|
Sot, e Enjtja e Madhe, paradite, në të gjitha katedralet e
Kishës në botë, çdo ipeshkëv mbledh, në mënyrë të veçantë, të
gjithë meshtarët e Dioqezës së vet, për atë kremtim të
mrekullueshëm të përkufizuar ‘Mesha e Krizmës’, pra bekimi i
Vajrave të shenjtë: të katekumenëve, të të sëmurëve dhe të
Krizmës së shenjtë.
Ky i fundit
përdoret Për pagëzimin, për të lyer ballin e atyre që krezmohen,
duart e meshtarëve dhe, së fundi, kryet në shugurimin ipeshkvor.
Momente,
momente të mëdha, Krezmimi, Meshtaria, Shugurimi ipeshkvor, që
janë jo vetëm përcaktimi dhe shugurimi i njerëzve në ecjen
vokacionale (thirrore), por edhe shprehje të Forcës së Shpirtit.
Vërtet jemi
‘të lyer në Zotin’ te gjithe me pagezim dhe me krezmim; disa me
Urdhir i shenjt..
Në përfundim
të Meshës së Shenjtë famullitarët marrin vajrat që do t’i çojnë
në famulli për Pagëzimin, Vajimin dhe Krezmimin.
Ky
është një moment që na ‘bën të shohim’ se si vërtet Kisha është
Trupi i Krishtit, i dukshëm në Bashkimin e madh të meshtarëve me
ipeshkvin: është Festa e meshtarëve dhe e të gjithë besimtarëve,
të bashkuar në bashkësi me ipeshkvin e vet. Një ngjarje vërtet e
madhe dhe prekëse.
Në
mbrëmje: me solemnitet të madh, si për të vazhduar ‘Darkën e
Zotit’, apo dhuratën e Eukaristisë, në famulli kremtohet Mesha e
shenjtë e përkufizuar ‘In Coena Domini’, ose ‘Në Darkën e Zotit’.
Është solemniteti i ‘Kungimit të parë’ të Kishës, të përfaqësuar
prej Apostujve, me Trupin e Gjakun e Jezusit, të dhuruar
përgjithmonë atë mbrëmje.
Një Darkë që
qysh atëherë nuk mbaron kurrë dhe është shfaqja e madhe e Hyjit
që bëhet Dhuratë, Bukë Jete për ne: ‘Mister i madh i fesë’.
Këtu matet se sa shumë rëndësi ka Eukaristia për ne: nëse ka pak
apo shumë rëndësi. Secili duhet ta pyesë veten për këtë. Festa e
sotme na bën ta konsiderojmë ende dhuratën e madhe dhe të
çmueshme të thirrjes meshtarake. Figura e meshtarit sot duhet të
jetë gjithnjë e më e karakterizuar prej “vertikalitetit” dhe
prej “horizontalitetit”. Jeta shpirtërore e jetuar në momentet e
ndryshme të ditës, duhet të jetë para së gjithash një përvojë
personale dhe pastaj duhet t’i propozohet bashkësisë. Është e
nevojshme të qëndrojmë në mes të bashkësisë si ata që i
shërbejnë bashkimit. Në të vërtetë, Krishti, ashtu siç është në
Eukaristi është edhe në vëllain... shenja e paqes në tryezë nuk
ka kuptim nëse mungon bashkimi, vëllazëria. Ju jeni fjalë, ju
jeni sakrament, ju jeni eukaristi dhe Jezusi gjendet në mesin
tonë, përreth kësaj tryeze, për ta përtërirë, Ai së bashku me
ne, atë kremtim që e bëri të jetonte mbrëmjen e fundit të jetës
së tij tokësore. Dhe cila ka qenë sjellja e tij atë mbrëmje?
Ajo e të qenit
shërbëtor.
