|
|
DEKLARATË
E KONFERENCES IPESHKVNORE TË SHQIPËRISË
MBI MARTESAT MES HOMOSEKSUALËVE
Gjatë ditëve të fundit kemi dëgjuar për
mundësinë që Kuvendi të diskutojë dhe ndoshta ta miratojë ligjin për të
ashtuquajturën “martesë” mes homoseksualëve. E dimë se shumë njerëz, që u
përkasin besimeve të ndryshme, janë shprehur kundër kësaj ideje. Ne
ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri, nuk mund të heshtim përpara një
diskutimi të tillë, të shtyrë jo vetëm nga besimi ynë i krishterë, por edhe
nga angazhimi ynë për një shoqëri të fortë e të shëndoshë.
Në të kaluarën familja shqiptare ka qenë model për familjet në shumë vende
të tjera. Fatkeqësisht, në këto njëzetë vite të fundit është rritur numri i
divorceve dhe i mosbesnikërisë martesore. Ky ishte një nga shqetësimet tona
që na detyruan t’ju shkruajmë Letrën drejtuar Familjes, në shkurt të këtij
viti. Kisha, ashtu si edhe Shteti, e ka për detyrë të mbrojë dinjitetin e
jetës martesore dhe të familjes.
Pikërisht për këtë arsye u shqetësuam shumë kur dëgjuam në lajme për një
projekt ligj për miratim në Kuvend, që do të pranojë “martesë” mes
homoseksualëve. Respekti ynë ndaj dinjitetit të martesës na detyron të
flasim qartë kundër një propozimi të tillë.
Ne nuk duam të flasim për pasojat sociale që një vendim i tillë mund të ketë
në vendin tonë – pasoja që do të dalin më shumë në pah pas një kohe të gjatë,
veçanërisht kur u jepet këtyre bashkimeve, të të njëjtës gjini e drejta për
të birësuar fëmijë. Duam vetëm, këtu, të shtjellojmë shkurtimisht çka na
mëson Fjala e Zotit, përsa i përket krijimit të njeriut.
Në faqet e para të Biblës ku flitet për krijimin, lexojmë se Zoti “e krijoi
njeriun në përngjasimin e vet, e krijoi në përngjasimin e Hyjit, i krijoi
mashkull e femër”, dhe pastaj i bekoi duke thënë: “Shtohuni e shumohuni e
mbusheni tokën” (Zan 1, 27-28). Lexojmë gjithashtu (Zan 2, 18.22-24) se,
pasi që Zoti e krijoi burrin, tha: “Nuk është mirë që burri të jetë vetëm:
do t’ia bëj një ndihmë që t’i përngjajë”. Dhe pastaj, në një mënyrë
metaforike, flitet për krijimin e gruas: “Zoti Hyj i lëshoi njeriut një
gjumë të rëndë. Pasi e zuri gjumi, ia nxori një brinjë dhe vendin e saj e
mbushi me mish”. Në këtë mënyrë tregohet se gruaja është e së njëjtës natyre
si burri. Prandaj burri klithi: “Kjo tash është ashti i eshtrave të mi dhe
mishi i mishit tim! Le të quhet grua sepse kjo u mor nga burri”. Pas kësaj
kemi edhe përkufizimin e martesës me këto fjalë: “Burri do ta lërë të atin
dhe t’ëmën e vet dhe do të jetojë bashkë me gruan e vet e do të bëhen një
trup i vetëm”.
Mjaftojnë këto fjalë për të kuptuar çfarë domethënie kishte, dhe ende ka,
martesa në planin e Hyjit. Njeriu, i krijuar “në përngjasimin e Hyjit”,
është “mashkull e femër”. Gruaja është e të njëjtit dinjitet si burri. Të dy,
si dy persona të barabartë, bashkohen në martesë, duke formuar “një trup të
vetëm”. Prandaj dallimi gjinor është sipas planit të Krijuesit, duke marrë
parasysh bashkimin e tyre në martesë, që përfshin edhe mundësinë për lindjen
e fëmijëve (që, natyrisht, përjashtohet në rast të “martesës” mes
homoseksualëve).
Në çdo kohë, në çdo kulturë, dhe në çdo besim martesa ka qenë përkufizuar si
bashkim plotë mes burrit dhe gruas. Asnjë parlament nuk ka kompetencë të
ndryshojë këtë përkufizim. Atëherë, në saje të së vërtetës, të mos guxojmë
ta quajmë “martesë” një bashkim mes dy personave të së njëjtës gjinie as të
themi se kjo është një e drejtë. Nuk mund të jetë një e drejtë një sjellje
që nuk i përket natyrës së vërtetë të njeriut dhe që nuk është për të mirën
e tij dhe të shoqërisë.
E mbështetur në Fjalën e Zotit, Kisha mëson se veprimet homoseksuale janë
thelbësisht të çrregullta. Megjithatë homoseksualët duhet të pranohen me
respekt, dhemshuri dhe ndjeshmëri. Çdo shenjë diskriminuese ndaj tyre duhet
të evitohet. (Katekizmi i Kishës Katolike, nn. 2357-2358)
Ne u bëjmë thirrje përfaqësuesve tanë në Parlament, pavarësisht nga besimi
dhe nga përkatësia partiake, mbi të gjitha të kenë parasysh të mirën e
shoqërisë sonë. Sepse bërthama që e përbën shoqërinë nuk është individi, por
bashkësia familjare. Jo çdo risi është një përparim. Mos të gabojmë duke
menduar se, me miratimin e një ligji në favor të “martesës” mes të njëjtës
gjini, do të dalim para botës si një vend i përparuar. Prandaj le të mbrojmë
vlerat etike që garantojnë një familje të fortë, dhe atëherë do të kemi edhe
një shoqëri të shëndoshë.
Lusim Zotin që të ndriçojë mendjet e të gjithë atyre që kanë përgjegjësinë e
miratimit të ligjeve, që ato mos të bien në kundërshtim me Ligjet e Zotit
dhe as me traditën e shëndoshë famljare në vendin tonë.
Tiranë, e dhënë sot më
6 gusht 2009
Ipeshkvinjtë e Kishës Katolikë në Shqipëri
titujt kryesorë
|
|