ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Fjalimi i Atit te Shenjte Benedikti XVI

ne Asamblene e pergjithshme te Akademise Papnore per Jeten

 

 

Salla Klementine – E shtunë, 26 shkurt 2011

 

 Zotërinj Kardinalë,

Të nderuar Vëllezër në Episkopat dhe në Meshtari,

të dashur Vëllezër e Motra,

 ju pres me gëzim në rastin e Asamblesë vjetore të Akademisë Papnore për Jetën. Përshëndes në mënyrë të veçantë Presidentin e saj, Imzot Ignacio Carrasco de Paula, dhe e falënderoj atë për fjalët e sjellshme. Secilit i drejtoj mirëseardhjen time të përzemërt! Në punimet e këtyre ditëve keni përballuar tema me aktualitet të madh, që i bëjnë thellësisht thirrje shoqërisë bashkëkohore dhe e sfidojnë atë për të gjetur përgjigjet gjithnjë e më të përshtatshme për të mirën e personit njerëzor. Tematika e sindromës pas-abortive – do të thotë problemi i madh psikologjik i përjetuar shpesh prej grave që kanë bërë abort të vullnetshëm – zbulon zërin e pashmangshëm të ndërgjegjes morale, dhe plagën shumë të rëndë që ajo pëson sa herë që veprimi njerëzor e tradhton thirrjen natyrore në të mirën e qenies njerëzore, që ajo e dëshmon. Në këtë reflektim do të ishte e dobishme t’i kushtonim vëmendje edhe ndërgjegjes, nganjëherë të errësuar, të etërve të fëmijëve, që shpesh i lënë vetëm gratë shtatëzëna. Ndërgjegjja morale – mëson Katekizmi i Kishës Katolike – është ai “gjykim i arsyes, nëpërmjet të cilit personi njerëzor njeh cilësinë morale të një akti konkret që është duke parashtruar, është duke kryer ose ka kryer” (nr. 1778). Në të vërtetë, është detyrë e ndërgjegjes morale ta dallojë të mirën prej të keqes në situatat e ndryshme të ekzistencës, në mënyrë që, në bazë të këtij gjykimi, qenia njerëzore të mundet lirisht të orientohet nga e mira. Atyre që do të donin ta mohonin ekzistencën e ndërgjegjes morale në njeriun, duke e kufizuar zërin e saj vetëm në rezultatin e kushtëzimeve të jashtme apo në një dukuri thjesht emotive, është e rëndësishme t’u përsërisim se cilësia morale e veprimit njerëzor nuk është një vlerë e jashtme ose opcionale dhe nuk është as një prerogativë e të krishterëve apo e besimtarëve, por është e përbashkët për të gjitha qeniet njerëzore. Në ndërgjegjen morale Hyji i flet secilit dhe e fton ta mbrojë jetën njerëzore në çdo moment. Në këtë lidhje personale me Krijuesin gjendet dinjiteti i thellë i ndërgjegjes morale dhe arsyeja e pacenueshmërisë së saj.

 Në ndërgjegje i tërë njeriu – inteligjenca, emotiviteti, vullneti – realizon thirrjen e vet në të mirën, kështu që zgjedhja e të mirës apo e të keqes në situatat konkrete të ekzistencës arrin ta shënojë thellësisht personin njerëzor në çdo shprehje të qenies së vet. Në të vërtetë, i gjithë njeriu mbetet i plagosur kur veprimi i tij kryhet kundër asaj që i dikton ndërgjegjja. Megjithatë, edhe kur njeriu nuk e pranon të vërtetën dhe të mirën që Krijuesi i propozon, Hyji nuk e braktis, por, pikërisht nëpërmjet zërit të ndërgjegjes, vazhdon ta kërkojë dhe t’i flasë, në mënyrë që ta pranojë gabimin dhe t’i hapet Mëshirës hyjnore, e cila është e aftë të shërojë çfarëdo plage.

 Mjekët, në mënyrë të veçantë, nuk mund të mos përmbushin detyrën e madhe të mbrojtjes prej mashtrimit të ndërgjegjeve të shumë grave që mendojnë se në abortin gjejnë zgjidhjen e vështirësive familjare, ekonomike, shoqërore, apo të problemeve të shëndetit të fëmijës së tyre. Veçanërisht në këtë situatën e fundit, gruaja shpesh bindet, nganjëherë nga vetë mjekët, se aborti përfaqëson jo vetëm një zgjedhje moralisht të lejueshme, por madje edhe një akt të detyrueshëm “terapeutik” për të shmangur vuajtjet e fëmijës dhe të familjes, dhe një peshë “të padrejtë” për shoqërinë. Në një sfond kulturor të karakterizuar prej eklipsit të kuptimit të jetës, në të cilin është zbehur shumë perceptimi i përgjithshëm i rëndesës morale të abortit dhe të formave të tjera të atentatit kundër jetës njerëzore, mjekëve u kërkohet një forcë e veçantë për të vazhduar të pohojnë se aborti nuk zgjidh asgjë, por vret fëmijën, shkatërron gruan dhe verbon ndërgjegjen e babait të fëmijës, duke shkatërruar, shpesh, jetën familjare.

 Megjithatë, kjo detyrë nuk i përket vetëm profesionit të mjekëve dhe vepruesve shëndetësorë. Është e nevojshme që e gjithë shoqëria të vihet në mbrojtje të të drejtës për jetë të të ngjizurit dhe të të mirës së vërtetë të gruas, që kurrë, në asnjë rrethanë, nuk do të mund të gjejë realizim në zgjedhjen e abortit. Po ashtu do të jetë e nevojshme – siç tregohet prej punimeve tuaja – të mos mungojnë ndihmat e nevojshme ndaj grave që, pasi mjerisht kanë bërë abort, tani janë duke përjetuar gjithë dramën morale dhe ekzistenciale të tij. Të shumta janë nismat, në nivel dioqezan apo nga ana e enteve të veçanta të vullnetariatit, që japin mbështetje psikologjike e shpirtërore, për një rekuperim njerëzor të plotë. Solidariteti i bashkësisë së krishterë nuk mund të heqë dorë prej këtij lloji të bashkëpërgjegjësisë. Do të doja të kujtoja, në lidhje me këtë, ftesën e të Nderuarit Gjon Pali II drejtuar grave që kanë bërë abort: “Kisha e di se sa kushtëzime mund të kenë ndikuar në vendimin tuaj, dhe nuk dyshon se në shumë raste është bërë fjalë për një vendim të vuajtur, ndoshta dramatik. Ndoshta plaga në shpirtin tuaj nuk është mbyllur ende. Në të vërtetë, ajo që ka ndodhur ka qenë dhe mbetet thellësisht e padrejtë. Por, mos lejoni që të shkurajoheni dhe mos e braktisni shpresën. Le të dini ta kuptoni atë që ka ndodhur dhe interpretojeni në të vërtetën e saj. Nëse ende nuk e keni bërë këtë, hapjuni me përvujtëri e besim pendimit: Ati i çdo mëshire ju pret për t’ju dhënë faljen e vet dhe paqen e vet në sakramentin e Pajtimit. Të njëjtit Atë dhe mëshirës së tij mund t’ia besoni me shpresë fëmijën tuaj. Të ndihmuara prej këshillës dhe prej afërsisë së personave miq e kompetentë, do të mund të jeni me dëshminë tuaj të vuajtur mes mbrojtësve më shprehës të të drejtës së të gjithëve për jetë” (Enc. Evangelii vitae, 99).

 Ndërgjegjja morale e kërkuesve dhe e të gjithë shoqërisë civile është thellësisht e përfshirë edhe në temën e dytë të punimeve tuaja: përdorimi i bankave të kordonit kërthizor, me qëllim klinik dhe kërkimi. Kërkimi mjeko-shkencor është një vlerë, pra një angazhim, jo vetëm për kërkuesit, por për gjithë bashkësinë civile. Prej kësaj del detyra e nxitjes së kërkimeve etikisht të vlefshme nga ana e institucioneve dhe vlera e solidaritetit të individëve në pjesëmarrjen në kërkimet që synojnë të nxisin të mirën e përbashkët. Kjo vlerë, dhe nevoja e këtij solidariteti, vihen në dukje shumë mirë në rastin e përdorimit të qelizave staminale që vijnë prej kordonit kërthizor. Bëhet fjalë për aplikime klinike të rëndësishme dhe për kërkime premtuese në planin shkencor, por që në realizimin e tyre varen shumë prej bujarisë në dhurimin e gjakut kordonal në momentin e lindjes dhe prej përshtatjes së strukturave, për ta bërë të zbatueshëm vullnetin për dhurim nga ana e atyre që lindin. Prandaj, ju ftoj të gjithëve ju që të bëheni nxitës të një solidariteti të vërtetë dhe të vetëdijshëm njerëzor e të krishterë. Në lidhje me këtë, shumë mjekë kërkues me të drejtë e shikojnë me dyshim lulëzimin e bankave private për ruajtjen e gjakut kordonal vetëm për përdorim autolog. Kjo zgjedhje – sikurse tregojnë punimet e Asamblesë suaj- përveçse është pa një superioritet real shkencor në lidhje me dhurimin kordonal, e dobëson shpirtin e pastër të solidaritetit që duhet ta frymëzojë vazhdimisht kërkimin e asaj të mire të përbashkët nga e cila, në fund të fundit, priren shkenca dhe kërkimet mjekësore.

 Të dashur Vëllezër e Motra, e përsëris mirënjohjen time ndaj Presidentit dhe të gjithë Anëtarëve të Akademisë Papnore për Jetën, për vlerën shkencore dhe tike me të cilën e realizoni angazhimin tuaj për të mirën e personit njerëzor. Urimi im është që ta ruani gjithnjë të gjallë shpirtin e shërbimit të përnjëmendtë që i bën mendjet dhe zemrat të ndjeshme për t’i njohur nevojat e njerëzve bashkëkohës tanë. Secilit prej jush dhe të dashurve tuaj ju jap me gjithë zemër Bekimin Apostolik.

  

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder  <

webmaster