këtë objektiv të përgjithshëm, Qiproja mund të luajë një rol të veçantë në nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit. Duke u angazhuar me durim për paqen e vatrave tuaja shtëpiake dhe për begatinë e fqinjëve tuaj, ju do të jeni të përgatitur mirë për të dëgjuar e për të kuptuar të gjitha aspektet e shumë çështjeve komplekse, dhe për të ndihmuar popujt që të arrinë në një kuptim më të mirë të njëri-tjetrit. Rruga që jeni duke përshkuar është njëra prej atyre të cilat bashkësia ndërkombëtare i shikon me interes të madh e shpresë, dhe vërej me kënaqësi të gjitha përpjekjet e bëra për të favorizuar paqen për popullin tuaj dhe për gjithë ishullin e Qipros.

 Ndërsa falënderoj Hyjin për këto ditë që kanë parë takimin e parë të bashkësisë katolike të Qipros me pasardhësin e Pjetrit në tokën tuaj, kujtoj me mirënjohje edhe takimet e mia me autoritetet e tjera të krishtera, në veçanti me Lumturinë e Tij Krizostomin II dhe përfaqësuesit e tjerë të Kishës së Qipros të cilët i falënderoj për mikpritjen e tyre vëllazërore. Shpresoj që vizita ime këtu të mund të jetë një hap i mëtejshëm gjatë rrugës që është hapur para nesh me përqafimin në Jerusalem të Patriarkut të atëhershëm Atenagora dhe paraardhësit tim të nderuar Papa Pali VI. Hapat e tyre të parë profetikë të bërë së bashku na kanë treguar udhën që edhe ne duhet të përshkojmë. Kemi një thirrje hyjnore për të qenë vëllezër, për të ecur përkrah në fe, të përvuajtur para Hyjit të gjithëpushtetshëm dhe me lidhje të pazgjidhshme dashurie për njëri-tjetrin. Duke i ftuar besimtarët e krishterë që ta vazhdojnë këtë udhë, dëshiroj t’u siguroj se Kisha Katolike, me hirin e Hyjit, do ta angazhojë vetveten për të arritur objektivin e njësisë së përsosur në dashuri nëpërmjet një vlerësimi më të thellë ndaj asaj që Katolikët dhe Ortodoksët kanë më përzemër.

 Më lejoni të shpreh edhe një shpresë dhe lutje timen të sinqertë që, së bashku, të Krishterët dhe Muslimanët, të bëhen një tharm i paqes dhe i pajtimit mes qipriotëve dhe kjo të jetë shembull për vendet e tjera.

 Së fundi, Zotëri President, më lejoni t’ju nxis Ju dhe Qeverinë tuaj në përgjegjësinë tuaj të lartë. Sikurse e dini mirë, mes detyrave tuaja më të rëndësishme është ajo që të siguroni paqen e sigurinë e të gjithë qipriotëve. Pasi kam banuar këto ditët e fundit në Nunciaturën Apostolike, që gjendet në zonën që gjendet nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara, kam mundur të shoh personalisht diçka prej ndarjes së trishtueshme të ishullit, sikurse edhe të bindem për humbjen e një pjese domethënëse të një trashëgimie kulturore që i përket gjithë njerëzimit. Kam mundur edhe të dëgjoj qipriotët e veriut që do të donin të ktheheshin në paqe në shtëpitë e tyre dhe në vendet e tyre të kultit, dhe jam prekur thellësisht prej kërkesave të tyre. Sigurisht, e vërteta dhe pajtimi, së bashku me respektin e ndërsjellë, janë themeli më i qëndrueshëm për një të ardhme në njësi e paqe për këtë ishull dhe për stabilitetin e begatinë e të gjithë banorëve të tij. Vitet e fundit janë arritur shumë gjëra pozitive në lidhje me këtë, nëpërmjet një dialogu konkret, megjithëse ende mbetet shumë për t’u bërë që të kapërcehen ndarjet. Më lejoni t’ju nxis Ju dhe bashkëqytetarët tuaj që të punoni me durim dhe qëndrueshmëri me fqinjët tuaj për të ndërtuar një të ardhme më të mirë e më të sigurt për të gjithë bijtë tuaj. Në këtë angazhim, të jeni i sigurt për lutjet e mia për paqen e gjithë Qipros.

 Kύριε Πρόεδρε και αγαπητοί φίλοι, με αυτά τα σύντομα λόγια, σας αποχαιρετώ. Σας ευχαριστώ πάρα πολύ και εύχομαι ο Τριαδικός Θεος και η Παναγία να σας ευλογούν πάντα. Χαίρετε! Ειρήνη μαζί σας! [Zotëri President, të dashur miq, me këto fjalë të shkurtra ju drejtoj përshëndetjen time. Shumë faleminderit dhe Trinia e Shenjtë e Virgjra Krejt e Shenjtë ju bekofshin gjithmonë. Lamtumirë! Paqja qoftë me ju!]

     

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster