|
|
Oborri i Pallatit Presidencial - Betlehem
E mërkurë, 13 maj 2009
Zoti President,
Të dashur Miq,
ju falënderoj për
mirësjelljen e madhe që keni treguar ndaj meje këtë ditë që kalova në
shoqërinë tuaj, këtu në Territoret Palestineze. I jam mirënjohës
Presidentit, Zotëri Mahmoud Abbas, për mikpritjen e tij dhe për fjalët e
tij të mirësjellta. Ishte një emocion i madh për mua të dëgjoj edhe
dëshmitë e banorëve që na kanë folur për kushtet e jetës këtu në Zonën
Perëndimore dhe në Gaza. Ju siguroj të gjithëve ju se ju mbaj në zemrën
time dhe dëshiroj të shoh paqe e ripajtim në këto toka të munduara.
Ka qenë me të vërtetë njëra ndër ditët më
të paharruara, që kur kam arritur në Betlehem sot në mëngjes, dhe kam
pasur gëzimin të kremtoj Meshën me një shumicë të madhe besimtarësh në
vendin ku ka lindur Jezu Krishti, drita e kombeve dhe shpresa e botës.
Pashë kujdesin që u kushtohet fëmijëve të sotëm në Caritas Baby
Hospital. Me dhimbje pashë situatën e refugjatëve që, si Familja e
Shenjtë, u është dashur t'i braktisin shtëpitë e tyre. Dhe pashë murin
që gjendet në territoret tuaja, i cili ndan fqinjët e familjet, rrethon
fushën e afërt dhe fsheh një pjesë të madhe të Betlehemit.
Megjithëse muret mund të ndërtohen lehtë,
të gjithë e dimë se ata nuk zgjasin për gjithmonë. Mund të shemben. Por,
para së gjithash është e nevojshme të hiqen muret që ne ndërtojmë
përreth zemrave tona, barrierat që ngrejmë kundër të afërmit tonë. Ja se
përse, në fjalët e mia përmbyllëse, dua të bëj një thirrje të përtërirë
për hapje dhe shpirtmadhësi, që t'i jepet fund mostolerancës dhe
përjashtimit. Nuk ka rëndësi se sa i patrajtueshëm dhe rrënjësisht i
rrënjosur mund të duket një konflikt, ka gjithmonë arsye për të
shpresuar se ai do të mund të zgjidhet, se përpjekjet e durueshme dhe
këmbëngulëse të atyre që veprojnë për paqen dhe pajtimin, në fund do të
sjellin fryte. Urimi im i gjallë për ju, popull i Palestinës, është që
kjo të ndodhë shpejt, dhe që ju më në fund të mund të gëzoni paqen,
lirinë dhe stabilitetin që ju kanë munguar për kaq shumë kohë.
Ju siguroj se do të shfrytëzoj çdo
mundësi për t'i nxitur ata që janë të përfshirë në bisedimet e paqes që
të punojnë për një zgjidhje të drejtë që respekton aspiratat e ligjshme
të të dy palëve, izraelianëve dhe palestinezëve. Si hap të rëndësishëm
në këtë drejtim, Selia e Shenjtë dëshiron që shpejt, në marrëveshje me
Autoritetin Palestinez, të caktojë Komisionin e Dyanshëm të Përhershëm
që është përvijuar në Marrëveshjen bazë, të firmosur në Vatikan më 15
shkurt 2000 (krh. Marrëveshja bazë mes Selisë së Shenjtë dhe Organizatës
për Çlirimin e Palestinës, neni 9).
Zoti President, të dashur Miq, edhe një
herë ju falënderoj dhe të gjithëve ju besoj mbrojtjes së të
Gjithëpushtetshmit. Hyji e ktheftë shikimin e vet plot dashuri mbi
secilin prej jush, mbi familjet tuaja dhe mbi të gjithë ata që i keni
për zemër. Ai e bekoftë popullin palestinez me paqe.
titujt kryesorë |
|