|
|
Salla e Bekimeve - E
premte, 25 mars 2011
Të dashur miq,
jam shumë i lumtur t’ia drejtoj secilit
prej jush mirëseardhjen më të përzemërt. Përshëndes Kardinalin Fortunato
Baldelli, Penitencier Madhor, dhe e falënderoj për fjalët e sjellshme që
më drejtoi. Përshëndes Rexhentin e Penitencierisë, Imzot Gianfranco
Girotti, personelin, bashkëpunëtorët dhe të gjithë pjesëmarrësit në
Kursin mbi Forumin e Brendshëm, që tashmë është bërë një takim
tradicional dhe një rast i rëndësishëm për të thelluar temat që i
përkasin Sakramentit të Pendesës.
Dëshiroj të ndalem bashkë me ju në një
aspekt nganjëherë jo mjaft të konsideruar, por me rëndësi të madhe
shpirtërore e baritore: në vlerën pedagogjike të Rrëfimit sakramental.
Nëse është e vërtetë se është gjithmonë e nevojshme ta ruajmë
objektivitetin e efekteve të Sakramentit dhe kremtimin e tij të saktë
sipas normave të Ritit të Pendesës, nuk është pa vend të reflektojmë mbi
faktin se sa shumë ai mund të edukojë fenë, qoftë të mbarështuesit,
qoftë të pendestarit. Gatishmëria besnike dhe bujare e meshtarëve për
dëgjimin e rrëfimeve, sipas shembullit të Shenjtërve të mëdhenj të
historisë, nga shën Gjon Maria Vianej deri te shën Gjon Bosko, nga shën
Hozemaria Eskriva deri te shën Piu nga Pietrelçina, nga shën Jozef
Kafasi deri te shën Leopold Mandiçi, na tregon të gjithëve ne se sa
shumë rrëfyestorja mund të jetë një “vend” real i shenjtërimit.
Në çfarë mënyre edukon Sakramenti i
Pendesës? Në çfarë kuptimi kremtimi i tij ka një vlerë pedagogjike, para
së gjithash për mbarështuesit? Mund të nisim duke pranuar se misioni
meshtarak përbën një pikë vërejtjeje të vetme e të privilegjuar, prej të
cilës, përditë, mund të soditet shkëlqimi i Mëshirës hyjnore. Sa herë në
kremtimin e Sakramentit të Pendesës, meshtari merr pjesë në mrekulli të
vërteta kthimi, që, duke përtërirë “takimin me një ngjarje, një Person”
(Let. enc. Deus caritas est, 1), e forcojnë vetë fenë e tij. Në
fund të fundit, të rrëfesh do të thotë të marrësh pjesë në aq “professiones
fidei” sa janë pendestarët, dhe të soditësh veprimin e Hyjit të
mëshirshëm në histori, të prekësh me dorë efektet shëlbuese të Kryqit
dhe të Ngjalljes së Krishtit, në çdo kohë dhe për çdo njeri. Jo rrallë
jemi të vendosur përballë dramave të vërteta ekzistenciale e
shpirtërore, që nuk gjejnë përgjigje në fjalët e njerëzve, por
përqafohen dhe pranohen prej Dashurisë hyjnore, që fal e shndërron:
“Edhe në qofshin mëkatet tuaja kuq si gjaku, do të bëhen bardhë si bora”
(Is 1,18). Të njohësh dhe, në njëfarë mënyre, të vizitosh
humnerën e zemrës njerëzore, edhe në aspektet e errëta, nëse nga njëra
anë e vë në provë njerëzimin dhe fenë e vetë meshtarit, nga ana tjetër
ushqen në të sigurinë se fjala e fundit mbi të keqen e njeriut dhe të
historisë është ajo e Hyjit, është Mëshira e tij, e aftë t’i bëjë të
reja të gjitha gjërat (krh. Zb 21,5). Pastaj, sa shumë mund të
mësojë meshtari nga pendestarët shembullorë për jetën e tyre
shpirtërore, për seriozitetin me të cilin e bëjnë shqyrtimin e
ndërgjegjes, për tejdukshmërinë në njohjen e mëkatit të tyre dhe për
nënshtrimin ndaj mësimit të Kishës e udhëzimeve të rrëfyesit. Prej
shërbesës së Sakramentit të Pendesës mund të marrim mësime të thella
përvujtërie e feje! Është një thirrje shumë e fortë për secilin meshtar
në vetëdijen e identitetit të tij. Kurrë vetëm me anë të njerëzimit tonë
nuk do të mund t’i dëgjonim rrëfimet e vëllezërve! Nëse ata na afrohen
ne, kjo ndodh vetëm sepse jemi meshtarë, të bërë të ngjashëm me Krishtin
Kryemeshtar për amshim, dhe të bërë të aftë të veprojmë në Emër të tij
dhe në Personin e tij, ta bëjmë realisht të pranishëm Hyjin që fal,
përtërin e shndërron. Kremtimi i Sakramentit të Pendesës ka një vlerë
pedagogjike për meshtarin në lidhje me fenë e tij, me të vërtetën dhe
varfërinë e personit të tij, dhe ushqen në të vetëdijen e identitetit
sakramental.
Cila është vlera pedagogjike e
Sakramentit të Pendesës për pendestarët? Duhet të themi që në fillim se
ajo varet, para së gjithash, prej veprimit të Hirit dhe prej efekteve
objektive të Sakramentit në shpirtin e besimtarit. Sigurisht që Pajtimi
sakramental është njëri prej momenteve në të cilët liria personale dhe
vetëdija e personit janë të thirrur të shprehen në mënyrë veçanërisht të
dukshme. Ndoshta pikërisht për këtë arsye, në një epokë relativizmi dhe
si pasojë edhe vetëdijeje të zbehur të qenies sonë, shfaqet e dobësuar
edhe praktika sakramentale. Shqyrtimi i ndërgjegjes ka një vlerë të
rëndësishme pedagogjike: ai na edukon ta shikojmë me sinqeritet
ekzistencën tonë, ta ballafaqojmë atë me të vërtetën e Ungjillit dhe ta
vlerësojmë me parametrat jo vetëm njerëzore, por të marrë prej Zbulimit
hyjnor. Ballafaqimi me Urdhërimet, me Lumturitë dhe, sidomos, me urdhrin
e dashurisë, përbën “shkollën pendestare” të parë.
Në kohën tonë të karakterizuar prej
zhurmës, prej shpërqendrimit dhe prej vetmisë, bashkëbisedimi i
pendestarit me rrëfyesin mund të përfaqësojë një ndër rastet e pakta,
nëse jo të vetme, për të qenë të dëgjuar me të vërtetë dhe në thellësi.
Të dashur meshtarë, mos e lini pa i dhënë hapësirën e duhur ushtrimit të
shërbesës së Pendesës në rrëfyestore: të qenit të pranuar dhe të dëgjuar
përbën edhe një shenjë njerëzore të mirëpritjes dhe të mirësisë së Hyjit
ndaj bijve të tij. Rrëfimi i plotë i mëkateve, pastaj, e edukon
pendestarin në përvujtëri, në njohjen e brishtësisë së vet dhe, në të
njëjtën kohë, në vetëdijen për nevojën e faljes së Hyjit dhe në besimin
se Hiri hyjnor mund ta shndërrojë jetën. Në të njëjtën mënyrë, dëgjimi i
qortimeve dhe i këshillave të rrëfyesit është i rëndësishëm për gjykimin
mbi aktet, për ecjen shpirtërore dhe për shërimin e brendshëm të
pendestarit. Të mos harrojmë se sa kthime dhe se sa ekzistenca realisht
të shenjta kanë filluar në rrëfyestore! Së fundi, marrja e pendesës dhe
dëgjimi i fjalëve “Unë po të zgjidh prej mëkateve të tua” përfaqësojnë
një shkollë të vërtetë dashurie dhe shprese, që çon në mirëbesimin e
plotë në Hyjin Dashuri të zbuluar në Jezu Krishtin, në përgjegjësinë dhe
në angazhimin e kthimit të vazhdueshëm.
Të dashur meshtarë, përjetimi jonë,
pikësëpari, i Mëshirës hyjnore dhe të qenit mjetet e saj të përvuajtura,
le të na edukojnë në një kremtim gjithnjë e më besnik të Sakramentit të
Pendesës dhe në një mirënjohje të thellë ndaj Hyjit, që “neve na e besoi
shërbesën e pajtimit (2Kor 5,18). Të Lumes Virgjër Mari, Mater
misericordiae dhe Refugium peccatorum, ia besoj frytet e
Kursit tuaj mbi Forumin e brendshëm dhe shërbesën e të gjithë Rrëfyesve,
ndërsa me dashuri të madhe ju bekoj.
titujt kryesorë |
|