ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

LETRA ENCIKLIKE

 

BASHKËSI FAMILJARE

 

(Familiaris consortio)

 

E PAPA PALIT II

 

NXITJE APOSTOLIKE MBI DETYRAT E FAMILJES SË KRISHTERË

NË BOTËN E SOTME

 

 

Përktheu

Angjelina Gjeka

 

Redaktorë

Dila Shtjefni

Loreta Tomaj

Alfred Çapaliku

 

 Faqosja dhe grafikat

LUX GRAFIC

 

© Copyright 2004

ARQIPESHKVIA METROPOLITANE SHKODËR

 

Shtypur

SHTYPSHKRONJA VOLAJ

SHKODËR 2004

 

 

 

Hyrje

 

Kisha në shërbim të familjes

 

1. Familja në kohët e sotme, ashtu sikurse, e ndoshta edhe më shumë se institucionet e tjera, ndeshet me shndërrimet e gjera, të thella e të shpejta të shoqërisë e të kulturës. Shumë familje e jetojnë këtë situatë duke u qëndruar besnike vlerave përbërëse të themelit të institucionit të familjes. Të tjera janë bërë të pasigurta dhe gjenden të përhumbura përballë detyrave të tyre ose, madje janë bërë dyshuese dhe gati nuk e njohin domethënien dhe të vërtetën e fundit të jetës bashkëshortore e familjare. Së fundi, të tjera familje janë të bllokuara nga situata të shumta padrejtësie në realizimin e të drejtave të tyre themelore.

E vetëdijshme se martesa dhe familja përbëjnë njërën prej të mirave më të çmueshme të njerëzimit, Kisha dëshiron t’u flasë dhe t’i ndihmojë ata që, duke njohur vlerën e martesës dhe të familjes, mundohen ta jetojnë atë besnikërisht, ata që, të pasigurt dhe në ankth, janë në kërkim të së vërtetës dhe ata, që me të padrejtë pengohen për ta jetuar lirisht projektin e tyre familjar. Duke mbështetur të parët, duke ndriçuar të dytët dhe duke ndihmuar të tjerët, Kisha vihet në shërbim të çdo njeriu që mendon për fatet e martesës dhe të familjes[1].

Në mënyrë të veçantë ajo u drejtohet të rinjve, që janë duke filluar ecjen e tyre drejt martesës dhe familjes, me qëllim që t’u hapë atyre horizonte të reja, duke i ndihmuar që ta zbulojnë bukurinë dhe madhështinë e thirrjes në dashuri dhe në shërbim të jetës.

 

 Sinodi i vitit 1980 në vazhdimësi me Sinodet e mëparshëm

 

2. Një shenjë e këtij interesimi të thellë të Kishës për familjen ka qenë Sinodi i fundit i Ipeshkvijve, kremtuar në Romë nga data 26 shtator deri me datë 25 tetor 1980. Ai ka qenë vazhdimi i natyrshëm i dy të mëparshmëve[2]: në të vërtetë, familja e krishterë është bashkësia e parë e thirrur për t’ia shpallur Ungjillin personit njerëzor në rritje, dhe për ta çuar, nëpërmjet edukimit progresiv dhe katekezës, në pjekurinë e plotë njerëzore dhe të krishterë.

Jo vetëm kaq, por Sinodi i fundit lidhet idealisht në njëfarë mënyre edhe me atë mbi meshtarinë mbarështuese dhe drejtësinë në botën bashkëkohore. Në të vërtetë, si bashkësi edukative, familja duhet ta ndihmojë njeriun që ta shoshisë thirrjen e vet dhe të marrë përsipër angazhimin e nevojshëm për një drejtësi më të madhe, duke e formuar qysh prej fillimit me marrëdhënie ndërpersonale, të pasura me drejtësi e dashuri.

Etërit Sinodalë, në përfundim të asamblesë së tyre, më kanë paraqitur një listë të gjatë propozimesh, në të cilat kishin përmbledhur frytet e reflektimeve të zhvilluara gjatë këtyre ditëve shumë të mbushura me punë, dhe më kanë kërkuar me votë të njëzëshme të shpreh, përpara njerëzimit, përkujdesjen e gjallë të Kishës për familjen, dhe të jap udhëzimet e duhura për një angazhim të përtërirë baritor në këtë sektor themelor të jetës njerëzore e kishtare.

Duke e përmbushur këtë detyrë me anë të kësaj Nxitjeje, si një realizim i posaçëm i mbarështimit apostolik që më është besuar, dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen time të gjithë pjesëmarrësve të Sinodit për ndihmesën e çmueshme të doktrinës dhe të përvojës, që kanë dhënë sidomos nëpërmjet “Le Propositiones”, tekstin e të cilave ia besoj Këshillit Papnor për Familjen, për ta studiuar më thellë me qëllim që të vlerësojë çdo aspekt të pasurive që ato përmbajnë.

  

E mira e çmueshme e martesës dhe e familjes

 

 3. Kisha, e ndriçuar prej fesë, nëpërmjet së cilës ajo njeh krejt të vërtetën e të mirën e çmueshme të martesës dhe të familjes, si dhe domethëniet e tyre më të thella, edhe një herë ndien nevojën për t’ua shpallur Ungjillin, domethënë “lajmin e mirë”, të gjithëve pa dallim, në veçanti të gjithë atyre që janë të thirrur në martesë dhe që përgatiten për të, të gjithë të martuarve dhe prindërve të botës.

Ajo është thellësisht e bindur se vetëm në pranimin e Ungjillit gjen një realizim të plotë çdo shpresë, që njeriu me të drejtë vë në martesë dhe në familje.

Të dashura prej Hyjit së bashku me vetë krijimin[3], martesa dhe familja janë brendësisht të orientuara për t’u përmbushur në Krishtin[4] dhe kanë nevojë për hirin e Tij që të shërohen prej plagëve të mëkatit[5] e të kthehen si ishin në “fillim”[6], domethënë në njohjen dhe realizimin e plotë të planit të Hyjit.

Në një moment historik në të cilin familja është objekt i shumë forcave që kërkojnë ta shkatërrojnë ose sidoqoftë ta shtrembërojnë, Kisha, e vetëdijshme se e mira e shoqërisë dhe e asaj vetë është thellësisht e lidhur me të mirën e familjes[7], e ndien në mënyrë më të gjallë e të ngutshme misionin e vet për t’ua shpallur të gjithëve planin e Hyjit mbi martesën dhe familjen, duke siguruar gjallërinë e saj të plotë dhe nxitjen njerëzore e të krishterë, duke ndihmuar kështu në përtëritjen e shoqërisë e të vetë Popullit të Hyjit.

 

   

Pjesa e Parë

 

Drita dhe Errësira të Familjes, Sot

 

Nevoja për njohjen e situatës

 

 4. Meqenëse plani i Hyjit mbi martesën dhe familjen i përket burrit dhe gruas në konkretësinë e ekzistencës së tyre të përditshme në situata të caktuara shoqërore e kulturore, Kisha, për kryerjen e shërbimit të vet, duhet të punojë për njohjen e situatave brenda të cilave martesa dhe familja realizohen[8] sot.

Pra, kjo njohje është një kërkesë e domosdoshme e veprës ungjillëzuese. Në të vërtetë, familjeve të kohës sonë Kisha duhet t’u çojë Ungjillin e Jezu Krishtit të pandryshueshëm e gjithnjë të ri, pasi familjet në kushtet e tashme të botës janë të thirrura për ta pranuar e për ta jetuar planin që Hyji ka për ta. Jo vetëm kaq, por kërkesat dhe thirrjet e Shpirtit tingëllojnë edhe në vetë ngjarjet e historisë, dhe për këtë Kisha mund të udhëhiqet për një njohje më të thellë të misterit të pashtershëm të martesës dhe të familjes edhe prej situatave, pyetjeve, anktheve dhe shpresave të të rinjve, të të martuarve dhe të prindërve të sotëm[9].

Kësaj njohjeje duhet t’i shtohet edhe një reflektim i mëtejshëm me rëndësi të veçantë në kohën e sotme. Jo rrallë burrit dhe gruas së sotme, që janë në një kërkim të sinqertë e të thellë të një përgjigjeje ndaj problemeve të përditshme e të rënda të jetës së tyre martesore e familjare, u paraqiten vizione e propozime edhe joshëse, por që e rrezikojnë në masa të ndryshme të vërtetën dhe dinjitetin e personit njerëzor. Është një propozim i mbështetur shpesh prej organizimit të fuqishëm e kapilar të mjeteve të komunikimit shoqëror, që vënë në rrezik lirinë dhe aftësinë për të gjykuar me objektivitet.

Shumë njerëz janë të vetëdijshëm për këtë rrezik në të cilin ndodhet personi njerëzor dhe veprojnë për të vërtetën. Kisha, me shoshitjen e saj ungjillore, bashkohet me ta, duke u vënë në shërbim të së vërtetës, të lirisë dhe të dinjitetit të çdo burri e të çdo gruaje.

 

 Shoshitja ungjillore

 

5. Shoshitja e Kishës bëhet propozimi i një orientimi, që të shpëtohet e të realizohet krejt e vërteta dhe dinjiteti i plotë i martesës dhe i familjes.

Ajo kryhet prej ndjenjës së fesë[10], e cila është një dhuratë që Shpirti ua ndan të gjithë besimtarëve[11], dhe prandaj është vepër e krejt Kishës, sipas larmisë së dhuratave e të karizmave të ndryshme që, së bashku dhe sipas përgjegjësisë së secilit, bashkëveprojnë për një njohje dhe një zbatim të thellë të Fjalës së Hyjit. Kisha, pra, nuk e bën shoshitjen e vet ungjillore vetëm nëpërmjet Barinjve, të cilët mësojnë në emër dhe me fuqinë e Krishtit, por edhe nëpërmjet laikëve: Krishti “i ruan si dëshmitarë të Tij dhe i pajis me kuptimin e fesë dhe të hirit të fjalës (krh. Vap 2, 17-18; Zb 19, 10), që forca e Ungjillit të shkëlqejë në jetën e përditshme, familjare e shoqërore”[12]. Madje, laikët, për shkak të thirrjes së tyre të veçantë, kanë detyrën specifike ta ftillojnë në dritën e Krishtit historinë e kësaj bote, meqenëse janë të thirrur për t’i ndriçuar e për t’i rregulluar realitetet tokësore sipas planit të Hyjit Krijues dhe Shpërblyes.

Por “ndjenja mbinatyrore e fesë”[13] nuk qëndron vetëm ose patjetër në miratimin e besimtarëve. Kisha, duke ndjekur Krishtin, kërkon të vërtetën, që jo gjithmonë përputhet me opinionin e shumicës. Dëgjon ndërgjegjen dhe jo pushtetin, duke mbrojtur të varfrit e të përbuzurit. Kisha mund ta vlerësojë edhe kërkimin sociologjik e statistik, kur ai shfaqet i dobishëm për kuptimin e kontekstit historik në të cilin duhet të kryhet veprimi baritor dhe për një njohje më të mirë të së vërtetës; por ky kërkim i vetëm nuk duhet të mbahet patjetër si shprehje e ndjenjës së fesë.

Meqenëse është detyrë e mbarështimit apostolik të sigurojë qëndrimin e Kishës në të vërtetën e Krishtit dhe ta fusë aty gjithnjë e më thellë, Barinjtë duhet ta nxisin ndjenjën e fesë në të gjithë besimtarët, ta shqyrtojnë e ta gjykojnë me autoritet pastërtinë e shprehjeve të saja, t’i edukojë besimtarët për një shoshitje ungjillore gjithnjë e më të pjekur[14].

Për përpunimin e një shoshitjeje të njëmendtë ungjillore në situatat dhe kulturat e ndryshme në të cilat burri dhe gruaja e jetojnë martesën dhe jetën e tyre familjare, bashkëshortët dhe prindërit e krishterë mund dhe duhet ta japin ndihmesën e tyre vetjake dhe të pazëvendësueshme. Në këtë detyrë i aftëson karizma e tyre apo vetë dhurata e sakramentit të kurorës së martesës[15].

 

Situata e familjes në botën e sotme

 

6. Situata në të cilën gjendet familja paraqet aspekte pozitive dhe negative: të parat janë shenjë e shpëtimit të Krishtit veprues në botë; të dytat janë shenjë e mospranimit që njeriu i bën dashurisë së Hyjit.

Në të vërtetë, nga njëra anë ekziston një vetëdije më e gjallë për lirinë personale, dhe një vëmendje më e madhe ndaj cilësisë së marrëdhënieve ndërpersonale në martesë, ndaj nxitjes së dinjitetit të gruas, ndaj lindjes së përgjegjshme të fëmijëve, ndaj edukimit të bijve të tyre; ekziston gjithashtu edhe vetëdija e nevojës për zhvillimin e marrëdhënieve mes familjeve për një ndihmë të ndërsjellë shpirtërore e materiale, për rizbulimin e misionit kishtar të familjes dhe të përgjegjësisë së saj në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë. Megjithatë, nga ana tjetër, nuk mungojnë shenja shqetësuese degradimi të disa vlerave themelore: një konceptim i gabuar teorik dhe praktik i pavarësisë së bashkëshortëve; paqartësitë e rënda mbi marrëdhënien e autoritetit mes prindërve e fëmijëve; vështirësitë konkrete, që familja shpesh përjeton në përçimin e vlerave; numri në rritje i shkurorëzimeve; plaga e dështimit; përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i shterpëzimit; krijimi i një mendësie të vërtetë kundërngjizëse.

Në rrënjën e këtyre dukurive negative shpesh qëndron një prishje e idesë dhe e shprehjes së lirisë, konceptuar jo si aftësi për realizimin e të vërtetës së planit të Hyjit mbi martesën dhe familjen, por si forcë autonome e afirmimit të vetvetes, jo rrallë kundër të tjerëve, për mirëqenien personale egoiste.

Meriton t’i kushtojmë vëmendje edhe faktit se, në Vendet e të ashtuquajturës Botë e Tretë, shpesh familjeve u mungojnë qoftë mjetet themelore për mbijetesë, si ushqimi, puna, banesa, ilaçet, qoftë liritë më themelore. Ndërsa në vendet më të pasura mirëqenia e tepruar dhe mendësia konsumiste, paradoksalisht e lidhur me njëfarë ankthi dhe pasigurie për të ardhmen, ua heqin bashkëshortëve bujarinë dhe guximin për të lindur jetë të reja njerëzore: kështu shpesh jeta perceptohet jo si bekim, por si rrezik nga i cili duhet të ruhemi.

Situata historike në të cilën jeton familja, pra, paraqitet si një tërësi dritash dhe hijesh.

Kjo zbulon se historia nuk është thjesht një përparim i domosdoshëm drejt më të mirës, por një ngjarje lirie, dhe madje një luftë mes lirive, që i kundërvihen njëra-tjetrës, domethënë, sipas shprehjes së njohur të shën Agustinit, një konflikt mes dy dashurish: dashurisë ndaj Hyjit që të shtyn deri në përbuzjen e vetvetes dhe dashurisë ndaj vetvetes që të shtyn deri në përbuzjen e Hyjit[16].

Prej kësaj del se vetëm edukimi në dashurinë e rrënjosur në fe mund të na bëjë ta fitojmë aftësinë për t’i ftilluar “shenjat e kohëve”, që janë shprehja historike e kësaj dashurie të dyfishtë.

 

Ndikimi i situatës mbi ndërgjegjen e besimtarëve

 

7. Duke jetuar në një botë të tillë, nën presionet që vijnë sidomos prej mas-mediave, jo gjithmonë besimtarët kanë ditur dhe dinë të qëndrojnë të paprekshëm prej errësimit të vlerave themelore dhe të paraqiten si ndërgjegje kritike e kësaj kulture familjare e si subjekte vepruese për formimin e një humanizmi të përnjëmendtë familjar.

Ndër shenjat më shqetësuese të kësaj dukurie, Etërit Sinodalë kanë nënvizuar, në veçanti, përhapjen e shkurorëzimit dhe përdorimin e një bashkimi të ri nga vetë besimtarët, pranimin e martesës thjesht civile, në kundërshtim me thirrjen e të pagëzuarve “për t’u martuar në Zotin”; kremtimin e martesës sakrament pa një fe të gjallë, por për arsye të tjera; mospranimin e normave morale, që udhëheqin dhe nxisin ushtrimin njerëzor e të krishterë të seksualitetit në martesë. 

 

Epoka jonë ka nevojë për urti

 

8. Kështu, mbarë Kishës i parashtrohet detyra e një reflektimi dhe e një angazhimi shumë të thellë, që kultura e re të ungjillëzohet thellësisht, vlerat e vërteta të pranohen, të drejtat e burrit e të gruas të mbrohen dhe drejtësia të nxitet në vetë strukturat e shoqërisë. Në këtë mënyrë “humanizmi i ri” nuk do t’i shkëpusë njerëzit prej marrëdhënies së tyre me Hyjin, por do t’i drejtojë nga Ai në mënyrë më të plotë.

Në formimin e këtij humanizmi, shkenca dhe zbatimet e saj teknike japin mundësi të reja dhe shumë të mëdha. Megjithatë, shkenca, si pasojë e zgjedhjeve politike që përcaktojnë drejtimin e kërkimit dhe zbatimet e saja, shpesh përdoret kundër domethënies së saj të fillimit, nxitjes së personit njerëzor.

Prandaj, bëhet i nevojshëm rifitimi nga ana e të gjithëve i ndërgjegjes së parësisë së vlerave morale, që janë vlerat e personit njerëzor si të tillë. Rikuptimi i domethënies së fundit të jetës dhe i vlerave të saja themelore është detyra e madhe, që shtrohet sot për përtëritjen e shoqërisë. Vetëm vetëdija e parësisë së këtyre vlerave lejon një përdorim të mundësive të panumërta, vënë në duart e njeriut prej shkencës, që të ketë me të vërtetë si qëllim nxitjen e personit njerëzor në krejt të vërtetën, lirinë dhe dinjitetin e tij. Shkenca është e thirrur të lidhet me urtinë.

Prandaj mund të përdoren edhe për problemet e familjes fjalët e Koncilit II të Vatikanit: “Epoka jonë, edhe më shumë se në shekujt e kaluar, ka nevojë për këtë urti, në mënyrë që të gjitha zbulimet e reja të bëhen më njerëzore. Në fakt, është në rrezik e ardhmja e botës, me kusht që të nxiten njerëz më të urtë”[17].

Edukimi i ndërgjegjes morale, që e bën njeriun të aftë për t’i gjykuar dhe për t’i shoshitur mënyrat më të përshtatshme për t’u realizuar sipas të vërtetës së vet të fillimit, bëhet kështu një kërkesë me përparësi dhe e domosdoshme.

Është besëlidhja me Urtinë hyjnore ajo që duhet të rimëkëmbet më thellësisht në kulturën e sotme. Në këtë Urti çdo njeri është bërë pjesëmarrës prej vetë veprimit krijues të Hyjit. Dhe është vetëm në besnikërinë ndaj kësaj besëlidhjeje, që familjet e sotme do të jenë në gjendje të ndikojnë pozitivisht në ndërtimin e një bote më të drejtë e më vëllazërore.

  

Shkallëzimi dhe kthimi

 

9. Padrejtësisë së përftuar prej mëkatit – thellësisht i futur edhe në strukturat e botës së sotme – dhe që shpesh pengon familjen në realizimin e plotë të vetvetes e të të drejtave të saja themelore, duhet t’i kundërvihemi me një kthim të mendjes e të zemrës, duke ndjekur Krishtin e Kryqëzuar në rënien mohit egoizmit tonë: një kthim i tillë nuk mund të mos ketë ndikim të mirë dhe përtëritës edhe mbi strukturat e shoqërisë.

Kërkohet një kthim i vazhdueshëm dhe i përhershëm, që, megjithëse kërkon shkëputjen e brendshme prej çdo të keqeje dhe bashkëngjitjen me të mirën në plotësinë e saj, bëhet konkretisht me hapa që të çojnë gjithnjë e më tej. Kështu zhvillohet një proces dinamik, që përparon progresivisht me integrimin në rritje të dhuratave të Hyjit dhe të kërkesave të dashurisë së Tij përfundimtare e absolute në krejt jetën personale e shoqërore të njeriut. Prandaj është e nevojshme një ecje pedagogjike rritjeje me qëllim që çdo besimtar, familje dhe popull, madje vetë kultura, nga ajo që tashmë kanë pranuar prej Misterit të Krishtit, të drejtohen me durim përtej, duke arritur në një njohje më të pasur dhe në një integrim më të plotë të këtij Misteri në jetën e tyre.

 

Inkulturimi

 

10. Është në përputhje me traditën e pandryshueshme të Kishës pranimi prej kulturave të tjera i çdo gjëje që është në gjendje t’i shprehë më mirë pasuritë e pashtershme të Krishtit[18]. Vetëm me bashkëpunimin e të gjitha kulturave, këto pasuri do të mund të shfaqen gjithnjë e më qartë dhe Kisha do të mund të ecë drejt një njohjeje çdo ditë e më të plotë e më të thellë të së vërtetës, dhuruar tërësisht prej Zotit të vet.

Duke e mbajtur të pandryshueshëm parimin e dyfishtë të pajtueshmërisë me Ungjillin të kulturave të ndryshme që duhen marrë në vetvete dhe të bashkësisë me Kishën e gjithmbarshme, duhet të vazhdohet me studimin, veçanërisht Konferencat Ipeshkvnore dhe Dikasteret kompetente të Selisë së Romës, dhe me angazhimin baritor që ky “inkulturim” i fesë së krishterë të ndodhë gjithnjë e më gjerësisht, edhe në fushën e martesës e të familjes.

Nëpërmjet “inkulturimit” ecet drejt rimëkëmbjes së plotë të besëlidhjes me Urtinë e Hyjit, që është vetë Krishti. Mbarë Kisha do të pasurohet edhe prej atyre kulturave që, megjithëse duke mos pasur teknologji, janë plot me mençuri njerëzore dhe të gjallëruara prej vlerave të thella njerëzore.

Që të jetë i qartë pikësynimi i kësaj ecjeje dhe, si rrjedhojë, sigurisht të tregohet edhe rruga, Sinodi, në rend të parë, me të drejtë e ka parë me thellësi planin zanafillës të Hyjit rreth martesës dhe familjes: ka dëshiruar “të kthehet në fillim”, në nderim të mësimit të Krishtit[19].

 

 

Pjesa e Dytë

 

Plani i Hyjit mbi Martesën dhe mbi Familjen

 

 

Njeriu shëmbëlltyrë e Hyjit Dashuri

 

11. Hyji e ka krijuar njeriun në shëmbëlltyrë e përngjasim të Tij[20]: duke e thirrur në jetë për dashuri, e ka thirrur në të njëjtën kohë edhe në dashuri.

Hyji është dashuri[21] dhe jeton në vetvete një mister bashkësie personale dashurie. Duke e krijuar në shëmbëlltyrë të Vet dhe duke e mbajtur vazhdimisht në jetë, Hyji brendashkruan në njerëzinë e burrit dhe të gruas thirrjen, dhe prandaj edhe aftësinë e përgjegjësinë e dashurisë dhe të bashkësisë[22]. Prandaj, dashuria është thirrja themelore dhe e natyrshme e çdo qenieje njerëzore.

Si shpirt i mishëruar, domethënë shpirt që shprehet në trup dhe trup që merr trajtë nga një shpirt i pavdekshëm, njeriu është i thirrur në dashuri në këtë totalitet të tij të njësuar. Dashuria e përqafon edhe trupin njerëzor dhe trupi bëhet pjesëmarrës i dashurisë shpirtërore.

Zbulimi i krishterë njeh dy mënyra specifike për realizimin e personit njerëzor, në tërësinë e tij, në dashuri: Martesa dhe Virgjëria. Si njëra ashtu edhe tjetra, në formën e tyre karakteristike, janë konkretizim i të vërtetës më të thellë të njeriut, “të qenies së tij në shëmbëlltyrë të Hyjit”.

Si pasojë, seksualiteti, nëpërmjet të cilit burri dhe gruaja i dhurohen njëri-tjetrit me aktet përkatëse dhe ekskluzive të bashkëshortëve, nuk është aspak diçka vetëm biologjike, por i përket bërthamës intime të personit njerëzor si të tillë. Ai realizohet në mënyrë vërtet njerëzore vetëm nëse është pjesë përbërëse e dashurisë me të cilën burri e gruaja angazhohen tërësisht ndaj njëri-tjetrit deri në vdekje. Dhurimi i plotë fizik do të ishte mashtrim po të mos ishte shenjë dhe fryt i dhurimit të plotë personal, në të cilin krejt personi, edhe në dimensionin e tij tokësor, është i pranishëm: nëse personi do të mbante diçka ose edhe vetë mundësinë për të vendosur ndryshe për të ardhmen, do të ishte e mjaftueshme që ai të mos dhurohej tërësisht.

Kjo tërësi, që kërkohet prej dashurisë bashkëshortore, u përgjigjet edhe kërkesave të një pjellorie të përgjegjshme, e cila, e prirur siç është për të lindur një qenie njerëzore, e kapërcen për vetë natyrën e vet rendin vetëm biologjik, dhe përfshin një bashkësi vlerash personale, për rritjen e harmonishme të të cilave është e nevojshme ndihmesa e vazhdueshme dhe e njëzëshme e të dy prindërve.

“Vendi” i vetëm, që e bën të mundur këtë dhurim sipas krejt të vërtetës së vet, është martesa, apo marrëveshja e dashurisë bashkëshortore apo zgjedhja e vetëdijshme dhe e lirë, me të cilën burri dhe gruaja pranojnë bashkësinë intime të jetës dhe të dashurisë, të dashur prej vetë Hyjit[23], që vetëm në këtë dritë e shfaq domethënien e vet të vërtetë. Institucioni martesor nuk është një ndërhyrje e papërshtatshme e shoqërisë apo e autoritetit, as diktimi i jashtëm i një forme, por kërkesë e brendshme e marrëveshjes së dashurisë bashkëshortore që shfaqet publikisht si e vetme dhe ekskluzive, që të jetohet kështu besnikëria e plotë ndaj planit të Hyjit Krijues. Kjo besnikëri, larg prej flijimit të lirisë së personit, e ruan atë nga çdo subjektivizëm dhe relativizëm, e bën atë pjesëmarrës të Urtisë krijuese.

 

Martesa dhe bashkësia mes Hyjit e njerëzve

 

12. Bashkësia dashurore mes Hyjit dhe njerëzve, përmbajtja themelore e Zbulimit dhe e përvojës së fesë së Izraelit, e gjen shprehjen e vet kuptimplote në besëlidhjen martesore, që vendoset mes burrit e gruas.

Prandaj fjala qendrore e Zbulimit, “Hyji e do popullin e Vet”, shqiptohet edhe nëpërmjet fjalëve të gjalla e konkrete me të cilat burri e gruaja i shfaqin njëri-tjetrit dashurinë bashkëshortore. Lidhja e tyre e dashurisë bëhet shëmbëlltyra dhe simboli i Besëlidhjes që bashkon Hyjin dhe popullin e Tij[24]. Dhe vetë mëkati, që mund ta plagosë marrëveshjen bashkëshortore, bëhet shëmbëlltyrë e pabesnikërisë së popullit ndaj Hyjit të vet: idhujtaria është lavirësi[25], pabesnikëria është kurorëthyerje, mosdëgjesa ndaj ligjit është braktisje e dashurisë bashkëshortore të Zotit. Por pabesnikëria e Izraelit nuk e shkatërron besnikërinë e amshuar të Zotit, dhe, prandaj, dashuria gjithnjë besnike e Hyjit paraqitet si shembull i marrëdhënieve të dashurisë besnike, që duhet të ekzistojnë mes bashkëshortëve[26].

 

Jezu Krishti, dhëndër i Kishës, dhe sakramenti i martesës

 

13. Bashkësia mes Hyjit dhe njerëzve e gjen plotësinë e vet përfundimtare në Jezu Krishtin, Dhëndrin që do dhe dhurohet si Shpëtues i njerëzimit, duke e bashkuar atë me Veten e Vet si trup të Vetin.

Ai zbulon të vërtetën zanafillëse të martesës, të vërtetën e “fillimit”[27] dhe, duke e liruar njeriun prej zemërgurësisë, e bën të aftë ta realizojë atë plotësisht.

Ky zbulim e arrin plotësinë e vet përfundimtare në dhuratën e dashurisë, që Fjala e Hyjit i bën njerëzimit duke marrë natyrën njerëzore, dhe në flijimin e vetvetes, që Jezu Krishti bën në Kryq për Nusen e Vet, Kishën. Në këtë fli zbulohet plotësisht plani që Hyji ka vënë në njerëzinë e burrit e të gruas, qysh prej krijimit të tyre[28]; martesa e të pagëzuarve bëhet kështu simboli real i Besëlidhjes së re e të amshuar, të vendosur me gjakun e Krishtit. Shpirti, që Zoti derdh, dhuron zemrën e re dhe i bën burrin e gruan të aftë të duhen, sikurse Krishti na ka dashur ne. Dashuria bashkëshortore arrin atë plotësi në të cilën është brendësisht e orientuar, bamirësinë bashkëshortore, që është mënyra vetjake e specifike me të cilën bashkëshortët marrin pjesë dhe janë të thirrur për ta jetuar dashurinë e Krishtit që dhurohet në Kryq.

Në një faqe, me të drejtë shumë të njohur, Tertuliani e ka shprehur mjaft mirë madhështinë dhe bukurinë e kësaj jete bashkëshortore në Krishtin: “Si do të jem i aftë ta paraqes lumturinë e asaj martese që Kisha bashkon, flia eukaristike pohon, bekimi vulos, engjëjt shpallin dhe Ati miraton?... Çfarë zgjedhe është ajo e dy besimtarëve të bashkuar me një shpresë të vetme, në një zbatim të vetëm, në një shërbim të vetëm! Janë të dy vëlla e motër dhe të dy shërbejnë së bashku; nuk ka asnjë ndarje as në shpirt e as në mish. Madje janë vërtet dy në një trup të vetëm dhe aty ku trupi është i vetëm, i vetëm është edhe shpirti”[29].

Duke e pranuar dhe duke e medituar besnikërisht Fjalën e Hyjit, Kisha solemnisht ka mësuar dhe mëson se martesa e të pagëzuarve është njëri prej shtatë sakramenteve të Besëlidhjes së Re[30].

Në të vërtetë, nëpërmjet pagëzimit, burri dhe gruaja hyjnë përfundimisht në Besëlidhjen e Re e të Amshuar, në Besëlidhjen martesore të Krishtit me Kishën. Dhe për arsye të kësaj hyrjeje të pashkatërrueshme bashkësia intime e jetës dhe e dashurisë bashkëshortore, themeluar prej Krijuesit[31], lartësohet e ngrihet në dashurinë martesore të Krishtit, mbështetur dhe pasuruar prej forcës së Tij shpërblyese.

Me fuqinë e natyrës sakramentale të martesës së tyre, bashkëshortët janë të lidhur me njëri-tjetrin në mënyrën më të pazgjidhshme. Përkatësia e tyre e ndërsjellë është paraqitja reale, nëpërmjet shenjës sakramentale, e vetë marrëdhënies së Krishtit me Kishën.

Prandaj bashkëshortët janë përkujtim i vazhdueshëm për Kishën i asaj që ka ndodhur në Kryq; janë për njëri-tjetrin, dhe për fëmijët, dëshmitarë të shpëtimit, në të cilin sakramenti i bën pjesëmarrës. Për këtë ngjarje shpëtimi martesa, ashtu si çdo sakrament, është përkujtim, aktualizim dhe profeci: “Si përkujtim, sakramenti u jep atyre hirin dhe detyrën për t’i kujtuar veprat e mëdha të Hyjit dhe për t’ua dëshmuar ato fëmijëve të tyre; si aktualizim, u jep atyre hirin dhe detyrën për t’i jetuar në të tashmen, për njëri-tjetrin dhe për fëmijët, kërkesat e një dashurie që fal dhe shpërblen; si profeci, u jep atyre hirin dhe detyrën që ta jetojnë dhe ta dëshmojnë shpresën e takimit të ardhshëm me Krishtin”[32].