Vëllezërit e mi, ai që ngrihet prej tryezës së Eukaristisë duhet
t’i hedhë veshjet: Veshjet e fitimit, të llogaritjes, të
interesit personal, për të vënë bohçen e shërbimit e të
bashkimit, përvujtërinë. Veshjet e pasurisë, të luksit, të
shkapërderdhjes, të mendësisë borxheze, për të veshur
tejdukshmëritë e modestisë, të thjeshtësisë, të pervuajterise.
Veshjet e
sundimit, të arrogancës dhe të hegjemonis, për t’u mbuluar me
veshjet e shërbimit, e dobësisë e të varfërisë.
Të hedhim
veshjet për ne meshtarët duhet të thotë të bëhemi “mbarështues
të Hyjit dhe shërbëtorë” të njerëzve, të të varfërve, të të
vuajturve, të të gjithë atyre që mbeten prapa apo që janë
nëpërkëmbur prej të tjerëve.
Dinjiteti i detyrës duhet të kthehet në ripërshkim të ecjes së
Zotit, që ndalet para këmbëve të vëllezërve të vet. Vëllezërit e
mi të dashur, t’i duam të varfërit, t’i kuptojmë, t’i ndihmojmë
që të rriten, me stilin e durimit.
Kujtoni
gjithmone se Zoti ju ka vendosur si tharm në brumin e botës, në
atë bashkësi të caktuar, në atë famulli ku punoni! Njerëzit,
vëllezërit e mi, i kuptojnë shenjat.
Ndjekja e
Krishtit do të thotë te jetosh rrënjësia e lumturive.
Kurrë të mos largohet prej mendjes sonë dhe prej zemrës sonë
mendimi se thirrja në meshtari do të thotë edhe mohimi dhe
vetemohimi, nganjëherë do të thotë edhe jopopullaritet, do të
thotë flijim, do të thotë shkëputje prej personave dhe prej
gjërave. Do të thotë parapëlqimi i jetës së brendshme para asaj
të jashtme, do të thotë zgjedhja e një përsosmërie të virtytshme
e të vazhdueshme në vend të një mediokriteti të rehatshëm dhe
jodomethënës.
Beqaria jonë të mos jetë mungesë, por prani e Hyjit dhe e të
tjerëve. Jini njerëz marrëdhëniesh të thella, të dhurimit falas,
të shërbimit. Beqaria do të thotë, edhe, aftësia për t’i dëgjuar
zërat lutës të atyre që kanë nevojë për Hyjin, për Fjalën e Tij,
për faljen e tij, për ngushëllimin në sëmundje. Do të thotë të
jemi e të mbetemi të rinj, me veshim të kthjellët dhe zemrën të
madhe.
Ne
jemi pasioni i Jezu Krishtit dhe besoj se ky duhet të jetë
elementi tematik që duhet ta mbështesë gjithë meditimin tuaj të
kësaj jave, që fillon në këtë moment për ne dhe do të përfundojë
me shpërthimin e dritës së Pashkëve. Të meditojmë këto ditë mbi
faktin se Jezu Krishti ka një pasion të pabesueshëm, dhe ai jemi
ne.
Atëherë bij e vëllezër, jini njerëz të Falënderimit! Të dini
gjithmonë të mahniteni për mrekullitë e Hyjit: besoni dhe
ndihmojini të tjerët që të besojnë. Të lutemi këtë ditë të
veçantë me qëllim që secili prej nesh të mund të jetë gjithmonë
i aftë për mahnitjen dhe entuziazmin e ditëve të para, i aftë të
dridhet përballë Pashkëve të Jezusit dhe misterit që është çdo
person.
Menjëherë më pas do të përtërijmë premtimet meshtarake që kemi
bërë ditën e Shugurimit meshtarak para Ipeshkvit, Presbiterit
dhe bashkësisë.
Pikërisht, për një përtërirje shpirtërore i Meshtarëve, Papa
Benedikti XVI ka shpallur vitin meshtarak nga 19 qershor 2009
deri m 19 qershor 2010.
Kjo Meshë na dhashtë hirin dhe gezim pë të pnuar për mbreterinë
e Zotit. Urime.
† Angelo Massafra
titujt
kryesore |