ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

INTERVISTË E DHËNË NGA ATI I SHENJTË PAPA BENEDIKTI XVI

PËR GAZETARËT GJATË FLUTURIMIT PËR NË FRANCË

 

Fluturimi Papnor, e premte 12 shtator 2008

 

 

PYETJA: “Francë, a je besnike ndaj premtimeve të pagëzimit tënd?”, kishte pyetur në vitin 1980 Gjon Pali II, gjatë udhëtimit të tij të parë. Sot cili do të jetë mesazhi i tij për francezët? A mendon se për shkak të laicitetit Franca është duke humbur identitetin e saj të krishterë?

 

BENEDIKTI XVI: Më duket e qartë sot se laiciteti në vetvete nuk është në kundërshtim me besimin. Përkundrazi, do të thoja se është fryt i besimit, sepse feja e krishterë ishte, që në fillim, një besim universal jo i identifikuar si një Shtet, i pranishëm në të gjitha Shtetet dhe i ndryshëm në çdo Shtet. Për të krishterët ka qenë gjithmonë e qartë se feja dhe besimi nuk janë politike, por një sferë tjetër e jetës njerëzore. Politika, Shteti nuk është një fe, por një realitet profan me një mision specifik. dhe duhet të jenë të hapura ndaj njëra-tjetrës. Në këtë kuptim do të thoja sot, për Francezët, por jo vetëm për Francezët, për ne të krishterët në këtë botë të shekullarizuar të ditëve të sotme, është e rëndësishme ta jetojmë me gëzim lirinë e besimit tonë, ta jetojmë bukurinë e besimit dhe t’i bëhet e dukshme botës së sotme se është e bukur ta njohim Hyjin, Hyjin me fytyrë njerëzore në Jezu Krishtin. Pra, ta tregojmë mundësinë e të qenit sot besimtarë dhe nevojën që në shoqërinë tonë të ketë njerëz që e njohin Hyjin dhe munden të jetojnë sipas vlerave që na ka dhënë dhe të kontribojmë në praninë e vlerave që janë themelore për ndërtimin dhe mbijetesën e Shteteve tona dhe të shoqërive tona.

 

PYETJA: Ju e doni dhe e njihni Francën. çfarë Ju lidh në mënyrë më të veçantë me këtë vend, cilët janë autorët francezë, laikë ose të krishterë, që Ju kanë goditur më shumë ose kujtimet më prekëse që ruani nga Franca?

 

BENEDIKTI XVI: Nuk do të guxoja të thoja se e njoh mirë Francën. E njoh pak, por e dua Francën, kulturën e madhe franceze, mbi të gjitha, natyrisht, katedralet e mëdha, edhe artin e madh francez. teologjinë e madhe që fillon me Shën Ireneun nga Lioni deri në shekullin XIII dhe kam studiuar universitetin e Parisit në shekullin XIII: Shën Bonaventura, Shën Toma i Akuinit. Kjo teologji ka qenë vendimtare për zhvillimin e teologjisë në Perëndim. Dhe natyrisht teologjia e shekullit të Koncilit II të Vatikanit. Kam pasur nderin dhe gëzimin e madh të jem mik i atë de Lubac, njëra prej figurave më të mëdha të shekullit të kaluar, por kam pasur edhe kontakte të mira pune me at Congar, Jean Daniélou dhe të tjerë.

 

Kam pasur marrëdhënie të mira personale me Etienne Gilson, Henri-Irénée Maroux. Pra, kam pasur një kontakt me të vërtetë të thellë, shumë personal dhe të pasur me kulturën e madhe teologjike dhe filozofike të Francës. Ka qenë me të vërtetë përcaktuese për zhvillimin e mendimit tim. Por edhe rizbulimi i gregorianit origjinal me Solesmes-in, kultura e madhe e manastirit. dhe natyrisht poezia e madhe. Duke qenë një njeri i periudhës së barokut, më pëlqen shumë Paul Claudel, me gëzimin e tij për të jetuar, edhe Bernanos dhe poetët e mëdhenj të Francës së shëkullit të kaluar. Është një kulturë që ka përcaktuar me të vërtetë zhvillimin tim personal, teologjik, filozofik dhe njerëzor.

 

PYETJA: Çfarë do t’u thoni atyre që në Francë kanë frikë se Motu proprio “Summorum pontificum” shënon një rikthim prapa në krahasim me mësimet e mëdha të Koncilit II të Vatikanit? Në çfarë mënyre mund t’i siguroni ata?

 

BENEDIKTI XVI: Është një frikë pa baza, sepse kjo Motu proprio është thjesht një vepër tolerance, me pikësynime baritore, për persona që kanë qenë të formuar në atë liturgji, e duan, e njohin, dhe duan të jetojnë me atë liturgji. Është një grup i reduktuar sepse nënkupton një formim në latinisht, një formim në një kulturë të vërtetë. Por për këto njerëz të kesh dashurinë dhe tolerancën për t’i lejuar të jetojnë me këtë liturgji, duket një nevojë normale e besimit dhe e baritores së një ipeshkvi të Kishës sonë. Nuk ka asnjë kundërshtim mes liturgjisë së ripërtërirë të Koncilit II të Vatikanit dhe kësaj liturgjie.

 

Çdo ditë etërit e Koncilit e kanë kremtuar Meshën sipas ritit të vjetër dhe, njëkohësisht, kanë hartuar një zhvillim të natyrshëm për liturgjinë gjatë gjithë këtij shekulli, pasi liturgjia është një realitet i gjallë që zhvillohet dhe ruan në zhvillimin e saj, në identitetin e saj. Pra, me siguri ka theksime të ndryshme, por sidoqoftë një identitet themelor që përjashton një kundërshti, një kundërshtim mes liturgjisë së ripërtërirë dhe liturgjisë së mëparshme. Në çdo rast besoj se është një mundësi pasurimi nga të dyja anët. Nga njëra anë miqtë e liturgjisë së vjetër munden dhe duhet t’i njohin shenjtërit e rinj, parathëniet e reja të liturgjisë, etj. nga ana tjetër, liturgjia e re nënvizon më shumë pjesëmarrjen e përgjithshme, por gjithmonë. nuk është thjesht një asamble e një bashkësie të caktuar, por gjithmonë një vepër e Kishës universale, në bashkësi me të gjithë besimtarët e të gjitha kohëve, është një vepër adhurimi. Në këtë kuptim më duket se ka një pasurim të ndërsjellë, dhe është e qartë se liturgjia e re është liturgjia e zakonshme e ditëve tona.

 

PYETJA: Me çfarë shpirti e nisni shtegtimit Tuaj në Lurd, dhe a keni qenë më përpara?

 

BENEDIKTI XVI: Kam qenë në Lurd për Kongresin eukaristik ndërkombëtar në vitin 1981, pas atentatit ndaj Atit të Shenjtë (Gjon Pali II, n.d.r.). Dhe kardinali Gantin ishte i deleguari i Atit të Shenjtë. Për mua është një kujtim shumë i bukur.

 

Dita e festës së Shenjtes Bernardetë është edhe dita e lindjes sime. Dhe është kjo një prej arsyeve për të cilën ndihem shumë afër shenjtes së vogël, asaj vajze të re, të pastër, të përvuajtë, me të cilën Zoja ka folur.

 

Të takosh këtë realitet, këtë prani të Zojës në kohën tonë, të shohësh gjurmët e asaj vajze që ishte mike me Zojën dhe, nga ana tjetër, të takosh Zojën, Nënën e saj, është një ngjarje e rëndësishme për mua. Natyrisht nuk shkojmë aty për të gjetur mrekulli.

 

Atje do të gjej dashurinë e Nënës që është shërimi i vërtetë për të gjitha sëmundjet, të gjitha dhimbjet. dhe të jem solidar me të gjithë ata që vuajnë, nëpër dashurinë e Nënës. Më duket një shenjë mjaft e rëndësishme për epokën tonë.

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster