|
|
Fluturimi Papnor,
E premte, 8 maj 2009
Atë Lombardi: Shenjtëri, ne Ju
falënderojmë shumë që na jepni edhe këtë herë rastin për t’u takuar me
Ju në fillim të një udhëtimi kaq të rëndësishëm dhe angazhues. Na jepni
edhe mundësinë për t’Ju uruar një udhëtim të mbarë dhe për t’Ju thënë se
do të bashkëpunojmë për të përhapur mesazhin që ju do të na jepni. Si
zakonisht, pyetjet që tani do të bëj janë rezultati i një përmbledhjeje
pyetjesh mes kolegëve të pranishëm. Pyetjet i drejtoj unë për lehtësi
logjistike, por në të vërtetë janë fryt i një pune të përbashkët.
P: Shenjtëri, ky udhëtim bëhet
në një periudhë shumë delikate për Lindjen e Mesme: atje ka tensione të
forta për shkak të krizës së Gazës, dhe për këtë arsye mendohej se Ju
edhe mund të hiqnit dorë. Në të njëjtën kohë, pak ditë mbas udhëtimit
Tuaj, përgjegjësit kryesorë të politikës së Izraelit dhe të autoriteteve
Palestineze, do të takojnë edhe presidentin Obama. Ju mendoni se do të
jepni një kontribut në procesin e paqes që tani duket se ka
ngecur?
P: Mirëdita! Pikësëpari doja t’ju
falënderoja për punën që bëni dhe urojmë që të kemi një udhëtim të mbarë
të gjithë së bashku, një shtegtim të mbarë, një kthim të mbarë. Për sa i
përket pyetjes, natyrisht përpiqem të kontribuoj për paqen jo si individ,
por në emër të Kishës katolike, të Selisë së Shenjtë. Ne nuk jemi një
fuqi politike, por një forcë shpirtërore dhe kjo forcë shpirtërore është
një realitet që mund të kontribuojë në përparimin e procesit të paqes.
Shoh tre nivele. I pari: si besimtarë jemi të bindur se lutja është një
forcë e vërtetë: që ia hap botën Hyjit. Jemi të bindur se Hyji dëgjon
dhe se mund të veprojë në histori. Mendoj se, nëse miliona njerëz,
besimtarë, luten, është me të vërtetë një forcë që ndikon dhe mund të
kontribuojë që të ecim përpara me paqe. I dyti: ne përpiqemi të
ndihmojmë në formimin e ndërgjegjeve. Ndërgjegja është aftësia e njeriut
për ta perceptuar të vërtetën, por kjo aftësi shpesh pengohet nga
interesa të veçanta. Dhe të lirosh nga këto interesa, të hapësh më shumë
ndaj të vërtetës, ndaj vlerave të vërteta është një angazhim i madh:
është detyrë e Kishës të ndihmojë në njohjen e këtyre kritereve të
vërteta, e këtyre vlerave të vërteta dhe të na lirojë nga interesa të
veçanta. Dhe kështu le të flasim tani për nivelin e tretë: për arsyen:
pikërisht sepse nuk jemi palë politike, ndoshta më me lehtësi, edhe nën
dritën e besimit, mund t’i shohim kriteret e vërteta, të ndihmojmë për
të kuptuar se sa kontribuon për paqen dhe t’i flasim arsyes, të
mbështesim pozicionet realisht të arsyeshme. Dhe këtë e kemi bërë dhe
duam ta bëjmë edhe tani edhe në të ardhmen.
P:
Faleminderit Shenjtëri. Pyetja e dytë. Ju, si teolog,
keni reflektuar në mënyrë të veçantë mbi rrënjën e vetme që bashkon të
krishterët dhe hebrenjtë. Si ka mundësi, pavarësisht përpjekjeve për
dialog, që shpesh ndodhin keqkuptime? Si e sheh të ardhmen e
dialogut mes këtyre dy bashkësive?
P: E rëndësishme është se
në të vërtetë kemi të njëjtën rrënjë, të njëjtat libra të Besëlidhjes së
Vjetër, që është - si për hebrenjtë ashtu edhe për ne - Libri i Zbulimit.
Por, natyrisht, pas dy mijë vjetësh histori të ndryshme, të ndara, nuk
duhet të habitemi që ka keqkuptime, sepse janë krijuar tradita të
interpretimit, të të folurit, të të menduarit shumë të ndryshme, ose më
mirë një “gjithësi semantike” shumë e ndryshme, aq sa të njëjtat fjalë
në të dyja anët kanë kuptime të ndryshme; dhe me këtë përdorim fjalësh
që, në rrjedhën e historisë kanë marrë kuptime të ndryshme, normalisht
lindin keqkuptime. Duhet të bëjmë gjithçka për të mësuar gjuhën e
njëri-tjetrit, dhe më duket se jemi duke bërë përparime të mëdha. Sot
kemi mundësinë që të rinjtë, mësuesit e ardhshëm të teologjisë, të
studiojnë në Jerusalem, në Universitetin hebraik, dhe që hebrenjtë të
kenë kontakte akademike me ne: kështu ka një takim të kësaj “gjithësie
semantike” të ndryshme. Të mësojmë njëkohësisht dhe të ecim përpara në
rrugën e dialogut të vërtetë, të mësojmë njëri-tjetrin dhe jam i sigurt
dhe i bindur se do të ecim përpara. Kjo do ta ndihmojë edhe paqen, edhe
dashurinë e ndërsjellë.
P: Shenjtëri, ky udhëtim ka dy
përmasa thelbësore dialogu ndërfetar, me Islamin dhe me Hebraizmin. A
janë dy drejtime krejtësisht të ndarë nga njëri-tjetri apo do të ketë
edhe një mesazh të përbashkët që i përket të tre besimeve që kanë të
përbashkët Abrahamin?
P: Sigurisht ekziston edhe
një mesazh i përbashkët dhe do të kemi rast ta japim; pavarësisht
origjinës së ndryshme, kemi rrënjë të njëjta, sepse, siç thashë,
krishterimi ka lindur nga Besëlidhja e Vjetër dhe Shkrimet e Besëlidhjes
së Re nuk do të ekzistonin pa Besëlidhjen e Vjetër, sepse i referohet
pareshtur “Shkrimit”, domethënë Besëlidhjes së Vjetër, por edhe Islami
ka lindur në një ambjent ku ishin të pranishëm si Hebraizmi, ashtu edhe
disa degë të ndryshme të krishterimit: judeo-krishterimi,
krishterimi-antioken, krishterimi-bizantin, dhe të gjitha këto rrethana
pasqyrohen në traditën e Kuranit, kështu që kemi shumë gjëra të
përbashkëta që prej fillimit e deri tek besimi në një Zot të vetëm, për
këtë arsye është e rëndësishme nga njëra anë të kemi dialogje të
dyanshme-me Hebrenjtë dhe me Islamin-e pastaj edhe një dialog të
treanshëm. Unë vetë kam qenë bashkëthemelues i një fondacioni për
dialogun mes tre besimeve, ku personalitete si Metropoliti Damaskinos
dhe Rabini i Madh i Francës Rene Samuel Sirat, etj. ishim së bashku dhe
ky fondacion është kujdesur për të botuar libra të të tre feve: Kuranin,
Besëlidhjen e Re dhe Besëlidhjen e Vjetër. Për këtë arsye dialogu i
treanshëm duhet të ecë përpara, është shumë i rëndësishëm për paqen si
edhe – le të themi – për të jetuar mirë secili fenë e vet.
P:
Një pyetje të fundit. Shenjtëri, Ju shpesh keni bërë
thirrje për problemin e zvogëlimit të krishterëve në Lindjen e Mesme dhe
në mënyrë të veçantë në Tokën e Shenjtë. Është një fenomen me arsye të
ndryshme politike, ekonomike dhe sociale. Çfarë mund të bëhet
konkretisht për të ndihmuar praninë e krishterë në rajon? Çfarë
kontributi shpresoni të jepni me udhëtimin tuaj? A ka shpresa për këta
të krishterë në të ardhmen? A do të keni një mesazh të veçantë edhe për
të krishterët në Gaza, që do të vijnë t’Ju takojnë në Betlehem?
P:
Sigurisht që ka shpresa, sepse tani është një
moment, siç thatë Ju, i vështirë, por edhe një moment shprese për një
fillim të ri, i një zelli të ri drejt rrugës së paqes. Mbi të gjitha
duam t’i inkurajojmë të krishterët e Tokës së Shenjtë dhe të të gjithë
Lindjes së Mesme të qëndrojnë, të japin kontributin e tyre në Vendet e
tyre të origjinës: janë një përbërës i rëndësishëm i kulturës dhe i
jetës së këtyre rajoneve. Konkretisht, Kisha, përveç fjalëve
inkurajuese, lutjes së përbashkët, ka mbi të gjitha shkolla dhe spitale.
Në këtë kuptim kemi praninë e realiteteve shumë konkrete. Shkollat tona
formojnë një brez që do të ketë mundësinë të jetë i pranishëm në jetën e
sotme, në jetën publike. Jemi duke hapur një Universitet katolik në
Jordani: kjo më duket një perspektivë e madhe, ku të rinjtë – si
myslimanë, ashtu edhe të krishterë – takohen, mësojnë së bashku,
formohet një elitë e krishterë që është e përgatitur për të punuar për
paqen. Por në përgjithësi shkollat tona janë një moment shumë i
rëndësishëm për t’u hapur një të ardhme të krishterëve dhe spitalet
tregojnë praninë tonë. Për më tepër ka shumë organizata të krishtera që
i ndihmojnë në mënyra të ndryshme të krishterët dhe me ndihma konkrete i
inkurajojmë ata të qëndrojnë aty. Kështu shpresoj që realisht të
krishterët të mund ta gjejnë guximin, përvujtërinë, durimin për të
qëndruar në këto Vende, për të ofruar kontributin e tyre për të ardhmen
e këtyre Vendeve.
Atë
Lombardi: Faleminderit Shenjtëri, me
këto përgjigje na keni ndihmuar ta shohim këtë udhëtim nga një
këndvështrim shpirtëror, nga një pikëpamje kulturore dhe ju bëj përsëri
urimet e mia, edhe nga ana e të gjithë kolegëve që janë në këtë
fluturim, edhe të tjerët që janë në fluturim drejt Tokës së Shenjtë në
këto orë, për të marrë pjesë dhe për të ndihmuar edhe nga pikëpamja
informuese një rezultat të mirë të këtij misioni kaq angazhues. Udhëtim
të mbarë Juve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve Tuaj dhe punë të mbarë edhe
kolegëve.
titujt kryesorë
|
|