Ashtu si secili prej shtatë sakramenteve, edhe kurora e martesës është një simbol real i ngjarjes së shpëtimit, por në mënyrën e vet. “Në këtë sakrament bashkëshortët marrin pjesë si bashkëshortë, të dy, si çift, në atë pikë sa efekti i parë dhe i menjëhershëm i martesës (res et sacramentum) nuk është aq hiri mbinatyror, sa lidhja bashkëshortore e krishterë, një bashkësi e dy vetëve, tipike e krishterë, sepse përfaqëson misterin e Mishërimit të Krishtit dhe misterin e Tij të Besëlidhjes. Përmbajtja e pjesëmarrjes në jetën e Krishtit është edhe ajo specifike: dashuria bashkëshortore kërkon një tërësi në të cilën hyjnë të gjithë përbërësit e personit – thirrja e trupit dhe e instinktit, forca e ndjenjës dhe e afektivitetit, aspirata e shpirtit dhe e vullnetit –; ajo synon në një njësi thellësisht personale, atë njësi që, përtej bashkimit në një trup të vetëm, të çon në formimin e një zemre të vetme dhe të një shpirti të vetëm; ajo kërkon pazgjidhshmërinë dhe besnikërinë e dhurimit të ndërsjellë përfundimtar dhe i hapet pjellorisë (krh. Humanae vitae, 9). Pra, bëhet fjalë për karakteristika normale të çdo dashurie bashkëshortore natyrore, por me një domethënie të re që jo vetëm i pastron dhe i përforcon ato, por edhe i lartëson deri në atë pikë sa t’i bëjë shprehje të vlerave karakteristike të krishtera”[33].

 

Fëmijët, dhuratë shumë e çmueshme e martesës

 

14. Sipas planit të Hyjit, martesa është themeli i bashkësisë më të gjerë të familjes, pasi vetë institucioni i martesës dhe dashuria bashkëshortore janë të orientuara për lindjen dhe edukimin e fëmijëve, në të cilat ata gjejnë kurorëzimin e tyre[34].

Në realitetin e vet më të thellë, dashuria është thelbësisht dhuratë dhe dashuria bashkëshortore, ndërsa i çon bashkëshortët drejt “njohjes” së tyre të ndërsjellë, që i bën “një trup të vetëm”[35], nuk kufizohet brenda çiftit, pasi i bën të aftë për dhurimin më të madh të mundshëm, prej të cilit bëhen bashkëveprues me Hyjin për t’ia dhuruar jetën një personi të ri njerëzor. Kështu bashkëshortët, ndërsa i dhurohen njëri-tjetrit, dhurojnë përtej vetvetes realitetin e fëmijës, refleks i gjallë i dashurisë së tyre, shenjë e përhershme e njësisë bashkëshortore dhe sintezë e gjallë dhe e pandashme e të qenit të tyre baba dhe nënë.

Duke u bërë prindër, bashkëshortët marrin prej Hyjit dhuratën e një përgjegjësie të re. Dashuria e tyre familjare është e thirrur të bëhet për fëmijët shenjë e dukshme e vetë dashurisë së Hyjit “prej të Cilit merr emrin e vet çdo atësi në qiell e mbi tokë”[36].

Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se, edhe kur lindja e fëmijëve nuk është e mundur, jeta bashkëshortore nuk e humb vlerën e vet. Shterpësia fizike, në të vërtetë, mund të jetë rast që bashkëshortët t’u bëjnë shërbime të tjera dhe të rëndësishme jetës së personit njerëzor, si për shembull birësimi, format e ndryshme të veprave edukative, ndihma familjeve të tjera, fëmijëve të varfër apo me aftësi të kufizuara.

 

Familja, bashkësi personash

 

15. Në martesë dhe në familje krijohet një tërësi marrëdhëniesh ndërpersonale – martesë, atësi-amësi, bijësi, vëllazëri – nëpërmjet të cilave çdo person njerëzor hyn në “familjen njerëzore” dhe në “familjen e Hyjit”, që është Kisha.

Martesa dhe familja e krishterë ndërtojnë Kishën: në të vërtetë, në familje personi njerëzor jo vetëm lind dhe progresivisht, nëpërmjet edukimit, futet në bashkësinë njerëzore, por nëpërmjet rilindjes së pagëzimit dhe edukimit në fe, ai futet edhe në familjen e Hyjit, që është Kisha.

Familja njerëzore, e shpërbërë prej mëkatit, rimëkëmbet në njësinë e saj prej forcës shpërblyese të vdekjes dhe të ngjalljes së Krishtit[37]. Martesa e krishterë, pjesëmarrëse në pjellorinë shpëtuese të kësaj ngjarjeje, përbën vendin natyror në të cilin bëhet hyrja e personit njerëzor në familjen e madhe të Kishës.

Mandati për t’u rritur e për t’u shumuar, dhënë qysh në fillim burrit e gruas, arrin në këtë mënyrë krejt të vërtetën e vet dhe realizimin e vet të plotë.

Kështu, Kisha gjen në familjen, që lind prej sakramentit, djepin dhe vendin në të cilin ajo mund të realizojë përfshirjen e vet në breznitë njerëzore, dhe këto, në mënyrë të ndërsjellë, në Kishë.

 

Martesa dhe virgjëria

 

16. Virgjëria dhe celibati për Mbretërinë e Hyjit jo vetëm që nuk e kundërshtojnë dinjitetin e martesës, por edhe e supozojnë dhe e vërtetojnë atë. Martesa dhe virgjëria janë dy mënyra për ta shprehur e për ta jetuar të vetmin Mister të Besëlidhjes së Hyjit me popullin e Vet. Kur martesa nuk vlerësohet, nuk mund të ekzistojë virgjëria kushtuar Zotit; kur seksualiteti njerëzor nuk mbahet si një vlerë e madhe, dhuruar prej Krijuesit, e humb domethënien heqja dorë prej tij për Mbretërinë e Qiejve.

Në fakt, me të drejtë thotë shën Gjon Gojarti: “Ai që e dënon martesën, ia heq edhe virgjërisë lavdinë e saj; ndërsa ai që e lavdëron, e bën virgjërinë më të admirueshme e më të shkëlqyeshme. Ajo që duket një e mirë vetëm në krahasim me një të keqe, nuk është një e mirë e madhe; por ajo që është edhe më e mirë se të mirat e pranuara prej të gjithëve si të tilla, është me siguri e mira më e madhe”[38].

Në virgjëri, edhe trupërisht, njeriu është në pritje të dasmës eskatologjike të Krishtit me Kishën, duke iu dhuruar tërësisht Kishës në shpresën se Krishti do t’i dhurohet asaj në të vërtetën e plotë të jetës së amshuar. Personi i virgjër hershon kështu, në trupin e vet, botën e re të ngjalljes së ardhshme[39].

Në bazë të kësaj dëshmie, virgjëria e mban të gjallë në Kishë vetëdijen e misterit të martesës dhe e mbron nga çdo kufizim e nga çdo varfërim.

Duke e bërë të lirë në mënyrë të veçantë zemrën e njeriut[40], “aq sa ta ndezë atë më me shumë dashuri ndaj Hyjit dhe ndaj të gjithë njerëzve”[41], virgjëria dëshmon se Mbretëria e Hyjit dhe drejtësia e Tij janë ajo perlë e çmueshme, që duhet të parapëlqehet para çdo vlere tjetër qoftë edhe të madhe, madje duhet kërkuar si e vetmja vlerë përfundimtare. Prandaj Kisha, gjatë gjithë historisë së saj, gjithmonë e ka mbrojtur epërsinë e kësaj karizme në krahasim me atë të martesës, për arsye të lidhjes krejt të veçantë që ajo ka me Mbretërinë e Hyjit[42].

Megjithëse heq dorë prej pjellorisë fizike, personi i virgjër bëhet shpirtërisht pjellor, baba dhe nënë i shumë njerëzve, duke bashkëvepruar në realizimin e familjes sipas planit të Hyjit.

Prandaj, bashkëshortët e krishterë kanë të drejtë të presin prej personave të virgjër shembullin e mirë dhe dëshminë e besnikërisë deri në vdekje ndaj thirrjes së tyre. Ashtu sikurse edhe për bashkëshortët besnikëria nganjëherë bëhet e vështirë dhe kërkon sakrificë, flijim e vetëmohim, ashtu mund të ndodhë edhe për personat e virgjër. Besnikëria e këtyre të fundit, edhe në provën e mundshme, duhet të jetë shembull për besnikërinë e atyre të parëve[43].

Këto reflektime mbi virgjërinë mund t’i ndriçojnë dhe t’i ndihmojnë ata që, për arsye që nuk varen prej vullnetit të tyre, nuk kanë mundur të martohen dhe më pas, e kanë pranuar situatën e tyre me shpirt shërbimi.

  

 

Pjesa e Tretë

 

Detyrat e Familjes së Krishterë

 

Familje bëhu ajo që je!

 

17. Në planin e Hyjit Krijues e Shpërblyes, familja zbulon jo vetëm “identitetin” e vet, atë që ajo “është”, por edhe “misionin” e vet, atë që ajo mund dhe duhet “të bëjë”. Detyrat, që prej Hyjit familja është e thirrur t’i bëjë në histori, burojnë prej vetë qenies së saj dhe përfaqësojnë zhvillimin e saj dinamik dhe ekzistencial. Çdo familje zbulon dhe gjen në vetvete thirrjen e pashlyeshme, që përcakton njëkohësisht dinjitetin dhe përgjegjësinë e saj: familja “bëhet” ajo që “je”!

Kështu, përkujtimi i veprimit krijues të “fillimit”, bërë prej Hyjit, është një nevojë për familjen, nëse dëshiron të njihet dhe të realizohet sipas së vërtetës së brendshme jo vetëm të qenies së saj, por edhe të veprimit të saj historik. Dhe meqenëse, sipas planit hyjnor, është e formuar si “bashkësi intime jete dhe dashurie”[44], familja ka misionin të bëhet gjithnjë e më shumë ajo që është, pra bashkësi jete e dashurie, në një tension që, si për çdo realitet të krijuar e të shpërblyer, do ta gjejë plotësimin e vet në Mbretërinë e Hyjit. Pastaj, në një perspektivë që shkon në rrënjët e realitetit, duhet të themi se thelbi e detyrat e familjes janë së fundi të përcaktuara prej dashurisë. Prandaj familja merr misionin ta ruajë, ta zbulojë e ta komunikojë dashurinë, si pasqyrim të gjallë dhe pjesëmarrje reale të dashurisë së Hyjit për njerëzimin dhe të dashurisë së Krishtit Zot për Kishën, nusen e Vet.

Çdo detyrë e veçantë e familjes është shprehje dhe realizim konkret i një misioni të tillë themelor. Prandaj është e nevojshme të depërtohet më thellë në pasurinë e veçantë të misionit të familjes dhe të shqyrtohen përmbajtjet e saj të shumëfishta e të njësishme.

Në këtë kuptim, duke u nisur prej dashurisë dhe duke iu referuar asaj në mënyrë të vazhdueshme, Sinodi i fundit ka nxjerrë në pah katër detyra të përgjithshme të familjes:

I.                formimi i një bashkësie personash;

II.               shërbimi ndaj jetës;

III.              pjesëmarrja në zhvillimin e shoqërisë;

IV.              pjesëmarrja në jetën dhe misionin e Kishës.

  

 

I – Formimi i një Bashkësie Personash

 

Dashuria, zanafilla dhe forca e bashkësisë

 

18. Familja, e themeluar dhe e gjallëruar prej dashurisë, është një bashkësi personash: e burrit dhe e gruas bashkëshortë, e prindërve dhe e fëmijëve, e farefisit. Detyra e saj e parë është që ta jetojë besnikërisht realitetin e bashkësisë në angazhimin e vazhdueshëm për zhvillimin e një bashkësie të njëmendtë personash.

Parimi i brendshëm, forca e përhershme dhe qëllimi i fundit i kësaj detyre është dashuria: ashtu sikurse, pa dashuri, familja nuk është bashkësi personash, po ashtu edhe, pa dashuri, familja nuk mund të jetojë, të rritet e të përsoset si bashkësi personash. Ajo që kam shkruar në enciklikën Redemptor hominis e gjen zbatimin e vet zanafillës e të privilegjuar pikërisht në familjen si të tillë: “Njeriu nuk mund të jetojë pa dashuri. Ai mbetet në vetvete një qenie e pakuptueshme, jeta e tij nuk ka kuptim, nëse nuk i zbulohet dashuria, nëse nuk takohet me dashurinë, nëse nuk e përjeton dhe nuk e bën të vetën, nëse nuk merr pjesë gjallërisht në të”[45].

Dashuria mes burrit e gruas në martesë dhe, në formën rrjedhëse e të zgjeruar, dashuria mes anëtarëve të së njëjtës familje – mes prindërve e fëmijëve, mes vëllezërve e motrave, mes farefisit e familjarëve – gjallërohet e nxitet nga një dinamizëm i brendshëm dhe i pareshtur, që e çon familjen në një bashkësi gjithnjë e më të thellë e të dendur, themel dhe shpirt i bashkësisë bashkëshortore e familjare.

 

 Njësia e pandashme e bashkësisë bashkëshortore

 

19. Bashkësia e parë është ajo që vendoset e zhvillohet mes bashkëshortëve: me fuqinë e besëlidhjes së dashurisë bashkëshortore, burri e gruaja “nuk janë më dy, por një trup i vetëm”[46] dhe janë të thirrur të rriten vazhdimisht në bashkësinë e tyre nëpërmjet besnikërisë së përditshme ndaj premtimit martesor të dhurimit të plotë dhe të ndërsjellë.

Kjo bashkësi bashkëshortore i ka rrënjët e veta në përplotësimin natyror që ekziston mes burrit e gruas, dhe ushqehet nëpërmjet vullnetit personal të bashkëshortëve për bashkëndarjen e planit të jetës, atë që kanë e atë që janë: prandaj kjo bashkësi është fryti dhe shenja e një kërkese thellësisht njerëzore. Por në Krishtin Zot, Hyji e merr këtë kërkesë njerëzore, e përforcon, e pastron dhe e lartëson, duke e çuar drejt përsosmërisë me sakramentin e kurorës së martesës: Shpirti Shenjt, që ka zbritur në kremtimin sakramental, u jep bashkëshortëve të krishterë dhuratën e një bashkësie të re dashurie, që është shëmbëlltyra e gjallë dhe reale e asaj njësie shumë të veçantë që e bën Kishën Trup të pandashëm mistik të Zotit Jezus.

Dhurata e Shpirtit është urdhërim jete për bashkëshortët e krishterë, dhe njëkohësisht edhe shtytje nxitëse me qëllim që çdo ditë të përparojnë drejt një bashkësie gjithnjë e më të pasur mes tyre në të gjitha nivelet – të trupave, të karaktereve, të zemrave, të inteligjencave dhe të vullneteve, të shpirtrave[47] – duke i zbuluar kështu Kishës dhe botës bashkësinë e re të dashurisë së dhuruar prej hirit të Krishtit.

Një bashkësi e tillë kundërshtohet rrënjësisht prej poligamisë: në të vërtetë, kjo e mohon në mënyrë të drejtpërdrejtë planin e Hyjit siç na zbulohet në zanafillë, sepse është kundër dinjitetit të barabartë personal të burrit e të gruas, që në martesë i dhurohen njëri-tjetrit me një dashuri të plotë dhe prandaj të vetme e ekskluzive. Siç shkruan Koncili II i Vatikanit: “Njësia e martesës e përforcuar nga Zoti shfaqet në mënyrë të qartë edhe prej dinjitetit të barabartë personal si të burrit ashtu edhe të gruas, që duhet të pranohet në dashurinë e ndërsjellë e të plotë”[48].

 

 Një bashkësi e pazgjidhshme

 

20. Bashkësia bashkëshortore karakterizohet jo vetëm nga njësia, por edhe nga pazgjidhshmëria: “Kjo bashkësi intime, si dhurim i ndërsjellë i dy personave, ashtu si edhe e mira e fëmijëve, kërkojnë besnikërinë e plotë të bashkëshortëve dhe kërkojnë njësinë e pazgjidhshme të tyre”[49].

Është detyrë themelore e Kishës të ripohojë me forcë – siç kanë bërë Etërit e Sinodit – doktrinën e pazgjidhshmërisë së kurorës së martesës: atyre që, në ditët tona, e mendojnë si të vështirë, ose madje edhe të pamundur, të lidhen me një person për gjithë jetën dhe atyre, që janë përfshirë në një kulturë e cila nuk e pranon pazgjidhshmërinë martesore, dhe e përqesh haptazi angazhimin e bashkëshortëve për besnikëri, është e nevojshme t’u përsërisim lajmin e mirë përfundimtar të asaj dashurie bashkëshortore, që e ka themelin dhe forcën e vet[50] në Jezu Krishtin.

E rrënjosur në dhurimin personal e të plotë të bashkëshortëve dhe e kërkuar për të mirën e fëmijëve, pazgjidhshmëria e martesës e gjen të vërtetën e vet të fundit në planin që Hyji ka shfaqur në Zbulimin e Tij: Ai e dëshiron dhe e dhuron pazgjidhshmërinë martesore si fryt, shenjë dhe kërkesë të dashurisë absolutisht besnike të Hyjit për njeriun dhe të Zotit Jezus ndaj Kishës së Vet.

Krishti e përtërin planin e parë që Krijuesi ka gdhendur në zemrën e burrit e të gruas, dhe në kremtimin e sakramentit të kurorës së martesës u jep një “zemër të re”: kështu bashkëshortët jo vetëm mund ta kapërcejnë “karakterin e pagdhendur”[51], por edhe, dhe sidomos, mund të bashkëndajnë dashurinë e plotë e përfundimtare të Krishtit, Besëlidhje e re dhe e amshuar bërë njeri. Ashtu sikurse Zoti Jezus është “dëshmitari besnik”[52], është “po”-ja e premtimeve të Hyjit[53] dhe pra, realizimi më i lartë i besnikërisë së pakushtëzuar me të cilën Hyji e do popullin e Vet, po ashtu edhe bashkëshortët e krishterë janë të thirrur të marrin pjesë realisht në pazgjidhshmërinë e pakthyeshme, që lidh Krishtin me Kishën, nusen e Vet, të cilën Ai e do deri në pikën e fundit[54].

Dhurata e sakramentit është në të njëjtën kohë thirrje dhe urdhërim për bashkëshortët e krishterë, që t’i qëndrojnë përgjithmonë besnikë njëri-tjetrit, pavarësisht prej çdo prove e vështirësie, në një dëgjesë bujare ndaj vullnetit të shenjtë të Zotit: “Çka Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndajë!”[55].

Dëshmimi i vlerës së paçmueshme të pazgjidhshmërisë dhe të besnikërisë martesore është njëra prej detyrave më të çmueshme dhe më të ngutshme të çifteve të krishtera të kohës sonë. Prandaj, së bashku me të gjithë Bashkëvëllezërit që kanë marrë pjesë në Sinodin e Ipeshkvijve, lavdëroj dhe i nxis të gjitha ato çifte që, megjithëse duke ndeshur vështirësi jo të vogla, ruajnë dhe zhvillojnë të mirën e pazgjidhshmërisë: kështu, në një mënyrë të përvuajtur e të guximshme, përmbushin rolin që u është besuar atyre për të qenë në botë një “shenjë” – një shenjë e vogël dhe e çmueshme, nganjëherë nënshtruar edhe tundimit, por gjithnjë e përtërirë – e besnikërisë së palodhshme me të cilën Hyji dhe Jezu Krishti i duan të gjithë njerëzit dhe çdo njeri. Por është me vend edhe të njihet vlera e dëshmisë së atyre bashkëshortëve që, megjithëse janë braktisur prej partnerëve, me forcën e fesë dhe të shpresës së krishterë nuk kanë bërë një bashkim të ri: edhe këta bashkëshortë japin një dëshmi të përnjëmendtë besnikërie, për të cilën bota e sotme ka shumë nevojë. Për këtë arsye duhet të nxiten dhe të ndihmohen prej barinjve dhe besimtarëve të Kishës.

  

Bashkësia më e gjerë e familjes

 

21. Bashkësia bashkëshortore përbën themelin mbi të cilin ndërtohet bashkësia më e gjerë e familjes, e prindërve dhe e fëmijëve, e vëllezërve dhe e motrave, e farefisit dhe e familjarëve të tjerë.

Kjo bashkësi i ka rrënjët në lidhjet natyrore të mishit e të gjakut, dhe zhvillohet duke arritur përsosmërinë e vet njerëzore në vendosjen dhe në pjekjen e lidhjeve edhe më të thella e më të pasura të shpirtit: dashuria, që frymëzon marrëdhëniet ndërpersonale të anëtarëve të ndryshëm të familjes, përbën forcën e brendshme që i jep formë dhe jetë bashkësisë familjare.

Pastaj, familja e krishterë është e thirrur të bëjë përvojën e një bashkësie të re e të veçantë, që përforcon dhe përsos atë natyrore e njerëzore. Në të vërtetë, hiri i Jezu Krishtit, “vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve”[56], është për natyrën dhe dinamizmin e brendshëm një “hir vëllazërie”, siç e quan shën Toma i Akuinit[57]. Shpirti Shenjt, që zbret gjatë kremtimit të sakramenteve, është rrënja e gjallë dhe ushqimi i pashtershëm i bashkësisë mbinatyrore që bashkon dhe i lidh besimtarët me Krishtin dhe mes tyre në njësinë e Kishës së Hyjit. Një zbulim dhe zbatim specifik i bashkësisë kishtare bëhet prej familjes së krishterë, që edhe për këtë arsye mund dhe duhet të quhet “Kishë shtëpiake”[58].

Të gjithë anëtarët e familjes, secili sipas dhuratës së vet, kanë hirin dhe përgjegjësinë ta ndërtojnë, ditë për ditë, bashkësinë e personave, duke e bërë familjen një “shkollë njerëzie më të plotë e më të pasur”[59]; është ajo që ndodh me kujdesin dhe dashurinë ndaj të vegjëlve, të sëmurëve dhe të moshuarve; me shërbimin e ndërsjellë të çdo dite; me bashkëndarjen e të mirave, të gëzimeve dhe të vuajtjeve.

Një moment themelor për të ndërtuar një bashkësi të tillë përbëhet prej këmbimit edukativ mes prindërve e fëmijëve[60], në të cilin secili jep e merr. Nëpërmjet dashurisë, respektit, dëgjesës ndaj prindërve, fëmijët japin ndihmesën e tyre specifike e të pazëvendësueshme për ndërtimin e një familjeje përnjëmend njerëzore e të krishterë[61]. Në këtë do të ndihmohen, nëse prindërit do ta ushtrojnë autoritetin e tyre të pamohueshëm si një “mbarështim” të vërtetë, apo si një shërbim për të mirën njerëzore e të krishterë të fëmijëve, dhe në veçanti për të bërë që ata të fitojnë një liri vërtet të përgjegjshme, dhe nëse prindërit do ta mbajnë të gjallë vetëdijen e “dhuratës”, që vazhdimisht marrin prej fëmijëve të tyre.

Bashkësia familjare mund të ruhet dhe të përsoset vetëm me një shpirt të madh sakrifice. Në të vërtetë, ajo kërkon një gatishmëri të gjallë dhe bujare të të gjithëve dhe të secilit për mirëkuptim, tolerancë, falje, pajtim. Asnjë familje nuk e shpërfill faktin se egoizmi, moskuptimi, tensionet, konfliktet, e sulmojnë dhunshëm dhe nganjëherë e godasin për vdekje bashkësinë e tyre; prej këtu rrjedhin format e shumta e të ndryshme të ndarjes në jetën familjare. Por, në të njëjtën kohë, çdo familje është gjithmonë e thirrur prej Hyjit të paqes për ta bërë përvojën e gëzueshme dhe përtëritëse të “pajtimit”, domethënë të bashkësisë së rindërtuar, të njësisë së rigjetur. Në veçanti pjesëmarrja në sakramentin e pajtimit dhe në tryezën e të vetmit Trup të Krishtit i jep familjes së krishterë hirin dhe përgjegjësinë për të kapërcyer çdo ndarje dhe për të ecur drejt të vërtetës së plotë të bashkësisë së kërkuar prej Hyjit, duke iu përgjigjur kështu dëshirës së gjallë të Zotit: “Të gjithë të jenë një gjë e vetme”[62].

  

Të drejtat dhe detyrat e gruas

 

22. Meqenëse është, dhe duhet të bëhet gjithmonë, bashkësi personash, familja gjen te dashuria burimin dhe shtytjen e pareshtur për ta pranuar, për ta respektuar dhe për ta nxitur secilin prej anëtarëve të saj në dinjitetin shumë të lartë si person, domethënë si shëmbëlltyrë e gjallë e Hyjit. Ashtu sikurse kanë pohuar me të drejtë Etërit Sinodalë, kriteri moral i vërtetësisë së marrëdhënieve bashkëshortore e familjare qëndron në nxitjen e dinjitetit dhe të thirrjes së çdo personi, të cilët e rigjejnë veten në plotësinë e tyre nëpërmjet dhurimit të sinqertë të vetvetes[63].

Në këtë perspektivë, Sinodi ka dashur t’i kushtojë një vëmendje të privilegjuar gruas, të drejtave dhe detyrave të saj në familje dhe në shoqëri. Në të njëjtën perspektivë duhen parë edhe burri si bashkëshort e baba, fëmija dhe të moshuarit.

Për gruan duhet, para së gjithash, të vihet në dukje dinjiteti dhe përgjegjësia e barabartë me burrin: kjo barazi gjen një formë të veçantë realizimi, në dhurimin e ndërsjellë të vetvetes tjetrit dhe të të dyve fëmijëve, karakteristikë e martesës dhe e familjes. Ajo që vetë arsyeja njerëzore kupton dhe pranon, zbulohet në plotësi prej Fjalës së Hyjit: historia e shpëtimit, në të vërtetë, është një dëshmi e vazhdueshme dhe e ndritshme e dinjitetit të gruas.

Duke krijuar njeriun “mashkull e femër”[64], Hyji ia dhuron dinjitetin personal në mënyrë të barabartë burrit dhe gruas, duke i pasuruar me të drejtat e patjetërsueshme dhe me përgjegjësitë e personit njerëzor. Hyji pastaj e shfaq në formën më të lartë të mundshme dinjitetin e gruas duke e marrë edhe Ai vetë trupin njerëzor prej Marisë Virgjër, të cilën Kisha e nderon si Nënë të Hyjit, duke e quajtur Eva e re dhe duke e propozuar si modelin e gruas së shpërblyer. Respekti i sjellshëm i Jezusit ndaj gruas, të cilën Ai e ka thirrur që ta ndjekë dhe të hyjë në miqësi me Të, shfaqja e Tij mëngjesin e Pashkëve një gruaje, para nxënësve të tjerë, misioni besuar grave për t’ua çuar lajmin e mirë të Ngjalljes apostujve, janë të gjitha shenja që përforcojnë vlerësimin e veçantë të Zotit Jezus ndaj gruas. Siç thotë Pali apostull: “Të gjithë jeni bijtë e Hyjit në fuqi të fesë në Jezu Krishtin… Nuk ka më: hebre-grek! Nuk ka më: skllav-i lirë! Nuk ka më: mashkull-femër! Të gjithë ju jeni Një në Krishtin Jezus!”[65].

  

Gruaja dhe shoqëria

 

23. Tani, pa filluar trajtimin në aspekte të ndryshme të temës së gjerë dhe të përbërë të marrëdhënieve grua-shoqëri, por duke e kufizuar argumentin vetëm në disa pika thelbësore, nuk mund të mos vëmë re se si në fushën më specifike familjare një traditë e gjerë dhe e përhapur shoqërore e kulturore ka dashur t’i rezervojë gruas vetëm detyrën e bashkëshortes e të nënës, pa e hapur siç duhet ndaj detyrave publike, në përgjithësi të rezervuara burrit.

Nuk ka dyshim se dinjiteti dhe përgjegjësia e barabartë e burrit dhe e gruas e arsyetojnë plotësisht pjesëmarrjen e gruas në detyrat publike. Nga ana tjetër, nxitja e vërtetë e gruas kërkon edhe që të pranohet qartë vlera e detyrës së saj amënore e familjare ndaj të gjitha detyrave publike dhe profesioneve të tjera. Në fund të fundit, këto detyra e profesione duhet të integrohen mes tyre nëse duam që zhvillimi shoqëror e kulturor të jetë vërtet dhe plotësisht njerëzor.

Kjo do të jetë më e lehtë nëse, sikurse Sinodi ka uruar, një “teologji e punës” e përtërirë do të vërë në dritë dhe do të thellojë domethënien e punës në jetën e krishterë dhe do të përcaktojë lidhjen themelore që ekziston mes punës dhe familjes, dhe, si pasojë, domethënien e veçantë dhe të pazëvendësueshme të punës së shtëpisë dhe të edukimit të fëmijëve[66]. Prandaj Kisha mund dhe duhet ta ndihmojë shoqërinë e sotme, duke kërkuar pa u lodhur që të njihet e të nderohet prej të gjithëve në vlerën e vet të pazëvendësueshme, puna e gruas në shtëpi. Kjo ka një rëndësi të veçantë në veprën edukative: në të vërtetë, zhduket vetë rrënja e dallimit të mundshëm mes punëve e profesioneve të ndryshme, sapo të dalë qartë se si të gjithë, në çdo fushë, angazhohen me të drejta dhe përgjegjësi të njëjta. Kështu do të shfaqet më e shkëlqyer shëmbëlltyra e Hyjit si në burrin ashtu edhe në gruan.

Nëse duhet t’u njihet edhe grave, sikurse burrave, e drejta për të marrë pjesë në detyrat e ndryshme publike, shoqëria gjithsesi duhet të strukturohet në mënyrë të tillë që bashkëshortet dhe nënat të mos jenë të detyruara faktikisht të punojnë jashtë shtëpisë dhe që familjet e tyre të mund të jetojnë e begatojnë në mënyrë dinjitoze, edhe pse ato i kushtohen tërësisht familjes së tyre.

Veç këtyre, duhet të kapërcehet mendësia sipas së cilës nderi i gruas rrjedh më shumë prej punës së jashtme sesa prej veprimtarisë familjare. Por kjo kërkon që burrat ta çmojnë dhe ta duan me të vërtetë gruan duke respektuar plotësisht dinjitetin e saj personal, dhe që shoqëria të krijojë e të zhvillojë kushtet e përshtatshme për punën shtëpiake.

Kisha, me respektin e duhur për thirrjen e ndryshme të burrit e të gruas, duhet të nxisë aq sa është e mundshme, në vetë jetën e saj, barazinë e tyre të të drejtave dhe të dinjitetit: dhe kjo për të mirën e të gjithëve, të familjes, të shoqërisë dhe të Kishës.

Por është e qartë se kjo nuk do të thotë që gruaja duhet të heqë dorë prej natyrës së saj femërore apo të imitojë natyrën mashkullore, por do të thotë plotësi e natyrës së vërtetë femërore, e cila duhet të shprehet në veprimin e saj, si në familje ashtu edhe jashtë saj, pa harruar në këtë fushë larminë e zakoneve dhe të kulturave.

 

 Fyerjet ndaj dinjitetit të gruas

 

24. Mjerisht mesazhi i krishterë për dinjitetin e gruas kundërshtohet prej mendësisë ngulmuese që e mban qenien njerëzore jo si person, por si send, si objekt blerje-shitjeje, në shërbim të interesit egoist dhe vetëm të kënaqësisë: dhe viktima e parë e kësaj mendësie është gruaja.

Kjo mendësi prodhon fryte shumë të hidhura, si: përçmimi i burrit dhe i gruas, skllavëria, shtypja e personave të dobët, pornografia, prostitucioni – aq më tepër kur organizohet – dhe të gjitha ato dallime që ndeshen në fushën e edukimit, të profesionit, të pagimit të punës, etj.

Veç kësaj, ende sot, në një pjesë të madhe të shoqërisë sonë, vazhdojnë shumë forma të dallimit shtypës që godasin dhe fyejnë rëndë disa kategori të veçanta grash, si për shembull, bashkëshortet që nuk kanë fëmijë, të vejat, të ndarat, të shkurorëzuarat, nënat-beqare.

Këto dhe dallime të tjera qortohen nga Etërit Sinodalë me gjithë forcën e mundshme: prandaj kërkoj që nga ana e të gjithëve të kryhet një veprim baritor specifik më i fuqishëm dhe më i mprehtë, me qëllim që këto dallime të mposhten përfundimisht, dhe të arrihet vlerësimi i plotë i shëmbëlltyrës së Hyjit që shkëlqen në të gjitha qeniet njerëzore, pa përjashtuar askënd.

 

 Burri si bashkëshort e baba

 

25. Brenda bashkësisë bashkëshortore e familjare, burri është i thirrur ta jetojë dhuratën dhe detyrën e vet si bashkëshort e baba.

Ai sheh në bashkëshorten e vet përmbushjen e planit të Hyjit: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm: do t’ia bëj një ndihmë që t’i përngjajë”[67]; dhe e bën të vetën thirrjen e Adamit, bashkëshortit të parë: “Kjo tash është ashti i eshtrave të mi dhe mishi i mishit tim”[68].

Dashuria e përnjëmendtë bashkëshortore supozon dhe kërkon që burri të ketë respekt të thellë për dinjitetin e barabartë të gruas: “Nuk je pronari i saj – shkruan shën Ambrozi – por burri i saj; nuk të është dhënë si skllave, por si grua… Ktheja përkujdesjet që ajo ka ndaj teje dhe ji mirënjohës për dashurinë e saj”[69]. Me bashkëshorten burri duhet të jetojë “një formë krejt të veçantë miqësie personale”[70]. I krishteri pastaj është i thirrur të zhvillojë një qëndrim dashurie të re, duke shfaqur ndaj bashkëshortes së vet dashurinë e ëmbël e të fortë që Krishti ka për Kishën[71].

Dashuria ndaj bashkëshortes, tashmë nënë, dhe dashuria ndaj fëmijëve janë për burrin rruga natyrore për kuptimin dhe realizimin e atësisë së tij. Sidomos aty ku kushtet shoqërore e kulturore e nxisin lehtë babain për të mos u angazhuar në familje ose sidoqoftë për një prani më të pakët në veprën edukative, është e nevojshme të punohet që të rifitohet shoqërisht bindja se vendi dhe detyra e babait dhe për familjen kanë një rëndësi të veçantë dhe të pazëvendësueshme[72]. Përvoja na mëson se mungesa e babait shkakton çekuilibrime psikologjike e morale dhe vështirësi të ndjeshme në marrëdhëniet familjare, ashtu sikurse, në rrethanat e kundërta, prania shtypëse e babait, sidomos aty ku është ende vihet në jetë dukuria e “machismo”-s, apo e epërsisë me patëdrejtë e privilegjeve mashkullore, përul gruan dhe pengon zhvillimin e marrëdhënieve të shëndosha familjare.

Duke zbuluar dhe duke rijetuar në tokë vetë atësinë e Hyjit[73], burri është i thirrur për të garantuar zhvillimin e njësishëm të të gjithë anëtarëve të familjes: këtë rol do ta kryejë nëpërmjet një përgjegjësie bujare ndaj jetës së ngjizur; nëpërmjet një angazhimi edukativ më të kujdesshëm dhe më të bashkëndarë me bashkëshorten e vet[74]; nëpërmjet një pune që nuk do ta copëtojë kurrë familjen, por do ta nxisë atë në kompaktësinë dhe qëndrueshmërinë e saj; nëpërmjet një dëshmie jete të krishterë të pjekur, që i fut në mënyrë më të efektshme fëmijët në përvojën e gjallë të Krishtit dhe të Kishës.

  

Të drejtat e fëmijës

 

26. Në familje, që është bashkësi personash, një vëmendje shumë e veçantë duhet t’i kushtohet fëmijës, duke zhvilluar një vlerësim të thellë për dinjitetin e tij personal, ashtu si edhe një respekt të madh dhe një shërbim bujar për të drejtat e tij. Kjo vlen për çdo fëmijë, por bëhet veçanërisht e ngutshme sa më i vogël, nevojtar, i sëmurë, i vuajtur apo me aftësi të kufizuara të jetë fëmija.

Duke nxitur e duke jetuar një përkujdesje të ëmbël dhe të fortë për çdo fëmijë që vjen në jetë, Kisha kryen misionin e vet themelor: në të vërtetë, ajo është e thirrur të zbulojë dhe të riparashtrojë në histori shembullin dhe urdhrin e Jezu Krishtit, i cili ka dashur ta vendosë fëmijën në qendër të Mbretërisë së Hyjit: “Lërini fëmijët të vijnë tek unë… sepse për të tillët është Mbretëria e Hyjit”[75].

Po përsëris atë që kam thënë në asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 2 tetor 1979: “Dëshiroj… të shpreh gëzimin që secilit prej nesh i sjellin fëmijët, pranvera e jetës, hershimi i historisë së ardhshme të atdheve të tashëm tokësorë. Asnjë vend i botës, asnjë sistem politik nuk mund ta mendojë të ardhmen e vet përveçse nëpërmjet shëmbëlltyrës së këtyre brezave të rinj, që prej prindërve të tyre do të marrin pasurinë e shumëfishtë të vlerave, të detyrave dhe të aspiratave të kombit të cilit i përkasin dhe të krejt familjes njerëzore. Kujdesi për fëmijën qysh prej momentit të ngjizjes së tij dhe, më pas, gjatë viteve të fëmijërisë e të rinisë, është verifikimi parësor dhe themelor i marrëdhënies së njeriut me njeriun. Prandaj, çfarë do të mund t’i urohej çdo kombi dhe krejt njerëzimit, mbarë fëmijëve të botës nëse jo ajo e një të ardhmeje më e mirë në të cilën respektimi i të drejtave të njeriut të bëhet realitet i plotë në dimensionet e vitit dy mijë që po afrohet?”[76].

Mirëpritja, dashuria, vlerësimi, shërbimi i shumëfishtë dhe i njësishëm – material, afektiv, edukativ, shpirtëror – për çdo fëmijë që vjen në këtë botë duhet të përbëjnë gjithmonë një karakteristikë dalluese të domosdoshme të të krishterëve, veçanërisht të familjeve të krishtera: kështu fëmijët, ndërsa do të mund të rriten “në dije, në moshë e në hir para Hyjit e para njerëzve”[77], do të japin ndihmesën e tyre të çmueshme për ndërtimin e bashkësisë familjare dhe për vetë shenjtërimin e prindërve[78].

  

Të moshuarit në familje

 

27. Ka kultura që shfaqin një nderim të veçantë dhe një dashuri të madhe për të moshuarin: larg të qenit i nxjerrë jashtë loje prej familjes ose prej të qenit i padobishëm, i moshuari mbetet i përfshirë në jetën familjare, vazhdon të marrë pjesë në mënyrë vepruese dhe të përgjegjshme në të – megjithëse duhet të respektojë autonominë e familjes së re – dhe kryen sidomos misionin e çmueshëm të dëshmitarit të së kaluarës dhe të frymëzuesit të urtisë për të rinjtë dhe për të ardhmen.

Ndërsa disa kultura të tjera, sidomos pas një zhvillimi të çrregullt industrial dhe urbanistik, i kanë çuar dhe vazhdojnë t’i çojnë të moshuarit drejt disa formave të papranueshme të mënjanimit, që janë burim vuajtjesh të thella për ata vetë dhe varfërim shpirtëror për shumë familje.

Është e nevojshme që veprimi baritor i Kishës t’i nxisë të gjithë që t’i zbulojnë dhe t’u japin vlerë detyrave të të moshuarve në bashkësinë civile dhe kishtare, dhe në veçanti në familje. Në të vërtetë, “jeta e të moshuarve na ndihmon të bëjmë dritë mbi shkallën e vlerave njerëzore, na bën të shohim vazhdimësinë e brezave dhe tregon në mënyrë të mrekullueshme ndërvartësinë e popullit të Hyjit. Veç kësaj, të moshuarit kanë karizmën t’i kapërcejnë pengesat mes brezave, para se këto të lindin. Sa fëmijë kanë gjetur mirëkuptim e dashuri në sytë, në fjalët e në përkëdheljet e të moshuarve! E sa persona të moshuar, me gjithë qejf, i kanë përjetuar fjalët e frymëzuara biblike se “kurora e pleqve bijtë e të bijve” (Fu 17, 6)”[79].

 

 

 

 

II – Shërbimi ndaj Jetës

 

1. Përçimi i jetës

 

Bashkëveprues të dashurisë së Hyjit Krijues

 

28. Me krijimin e burrit e të gruas në shëmbëlltyrën e përngjasimin e Vet, Hyji e kurorëzon dhe e çon në përsosmëri veprën e duarve të Veta: Ai i thërret për një pjesëmarrje të veçantë në dashurinë e Tij dhe njëkohësisht në pushtetin e Tij si Krijues e Atë, nëpërmjet bashkëveprimit të tyre të lirë e të përgjegjshëm për përçimin e dhuratës së jetës njerëzore: “Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën dhe sundojeni atë”[80].

Kështu detyra themelore e familjes është shërbimi ndaj jetës, realizimi gjatë historisë i bekimit zanafillës të Krijuesit, duke përçuar në lindjen e fëmijëve shëmbëlltyrën hyjnore nga njeriu në njeri[81].

Pjelloria është fryti dhe shenja e dashurisë bashkëshortore, dëshmia e gjallë e dhurimit të plotë dhe të ndërsjellë të bashkëshortëve: “Kulti i vërtetë i dashurisë bashkëshortore dhe e gjithë struktura familjare që lind prej saj, pa lënë pas dore qëllimet e tjera të martesës, priren drejt kësaj, që bashkëshortët, me forcën e shpirtit, të jenë të gatshëm të bashkëveprojnë me dashurinë e Krijuesit dhe të Shpërblyesit, që nëpërmjet tyre vazhdimisht zgjeron dhe pasuron familjen e Tij”[82].

Por pjelloria e dashurisë bashkëshortore nuk kufizohet vetëm në lindjen e fëmijëve, qoftë e kuptuar edhe në dimensionin e vet njerëzor: zgjerohet dhe pasurohet me të gjitha ato fryte të jetës morale, shpirtërore dhe mbinatyrore që babai dhe nëna janë të thirrur t’u dhurojnë fëmijëve, dhe nëpërmjet tyre, Kishës dhe botës.

 

Doktrina dhe norma gjithmonë të vjetra dhe gjithmonë të reja të Kishës

 

29. Pikërisht sepse dashuria e bashkëshortëve është një pjesëmarrje e veçantë në misterin e jetës dhe të dashurisë së vetë Hyjit, Kisha e di se ka marrë misionin e veçantë ta ruajë dhe ta mbrojë dinjitetin shumë të lartë të martesës dhe përgjegjësinë shumë të madhe të përçimit të jetës njerëzore.

Kështu, në vazhdimësi me traditën e gjallë të bashkësisë kishtare gjatë historisë, Koncili II i Vatikanit dhe magjisteri i Paraardhësit tim Palit VI, i shprehur sidomos në enciklikën Humanae vitae, u kanë përçuar kohëve tona një shpallje vërtet profetike, që ripohon dhe riparashtron me qartësi doktrinën dhe normën gjithmonë të vjetër e gjithmonë të re të Kishës mbi martesën dhe përçimin e jetës njerëzore.

Prandaj, në asamblenë e tyre të fundit, Etërit Sinodalë tekstualisht kanë deklaruar: “Ky Sinod i Shenjtë, i mbledhur në njësinë e fesë me Pasardhësin e Pjetrit, vendosmërisht i përmbahet asaj që në Koncilin II të Vatikanit (krh. Gaudium et spes, 50), dhe, më pas, në enciklikën Humanae vitae parashtrohet: dashuria bashkëshortore duhet të jetë plotësisht njerëzore, ekskluzive dhe e hapur ndaj jetës së re (Humanae vitae, nr. 11, dhe krh. 9 e 12)”[83].

  

Kisha është në anën e jetës

 

30. Doktrina e Kishës vihet sot në një situatë shoqërore dhe kulturore, që e bën më të vështirë për t’u kuptuar, më të ngutshme dhe më të pazëvendësueshme për ta nxitur të mirën e vërtetë të burrit e të gruas.

Në të vërtetë, përparimi shkencoro-teknik, që njeriu bashkëkohor shton vazhdimisht në zotërimin e natyrës, nuk zhvillon vetëm shpresën për krijimin e një njerëzimi të ri e më të mirë, por edhe një ankth gjithnjë e më të thellë në lidhje me të ardhmen. Disa pyesin nëse është mirë të jetojnë apo nëse do të kishte qenë më mirë të mos kishin lindur aspak; dyshojnë, nëse është e ligjshme t’i thërrasin të tjerët në jetë, të cilët ndoshta do ta mallkojnë ekzistencën e tyre në një botë mizore, tmerret e së cilës as nuk mund të parashikohen. Disa të tjerë mendojnë se vetëm atyre u përkasin të mirat e teknikës dhe i përjashtojnë të tjerët, të cilëve u diktojnë mjete kundërngjizëse apo metoda edhe më të këqija. Të tjerë ende, robër siç janë të mendësisë konsumiste dhe me të vetmin shqetësim për një shtim të vazhdueshëm të të mirave materiale, nuk arrijnë të kuptojnë më tepër dhe prandaj nuk e pranojnë pasurinë shpirtërore të një jete të re njerëzore. Arsyeja e fundit e kësaj mendësie është mungesa, në zemrën e njerëzve, e Hyjit, vetëm dashuria e të cilit është më e fortë se të gjitha frikat e mundshme të botës dhe mund t’i mposhtë ato.

Kështu ka lindur një mendësi kundër jetës, siç del në shumë çështje të sotme: të mendojmë, për shembull, për njëfarë paniku që rrjedh prej studimeve të ekologëve dhe të futurologëve mbi demografinë, që nganjëherë e zmadhojnë rrezikun e shtimit demografik për cilësinë e jetës.

Por Kisha vendosmërisht beson se jeta njerëzore, edhe pse e dobët dhe e vuajtur, është gjithmonë një dhuratë e shkëlqyeshme e Hyjit të mirësisë. Kundër pesimizmit dhe egoizmit, që e errësojnë botën, Kisha është në anën e jetës: dhe në secilën jetë njerëzore di të zbulojë shkëlqimin e asaj “Po”-je, të atij “Amen”-i, që është vetë Krishti[84]. “Jo”-së që pushton dhe mundon botën, i kundërvë këtë “Po” të gjallë, duke mbrojtur në këtë mënyrë njeriun dhe botën prej atyre që vënë në rrezik dhe lëndojnë jetën.

Kisha është e thirrur t’ua shfaqë të gjithëve, me një bindje më të qartë e më të vendosur, vullnetin e vet për ta nxitur me çdo mjet dhe për ta mbrojtur kundër çdo rreziku jetën njerëzore, në çfarëdo kushtesh e stadi zhvillimi ajo të gjendet.

Prandaj Kisha i dënon si fyerje të rënda të dinjitetit njerëzor dhe të drejtësisë të gjitha ato veprimtari të qeverive apo të autoriteteve të tjera publike, që synojnë ta kufizojnë në çfarëdo mënyre lirinë e bashkëshortëve për të vendosur për fëmijët e tyre. Si pasojë, çfarëdo dhune e ushtuar nga këto autoritete në dobi të kundërngjizjes, të shterpëzimit dhe të dështimit të nxitur duhet dënuar e përbuzur me forcë. Në të njëjtën mënyrë duhet urryer si shumë i padrejtë fakti se, në marrëdhëniet ndërkombëtare ndihma ekonomike e dhënë për nxitjen e popujve kushtëzohet me programe për kundërngjizje, shterpëzim dhe dështim të nxitur[85].

  

Që plani hyjnor të vihet në jetë gjithnjë e më plotësisht

 

31. Sigurisht, Kisha është e vetëdijshme edhe për problemet e shumta e të ndërlikuara, që sot në shumë vende i përfshijnë bashkëshortët në detyrën e tyre të përçimit në mënyrë të përgjegjshme të jetës. E njeh edhe problemin e rëndë të shtimit demografik, siç paraqitet në kënde të ndryshme të botës, dhe ndërlikimeve morale që ai sjell me vete.

Megjithatë, ajo mendon se një shqyrtim i thelluar i të gjitha aspekteve të këtyre problemeve ofron një pohim të ri dhe më të fortë për rëndësinë e doktrinës autentike rreth rregullimit të lindshmërisë, të riparashtruar në Koncilin II të Vatikanit dhe në Enciklikën Humanae vitae.

Prandaj, së bashku me Etërit e Sinodit, ndiej detyrën t’u drejtoj një ftesë nxitëse teologëve, me qëllim që, duke i bashkuar forcat e veta për të bashkëpunuar me Magjisterin hierarkik, të angazhohen për të nxjerrë gjithnjë e më mirë në dritë themelet biblike, motivimet etike dhe arsyet në dobi të personit që kjo doktrinë ka. Kështu do të jetë e mundur që, në kontekstin e një paraqitjeje organike, doktrina e Kishës mbi këtë kapitull vërtet të rëndësishëm të bëhet e kuptueshme për të gjithë njerëzit vullnetmirë, duke ndihmuar kuptimin e saj çdo ditë e më të ndriçuar dhe më të thellë: në këtë mënyrë projekti hyjnor do të mund të zbatohet gjithnjë e më thellësisht për shpëtimin e njeriut dhe për lavdinë e Krijuesit.

Në lidhje me këtë, angazhimi i njëzëshëm i teologëve, frymëzuar nga bashkimi i bindur me Magjisterin, që është i vetmi udhërrëfyes autentik i Popullit të Hyjit, paraqet një ngutshmëri të veçantë edhe për arsye të lidhjes së brendshme që ekziston mes doktrinës katolike mbi këtë pikë dhe vizionit të njeriut që Kisha parashtron: dyshimet apo gabimet në fushën martesore apo familjare sjellin një errësim të madh të së vërtetës së plotë mbi njeriun në një situatë kulturore tashmë kaq shpesh të ngatërruar e të kundërt. Kontributi i ndriçimit dhe i thellimit, që teologët janë të thirrur të japin në përmbushje të detyrës së tyre specifike, ka një vlerë të pakrahasueshme dhe përbën një shërbim të veçantë, plot merita, ndaj familjes dhe njerëzimit.

 

 Në vizionin e plotë të njeriut dhe të thirrjes së tij

 

32. Në kontekstin e një kulture, që shformon rëndë apo madje humb domethënien e vërtetë të seksualitetit njerëzor, sepse e çrrënjos prej referimit të tij thelbësor te personi, Kisha e ndien më të ngutshëm dhe të pazëvendësueshëm misionin e saj për ta paraqitur seksualitetin si vlerë dhe detyrë të personit të krijuar, mashkull e femër, në shëmbëlltyrë të Hyjit.

Në këtë perspektivë Koncili II i Vatikanit ka pohuar qartë se “kur bëhet fjalë për lidhjen e dashurisë bashkëshortore me përçimin e përgjegjshëm të jetës, karakteri moral i sjelljes nuk varet vetëm nga synimi i sinqertë dhe vlerësimi i arsyeve, por përcaktohet edhe nga kritere objektive, që e kanë themelin në vetë natyrën e personit njerëzor dhe të akteve të tij dhe janë të caktuara ta mbajnë në një kontekst dashurie të vërtetë kuptimin e plotë të dhurimit të ndërsjellë dhe të lindjes së fëmijëve; e gjithë kjo nuk do të jetë e mundshme nëse nuk kultivohet me shpirt të sinqertë virtyti i dëlirësisë bashkëshortore”[86].

Pikërisht duke u nisur prej “vizionit të plotë të njeriut dhe të thirrjes së tij, jo vetëm natyrore e tokësore, por edhe mbinatyrore e të amshuar”[87], Pali VI ka pohuar se doktrina e Kishës “është e themeluar në lidhjen e pazgjidhshme, që Hyji ka dashur dhe që njeriu nuk mund ta prishë me nismën e vet, mes dy domethënieve të aktit bashkëshortor: domethënia bashkuese dhe domethënia e lindjes së fëmijëve”[88]. Dhe ka përfunduar duke theksuar se duhet përjashtuar si shumë i pandershëm “çdo veprim që, ose në parashikim të aktit bashkëshortor, ose në kryerjen e tij, ose në zhvillimin e pasojave të tij natyrore, synon, si qëllim apo si mjet, ta bëjë të pamundshme lindjen e fëmijëve”[89].

Kur bashkëshortët, nëpërmjet përdorimit të kundërngjizësve, i ndajnë këto dy domethënie që Hyji Krijues i ka vënë në qenien e burrit e të gruas dhe në dinamizmin e bashkimit të tyre seksual, sillen si “arbitra” të planit hyjnor dhe “manipulojnë” e poshtërojnë seksualitetin njerëzor, dhe bashkë me të edhe vetë personin e dy bashkëshortëve, duke tjetërsuar vlerën e dhurimit “total”. Kështu, gjuhës së lindur të bashkëshortëve, kundërngjizja i dikton një gjuhë objektivisht kontradiktore, pra atë të mosdhurimit tjetrit në tërësi: nga këtu rrjedh, jo vetëm mospranimi real dhe i sigurt i hapjes ndaj jetës, por edhe një falsifikim i të vërtetës së brendshme të dashurisë bashkëshortore, thirrur për t’u dhuruar në tërësinë personale.

Ndërsa kur bashkëshortët, nëpërmjet përdorimit të periudhave jopjellore, respektojnë lidhjen e pazgjidhshme të domethënieve të bashkimit e të lindjes të seksualitetit njerëzor, sillen si “mbarështues” të planit të Hyjit dhe e “përdorin” seksualitetin sipas dinamizmit zanafillës të dhurimit “total”, pa manipulime dhe tjetërsime[90].

Në dritën e vetë përvojës së shumë çifteve bashkëshortore dhe të të dhënave të shkencave të ndryshme njerëzore, reflektimi teologjik mund të kuptojë dhe është i thirrur ta thellojë ndryshimin antropologjik dhe njëkohësisht moral, që ekziston mes kundërngjizjes dhe përdorimit të ritmeve kohore: bëhet fjalë për një ndryshim shumë më të gjerë dhe më të thellë sesa mendohet zakonisht dhe përfshin në analizë të fundit dy konceptime të personit dhe të seksualitetit njerëzor mes tyre të pandarë. Zgjedhja e ritmeve natyrore sjell me vete pranimin e kohës së personit, domethënë të gruas, dhe me këtë edhe pranimin e dialogut, të respektit të ndërsjellë, të përgjegjësisë së përbashkët, të zotërimit të vetvetes. Pastaj, ta pranosh kohën dhe dialogun do të thotë ta njohësh karakterin njëkohësisht shpirtëror e trupor të bashkësisë bashkëshortore, si dhe ta jetosh dashurinë personale në kërkesën e saj për besnikëri. Në këtë kontekst çifti bën përvojën se bashkimi bashkëshortor pasurohet me ato vlera ëmbëlsie e ndjenjash, të cilat përbëjnë shpirtin e thellë të seksualitetit njerëzor, edhe në dimensionin e tij fizik. Në këtë mënyrë seksualiteti respektohet dhe nxitet në dimensionin e vet vërtet dhe plotësisht njerëzor, dhe nuk “përdoret” kurrë si një “objekt” që, duke shpërbërë njësinë personale të shpirtit e të trupit, godet vetë krijimin e Hyjit në gërshetimin më të thellë mes natyrës dhe personit.

 

 Kisha si Mësuese dhe Nënë për bashkëshortët në vështirësi

 

33. Edhe në fushën e moralit bashkëshortor Kisha është dhe vepron si Mësuese e Nënë.

Si Mësuese, ajo nuk lodhet së shpalluri normën morale që duhet ta udhëheqë përçimin e përgjegjshëm të jetës. Për këtë normë Kisha nuk është aspak as autore e as arbitre. Në dëgjesë ndaj së vërtetës, që është Krishti, shëmbëlltyra e të cilit pasqyrohet në natyrën dhe në dinjitetin e personit njerëzor, Kisha ftillon normën morale dhe ua parashtron të gjithë njerëzve vullnetmirë, pa i fshehur aspak kërkesat e saja për rrënjësi dhe përsosmëri.

Ashtu si Maria, dhe Kisha u qëndron afër çifteve të bashkëshortëve që gjenden në vështirësi në këtë pikë të rëndësishme të jetës morale: e njeh mirë situatën e tyre, shpesh shumë të vështirë dhe nganjëherë vërtet të trazuar nga vështirësi të çdo lloji, jo vetëm individuale, por edhe shoqërore; e di se shumë bashkëshortë ndeshin vështirësi jo vetëm për realizimin konkret, por edhe për vetë kuptimin e vlerave që gjenden në normën morale.

Por është kjo dhe vetëm kjo Kishë që është njëkohësisht Mësuese dhe Nënë. Prandaj Kisha nuk resht kurrë së ftuari dhe së nxituri, që vështirësitë e mundshme bashkëshortore të zgjidhen pa e falsifikuar dhe pa e prekur kurrë të vërtetën: në të vërtetë, ajo është e bindur se nuk mund të ketë kundërshtim të vërtetë mes ligjit hyjnor të përçimit të jetës dhe atij të nxitjes të dashurisë autentike bashkëshortore[91]. Prandaj, pedagogjia konkrete e Kishës duhet të jetë gjithmonë e lidhur dhe kurrë e ndarë prej doktrinës së saj. Për këtë arsye, përsëris me vendosmërinë e Paraardhësit tim: “Moskthimi në asgjë i doktrinës së shëndoshë të Krishtit është një formë e lartë e dashurisë ndaj shpirtrave”[92].

Nga ana tjetër, pedagogjia e vërtetë kishtare e zbulon realizmin dhe urtinë e vet vetëm duke zhvilluar një angazhim këmbëngulës dhe të guximshëm në krijimin dhe mbështetjen e atyre kushteve njerëzore – psikologjike, morale e shpirtërore – që janë të domosdoshme për ta kuptuar dhe për ta jetuar vlerën dhe normën morale.

Nuk ka dyshim se mes këtyre kushteve duhen numëruar qëndrueshmëria dhe durimi, përvujtëria dhe forca e shpirtit, besimi birnor në Hyjin dhe në hirin e Tij, lutja dhe pjesëmarrja e dendur në sakramentet e Eukaristisë dhe të Pajtimit[93]. Të forcuar në këtë mënyrë, bashkëshortët e krishterë do të mund ta mbajnë gjallë vetëdijen e ndikimit të veçantë, që hiri i sakramentit të kurorës së martesës ushtron në të gjitha realitetet e jetës bashkëshortore, pra edhe në seksualitetin e tyre: dhurata e Shpirtit, e pranuar dhe e këmbyer prej bashkëshortëve, i ndihmon ta jetojnë seksualitetin njerëzor sipas planit të Hyjit dhe si shenjë të dashurisë njësuese e pjellore të Krishtit për Kishën e Vet.

Por mes kushteve të nevojshme bën pjesë edhe njohja e trupit dhe e ritmeve të tij të pjellorisë. Në këtë kuptim duhet bërë ç’është e mundur që një njohje e tillë të jetë e mundshme për të gjithë bashkëshortët, dhe aq më tepër për të rinjtë, nëpërmjet një informacioni dhe një edukimi të qartë, në kohën e duhur dhe serioz, me anë të çifteve, të mjekëve dhe të ekspertëve. Kjo njohje duhet të çojë në edukimin për vetëkontroll: prej këtu rrjedh nevoja absolute e virtytit të dëlirësisë dhe e edukimit të përhershëm në të. Sipas këndvështrimit të krishterë, dëlirësi nuk do të thotë mospranim apo nënvleftësim i seksualitetit njerëzor: por do të thotë energji shpirtërore, që di ta mbrojë dashurinë prej rreziqeve të egoizmit e të agresivitetit dhe di ta nxisë drejt realizimit të saj të plotë.

Pali VI, me një intuitë të thellë urtie dhe dashurie, nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka dhënë zë përvojës së shumë çifteve kur ka shkruar në po këtë enciklikë: “Zotërimi i instinktit, nëpërmjet arsyes dhe vullnetit të lirë, dikton padyshim një asketizëm, me qëllim që shfaqjet e dashurisë të jetës bashkëshortore të jenë sipas rendit të drejtë dhe në veçanti për jetimin e vetëpërmbajtjes periodike. Por kjo disiplinë, karakteristike e dëlirësisë së bashkëshortëve, pa e dëmtuar dashurinë bashkëshortore, i jep asaj një vlerë më të lartë njerëzore. Kërkon një përpjekje të vazhdueshme, por falë ndikimit të vet të mirë bashkëshortët zhvillojnë në mënyrë të tërësishme personalitetin e tyre duke u pasuruar me vlera shpirtërore: ajo i sjell jetës familjare fryte kthjelltësie e paqeje dhe lehtëson zgjidhjen e problemeve të tjera; nxit vëmendjen ndaj bashkëshortit tjetër, i ndihmon bashkëshortët ta largojnë egoizmin, armikun e dashurisë së vërtetë, dhe thellon kuptimin e përgjegjësisë në kryerjen e detyrave të tyre. Prindërit fitojnë, bashkë me të, edhe aftësinë e një ndikimi më të thellë e më të efektshëm në edukimin e fëmijëve të tyre”[94].

  

Itinerari moral i bashkëshortëve

 

34. Ka rëndësi të madhe të pasurit e një konceptimi të drejtë për rendin moral, për vlerat dhe normat e tij: rëndësia rritet kur vështirësitë për t’i respektuar ato bëhen më të shumta e më të rënda.

Pikërisht sepse zbulon dhe parashtron planin e Hyjit Krijues, rendi moral nuk mund të jetë diçka munduese dhe jovetore për njeriun; përkundrazi, duke iu përgjigjur nevojave më të thella të njeriut të krijuar prej Hyjit, vihet në shërbim të njerëzisë të tij të plotë, me dashurinë e ëmbël dhe angazhuese me të cilën vetë Hyji frymëzon, mbështet dhe udhëheq çdo krijesë drejt lumturisë së tij.

Por njeriu i thirrur për ta jetuar në mënyrë të përgjegjshme planin e urtisë e të dashurisë së Hyjit, është një qenie historike, që formohet ditë pas dite, me zgjedhjet e veta të shumta dhe të lira: prandaj ai njeh, do dhe kryen të mirën morale sipas etapave të rritjes së vet.

Edhe bashkëshortët, në aspektin e jetës së tyre morale, janë të thirrur për një ecje të pareshtur, të mbështetur prej dëshirës së sinqertë dhe vepruese për t’i njohur gjithnjë e më mirë vlerat që ligji hyjnor ruan dhe nxit, dhe nga vullneti i drejtë e bujar për t’i mishëruar në zgjedhjet e tyre konkrete. Megjithatë, ata nuk mund ta shohin ligjin vetëm si një ideal të pastër që duhet arritur në të ardhmen, por duhet ta vlerësojnë si një urdhërim të Krishtit Zot për t’i kapërcyer me angazhim vështirësitë. «Prandaj i ashtuquajturi “ligji i shkallëzimit”, ose i ecjes progresive, nuk mund të njëjtësohet me “shkallëzimin e ligjit”, a thua se ka shkallë e forma të ndryshme të rregullës në ligjin hyjnor për njerëz dhe situata të ndryshme. Të gjithë bashkëshortët, sipas planit hyjnor, janë të thirrur për shenjtëri në martesë dhe kjo thirrje e lartë realizohet aq sa personi njerëzor është në gjendje t’i përgjigjet urdhrit hyjnor me shpirt të kthjellët, duke pasur besim në hirin hyjnor dhe në vullnetin e vet»[95]. Në po këtë drejtim, hyn në pedagogjinë e Kishës që bashkëshortët para së gjithash duhet ta njohin qartë doktrinën e enciklikës Humanae vitae si normativë për ushtrimin e seksualitetit të tyre, dhe sinqerisht të angazhohen në krijimin e kushteve të nevojshme për zbatimin e kësaj norme.

Kjo pedagogji, siç ka nxjerrë në pah Sinodi, përfshin krejt jetën bashkëshortore. Prandaj detyra për përçimin e jetës duhet të integrohet në misionin global të krejt jetës së krishterë, e cila pa kryqin nuk mund të arrijë ngjalljen. Në një kontekst të ngjashëm kuptohet se si flijimi nuk mund të largohet prej jetës familjare, madje ai duhet pranuar me zemër, që dashuria bashkëshortore të thellohet e të bëhet burim i një gëzimi të thellë.

Kjo ecje e përbashkët kërkon reflektim, informacion, edukim të përshtatshëm të meshtarëve, të rregulltarëve e të laikëve, që janë të angazhuar në baritoren e familjes: të gjithë këta do të mund t’i ndihmojnë bashkëshortët në itinerarin e tyre njerëzor e shpirtëror, që sjell vetëdijen e mëkatit, angazhimin e sinqertë për zbatimin e ligjit moral, mbarështimin e pajtimit. Duhet pasur parasysh edhe se në intimitetin bashkëshortor janë përfshirë vullnetet e dy personave, që janë të thirrur për një harmoni mendësie dhe sjelljeje: kjo kërkon jo pak durim, simpati e kohë. Një rëndësi të veçantë në këtë fushë ka njësia e gjykimeve morale dhe baritore e meshtarëve: kjo njësi duhet të kërkohet e të sigurohet me kujdes, që besimtarët të mos pësojnë ankthe ndërgjegjeje[96].

Pra, ecja e bashkëshortëve do të lehtësohet nëse, duke vlerësuar doktrinën e Kishës dhe duke pasur besim në hirin e Krishtit, të ndihmuar e të shoqëruar prej barinjve të shpirtrave dhe prej mbarë bashkësisë kishtare, ata do të dinë të zbulojnë e të provojnë vlerën e lirimit e të nxitjes së dashurisë së përnjëmendtë, që Ungjilli jep dhe urdhërimi i Zotit parashtron.

 

 Nxitja e bindjeve dhe dhënia e ndihmave konkrete

 

35. Përballë problemit të një rregullimi të ndershëm të lindshmërisë, bashkësia kishtare, në kohën e sotme, duhet të marrë përsipër detyrën për nxitjen e bindjeve dhe për t’i ndihmuar konkretisht ata që duan ta jetojnë atësinë dhe amësinë në mënyrë vërtet të përgjegjshme.

Në këtë fushë, ndërsa kënaqet me rezultatet e arritura prej kërkimeve shkencore për një njohje më të saktë të ritmeve të pjellorisë femërore dhe nxit një shtrirje më vendimtare e të gjerë të këtyre studimeve, Kisha nuk mund të mos nxisë me fuqi të përtërirë përgjegjësinë e atyre – mjekë, ekspertë, konsulentë bashkëshortorësh, edukatorë, çifte – që mund t’i ndihmojnë efektivisht bashkëshortët ta jetojnë dashurinë e tyre në respekt ndaj strukturës dhe qëllimeve të aktit bashkëshortor që e shpreh atë. Kjo do të thotë një angazhim më të gjerë, vendimtar e sistematik për njohjen, vlerësimin dhe vënien në jetë të metodave natyrore për rregullimin e pjellorisë[97].

Një dëshmi e çmueshme mund dhe duhet të jepet prej atyre bashkëshortëve që, nëpërmjet angazhimit të përbashkët të vetëpërmbajtjes periodike, kanë arritur në një përgjegjshmëri më të pjekur personale ndaj dashurisë dhe jetës. Siç shkruante Pali VI, “atyre Zoti u beson detyrën për t’ua bërë të dukshme njerëzve shenjtërinë dhe ëmbëlsinë e ligjit që bashkon dashurinë e ndërsjellë të bashkëshortëve me bashkëveprimin e tyre në dashurinë e Hyjit autor të jetës njerëzore”[98].

 

 

2. Edukimi

 

E drejta-detyrë edukative e prindërve

 

36. Detyra e edukimit i ka rrënjët e veta në thirrjen zanafillëse të bashkëshortëve për të marrë pjesë në veprën krijuese të Hyjit: duke lindur në dashuri dhe për dashuri një person të ri, që në vetvete ka thirrjen për rritje dhe zhvillim, prindërit marrin përsipër detyrën për ta ndihmuar në mënyrë të efekshme që të jetojë një jetë plotësisht njerëzore. Sikurse ka kujtuar Koncili II i Vatikanit: “Prindërit, meqenëse u kanë përçuar jetën fëmijëve të tyre, kanë detyrimin e madh t’i edukojnë ata: prandaj duhen vlerësuar si edukorët e parë dhe kryesorë të tyre. Ky funksion i tyre edukativ është aq i rëndësishëm sa, nëse mungon, mezi mund të zëvendësohet. Në të vërtetë, u takon prindërve të krijojnë në gjirin e familjes atë atmosferë të gjallëruar prej dashurisë dhe prej devotshmërisë ndaj Hyjit dhe ndaj njerëzve të tjerë, që ndihmon edukimin e plotë të fëmijëve në drejtimin personal e shoqëror. Pra, familja është shkolla e parë e virtyteve shoqërore, për të cilat, pikërisht, kanë nevojë të gjitha shoqëritë”[99].

E drejta-detyrë edukative e prindërve cilësohet si thelbësore, e lidhur siç është me përçimin e jetës njerëzore; si e veçantë dhe parësore, përballë detyrës edukative të të tjerëve, për njëshmërinë e marrëdhënies së dashurisë që ekziston mes prindërve e fëmijëve; si e pazëvendësueshme dhe e patjetërsueshme, dhe që prandaj nuk mund t’u besohet tërësisht të tjerëve, e as të ushtrohet me pa të drejtë prej të tjerëve.

Përtej këtyre karakteristikave, nuk mund të harrojmë se elementi më rrënjësor, sa ta cilësojë detyrën edukative të prindërve, është dashuria atërore e amënore, e cila gjen në veprën edukative përmbushjen e vet duke i shërbyer në mënyrë të plotë e të përsosur jetës; dashuria e prindërve nga burim bëhet shpirt dhe prandaj normë, që frymëzon dhe drejton gjithë veprimin edukativ konkret, duke e pasuruar me ato vlera ëmbëlsie, qëndrueshmërie, mirësie, shërbimi, mosinteresi, shpirti sakrifice, që janë fryti më i çmueshëm i dashurisë.

  

Edukimi për vlerat thelbësore të jetës njerëzore

 

37. Megjithëse në mes të vështirësive të veprës edukative, sot shpesh të rënduara, prindërit duhet që me besim e guxim t’i formojnë fëmijët e tyre me vlerat thelbësore të jetës njerëzore. Fëmijët duhet të rriten në një liri të drejtë përballë të mirave materiale, duke marrë një stil jete të thjeshtë dhe pa kërkesa të tepërta, të bindur se “njeriu vlen më shumë për atë që është sesa për atë që ka”[100].

Në një shoqëri të tronditur e të shpërbërë nga tensionet e konfliktet e shkaktuara prej përplasjes së dhunshme mes individualizmave e egoizmave të ndryshëm, fëmijët duhet të pasurohen jo vetëm me ndjenjën e drejtësisë së vërtetë, e cila është e vetmja që çon në respektimin e dinjitetit personal të secilit, por edhe më shumë, me ndjenjën e dashurisë së vërtetë, si gatishmëri e sinqertë dhe shërbim i painteres ndaj të tjerëve, në veçanti ndaj më të varfërve dhe nevojtarëve. Familja është shkolla e parë dhe themelore e bashkëjetesës në shoqëri: si bashkësi dashurie, ajo gjen në dhurimin e vetvetes ligjin që e udhëheq dhe e bën të rritet. Dhurimi i vetvetes, që frymëzon dashurinë e bashkëshortëve mes tyre, paraqitet si model dhe normë e dhurimit të vetvetes i cili jetohet në marrëdhëniet mes vëllezërve e motrave dhe mes brezave të ndryshëm, që bashkëjetojnë në familje. Edhe bashkësia e pjesëmarrja e përditshme që jetohet në shtëpi, në momentet e gëzimit dhe të vështirësisë, përbën pedagogjinë më konkrete e më të efektshme për hyrjen vepruese, të përgjegjshme e pjellore të fëmijëve në horizontin më të gjerë të shoqërisë.

Edukimi në dashuri si dhurim i vetvetes përbën edhe kushtin e domosdoshëm paraprak për prindërit e thirrur që t’u japin fëmijëve të tyre një edukim seksual të qartë e delikat. Përballë një kulture që “e banalizon” në një pjesë të madhe seksualitetin njerëzor, sepse e ftillon dhe e jeton në mënyrë të kufizuar e të varfëruar, duke e lidhur vetëm me trupin dhe kënaqësinë egoiste, shërbimi edukativ i prindërve duhet të mbështetet vendosmërisht në një kulturë seksuale që është vërtet dhe plotësisht personale: në të vërtetë, seksualiteti është një pasuri e krejt personit – trup, ndjenjë dhe shpirt – dhe e shfaq domethënien e vet duke e çuar personin në dhurimin e vetvetes në dashuri.

Edukimi seksual, e drejtë dhe detyrë themelore e prindërve, duhet të zbatohet gjithmonë nën drejtimin e tyre të kujdesshëm, si në shtëpi, ashtu edhe në qendrat edukative të zgjedhura e të kontrolluara prej tyre. Në këtë kuptim Kisha e thekson ligjin e ndihmës, që shkolla e ka për detyrë ta zbatojë kur bashkëvepron në edukimin seksual, duke e bërë me atë shpirt që frymëzon edhe prindërit.

Në këtë kontekst është krejtësisht i domosdoshëm edukimi në dëlirësi, si virtyt që zhvillon pjekurinë e përnjëmendtë të personit dhe e bën atë të aftë të respektojë e të nxisë “domethënien martesore” të trupit. Madje, prindërit e krishterë do t’i kushtojnë një vëmendje e kujdes të veçantë, duke parë shenjat e thirrjes së Hyjit, edukimit në virgjëri, si forma më e lartë e dhurimi të vetvetes, që përbën vetë domethënien e seksualitetit njerëzor.

Për vetë lidhjet që ekzistojnë mes dimensionit seksual të personit dhe vlerave të tij etike, detyra edukative duhet t’i bëjë fëmijët që t’i njohin e t’i vlerësojnë normat morale si garanci të nevojshme dhe të çmueshme për një rritje personale të përgjegjshme në seksualitetin njerëzor.

Prandaj Kisha i kundërvihet vendosmërisht njëfarë forme të informacionit seksual, të shkëputur prej parimeve morale, kaq shumë të përhapur, i cili nuk do të ishte tjetër veçse hyrje në përvojën e kënaqësisë dhe një nxitje në humbjen e kthjelltësisë – edhe në vitet e pafajësisë – duke i hapur rrugë vesit.

 

Misioni edukativ dhe sakramenti i kurorës së martesës

 

38. Për prindërit e krishterë misioni edukativ, i rrënjosur siç është thënë në pjesëmarrjen e tyre në veprën krijuese të Hyjit, ka një burim të ri e specifik në sakramentin e kurorës së martesës, që i shuguron në edukimin vërtet të krishterë të fëmijëve të tyre, pra i thërret të marrin pjesë në vetë autoritetin dhe në vetë dashurinë e Hyjit Atë dhe të Krishtit Bari, sikurse edhe në dashurinë amënore të Kishës, dhe i pasuron me urti, këshillë, forcë dhe me çdo dhuratë tjetër të Shpirtit Shenjt për t’i ndihmuar fëmijët në rritjen e tyre njerëzore e të krishterë.

Prej sakramentit të martesës detyra edukative merr dinjitetin dhe thirrjen për të qenë “mbarështim” i vërtetë i Kishës në shërbim të formimit të anëtarëve të saj. Aq e madhe është madhështia dhe shkëlqimi i mbarështimit edukativ të prindërve të krishterë, sa shën Toma nuk ngurron ta krahasojë me mbarështimin e meshtarëve: “Disa e përhapin dhe e ruajnë jetën shpirtërore me një mbarështim vetëm shpirtëror, dhe kjo i përket sakramentit të urdhrit; të tjerët e bëjnë këtë për sa i përket jetës njëkohësisht trupore e shpirtërore dhe kjo ndodh me sakramentin e kurorës së martesës, në të cilin burri dhe gruaja bashkohen për të lindur fëmijë dhe për t’i edukuar ata në adhurimin e Hyjit”[101].

Ndërgjegjja e gjallë dhe syçelët e misionit të marrë me sakramentin e martesës do t’i ndihmojë prindërit e krishterë të vihen me kthjelltësi e besim të madh në shërbimin edukativ të fëmijëve të tyre dhe, në të njëjtën kohë, me ndjenjë përgjegjësie ndaj Hyjit që i thërret dhe i dërgon për ta ndërtuar Kishën në vetë fëmijët e tyre. Kështu familja e të pagëzuarve, e bashkuar si kishë shtëpiake prej Fjalës dhe prej Sakramentit, bëhet njëkohësisht, sikurse Kisha e madhe, mësuese dhe nënë.

  

Përvoja e parë e Kishës

 

39. Misioni i edukimit kërkon që prindërit e krishterë t’u parashtrojnë fëmijëve të tyre të gjitha përmbajtjet e nevojshme për pjekurinë shkallë-shkallë të personalitetit të tyre nga një këndvështrim i krishterë dhe kishtar. Kështu do t’i marrin linjat edukative të përmendura më lart, me kujdesin për t’u treguar fëmijëve se në çfarë thellësie domethëniesh dinë të çojnë feja dhe dashuria e Jezu Krishtit. Veç kësaj, vetëdija se Zoti u beson atyre rritjen e një biri të Hyjit, të një vëllai të Krishtit, të një tempulli të Shpirtit Shenjt, të një anëtari të Kishës, do t’i mbështesë prindërit e krishterë në detyrën e tyre për ta përforcuar në shpirtin e fëmijëve të tyre dhuratën e hirit hyjnor.

Koncili II i Vatikanit e saktëson kështu përmbajtjen e edukimit të krishterë: “Ai nuk sjell vetëm pjekurinë e personit njerëzor… por synon sidomos që t’i bëjë të pagëzuarit, të cilët kanë hyrë progresivisht në njohjen e misterit të shpëtimit, të vetëdijshëm gjithnjë e më shumë për dhuratën e fesë që kanë marrë: të mësojnë ta adhurojnë Hyjin në shpirt e të vërtetë (krh. Gjn 4, 23), sidomos nëpërmjet veprimit liturgjik, të përgatiten për ta jetuar jetën e tyre sipas njeriut të ri në drejtësinë dhe në shenjtërinë e së vërtetës (Ef 4, 22-24), të arrijnë kështu njeriun e përsosur, masën e pjekurisë së plotë të Krishtit (krh. Ef 4, 13) dhe të japin ndihmesën e tyre në shtimin e trupit mistik. Veç kësaj, ata, të vetëdijshëm për thirrjen e tyre, duhet të mësojnë qoftë ta dëshmojnë atë shpresë që është në ta (krh. 1 Pjt 3, 14), qoftë ta nxisin lartësimin e botës në kuptimin e krishterë”[102].

Edhe Sinodi, duke i marrë përsëri dhe duke i zhvilluar linjat konciliare, e ka paraqitur misionin edukativ të familjes së krishterë si një mbarështim të vërtetë, nëpërmjet të cilit përçohet e rrezatohet Ungjilli, në atë pikë sa vetë jeta e familjes bëhet itinerar feje dhe në njëfarë mënyre fillim i jetës së krishterë dhe shkollë e ndjekjes së Krishtit. Në familjen e vetëdijshme për këtë dhuratë, siç ka shkruar Pali VI, “të gjithë anëtarët ungjillëzojnë dhe ungjillëzohen”[103].

Me fuqinë e mbarështimit të edukimit prindërit, nëpërmjet dëshmisë së jetës, janë lajmëtarët e parë të Ungjillit të fëmijëve të tyre. Edhe më shumë, duke u lutur së bashku me fëmijët e tyre, duke iu kushtuar së bashku me ta leximit të Fjalës së Hyjit dhe duke i futur në thellësinë e Trupit – eukaristik dhe kishtar – të Krishtit nëpërmjet fillimit të jetës së krishterë, bëhen plotësisht prindër, domethënë lindës jo vetëm të jetës trupore, por edhe të asaj që, nëpërmjet përtëritjes së Shpirtit, buron prej Kryqit dhe ngjalljes së Krishtit.

Që prindërit e krishterë të mund ta kryejnë denjësisht misionin e tyre edukativ, Etërit Sinodalë kanë shpresuar në përgatitjen e një teksti të përshtatshëm katekizmi për familjet, të qartë, të shkurtër dhe që të mund të përvetësohet lehtësisht prej të gjithëve. Konferencat ipeshkvnore janë ftuar përzemërsisht të angazhohen për realizimin e këtij katekizmi.

 

 Marrëdhëniet me forcat e tjera edukative

 

40. Familja është e para, por jo bashkësia e vetme dhe ekskluzive edukative: vetë dimensioni i bashkësisë, civil dhe kishtar i njeriut kërkon dhe të çon në një vepër më të gjerë dhe më të lidhur mirë, që është fryt i bashkëpunimit të organizuar të forcave të ndryshme edukative. Këto forca janë të gjitha të nevojshme, edhe pse secila mund dhe duhet të ndërhyjë me një kompetencë dhe me një ndihmesë të vetën[104].

Prandaj detyra edukative e familjes së krishterë ka një vend shumë të rëndësishëm në baritoren organike: kjo përfshin një formë të re të bashkëpunimit mes prindërve dhe bashkësive të krishtera, mes grupeve të ndryshme edukative e barinjve. Në këtë drejtim përtëritja e shkollës katolike duhet t’u kushtojë një vëmendje të veçantë si prindërve të nxënësve, ashtu edhe formimit të një bashkësie të përsosur që edukon.

Duhet të jetë absolutisht e siguruar e drejta e prindërve për zgjedhjen e një edukimi sipas besimit të tyre fetar.

Shteti dhe Kisha kanë për detyrë t’u japin familjeve të gjitha ndihmat e mundshme, me qëllim që ato të mund t’i ushtrojnë siç duhet detyrat e tyre edukative. Prandaj si Kisha ashtu edhe shteti duhet t’i krijojnë e t’i nxisin ato institucione e veprimtari, që familjet me të drejtë i kërkojnë: dhe ndihma duhet të jetë në përpjesëtim me mungesat e familjeve. Prandaj, të gjithë drejtuesit e shkollave nuk duhet të harrojnë kurrë se prindërit janë vendosur prej vetë Hyjit si edukatorët e parë e kryesorë të fëmijëve të tyre, dhe se e drejta e tyre është krejtësisht e patjetërsueshme.

Por pas të drejtës, vendoset detyra e madhe e prindërve për t’u angazhuar thellësisht në një marrëdhënie të përzemërt dhe konkrete me mësimdhënësit dhe drejtuesit e shkollave.

Nëse në shkolla mësohen ideologji kundër fesë së krishterë, familja së bashku me familje të tjera, mundësisht nëpërmjet formave shoqëruese familjare, me të gjitha forcat dhe me urti duhet t’i ndihmojnë të rinjtë që të mos largohen prej fesë. Në këtë rast familja ka nevojë për ndihma të veçanta nga ana e barinjve të shpirtrave, të cilët nuk duhet të harrojnë se prindërit kanë detyrën e padhunueshme t’ua besojnë fëmijët e tyre bashkësisë kishtare.

  

Një shërbim i shumëfishtë ndaj jetës

 

41. Dashuria pjellore bashkëshortore në shërbim të jetës shprehet në forma të shumëfishta, ndër të cilat lindja dhe edukimi i fëmijëve janë ato më të drejtpërdrejtat, më karakteristiket dhe më të pazëvendësueshmet. Në të vërtetë, çdo akt dashurie të vërtetë ndaj njeriut dëshmon dhe përsos pjellorinë shpirtërore të familjes, sepse është dëgjesë ndaj dinamizmit të brendshëm dhe të thellë të dashurisë si dhurim i vetvetes të tjerëve.

Në këtë perspektivë, e pasur me vlerë dhe angazhim për të gjithë, do të dinë të frymëzohen në veçanti ata bashkëshortë që fizikisht janë shterpë.

Familjet e krishtera, që në fe i njohin të gjithë njerëzit si bij të Atit të përbashkët qiellor, do t’i ndihmojnë me bujari fëmijët e familjeve të tjera, duke i mbështetur dhe duke i dashur, jo si të huaj, por si anëtarë të të vetmes familje të bijve të Hyjit. Prindërit e krishterë kështu do të mund ta zgjerojnë dashurinë e tyre përtej lidhjeve të mishit e të gjakut, duke ushqyer lidhjet që i kanë rrënjët në shpirt dhe që zhvillohen në shërbimin konkret ndaj fëmijëve të familjeve të tjera, shpesh nevojtarë madje edhe për gjërat më të domosdoshme.

Familjet e krishtera do të dinë të jetojnë një gatishmëri më të madhe ndaj birësimit dhe kujdestarisë së atyre fëmijëve që janë pa prindër ose janë braktisur prej tyre: ndërsa këta fëmijë, duke rigjetur një ngrohtësi familjare, mund të bëjnë përvojën e atësisë së dashur e të kujdesshme të Hyjit, të dëshmuar prej prindërve të krishterë, dhe kështu të rriten me kthjelltësi e duke pasur besim në jetë, krejt familja do të pasurohet prej vlerave shpirtërore të një vëllazërimi më të gjerë.

Pjelloria e familjeve duhet të njohë një “krijimtari” të vetën të pareshtur, fryt i mrekullueshëm i Shpirtit të Hyjit që hap sytë e zemrës për të zbuluar nevojat e vuajtjet e reja të shoqërisë sonë, dhe që ngjall guxim për t’i marrë përsipër e për t’u dhënë atyre një përgjigje. Në këtë kuadër u paraqitet familjeve një fushë shumë e gjerë veprimi: në të vërtetë, edhe më shqetësuese se braktisja e fëmijëve sot është dukuria e mënjanimit shoqëror e kulturor, që i godet rëndë të moshuarit, të sëmurët, personat me aftësi të kufizuara, të droguarit, ish-të burgosurit, etj.

Në këtë mënyrë zgjerohet së tepërmi horizonti i atësisë dhe i amësisë së familjeve të krishtera: dashuria e tyre shpirtërisht pjellore sfidohet nga këto dhe nga shumë nevoja të tjera të kohës sonë. Me familjet dhe nëpërmjet tyre, Zoti Jezus vazhdon të ketë “dhembshuri” për turmat.

 

  

 

III – Pjesëmarrja në Zhvillimin e Shoqërisë

 

Familja qeliza e parë dhe jetësore e shoqërisë

 

42. “Meqenëse Krijuesi i të gjitha gjërave e ka zgjedhur martesën si zanafillë dhe themel të shoqërisë njerëzore”, familja është bërë “qeliza e parë dhe jetësore e shoqërisë”[105].

Familja ka lidhje jetësore e organike me shoqërinë, sepse përbën themelin dhe ushqimin e saj të vazhdueshëm nëpërmjet detyrës së saj të shërbimit ndaj jetës: në të vërtetë, prej familjes lindin qytetarët dhe në familje ata gjejnë shkollën e parë të atyre virtyteve shoqërore, që janë shpirti i jetës dhe i zhvillimit të vetë shoqërisë.

Kështu, me forcën e natyrës dhe të thirrjes së vet, pa u mbyllur në vetvete, familja u hapet familjeve të tjera dhe shoqërisë, duke marrë përsipër detyrën e vet shoqërore.

  

Jeta familjare si përvojë bashkësie dhe pjesëmarrjeje

 

43. Vetë përvoja e bashkësisë dhe e pjesëmarrjes, që duhet të karakterizojë jetën e përditshme të familjes, përbën ndihmesën e parë e themelore ndaj shoqërisë.

Marrëdhëniet mes anëtarëve të bashkësisë familjare janë të frymëzuara dhe të drejtuara prej ligjit “të të dhuruarit falas”, që, duke respektuar e përkrahur në të gjithë dhe në secilin dinjitetin personal si të vetem gjë që ka vlerë, bëhet pranim i përzemërt, takim dhe bashkëbisedim, gatishmëri pa interes, shërbim bujar, solidaritet i thellë.

Kështu nxitja e një bashkësie të përnjëmendtë dhe të pjekur personash në familje bëhet shkolla e parë dhe e pazëvendësueshme e bashkëjetesës në shoqëri, shembull dhe nxitje për marrëdhëniet më të gjera të bashkësisë nën shenjën e respektit, të drejtësisë, të bashkëbisedimit, të dashurisë.

Në këtë mënyrë, siç kanë kujtuar Etërit Sinodalë, familja përbën vendin natyror dhe mjetin më të efektshëm të humanizimit dhe të personalizimit të shoqërisë: ajo bashkëpunon në një mënyrë të veçantë dhe të thellë për ndërtimin e botës, duke bërë të mundshme një jetë vërtet njerëzore, në veçanti duke ruajtur dhe përçuar virtytet dhe “vlerat”. Siç shkruan Koncili II i Vatikanit, në familje “brezat e ndryshëm takojnë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin për të arritur një urti njerëzore më të plotë dhe për të bashkuar të drejtat e personave me nevojat e kërkesat e tjera të jetës shoqërore”[106].

Si pasojë, përballë një shoqërie që rrezikon të jetë gjithnjë e më e shpersonalizuar dhe e masifikuar, pra edhe çnjerëzore e çnjerëzuese, me rezultatet negative të shumë formave të “ikjes” – siç janë, për shembull, alkoolizmi, droga dhe vetë terrorizmi – familja ka dhe liron ende sot energji të mrekullueshme të afta për ta shkëputur njeriun prej anonimatit, për ta mbajtur të vetëdijshëm për dinjitetin e tij personal, për ta pasuruar me një njerëzi të thellë dhe për ta përfshirë në mënyrë vepruese me njëshmërinë dhe papërsëritshmërinë e vet në jetën e shoqërisë.

  

Detyra shoqërore dhe politike

 

44. Detyra shoqërore e familjes sigurisht nuk mund të ndalet në veprën e lindjes dhe të edukimit, edhe pse aty gjen formën e vet të parë dhe të pazëvendësueshme të shprehjes.

Prandaj familjet, si veçmas, ashtu edhe të bashkuara, mund dhe duhet t’u kushtohen veprave të shumëfishta të shërbimit shoqëror, sidomos në dobi të të varfërve, dhe sidoqoftë të të gjithë atyre personave e situatave, që organizimi sigurues dhe asistencial i autoriteteve publike nuk mund t’i arrijë.

Kontributi shoqëror i familjes ka një veçanti të vetën, që kërkon të njihet më mirë dhe të përkrahet më vendosmërisht, sidomos ndërsa fëmijët rriten, duke përfshirë faktikisht sa më shumë të jetë e mundur të gjithë anëtarët e saj[107].

Në veçanti duhet theksuar rëndësia gjithnjë e më e madhe që në shoqërinë tonë merr mikpritja, në të gjitha format e saja, prej hapjes së derës së shtëpisë e, edhe më shumë të zemrës, ndaj kërkesave të vëllezërve, deri në angazhimin konkret për t’i siguruar çdo familjeje shtëpinë e saj, si mjedis natyror që e ruan dhe e bën atë të rritet. Sidomos familja e krishterë është e thirrur ta dëgjojë porosinë e apostullit: “… ushtroni mikpritjen”[108], dhe pra, të vërë në jetë, duke imituar shembullin dhe duke bashkëndarë dashurinë e Krishtit, pranimin e vëllait nevojtar: “Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi”[109].

Detyra shoqërore e familjeve është e thirrur të shprehet edhe në formën e ndërhyrjes politike: pra, familjet duhet të kujdesen të parat që ligjet dhe institucionet e shtetit jo vetëm të mos i shkelin, por edhe t’i mbështesin dhe t’i mbrojnë pozitivisht të drejtat dhe detyrat e familjes. Në këtë drejtim familjet duhet të rriten në vetëdijen se janë “protagoniste” të së ashtuquajturës “politikë familjare” dhe të marrin përsipër përgjegjësinë për ta shndërruar shoqërinë: përndryshe familjet do të jenë viktimat e para të atyre të këqijave, të cilat janë kufizuar duke i vërejtur me shpërfillje. Prandaj thirrja e Koncilit II të Vatikanit për të kapërcyer etikën individualiste ka vlerë edhe për familjen si të tillë[110].

 

 Shoqëria në shërbim të familjes

 

45. Lidhja intime mes familjes dhe shoqërisë, siç kërkon hapja dhe pjesëmarrja e familjes në shoqëri dhe në zhvillimin e saj, kërkon që shoqëria të mos e lërë kurrë pas dore detyrën e vet themelore të respektimit dhe të nxitjes së vetë familjes.

Sigurisht familja dhe shoqëria kanë një funksion përplotësues në mbrojtjen dhe në nxitjen e të mirës së të gjithë njerëzve dhe të çdo njeriu. Por shoqëria, dhe në mënyrë më specifike shteti, duhet të pranojnë se familja është “një shoqëri që gëzon një të drejtë të vetën dhe zanafillëse”[111] dhe pra, në marrëdhëniet e tyre me familjen janë të detyruar t’i përmbahen parimit të ndihmës së ndërsjellë.

Për arsye të këtij parimi, shteti nuk mund dhe as nuk duhet t’ua heqë familjeve ato detyra që ato mund t’i kryejnë mirë edhe vetë ose të bashkuara lirisht, por t’i përkrahë pozitivisht e ta nxisë në maksimum nismën e përgjegjshme të familjeve. Të bindura se e mira e familjes përbën një vlerë të domosdoshme dhe të paprekshme për bashkësinë civile, autoritetet publike duhet të bëjnë ç’është e mundur për t’u siguruar familjeve të gjitha ato ndihma – ekonomike, shoqërore, edukative, politike, kulturore – për të cilat kanë nevojë që t’u bëjnë ballë në mënyrë njerëzore të gjitha përgjegjësive të veta.

   

Karta e të drejtave të familjes

 

46. Ideali i një veprimi të ndërsjellë mbështetjeje dhe zhvillimi mes familjes e shoqërisë, shpesh edhe në mënyrë shumë të dhunshme, ndeshet me realitetin e një ndarjeje të tyre, madje të një kundërvënieje të tyre.

Në fakt, siç ka paditur vazhdimisht Sinodi, situata që shumë familje në vende të ndryshme ndeshin është shumë problematike, nëse jo vërtet negative: institucionet e ligjet shpërnjohin padrejtësisht të drejtat e pamohueshme të familjes dhe të vetë personit njerëzor, dhe shoqëria, në vend që të vihet në shërbim të familjes, e sulmon atë dhunshëm në vlerat dhe në kërkesat e saja themelore. Dhe kështu familja që, sipas planit të Hyjit, është qeliza bazë e shoqërisë, subjekt të drejtash dhe detyrash para shtetit dhe para çfarëdo bashkësie tjetër, gjendet viktimë e shoqërisë, e vonesave dhe e ngadalësisë të ndërhyrjeve të saja dhe, edhe më shumë, e padrejtësive të saja të dukshme.

Prandaj Kisha mbron haptas dhe fort të drejtat e familjes prej përvetësimeve të padrejta dhe të patolerueshme të shoqërisë e të shtetit. Në veçanti, Etërit Sinodalë, ndër të tjera, kanë kujtuar të drejtat e familjes siç vijojnë:

-      të jetë dhe të përparojë si familje, domethënë të drejtën e çdo njeriu, sidomos nëse është i varfër, për të formuar një familje dhe për t’i pasur mjetet e përshtatshme për ta mbajtur atë;

-      ta ushtrojë përgjegjësinë e vet në drejtim të përçimit të jetës dhe të edukimit të fëmijëve;

-      të intimitetit të jetës bashkëshortore e familjare;

-      të qëndrueshmërisë së lidhjes dhe të institucionit martesor;

-      të besojë, ta dëshmojë dhe ta përhapë fenë e vet;

-      t’i edukojë fëmijët sipas traditave e vlerave të veta fetare e kulturore, me mjetet, mënyrat dhe institucionet e nevojshme;

-      të fitojë sigurinë fizike, shoqërore, politike, ekonomike, sidomos të të varfërve dhe të të sëmurëve;

-      të drejtën për banesë të përshtatshme ku jeta familjare të zhvillohet si duhet;

-      të shprehjes dhe të përfaqësimit pranë autoriteteve publike ekonomike, shoqërore e kulturore dhe pranë atyre më të ulëta, si drejtpërdrejt, ashtu edhe nëpërmjet shoqatave;

-      të krijojë shoqata me familje e institucione të tjera, për të zhvilluar në mënyrë të përshtatshme e të kujdesshme detyrën e vet;

-      të mbrojë të miturit nëpërmjet institucioneve e legjislacioneve të përshtatshme nga ilaçet e dëmshme, pornografia, alkoolizmi, etj.;

-      të një argëtimi të ndershëm që nxit edhe vlerat e familjes;

-      të drejtën e të moshuarve për një jetë të denjë dhe për një vdekje të hijshme;

-      të drejtën të mërgojë si familje për të kërkuar një jetë më të mirë[112].

Selia e Shenjtë, duke mirëpritur kërkesën e qartë dhe të hapur të Sinodit, do të ketë kujdes për t’i thelluar këto sugjerime, duke përpunuar një “kartë të të drejtave të familjes”, që t’ua parashtrojë mjediseve dhe Autoriteteve të interesuara.

  

Hiri dhe përgjegjësia e familjes së krishterë

 

47. Detyra shoqërore e çdo familjeje, për një arsye të re dhe të veçantë, i përket familjes së krishterë, themeluar në sakramentin e kurorës së martesës. Duke marrë përsipër realitetin njerëzor të dashurisë bashkëshortore në të gjitha ndërlikimet, sakramenti i aftëson dhe i angazhon bashkëshortët dhe prindërit e krishterë që ta jetojnë thirrjen e tyre si laikë, dhe prandaj edhe “ta kërkojnë mbretërinë e Hyjit duke i trajtuar dhe duke i orientuar gjërat tokësore sipas Hyjit”[113].

Detyra shoqërore e politike hyn në atë mision mbretëror apo të shërbimit, në të cilin bashkëshortët e krishterë marrin pjesë me fuqinë e sakramentit të kurorës së martesës, duke marrë njëkohësisht një urdhërim të cilit nuk mund t’i shmangen dhe një hir që i mbështet dhe i nxit.

Në këtë mënyrë familja e krishterë është e thirrur t’u japë të gjithëve dëshminë e një përkushtimi bujar dhe të painteres ndaj problemeve shoqërore, nëpërmjet “zgjedhjes parapëlqyese” të të varfërve dhe të të mënjanuarve. Prandaj ajo, duke përparuar në ndjekjen e Zotit nëpërmjet një dashurie ndaj të gjithë të varfërve, duhet t’i ketë përzemër sidomos të uriturit, të mjerët, të moshuarit, të sëmurët, të droguarit, ata që janë pa familje.

  

Për një rend të ri ndërkombëtar

 

48.  Përballë dimensionit botëror që sot karakterizon problemet e ndryshme shoqërore, familja sheh të zgjerohet në mënyrë krejtësisht të re detyra e saj ndaj zhvillimit të shoqërisë: bëhet fjalë për të bashkëvepruar edhe në një rend të ri ndërkombëtar, sepse vetëm në solidaritetin botëror mund të përballen e zgjidhen problemet shumë të mëdha e dramatike të drejtësisë së botës, të lirisë së popujve, të paqes së njerëzimit.

Bashkësia shpirtërore e familjeve të krishtera, të rrënjosura në fenë dhe në shpresën e përbashkët e të gjallëruara nga dashuria, përbën një energji të brendshme që lind, përhap dhe zhvillon drejtësi, pajtim, vëllazëri dhe paqe mes njerëzve. Si “Kishë e vogël”, familja e krishterë, në përngjasim të “Kishës së madhe”, është e thirrur të jetë shenjë njësie për botën dhe ta ushtrojë në këtë mënyrë rolin e vet profetik duke dëshmuar Mbretërinë dhe paqen e Krishtit, drejt të cilave mbarë bota është në ecje.

Familjet e krishtera do të mund ta bëjnë këtë si nëpërmjet veprës së tyre edukative, pra duke u dhënë fëmijëve të tyre një model jete të bazuar në vlerat e së vërtetës, të lirisë, të drejtësisë e të dashurisë, si me një angazhim veprues e të përgjegjshëm për rritjen përnjëmend njerëzore të shoqërisë dhe të institucioneve të saj, si me mbështetjen në mënyra të ndryshme të shoqatave, që u janë kushtuar veçanërisht problemeve të rendit ndërkombëtar.

 

  

 

IV – Pjesëmarrja në Jetën dhe në Misionin e Kishës

 

Familja në misterin e Kishës

 

49. Mes detyrave themelore të familjes së krishterë radhitet detyra kishtare: pra, ajo është vënë në shërbim të ndërtimit të Mbretërisë së Hyjit në histori, nëpërmjet pjesëmarrjes në jetën dhe në misionin e Kishës.

Për t’i kuptuar më mirë themelet, përmbajtjet dhe karakteristikat e kësaj pjesëmarrjeje, duhet të thellohen lidhjet e shumëfishta dhe të thella që bashkojnë Kishën me familjen e krishterë, dhe e organizojnë këtë të fundit si “një Kishë në miniaturë” (Ecclesia domestica)[114], duke bërë që ajo, në mënyrën e vet, të jetë shëmbëlltyrë e gjallë dhe riparaqitje  historike e vetë misterit të Kishës.

Është para së gjithash Kisha ajo që lind, edukon dhe ndërton familjen e krishterë, duke vënë në jetë misionin e shpëtimit që ka marrë prej Zotit të vet. Me shpalljen e Fjalës së Hyjit, Kisha i zbulon familjes së krishterë identitetin e saj të vërtetë, atë që ajo është dhe duhet të jetë sipas planit të Zotit; me kremtimin e sakramenteve, Kisha e pasuron dhe e forcon familjen e krishterë me hirin e Krishtit me qëllim shenjtërimin e saj për lavdinë e Atit; me shpalljen e përtërirë të urdhërimit të ri të dashurisë, Kisha e frymëzon dhe e udhëheq familjen e krishterë në shërbimin e dashurisë, në mënyrë që të imitojë dhe të rijetojë po atë dashuri dhurimi e flijimi, që Zoti Jezus ushqen për mbarë njerëzimin.

Nga ana e saj, familja e krishterë është aq e futur në misterin e Kishës sa, në mënyrën e vet, bëhet pjesëmarrëse e misionit të shpëtimit që është karakteristikë e saj: bashkëshortët dhe prindërit e krishterë, në fuqi të sakramentit, “në gjendjen e tyre të jetës dhe në funksionin e tyre, kanë dhuratën e vet në mesin e popullit të Hyjit”[115]. Prandaj, jo vetëm “marrin” dashurinë e Krishtit, duke u bërë bashkësi “e shpëtuar”, por janë të thirrur edhe “për t’u përçuar” vëllezërve po atë dashuri të Krishtit, duke u bërë kështu bashkësi “shpëtuese”. Në këtë mënyrë, ndërsa është fryt dhe shenjë e pjellorisë mbinatyrore të Kishës, familja e krishterë është bërë simbol, dëshmi, pjesëmarrje e amësisë së Kishës[116].

 

 Një detyrë kishtare vetjake dhe e veçantë

 

50. Familja e krishterë është e thirrur të marrë pjesë gjallërisht dhe në mënyrë të përgjegjshme në misionin vetjak dhe të veçantë të Kishës, pra duke vënë në shërbim të Kishës dhe të shoqërisë vetveten ashtu si është dhe si vepron, si bashkësi intime jete e dashurie.

Nëse familja e krishterë është bashkësi, lidhjet e së cilës përtërihen prej Krishtit nëpërmjet fesë e sakramenteve, pjesëmarrja e saj në misionin e Kishës duhet të ndodhë sipas një forme bashkësie: pra, së bashku bashkëshortët si çift, prindërit e fëmijët si familje, duhet ta jetojnë shërbimin e tyre ndaj Kishës dhe botës. Duhet të jenë në fe “një zemër e vetme dhe një shpirt i vetëm”[117], nëpërmjet shpirtit të përbashkët apostolik që i frymëzon dhe bashkëpunimit që i angazhon në veprat e shërbimit ndaj bashkësisë kishtare e civile.

Pastaj, familja e krishterë ndërton Mbretërinë e Hyjit në histori nëpërmjet vetë realiteteve të përditshme që i përkasin dhe dallojnë gjendjen e saj të jetës: kështu, në dashurinë bashkëshortore e familjare – të jetuar në pasurinë e saj të jashtëzakonshme të vlerave dhe nevojave për plotësi, besnikëri e pjellori[118] – shprehet dhe realizohet pjesëmarrja e familjes së krishterë në misionin profetik, meshtarak dhe mbretëror të Jezu Krishtit dhe të Kishës së Tij: prandaj dashuria dhe jeta përbëjnë bërthamën e misionin shpëtues të familjes së krishterë dhe për Kishën.

E kujton Koncili II i Vatikanit kur shkruan: “Familja do t’i bashkëndajë bujarisht me familjet e tjera pasuritë e veta shpirtërore. Për këtë familja e krishterë, që lind prej martesës, si shëmbëlltyrë dhe pjesëmarrje në marrëveshjen e dashurisë së Krishtit dhe të Kishës, për të gjithë do ta bëjë të dukshme praninë e gjallë të Shpëtimtarit të botës dhe natyrën e pastër të Kishës, si me dashurinë dhe pjellorinë bujare, me njësinë dhe besnikërinë e bashkëshortëve, po ashtu edhe me bashkëveprimin e përzemërt të të gjithë anëtarëve të saj”[119].

Kështu, pasi është vënë themeli i pjesëmarrjes së familjes së krishterë në misionin kishtar, duhet shpjeguar përmbajtja e tij në referimin e trefishtë dhe njësues në Jezu Krishtin Profet, Meshtar e Mbret, duke e paraqitur për këtë arsye familjen e krishterë si:

1.      bashkësi besimtare dhe ungjillëzuese;

2.      bashkësi në bashkëbisedim me Hyjin;

3.      bashkësi në shërbim të njeriut.

 

  

1. Familja e krishterë, bashkësi besimtare dhe ungjillëzuese

 

 

Feja, zbulim dhe soditje e planit të Hyjit mbi familjen

 

51. Pjesëmarrëse në jetën dhe në misionin e Kishës, e cila qëndron në një dëgjim fetar të Fjalës së Hyjit dhe e shpall atë me besim të palëkundur[120], familja e krishterë e jeton detyrën e vet profetike duke pranuar dhe duke shpallur Fjalën e Hyjit: duke u bërë kështu, çdo ditë e më tepër bashkësi besimtare dhe ungjillëzuese.

Edhe bashkëshortëve e prindërve të krishterë u kërkohet dëgjesa e fesë[121]: janë të thirrur ta pranojnë Fjalën e Zotit, që atyre u zbulon risinë e mrekullueshme – Lajmin e Mirë – të jetës së tyre bashkëshortore e familjare, të cilën Krishti e ka bërë të shenjtë e shenjtëruese. Në të vërtetë, vetëm në fe ata mund ta zbulojnë e ta sodisin me një mirënjohje të gëzueshme se në çfarë dinjiteti Hyji ka dashur ta lartësojë martesën e familjen, duke i bërë shenjë dhe vend të besëlidhjes së dashurisë mes Hyjit dhe njerëzve, mes Jezu Krishtit dhe Kishës nuses së Vet.

Edhe vetë përgatitja për martesën e krishterë cilësohet si itinerar feje: në të vërtetë, caktohet si rast i privilegjuar që të fejuarit ta rizbulojnë e ta thellojnë fenë e marrë me Pagëzim dhe të ushqyer me edukimin e krishterë. Në këtë mënyrë njohin dhe pranojnë lirisht thirrjen për ta jetuar ndjekjen e Krishtit dhe shërbimin e Mbretërisë së Hyjit në gjendjen martesore.

Momenti themelor i fesë së bashkëshortëve është kremtimi i sakramentit të kurorës së martesës, që në natyrën e vet të thellë është shpallja, në Kishë, e Lajmit të Mirë mbi dashurinë bashkëshortore: ai është Fjala e Hyjit që “zbulon” dhe “përmbush” planin e urtë dhe të dashur që Hyji ka mbi bashkëshortët, të futur në pjesëmarrjen e mistershme e reale të vetë dashurisë së Hyjit për njerëzimin. Nëse në vetvete kremtimi sakramental i martesës është shpallje e Fjalës së Hyjit, tek ata që janë me tituj të ndryshëm protagonistë dhe kremtues duhet të jetë një “dëshmi feje” e bërë brenda Kishës dhe me Kishën, bashkësi besimtarësh.

Kjo dëshmi feje kërkon të vazhdojë edhe në rrjedhën e jetës së bashkëshortëve dhe të familjes: në të vërtetë, Hyji, që i ka thirrur bashkëshortët “për” martesë, vazhdon t’i thërrasë “në” martesë[122]. Brenda dhe nëpërmjet fakteve, problemeve, vështirësive, ngjarjeve të ekzistencës së përditshme, Hyji u vjen atyre duke ua zbuluar dhe duke ua parashtruar “kërkesat” konkrete të pjesëmarrjes së tyre në dashurinë e Krishtit për Kishën në lidhje me situatën e veçantë – familjare, shoqërore dhe kishtare – në të cilën gjenden.

Zbulimi dhe dëgjesa ndaj planit të Hyjit duhet të bëhen “së bashku” prej bashkësisë bashkëshortore e familjare, nëpërmjet vetë përvojës njerëzore të dashurisë së jetuar në Shpirtin e Krishtit mes bashkëshortëve, mes prindërve e fëmijëve.

Prandaj, sikurse Kisha e madhe, po ashtu edhe Kisha e vogël shtëpiake ka nevojë të ungjillëzohet vazhdimisht dhe thellësisht: prej këtu rrjedh detyra e edukimit të përhershëm në fe.

 

 Mbarështimi i ungjillëzimit të familjes së krishterë

 

52. Në atë masë me të cilën familja e krishterë e pranon Ungjillin dhe piqet në fe, në atë masë bëhet bashkësi ungjillëzuese. Ta ridëgjojmë Palin VI: “Familja, sikurse Kisha, duhet të jetë një hapësirë në të cilën Ungjilli përçohet dhe prej së cilës Ungjilli rrezatohet. Pra, në brendësinë e një familjeje të vetëdijshme për këtë mision të gjithë anëtarët ungjillëzojnë dhe ungjillëzohen. Prindërit jo vetëm u komunikojnë fëmijëve të tyre Ungjillin, por edhe mund ta marrin prej tyre po këtë Ungjill thellësisht të jetuar. Dhe një familje e tillë bëhet ungjillëzuese e shumë familjeve të tjera dhe e mjedisit në të cilin ajo ndodhet”[123].

Siç ka përsëritur Sinodi, duke rimarrë thirrjen time të bërë në Puebla, ungjillëzimi i ardhshëm varet në një pjesë të madhe prej Kishës shtëpiake[124]. Ky mision apostolik i familjes është i rrënjosur në pagëzim dhe merr prej hirit sakramental të kurorës së martesës një forcë të re për ta përçuar fenë, për ta shenjtëruar e për ta shndërruar shoqërinë e sotme sipas planit të Hyjit.

Familja e krishterë, sidomos sot, ka një thirrje të veçantë për të qenë dëshmitare e besëlidhjes së Pashkëve të Krishtit, nëpërmjet rrezatimit të vazhdueshëm të gëzimit të dashurisë e të sigurisë së shpresës, të cilën duhet ta shpallë: “Familja e krishterë shpall me zë të lartë si virtytet e tashme të Mbretërisë së Hyjit, ashtu edhe shpresën e jetës së lume”[125].

Nevoja absolute e katekezës familjare del me një forcë të veçantë në situata të caktuara, që Kisha mjerisht regjistron në vende të ndryshme: “Aty ku legjislacioni antifetar pretendon madje edhe pengimin e edukimit në fe, aty ku një mosbesim apo një shekullarizëm i përhapur e bëjnë praktikisht të pamundur rritjen e vërtetë fetare, ajo që mund të quhet “Kishë shtëpiake” mbetet i vetmi mjedis, në të cilin fëmijët dhe të rinjtë mund të marrin një katekezë të përnjëmendtë”[126].

 

 Një shërbim kishtar

 

53. Mbarështimi i ungjillëzimit të prindërve të krishterë është i veçantë dhe i pazëvendësueshëm: merr karakteristikat tipike të jetës familjare, gërshetuar siç duhet të jetë me dashuri, thjeshtësi, konkretësi dhe dëshmi të përditshme[127].

Familja duhet t’i formojë fëmijët për jetë, në mënyrë që secili ta kryejë plotësisht detyrën e vet sipas thirrjes së marrë prej Hyjit. Në të vërtetë, familja që është e hapur ndaj vlerave transhendente, që u shërben vëllezërve me gëzim, që i kryen me besnikëri bujare detyrat e veta dhe është e vetëdijshme për pjesëmarrjen e vet të përditshme në misterin e Kryqit të lavdishëm të Krishtit, bëhet seminari i parë dhe më i mirë i thirrjes për jetën kushtuar Mbretërisë së Hyjit.

Mbarështimi i ungjillëzimit dhe i katekezës së prindërve duhet t’i shoqërojë fëmijët edhe në vitet e adoleshencës dhe të rinisë së tyre, kur këta, siç ndodh shpesh, e kundërshtojnë ose edhe nuk e pranojnë fenë e krishterë të marrë në vitet e para të jetës së tyre. Ashtu sikurse në Kishë vepra e ungjillëzimit nuk ndahet kurrë prej vuajtjes së apostullit, edhe në familjen e krishterë prindërit duhet t’i përballojnë me guxim dhe kthjelltësi të madhe shpirtërore vështirësitë, që mbarështimi i tyre ungjillëzues ndesh nganjëherë në vetë fëmijët e tyre.

Nuk duhet të harrojmë se shërbimi i bërë prej bashkëshortëve dhe prej prindërve të krishterë në dobi të Ungjillit, është thelbësisht një shërbim kishtar, pra hyn në kontekstin e mbarë Kishës si bashkësi e ungjillëzuar dhe ungjillëzuese. Meqenëse është e rrënjosur dhe rrjedh prej të vetmit mision të Kishës dhe meqenëse ka për qëllim ndërtimin e të vetmit Trup të Krishtit[128], mbarështimi i ungjillëzimit dhe i katekezës së Kishës shtëpiake duhet të mbetet në një bashkësi të thellë dhe të harmonizohet në mënyrë të përgjegjshme me të gjitha shërbimet e tjera të ungjillëzimit e të katekezës, të pranishme dhe vepruese në bashkësinë kishtare, dioqezane dhe famullitare.

  

Predikimi i Ungjillit çdo krijese

 

54. Universaliteti pa kufij është horizonti i ungjillëzimit, gjallëruar brendësisht prej hovit misionar: në të vërtetë, është përgjigjja ndaj urdhrit të qartë dhe të prerë të Krishtit: “Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve”[129].

Feja dhe misioni ungjillëzues i familjes së krishterë e kanë këtë frymëmarrje misionare katolike. Sakramenti i martesës, që e rimerr dhe e riparashtron detyrën, të rrënjosur në pagëzim dhe në krezmim, të mbrojtjes dhe të përhapjes së fesë[130], i bën bashkëshortët dhe prindërit e krishterë dëshmitarë të Krishtit “gjer në skajin e botës”[131], “misionarë” të vërtetë të dashurisë dhe të jetës.

Një lloj veprimtarie misionare mund të kryhet edhe brenda familjes. Kjo ndodh kur ndonjë anëtar i saj nuk ka fe ose nuk e praktikon atë me koherencë. Në këtë rast familjarët duhet t’i japin një dëshmi të jetuar feje, që ta nxisë dhe ta mbështesë në ecjen drejt bashkësisë së plotë me Krishtin Shpëtimtar[132].

E gjallëruar prej shpirtit misionar në brendësinë e vet, Kisha shtëpiake është e thirrur të jetë një shenjë e ndritshme e pranisë së Krishtit dhe e dashurisë së Tij edhe për ata që janë “larg”, për familjet që nuk besojnë ende dhe për vetë familjet e krishtera që nuk jetojnë më në koherencë me fenë e marrë: është e thirrur që “me shembullin dhe dëshminë e vet” t’i ndriçojë “ata që kërkojnë të vërtetën”[133].

Sikurse në agimet e krishterimit Akuila e Prishila paraqiteshin si çift misionar[134], po ashtu edhe sot, Kisha e dëshmon risinë e pareshtur dhe lulëzimin e vet me praninë e bashkëshortëve dhe të familjeve të krishtera që, të paktën për njëfarë kohe, shkojnë në tokat e misionit për ta shpallur Ungjillin, duke i shërbyer njeriut me dashurinë e Jezu Krishtit.

Familjet e krishtera i japin një ndihmesë të veçantë çështjes misionare të Kishës duke kultivuar thirrjet misionare në mesin e fëmijëve të tyre[135] dhe, më përgjithësisht, me një vepër edukative që “i përgatit fëmijët e tyre, qysh prej viteve të rinisë, ta pranojnë dashurinë e Hyjit për të gjithë njerëzit”[136].

  

 

2. Familja e krishterë bashkësi në bashkëbisedim me Hyjin

 

Shenjtërorja shtëpiake e Kishës

 

55. Shpallja e Ungjillit dhe pranimi i tij në fe arrijnë plotësinë e tyre në kremtimin sakramental. Kisha, bashkësi besimtare dhe ungjillëzuese, është edhe popull meshtarak, pra i veshur me dinjitet dhe pjesëmarrës në pushtetin e Krishtit Kryeprift të Besëlidhjes së Re dhe të Amshuar[137].

Edhe familja e krishterë është e futur në Kishë, në popullin meshtarak: nëpërmjet sakramentit të kurorës së martesës, në të cilin është e rrënjosur dhe prej të cilit ushqehet, ajo gjallërohet vazhdimisht prej Zotit Jezus, dhe prej Tij thirret e angazhohet në bashkëbisedim me Hyjin nëpërmjet jetës sakramentale, dhurimit të ekzistencës dhe lutjes së vet.

Kjo është detyra meshtarake që familja e krishterë mund dhe duhet ta ushtrojë në një bashkësi intime me mbarë Kishën, nëpërmjet realiteteve të përditshme të jetës bashkëshortore e familjare: në këtë mënyrë familja e krishterë është e thirrur të shenjtërohet dhe të shenjtërojë bashkësinë kishtare dhe botën.

  

Martesa, sakrament i shenjtërimit të ndërsjellë dhe vepër kulti

 

56. Burimi dhe mjeti i veçantë i shenjtërimit për bashkëshortët dhe familjen e krishterë është sakramenti i kurorës së martesës, që vazhdon dhe specifikon hirin shenjtërues të pagëzimit. Në virtyt të misterit të vdekjes dhe të ngjalljes së Krishtit, brenda të cilit martesa e krishterë të fut përsëri, dashuria bashkëshortore pastrohet e shenjtërohet: “Zoti është denjuar ta shërojë e ta lartësojë këtë dashuri me një dhuratë të veçantë hiri dhe dashurie”[138].

Dhurata e Jezu Krishtit nuk kufizohet në kremtimin e sakramentit të kurorës së martesës, por i shoqëron bashkëshortët gjatë gjithë ekzistencës së tyre. Këtë e kujton qartë Koncili II i Vatikanit, kur thotë se Jezu Krishti “mbetet me ta në mënyrë që, sikurse Ai vetë e ka dashur Kishën dhe është flijuar për të, edhe bashkëshortët të mund ta duan njëri-tjetrin besnikërisht, gjithmonë, me përkushtim të ndërsjellë… Për këtë arsye bashkëshortët e krishterë përforcohen dhe shugurohen nga një sakrament i veçantë për detyrat dhe dinjitetin e gjendjes së tyre. Dhe ata, duke e kryer me forcën e këtij sakramenti detyrën e tyre bashkëshortore dhe familjare, të depërtuar prej Shpirtit të Krishtit, nëpërmjet të cilit e gjithë jeta e tyre mbushet me fe, shpresë e dashuri, priren ta arrijnë gjithnjë e më tepër përsosmërinë e tyre dhe shenjtërimin e ndërsjellë, dhe prandaj marrin pjesë në lavdërimin e Hyjit”[139].

Thirrja e gjithmbarshme në shenjtëri u drejtohet edhe bashkëshortëve e prindërve të krishterë: ajo specifikohet prej sakramentit të kremtuar dhe shprehet konkretisht në realitetet e ekzistencës bashkëshortore e familjare[140]. Prej këtu rrjedhin hiri dhe nevoja e një përshpirtërie bashkëshortore e familjare të përnjëmendtë e të thellë, që të frymëzohet në arsyet e krijimit, të besëlidhjes, të Kryqit, të ngjalljes dhe të shenjës, mbi të cilët disa herë Sinodi është ndalur.

Kurora e martesës së krishterë, sikurse të gjithë sakramentet që “janë për shenjtërimin e njerëzve, për ndërtimin e Trupit të Krishtit dhe, së fundit, për adhurimin e Hyjit”[141], është në vetvete një veprim liturgjik i lavdërimit të Hyjit në Jezu Krishtin dhe në Kishë: duke kremtuar kurorën e martesës, bashkëshortët e krishterë dëshmojnë mirënjohjen e tyre ndaj Hyjit për dhuratën e madhe që u jepet për rijetimin në ekzistencën e tyre bashkëshortore e familjare të vetë dashurisë së Hyjit për njerëzit dhe të Jezu Krishtit për Kishën nusen e Vet.

Dhe sikurse prej sakramentit rrjedhin për bashkëshortët dhurata dhe detyrimi për ta jetuar përditë shenjtërimin e marrë, po ashtu, prej po këtij sakramenti vjen edhe hiri e angazhimi moral për ta shndërruar gjithë jetën e tyre në një “fli shpirtërore”[142] të vazhdueshme. Edhe për bashkëshortët dhe prindërit e krishterë, në veçanti për ato realitete tokësore e kohore që i karakterizojnë, vlejnë fjalët e Koncilit: “Kështu edhe laikët, si adhurues që veprojnë kudo shenjtërisht, ia kushtojnë Hyjit vetë botën”[143].

 

 Martesa dhe Eukaristia

 

57. Detyra e shenjtërimit të familjes së krishterë e ka rrënjën e vet të parë në pagëzim dhe shprehjen e vet më të lartë në Eukaristi, me të cilën është e lidhur thellësisht martesa e krishterë. Koncili II i Vatikanit ka dëshiruar ta kujtojë marrëdhënien e veçantë që ekziston mes Eukaristisë dhe martesës, duke kërkuar që ajo “zakonisht të kremtohet në Meshë”[144]: rizbulimi dhe thellimi i një marrëdhënieje të tillë është krejtësisht i nevojshëm, nëse dëshirojmë që të kuptohen dhe të jetohen me një shpeshtësi dhe me një forcë më të madhe hiret dhe përgjegjësitë e martesës dhe të familjes së krishterë.

Eukaristia është vetë burimi i martesës së krishterë. Në të vërtetë, flia eukaristike riparaqet besëlidhjen e dashurisë së Krishtit me Kishën, pasi është vulosur me gjakun e Kryqit të Tij[145]. Në këtë fli të Besëlidhjes së Re dhe të Amshuar bashkëshortët e krishterë gjejnë rrënjën prej së cilës buron, formohet brendësisht e gjallërohet vazhdimisht besëlidhja e tyre bashkëshortore. Si riparaqitje e flisë së dashurisë së Krishtit për Kishën, Eukaristia është burim dashurie. Dhe në dhuratën eukaristike të dashurisë familja e krishterë gjen themelin dhe shpirtin e “bashkësisë” dhe të “misionit” të vet: Buka eukaristike i bën anëtarët e ndryshëm të bashkësisë familjare një trup të vetëm, zbulim dhe pjesëmarrje në njësinë më të gjerë të Kishës; pjesëmarrja, pastaj, në Trupin “e flijuar” dhe Gjakun “e derdhur” të Krishtit bëhet burim i pashtershëm i dinamizmit misionar dhe apostolik të familjes së krishterë.

 

 Sakramenti i kthimit dhe i pajtimit

 

58. Pjesë thelbësore dhe e përhershme e detyrës së shenjtërimit të familjes së krishterë është pranimi i thirrjes ungjillore për kthim drejtuar të gjithë të krishterëve, që jo gjithmonë i qëndrojnë besnikë “risisë” së atij pagëzimi që i ka bërë “të shenjtë”. Edhe familja e krishterë nuk është gjithmonë koherente me ligjin e hirit dhe të shenjtërisë pagëzimore, shpallur po prej sakramentit të kurorës së martesës.

Pendimi dhe falja e ndërsjellë në gjirin e familjes së krishterë, që aq shpesh jetohen në jetën e përditshme, gjejnë momentin sakramental specifik në pendesën e krishterë. Në lidhje me bashkëshortët Pali VI në Enciklikën Humanae vitae shkruante kështu: “Nëse mëkati vazhdon të jetë i pranishëm mes tyre, të mos ligështohen, por t’i drejtohen me një ngulmim të përvuajtur mëshirës së Hyjit, që u jepet me bollëk në sakramentin e Pendesës”[146].

Kremtimi i këtij sakramenti merr një domethënie të veçantë për jetën familjare: ndërsa në fe zbulojnë se si mëkati e kundërshton jo vetëm besëlidhjen me Hyjin, por edhe besëlidhjen e bashkëshortëve dhe bashkësinë e familjes, bashkëshortët dhe të gjithë anëtarët e familjes janë të drejtuar nga takimi me Hyjin “të pasur me mëshirë”[147], i cili, duke dhuruar dashurinë që është më e fuqishme se mëkati[148], rindërton dhe përsos besëlidhjen bashkëshortore e bashkësinë familjare.

 

 Lutja familjare

 

59. Kisha lutet për familjen e krishterë dhe e edukon atë për të jetuar në një koherencë bujare me dhuratën e detyrën meshtarake, që merr prej Krishtit Kryeprift. Në të vërtetë, meshtaria pagëzimore e besimtarëve, e jetuar në martesën-sakrament, për bashkëshortët dhe për familjen përbën themelin e një thirrjeje e të një misioni meshtarak, prej të cilëve jeta e tyre e përditshme shndërrohet në “fli shpirtërore që i pëlqen Hyjit nëpër Jezu Krishtin”[149]: kjo ndodh jo vetëm me kremtimin e Eukaristisë dhe të sakramenteve të tjera, me flijimin e vetvetes për lavdinë e Hyjit, por edhe me jetën e lutjes, me bashkëbisedimin lutës me Atin nëpër Jezu Krishtin në Shpirtin Shenjt.

Lutja familjare ka karakteristikat e veta. Është një lutje e bërë bashkarisht, burrë e grua së bashku, prindër e fëmijë së bashku. Bashkimi në lutje është njëkohësisht fryt dhe kërkesë e asaj bashkësie që dhurohet prej sakramenteve të pagëzimit dhe të kurorës së martesës. Për anëtarët e familjes së krishterë mund të vlejnë në mënyrë të veçantë fjalët me të cilat Zoti Jezus premton praninë e Tij. “Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo sendi, Ati im që është në qiell, do t’ua japë. Sepse, ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre”[150].

Kjo lutje ka si përmbajtje të veçantë vetë jetën e familjes, që në të gjitha rrethanat e saja ftillohet si thirrje e Hyjit dhe jetohet si përgjigje birnore ndaj thirrjes së Tij: gëzimet dhe dhimbjet, shpresat dhe trishtimet, lindjet dhe ditëlindjet, përvjetorët e martesës së prindërve, nisjet, largësitë dhe kthimet, zgjedhjet e rëndësishme dhe vendimtare, vdekja e personave të dashur, etj. shënojnë ndërhyrjen e dashurisë së Hyjit në historinë e familjes, ashtu si duhet të shënojnë momentin e favorshëm për falënderim dhe lutje, për braktisjen plot besim të familjes në duart e Atit të përbashkët që është në qiell. Pastaj, dinjiteti dhe përgjegjësia e familjes së krishterë si Kishë shtëpiake mund të jetohen vetëm me ndihmën e pareshtur të Hyjit, që do t’u jepet patjetër, nëse kjo ndihmë do të kërkohet me përvujtëri e besim në lutje.

  

Edukatorë të lutjes

 

60. Me anë të dinjitetit e misionit të tyre, prindërit e krishterë kanë detyrën specifike t’i edukojnë fëmijët e tyre në lutje, t’i fusin në zbulimin shkallë-shkallë të misterit të Hyjit dhe në bashkëbisedimin personal me Të: “Sidomos në familjen e krishterë, të pasuruar me hirin dhe misionin e martesës-sakrament, fëmijët qysh në moshë të njomë duhet të mësojnë të perceptojnë ndjenjën e Hyjit dhe ta nderojnë e ta duan të afërmin sipas fesë që kanë marrë në pagëzim”[151].

Element themelor dhe i pazëvendësueshëm i edukimit në lutje është shembulli konkret, dëshmia e gjallë e prindërve: vetëm duke u lutur së bashku me fëmijët, babai dhe nëna, ndërsa çojnë në plotësi meshtarinë e tyre mbretërore, zbresin në thellësinë e zemrës së fëmijëve të tyre, duke lënë gjurmë që ngjarjet e ardhshme të jetës nuk do të mund t’i fshijnë. Ta dëgjojmë përsëri thirrjen që Pali VI u ka drejtuar prindërve: “O ju nëna, a ua mësoni fëmijëve tuaj lutjet themelore të të krishterit? A i përgatitni, në harmoni me Meshtarët, fëmijët tuaj për sakramentet e moshës së re: rrëfim, kungim, krezmim? A i mësoni, nëse janë të sëmurë, të mendojnë për Krishtin e munduar? Të kërkojnë ndihmën e Zojës dhe të Shenjtërve? A e thoni Rruzaren në familje? Po ju, baballarë, a dini të luteni bashkë me fëmijët tuaj, me mbarë bashkësinë familjare, të paktën ndonjëherë? Shembulli juaj, në drejtësinë e mendimit e të veprimit, i mbështetur nga lutja e përbashkët, vlen si mësim jete, vlen si një vepër kulti shumë të denjë; çojeni kështu paqen brenda mureve të shtëpisë: “Pax huic domui!”. Mos harroni: duke vepruar kështu ndërtoni Kishën!”[152].

 

 Lutja liturgjike dhe private

 

61. Mes lutjes së Kishës dhe asaj të secilit besimtar ka një marrëdhënie të thellë e jetësore, siç ka pohuar qartë Koncili II i Vatikanit[153]. Një synim i rëndësishëm i lutjes së Kishës shtëpiake është që të përbëjë për fëmijët, hyrjen e natyrshme në lutjen liturgjike të mbarë Kishës, si të përgatitjes për të, ashtu edhe të shtrirjes së saj në rrethin e jetës personale, familjare e shoqërore. Prej këtu rrjedh nevoja e një pjesëmarrjeje gjithnjë në rritje e të gjithë anëtarëve të familjes së krishterë në Eukaristi, sidomos ditën e diel dhe të festës së urdhëruar, dhe në sakramentet e tjera, në veçanti në ata të fillimit të jetës së krishterë të fëmijëve. Udhëzimet konciliare i kanë hapur një mundësi të re familjes së krishterë, që është numëruar ndër grupet të cilëve u porositet kremtimi i përbashkët i Uficit hyjnor[154]. Gjithashtu, do të jetë në kujdesin e familjes së krishterë të kremtojë, edhe në shtëpi e në formë të përshtatshme për anëtarët e saj, kohët dhe të kremtet e vitit liturgjik.

Për të përgatitur e për të vazhduar edhe në shtëpi kultin e kremtuar në Kishë, familja e krishterë bën lutjen private, që paraqet një larmi të madhe formash: kjo larmi, ndërsa dëshmon një pasuri të jashtëzakonshme, u vjen në ndihmë kërkesave e situatave të ndryshme të jetës së atyre që i drejtohen Zotit. Përveç lutjes së mëngjesit dhe të mbrëmjes, duhen këshilluar shprehimisht, duke ndjekur edhe udhëzimet e Etërve Sinodalë: leximi dhe meditimi i Fjalës së Hyjit, përgatitja për sakramentet, devocioni dhe kushtimi Zemrës së Jezusit, format e ndryshme të kultit ndaj Virgjërës së Shenjtë, bekimi i bukës, zbatimi i përshpirtërisë popullore.

Duke respektuar lirinë e bijve të Hyjit, Kisha u ka parashtruar dhe vazhdon t’u parashtrojë besimtarëve disa lutje me një zell e këmbëngulje të veçantë. Ndër këto duhet kujtuar thënia e Rruzares: “Tani, në vazhdimësi me Paraardhësit tanë, duam të porosisim gjallërisht thënien e Rruzares së shenjtë në familje… Nuk ka dyshim se Rruzarja e së Lumes Virgjërës Mari duhet mbajtur si njëra prej lutjeve të përbashkëta më të shkëlqyera e të efektshme, që familja e krishterë është e ftuar të thotë. Ne, në të vërtetë, duam të mendojmë dhe urojmë me gjithë zemër që, kur takimi familjar bëhet kohë lutjeje, Rruzarja të jetë shprehja e shpeshtë dhe e pëlqyeshme e saj”[155]. Kështu devocioni i përnjëmendtë ndaj Marisë, që shprehet në lidhjen e sinqertë dhe në ndjekjen bujare të qëndrimeve shpirtërore të Virgjërës së Shenjtë, përbën një mjet të privilegjuar për të ushqyer bashkësinë e dashurisë së familjes dhe për të zhvilluar përshpirtërinë bashkëshortore e familjare. Ajo, Nëna e Krishtit dhe Nëna e Kishës, në të vërtetë, është në mënyrë të veçantë edhe Nëna e familjeve të krishtera, Kishave shtëpiake.

 

Lutja dhe jeta

 

62. Nuk duhet të harrojmë kurrë se lutja është pjesë përbërëse thelbësore e jetës së krishterë, marrë në tërësinë dhe qendërsinë e saj, madje i përket vetë “njerëzisë” tonë: është “shprehja e parë e të vërtetës së brendshme të njeriut, kushti i parë i lirisë së përnjëmendtë të shpirtit”[156].

Prandaj lutja nuk përfaqëson aspak një ikje prej angazhimit të përditshëm, por përbën shtytjen më të fortë që familja e krishterë të marrë përsipër dhe të kryejë plotësisht të gjitha përgjegjësitë e veta si qelizë e parë dhe themelore e shoqërisë njerëzore. Në këtë kuptim, pjesëmarrja reale në jetën dhe në misionin e Kishës në botë është në përpjesëtim me besnikërinë dhe dendësinë e lutjes me të cilën familja e krishterë bashkohet me Hardhinë pjellore, që është Krishti Zot[157].

Prej bashkimit jetësor me Krishtin, ushqyer prej Liturgjisë, dhurimit të vetvetes dhe lutjes, rrjedh edhe pjelloria e familjes së krishterë në shërbimin e saj specifik të nxitjes njerëzore, që në vetvete nuk mund të mos çojë në shndërrimin e botës[158].

 

 

3. Familja e krishterë, bashkësi në shërbim të njeriut

 

Urdhërimi i ri i dashurisë

 

63. Kisha, popull profetik-meshtarak-mbretëror, ka misionin t’i çojë të gjithë njerëzit për ta mirëpritur në fe Fjalën e Hyjit, ta kremtojë dhe ta dëshmojë atë në sakramente e në lutje, dhe së fundi ta shfaqë në konkretësinë e jetës sipas dhuratës dhe urdhërimit të ri të dashurisë.

Jeta e krishterë e gjen ligjin e vet jo në një kod të shkruar, por në veprimin personal të Shpirtit Shenjt që frymëzon e udhëheq të krishterin, domethënë në “Ligjin e Shpirtit Shenjt që më jep jetën në Jezu Krishtin”[159]: “Dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua”[160].

Kjo ka vlerë edhe për çiftin dhe për familjen e krishterë: udhërrëfyesi dhe norma e tyre është Shpirti i Jezusit, zbritur në zemrat e bashkëshortëve me kremtimin e sakramentit të kurorës së martesës. Në vazhdimësi me pagëzimin në ujë dhe në Shpirt, kurora e martesës ripropozon ligjin ungjillor të dashurisë dhe me dhuratën e Shpirtin e gdhend më thellë në zemrën e bashkëshortëve të krishterë: dashuria e tyre e pastruar dhe e shpëtuar, është fryt i Shpirtit, që vepron në zemrën e besimtarëve, dhe në të njëjtën kohë, vendoset si urdhërim themelor i jetës morale që i kërkohet lirisë së tyre të përgjegjshme.

Kështu, familja e krishterë gjallërohet e udhëhiqet prej ligjit të ri të Shpirtit Shenjt e në bashkësi intime me Kishën, popullin mbretëror, dhe është e thirrur ta jetojë “shërbimin” e vet të dashurisë ndaj Hyjit dhe ndaj vëllezërve. Ashtu sikurse Krishti e ushtron pushtetin e Tij mbretëror duke u vënë në shërbim të njerëzve[161], po kështu i krishteri gjen domethënien e përnjëmendtë të pjesëmarrjes së tij në mbretërimin e Zotit të vet në bashkëndarjen e shpirtit dhe të sjelljes së shërbimit në lidhje me njeriun: «Këtë pushtet Ai (Krishti) ua ka komunikuar nxënësve, që edhe ata të vendosen në lirinë mbretërore dhe me mohimin e vetes e me jetën e shenjtë ta mposhtin në veten e tyre mbretërinë e mëkatit (krh. Rom 6, 12), madje, duke i shërbyer Krishtit në të tjerët, me përvujtëri dhe durim t’i drejtojnë vëllezërit e vet te Mbreti, t’i shërbesh të cilit do të thotë të mbretërosh. Në të vërtetë, Zoti dëshiron ta zgjerojë mbretërinë e Vet edhe nëpërmjet besimtarëve laikë, domethënë mbretërinë “e së vërtetës dhe të jetës, mbretërinë e shenjtërisë dhe të hirit”; në këtë mbretëri edhe vetë krijesat do të lirohen prej skllavërisë së shkatërrimit për të marrë pjesë në lirinë e lavdishme të bijve të Hyjit (krh. Rom 8, 21)»[162].

 

 Të zbulosh në çdo vëlla shëmbëlltyrën e Hyjit

 

64. E gjallëruar dhe e mbështetur prej urdhërimit të ri të dashurisë, familja e krishterë jeton mirëpritjen, respektin, shërbimin ndaj çdo njeriu, i cili gjithmonë vlerësohet në dinjitetin e vet si person dhe bir i Hyjit.

Kjo duhet të ndodhë, para së gjithash, brenda dhe në dobi të çiftit e të familjes, nëpërmjet angazhimit të përditshëm për të nxitur një bashkësi të përnjëmendtë personash, të bazuar e të ushqyer prej bashkësisë së brendshme të dashurisë. Kjo pastaj duhet të zhvillohet brenda rrethit më të gjerë të bashkësisë kishtare, brenda së cilës familja e krishterë përfshihet: falë dashurisë së familjes, Kisha mund dhe duhet të marrë një dimension më shtëpiak, domethënë më familjar, duke marrë një stil më njerëzor e vëllazëror marrëdhëniesh.

Dashuria shkon përtej vëllezërve në fe, sepse “çdo njeri është vëllai im”; në secilin, sidomos nëse është i varfër, i dobët, i vuajtur dhe i trajtuar padrejtësisht, dashuria di të zbulojë fytyrën e Krishtit dhe një vëlla për ta dashur dhe për t’i shërbyer.

Që shërbimi ndaj njeriut të jetohet prej familjes sipas stilit ungjillor, do të duhet të vihet në jetë me kujdes ajo që shkruan Koncili II i Vatikanit: “Me qëllim që ky shërbim dashurie të mund të jetë mbi çdo dyshim dhe të shfaqet si i tillë, të shihet në të afërmin shëmbëlltyra e Hyjit sipas së cilës është krijuar, dhe Krishti Zot të cilit vërtet i dhurohet ajo që i dhurohet nevojtarit”[163].

Familja e krishterë, ndërsa në dashuri ndërton Kishën, vihet në shërbim të njeriut dhe të botës, duke vënë në jetë vërtet atë “nxitje njerëzore”, përmbajtja e së cilës është përmbledhur në Mesazhin e Sinodit drejtuar familjeve: “Një detyrë tjetër e familjes është ajo e formimit të njerëzve në dashuri dhe e praktikimit të dashurisë në çdo marrëdhënie me të tjerët, që ajo të mos mbyllet në vetvete, por të mbetet e hapur ndaj bashkësisë, duke qenë e nxitur prej ndjenjës së drejtësisë dhe prej kujdesit ndaj të tjerëve, si dhe prej detyrës së përgjegjësisë së vet ndaj krejt shoqërisë”[164].

 

 

 

Pjesa e Katërt

 

 

BARITORJA FAMILJARE:

KOHËT, STRUKTURAT, VEPRUESIT DHE SITUATAT

 

 

I – Kohë të Baritores Familjare

 

Kisha e shoqëron familjen e krishterë në ecjen e saj

 

65. Si çdo realitet i gjallë, edhe familja është e thirrur të zhvillohet e të rritet. Pas përgatitjes së fejesës dhe kremtimit sakramental të kurorës së martesës, çifti fillon ecjen e përditshme drejt vënies në jetë shkallë-shkallë të vlerave dhe të detyrave të vetë martesës.

Në dritën e fesë dhe në virtytin e shpresës, edhe familja e krishterë, në bashkësi me Kishën, merr pjesë në përvojën e shtegtimit tokësor drejt zbulimit dhe realizimit të plotë të Mbretërisë së Hyjit.

Prandaj duhet theksuar edhe një herë ngutshmëria e ndërhyrjes baritore të Kishës në mbështetje të familjes. Duhet bërë çdo përpjekje që baritorja e familjes të përhapet e të zhvillohet, duke iu kushtuar një sektori vërtet parësor, me sigurinë se ungjillëzimi, në të ardhmen, varet në një pjesë të madhe prej Kishës shtëpiake[165].

Kujdesi baritor i Kishës nuk do të kufizohet vetëm në familjet e krishtera më të afërta, por, duke i zgjeruar horizontet e veta sipas masës së Zemrës së Krishtit, do të tregohet edhe më i gjallë për tërësinë e familjeve në përgjithësi, dhe, në veçanti, për ato që gjenden në situata të vështira apo të parregullta. Për të gjitha këto familje Kisha do të ketë një fjalë të vërtete, mirësie, kuptimi, shprese, pjesëmarrjeje të gjallë në vështirësitë e tyre nganjëherë dramatike; të gjithave do t’u japë ndihmën e vet të painteres me qëllim që të mund t’i afrohen modelit të familjes, që Krijuesi ka dashur qysh prej “fillimit” dhe që Krishti ka përtërirë me hirin e Vet shpërblyes.

Veprimi baritor i Kishës duhet të jetë shkallë-shkallë, edhe në kuptimin se duhet ta ndjekë familjen, duke e shoqëruar hap pas hapi në etapat e ndryshme të formimit dhe të zhvillimit të saj.

 

 Përgatitja

 

66. Në ditët tona është më e nevojshme se kurrë përgatitja e të rinjve për martesë dhe për jetën familjare. Në disa vende janë edhe vetë familjet që, sipas zakoneve të lashta, kujdesen për t’u përçuar të rinjve vlerat që i përkasin jetës martesore e familjare, nëpërmjet një vepre edukimi apo fillimi të jetës së krishterë të bërë shkallë-shkallë. Por ndryshimet e ndodhura në gjirin e gati të gjitha shoqërive moderne kërkojnë që jo vetëm familja, por edhe shoqëria e Kisha të jenë të angazhuara në përpjekjen për t’i përgatitur siç duhet të rinjtë për përgjegjësitë e të nesërmes së tyre. Shumë dukuri negative që shfaqen sot në jetën familjare rrjedhin prej faktit se, në situatat e reja, të rinjtë jo vetëm e humbin prej sysh hierarkinë e vlerave, por, duke mos pasur më kritere të sigurta sjelljeje, nuk dinë më t’i përballojnë e t’i zgjidhin vështirësitë e reja. Por përvoja mëson se të rinjtë e përgatitur mirë për jetën familjare, në përgjithësi kanë më sukses se të tjerët.

Kjo vlen edhe më shumë për martesën e krishterë, ndikimi i së cilës shtrihet mbi shenjtërinë e shumë burrave e grave. Prandaj Kisha duhet të nxisë programe më të mira e më të shpeshta përgatitjeje për martesë, për të shmangur, sa më shumë që të jetë e mundur, vështirësitë në të cilat bien shumë çifte, si dhe për të përkrahur pozitivisht lindjen dhe pjekjen e martesave të suksesshme.

Përgatitja për martesë duhet parë e zbatuar si një proces i shkallëzuar dhe i vazhdueshëm. Në të vërtetë, ajo përbëhet prej tre momentesh themelorë: një përgatitje të largët, një të afërt e një të menjëhershme.

Përgatitja e largët fillon qysh prej fëmijërisë, në atë pedagogji të urtë familjare, që i orienton fëmijët për ta zbuluar vetveten si qenie të pajisura me një psikologji të pasur e komplekse, me një personalitet të veçantë, me forcat dhe dobësitë e veta. Është periudha në të cilën ngjallet vlerësimi për çdo vlerë të përnjëmendtë njerëzore, qoftë në marrëdhëniet ndërpersonale, qoftë në ato shoqërore, me gjithë atë që do të thotë kjo për formimin e karakterit, për zotërimin dhe përdorimin e drejtë të prirjeve personale, për mënyrën e të vlerësuarit dhe të të takuarit të personave të gjinisë tjetër, e kështu me radhë. Veç kësaj, veçanërisht për të krishterët, kërkohet një formim i shëndoshë shpirtëror e kateketik, që di të tregojë në martesën një thirrje e një mision të veçantë, pa përjashtuar mundësinë e dhurimit të plotë të vetvetes Hyjit në thirrjen për jetë meshtarake apo rregulltare.

Më pas, mbi këtë bazë do t’i hedhë gjerësisht themelet, përgatitja e afërt, e cila – prej moshës së përshtatshme dhe me katekezën e duhur, si në një ecje katekumenale – përmban një përgatitje më specifike për sakramentet, pothuajse një rizbulim të tyre. Kjo katekezë e përtërirë e atyre që përgatiten për martesën e krishterë është shumë e nevojshme, me qëllim që sakramenti të kremtohet e të jetohet me gatishmëritë e duhura morale e shpirtërore. Formimi fetar i të rinjve duhet të integrohet, në momentin e përshtatshëm dhe sipas nevojave të ndryshme konkrete, prej një përgatitjeje për jetën në çift që, duke e paraqitur martesën si një marrëdhënie ndërpersonale të burrit e të gruas që duhet të zhvillohet vazhdimisht, të nxisë thellimin e problemeve të seksualitetit bashkëshortor dhe të atësisë së përgjegjshme, me njohuritë mjeko-biologjike thelbësore që lidhen me të, dhe të fusë në familjaritet me metodat e drejta të edukimit të fëmijëve, duke ndihmuar marrjen e elementeve bazë për një drejtim të orientuar të familjes (puna e qëndrueshme, mjetet e mjaftueshme financiare, administrimi i urtë, nocionet e ekonomisë shtëpiake, etj.).

Së fundi, nuk duhet lënë pas dore përgatitja për apostullimin familjar, për vëllazërinë e bashkëpunimin me familjet e tjera, për përfshirjen vepruese në grupe, shoqata, lëvizje e nisma që kanë për qëllim të mirën njerëzore e të krishterë të familjes.

Përgatitja e menjëhershme për kremtimin e sakramentit të kurorës së martesës duhet të bëhet në muajt dhe javët e fundit që i paraprijnë dasmës për t’i dhënë domethënie, përmbajtje e formë të re të ashtuquajturit shqyrtim paramartesor kërkuar prej të drejtës kanonike. Gjithmonë e nevojshme për çdo rast, kjo përgatitje kërkohet me një nxitje më të madhe për ata të fejuar që paraqesin ende mangësi e vështirësi në doktrinën dhe në praktikën e krishterë.

Mes elementeve që duhen komunikuar në këtë ecje feje, të ngjashme me katekumenatin, duhet të jetë edhe një njohje e thelluar e misterit të Krishtit dhe të Kishës, të domethënieve të hirit e të përgjegjësisë së martesës së krishterë, si dhe përgatitja për të marrë pjesë në mënyrë vepruese e të përgjegjshme në ritet e liturgjisë së kurorës së martesës.

Në fazat e ndryshme të përgatitjes për martesë – që i kemi përshkruar vetëm në linja të mëdha treguese – duhet të ndihen të angazhuara familja e krishterë dhe krejt bashkësia kishtare. Është e dëshirueshme që konferencat ipeshkvnore, të interesuara siç janë për nismat e përshtatshme për t’i ndihmuar bashkëshortët e ardhshëm që të jenë më të vetëdijshëm për seriozitetin e zgjedhjes së tyre dhe barinjtë e shpirtrave që të sigurohen për gatishmërinë e duhur të tyre, po ashtu të kujdesen që të nxirret një Direttorio per la pastorale della famiglia (Udhëzues për baritoren e familjes). Në të do të duhet të caktohen, para së gjithash, elementet minimalë të përmbajtjes, të kohëzgjatjes dhe të metodës së “Kurseve të përgatitjes”, duke ekuilibruar mes tyre aspektet e ndryshme – doktrinale, pedagogjike, ligjore e mjekësore – që kanë lidhje me martesën, dhe duke i strukturuar në atë mënyrë që ata që përgatiten për martesë, përveç një thellimi intelektual, të ndihen të shtytur për t’u futur gjallërisht në bashkësinë kishtare. Meqenëse karakteri i domosdoshmërisë dhe i detyrueshmërisë së përgatitjes së drejtpërdrejtë për martesë nuk duhet nënvleftësuar – ajo që do të ndodhte nëse do të jepej lehtë leja – përgatitja duhet të parashtrohet e të zbatohet gjithmonë në mënyrë që lënia pas dore e mundshme e saj të mos jetë pengesë për kremtimin e kurorës së martesës.

 

 Kremtimi

 

67. Martesa e krishterë kërkon normalisht një kremtim liturgjik, që të shprehë në formë shoqërore e të bashkësisë natyrën thelbësisht kishtare e sakramentale të besëlidhjes bashkëshortore mes të pagëzuarve.

Si gjest sakramental shenjtërimi, kremtimi i kurorës së martesës – i futur në liturgji, që është kulmi i krejt veprimit të Kishës dhe burimi i forcës së saj shenjtëruese[166] – duhet të jetë në vetvete i vlefshëm, i denjë dhe i frytshëm. Këtu hapet një fushë e gjerë për kujdesin baritor, me qëllim që të plotësohen krejtësisht kërkesat që rrjedhin prej natyrës së besëlidhjes bashkëshortore të lartësuar në sakrament, dhe gjithashtu të zbatohet besnikërisht disiplina e Kishës për sa i përket pranimit të lirë, pengesave, formës kanonike dhe vetë ritit të kremtimit. Ky i fundit duhet të jetë i thjeshtë dhe të hijshëm, sipas normave të autoriteteve kompetente të Kishës, të cilave u takon – sipas rrethanave konkrete të kohës e të vendit dhe në përputhje me normat e caktuara prej Selisë së Shenjtë[167] – të përdorin, nëse është nevoja, në kremtimin liturgjik ato elemente karakteristike të secilës kulturë, që vlejnë për të shprehur më mirë domethënien e thellë njerëzore e fetare të besëlidhjes bashkëshortore, mjafton që të mos përmbajnë asgjë të papërshtatshme për fenë dhe moralin e krishterë.

Si shenjë, kremtimi liturgjik duhet të kryhet në mënyrë që të përbëjë, edhe në realitetin e vet të jashtëm, një shpallje të Fjalës së Hyjit dhe një dëshmi feje të bashkësisë së besimtarëve. Angazhimi baritor do të shprehet këtu me kujdesin e mençur dhe të zellshëm të “Liturgjisë së Fjalës” dhe me edukimin në fe të pjesëmarrësve në kremtim dhe, në rend të parë, të kandidatëve për martesë.

Si gjest sakramental i Kishës, kremtimi liturgjik i kurorës së martesës duhet të përfshijë bashkësinë e krishterë, me pjesëmarrjen e plotë, vepruese e të përgjegjshme të të gjithë të pranishmëve, sipas vendit dhe detyrës së secilit: bashkëshortët, meshtari, dëshmitarët, të afërmit, miqtë, besimtarët e tjerë, të gjithë anëtarët e një asambleje që shfaq dhe jeton misterin e Krishtit dhe të Kishës së Tij.

Për kremtimin e martesës së krishterë në mjedisin e kulturave apo të traditave stërgjyshore, të ndiqen parimet e lartpërmendura.

  

Kremtimi i kurorës së martesës dhe ungjillëzimi i të pagëzuarve jobesimtarë

 

68. Pikërisht sepse në kremtimin e sakramentit një vëmendje krejt e veçantë u kushtohet gatishmërive morale e shpirtërore të kandidatëve për martesë, në veçanti fesë së tyre, këtu duhet të përballohet një vështirësi jo e rrallë, në të cilën mund të gjenden barinjtë e Kishës në kontekstin e shoqërisë sonë të shekullarizuar.

Në të vërtetë, feja e atij që i kërkon Kishës të martohet mund të ekzistojë në nivele të ndryshme dhe është detyrë parësore e barinjve t’i bëjë ata që ta rizbulojnë, ta ushqejnë dhe ta bëjnë të pjekur këtë fe. Por ata duhet edhe t’i kuptojnë arsyet që e shtyjnë Kishën t’i pranojë në kremtim edhe ata që janë të gatshëm në mënyrë jo të përsosur.

Sakramenti i martesës ka këtë të veçantë mes gjithë të tjerëve: është sakramenti i një realiteti që ekziston qysh në ekonominë e krijimit, është e njëjta besëlidhje bashkëshortore e themeluar prej vetë Krijuesit “në fillim”. Pra vendimi i burrit dhe i gruas për t’u martuar sipas këtij plani hyjnor, domethënë vendimi për ta angazhuar në pranimin e pakthyeshëm bashkëshortor krejt jetën e tyre në një dashuri të pazgjidhshme dhe në një besnikëri të pakushtëzuar, realisht sjell, edhe pse jo në mënyrë plotësisht të vetëdijshme, një qëndrim dëgjese të thellë ndaj vullnetit të Hyjit, që nuk mund të jepet pa hirin e Tij. Prandaj, ata tashmë janë të përfshirë në një ecje të vërtetë shpëtimi, që kremtimi i sakramentit dhe përgatitja e menjëhershme mund ta plotësojnë dhe ta përfundojnë, duke pasur parasysh sinqeritetin e qëllimit të tyre.

Nga ana tjetër, është e vërtetë se, në disa vende, arsye me karakter më shumë shoqëror sesa përnjëmend fetar i nxisin të fejuarit të kërkojnë të martohen në Kishë. Kjo gjë nuk na çudit. Në të vërtetë, martesa nuk është ngjarje që u përket vetëm atyre që martohen. Ajo, për vetë natyrën e saj, është një fakt edhe shoqëror, që i angazhon bashkëshortët para shoqërisë. Dhe gjithmonë kremtimi i saj ka qenë një festë, që bashkon familjet dhe miqtë. Pra, kuptohet se arsye shoqërore futen, së bashku me arsye personale, në kërkesën për t’u martuar në Kishë. Megjithatë, nuk duhet harruar se këta të fejuar, për arsye të pagëzimit të tyre, janë realisht të përfshirë në Besëlidhjen martesore të Krishtit me Kishën dhe se, prej qëllimit të tyre të sinqertë, kanë pranuar planin e Hyjit mbi martesën dhe, pra, të paktën në mënyrë të nënkuptuar, e pranojnë edhe atë që Kisha ka qëllim të bëjë kur kremton kurorën e martesës. Pra, vetëm fakti se në këtë kërkesë hyjnë edhe motive me karakter shoqëror nuk e arsyeton një mospranim të mundshëm nga ana e barinjve. Në fund të fundit, siç ka mësuar Koncili II i Vatikanit, sakramentet me fjalët dhe elementet ritual e ushqejnë dhe e forcojnë fenë[168]: atë fe drejt së cilës të fejuarit tashmë janë nisur nëpërmjet sinqeritetit të qëllimit të tyre, që hiri i Krishtit nuk e lë pa e përkrahur dhe pa e mbështetur.

Dëshira për të caktuar kritere të mëtejshme për pranimin në kremtimin kishtar të kurorës së martesës, që do të duhej të kishin të bënin me shkallën e fesë së kandidatëve për martesë, sjell përveç të tjerave edhe rreziqe të mëdha. Para së gjithash atë të dhënies së gjykimeve të pabazuara dhe diskriminuese; pastaj, rrezikun për të ngritur dyshime mbi vlefshmërinë e martesave të kremtuara, me një dëm të rëndë për bashkësitë e krishtera, dhe të shqetësimeve të tjera të pajustifikuara për ndërgjegjen e bashkëshortëve; do të bihej në rrezikun e kundërshtimit apo të vënies në dyshim të sakramentalitetit të shumë martesave të vëllezërve të ndarë prej bashkësisë së plotë me Kishën katolike, duke e kundërshtuar kështu traditën kishtare.

Përkundrazi, kur pavarësisht prej çdo përpjekjeje të bërë, kandidatët për martesë tregojnë se nuk e pranojnë në mënyrë të hapur e formale atë që Kisha ka ndërmend të kryejë kur kremtohet kurora e martesës së të pagëzuarve, bariu i shpirtrave nuk mund t’i pranojë në kremtim. Edhe pse me keqardhje, ai ka për detyrë të marrë parasysh situatën dhe t’i bëjë të kuptojnë të interesuarit se, meqë gjërat janë kështu, nuk është Kisha, por janë ata vetë që e pengojnë këtë kremtim, të cilin megjithatë kërkojnë.

Edhe një herë shfaqet në gjithë ngutshmërinë e vet nevoja e një ungjillëzimi dhe katekeze para dhe pas-martesore, të vëna në jetë nga krejt bashkësia e krishterë, që çdo burrë e çdo grua që martohen, ta kremtojnë sakramentin e kurorës së martesës jo vetëm në mënyrë të vlefshme, por edhe në mënyrë të frytshme.

  

Baritorja pas-martesore

 

69. Kujdesi baritor për familjen e formuar në mënyrë të rregullt, konkretisht do të thotë angazhim i të gjithë përbërësve të bashkësisë kishtare lokale për ta ndihmuar çiftin që ta zbulojë e ta jetojë thirrjen dhe misionin e vet të ri. Që familja të bëhet gjithnjë e më shumë bashkësi e vërtetë dashurie, është e nevojshme që të gjithë anëtarët e saj të ndihmohen e të formohen në përgjegjësitë e tyre përballë problemeve të reja që paraqiten, në shërbimin e ndërsjellë, në bashkëpjesëmarrjen vepruese në jetën e familjes.

Kjo vlen sidomos për familjet e reja, të cilat, duke u gjendur në një kontekst vlerash dhe përgjegjësish të reja, sidomos në vitet e para të martesës, përballen me vështirësi të mundshme, si ato të krijuara prej përshtatjes me jetën e përbashkët apo prej lindjes së fëmijëve. Bashkëshortët e rinj duhet të dinë ta pranojnë përzemërsisht dhe ta vlerësojnë me mençuri ndihmën e drejtë, delikate e bujare të çifteve të tjera, që tashmë prej kohësh janë duke bërë përvojën e martesës dhe të familjes. Kështu në gjirin e bashkësisë kishtare – familje e madhe e formuar prej familjeve të krishtera – do të vihet në jetë një këmbim i ndërsjellë pranie dhe ndihme mes të gjitha familjeve, secila duke vënë në shërbim të tjetrës përvojën e vet njerëzore, sikurse edhe dhuratat e fesë e të hirit. E ndihmuar prej shpirtit apostolik, kjo ndihmë mes familjeve do të përbëjë njërën prej mënyrave më të thjeshta, më të efektshme dhe më të mundshme për të gjithë, që t’i përhapin në mënyrë të dendur ato vlera të krishtera, që janë pikënisja dhe pikarritja e çdo kujdesi baritor. Në këtë mënyrë familjet e reja nuk do të kufizohen vetëm duke marrë, por nga ana e tyre, të ndihmuara kështu, do të bëhen burim i pasurimit për familjet e tjera, të formuara prej kohësh, me dëshminë e tyre të jetës dhe ndihmesën e tyre vepruese.

Pastaj, në veprimin baritor ndaj familjeve të reja, Kisha duhet t’u kushtojë atyre një vëmendje specifike për t’i edukuar që ta jetojnë në mënyrë të përgjegjshme dashurinë bashkëshortore në lidhje me kërkesat e saj të bashkësisë dhe të shërbimit ndaj jetës, si edhe të pajtojnë intimitetin e jetës së shtëpisë me veprën e përbashkët dhe bujare për ndërtimin e Kishës dhe të shoqërisë njerëzore. Kur, me lindjen e fëmijëve, çifti bëhet në kuptimin e plotë dhe specifik një familje, Kisha do të jetë ende afër prindërve që ata t’i pranojnë fëmijët e tyre dhe t’i duan si dhuratë e marrë prej Zotit të jetës, duke marrë përsipër me gëzim mundimin për t’u shërbyer në rritjen e tyre njerëzore e të krishterë.

  

 

II – Struktura të Baritores Familjare

 

Veprimi baritor është gjithmonë shprehje dinamike e realitetit të Kishës, e cila është e angazhuar në misionin e vet të shpëtimit. Edhe baritorja familjare – formë e veçantë dhe specifike e baritores – ka si parim të vetin veprues dhe si protagoniste përgjegjëse vetë Kishën, nëpërmjet strukturave dhe vepruesve të saj.

 

 Bashkësia kishtare dhe famullia në veçanti

 

70. Bashkësi njëkohësisht e shpëtuar dhe shpëtuese, Kisha duhet të shihet këtu në dimensionin e vet të dyfishtë, të gjithmbarshëm dhe të veçantë: ky shprehet dhe jetohet në bashkësinë dioqezane, të ndarë nga ana baritore në bashkësi më të vogla ndër të cilat dallohet, për rëndësinë e vet të veçantë, famullia.

Bashkësia me Kishën e gjithmbarshme nuk zhdukë, por garanton e nxit qëndrueshmërinë dhe veçantinë e Kishave të ndryshme të veçanta; këto të fundit mbeten subjekti veprues më i drejtpërdrejtë dhe më i efektshëm për vënien në jetë të baritores familjare. Në këtë kuptim çdo Kishë lokale dhe, në terma më të veçantë, çdo bashkësi famullitare duhet të vetëdijësohet gjallërisht për hirin dhe përgjegjësinë që merr prej Zotit për nxitjen e baritores së familjes. Çdo plan i baritores organike, në çdo nivel, nuk duhet të heqë dorë kurrë prej vlerësimit të baritores së familjes.

Në dritën e kësaj përgjegjësie duhet kuptuar edhe rëndësia e një përgatitjeje të përshtatshme nga ana e atyre që do të angazhohen në mënyrë më specifike në këtë lloj apostullimi. Meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, qysh prej kohës së formimit të tyre, orientohen e formohen në mënyrë progresive dhe të përshtatshme për detyrat përkatëse. Ndër nismat e tjera më pëlqen të theksoj krijimin kohët e fundit në Romë, pranë Universitetit Papnor në Lateran, të një Instituti të Lartë kushtuar studimit të problemeve të familjes. Edhe në disa dioqeza janë themeluar Institute të këtij lloji; Ipeshkvijtë duhet të angazhohen që një numër sa më i madh meshtarësh, para se të marrin përsipër përgjegjësi famullitare, t’i ndjekin këto kurse të specializuara. Në vendet e tjera, kurset e formimit të mbahen periodikisht pranë Instituteve të Larta të studimeve teologjike e baritore. Këto nisma duhen nxitur, mbështetur, shumuar dhe hapur, natyrisht, edhe ndaj laikëve që do të ofrojnë veprën e tyre profesionale (mjekësore, ligjore, psikologjike, shoqërore, edukative) në ndihmë të familjeve.

  

Familja

 

71. Por sidomos duhet t’i njihet vendi i veçantë që, në këtë fushë, i takon misionit të bashkëshortëve dhe familjeve të krishtera, me fuqinë e hirit të marrë në sakrament. Ky mision duhet të vihet në shërbim të ndërtimit të Kishës dhe të Mbretërisë së Hyjit në histori. Kjo kërkohet si akt bindjeje të dëgjueshme ndaj Krishtit Zot. Në të vërtetë, Ai, nëpërmjet martesës së të pagëzuarve të lartësuar në sakrament, u jep bashkëshortëve të krishterë një mision karakteristik apostujsh, duke i dërguar si punëtorë në vreshtën e Vet, dhe në mënyrë krejt të veçantë, në këtë fushë të familjes.

Në këtë veprimtari ata punojnë në bashkësi e bashkëpunim me anëtarët e tjerë të Kishës, që gjithashtu angazhohen në dobi të familjes, duke i bërë të frytshme dhuratat e mbarështimet e tyre. Ky apostullim do të kryhet para së gjithash në gjirin e familjes së secilit, me dëshminë e jetës së jetuar në përputhje me ligjin hyjnor në të gjitha aspektet e saja, me formimin e krishterë të fëmijëve, me ndihmën e dhënë në pjekjen e tyre në fe, me edukimin në dëlirësi, me përgatitjen për jetë, me syçeltësinë për t’i ruajtur nga rreziqe ideologjike e morale prej të cilave kërcënohen shpesh, me përfshirjen e tyre të shkallëzuar e të përgjegjshme në bashkësinë kishtare e atë civile, me asistencën dhe këshillën në zgjedhjen e thirrjes, me ndihmën e ndërsjellë mes anëtarëve të familjes për rritjen e përbashkët njerëzore e të krishterë, e kështu me radhë. Apostullimi i familjes, pastaj, do të rrezatohet me veprat e dashurisë shpirtërore e materiale ndaj familjeve të tjera, sidomos ndaj atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmë e mbështetje, ndaj të varfërve, të sëmurëve, të moshuarve, të personave me aftësi të kufizuara, jetimëve, të vejave, bashkëshortëve të braktisur, nënave beqare dhe atyre që, në situata të vështira, janë të tunduara ta heqin qafe frytin e gjirit të tyre, etj.

  

Shoqatat e familjeve për familjet

 

72. Gjithmonë në rrethin e Kishës, subjekt përgjegjës i baritores familjare, duhen kujtuar grupimet e ndryshme të besimtarëve, në të cilat shfaqet dhe jetohet në njëfarë mase misteri i Kishës së Krishtit. Prandaj duhet të pranohen e të vlerësohen – secila në lidhje me karakteristikat, qëllimet, peshat dhe metodat e veta – bashkësitë e ndryshme kishtare, grupet dhe lëvizjet e shumta të angazhuara në mënyra të ndryshme, me titull dhe nivel të ndryshëm, në baritoren familjare.

Për këtë arsye Sinodi e ka pranuar shprehimisht ndihmën e dobishme të këtyre shoqatave të përshpirtërisë, të formimit dhe të apostullimit. Do të jetë detyrë e tyre të nxisin te besimtarët një ndjenjë të gjallë solidariteti, të përkrahin një sjellje jete të frymëzuar në Ungjill dhe në fenë e Kishës, t’i formojnë ndërgjegjet sipas vlerave të krishtera dhe jo sipas parametrave të opinionit publik, të nxisin për vepra dashurie të ndërsjellë dhe ndaj të tjerëve me një shpirt hapjeje, që i bën familjet e krishtera një burim të vërtetë drite dhe një tharm të shëndoshë për familjet e tjera.

Po aq e dëshirueshme është që, me një ndjenjë të vërtetë për të mirën e përbashkët, familjet e krishtera të angazhohen aktivisht në çdo nivel edhe në shoqata të tjera jokishtare. Disa prej këtyre shoqatave kanë për qëllim ruajtjen, përçimin dhe mbikëqyrjen e vlerave të shëndosha etike e kulturore të popujve përkatës, zhvillimin e personit njerëzor, mbrojtjen mjekësore, juridike e shoqërore të amësisë dhe të foshnjërisë, nxitjen e drejtë të gruas dhe luftën ndaj gjithçkaje që përul dinjitetin e saj, shtimin e solidaritetit të ndërsjellë, njohjen e problemeve të lidhura me rregullimin e përgjegjshëm të lindshmërisë sipas metodave natyrore në përputhje me dinjitetin njerëzor dhe me doktrinën e Kishës. Të tjera synojnë ndërtimin e një bote më të drejtë e më njerëzore, nxitjen e ligjeve të drejta që ndihmojnë formimin e një rendi të drejtë shoqëror në respekt të plotë ndaj dinjitetit dhe çdo lirie të ligjshme të individit e të familjes, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, në bashkëpunim me shkollën dhe institucionet e tjera që plotësojnë edukimin e fëmijëve të tyre, e kështu me radhë.

 

 

 

III – Veprues të Baritores Familjare

 

Përveç familjes – objekt, por para së gjithash subjekt, edhe ajo vetë, i baritores familjare – duhen kujtuar edhe veprues të tjerë kryesorë në këtë sektor të veçantë.

 

 Ipeshkvijtë dhe presbiterët

 

73. Përgjegjësi i parë i baritores familjare në dioqezë është Ipeshkvi. Si Atë dhe Bari ai duhet të jetë veçanërisht i vëmendshëm ndaj këtij sektori, padyshim parësor, të baritores. Këtij sektori duhet t’i kushtojë interesim, përkujdesje, kohë, personel, burime; por, sidomos mbështetje personale të familjeve dhe atyre që, në strukturat e ndryshme dioqezane, e ndihmojnë në baritoren e familjes. Do të ketë për zemër veçanërisht synimin që dioqeza e tij të jetë gjithnjë e më shumë një “familje dioqezane” e vërtetë, model dhe burim i shpresës për shumë familje që bëjnë pjesë në të. Krijimi i Këshillit Papnor për Familjen duhet parë në këtë kontekst: të jetë një shenjë e rëndësisë që i jap baritores së familjes në botë, dhe në të njëjtën kohë, një mjet i efektshëm për të ndihmuar nxitjen e saj në çdo nivel.

Ipeshkvijtë të shërbehen në mënyrë të veçantë me presbiterët, detyra e të cilëve – siç e ka theksuar shprehimisht Sinodi – përbën një pjesë thelbësore të mbarështimit të Kishës ndaj martesës dhe familjes. E njëjta gjë të thuhet edhe për ata diakonë, të cilëve eventualisht u besohet kujdesi për këtë sektor baritor.

Përgjegjësia e tyre shtrihet jo vetëm në problemet morale e liturgjike, por edhe në ato të karakterit personal e shoqëror. Ata duhet ta mbështesin familjen në vështirësitë dhe vuajtjet e saja, duke u qëndruar pranë anëtarëve të saj dhe duke i ndihmuar që ta shohin jetën e tyre në dritën e Ungjillit. Nuk është e kotë të vihet në dukje se prej këtij misioni, nëse ushtrohet me gjykimin e duhur dhe me një shpirt të vërtetë apostolik, mbarështuesi i Kishës merr nxitje të reja dhe energji shpirtërore për thirrjen e vet dhe për vetë ushtrimin e mbarështimit.

Të përgatitur në kohë dhe seriozisht për këtë apostullim, meshtari apo diakoni duhet të sillen vazhdimisht, në lidhje me familjet, si atë, vëlla, bari e mësues, duke i ndihmuar me mbështetjen e hirit dhe duke i ndriçuar me dritën e së vërtetës. Mësimi dhe këshillat e tyre, pra, duhet të jenë në përputhje të plotë me Magjisterin e përnjëmendtë të Kishës, në mënyrë që ta ndihmojnë Popullin e Hyjit të formojë një kuptim të drejtë të fesë, e më pas ta jetojnë atë konkretisht. Kjo besnikëri ndaj Magjisterit do t’u lejojë edhe meshtarëve që të kujdesen me çdo angazhim për njësinë e gjykimeve të  tyre, për t’ua shmangur besimtarëve ankthin e ndërgjegjes.

Barinjtë dhe laikët, në Kishë, marrin pjesë në misionin profetik të Krishtit: laikët, duke dëshmuar fenë me fjalët dhe jetën e tyre të krishterë; barinjtë, duke shoshitur në këtë dëshmi atë që është shprehje e fesë së thjeshtë nga ajo që është më pak e përshtatshme, në dritën e fesë; familja, si bashkësi e krishterë, me pjesëmarrjen e saj të veçantë dhe me dëshminë e fesë. Nis kështu një dialog edhe mes barinjve e familjeve. Teologët dhe ekspertët e problemeve familjare mund të ndihmojnë shumë në këtë dialog, duke shpjeguar saktësisht mësimin e Magjisterit të Kishës dhe atë të përvojës së jetës së familjes. Në këtë mënyrë mësimi i Magjisterit kuptohet më mirë dhe sheshohet rruga për zhvillimin e tij progresiv. Megjithatë, vlen të kujtojmë se norma e afërt dhe e detyrueshme në doktrinën e fesë – edhe rreth problemeve të familjes – i përket Magjisterit hierarkik. Marrëdhëniet e qarta mes teologëve, ekspertëve të problemeve familjare dhe Magjisterit i vlejnë jo pak inteligjencës së fesë dhe nxitjes – brenda kufijve të saj – të pluralizmit të ligjshëm.

  

Rregulltarët e rregulltaret

 

74. Ndihmesa që rregulltarët, rregulltaret dhe shpirtrat e kushtuar në përgjithësi, mund t’i japin apostullimit të familjes e gjen shprehjen e vet të parë, themelore e të veçantë pikërisht në kushtimin e tyre Hyjit, që i bën “para të gjithë besimtarëve… shenjë të asaj martese të mrekullueshme bërë prej Hyjit dhe që do të shfaqet plotësisht në jetën e amshuar, nëpërmjet së cilës Kisha e ka Krishtin të vetmin dhëndër”[169], dhe dëshmitarë të asaj dashurie të gjithmbarshme që, nëpërmjet dëlirësisë së përqafuar për Mbretërinë e qiellit, i bën gjithnjë e më të gatshëm për t’iu kushtuar bujarisht shërbimit hyjnor dhe veprave të apostullimit.

Prej këtu rrjedh mundësia që rregulltarët e rregulltaret, anëtarët e Instituteve shekullare dhe të Instituteve të tjera të përsosmërisë, veçmas apo të bashkuar, të zhvillojnë një shërbim të tyre ndaj familjeve, me një kujdes të veçantë ndaj fëmijëve, sidomos nëse janë të braktisur, të padëshiruar, jetimë, të varfër apo me aftësi të kufizuara; duke vizituar familjet dhe duke u kujdesur për të sëmurët; duke kultivuar marrëdhënie respekti dhe dashurie me familjet të paplota, në vështirësi apo të ndara; duke ofruar veprën e vet të mësimit dhe të këshillimit në përgatitjen e të rinjve për martesë dhe në ndihmën ndaj çifteve për një lindje të fëmijëve me të vërtetë të përgjegjshme; duke ia hapur shtëpitë e tyre mikpritjes së thjeshtë e të përzemërt, që familjet të mund të gjejnë aty kuptimin e Hyjit, shijen për lutje dhe përqendrim, shembullin konkret të një jete të jetuar në dashuri e hare vëllazërore si anëtarë të familjes më të madhe të Hyjit.

Do të doja të shtoja këtu nxitjen më të fortë për përgjegjësit e Instituteve të jetës së kushtuar, që ta vlerësojnë – gjithmonë në respektin thelbësor ndaj karizmës së tyre të veçantë – apostullimin drejtuar familjeve si njërën prej detyrave parësore, të bëra më të ngutshme prej gjendjes së sotme.

 

 Laikët e specializuar

 

75. Jo pak dobi mund t’u sjellin familjeve ata laikë të specializuar (mjekë, njerëz ligji, psikologë, asistentë socialë, këshilltarë, etj.), që qoftë individualisht, qoftë të angazhuar në shoqata e nisma të ndryshme, ofrojnë punën e tyre të ndriçimit, të këshillimit, të orientimit dhe të mbështetjes. Atyre mund t’u përshtaten mirë ato nxitje që pata rast t’ia drejtoja Konfederatës së Këshilltarëve familjarë me frymëzim të krishterë: “I juaji është një angazhim, që meriton të cilësohet si mision, aq fisnike janë qëllimet që ka, dhe aq vendimtare janë rezultatet që rrjedhin prej tij, për të mirën e shoqërisë dhe të vetë bashkësisë së krishterë… Gjithë ajo që do të arrini të bëni në mbështetje të familjes është e caktuar të ketë një vlefshmëri që, duke kapërcyer mjedisin e vet të veçantë, arrin edhe persona të tjerë dhe ndikon mbi shoqërinë. E ardhmja e botës dhe e Kishës kalon nëpërmjet familjes”[170].

 

 Marrësit dhe vepruesit e Komunikimit shoqëror

 

76. Një fjalë veçmas i duhet rezervuar kësaj kategorie kaq të rëndësishme të jetës moderne. Dihet se mjetet e komunikimit shoqëror “ndikojnë, dhe shpesh thellësisht, si në aspektin afektiv dhe intelektual, ashtu edhe në aspektin moral dhe fetar, të atyre që i përdorin”, sidomos nëse janë të rinj[171]. Prandaj, ata mund të ushtrojnë një ndikim të mirë në jetën, zakonet e familjes dhe edukimin e fëmijëve, por në të njëjtën kohë fshehin edhe “kurthe dhe rreziqe jo të vogla”[172], dhe mund të bëhen mjet – nganjëherë i manovruar zotësisht dhe sistematikisht, siç ndodh mjerisht në Vende të ndryshme të botës – të ideologjive shpërbërëse dhe të këndvështrimeve të shformuara për jetën, familjen, besimin dhe moralitetin, të cilat nuk e respektojnë dinjitetin dhe fatin e vërtetë të njeriut.

Ky rrezik është edhe më real, pasi “mënyra e sotme e të jetuarit – sidomos në vendet më të industrializuara – i bën shumë shpesh familjet që të heqin dorë prej përgjegjësive të veta edukative, duke gjetur në lehtësinë e ikjes (të paraqitur në shtëpi sidomos prej televizionit dhe prej disa botimeve), mënyrën për ta zënë kohën e veprimtarinë e fëmijëve dhe të të rinjve”[173]. Prej këtu rrjedh «detyra… për t’i mbrojtur sidomos fëmijët dhe të rinjtë prej “sulmeve” që pësojnë prej mas-mediave», duke bërë që përdorimi i tyre në familje të rregullohet me kujdes. Po kështu, familja duhet të kërkojë për fëmijët e vet edhe zbavitje të tjera më të shëndetshme, më të dobishme e formuese fizikisht, moralisht dhe shpirtërisht, “për ta fuqizuar dhe për ta përsosur kohën e lirë të fëmijëve dhe për t’i drejtuar energjitë e tyre”[174].

Pastaj, meqenëse mjetet e komunikimit shoqëror – njësoj si shkolla dhe mjedisi – ndikojnë shpesh edhe në masë të ndjeshme në formimin e fëmijëve, prindërit, si marrës, duhet të marrin pjesë aktivisht në përdorimin e kufizuar, kritik, syçelët, të matur dhe të kujdesshëm të tyre, duke zbuluar se çfarë ndikimi ushtrojnë tek fëmijët, dhe në ndërmjetësimin orientues që lejon “të edukohet ndërgjegjja e fëmijëve për të shprehur gjykime të kthjellëta e objektive, që pastaj do t’i udhëheqin në zgjedhjen apo jo të programeve të propozuara”[175].

Me të njëjtin angazhim prindërit do të mundohen të ndikojnë në zgjedhjen dhe përgatitjen e vetë programeve, duke qëndruar në kontakt – nëpërmjet nismave të përshtatshme – me përgjegjësit e momenteve të ndryshme të prodhimit dhe të transmetimit, për t’u siguruar që të mos lihen pas dore padrejtësisht apo të shkelen shprehimisht ato vlera thelbësore njerëzore, që bëjnë pjesë në të mirën e vërtetë të përbashkët të shoqërisë, por, përkundrazi, të jepen programe të afta për t’i paraqitur, në dritën e duhur, problemet e familjes dhe zgjidhjen e tyre të përshtatshme. Në lidhje me këtë, paraardhësi im, Pali VI, shkruante: “Prodhuesit duhet t’i njohin dhe t’i respektojnë kërkesat e familjes, dhe kjo nganjëherë supozon që ata të kenë guxim të vërtetë dhe një ndjenjë të lartë përgjegjësie të përhershme. Në të vërtetë, ata janë të detyruar të shmangin gjithçka që mund ta dëmtojë familjen në vetë ekzistencën, qëndrueshmërinë, ekuilibrin dhe lumturinë e saj. Çdo shkelje e vlerave themelore të familjes – kur bëhet fjalë për erotizëm apo dhunë, për mbrojtje të shkurorëzimeve apo të qëndrimeve antishoqërore të të rinjve – është një shkelje e të mirës së vërtetë të njeriut”[176].

Dhe unë vetë, në një rast si ky, kam vënë në dukje se familjet “duhet që të mund të mbështeten në një masë jo të vogël në vullnetin e mirë, në drejtësinë dhe në ndjenjën e përgjegjësisë së profesionistëve të mediave: botues, shkrimtarë, prodhues, drejtues, dramaturgë, informues, komentues dhe aktorë”[177]. Prandaj duhet që edhe nga ana e Kishës të vazhdohet t’u kushtohet çdo përkujdesje këtyre kategorive të vepruesve, duke nxitur e mbështetur, në të njëjtën kohë, ata katolikë që ndihen të thirrur dhe kanë dhanti për këtë, për t’u angazhuar në këta sektorë delikatë.

 

 

 

IV – Baritorja Familjare në Rastet e Vështira

 

Rrethanat e veçanta

 

77. Një angazhim baritor edhe më zemërgjerë, inteligjent e i matur, sipas shembullit të Bariut të Mirë, kërkohet në lidhje me ato familje që – shpesh pavarësisht prej vullnetit të tyre apo të shtyra nga kërkesa të tjera me natyrë të ndryshme – gjenden përballë situatave objektivisht të vështira.

Në lidhje me këtë është e nevojshme të tërheqim vëmendjen mbi disa kategori të veçanta, që më së shumti kanë nevojë jo vetëm për asistencë, por edhe për një veprim më të fortë mbi opinionin publik dhe sidomos mbi strukturat kulturore, ekonomike e juridike, me qëllim që të zhduken në maksimum shkaqet e thella të problemeve të tyre.

Të tilla janë, për shembull, familjet e të mërguarve për arsye pune; familjet e atyre që janë të detyruar të largohen për një kohë të gjatë, si për shembull, ushtarakët, detarët, endacakët e çdo lloji; familjet e të burgosurve, të të arratisurve dhe të të mërguarve; familjet që në qytetet e mëdha jetojnë praktikisht të mënjanuara; ato që nuk kanë shtëpi; ato të paplota apo me një prind; familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara apo të droguar; familjet e të alkoolizuarve; ato të çrrënjosura prej mjedisit të tyre kulturor e shoqëror apo në rrezik për ta humbur atë; ato të diskriminuara për shkaqe politike apo për arsye të tjera; familjet ideologjikisht të ndara; ato që nuk arrijnë të kenë me lehtësi një kontakt me famullinë, ato që pësojnë dhunë apo trajtime të padrejta për shkak të fesë së tyre; ato të përbëra nga bashkëshortë të mitur; pleqtë, të detyruar jo rrallë që të jetojnë në vetmi dhe pa mjetet e duhura për jetesë.

Familjet e mërgimtarëve, sidomos kur bëhet fjalë për punëtorë e fshatarë, duhet të mund të gjejnë kudo, në Kishë, atdheun e tyre. Kjo është një detyrë tipike e Kishës, e cila është shenjë njësie në ndryshueshmëri. Për sa është e mundur të asistohen prej meshtarëve të të njëjtit rit, kulturë dhe gjuhë të tyre. Gjithashtu, Kishës i përket t’i bëjë thirrje ndërgjegjes publike dhe atyre që kanë autoritet në jetën shoqërore, ekonomike e politike, që punëtorët të gjejnë punë në krahinën dhe atdheun e tyre, të shpërblehen me pagën e drejtë, familjet të ribashkohen sa më shpejt, të vlerësohen në identitetin e tyre kulturor, të trajtohen njësoj me të tjerat, dhe fëmijëve të tyre t’u jepet mundësia e formimit profesional dhe e ushtrimit të profesionit, ashtu si edhe ajo e zotërimit së tokës së nevojshme për ta punuar atë dhe për të jetuar.

Një problem i vështirë është ai i familjeve ideologjikisht të ndara. Në këto raste kërkohet një kujdes i veçantë baritor. Para së gjithash, me kujdes, duhet të mbahet një kontakt personal me këto familje. Besimtarët duhet të forcohen në fe dhe të mbështeten në jetën e krishterë. Edhe pse pala besnike ndaj katolicizmit nuk mund të lëshojë pe, megjithatë, gjithmonë duhet të mbahet një dialog i gjallë me palën tjetër. Duhet të shumohen shfaqjet e dashurisë e të respektit, në shpresën e patundur të mbajtjes fort të njësisë. Shumë varet edhe prej marrëdhënieve mes prindërve e fëmijëve. Ideologjitë që s’kanë të bëjnë fare me fenë, veç kësaj, mund t’i nxisin anëtarët besimtarë të familjes të rriten në fe dhe në dëshminë e dashurisë.

Momente të tjera të vështira, në të cilët familja ka nevojë për ndihmën e bashkësisë kishtare dhe të barinjve të saj, mund të jenë: adoleshenca e trazuar kundërshtuese dhe nganjëherë e stuhishme e fëmijëve; martesa e tyre, që i shkëput prej familjes së origjinës; moskuptimi apo mungesa e dashurisë nga ana e personave më të dashur; braktisja nga ana e bashkëshortit apo humbja e tij, që hap përvojën e dhimbshme të vejënisë, të vdekjes së një personi të familjes, që cungon dhe shndërron në thellësi bërthamën zanafillëse të familjes.

Po ashtu nuk mund të lihet pas dore prej Kishës momenti i moshës së shtyrë, me të gjitha përmbajtjet e saj pozitive e negative: thellimit të mundur të dashurisë bashkëshortore gjithnjë e më të pastruar e më të fisnikëruar prej besnikërisë së gjatë e të pandërprerë; gatishmërisë për të vënë në shërbim të të tjerëve, në një formë të re, mirësinë e urtinë e grumbulluar dhe energjitë e mbetura; vetmisë së madhe e të rëndë, më shpesh psikologjike e afektive sesa fizike; braktisjes së mundshme apo të vëmendjes së pamjaftueshme nga ana e fëmijëve dhe e farefisit; vuajtjes prej sëmundjes, rënies progresive të forcave, përuljes se duhet të varen nga të tjerët, hidhërimit se ndihen ndoshta si peshë për njerëzit e tyre të dashur, afrimit të momenteve të fundit të jetës. Këto janë rastet në të cilat – siç kanë thënë Etërit Sinodalë – mund të kuptohen e të jetohen më lehtë ato aspekte të larta të përshpirtërisë martesore e familjare, që frymëzohen në vlerën e Kryqit dhe ngjalljen e Krishtit, burim shenjtërimi dhe hareje të thellë në jetën e përditshme, në pritje të realiteteve të mëdha eskatologjike të jetës së amshuar.

Në të gjitha këto situata të mos lihet kurrë pas dore lutja, burimi i dritës, i forcës dhe i ushqimit të shpresës së krishterë.

 

 Martesat e përziera

 

78. Numri në rritje i martesave mes katolikëve dhe të pagëzuarve të tjerë kërkon edhe një vëmendje të veçantë baritore në dritën e orientimeve dhe të normave, që gjenden në dokumentet më të fundit të Selisë së Shenjtë dhe në ato të përpunuar prej Konferencave ipeshkvnore, për të mundësuar zbatimin konkret të tyre në situatat e ndryshme.

Çiftet që jetojnë në martesë të përzier paraqesin kërkesa të veçanta, të cilat mund të kufizohen në tri pika kryesore.

Para së gjithash, duhet të mbahen parasysh detyrimet e palës katolike që rrjedhin prej fesë, për sa i përket ushtrimit të lirë të saj dhe detyrimit për t’u kujdesur, sipas forcave të veta, për pagëzimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre në fenë katolike[178].

Duhet të mbahen parasysh vështirësitë e veçanta të lidhura me marrëdhëniet mes burrit e gruas, për sa i përket respektimit të lirisë fetare: kjo mund të shkelet si nëpërmjet presioneve të padrejta për të arritur ndryshimin e bindjeve fetare të palës tjetër, ashtu edhe nëpërmjet pengesave që i bëhen shfaqjeve të lira të tyre në praktikimin fetar.

Për sa i përket formës liturgjike dhe kanonike të martesës, Ordinarët mund t’i përdorin gjerësisht mundësitë që u janë dhënë atyre për nevoja të ndryshme.

Në trajtimin e këtyre kërkesave të veçanta duhet të mbahen parasysh pikat që vijojnë:

-         në përgatitjen e përshtatshme për këtë lloj martese, duhet të bëhet çdo përpjekje e arsyeshme që të kuptohet mirë doktrina katolike mbi cilësitë dhe kërkesat e martesës, ashtu si edhe për t’u siguruar që në të ardhmen të mos verifikohen presionet dhe pengesat për të cilat u fol më lart;

-         ka shumë rëndësi që, me mbështetjen e bashkësisë, pala katolike të forcohet në fenë e vet dhe të ndihmohet pozitivisht që të piqet në kuptimin dhe në praktikimin e saj, në mënyrë që të bëhet dëshmitare e vërtetë dhe e besueshme në gjirin e familjes, nëpërmjet vetë jetës dhe cilësisë së dashurisë së shfaqur ndaj bashkëshortit tjetër dhe ndaj fëmijëve.

Martesat mes katolikëve dhe të pagëzuarve të tjerë, megjithëse në fizionominë e tyre të veçantë, paraqesin elemente të shumta që është mirë të përmirësohen dhe të zhvillohen, si për vlerën e tyre të brendshme, ashtu edhe për ndihmesën që mund t’i japin lëvizjes ekumenike. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur të dy bashkëshortët janë besnikë ndaj angazhimeve të tyre fetare. Pagëzimi i përbashkët dhe dinamizmi i hirit, në këto martesa, u japin bashkëshortëve bazën dhe motivimin për të shprehur njësinë e tyre në sferën e vlerave morale e shpirtërore.

Për këtë qëllim, edhe për të vënë në dukje rëndësinë ekumenike të një martese të tillë të përzier, të jetuar plotësisht në fenë e të dy bashkëshortëve të krishterë, duhet kërkuar – edhe pse jo gjithmonë është e lehtë – një bashkëpunim i përzemërt mes mbarështuesit katolik dhe atij jokatolik, qysh prej kohës së përgatitjes për martesë dhe të dasmës.

Për sa i përket pjesëmarrjes së bashkëshortit jokatolik në kungimin eukaristik, të ndiqen normat e dhëna prej Sekretariatit për bashkimin e të krishterëve[179].

Në anë të ndryshme të botës, sot, regjistrohet një numër në rritje i martesave mes katolikëve dhe jo të pagëzuarve. Në shumë prej tyre bashkëshorti jo i pagëzuar dëshmon një besim tjetër dhe bindjet e tij duhet të trajtohen me respekt, sipas parimeve të Deklaratës Nostra aetate të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit rreth marrëdhënieve me besimet jo të krishtera; por jo në pak martesa të tjera, veçanërisht në shoqëritë e shekullarizuara, personi jo i pagëzuar nuk dëshmon asnjë besim. Për këto martesa është e nevojshme që konferencat ipeshkvnore dhe secili ipeshkëv të marrin masa baritore të përshtatshme, që garantojnë mbrojtjen e fesë së bashkëshortit katolik dhe të ushtrimit të lirë të saj, sidomos për sa i përket detyrës për të bërë gjithçka është në dorën e tij që fëmijët të pagëzohen dhe të edukohen si katolikë. Bashkëshorti katolik, gjithashtu, duhet të mbështetet me çdo mënyrë në angazhimin për të dhënë brenda familjes një dëshmi të pastër feje dhe jete katolike.

