|
Tashmë është Krishtlindje!
Ky është misteri i mishërimit të
Zotit. Mishërimi i Krishtit që lind e që nëpërmjet kësaj lindjeje në
natyrën njerëzore ai nuk krijohet pasi ai ishte, është dhe do të jetë
para çdo krijese. Në lindjen njerëzore të tij, Hyji përultësohet duke
përqafuar thellësisht njeriun, që është shprehja më të lartë e krijimit
të tij. Kështu Zoti Hyj do ta përsoste krijesën e krijimit duke treguar
ai vetë se çka krijoi qe dhe mund të jetë përsëri e mirë.
Në Krishtlindje ne kuptojmë një
tipar të Zotit: ai është besnik. Ai as nuk hidhërohet përgjithmonë dhe
as nuk ndalet. Zoti nuk shkurajohet kur ne e braktisim planin e tij të
mirë. Zoti angazhohet që ta përsosë historinë dhe nuk mjaftohet me fjalë
e me këshilla, por në këtë angazhim ai flijohet duke u bërë njeri dhe
duke sjellë në historinë e njeriut një yll, që siç ishte për dijetarët
nga Lindja, ashtu edhe për të gjithë ne, ai yll na udhëheq drejt takimit
me dritën e vërtetë, me të vërtetën tonë: pasi kush ka gjetur Zotin ka
gjetur në të domethënien e thellë të qenies së vet.
Është Krishtlindje, jo atëherë kur
të kemi ndezur dritëzat e pemëve të Krishtlindjes apo kur të kemi
filluar të mendojmë për festime, dhurata e pushime ... por është
Krishtlindje e vërtetë kur ta kuptojmë se ngjyrat dhe dritëzat e kësaj
bote janë mashtruese dhe na joshin drejt konsumizmit të shfrenuar
sentimental e material ... dhe se është Krishtlindje kur të ecim pas një
ylli që quhet Krisht, i cili është drita që nuk perëndon dhe në këtë
dritë shikimi ynë bëhet i fortë sa t’i rezistojmë tundimit, i thellë sa
të mund të shqyrtojmë vetveten, i lartë sa të mund të dëshirojmë qiellin
dhe i pasur sa të mund ta dhurojmë edhe ne vetveten.
Të dashur vëllezër e motra! E ndërsa
mendoj në këtë Krishtlindje, mendja më shkon te të gjithë ata bij e bija
të mi të cilët që nga nëntori e këtej janë duke u përballur me
fatkeqësinë e përmbytjeve. E sa do të doja që Zoti Jezus që vjen në botë
atyre të sprovuarve t’ju dhurojë paqe nga lart e t’ju japë forcën që të
rimëkëmben me po aq dinjitet sa ata ëndërrojnë.
Mendja më shkon edhe tek ju
meshtarët e bijtë e mi të dashur që nuk u kursyet duke punuar ditë e
natë pranë bashkësive kishtare ku ju ishit dërguar. Mendimi dhe lutja
ime është edhe për ju që ditët dhe dini të tregoni se nuk duhet të
punojmë për rroga apo privilegje, por dashuria për Zotin dhe njeriun
është motiv i mjaftueshëm për ta dhuruar vetveten. E nuk mund të harroj
motrat e kuvendeve të ndryshme, në Shkodër e jashtë saj, që hapën dyert
duke pritur nevojtarët e atyre ditëve. I lutem Zotit që të gjithëve t’ju
mbushë me gëzimin dhe kurajën e tij.
Por siç e thashë më lart
Krishtlindja është festa e kremtimit të shpresës dhe të gëzimit: le t’i
lartësojmë zemrat dhe jeta jonë do të jetë një himn i gjallë i lavdisë
së Zotit dhe i bukurisë së Mbretërisë së tij.
Por është e vërtetë që kjo
Krishtlindje popullin tonë e gjen disi ndryshe nga vitet e tjera, me
kufij më të thjeshtë për t’u kapërcyer për të shkuar në shtete të
ndryshme të Europës, dhe jam i bindur se sivjet shumë familje do të
bashkohen së bashku. Prindërit do të takohen me bijtë në emigrim që me
vite nuk kanë mundur t’i takojmë. Sa fort e hareshëm do të rrahin zemrat
e atyre shqiptarëve në këto Krishtlindje: e njëmend Krishtlindja është
festa e familjeve.
Dhe si ipeshkëv në këtë Kishë të
dashur në Shqipëri dua ta mbyll këtë urim duke shprehur atë që ndiej në
këtë Krishtlindje: e kam zemrën plot me mirënjohje për Hyjin, pasi para
pak kohësh kremtuam 20 vjetorin e lirisë fetare në Shqipëri dhe mbyllëm
fazën dioqezane të procesit kanonik për lumturimin e “Martirëve tonë”. E
gjithë kjo është shenjë se Zoti na do dhe po ecim drejt tij. Po, ai
është Emanuel – Hyji me ne. Me mendimin te Zoti e duke iu paraqitur të
gjithëve tek ai, i lutem të tejet Shenjtit me ndërmjetësinë e 40
Shërbëtorëve të Hyjit të cilët dhanë jetën për Krishtin në Shqipëri, që
familjet tona të jenë të shëndosha, që jeta jonë shpirtërore të nxitet
nga shembulli i martirëve të Krishtit dhe kjo tokë të njohë një hov të
vërtetë zhvillimi tërësor dhe që të gjithë njerëzve vullnet mirë Zoti t’ju
dhurojë paqe dhe çdo mirësi.
Të gjithëve Gëzuar Krishtlindjen
dhe Vitin e Ri 2011.
Arqipeshkvi juaj
†Angelo Massafra
titujt kryesorë
|