|
|
Me “Caritas in Veritate”
Doktrina shoqërore
katolike sqaron natyrën e vet
Vazhdimësia mes dy
Enciklikave:
“Deus caritas est”
dhe “Caritas in Veritate”
Më 7 korrik 2009, pranë sallës së
shtypit të Vatikanit i është paraqitur publikut Enciklika
shoqërore e Papës Benedikti XVI, ku morën pjesë më shumë se 200
gazetarë. Një interes kaq i madh nuk ishte parë ndonjëherë. Edhe
më shumë: në muajt e mëparshëm pronuncime të përsëritura të
politikanëve dhe të ekonomistëve – sigurisht edhe për arsye të
situatës dramatike ekonomike – kishin shprehur pritjen e
ankthshme të një dokumenti kishtar, pothuajse duke e detyruar
Papën që të merrte një pozicion sistematik.
Më është propozuar ta
flas për enciklikën Caritas in veritate në kontekstin e mendimit
dhe të magjisterit të Benediktit XVI. Enciklika e tij e parë,
Deus caritas est, mbi teologjinë e dashurisë, përmbante
udhëzime mbi doktrinën shoqërore (nr. 26-29). Tani jemi përballë
një teksti të kushtuar tërësisht kësaj lënde. Por bie në sy se
koncepti qendror mbetet caritas i kuptuar si dashuri
hyjnore e shfaqur në Krishtin. Ai është burimi frymëzues i të
menduarit dhe i të vepruarit të të krishterit në botë. Në dritën
e tij, e vërteta bëhet “dhuratë..., nuk prodhohet prej nesh, por
gjithmonë gjendet ose, më mirë të themi, merret” (nr. 34). Nuk
mund të kthehet në një dashamirësi të thjeshtë njerëzore apo në
filantropi. Në ndërhyrjen time dëshiroj fillimisht të komentoj
detyrën e doktrinës shoqërore brenda misionit të Kishës, dhe
pastaj të prek një parim të vetin: qendërsinë e njeriut.
Një vështrim i shkurtër
historik.
Shkrimet e para doktrinore papnore
në lidhje me një rirendim të shoqërisë, sikurse Rerum
novarum (1891) dhe Quadragesimo anno
(1931), iu drejtuan kryesisht legjislacionit të Shteteve. Për
këtë arsye, në përgjithësi, për nxitjet e tyre, nuk përdorën
argumentime tipike të botës kishtare dhe të krishterë. Përdorën
kategoritë e mendimit të legjislatorëve shtetërorë dhe të
ruajtësve të rendit publik, dhe u mbështetën në parimet e
nxjerra prej të drejtës natyrore. Doktrina shoqërore e Kishës
pra karakterizohet prej faktit se i përshkruan strukturat
objektive të sistemit shoqëror kryesisht në bazë të filozofisë
shoqërore. Në këtë horizont ajo trajton thelbin dhe sistemin e
shoqërisë njerëzore si dhe normat e detyrat rregulluese që
burojnë prej tij. Ndërsa inkuadrimi i tyre në Zbulimin dhe në
dogma specifike të fesë mbetet diçka dytësore.
Për arsye të revolucionit shoqëror (shek.
XIX) dhe të pasojave fatkeqe të tij,
qortimi i Kishës i kërkonte Shtetit me ngut një reagim për të
rivendosur drejtësinë shoqërore dhe dinjitetin
e personit në terme filozofike. Më
vonë, me Pacem in terris, Gjoni XXIII merr
më së shumti prej horizontit të fesë dhe
flet për mëkatin dhe për kapërcimin e tij nëpërmjet veprës
hyjnore të shëlbimit.
(Paqja ndërtohet mbi 4
shtyllat: E Verteta, Drejtesia, Dashuria e Liria)
Koncili II i Vatikanit
sjell një ndryshim në planin e kësaj paraqitjeje bazë, duke i
vënë vazhdimisht në përballje doktrinën shoqërore me disa
shprehje të pasurisë së Zbulimit: është dukshëm perspektiva e
fesë ajo që hap para Etërve konciliarë thirrjen e tërësishme të
njeriut. Ky hap në një horizont të ri të mendimit shprehet në
mënyrë të të padyshimtë në formulimin e Kushtetutës Baritore
Gaudium et Spes – Kisha në botën bashkëkohore.
Gjon Pali II
pastaj ka përfshirë konceptin e “strukturave të mëkatit” dhe e
aplikon shëlbimin edhe në luftën kundër mjerimit njerëzor.
