ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Ceremonia e perfundimit

Fjalimi i Atit te Shenjte Benedikti XVI

 

 

Aeroporti Ndërkombëtar i Maltës – Luqa – E diel, 18 prill 2010

 

Zotëri President, Shkëlqesi, Zonja dhe Zotërinj,

 erdhi koha t’i jap lamtumirën Maltës. Falënderoj Hyjin për mundësinë që më është dhënë që të takoj shumë prej jush dhe ta vizitoj këtë ishull të bukur. Falënderoj Presidentin për fjalët e mirësjeardhjes dhe ju falënderoj të gjithëve ju, që më keni bërë një pritje kaq të ngrohtë e bujare. Ky udhëtim më ka bërë që të vlerësoj më thellë faktin se si Ungjilli i predikuar prej Shën Palit e ka plazmuar identitetin shpirtëror të popullit maltez. Tani që po largohem prej jush, më lejoni t’ju nxis edhe një herë që të kultivoni një ndërgjegje të thellë për identitetin tuaj dhe të pranoni përgjegjësitë që vijnë prej tij, veçanërisht duke nxitur vlerat e Ungjillit që ju japin një vizion të qartë të dinjitetit njerëzor dhe të origjinës së përbashkët, si dhe fatit, të gjinisë njerëzore.

Jini shembull, qoftë këtu qoftë gjetiu, i një jete dinamike të krishterë. Jini krenarë për thirrjen tuaj të krishterë dhe ruajeni me kujdes trashëgiminë tuaj fetare e kulturore. Shikojeni të ardhmen me shpresë, me respekt të thellë për krijimin e Hyjit, nderim për jetën njerëzore, vlerësim të lartë për martesën dhe integritetin e familjes! Kunu vlied denjit ta’ San Pavl! [Jini bij e bija të denja të Shën Palit].

 Duke pasur parasysh pozicionin e saj gjeografik në zemër të Mesdheut, shumë migrues arrijnë në brigjet e Maltës, disa për të ikur prej situatave të dhunës e të përndjekjes, të tjerë në kërkim të kushteve më të mira të jetës. I di vështirësitë që mund të shkaktojë mikpritja e një numri kaq të madh personash, vështirësi që nuk mund të zgjidhen nga asnjë Vend tranzit, duke qenë i vetëm. Në të njëjtën kohë, kam edhe besim se, duke u mbështetur në forcën e rrënjëve të krishtera dhe në historinë e gjatë e krenare të mikpritjes së të huajve, Malta, me mbështetjen e Shteteve të tjera dhe të Organizatave ndërkombëtare, do të mundohet t’u vijë në ndihmë atyre që vijnë këtu dhe të sigurohet për respektimin e të drejtave të tyre.

 Këto qëllime fisnike varen prej një përkushtimi të palodhur ndaj detyrës së plotë të sfidave të dialogut dhe të bashkëveprimit brenda bashkësisë ndërkombëtare dhe evropiane, vende të privilegjuara të cilëve Malta u dëshmon vlerat e krishtera, që kanë ndihmuar në formimin e identitetit të saj. Njësia, solidariteti dhe respekti i ndërsjellë gjenden në bazën e jetës suaj shoqërore e politike. Të frymëzuar prej fesë suaj katolike, ata janë busulla që do t’ju udhëheqë në kërkim të një zhvillimi të përnjëmendtë dhe të tërësishëm. Thesari i mësimit shoqëror të Kishës do t’i frymëzojë dhe do t’i udhëheqë këto përpjekje. Mos lejoni kurrë që identiteti juaj i vërtetë të dëmtohet prej indiferentizmit apo prej relativizmit. Jini gjithmonë besnikë ndaj mësimit të Shën Palit, që ju nxit: “Rrini zgjuar! Qëndroni të palëkundshëm në fe! Bëhuni burra! Jini të fortë! 14 Bëni gjithçka me dashuri!” (1 Kor 16,13-14). Grazzi ħafna, il-Bambin iberikkom! [Shumë faleminderit dhe Zoti ju bekoftë].

   

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster