ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

CEREMONIA E PËRFUNDIMIT

 

 

 

FJALIMI I ATIT TË SHENJTË

Aeroporti Ndërkombëtar Stará Ruzynĕ – Pragë

E hënë, 28 shtator 2009

 

 

 

Zotëri President,

Zotërinj Kardinalë,

Të dashur Vëllezër në Episkopat,

Shkëlqesi, Zonja dhe Zotërinj!

 Para se të përshëndetemi, dëshiroj t’ju falënderoj për mikpritjen tuaj bujare gjatë qëndrimit tim të shkurtër në këtë vend të mrekullueshëm. Ju jam veçanërisht mirënjohës Ju, Zotëri President, për fjalët tuaja dhe për kohën që kalova në rezidencën tuaj. Në këtë festë të Shën Vençeslaut, mbrojtësit dhe pajtorit të vendit tuaj, më lejoni që edhe një herë t’ju bëj urimet më të ngrohta për ditën e emrit. Duke qenë edhe dita e emrit të Shkëlqesisë së Tij Imzot Václav Malý, i drejtoj edhe atij urimin tim dhe dëshiroj ta falënderoj për punën e zellshme që ka bërë për të koordinuar organizimin e vizitës sime baritore në Republikën Çeke.

 I jam thellësisht mirënjohës Kardinalit Vlk, Shkëlqesisë së Tij Imzot Graubner dhe të gjithë atyre që kanë punuar për të siguruar zhvillimin e rregullt të takimeve dhe kremtimeve të ndryshme. Natyrisht, në falënderimet e mia përfshij edhe autoritetet, mjetet e komunikimit dhe vullnetarët e shumtë që kanë ndihmuar në rregullimin e fluksit të njerëzve, si dhe gjithë besimtarët që janë lutur në mënyrë që kjo vizitë të sillte fryte të mira për kombin çek dhe për Kishën në këtë krahinë.

 Do ta ruaj kujtimin e momenteve të lutjes që kam mundur të kaloj së bashku me Ipeshkvinjtë, meshtarët dhe besimtarët e këtij vendi. Ka qenë veçanërisht prekëse, sot në mëngjes, të kremtoj Meshën në Stará Boleslav, vend i martirizimit të dukës së ri Vençeslau, dhe ta nderoj atë pranë varrit të tij të shtunën në mbrëmje, brenda Katedrales madhështore që sundon panoramën e Pragës. Dje në Moravi, ku Shenjtërit Ciril e Metod filluan misionin e tyre apostolik, kam mundur të reflektoj, në një lutje falënderuese, mbi zanafillën e krishterimit në këtë krahinë dhe, efektivisht, në të gjitha tokat sllave. Kisha në këtë vend vërtet është bekuar me një radhë të jashtëzakonshme misionarësh dhe martirësh, si edhe shenjtërish soditës, mes të cilëve do të doja të kujtoja në mënyrë të veçantë Shenjten Anjeze të Bohemisë, shenjtërimi i të cilës, pikërisht njëzet vjet më parë, qe lajmëtar i lirimit të këtij vendi prej shtypjes ateiste.

 Takimi im i djeshëm me përfaqësuesit e bashkësive të tjera të krishtera më ka ripohuar rëndësinë e dialogut ekumenik në këtë tokë që ka vuajtur shumë prej pasojave të përçarjes fetare në kohën e luftës së Tridhjetë vjetëve. Është bërë shumë për t’i shëruar plagët e të kaluarës, dhe janë ndërmarrë disa hapa vendimtarë në rrugën e pajtimit dhe të njësisë së vërtetë në Krishtin. Në ndërtimin e mëtejshëm të këtyre themeleve të forta, bashkësia akademike ka një rol të rëndësishëm për të kryer, nëpërmjet një kërkimi të të vërtetës pa kompromise. Ka qenë një kënaqësi për mua mundësia që të takohesha dje me përfaqësuesit e universiteteve të këtij vendi dhe të shpreh vlerësimin tim për misionin fisnik të cilit ata i kanë kushtuar jetën.

 Kam qenë veçanërisht i lumtur të takoj të rinjtë dhe t’i nxis ata që të ndërtojnë mbi traditat më të mira të të kaluarës së këtij kombi, në mënyrë të veçantë mbi traditën e krishterë. Sipas një thënieje që i atribuohet Franc Kafkës, “Ai që e ruan aftësinë për të parë të bukurën, nuk plaket kurrë” (Gustav Jonouch, Bisedime me Kafkën). Nëse sytë tanë mbeten të hapur para bukurisë së krijimit të Hyjit dhe mendjet tona ndaj bukurisë së të vërtetës së tij, atëherë me të vërtetë mund të shpresojmë se do të mbetemi të rinj e se do të ndërtojmë një botë që reflekton diçka prej bukurisë hyjnore, në mënyrë që t’u japim frymëzim brezave të rinj për të bërë edhe ata po ashtu.

 Zotëri President, të dashur miq: edhe një herë shpreh falënderimin tim, duke premtuar se do t’ju kujtoj në lutjet e mia dhe do t’ju mbaj në zemër. Hyji e bekoftë Republikën Çeke! Jezusi Fëmijë i Pragës le të vazhdojë t’ju frymëzojë e udhëheqë ju dhe të gjitha familjet e kombit! Hyji ju bekoftë të gjithëve!

    

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster