ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

Karta e të Drejtave të Familjes

 

 

Përktheu nga italishtja

ANGJELINA GJEKA

 

Redaktorë

 ATË LELLO LANZILLI SJ

MOTËR DILA SHTJEFNI

 

Faqosja dhe grafika

 LUIGJ MILA

 

© Copyright 2005

 

ARQIPESHKVIA METROPOLITANE    

SHKODËR - PULT

 

Shtypur

SHTYPSHKRONJA “VOLAJ”

2005

 

 

 

Paraqitje

 Karta e të drejtave të familjes i ka pikënisjet e veta në kërkesën e formuluar prej sinodit të ipeshkvijve të mbajtur në Romë, në vitin 1980, me temë: “Detyrat e familjes së krishterë në botën e sotme” (krh. Propositio, nr. 42 [EV 7/802-804]. Shenjtëria e tij, Papa Gjon Pali II, në nxitjen apostolike Familiaris consortio (nr. 46), miratoi kërkesën e sinodit dhe angazhoi Selinë e Shenjtë për të përgatitur një Kartë të të drejtave të familjes që t’ia paraqiste rretheve dhe personave të interesuar [EV 7/1672].

Është e rëndësishme të kuptohet drejt natyra dhe stili i Kartës, që do të paraqitet në vijim.

Dokumenti nuk është një paraqitje teologjie dogmatike apo morale mbi martesën dhe familjen, edhe pse ajo pasqyron mendimin e Kishës në këtë lëndë. As nuk është një rregullore shtjelluese për persona apo institucione të interesuara për këtë problem. Karta ndryshon edhe prej një deklarate të thjeshtë parimesh thjesht teorike që kanë të bëjnë me familjen. Ajo, ka për qëllim, që t’u paraqesë të gjithë bashkëkohësve tanë, qofshin ata të krishterë apo jo, një formulim - më të plotin dhe më të rregulltin që është e mundur - të të drejtave themelore të lidhura ngushtë me atë shoqëri natyrore dhe të gjithëmbarshme që është familja.

Të drejtat që parashtrohen në këtë Kartë janë të qarta në ndërgjegjen e qenien njerëzore dhe në vlerat e përbashkëta të mbarë njerëzimit. Vizioni i krishterë është paraqitur në këtë Kartë si dritë e zbulimit hyjnor, që ndriçon realitetin natyror të familjes. Këto të drejta lindin, në analizë të fundit, prej atij ligji që është shkruar prej Krijuesit në zemrën e çdo qenieje njerëzore. Shoqëria është e thirrur që t’i mbrojë këto të drejta prej dhunimeve dhe që t’i respektojë e t’i nxisë në tërësinë e përmbajtjes së tyre.

Të drejtat e propozuara duhet të kuptohen sipas karakterit specifik të një “Karte”. Në disa raste ato parashtrojnë norma të mirëfillta e të vërteta juridikisht detyruese; në raste të tjera, shprehin postulate dhe parime themelore për një ligjshmëri për t’u zbatuar dhe për një zhvillim të politikës familjare. Në të gjitha rastet janë një thirrje profetike në të mirë të institucionit familjar, i cili duhet të respektohet dhe të mbrohet prej të gjitha përvetësimeve pa të drejtë.

Përveç kësaj gati të gjitha këto të drejta mund të gjenden në dokumente të tjera si të Kishës ashtu edhe të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo Kartë ka për qëllim t’i përpunojë edhe më tej, t’i saktësojë me më shumë qartësi, si dhe t’i përmbledhë ato një një paraqitje organike, të rregulluar dhe të sistemuar mirë. Bashkëngjitur me tekstin janë edhe udhëzimet e “burimeve dhe referimeve”, prej të cilave janë nxjerrë disa prej formulimeve.

Karta e të drejtave të familjes është paraqitur më poshtë prej Selisë së Shenjtë, organ qendror dhe suprem i qeverisë së Kishës katolike. Dokumenti është pasuruar prej vërejtjeve të bollshme dhe sugjerimeve të marra si përgjigje prej një këshillimi të gjerë të konferencave ipeshkvnore të Kishës si edhe të ekspertëve në këtë fushë, përfaqësues të kulturave të ndryshme. Karta i drejtohet pikësëpari qeverive. Në ripohimin, për të mirën e shoqërisë, të vetëdijes së përbashkët të të drejtave thelbësore të familjes, Karta u ofron të gjithë atyre që bashkëndajnë përgjegjësinë për të mirën e përbashkët një model dhe një pikë referimi për përpunimin e një legjislacioni dhe të një politike të familjes, si dhe një udhëzues për programin e veprimit.

Ndërkohë Selia e Shenjtë ia propozon plot besim këtë dokument kujdesit të organizatave ndërkombëtare ndërqeveritare që, në bazë të kompetencës dhe përkujdesjes së tyre për mbrojtjen dhe nxitjen e të drejtave njerëzore, nuk mund të shpërfillin apo të lejojnë dhunime të të drejtave themelore të familjes.

Karta natyrisht u drejtohet edhe vetë familjeve: ajo ka për qëllim të përforcojë në to vetëdijen e rolit të pazëvendësueshëm dhe të pozicionit të familjes; uron t’i frymëzojë familjet për t’u bashkuar në mbrojtjen dhe në nxitjen e të drejtave të tyre; u jep guxim familjeve për të përmbushur detyrat e veta në mënyrë që roli i familjes të vlerësohet hapur dhe të njihet gjithnjë e më shumë në botën e sotme.

Karta u drejtohet, në fund, të gjithë burrave dhe grave me qëllim që të angazhohen për të bërë atë që është e mundur, për të siguruar që të drejtat e familjes të jenë të mbrojtura dhe që institucioni i familjes të përforcohet për të mirën e krejt gjinisë njerëzore, sot e në të ardhmen.

Selia e Shenjtë duke paraqitur këtë Kartë, dëshiron prej përfaqësuesve ipeshkvnor të mbarë botës, që t’u drejtojnë një thirrje të posaçme të gjitha gjymtyrëve dhe institucioneve të Kishës, për të dhënë një dëshmi të qartë për bindjet e krishtera rreth misionit të pazëvendësueshëm të familjes, dhe të kujdesen që familjet dhe prindërit të kenë mbështetjen dhe nxitjen e nevojshme për të përmbushur detyrën që Hyji u ka besuar atyre.

 

 

Karta e të Drejtave të Familjes

  

Hyrje

 

Duke marrë parasysh që:

a)      Të drejtat e personit, edhe pse të shprehura si të drejta të individit, kanë një dimension shoqëror themelor, që gjen në familje shprehjen e vet lindëve dhe gjallëruese.

b)      Familja është themeluar mbi martesën, bashkim i thellë jete në përplotësinë mes burrit dhe gruas, që krijohet me lidhjen e pazgjidhshme të martesës lirisht të lidhur dhe publikisht të shprehur, dhe është e hapur ndaj përçimit të jetës.

c)      Martesa është institucioni natyror të cilit i është besuar në mënyrë ekskluzive misioni për të përçuar jetën.

d)      Familja, shoqëri natyrore, ekziston para shtetit dhe para çdo bashkësie tjetër dhe zotëron të drejtat e veta, që janë të patjetërsueshme.

e)      Familja përbën, edhe më shumë se një bërthamë e pastër juridike, shoqërore dhe ekonomike, një bashkësi dashurie dhe solidariteti që është në mënyrë të vetme e përshtatshme për të mësuar dhe për të përçuar vlera kulturore, etike, shoqërore, shpirtërore dhe fetare, thelbësore për zhvillimin dhe mirëqenien e anëtarëve të vet dhe të shoqërisë.

f)       Familja është vendi ku breza të ndryshëm takohen dhe ndihmohen në mënyrë të ndërsjellë për t’u rritur në dijen njerëzore dhe për të harmonizuar të drejtat e individëve me instanca të tjera të jetës shoqërore.

g)      Familja dhe shoqëria, që janë të lidhura në mënyrë të ndërsjellë prej lidhjesh jetësore dhe organike, kanë një funksion përplotësues në mbrojtjen dhe përparimin e të mirës së njerëzimit dhe të çdo personi.

h)      Përvoja e kulturave të ndryshme gjatë historisë ka treguar se sa është e nevojshme për shoqërinë të njohë dhe të mbrojë institucionin familjar.

i)        Shoqëria, dhe në mënyrë të veçantë Shteti dhe organizatat ndërkombëtare, duhet ta mbrojnë familjen me mjete politike, ekonomike, shoqërore dhe juridike, që synojnë përforcimin e njësisë dhe të qëndrueshmërisë së familjes në mënyrë që ajo të mund të ushtrojë funksionin e vet specifik.

j)        Të drejtat, nevojat themelore, mirëqenia dhe vlerat e familjes, edhe nëse shkallë-shkallë mbrohen në disa raste, shpesh nuk njihen dhe jo pak herë të shkatërruara prej ligjeve, institucioneve dhe programeve shoqërore dhe ekonomike.

k)      Shumë familje janë të detyruara të jetojnë në kushte varfërie që pengojnë zhvillimin me dinjitet të rolit të tyre.

l)        Kisha katolike, e vetëdijshme që e mira e personit, e shoqërisë dhe e vetë Kishës kalon nëpërmjet jetës së familjes, e quan pjesë të misionit të vet shpalljen e planit të Hyjit të brendashkruar në natyrën njerëzore rreth martesës dhe familjes, nxitjen e këtyre dy institucioneve dhe mbrojtjen prej atyre që i sulmojnë.

m)    Sinodi i ipeshkvijve, i zhvilluar në vitin 1980, porositi përpilimin dhe dërgimin e një Kartë për të drejtat e familjes të gjithë të interesuarve.

n)      Selia e Shenjtë, pasi është këshilluar me Konferencat ipeshkvnore, paraqet tani këtë Kartë të të drejtave të familjes dhe u bën thirrje të gjitha Shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe të gjitha institucioneve dhe personave të interesuar, që t’i respektojnë këta të drejta dhe të sigurojnë njohjen dhe respektimin real të tyre.

 

   Neni I

 

Çdo person ka të drejtë për zgjedhjen e lirë të gjendjes së jetës të vet dhe për këtë, të martohet dhe të formojë një familje apo të qëndrojë beqar a beqare.

a)      Çdo burrë dhe çdo grua, që ka arritur moshën e martesës dhe që ka aftësitë e nevojshme, ka të drejtë të martohet dhe të formojë një familje pa asnjë dallim; kufizime ligjore për ushtrimin e kësaj të drejte, si të karakterit të përhershëm ashtu edhe të përkohshëm, mund të futen vetëm kur kërkohen nga nevoja të forta dhe objektive të vetë institucionit martesor dhe të rëndësisë së tij shoqërore dhe publike; dhe duhet, në çdo rast, të respektojë dinjitetin dhe të drejtat themelore të personit.

b)      Ata që dëshirojnë të martohen dhe të formojnë një familje kanë të drejtë të presin prej shoqërisë ata kushte morale, edukuese, shoqërore dhe ekonomike që i vënë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u martuar në pjekuri dhe përgjegjësi të plotë.

c)      Vlera institucionale e martesës duhet të mbështetet prej autoriteteve publike: gjendja e çifteve jo të martuara nuk duhet të vihet në të njëjtin plan me martesat e lidhura siç duhet.

 

 Neni II

 

Martesa nuk mund të lidhet veçse nëpërmjet miratimit të lirë dhe të plotë të bashkëshortëve të shprehur siç duhet.

a)      Duke pasur respektin e duhur për rolin tradicional të familjeve, në disa kultura, në drejtimin e vendimit të bijve të tyre, duhet të shmanget çdo presion që pengon zgjedhjen e një personi të caktuar si bashkëshort/e.

b)      Bashkëshortët e ardhshëm kanë të drejtën e lirisë së tyre fetare. Për këtë vënia si kusht paraprak për martesë e mohimit të fesë apo e dëshmimit të fesë që është kundër ndërgjegjes vetjake, përbën një dhunim të kësaj të drejte.

c)      Bashkëshortët, në përplotësinë natyrore që ekziston mes burrit dhe gruas, gëzojnë prej të njëjtit dinjitet dhe prej të drejtash të barabarta në lidhje me martesën.

 

 Neni III

 

Bashkëshortët kanë të drejtën e patjetërsueshme për të formuar një familje dhe për të vendosur mbi largësinë mes lindjeve dhe numrit të fëmijëve për të lindur, duke marrë plotësisht parasysh detyrat e tyre ndaj vetvetes, bijve të lindur, familjes dhe shoqërisë, në një hierarki të drejtë vlerash dhe sipas rregullit moral objektiv që përjashton përdorimin e kundërngjizësve, sterilizimin dhe dështimin.

a)      Veprimtaritë e autoriteteve publike dhe të organizatave private, që priren në çfarëdo mënyre të kufizojnë lirinë e çifteve që të vendosin për bijtë e tyre, përbëjnë një fyerje të rëndë kundër dinjitetit njerëzor dhe kundër drejtësisë.

b)      Në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndihma ekonomike për zhvillimin e popujve nuk duhet të kushtëzohet prej pranimit të programeve të kundërzgjizjes, shterpëzimit apo dështimit.

c)      Familja ka të drejtë të ndihmohet prej shoqërisë për sa i përket detyrave të saja rreth krijimit dhe edukimit të fëmijëve. Çiftet e martuara, që kanë një familje të madhe, kanë të drejtë për një ndihmë të përshtatshme dhe nuk duhet të dallohen.

  

Neni IV

 

Jeta njerëzore duhet të respektohet dhe të mbrohet në mënyrë absolute qysh prej çastit të ngjizjes.

a)      Dështimi është një dhunim i drejtpërdrejtë i të drejtës themelore për jetë të qenies njerëzore.

b)      Respekti për dinjitetin e qenies njerëzore përjashton çdo manipulim eksperimental apo shfrytëzim të embrionit njerëzor.

c)      Të gjitha ndërhyrjet mbi trashëgiminë gjenetike të personit njerëzor, të cilat nuk kanë për qëllim korrigjimin e anomalive, përbëjnë një dhunim të së drejtës së paprekshmërisë fizike dhe kundërshtojnë të mirën e familjes.

d)      Bijtë, si para ashtu pas lindjes, kanë të drejtë për një mbrojtje dhe asistencë të posaçme, ashtu sikurse e kanë edhe nënat, si gjatë shtatzanisë, ashtu edhe për një farë kohe pas lindjes.

e)      Të gjithë bijtë, të lindur si brenda ashtu edhe jashtë martese, gëzojnë të njëjtën të drejtë për mbrojtje shoqërore, duke pasur parasysh zhvillimin e tyre të plotë personal.

f)       Jetimët apo fëmijët që nuk asistohen prej prindërve të tyre apo kujdestarëve duhet të kenë mbrojtje të veçantë prej shoqërisë. Shteti, për sa i përket garancisë apo adoptimit, duhet të sigurojnë një legjislacion që t’i lehtësojë familjet e afta për të mirëpritur në shtëpitë e tyre fëmijë që kanë nevojë për një asistencë të përhershme apo të përkohshme dhe që, në të njëjtën kohë, të respektojë të drejtat natyrore të prindërve.

g)      Fëmijët që janë me të meta kanë të drejtë të gjejnë në shtëpi dhe në shkollë një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e tyre njerëzor.

 

 Neni V

 

Duke qenë se i kanë dhënë jetën fëmijëve të tyre, prindërit kanë të drejtën e drejtpërdrejtë, parësore dhe të patjetërsueshme për t’i edukuar; për këta ata duhet të njihen si edukuesit e parë dhe kryesorë të bijve të tyre.

a)      Prindërit kanë të drejtë t’i edukojnë bijtë e tyre sipas bindjeve të tyre morale dhe fetare, duke pasur parasysh traditat kulturore të familjes që favorizojnë të mirën dhe dinjitetin e fëmijës; gjithashtu ata duhet të marrin prej shoqërisë ndihmën dhe asistencën e nevojshme për ta kryer si duhet rolin e tyre edukues.

b)      Prindërit kanë të drejtë të zgjedhin lirisht shkolla apo mjete të tjera të nevojshme për t’i edukuar bijtë e tyre sipas bindjeve të tyre. Autoritetet publike duhet të bëjnë të mundur caktimin e udhëzuesve publikë në mënyrë që prindërit të jenë me të vërtetë të lirë në ushtrimin e kësaj të drejte, pa u dalë përpara pengesa të padrejta. Prindërit nuk duhet të shtrëngohen të bëjnë, drejtpërdrejt apo jo, shpenzime shtesë, që pengojnë apo kufizojnë me pa të drejtë ushtrimin e kësaj lirie.

c)      Prindërit kanë të drejtë të arrijnë që bijtë e tyre të mos jenë të shtrënguar të ndjekin shkolla që nuk janë në harmoni me bindjet e tyre morale dhe fetare. Në veçanti edukimi seksual - që është një e drejtë themelore e prindërve - duhet të bëhet nën drejtimin e tyre të kujdesshëm si në shtëpi ashtu edhe në qendrat edukuese të zgjedhura dhe të kontrolluara prej tyre.

d)      Të drejtat e prindërve dhunohen sa herë që prej Shtetit vendoset një sistem i detyruar edukimi, prej të cilit përjashtohet çdo formim fetar.

e)      E drejta parësore e prindërve për t’i edukuar bijtë e tyre duhet të mbështetet në të gjitha format e bashkëpunimit mes prindërve, mësuesve dhe autoriteteve shkollore, dhe veçanërisht në format e pjesëmarrjes që i japin zë qytetarëve në funksionimin e shkollave dhe në formulimin dhe zbatimin e politikave edukuese.

f)       Familja ka të drejtë të kërkojë që mjetet e informimit shoqëror të jenë mjete pozitive për ndërtimin e një shoqërie. Në të njëjtën kohë familja ka të drejtë të mbrohet në mënyrën e duhur, sidomos kur bëhet fjalë për anëtarët e vet më të rinj, prej efekteve negative dhe prej shpërdorimeve të mas mediave.

 

 Neni VI

 

Familja ka të drejtë të ekzistojë dhe të përparojë si e tillë.

a)      Autoritetet publike duhet ta respektojnë dhe ta nxisin dinjitetin, pavarësinë e ligjshme, intimitetin, pacenueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e çdo familjeje.

b)      Shkurorëzimi cenon vetë institucionin e martesës dhe të familjes.

c)      Sistemi i familjes së madhe, aty ku ekziston, duhet të vlerësohet dhe të ndihmohet të kryejë gjithnjë e më mirë rolin e vet tradicional të solidaritetit dhe të ndihmesës së ndërsjellë, gjithmonë duke respektuar, në të njëjtën kohë, të drejtat e familjes së vogël dhe të dinjitetit personal të çdo anëtari.

  

Neni VII

 

Çdo familje ka të drejtë të jetojë lirisht jetën e vet fetare shtëpiake nën drejtimin e prindërve, ashtu si ka edhe të drejtën ta dëshmojë publikisht dhe ta përhapë fenë, të marrë pjesë në kultin publik dhe të zgjedhë lirisht programe mësimi fetar pa pësuar dallime.

 

 Neni VIII

 

Familja ka të drejtë të ushtrojë funksionin e vet shoqëror dhe politik në ndërtimin e shoqërisë.

a)      Familjet kanë të drejtë të formojnë shoqata me familje dhe institucione të tjera, për të zhvilluar rolin e familjes në mënyrë të ? dhe reale, ashtu edhe të mbrojë të drejtat, të nxisë të mirën dhe të paraqesë interesat e familjes.

b)      Në planin ekonomik, shoqëror, juridik dhe kulturor, duhet të njihet roli legjitim i familjeve dhe i shoqatave familjare në përpunimin dhe në realizimin e programeve që i interesojnë jetës së familjes.

 

 Neni IX

 

Familjet kanë të drejtë të mund t’i varin shpresat në një politikë të përshtatshme familjare prej autoriteteve politike në rrethin juridik, ekonomik, shoqëror dhe fiskal, pa asnjë lloj dallimi.

a)      Familjet kanë të drejtë për kushte ekonomike që u sigurojnë atyre një nivel jetese të përshtatshme për dinjitetin dhe zhvillimin e tyre të plotë. Nuk duhet të pengohen prej blerjes dhe ruajtjes së pronësisë private që mund të favorizojnë një jetë të qëndrueshme familjare; ligjet që kanë të bëjnë me trashëgiminë apo me përçimin e pronësisë duhet t’i respektojnë nevojat dhe të drejtat e anëtarëve të familjes.

b)      Familjet kanë të drejtë për masa në rrethin shoqëror që mbajnë parasysh nevojat e tyre, veçanërisht në rast vdekjeje të parakohshme të një apo të të dy prindërve, braktisjeje të njërit prej prindërve, aksidenti, sëmundjeje apo invaliditeti, në rast papunësie, dhe çdo herë që familjes i duhet të mbajë pesha të jashtëzakonshme në të mirë të anëtarëve të vet për arsye të moshës së thyer, të personave me të meta fizike apo mendore apo të edukimit të bijve të vet.

c)      Të moshuarit kanë të drejtë të gjejnë brenda familjes së tyre apo kur kjo nuk është e mundur, në institucione të përshtatshme, një mjedis që u mundëson atyre ta kalojnë pleqërinë në qetësi, duke zhvilluar ato veprimtari që janë në pajtim me moshën e tyre dhe që i vë në ato kushte për të marrë pjesë në jetën shoqërore.

d)      Të drejtat dhe nevoja e familjes, dhe veçanërisht vlera e njësisë së saj, duhen të merren parasysh prej politikës dhe legjislacionit penal, në mënyrë që i burgosuri të qëndrojnë në kontakt me familjen e vet dhe kjo të mbështetet si duhet gjatë periudhës së burgimit.

 

Neni X

 

Familjet kanë të drejtë për një rregull shoqëror dhe ekonomik në të cilin organizimi i punës u mundëson anëtarëve të saj të jetojnë së bashku, dhe të mos ndalojë njësinë, mirëqenien, shëndetin dhe qëndrueshmërinë në familje, duke dhënë edhe mundësinë e një argëtimi të saj të shëndetshëm.

a)      Rroga duhet të jetë e mjaftueshme për të krijuar dhe për të mbajtur një familje me dinjitet, si nëpërmjet një rroge të arsyeshme, të quajtur “rrogë familjare”, ashtu edhe nëpërmjet masave të tjera shoqërore, si paga familjare apo pagesa e punës shtëpiake e njërit prej prindërve; duhet të ishte i tillë sa të mos i detyronte nënat për të punuar jashtë shtëpie në dëm të jetës familjare dhe veçanërisht të edukimit të bijve.

b)      Puna në shtëpi e nënës duhet të njihet dhe të respektohet për vlerën që ka për familjen dhe shoqërinë.

  

Neni XI

 

Familja ka të drejtë për një banesë për të qenë, të përshtatshme për jetën e familjes dhe në përpjestim me numrin e anëtarëve të vet, në një mjedis që siguron shërbimet bazë për jetën e familjes dhe të shoqërisë.

 

 Neni XII

 

Familjet e të emigruarve kanë të drejtë për po atë mbrojtje që i jepet edhe familjeve të tjera.

a)      Familjet e të ardhurve kanë të drejtë për respektimin e kulturës së tyre dhe të marrin një mbështetje dhe asistencë për futjen e tyre në shoqërinë në të cilën japin kontributin e tyre.

b)      Punonjësit e mërguar kanë të drejtë ta shohin familjen e vet të njësuar sa më shpejt të jetë e mundur.

c)      Të ikurit kanë të drejtë për asistencë prej autoriteteve publike dhe organizmave ndërkombëtarë për të lehtësuar ribashkimin e familjeve të tyre.

 

 

 titujt kryesore

 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster