|
|
Shumë të dashur meshtarë, shumë të dashur besimtarë!
Kjo Meshë e Shenjtë, në të cilën bekohen Vajrat e Shenjtë, është
shfaqja e bashkimit që ekziston mes Ipeshkvit dhe meshtarëve të
tij. Për këtë arsye, në çdo vend të botës, të gjithë meshtarët e
Dioqezës e bashkëkremtojnë të Enjten e Madhe në mëngjes me
Ipeshkvin e tyre. Pra, kjo Meshë e Shenjtë është shenja e
dukshme e bashkimit përreth themelit të vet, që është Jezu
Krishti. Ai, dhe vetëm Ai është burimi i bashkimit tonë dhe, në
të njëjtën kohë, prej Tij buron forca që lind nga ky bashkim që
na bën Kishë. Nuk janë aftësitë tona apo meritat tona ato që e
krijojnë këtë bashkim. Nuk është autoriteti ynë apo gatishmëria
jonë. Do të mund ta jetojmë këtë bashkim vetëm nëse jemi të
gjithë të bashkuar me Krishtin dhe me flinë e tij. Vetëm duke
shikuar Jezusin, dhe veçanërisht duke jetuar me Të momentet e
Mundimeve, ne do të mund të zbulojmë se është Ai, dhe vetëm Ai,
burimi i këtij bashkimi. Vetëm nëse jemi të bashkuar me të do të
mund ta përtërijmë këtë jetë tonën dhe të gjejmë forcën për ta
dëshmuar fenë tonë.
Jezusi, kur shkoi i vetëm në Gjetseman për të qëndruar në një
marrëdhënie më intime me Atin dhe për ta bashkëndarë me të
dramën që do të jetonte, i la Pjetrin, Jakobin e Gjonin aq larg
sa shkon një gur i gjuajtur.
Ne tani nuk jemi larg Jezusit sa
një gur i gjuajtur, por jemi afër tij, në altarin e tij. Në këtë
altar pandërprerë ia kushton për ne Atit si fli me erë të mirë
gjakun e ballit të vet, të fytyrës së vet, të zemrës së vet, të
plagëve të veta, të krejt trupit të vet, edhe të tonit që
përjetësohet në histori.
Aty ku ndenjën tre apostujt, dëshmitarë të orës së tij që kishte
mbërritur, arkeologët kanë gjetur vendin e një shtypësi
ullinjsh, që na vë në një marrëdhënie të ngushtë me atë që jemi
duke bërë ne sot, tek merremi me vajin që është fryt i ullinjve
dhe i punës së njeriut.
Pa humbur sysh mundimet e Birit të Hyjit, që prodhuan gjakun e
shëlbimit tonë, ne në vendin e këtij shtypësi ideal, jemi duke
prodhuar Vajrat e Shenjtë të shpëtimit.
Dhe prej këtij shtypësi që grin ullinjtë, e duke i grirë prodhon
një vaj të këndshëm, dhe për të cilin ka referime të shumta në
Shkrimin e shenjtë, ne mësojmë stilin e jetës së çdo të
krishteri që, i grirë në shtypësin e Mundimeve të Krishtit, i
vajisur, i pastruar dhe i ruajtur prej Gjakut të tij, “shenjë” e
të cilit bëhet Ulliri, shkëlqen në llojin e vet si njeri
vazhdimisht i shëlbuar.
Dhe ne nuk jemi vetëm njohës ekspertë të këtij shëlbimi, por
edhe bartës, pasi secili prej nesh prej këtyre Vajrave të
Shenjtë është lyer për shëlbimin. Të lyer në Pagëzim, për të
shprehur risinë e jetës, që na është falur, të lyer në Krezmim,
për të shprehur vetëdijen për angazhimin dhe përgjegjësinë që
kemi në botë, të lyer në urdhrin meshtarak e ipeshkvor, që të
mbetet gjithmonë e shënuar dhe gjithmonë e pranishme në shpirtin
tonë e në trupin tonë përgjegjësia për të drejtuar kah Hyji, në
qiell, grigjën që na është besuar. Dhe Hyji na dhashtë hirin që
të mund të lyhemi përsëri kur të jemi të thirrur për të qenë të
ngjashëm me Krishtin që vuan në sëmundje, në moshën e shtyrë, në
përgatitjen për takimin përfundimtar me Krishtin gjykatës të
mëshirshëm, për “ta parë fytyrë për fytyrë, ashtu sikurse ai
është”.
Të përtërirë në këtë mënyrë, ndërgjegjësohemi përsëri për atë që
jemi dhe për atë që duhet të bëhemi përsëri: krijesa të reja.
Kështu, si ullinj të Krishtit, ne grihemi në dashurinë e tij për
t’u bërë vaj erëmirë, të bashkuar brendësisht me Krishtin.
Në këtë pikë lind e pashmangshme një pyetje: në çfarë përbëhet
kjo risi, në të cilën me gjakun e Krishtit na shndërron ne ky
shtypës ullinjsh: laikët e krishterë, meshtarët, burrat e gratë
e kushtuar Zotit dhe mua ipeshkvin? Në dashurinë. Një fjalë e
thjeshtë dhe e tmerrshme në të njëjtën kohë.
Në një kishë, në një kryq të madh, është vënë një shkrim që jep
kuptimin e kësaj dashurie të re e tipike së cilës çdo i lyer, i
shuguruar, duhet t’i referohet vazhdimisht: “Charitas sine
modo”, që me fjalë të thjeshta përkthehet: dashuri e pamasë,
dashuri e pakufishme.
Është dhurata që Zoti na bën jo vetëm çdo vit në misterin
pashkvor që kremtojmë solemnisht, por edhe në çdo Eukaristi në
të cilën i gjithë misteri i Krishtit kryhet dhe na komunikohet.
Pikërisht në këtë “dashuri të pamasë” na grin e na shndërron ky
shtypës ideal.
Për ne që jetojmë në këtë tokë të Shqipërisë dhe që i kemi ende
duart të lagura me gjakun e freskët të ipeshkvijve,
presbiterëve, rregulltarëve e laikëve tanë të martirizuar, nuk
duhet të jetë e vështirë ta kuptojmë domethënien e kësaj
“dashurie të pamasë”, para së cilës zemërimi i përndjekësve
bëhej edhe më i egër. Në martirët tanë lulëzoi në një mënyrë
krejtësisht të veçantë kjo “dashuri e pamasë”. Dhe nuk qenë dy
dashuri, por vetëm një dashuri, e vetme dhe absolute: Krishti,
Kisha, besimtarët qenë dashuria e tyre e vetme që i nxiti ta
shprehnin këtë dashuri të pamasë, të pakufishme.
Duhet ta themi me krenari të krishterë: jemi bij e trashëgimtarë
të këtyre vëllezërve tanë martirë. Ata nuk janë ndalur në
shtypësin e të parës të enjte të madhe, por kanë shkuar më tej,
të lyer, të shuguruar në vetë mundimet e Krishtit, kanë ndjekur
Mësuesin, hap pas hapi, dhe aty ku ka shkuar Ai, kanë shkuar
edhe ata.
Ky Vaj i Shenjtë që vazhdimisht na ka lyer e shuguruar, na ka
kushtuar krejtësisht Hyjit, dhe që mbajmë në trup, na detyron
për një stil tipik jete që në këtë “dashuri të pamasë” gjen
kuptimin dhe domethënien.
(Rrëshqitshmëria e vajit na tregon se sa gjë e bukur dhe e
këndshme është që vëllezërit të rrinë së bashku në këtë “dashuri
të pamasë”: “është si vaj erëmirë që zbret mbi mjekrën e Aronit,
mbi teshat e tij”.)
Ne meshtarëve Papa na ka thënë: “Ne kemi gjetur, madje jemi
gjetur prej dashurisë së Zotit dhe sa më shumë që e lëmë veten
të prekemi prej kësaj dashurie në jetën sakramentale, në jetën e
lutjes, në jetën e punës, të kohës së lirë, aq më shumë mund të
kuptojmë se po, e kam gjetur perlën e vërtetë, gjithë të tjerat
janë të rëndësishme në masën në të cilën dashuria e Zotit m’i
jep këto gjëra”.
Dëshmia që na kanë lënë vëllezërit tanë martirë zbulohet e tëra
në këtë rrugë bashkimi për besimtarët, bashkimi të ndërsjellë,
bashkimi me ipeshkvin, me Papën, dhe faljeje për përndjekësit e
vrasësit. Fjalët e fundit të seminaristit të ri Mark Çuni para
se të pushkatohej, qenë: “I fal të gjithë ata që më kanë
gjykuar, dënuar, dhe ata që do të zbatojnë vendimin”. Dhe
shprehjet e të tjerëve nuk qenë të ndryshme.
Në shkrimet e martirëve tanë është i pranishëm shpirti i
bashkimit të thellë të jetuar “në mënyrë të pamasë”, edhe në
kohët e vështira. Del qartë se shpirti i këtij bashkimi “të
pamasë” qe ipeshkvi. Çdo martir, veçanërisht meshtarët, në
momentet e mira dhe jo të mira, kanë qëndruar të lidhur ngushtë
me ipeshkvin e tyre, përveçse edhe me Papën dhe me vetë
popullin. Këtë e dëshmon korrespondenca e dendur që kanë pasur,
fillimisht me Imzot Lazër Mjedën, e pastaj me Imzot Prennushin e
Imzot Frano Gjinin. E dëshmon lidhja e padiskutueshme që kanë
ruajtur deri në derdhjen e gjakut me Selinë e Pjetrit,
Mëkëmbësit të Krishtit. Shërbëtori i Hyjit Don Shtjefen Kurti i
shkruante kështu Papës në momentin në të cilin situata
përndjekëse po bëhej gjithnjë e më kritike dhe e ashpër: “Shumë
i Lumi Atë, ... i vetmi ngushëllim i yni është të mund derdhim
në zemrën engjëllore të Atit të Përbashkët hidhërimin me të
cilin është i mbushur shpirti ynë i krishterë e meshtarak... po
shpreh dhimbjen time se po e hidhëroj shpirtin e ëmbël të
Shenjtërisë Suaj me këtë paraqitje të dhimbshme. I shtrirë te
këmbët e Shenjtërisë Suaj, që i puth me nderim, po kërkoj me
shumë përvujtëri bekimin Tuaj apostolik... për një të ardhme më
të mirë dhe sidomos për të na mbështetur në luftën e tashme që
pësojmë për fenë tonë dhe për lidhjen e patrandshme me Personin
Tuaj Madhështor, pa u mposhtur,”.
Por sidomos e dëshmon dashuria e tyre ndaj Eukaristisë, që
përbënte qendrën e jetës dhe bashkimit të tyre meshtarak e
misionar. Nëse më parë nuk kishin arritur ta vinin në një vend
të sigurtë apo ta konsumonin të Shenjtërueshmin Sakrament, ishin
në hall deri kur e merrnin vesh se kishin shpëtuar. Shërbëtori i
Hyjit Don Dedë Plani në burg nuk gjente paqe dhe nisi dikë për
të pyetur shërbyesen e tij Halla Kushën: “Ku gjendet Eukaristia,
a është lënë në tabernakull?”. Dhe u qetësua vetëm kur mori vesh
se një meshtar tjetër e kishte vënë në një vend të sigurtë. Edhe
kur Shërbëtori i Hyjit Imzot Jul Bonatti punonte në vetmi dhe në
pasiguri të çdo lloji në Vlorë, ku ishte transferuar prej
Durrësit, i shkruante kështu Ipeshkvit: “E kam vënë të
Shenjtërueshmin Sakrament [në qelën e rrënuar], ngushëllimin më
të madh për një meshtar...”.
Eukaristia është kremtimi i vazhdueshëm i kësaj “dashurie të
pamasë”, që nuk është gjë tjetër veçse kremtimi liturgjik i tërë
misterit të Golgotës, që në çdo Meshë të Shenjtë e bëjmë të
pranishëm në altar dhe në zemrën e botës.
Shumë të dashur meshtarë, unë dhe ju, të grirë sikurse ullinjtë
në shtypësin e mundimeve të Krishtit, hyjmë në këtë “charitas
sine modo”. Vaji erëmirë i lyerjes së marrë prej Krishtit,
nëpërmjet ipeshkvit tonë shugurues, na bëftë protagonistë dhe
shpallës të guximshëm të tij.
Shumë të dashur besimtarë, kurrë sikurse sot, në këtë të enjte
të madhe, në të cilën prej vullnetit të Krishtit jemi bërë
meshtarët tuaj, “i keni pasur sytë të ngulitur në ne”. Por, ju
që besoni në “Atë që na do... dhe na ka bërë mbretëri meshtarësh
për Hyjin dhe Atin e vet”, ju mund të na mbështetni në këtë
angazhim të të bërit të ngjashëm me Krishtin. Forcat tona,
sikurse edhe tuajat, janë të dobëta, sepse janë njësoj si ato të
çdo qenieje njerëzore, dhe lutja juaj, vlerësimi juaj dhe
dashuria juaj janë të domosdoshme për ne, që kemi përgjegjësinë
e madhe që t’ju flasim për Krishtin, t’ju japim Krishtin para së
gjithash me shembullin tonë.
Ju që i bashkëndani dobësitë tona, mund të na kuptoni dhe mund
ta bashkëndani me ne dëshirën për t’u prirur me të gjitha forcat
nga Krishti, që na ka “bërë” dëshmitarë dhe ambasadorë “të
veprës së tij të shëlbimit” dhe “na ka dërguar për t’ua çuar
lajmin e gëzueshëm të varfërve, për tëa fashuar plagët e zemrave
të thyera... për të ngushëlluar të gjithë të munduarit”.
Ja tani ne, para Hyjit dhe para jush, i përtërijmë premtimet
tona të bëra në momentin e shugurimit tonë meshtarak, dhe me
këtë akt i kërkojmë Zotit që të bëjë të rilulëzojë në duart tona
ajo Krizëm e Shenjtë me të cilën jemi lyer dhe jemi bashkuar me
Krishtin.
Në shpirin e kësaj “charitas sine modo”, të ndihemi të lidhur me
njëri-tjetrin dhe prej këtij shtypësi eukaristik të mundimeve të
Krishtit të ngjitemi edhe ne drejt Jeruzalemit ku, pas vdekjes
dhe varrosjes së Krishtit e tonës, lulëzon e lavdishme Ngjallja
Pashkvore. Amen.
Qoftë levduar Jezu Krishti!
† Angelo Massafra
titujt
kryesore
|