|
|
Aeroporti Ndërkombëtar
Queen Alia – Aman
E hënë, 1q maj 2009
Madhëri,
Shkëlqesi,
të dashur Miq,
ndërsa po përgatitem për
etapën tjetër të shtegtimit tim në tokat e Biblës, dëshiroj t’ju
falënderoj të gjithëve ju për mikpritjen e ngrohtë që më është bërë në
Jordani këto ditë. Falënderoj Madhërinë e Tij Mbretin Abdullah II që më
ka ftuar të vizitoj Mbretërinë Ashemite, për mikpritjen e tij dhe fjalët
e tij të ngrohta. Shpreh edhe vlerësimin tim për punën e madhe të bërë
me qëllim që të bëhej e mundur vizita ime dhe të sigurohej zhvillimi i
rregullt i takimeve të ndryshme e kremtimeve që janë bërë. Autoritetet
publike, të ndihmuara prej një numri të madh vullnetarësh, kanë punuar
gjatë dhe me këmbëngulje për t’i drejtuar turmat e për të organizuar
ngjarjet e ndryshme. Mbulimi i mass-mediave u ka lejuar personave të
panumërt që të ndjekin kremtimet, edhe pse nuk kanë mundur të jenë
fizikisht të pranishëm. Ndërsa i falënderoj ata që e kanë bërë të mundur
këtë, dëshiroj t’u jap një falënderim të veçantë të gjithë atyre që janë
duke dëgjuar radion apo duke parë televizionin, sidomos të sëmurëve dhe
atyre që janë të detyruar të rrinë në shtëpi.
Ka qenë një gëzim i veçantë për mua të
jem i pranishëm në fillimin e nismave të shumta e të rëndësishme të
nxitura prej bashkësisë katolike këtu në Jordani. Krahu i ri i Qendrës
Regina Pacis do të hapë mundësi konkrete për t’u dhënë shpresë atyre që
luftojnë me vështirësi të llojeve të ndryshme dhe familjeve të tyre. Dy
kishat që do të ndërtohen në Betani do t’ua bëjnë të mundur bashkësive
përkatëse mikpritjen e shtegtarëve dhe nxitjen e rritjes shpirtërore të
atyre që do të luten në atë vend të shenjtë. Universiteti i Madabës
duhet t’i japë një ndihmesë veçanërisht të rëndësishme bashkësisë më të
gjerë, duke formuar të rinj të traditave të ndryshme në kompetencat që
do t’i aftësojnë për ta modeluar të ardhmen e shoqërisë civile. Të
gjithë atyre që janë të angazhuar në këto projekte u bëj urimet më të
mira dhe premtimin e lutjeve të mia.
Një ditë veçanërisht e ndritshme mes
atyre që jam duke jetuar ka qenë ajo e vizitës sime në xhaminë
al-Hussein bin-talal, ku kam pasur kënaqësinë të takoj krerët myslimanë
së bashku me anëtarët e Trupave diplomatikë dhe Rektorët e
Universitetit. Do të dëshiroja t’i nxisja të gjithë jordanezët, si të
krishterët ashtu edhe myslimanët, që të ndërtojnë mbi themelet e
qëndrueshme të tolerancës fetare që i bën anëtarët e bashkësive të
ndryshme të aftë të jetojnë së bashku në paqe dhe respekt të ndërsjellë.
Madhëria e Tij Mbreti ka qenë shumë aktiv në nxitjen e dialogut
ndërfetar dhe dëshiroj të theksoj se sa i çmuar është angazhimi i tij në
lidhje me këtë. Me mirënjohje vë në dukje edhe konsideratën e veçantë që
ai tregon ndaj bashkësisë së krishterë të Jordanisë. Ky shpirt hapjeje
jo vetëm i ndihmon anëtarët e bashkësive të ndryshme etnike në këtë Vend
që të jetojnë së bashku në paqe e mirëkuptim, por ka ndihmuar edhe në
nismat politike largpamëse të Jordanisë për të ndërtuar paqen në të
gjithë Lindjen e Mesme.
Të dashur Miq, sikurse e dini, në Jordani
kam ardhur sidomos si shenjta dhe momentet e lutjes që kemi kremtuar së
bashku. Edhe një herë dëshiroj të shpreh vlerësimin e gjithë Kishës ndaj
atyre që i ruajnë vendet e shtegtimit në këtë tokë dhe dëshiroj të
falënderoj edhe personat e shumtë që kanë ndihmuar në përgatitjen e
Mbrëmësores së të Shtunës në Katedralen e shën Gjergjit dhe të Meshës së
djeshme në Stadiumin Ndërkombëtar. Ka qenë vërtet një gëzim për mua të
përjetoj këto kremtime pashkore me besimtarë katolikë të traditave të
ndryshme, të bashkuar në njësinë e Kishës dhe në dëshminë e tyre të
Krishtit. I nxis të gjithë së bashku që t’i mbeten besnikë angazhimit të
tyre pagëzimor, duke kujtuar se vetë Krishti e ka marrë pagëzimin prej
Gjonit në ujërat e lumit Jordan.
Duke u ndarë prej jush, dëshiroj ta dini
se unë e mbaj në zemër popullin e Mbretërisë Ashemite dhe të gjithë ata
që jetojnë në këtë zonë. Lutem që të keni gëzimin e paqes dhe të
prosperitetit, tani dhe për të gjitha breznitë e ardhshme. Edhe një
herë, faleminderit. Dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve!
titujt kryesorë |
|