 

 Veprimi baritor përballë disa situatave të parregullta

 

79. Në kujdesin e vet për të mbrojtur familjen në çdo dimension të sajin, jo vetëm në atë fetar, Sinodi i Ipeshkvijve nuk ka lënë pa marrë mirë në shqyrtim disa situata të parregullta nga ana fetare dhe shpesh edhe shoqërore, që – në ndryshimet e sotme të shpejta të kulturave – mjerisht janë duke u përhapur edhe mes katolikëve, me një dëm jo të vogël për vetë institucionin familjar dhe shoqërinë, institucion i cili përbën qelizën themelore të saj.

 

 a. Martesa sa për provë

 

80. Një situatë e parë e parregullt është ajo që e quajnë “martesë sa për provë”, që shumë njerëz sot dëshirojnë ta arsyetojnë, duke i dhënë asaj njëfarë vlere. Vetë arsyeja njerëzore të bën ta kuptosh papranueshmërinë e saj, duke treguar se sa pak bindëse është të bësh “provë” në lidhje me personat njerëzorë, dinjiteti i të cilëve kërkon që ata të jenë gjithmonë dhe vetëm qëllimi i dashurisë së dhurimit pa asnjë kufizim kohe apo rrethane tjetër.

Nga ana e vet, Kisha nuk mund të lejojë një lloj të tillë bashkimi për arsye të tjera dhe të veçanta që rrjedhin prej fesë. Në të vërtetë, nga njëra anë dhurimi i trupit në marrëdhënien seksuale është simboli real i dhurimit të krejt personit: një dhurim i tillë, ndërkaq, në ekonominë së sotme nuk mund të zbatohet me një vërtetësi të plotë pa pjesëmarrjen e dashurisë, dhënë prej Krishtit. Pastaj, nga ana tjetër, martesa mes dy të pagëzuarve është simboli real i bashkimit të Krishtit me Kishën, një bashkim jo i përkohshëm apo “në provë”, por përjetësisht besnik; prandaj mes dy të pagëzuarve nuk mund të ekzistojë tjetër veçse një martesë e pazgjidhshme.

Kjo situatë zakonisht nuk mund të kapërcehet nëse personi njerëzor, qysh prej fëmijërisë, nuk është edukuar me ndihmën e hirit të Krishtit dhe pa druajtje, për ta zotëruar lakminë fillestare dhe të vendosë me të tjerët marrëdhënie dashurie të pastër. Kjo nuk arrihet pa një edukim të vërtetë në dashurinë e përnjëmendtë dhe në përdorimin e drejtë të seksualitetit, të tillë që ta udhëheqë personin njerëzor sipas çdo dimensioni të tij, dhe prandaj edhe në atë që i përket trupit të tij, në plotësinë e misterit të Krishtit.

Do të jetë shumë e dobishme të hetohen shkaqet e kësaj dukurie, edhe në aspektin e saj psikologjik e sociologjik, në mënyrë që të arrihet të gjendet një terapi e përshtatshme.

  

b. Bashkimet e lira faktikisht

 

81. Bëhet fjalë për bashkime pa asnjë lidhje institucionale publikisht të njohura, as civile dhe as fetare. Kjo dukuri – gjithashtu gjithnjë e më e shpeshtë – nuk mund të mos e tërheqë vëmendjen e barinjve të shpirtrave, edhe sepse në bazë të saj mund të jenë elementë shumë të ndryshëm mes tyre, që duke vepruar mbi ta ndoshta do të jetë e mundur të kufizohen pasojat e këtyre bashkimeve.

Në të vërtetë, disa njerëz ndihen gati të detyruar t’i bëjnë këto bashkime prej situatave të vështira – ekonomike, kulturore e fetare – pasi, duke bërë një martesë të rregullt, do të pësonin një dëmtim, një humbje dobish ekonomike, një diskriminim, etj. Ndërsa te të tjerët ndeshet një qëndrim përbuzjeje, kundërshtimi apo neverie ndaj shoqërisë, institucionit familjar dhe rendit socio-politik, apo vetëm një qëndrim kërkimi të kënaqësisë. Së fundi, disa njerëz të tjerë janë të shtyrë prej padijes e varfërisë së skajshme, nganjëherë prej kushtëzimeve të shkaktuara prej situatave të padrejtësisë së vërtetë, ose edhe prej njëfarë papjekurie psikologjike, që i bën të pasigurt e të druajtur për të bërë një lidhje të qëndrueshme e përfundimtare. Në disa Vende doket tradicionale e parashohin martesën e vërtetë vetëm pas një periudhe bashkëjetese dhe pas lindjes së fëmijës së parë. 

Secili prej këtyre elementeve i shtron Kishës probleme të guximshme baritore, për shkak të pasojave të rënda që rrjedhin prej tyre, si fetare e morale (humbja e ndjenjës fetare të martesës, parë në dritën e Besëlidhjes së Hyjit me popullin e Vet, dhe e hirit të sakramentit; shembulli i keq), ashtu edhe shoqërore (shkatërrimi i konceptit të familjes; dobësimi i ndjenjës së besnikërisë edhe ndaj shoqërisë; trauma të mundshme psikologjike tek fëmijët; dalja fitimtare e egoizmit).

Do të jetë përkujdesje e barinjve dhe e bashkësisë kishtare t’i njohin këto situata dhe shkaqet e tyre konkrete, rast për rast; t’u afrohen bashkëjetuesve me maturi e respekt; të punojnë me një veprim ndriçimi të durueshëm, ndreqjeje të mëshirshme, dëshmie familjare të krishterë, që mund t’ua sheshojë atyre rrugën drejt rregullimit të situatës. Por sidomos, duhet vepruar për parandalimin e tyre, duke kultivuar ndjenjën e besnikërisë në krejt edukimin moral e fetar të të rinjve, duke i udhëzuar mbi kushtet dhe strukturat që e ndihmojnë këtë besnikëri, pa të cilën nuk ka liri të vërtetë, duke i ndihmuar të piqen shpirtërisht, duke i bërë të kuptojnë realitetin e pasur njerëzor dhe mbinatyror të martesës-sakrament.

Populli i Hyjit të veprojë edhe pranë autoriteteve publike me qëllim që, duke u bërë ballë këtyre prirjeve shpërbërëse të vetë shoqërisë dhe të dëmshme për dinjitetin, sigurinë dhe mirëqenien e secilit shtetas, të punojnë që opinioni publik të mos nxitet për ta nënvleftësuar rëndësinë institucionale të martesës dhe të familjes. Dhe meqenëse në shumë anë të botës, nga varfëria e skajshme që rrjedh prej strukturave socio-ekonomike të padrejta apo të papërshtatshme, të rinjtë nuk janë në gjendje të martohen siç duhet, shoqëria dhe autoritetet publike të favorizojnë martesën e ligjshme nëpërmjet një sërë ndërhyrjesh shoqërore e politike, duke garantuar pagën familjare, duke nxjerrë udhëzime për një banesë të përshtatshme për jetën familjare, duke krijuar mundësi të përshtatshme pune e jete.

  

c. Katolikët e bashkuar vetëm me martesë civile

 

82. Është gjithnjë e më i shpeshtë rasti i katolikëve që, për arsye ideologjike e praktike, parapëlqejnë të bëjnë vetëm martesën civile, duke mos e pranuar ose të paktën duke e shtyrë martesën fetare. Situata e tyre nuk mund të barazohet patjetër me atë të bashkëjetuesve të thjeshtë pa asnjë lidhje, pasi tek ata ka të paktën një angazhim për një gjendje të qartë dhe ndoshta të qëndrueshme jete, edhe pse shpesh nuk është larg këtij hapi perspektiva e një shkurorëzimi të mundshëm. Duke kërkuar njohjen publike të lidhjes nga ana e shtetit, këta çifte tregojnë se, së bashku me dobitë, janë të gatshëm të marrin përsipër edhe detyrimet. Pavarësisht prej kësaj, as kjo situatë nuk është e pranueshme nga ana e Kishës.

Veprimi baritor do të punojë për të bërë që të kuptohet nevoja e koherencës mes zgjedhjes së jetës e të fesë që njeriu dëshmon, dhe do të përpiqet të bëjë gjithçka është e mundur për t’i bërë këta persona ta rregullojnë situatën e tyre në dritën e parimeve të krishtera. Megjithëse duke i trajtuar me dashuri të madhe dhe duke i shtyrë drejt jetës së bashkësive përkatëse, barinjtë e Kishës mjerisht nuk do të mund t’i pranojnë ato në sakramente.

  

d. Të ndarët e të shkurorëzuarit jo të rimartuar

 

83. Arsye të ndryshme, sikurse moskuptimet e ndërsjella, paaftësia për t’iu hapur marrëdhënieve ndërpersonale, etj., mjerisht mund ta çojnë martesën në një thyerje shpesh të pandreqshme. Natyrisht ndarja duhet të mbahet si një zgjidhje e skajshme, pasi çdo përpjekje tjetër e arsyeshme të ketë rezultuar e kotë.

Vetmia dhe vështirësitë e tjera janë shpesh pjesa e trashëgimit të bashkëshortit të ndarë, sidomos nëse është i pafajshëm. Në këtë rast bashkësia kishtare duhet më shumë se kurrë ta mbështesë, t’i japë vlerësim, solidaritet, mirëkuptim dhe ndihmë konkrete në mënyrë që ai ta ketë të mundur ta ruajë besnikërinë edhe në situatën e vështirë në të cilën gjendet; ta ndihmojë për të kultivuar nevojën e faljes së dashurisë së krishterë dhe gatishmërinë për rifillimin e mundshëm të jetës bashkëshortore të mëparshme.

I ngjashëm është rasti i bashkëshortit që ka pësuar shkurorëzimin, por që – duke e njohur pazgjidhshmërinë e lidhjes martesore të vlefshme – nuk e lë veten të përfshihet në një bashkim të ri, duke u angazhuar vetëm në plotësimin e detyrave të veta familjare dhe të përgjegjësive të jetës së krishterë. Në këtë rast shembulli i tij i besnikërisë dhe i koherencës së krishterë merr një vlerë të veçantë dëshmie përballë botës dhe Kishës, duke e bërë edhe më të nevojshëm, nga ana e saj, një veprim të vazhdueshëm dashurie dhe ndihme, pa pasur asnjë pengesë për pranimin e tij në sakramente.

  

e. Të shkurorëzuarit e rimartuar

 

84. Përvoja e përditshme, mjerisht, tregon se ai që ka kërkuar shkurorëzimin, në më të shumtën e rasteve ka për qëllim kalimin në një bashkim tjetër, natyrisht jo me ritin fetar katolik. Meqenëse bëhet fjalë për një plagë që, njësoj me të tjerat, është duke goditur gjithnjë e më shumë edhe mjediset katolike, ky problem duhet të përballohet me një kujdes të ngutshëm. Etërit Sinodalë e kanë studiuar enkas. Në të vërtetë, Kisha, e themeluar për shpëtimin e të gjithë njerëzve dhe sidomos të të pagëzuarve, nuk mund t’i lërë në mëshirë të fatit ata që – tashmë të bashkuar me lidhjen martesore sakramentale – kanë kërkuar të bëjnë një martesë tjetër. Prandaj, pa u lodhur do të përpiqet të vërë në dispozicion të tyre mjetet e saj të shpëtimit.

Ta dinë barinjtë se, për hir të së vërtetës, janë të detyruar t’i dallojnë mirë situatat. Në të vërtetë, ka ndryshim mes atyre që sinqerisht janë përpjekur ta shpëtojnë martesën e parë dhe janë braktisur krejtësisht me të padrejtë, dhe atyre që për fajin e tyre të madh kanë shkatërruar një martesë kanonikisht të vlefshme. Në fund, janë edhe ata që kanë bërë një bashkim të dytë me qëllim edukimin e fëmijëve, dhe nganjëherë janë subjektivisht të sigurt në ndërgjegje se martesa e mëparshme, e shkatërruar në mënyrë të pandreqshme, nuk ka qenë kurrë e vlefshme.

Së bashku me Sinodin, i nxis ngrohtësisht barinjtë dhe tërë bashkësinë e besimtarëve që t’i ndihmojnë të shkurorëzuarit duke u kujdesur me dashuri që të mos e quajnë veten të ndarë prej Kishës, meqenëse mund e madje duhet, si të pagëzuar, të marrin pjesë në jetën e saj. Të nxiten që ta dëgjojnë Fjalën e Hyjit, të marrin pjesë në Flinë e Meshës, të jenë të qëndrueshëm në lutje, t’i shtojnë veprat e mëshirshme dhe nismat e bashkësisë në favor të drejtësisë, t’i edukojnë fëmijët e tyre në fenë e krishterë, të kultivojnë shpirtin dhe veprat e pendesës për të kërkuar kështu, ditë pas dite, hirin e Hyjit. Kisha të lutet për ta, t’i nxisë, të tregohet nënë e mëshirshme dhe t’i mbështesë kështu në fe dhe në shpresë.

Megjithatë, Kisha përforcon praktikën e saj, bazuar në Shkrimin e shenjtë, se nuk i pranon në kungimin eukaristik të shkurorëzuarit e rimartuar. Ata nuk mund të pranohen në të, prej momentit që gjendja dhe kushtet e tyre të jetës e kundërshtojnë objektivisht atë bashkim dashurie mes Krishtit dhe Kishës, që shfaqet dhe zbatohet prej Eukaristisë. Përveç kësaj, ka edhe një arsye të veçantë baritore; nëse do të pranoheshin këta persona në Eukaristi, besimtarët do të nxiteshin në gabim dhe në ngatërrim rreth doktrinës së Kishës mbi pazgjidhshmërinë e martesës.

Pajtimi në sakramentin e pendesës – që do t’i hapte rrugë sakramentit eukaristik – mund t’u jepet vetëm atyre që, të penduar se kanë shkelur shenjën e Besëlidhjes dhe të besnikërisë ndaj Krishtit, janë sinqerisht të gatshëm për një formë jete jo më në kundërshtim me pazgjidhshmërinë e martesës. Kjo konkretisht bën që kur burri dhe gruaja, për arsye serioze – si për shembull, edukimi i fëmijëve – nuk mund ta plotësojnë detyrimin e ndarjes, “marrin përsipër angazhimin të jetojnë në një vetëpërmbajtje të plotë, pra të heqin dorë prej akteve karakteristike të bashkëshortëve”[180].

Gjithashtu, respekti i duhur qoftë ndaj sakramentit të martesës, qoftë ndaj vetë bashkëshortëve e familjarëve të tyre, qoftë edhe ndaj bashkësisë së besimtarëve, ia ndalon çdo bariu, për çfarëdo arsyeje apo preteksti edhe baritor, të zbatojë, në dobi të të shkurorëzuarve që rimartohen, ceremoni të çfarëdo lloji. Në të vërtetë, këto do të jepnin përshtypjen e kremtimit të martesës së re sakramentale të vlefshme dhe si pasojë do të shpinin në gabim në lidhje me pazgjidhshmërinë e martesës së lidhur në mënyrë të vlefshme.

Duke vepruar në këtë mënyrë, Kisha dëshmon besnikërinë e vet ndaj Krishtit dhe ndaj së vërtetës së Tij; në të njëjtën kohë sillet me shpirt amënor ndaj këtyre bijve të saj, sidomos ndaj atyre që, pa faj të tyre, janë braktisur prej bashkëshortit të tyre të ligjshëm.

Me besim të patundur ajo beson se, edhe ata që janë larguar prej urdhërimit të Zotit dhe ende jetojnë në këtë gjendje, do të mund të marrin prej Hyjit hirin e kthimit dhe të shpëtimit, nëse do të kenë qenë të qëndrueshëm në lutje, pendesë dhe dashuri.

  

Njerëzit pa familje

 

85. Edhe një fjalë dëshiroj të shtoj për një kategori njerëzish që, prej kushteve konkrete në të cilat jetojnë – dhe shpesh jo me vullnetin e tyre të lirë – unë i mbaj veçanërisht afër Zemrës së Krishtit dhe të denjë për dashurinë e përkujdesjen e dobishme të Kishës dhe të barinjve.

Ekzistojnë në botë shumë njerëz të cilët, fatkeqësisht, nuk mund t’i referohen në asnjë mënyrë asaj që mund të përcaktohet në kuptimin e vet si familje. Pjesë të mëdha të njerëzimit jetojnë në gjendje varfërie shumë të madhe, në të cilën përzierja, mungesa e banesave, parregullsia dhe paqëndrueshmëria e marrëdhënieve, mungesa e skajshme e kulturës nuk lejojnë praktikisht që të mund të flitet për familje të vërtetë. Ka edhe persona të tjerë që, për arsye të ndryshme, kanë mbetur të vetëm në botë. Megjithatë, për të gjithë ata ekziston një “lajm i mirë i familjes”.

Në dobi të atyre që jetojnë në varfëri të skajshme, kam folur edhe më parë për nevojën e ngutshme për të punuar me guxim që të gjenden zgjidhje, edhe në nivel politik, të cilat lejojnë të ndihmohen për kapërcimin e kësaj gjendjeje çnjerëzore poshtëruese. Është një detyrë që i përket, solidarisht, mbarë shoqërisë, por në mënyrë të veçantë autoriteteve për arsye të detyrës së tyre dhe përgjegjësive që rrjedhin, si edhe familjeve, që duhet të tregojnë mirëkuptim të madh dhe vullnet për ndihmë.

Atyre që nuk kanë një familje natyrore duhet t’u hapen edhe më tepër dyert e familjes së madhe të Kishës, e cila konkretizohet nga ana e saj në familjen dioqezane e famullitare, në bashkësitë kishtare bazë apo në lëvizjet apostolike. Askush nuk është pa familje në këtë botë: Kisha është shtëpi dhe familje për të gjithë, sidomos për ata që janë “të lodhur e të shtypur”[181].

 

 

 

Përfundim

  

86. Juve o bashkëshortë, juve o baballarë e nëna familjesh;

juve, të rinj e të reja, që jeni e ardhmja dhe shpresa e Kishës dhe e botës, dhe do të jeni bërthama mbështetëse dhe dinamike e familjes në mijëvjeçarin e tretë që po afrohet;

juve, të nderuar e të dashur Vëllezër në ipeshkvi e në meshtari, të dashur bij rregulltarë e rregulltare, shpirtra të kushtuar Zotit, që bashkëshortëve u dëshmoni realitetin e fundit të dashurisë së Hyjit;

juve, o njerëz me ndjenja të pastra e të drejta, që me çfarëdo titulli mendoni për fatet e familjes, me zell të dridhshëm ju drejtohet shpirti im në përfundim të kësaj Nxitjeje Apostolike.

E ardhmja e njerëzimit kalon nëpërmjet familjes!

Pra, është e domosdoshme dhe e ngutshme që çdo njeri vullnetmirë të angazhohet për t’i shpëtuar e për t’i nxitur vlerat dhe kërkesat e familjes.

Një përpjekje të veçantë në lidhje me këtë ndiej se duhet t’ua kërkoj bijve të Kishës. Ata, që në fenë e tyre e njohin plotësisht planin e mrekullueshëm të Hyjit, kanë një arsye më shumë për ta pasur përzemër realitetin e familjes në këtë kohë prove dhe hiri.

Ata duhet ta duan në mënyrë të veçantë familjen. Kjo është një detyrë konkrete dhe kërkuese.

Ta duash familjen do të thotë të dish t’i çmosh vlerat e mundësitë e saja, duke i nxitur ato gjithmonë. Ta duash familjen do të thotë të zbulosh rreziqet dhe të këqijat që e kërcënojnë, që të mund t’i kapërcesh. Ta duash familjen do të thotë të punosh për t’i krijuar asaj një mjedis që ndihmon zhvillimin e saj. Dhe përsëri, është një formë e shkëlqyer dashurie t’i rijapësh familjes së krishterë të sotme, shpesh të tunduar prej dëshpërimit dhe në ankth prej vështirësive të zgjeruara, arsye të besimit në vetvete, në pasuritë e veta natyrore dhe të hirit në misionin që Hyji i ka besuar. “Duhet që familjet e kohës sonë të rimarrin vlerë! Duhet ta ndjekin Krishtin!”[182].

Gjithashtu, u përket të krishterëve detyra për ta shpallur me hare e bindje lajmin “e mirë” mbi familjen, e cila ka një nevojë absolute për t’i dëgjuar përsëri dhe për t’i kuptuar gjithnjë e më thellë fjalët e vërteta që i zbulojnë asaj identitetin e vet, burimet e veta të brendshme, rëndësinë e misionit të vet në Qytetin e njerëzve dhe në atë të Hyjit.

Kisha e njeh rrugën nëpërmjet së cilës familja mund të arrijë në zemrën e së vërtetës së vet të thellë. Këtë rrugë, që Kisha e ka mësuar në shkollën e Krishtit dhe në atë të historisë, të ftilluar në dritën e Shpirtit, ajo nuk e dikton, por ndien në vetvete nevojën e vet të pamposhtur për t’ua propozuar të gjithëve pa druajtje, madje me besim e shpresë të madhe, megjithëse duke e ditur se “lajmi i mirë” njeh gjuhën e Kryqit. Por nëpërmjet Kryqit familja mund të arrijë në plotësinë e qenies së vet dhe në përsosjen e dashurisë së vet.

Së fundi, dëshiroj t’i ftoj të gjithë të krishterët të bashkëpunojnë, përzemërsisht dhe me guxim, me të gjithë njerëzit vullnetmirë, që e jetojnë përgjegjësinë e tyre në shërbim të familjes. Ata që i kushtohen të mirës së saj në gjirin e Kishës, në emrin e saj dhe të frymëzuar prej saj, qofshin individë apo grupe, lëvizje apo shoqata, gjejnë shpesh pranë tyre persona dhe institucione të ndryshme që veprojnë për të njëjtin ideal. Në besnikëri ndaj vlerave të Ungjillit e të njeriut dhe në respekimin e një pluralizmi të ligjshëm nismash, ky bashkëpunim do të mund të ndihmojë një nxitje më të shpejtë dhe të plotë të familjes.

Dhe tani, duke e përfunduar këtë mesazh baritor, që synon të nxisë vëmendjen e të gjithëve mbi detyrat e rënda, por tërheqëse të familjes së krishterë, dëshiroj të thërras mbrojtjen e Familjes së shenjtë të Nazaretit.

Prej një plani të mistershëm të Hyjit, në këtë familje ka jetuar i fshehur për shumë vjet Biri i Hyjit: pra ajo është prototipi dhe shembulli i të gjitha familjeve të krishtera. Dhe ajo Familje, e vetmja në botë, që ka kaluar një ekzistencë anonime dhe të heshtur në një qytezë të vogël të Palestinës; që ka qenë e provuar prej varfërisë, prej përndjekjes, prej mërgimit; që e ka lavdëruar Hyjin në mënyrë pakrahasueshmërisht të lartë e të pastër, nuk do të lërë pa i ndihmuar familjet e krishtera, madje të gjitha familjet e botës, në besnikërinë ndaj detyrave të tyre të përditshme, në durimin e anktheve dhe të vështirësive të jetës, në hapjen bujare ndaj nevojave të të tjerëve, në përmbushjen e hareshme të planit të Hyjit ndaj tyre.

Shën Jozefi “njeri i drejtë”, punëtor i palodhshëm, rojtar i panjollë i angazhimeve që i janë besuar, i ruajtë, i mbrojtë dhe i ndriçoftë ato gjithmonë.

Virgjëra Mari, ashtu siç është Nëna e Kishës, ashtu qoftë edhe Nëna e “Kishës shtëpiake”, dhe, falë ndihmës së saj amënore, çdo familje e krishterë u bëftë vërtet një “Kishë e vogël”, në të cilën të pasqyrohet e të rijetojë misteri i Kishës së Krishtit. Ajo, Shërbëtorja e Zotit, qoftë shembulli i pranimit të përvuajtur e bujar të vullnetit të Hyjit; Ajo, Nëna e Dhimbshme në këmbët e Kryqit, i ngushëlloftë vuajtjet dhe i fshiftë lotët e atyre që vuajnë për vështirësinë e familjeve të tyre.

Dhe Krishti Zot, Mbret i gjithësisë, Mbret i familjeve, qoftë i pranishëm, sikurse në Kanë, në çdo vatër të krishterë për të dhuruar dritë, gëzim, kthjelltësi, forcë. Atij, në ditën kushtuar Mbretërimit të Tij, i kërkoj që çdo familje të dijë të japë bujarisht ndihmesën e vet të veçantë për ardhjen në botë të Mbretërisë së Tij, “Mbretëri e së vërtetës dhe e jetës, e shenjtërisë dhe e hirit, e drejtësisë, e dashurisë dhe e paqes”[183], drejt së cilës ecën historia.

Atij, Marisë dhe Jozefit ia besoj çdo familje. Duarve dhe zemrave të tyre ua paraqes këtë nxitje: Ata jua shtrifshin Juve, të nderuar Vëllezër e të dashur bij, dhe i hapshin zemrat tuaja ndaj dritës që Ungjilli rrezaton mbi çdo familje.

Të gjithëve dhe secilit, duke i siguruar lutjen time të vazhdueshme, i jap nga zemra Bekimin Apostolik, në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt.

 

 

 

Dhënë në Romë, pranë Shën Pjetrit, më 22 nëntor

Solemniteti i Zotit tonë Jezu Krishtit Mbretit të gjithësisë, viti 1981, i katërti i Pontifikatit.

Joannes Paulus II

 

 

   

 

 Tregues

 

 

Hyrje

Kisha në shërbim të familjes

Sinodi i vitit 1980 në vazhdimësi me Sinodet e mëparshëm

E mira e çmueshme e martesës dhe e familjes

 

 

Pjesa e parë

Drita dhe Errësira të Familjes, Sot

 

Nevoja për njohjen e situatës

Shoshitja ungjillore

Situata e familjes në botën e sotme

Ndikimi i situatës mbi ndërgjegjen e besimtarëve

Epoka jonë ka nevojë për urti

Shkallëzimi dhe kthimi

Inkulturimi

 

 

Pjesa e dytë

 

Plani i Hyjit mbi Martesën dhe mbi Familjen

 

Njeriu shëmbëlltyrë e Hyjit Dashuri

Martesa dhe bashkësia mes Hyjit e njerëzve

Jezu Krishti, dhëndër i Kishës, dhe sakramenti i martesës

Fëmijët, dhuratë shumë e çmueshme e martesës

Familja, bashkësi personash

Martesa dhe virgjëria

 

 

Pjesa e tretë

Detyrat e familjes së krishterë

 

Familja bëhet ajo që je!

 

I – Formimi i një Bashkësie Personash

 

Dashuria, zanafilla dhe forca e bashkësisë

Njësia e pandashme e bashkësisë bashkëshortore

Një bashkësi e pazgjidhshme

Bashkësia më e gjerë e familjes

Të drejtat dhe detyrat e gruas

Gruaja dhe shoqëria

Fyerjet ndaj dinjitetit të gruas

Burri si bashkëshort e baba

Të drejtat e fëmijës

Të moshuarit në familje

 

II –Shërbimi ndaj Jetës

 

1. Përçimi i jetës

Bashkëveprues të dashurisë së Hyjit Krijues

Doktrina dhe norma gjithmonë të vjetra e gjithmonë të reja të Kishës

Kisha është në anën e jetës

Që plani hyjnor të vihet në jetë gjithnjë e më plotësisht

Në vizionin e plotë të njeriut dhe të thirrjes së tij

Kisha si Mësuese dhe Nënë për bashkëshortët në vështirësi

Itinerari moral i bashkëshortëve

Nxitja e bindjeve dhe dhënia e ndihmave konkrete

 

2. Edukimi

E drejta-detyrë edukative e prindërve

Edukimi për vlerat thelbësore të jetës njerëzore

Misioni edukativ dhe sakramenti i kurorës së martesës

Përvoja e parë e Kishës

Marrëdhëniet me forcat e tjera edukative

Një shërbim i shumëfishtë ndaj jetës

 

III – Pjesëmarrja në Zhvillimin e Shoqërisë

 

Familja qeliza e parë dhe jetësore e shoqërisë

Jeta familjare si përvojë bashkësie dhe pjesëmarrjeje

Detyra shoqërore dhe politike

Shoqëria në shërbim të familjes

Karta e të drejtave të familjes

Hiri dhe përgjegjësia e familjes së krishterë

Për një rend të ri ndërkombëtar

 

IV – Pjesëmarrja në Jetën dhe në Misionin e Kishës

 

Familja në misterin e Kishës

Një detyrë kishtare vetjake dhe e veçantë

 

1. Familja e krishterë, bashkësi besimtare dhe ungjillëzuese

Feja, zbulim dhe soditje e planit të Hyjit mbi familjen

Mbarështimi i ungjillëzimit të familjes së krishterë

Një shërbim kishtar

Predikimi i Ungjillit çdo krijese

 

2. Familja e krishterë, bashkësi në bashkëbisedim me Hyjin

Shenjtërorja shtëpiake e Kishës

Martesa, sakrament i shenjtërimit të ndërsjellë dhe vepër kulti

Martesa dhe Eukaristia

Sakramenti i kthimit dhe i pajtimit

Lutja familjare

Edukatorë të lutjes

Lutja liturgjike dhe private

Lutja dhe jeta

 

3. Familja e krishterë, bashkësi në shërbim të njeriut

Urdhërimi i ri i dashurisë

Të zbulosh në çdo vëlla shëmbëlltyrën e Hyjit

 

 

Pjesa e katërt

Baritorja familjare: kohët, strukturat, vepruesit dhe situatat

 

I – Kohë të Baritores Familjare

 

Kisha e shoqëron familjen e krishterë në ecjen e saj

Përgatitja

Kremtimi

Kremtimi i kurorës së martesës dhe ungjillëzimi i të pagëzuarve jobesimtarë

Baritorja pas-martesore

 

 

II – Struktura të Baritores Familjare

 

Bashkësia kishtare dhe famullia në veçanti

Familja

Shoqatat e familjeve për familjet

 

 

III – Vepruesit e Baritores Familjare

 

Ipeshkvijtë dhe presbiterët

Rregulltarët e rregulltaret

Laikët e specializuar

Marrësit dhe vepruesit e Komunikimit shoqëror

 

IV – Baritorja Familjare në Rastet e Vështira

 

Rrethanat e veçanta

Martesat e përziera

Veprimi baritor përballë disa situatave të parregullta

a.         Martesa sa për provë

b.         Bashkimet e lira faktikisht

c.         Katolikët e bashkuar vetëm me martesën civile

d.         Të ndarët dhe të shkurorëzuarit jo të rimartuar

e.         Të shkurorëzuarit e rimartuar

 

Njerëzit pa familje

 

Përfundim

 

 

 


[1] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 52.

[2] Krh. Gjon Pali II, Homelia për hapjen e Sinodit IV të Ipeshkvijve, 2 (26 shtator 1980): AAS 72 (1980), 1008.

[3] Krh. Zan 1-2.

[4] Krh. Ef 5.

[5] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 47; Gjon Pali II, Letra Appropinquat iam, 1 (15 gusht 1980): AAS 72 (1980), 791.

[6] Krh. Mt 19, 4.

[7] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 47.

[8] Krh. Gjon Pali II, Fjalimi në Këshillin e Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve (23 shkurt 1980): Insegnamenti di Giovanni Paolo II, III, 1 (1980), 472-476.

[9] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 4.

[10] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 12.

[11] Krh. 1 Gjn 2, 20.

[12] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 35.

[13] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 12; Kongregata e Shenjtë për Doktrinën e Fesë, Dekl. Mysterium Ecclesiae, 2: AAS 65 (1973), 398-400.

[14] Krh. Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 12; Kushtetuta dogmatike mbi Zbulimin Hyjnor Dei Verbum, 10.

[15] Krh. Gjon Pali II, Homelia për hapjen e Sinodit VI të Ipeshkvijve, 3 (26 shtator 1980): AAS 72 (1980), 1008.

[16] Krh. shën Agustini, De Civitate Dei, XIV, 28: CSEL 40, II, 56-57.

[17] Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 15.

[18] Krh. Ef. 3, 8; Konc. II Ekum. i Vat., Kusht. baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 44; Dekr. mbi veprimtarinë misionare të Kishës Ad gentes, 15 e 22.