ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Dorezimi i Instrumentum Laboris

te Asamblese se Posaçme per Lindjen e Mesme te Sinodit te Ipeshkvijves

 

 

 Pallati i Sportit Elefteria – Nikozi, e diel, 6 qershor 2010

 

 FJALIMI I ATIT TË SHENJTË BENEDIKTI XVI

 Të dashur vëllezër e motra në Krishtin,

 falënderoj Arqipeshkvin Eterović për fjalët e sjellshme, dhe e përtërij urimin tim për të gjithë ju të bashkuar këtu me rastin e fillimit të Asamblesë së Posaçme për Lindjen e Mesme të Sinodit të Ipeshkvijve. Falënderoj për gjithë punën që është bërë deri tani në përgatitje të Asamblesë Sinodale, dhe ju premtoj mbështetjen e lutjes sime ndërsa hyni në fazën përfundimtare të përgatitjes.

 Para se të filloj, mendoj se është e nevojshme të kujtojmë të ndjerin Ipeshkvin Luigi Padovese, që, si President i Konferencës Ipeshkvore Turke, ka ndihmuar në përgatitjen e Instrumentum Laboris, që sot po ju dorëzoj. Lajmi i vdekjes së tij të papritur dhe tragjike, që ndodhi të enjten, na ka befasuar dhe goditur të gjithëve ne. Ia besoj shpirtin e tij mëshirës së Hyjit të gjithëpushtetshëm, duke kujtuar se sa shumë ai u angazhua, veçanërisht si Ipeshkëv, për mirëkuptimin e ndërsjellë në fushën ndërfetare e kulturore dhe për dialogun mes Kishave. Vdekja e tij është një sinjal i qartë i thirrjes që të gjithë të krishterët bashkëndajnë, për të qenë, në çdo rrethanë, dëshmitarë të guximshëm të gjithçkaje që është e mirë, fisnike dhe e drejtë.

 Motoja e zgjedhur për Asamblenë na flet për bashkim e dëshmi, dhe na kujton se si anëtarët e bashkësisë së parë të krishterë ishin në “përkim të plotë” (krh. Vap 4,32). Në qendër të njësisë së Kishës gjendet Eukaristia, dhuratë e paçmueshme e Krishtit popullit të tij dhe pikë themelore e kremtimit liturgjik të sotëm në këtë Solemnitet të Trupit e të Gjakut të Zotit. Prandaj, nuk është pa domethënie që data e zgjedhur për dorëzimin e Instrumentum laboris të Asamblesë së Posaçme të bjerë pikërisht sot.

 Lindja e Mesme ka një vend të veçantë në zemrën e të gjithë të krishterëve, meqenëse pikërisht aty Hyji iu bë i njohur etërve tanë në fe. Prej kohës në të cilën Abrahami doli prej Urit të Kaldejve duke iu bindur thirrjes së Zotit, deri në vdekjen e ngjalljen e Jezusit, vepra shëlbimprurëse e Hyjit u krye nëpërmjet individëve dhe popujve në atdhetë tuaj. Që atëherë, mesazhi i Ungjillit është përhapur në të gjithë botën, por të krishterët nga çdo vend vazhdojnë ta shikojnë Lindjen e Mesme me një nderim të veçantë, për shkak të profetëve dhe patriarkëve, të apostujve dhe të martirëve, të cilëve u detyrohemi aq shumë, burrave dhe grave që kanë dëgjuar fjalën e Zotit, e kanë dëshmuar atë dhe na e kanë dorëzuar ne që i përkasim familjes së madhe të Kishës.

 Asambleja e Posaçme e Sinodit të ipeshkvijve, e thirrur me kërkesën tuaj, do të përpiqet të thellojë lidhjet e bashkimit mes anëtarëve të Kishave tuaja lokale, ashtu si edhe bashkimin e po këtyre Kishave mes tyre dhe me Kishën e gjithëmbarshme. Gjithashtu, kjo Asamble dëshiron t’ju nxisë në dëshminë e fesë suaj në Krishtin, që ju e bëni në Vendet ku kjo fe ka lindur dhe është rritur. Veç kësaj, dihet se disa prej jush vuajnë prova të mëdha të shkaktuara prej situatës aktuale të kësaj krahine. Asambleja e Posaçme është një rast për të krishterët e pjesës tjetër të botës që t’u japin mbështetje shpirtërore dhe solidaritet vëllezërve e motrave të tyre të Lindjes së Mesme. Është një rast për të vënë në pah vlerën e rëndësishme të pranisë dhe të dëshmisë së krishterë në Vendet e Biblës, jo vetëm për bashkësinë e krishterë në nivel botëror, por po ashtu edhe për fqinjët dhe bashkëqytetarët tuaj. Ju ndihmoni në mënyra të panumërta për të mirën e përbashkët, për shembull, nëpërmjet edukimit, kujdesit për të sëmurët dhe asistencës sociale, dhe veproni për ndërtimin e shoqërisë. Dëshironi të jetoni në paqe e në harmoni me fqinjët tuaj hebrenj dhe myslimanë. Shpesh veproni me artizanë të paqes në procesin e vështirë të pajtimit. Ju meritoni mirënjohje për rolin e çmueshëm që mbani. Është shpresë e imja e patundur që të drejtat tuaja të respektohen gjithnjë e më shumë, përfshirë edhe të drejtën për liri kulti dhe për liri fetare, dhe që të mos vuani më prej diskriminimeve të çfarëdo lloji.

 Lutem që punimet e Asamblesë së Posaçme të ndihmojnë që vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare të drejtohet mbi situatën e atyre të krishterëve në Lindjen e Mesme, që vuajnë për shkak të fesë së tyre, me qëllim që të gjenden zgjidhjet e drejta e që zgjasin në kohë për konfliktet që shkaktojnë kaq shumë vuajtje. Në lidhje me këtë çështje të rëndë, e përsëris thirrjen time personale për një përpjekje ndërkombëtare urgjente dhe të organizuar me qëllim që të zgjidhen tensionet që vazhdojnë në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Tokën e Shenjtë, para se këto konflikte të çojnë në një derdhje gjaku edhe më të madhe.

 Me këto mendime jua paraqes ju tekstin e Instrumentum laboris të Asamblesë së Posaçme për Lindjen e Mesme të Sinodit të Ipeshkvijve. Zoti e bekoftë me begati punën tuaj! Zoti i bekoftë të gjithë popujt e Lindjes së Mesme!

    

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster