|
|
GJATË FLUTURIMIT DREJT
REPUBLIKËS ÇEKE
Udhëtimi i Papës me
aeroplan
E shtunë, 26 shtator 2009
Atë Lombardi: Shenjtëri, jemi shumë
mirënjohës që edhe këtë radhë dëshironi të na jepni ndonjë minutë dhe
ndonjë përgjigje ndaj pyetjeve që kemi mbledhur gjatë përgatitjes për
këtë udhëtim, dhe që na jepni mundësinë kështu edhe t’ju urojmë udhëtim
të mbarë.
Pyetja e parë: sikurse Ju
keni thënë në Angelus-in e të dielës së kaluar, Republika Çeke gjendet
jo vetëm gjeografikisht, por edhe historikisht në zemër të Europës. A
mund të na e shpjegoni më mirë këtë term “historikisht” dhe të na thoni
se si dhe përse mendoni se kjo vizitë mund të jetë domethënëse për
kontinentin në tërësinë e vet, në ecjen e vet kulturore, shpirtërore dhe
eventualisht edhe politike, të ndërtimit të Bashkimit Europian?
Përgjigje – Në të gjithë shekujt
Republika Çeke, territori i Republikës Çeke ka qenë vend takimi i
kulturave. Le të fillojmë me shekullin IX: nga njëra anë, në Moravi,
kemi misionin e madh të vëllezërve Ciril e Metod, që prej Bizantit
sjellin kulturën bizantine, por krijojnë një kulturë sllave, me
karakteret cirilike dhe me një liturgji në gjuhën sllave; nga ana
tjetër, në Bohemi, janë dioqezat fqinje të Regensburgut dhe Pasaut që
sjellin Ungjillin në gjuhën latine, dhe, në lidhje me kulturën
romako-latine, takohen kështu dy kulturat. Çdo takim është i vështirë,
por edhe i frytshëm. Kjo mund të tregohet lehtë me këtë shembull. Po bëj
një kapërcim të madh: në shekullin XIV Karli IV krijon këtu, në Pragë,
universitetin e parë në Europën Qendrore. Universiteti në vetvete është
një vend takimi për kulturat; në këtë rast, bëhet edhe një vend takimi
mes kulturës sllave dhe asaj gjermanofolëse. Se si në shekullin dhe në
kohët e Reformës, pikërisht në këtë territor, takimet dhe përplasjet
bëhen të vendosura e të forta, këtë e dimë të gjithë. Tani po bëj një
kapërcim në të tashmen tonë: në shekullin e kaluar, Republika Çeke ka
vuajtur nën një diktaturë komuniste veçanërisht të rreptë, por ka pasur
edhe një rezistencë qoftë katolike, qoftë laike të një niveli shumë të
lartë. Mendoj për tekstet e Vaclav Havelit, për kardinalin Vlk, për
personalitete sikurse kardinali Tomášek, që realisht i kanë dhënë
Europës një mesazh për atë se çfarë është liria dhe se si duhet të
jetojmë e të punojmë në liri. Dhe mendoj se nga ky takim i kulturave
gjatë shekujve, e pikërisht nga kjo fazë e fundit e reflektimit, e jo
vetëm, por edhe e vuajtjes për një koncept të ri të lirisë dhe të
shoqërisë së lirë, dalin për ne shumë mesazhe të rëndësishme, që mund
dhe duhet të jenë të frytshme për ndërtimin e Europës. Duhet të jemi
shumë të vëmendshëm pikërisht ndaj mesazhit të këtij vendi.
Pyetje – Jemi njëzet vjet
pas rënies së regjimeve komuniste në Europën Lindore; Gjon Pali II, duke
vizituar vende të ndryshme të dalë prej komunizmit, i nxiste ata ta
përdornin me përgjegjësi lirinë e rifituar. Cili është sot mesazhi juaj
për popujt e Europës Lindore në këtë fazë të re historike?
Pyetje – Sikurse thashë,
këto vende kanë vuajtur veçanërisht nën diktaturë, por në vuajtje janë
pjekur edhe konceptet e lirisë që janë aktuale dhe që tani duhet të
përpunohen edhe më tej e të realizohen. Mendoj, për shembull, për një
tekst të Vaclav Havelit që thotë: “Diktatura bazohet në gënjeshtrën dhe
nëse gënjeshtra kapërcehet, nëse askush nuk gënjen më dhe nëse del në
dritë e vërteta, ka edhe liri”. E kështu ka përpunuar këtë lidhje mes të
vërtetës dhe lirisë, ku liria nuk është libertinizëm, arbitraritet, por
është e lidhur dhe e kushtëzuar prej vlerave të mëdha të të vërtetës, të
dashurisë, të solidaritetit dhe të të mirës në përgjithësi. Kështu,
mendoj se këto koncepte, këto ide të pjekura në kohën e diktaturës nuk
duhet të humbasin: tani duhet pikërisht t’u kthehemi atyre! Dhe në
lirinë shpesh pak të zbrazët e pa vlera, të pranojmë përsëri se liria
dhe vlerat, liria dhe e mira, liria dhe e vërteta shkojnë së bashku:
përndryshe shkatërrohet edhe liria. Ky më duket se është mesazhi që vjen
prej këtyre vendeve dhe që duhet të aktualizohet në këtë moment.
Pyetje – Shenjtëri,
Republika Çeke është një vend shumë i shekullarizuar në të cilin Kisha
katolike është një pakicë. Në këtë situatë, si mund të ndihmojë
efektivisht Kisha në të mirën e përbashkët të vendit?
Përgjigje – Do të thoja se normalisht
janë pakicat krijuese ato që e përcaktojnë të ardhmen, dhe në këtë
kuptim Kisha katolike duhet të kuptohet si pakicë krijuese që ka një
trashëgimi vlerash që nuk janë gjëra të të kaluarës, por janë një
realitet shumë i gjallë e aktual. Kisha duhet të aktualizojë, të jetë e
pranishme në debatin publik, në luftën tonë për një koncept të vërtetë
të lirisë dhe të paqes. kështu, mund të ndihmojë në sektorë të ndryshëm.
Do të thoja se i pari është pikërisht dialogu intelektual mes
agnostikëve dhe besimtarëve. Të dyja palët kanë nevojë për
njëri-tjetrin: agnostiku nuk mund të jetë i kënaqur duke mos ditur nëse
Hyji ekziston apo jo, por duhet të jetë në kërkim dhe ta ndiejë
trashëgiminë e madhe të fesë; katoliku nuk mund të kënaqet vetëm duke
pasur fenë, por duhet të jetë në kërkim të Hyjit, edhe më shumë, dhe në
dialog me të tjerët ta ri-mësojë Hyjin më thellësisht. Ky është niveli i
parë: dialogu i madh intelektual, etik dhe njerëzor. Pastaj, në sektorin
edukativ, Kisha ka shumë për të bërë e për të dhënë, për sa i përket
formimit. Në Itali flasim për problemin e emergjencës edukative. Është
një problem i përbashkët për gjithë Perëndimin: këtu Kisha duhet ta
aktualizojë, ta konkretizojë, ta hapë përsëri për të ardhmen
trashëgiminë e vet të madhe. Një sektor i tretë është “Caritas”-i. Kisha
e ka pasur atë gjithmonë si shenjë të identitetit të vet: t’u vijë në
ndihmë të varfërve, të jetë mjet i dashurisë së krishterë. Caritas-i në
Republikën Çeke bën shumë në bashkësitë e ndryshme, në situatat e
nevojës, dhe i ofron shumë edhe njerëzimit që vuan në kontinentet e
ndryshme, duke dhënë kështu një shembull përgjegjësie për të tjerët,
solidariteti ndërkombëtar, që është edhe kusht i paqes.
Pyetje – Shenjtëri,
Enciklika juaj e fundit “Caritas in veritate” ka pasur një jehonë të
madhe në botë. Si e vlerësoni këtë jehonë? A jeni i kënaqur për këtë? A
mendoni se efektivisht kriza botërore e kohëve të fundit është një rast
në të cilin njerëzimi është bërë më i gatshëm për të reflektuar mbi
rëndësinë e vlerave morale e shpirtërore, për të përballuar problemet e
mëdha të të ardhmes së vet? Dhe Kisha, a do të vazhdojë të japë
orientime në këtë drejtim?
Përgjigje – Jam shumë i kënaqur për
këtë diskutim të madh. Pikërisht ky ishte qëllimi: të nxisnim e të
motivonim një diskutim mbi këto probleme, të mos i lëmë gjërat të
shkojnë ashtu siç janë, por të gjejmë modele të reja për një ekonomi të
përgjegjshme, qoftë në vendet e veçanta, qoftë për tërësinë e njerëzimit
të njësuar. Sot më duket realisht e dukshme se etika nuk është diçka
jashtë ekonomisë, e cila si një teknikë mund të funksionojë vetë, por
është një parim brenda ekonomisë, e cila nuk funksionon nëse nuk mban
parasysh vlerat njerëzore të solidaritetit, të përgjegjësive të
ndërsjella dhe nëse nuk e integron etikën në ndërtimin e vetë ekonomisë:
është një sfidë e madhe e këtij momenti. Shpresoj se me Enciklikën kemi
dhënë ndihmesën tonë në këtë sfidë. Debati që zhvillohet më duket
nxitës. Me siguri duam të vazhdojmë t’u përgjigjemi sfidave të momentit
dhe të ndihmojmë që ndjenja e përgjegjësisë të jetë më e fortë se
vullneti i përfitimit, që përgjegjësia ndaj të tjerëve të jetë më e
fortë se egoizmi; në këtë kuptim, duam t’i japim ndihmesën tonë një
ekkonomie njerëzore edhe në të ardhmen.
Pyetje – Dhe për të
përfunduar, një pyetje pak personale: gjatë verës, keni pasur një
incident të vogël në puls. A e konsideroni atë tani plotësisht të
kapërcyer? A keni mundur ta rimerrni plotësisht aktivitetin tuaj dhe a
keni mundur të punoni edhe për pjesën e dytë të librit tuaj mbi Jezusin,
sikurse dëshironit?
Përgjigje – Nuk është kapërcyer ende
krejtësisht, por e shihni se dora e djathtë funksionon dhe gjërat
kryesore mund t’i bëj: mund të ha dhe, sidomos, mund të shkruaj. Mendimi
im zhvillohet sidomos duke shkruar; prandaj për mua ishte vërtet një
mundim, një shkollë durimi, fakti se nuk kam mundur të shkruaj për
gjashtë javë. Megjithatë, kam mundur të punoj, të lexoj, të bëj gjëra të
tjera dhe kam ecur pak përpara edhe me librin. Por kam ende shumë për të
bërë. Mendoj se, me bibliografinë dhe gjithçka që vijon ende, “Deo
adiuvante”, mund të përfundojë në pranverën e ardhshme. Por kjo është
një shpresë!
Atë Lombardi: Shumë faleminderit,
Shenjtëri, e, edhe një herë, urimet më të mira për këtë udhëtim që është
i shkurtër, por shumë i dendur dhe, sikurse Ju na shpjeguat, është edhe
shumë domethënës.
titujt kryesorë
|
|