Sollicitudo rei socialis e tij e integronte doktrinën
shoqërore në teologjinë morale: “Prandaj, ajo i përket jo fushës
së ideologjisë, por asaj të teologjisë, dhe sidomos të
teologjisë morale” (nr. 41). Prej kësaj doktrina shoqërore lëviz
qartazi në fushën e teologjisë. Parimet e doktrinës shoqërore
nuk kanë mbetur pra thjesht filozofike, por e kanë zanafillën e
tyre në Krishtin dhe në fjalën e tij. Në Deus caritas est,
Benedikti XVI shkruan se feja e pastron arsyen dhe e ndihmon
kështu që të krijojë një rend të drejtë në shoqëri; këtu
vendoset doktrina shoqërore (krh. 28 a).
1.
Doktrina shoqërore në misionin e Kishës
1.1.
Nuk është Kisha ajo që
krijon një shoqëri të drejtë
Kisha është themeluar prej
Krishtit që të jetë sakrament shëlbimi për të gjithë popujt (Lumen
gentium, 1). Misioni i saj specifik e shkëput nga një
keqkuptim i shpeshtë: të shekullarizohet deri sa të bëhet një
veprues politik. Kisha frymëzon, por nuk bën politikë. Duke iu
kthyer enciklikës Populorum Progressio, enciklika e sotme
pohon qartë: “Kisha nuk ka zgjidhje teknike për të ofruar dhe
nuk pretendon aspak që të ndërhyjë në politikën e Shteteve” (nr.
9). Kisha nuk është një parti politike, as një aktor
politicizues. Mjerë ai që e kufizon misionin e kishës në të
qenit një lëvizje brenda botës presioni për të arritur rezultate
politike. Vetë Kard. Ratzinger në vitet 80, si prefekt i
Kongregatës për Doktrinën e Fesë, në përballjen me disa teologji
të çlirimit, i është kundërvënë këtij keqkuptimi të mundshëm (Instructio
e 6.8.1984).
Kjo, nga ana e vet, do të thotë se
doktrina shoqërore e Kishës nuk është një “rrugë e tretë”, pra
një program politik për t’u realizuar që të arrihet në një
shoqëri të përsosur, (shënim: rruga e parë: socializmi; rruga
e dytë: kapitalizmi). Kush e mendon kështu rrezikon
paradoksalisht që të përgatisë një teokraci, ku parimet e
vlefshme në argumentin e fesë bëhen tout court parime për
t’u zbatuar në jetën shoqërore, qoftë për atë që beson, qoftë
për atë që nuk beson, duke përqafuar edhe dhunën. Përballë
këtyre gabimeve, Kisha ruan, së bashku me lirinë fetare, edhe
harmoninë e drejtë të rendit të krijuar, sikurse ka siguruar
edhe Koncili II i Vatikanit.
1.2.
Doktrina shoqërore e Kishës
është një element i ungjillëzimit
Në mënyrë pozitive, enciklika
Caritas in veritate shpreh domethënien e doktrinës shoqërore
të Kishës në disa pjesë, për shembull në nr. 15, kur bëhet fjalë
për marrëdhënien mes ungjillëzimit dhe nxitjes njerëzore, duke
nisur nga Populorum Progressio. Ndërsa deri tani theksi i
doktrinës shoqërore ishte vendosur në veprimin për të nxitur
drejtësinë, tani i afrohet në kuptimin e gjerë baritores:
doktrina shoqërore është element i afirmuar i ungjillëzimit. Pra
kumtimi i Krishtit të vdekur e të ngjallur që Kisha shpall
përgjatë shekujve ka një aktualizim të vetin edhe në lidhje me
jetën shoqërore. Ky pohim përmban dy aspekte.
Nuk mund ta lexojmë doktrinën
shoqërore jashtë kontekstit të ungjillit dhe të kumtimit të tij.
Doktrina shoqërore, sikurse tregon enciklika, lind dhe
interpretohet në dritën e zbulimit.
Nga ana tjetër, doktrina shoqërore
nuk identifikohet me ungjillëzimin, por është një element i tij.
Ungjilli i përket jetës së njeriut edhe në marrëdhëniet
shoqërore dhe në institucionet që lindin prej këtyre
marrëdhënieve, por njeriu nuk mund të kufizohet vetëm në jetën e
tij shoqërore. Ky mendim është përsëritur me forcë nga Gjon Pali
II në Redemptoris missio (nr. 11). Pra, doktrina
shoqërore e Kishës nuk mund ta zëvendësojë gjithë veprën e
kumtimit të Ungjillit në takimin person me person.
1.3.
Doktrina shoqërore: jo pa
zbulim
Doktrina shoqërore pra lëviz duke
u mbështetur në një argument të arritshëm për çdo arsye, dhe
prandaj në themelin e të drejtës natyrore. Por e pranon varësinë
e saj prej fesë.
Enciklika e re e trajton më
shprehimisht dhe më vendosmërisht gjithë këtë, duke u vënë në
terrenin e dashurisë. Mëson se “dashuria është rruga kryesore e
doktrinës shoqërore të Kishës” (nr. 2). Dashuria për të cilën
flitet këtu është ajo “e marrë dhe e dhuruar” prej Hyjit (nr.
5).
Dashuria e Hyjit Atë Krijues dhe e
Birit shpërblyes, e derdhur në ne prej Shpirtit Shenjt e lejon
jetesën shoqërore të njeriut në bazë të disa parimeve. Pohon për
zhvillimin “qendërsinë... në dashuri” (nr. 19). Dija – shkruhet
po ashtu – e aftë ta orientojë njeriun, “duhet të shoqërohet me
‘kripën’ e dashurisë” (nr. 30). Këto pohime të thjeshta na
tregojnë disa implikime të rëndësishme. Nëse shkëputet nga
përvoja e krishterë, doktrina shoqërore bëhet pikërisht ajo
ideologji e cila Gjon Pali II mësonte se nuk ishte. Doktrina
shoqërore e angazhon të krishterin në rend të parë që ta
“mishërojë” fenë e vet. Sikurse shkruan enciklika: “Dashuria e
shfaq gjithmonë edhe në marrëdhëniet njerëzore dashurinë e
Hyjit, ajo i jep vlerë teologale dhe shëlbuese çdo angazhimi të
drejtësisë në botë” (nr. 6). Pyetjes së formuluar shpesh: “Çfarë
ndihmese i jep i krishteri ndërtimit të botës?”, i përgjigjet
doktrina shoqërore e Kishës.
2. Një trajtim antropocentrik
Zemra e doktrinës shoqërore mbetet
njeriu. Tashmë e kam përmendur se në një fazë të parë vëmendja e
kësaj disipline ishte mjaft e orientuar në situatat problematike
të shoqërisë: rregullarizimi i punës, mundësia për një pagesë të
drejtë, përfaqësia e punëtorëve. Më vonë këto problematike janë
përballuar në një nivel ndërkombëtar: çekuilibri mes të pasurve
dhe të varfërve, zhvillimi, marrëdhëniet ndërkombëtare. Me
theksimin teologjik shprehet më fort me Gjonin XXIII pyetja
rreth ndikimit të gjithë kësaj te njeriu – jemi në një fazë të
dytë në evolucionin e kësaj disipline. Gjon Pali II e ka
përforcuar më tej këtë vetëdije duke e përqendruar në problemin
antropologjik reflektimin shoqëror. Ky aspekt është shumë i
pranishëm në dokumentin e sotëm: “Kapitali i parë që duhet
mbikëqyrur dhe fuqizuar është njeriu, personi, në tërësishmërinë
e tij” (nr. 25); “Çështja shoqërore është bërë rrënjësisht
çështje antropologjike” (nr. 75). Përparimi, për të qenë vërtet
i tillë, duhet ta bëjë njeriun të rritet në përplotësinë e vet:
në tekst gjejmë referime në mjedisin, në tregun, në
globalizimin, në çështjen etike, në jetën, në kulturën, pra në
fushat e ndryshme në të cilat njeriu e zhvillon veprimtarinë e
vet. Ky qëllim mbetet një trashëgimi e çmueshme e doktrinës
shoqërore që prej fillimit të vet. Por më në thellësi, çështja
antropologjike do të thotë se duhet t’i jepet përgjigje një
pyetjeje qendrore: çfarë njeriu duam të nxisim? A mund ta
konsiderojmë zhvillim të vërtetë një zhvillim që e mbyll njeriun
në një horizont brendatokësor, i bërë vetëm prej mirëqenies
materiale, dhe që nuk varet prej çështjes së vlerave, së të
pafundmes në të cilën njeriu është i thirrur? A mundet një
qytetërim të mbijetojë pa referimet bazë, pa vështrimin nga
amshimi, duke ia mohuar njeriut një përgjigje ndaj pyetjeve të
tij më të thella? A mund të ketë zhvillim të vërtetë pa Hyjin?
Në logjikën e kësaj enciklike
shfaqet pra me forcë një kalim i mëtejshëm, ndoshta një fazë e
tretë e reflektimit të doktrinës shoqërore. Nuk është e rastit
që dashuria është vënë si pikë lidhjeje: pra dashuria hyjnore të
cilës i përgjigjet si akt njerëzor një virtyt teologal, thashë
në fillim. Atëherë njeriu nuk paraqitet vetëm si objektiv i një
procesi, por si subjekti i këtij procesi. Njeriu që e ka njohur
Krishtin bëhet aktor i ndryshimit që doktrina shoqërore të mos
mbetet një letër e vdekur. Benedikti XVI shkruan: “Zhvillimi
është i pamundur pa njerëz të drejtë, pa veprues ekonomikë dhe
politikanë që e jetojnë fort në ndërgjegjet e tyre thirrjen në
të mirën e përbashkët” (nr. 71). Këtu jemi në vazhdimësi të
drejtpërdrejtë me enciklikën Deus caritas est, që, në
pjesën e saj të dytë, ka konsideruar karakteristikat e atyre që
veprojnë në organizmat bamirës. Dhe vështrimi zgjerohet te bota
e jetës publike, në të cilën asistojmë shpesh, në veri dhe në
jug, në dukuri të njohura për të gjithë, dhe që e pengojnë
rritjen e një populli: korrupsioni dhe paligjësia (krh. nr. 22),
etja për pushtet (krh. DCE 28). “Mëkati origjinal”, sikurse
kujton teksti ynë në nr. 34, e pengon në shumë vende ndërtimin e
shoqërisë. Edhe te ata që e udhëheqin atë. Çështja shoqërore nuk
mund të përballohet pa iu referuar çështjes etike. Enciklika i
referohet njeriut të ri në kuptimin biblik (nr. 12). Nuk ka
shoqëri të re pa njerëz të rinj. Doktrina shoqërore nuk mbetet
letër apo ideologji vetëm nëse ka të krishterë të gatshëm ta
jetojnë atë në dashuri, me ndihmën e Hyjit. Pret përnjëmendësi
nga ana e të gjithë aktorëve. Formulon pa përdredhime fjalësh:
“Larg Hyjit, njeriu është i paqetë dhe i sëmurë” (nr. 76). Është
shumë domethënëse që numri i fundit i enciklikës (79) i
kushtohet lutjes dhe nevojës për kthim: Hyji e përtërin zemrën e
njeriut në mënyrë që ky të mund të përkushtohet për të jetuar në
dashuri dhe në drejtësi. Prandaj të krishterët nuk rrinë thjesht
në dritare për të vështruar apo për të protestuar, të infektuar
prej kulturës moderne të denoncimit, por e lënë veten të kthehen
për të ndërtuar, në Hyjin, një kulturë të re. Kjo vlen edhe për
anëtarët e Kishës, individë apo të asocuar.
3. Përparimi
Dua të përfundoj me një konsiderim
në lidhje me konceptin e përparimit. Pali VI – e kujton edhe kjo
enciklikë – ka folur për të në formë të qartë (Populorum
Progressio, 21). Mjerisht shpesh është menduar se rritja
njerëzore është si e pavarur prej çështjes së fesë, kështu që
nga njëra anë gjendet nxitja njerëzore, nga ana tjetër kumtimi i
fesë si fusha të ndara. Por në Populorum progressio
përparimi, i marrë në kuptimin e krishterë, kulminon në fenë dhe
në dashurinë në Krishtin. Ky dokument, përveçse i njëson dy
përmasat, përfshin edhe një element të mëtejshëm në konceptin e
përparimit: shpresën (nr. 34).
Sikurse theksonte Benedikti XVI në
Spe salvi, shpresa nuk mund të jetë ajo e një përparimi
që ndërton përgjithmonë një mbretëri të mirëqenies këtu në tokë
(nr. 30), sepse nuk i bën hesapet me lirinë njerëzore (nr.
23-24): themeli i shpresës së krishterë është dhurata e Hyjit
(nr. 31). Pra shpresa na ndihmon që të mos e mbyllim përparimin
në ndërtimin e një mbretërie tokësore, por na hap ndaj dhuratës:
në Hyjin gjen kurorëzimin dëshira e njeriut për të mirën.
Gjithnjë në këtë relativitet Kisha formulon doktrinën e vet
shoqërore dhe të krishterët gjejnë në të frymëzimin për
angazhimin e tyre në këtë botë.
Të nderuar, ju falenderoj per
pjesemarrjen, falenderoj relatoret para meje, moderatorët;
interesi për enciklikën Caritas in veritate është i madh.
Nëse lexohet mirë teksti i Benediktit XVI, ai është një dritë
për ne të krishterët si edhe për shoqërinë tonë në Shkodër dhe
në Shqipëri.
Imzot Angelo Massafra OFM
titujt kryesore |
|